Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NGA DRAMA E SKENARI DERI TEK SPEKTAKLI E FILMI

Miho Gjini

Ese

 

 

“Ç’bëjnë këta kështu që merren me torturimin e një fëmije”?!-më shprehet ime shoqe, e shtangur përpara ekranit televiziv, i cili vazhdonte të transmetonte që prej dy-tri vitesh filmin serial turk “Elifi”. Megjithatë ajo e ndiqte atë e përfshirë nga një ndjenjë keqardhje e pafundme, se kur do të shpëtonte ky fëmijë prej këtyre rrëmbimeve të pafundme që i bënin vogëlushes, për t’u hakmarrë me prindët e saj, herë me njerin e herë me tjetrën. Po nervozizmi dhe njëherësh humanizmi i një spektatori nuk vlen aspak, kur një skenarist amator, arrin që ta ‘shesë’ atë ngjarje të dhimbshme, tek një agjenci, drejtori, bdërmarrje a ndonjë biznesmen i prodhimeve kinematografike dhe ay apo ajo, pa e ‘vrarë shumë mendjen’, aktivizon me para në dorë një grupim aktorësh  (sado të mirë e të sukseshëm që të jenë ata!), po edhe ndonjë regjisor që e realizon filmin, për hir të parave që merr, pa iu berë shumë vonë se, gjithçka që bëjnë, me filmin e tyre, shkatërrojnë shijet e publikut! Vogëlushja që e luan këtë rol, në mbartjen e përjetimin e fatkeqësive të panumërta, torturimeve fizike, kundër çdo norme njerëzore, është një interpretuese e shkëlqyer, për hir të sinqeritetit, natyrësisë e ndjeshmërisë që ka mosha, po edhe pse nuk arrin ta kuptojë konfliktin superior mbi ‘kokën e saj’. Po vallë a e kuptojnë këtë, ata që e bëjnë filmin, ata që e blejnë dhe e shpërndajne atë?! Paskëtaj ‘e keqja’ zmadhohet, bëhet publike dhe fort e dëmshme, duke krijuar kështu edhe seritë e filmave komercialë, që ‘mbajnë gjallë’ televizionet!….

Dhe menjëherë do të më kujtohej një shfaqje teatrore në festivalin e dy viteve të kaluara në Tiranë, që u zhvillua në ‘TURBO TEATËR’ , kur aty ‘rrëmbimi’, si mjet dhune në njerën prej shfaqjeve, keqpërdoret si një ‘mjet artistik’ me një të rritur, djalin e një biznesmeni, për ‘të bërë dramë’ me domosdo!… Tek “Elifi” shtyhet skenari, mëse dy vite, ndërsa tek kjo dramë shtyhet një orë e ca, po në krahun e kundërt, duke thënë, më së fundi se: gjithçka ishte një lojë! Tek e para, bëhet rrëmbimi, si mjet dhune e përsëritet dhjetra herë, me egërsi të pashoqe, për të mbajtur ngrehur ‘ankthin real’ të hakmarrjes, deri në një provokim të hapur ndaj gjëndrave të lotëve, tek njeriu që e ndjek nga salla e kinemasë a poltroni i shtëpisë, para ekranit televiziv i tensionuar, ndërsa, tek e dyta, pas një akti kriminal, ku nuk kursehet dhuna torturonjëse, me kobure mbi kokën e fatkeqit (!) e ngrihet peshë zëmërimi i publikut ndaj aktit të kryer realisht, i thuhet atyre, spektatorëve, që ‘të qetsohen’ (!) se ‘e gjitha kjo ishte një lojë’, sajuar për ‘zbavitjen’ e tij në Teatër! Të b… m’u në zbavitje! Bëhet kështu njëfarë spekullimi me ndjenjat e publikut. Pa ekspozuar asfare, se publiku ‘do të shohë paskëtaj një histori të gënjeshtër’, për rrëmbimin e njeriut, pikërisht të atij personazhi që provon ‘netët e ferrit’ e që kërkon të rrëmih ‘tunele’ për t’u arratisur, si të ishte Abati Faria i Dumas, pa le të ishte kjo në gjininë e dramës apo të komedisë! Realisht, kanë dashur të bëjnë njëfarë ‘rengu’, artificë që përdoret më së shumti në komedinë e situatave, në farsë, në estradë, nëpër vodevile e opereta gazmore. Po kjo realizohet në gjininë e duhur, në kohën, vendin e me trajtimin e duhur artistik. Dhe jo t’i ngrejmë temperaturën publikut që beson ndaj artit të vërtetë, deri në  40 gradë, realisht, pa asnjë ekspoze, e pastaj t’i themi se të ‘gënjyem’!… Njëlloj si t’i hidhnim njeriut e gënjyer një kovë me ujë të fohtë mbi krye. Fryjmë tollumbacen dhe e shfryjmë, si të ishim në ‘Parkun e Fëmijve’! Rengu teatral këtu është fare pa vendin e duhur. Të lozësh më ndjenjat e publikut artificialisht është një naivitet i pa honepsur, amatorizëm ordiner, natyralizëm i shëmtuar, të cilin, kur e vendos atë në një film apo në një shfaqje skenike shkakton zemërimin  e tyre të ligjshëm. Aq më tepër se ai, beson  kur hyn në kinema a në teatër, edhe pse e di që aty asgjëja ngrihet e merr vlerë, ndërsa ‘gënjeshtra’ e ngritur artistikisht, në skajet e së vërtetës, nuk është më një sajesë, po një vlerë estetike e pakundërshtueshme…

Prej këndej e ka rrjedhën sentimentalizmi, që të shpie drejt gjinive melodramatike të teatrit e të kinemasë, duke provokuar hapur gjendrat e lotëve. Publiku ynë i ka hasur më shpesh ato nëpër filmat egjyptianë, indianë, të disa shteteve të Amerikës Latine, si edhe tani, me shumicë nëpër filma turqt. Se të zvarritësh një fëmije, ta futësh atë nëpër bodrume, t’i lidhësh duart e njoma barbarisht, të mos i japësh as për të ngrënë apo t’i hedhësh në nje tas hedhurinat që t’i hajë, është e mbetet një ‘mjet spekullativ’, cinik, ca më tepër kur kjo bëhet një ‘modelim”’alogjik, anti artistik e antinjerëzor! Po kështu ndodh edhe nëpër shfaqjet e komedive apo të estradave, kur arritja e së qeshurës me çdo mjet spekullativ, me grimasa, sajesa, rengje banale e gënjeshtra të trasha dhe pa i ekspozuar apo trajtuar artistikisht ato, pa i zgjidhur brenda kritereve estetike e me ‘metrin e masës’. Në një komedi zbavitëse të autorit shqiptaro-maqedonas, Vardarin që jeton në Francë, i cili shpesh luan edhe vete në komeditë e tij, midis dy personazheve gra, të divorcuara nga burrat e tyre e jetojnë në të njëjtin apartament, fut edhe një burrë të veshur si grua, duke shfrytëzuar kështu nevojën që ka njera prej tyre të japi me qera të dy dhomat e saj bosh… Dhe ky lloj personazhi (i shtiruar midis dy sekseve, për gallatë!), i vë në loje dy të tjerat, ne trajtën më të trashë të mundshme, aq sa ‘rengu’ i tij, tallja e hapët, kuptohet, edhe pa e bërë ekspozimin e figurës si e tilllë. Mirëpo inkoseguenca, si ‘mjet skenik’ as zbulohet  e as denoncohet, duke hequr kështu mundësinë e një zgjidhjeje adekuate të kriterit artistik, pa e përfunduar lojën e burrit, qoftë edhe me një pikasje të vetme  gjatë zhvillimit të subjektit a të diktohej diku, andej nga fundi… Ndërsa në komedinë klasike të Nikollaj Gogolit ‘Revizori’ për gjithë katrahurën që bëhet, ‘rengu’ është plotësisht i motivuar e i justifikuar, sepse, këtë nëpunës të falimentuar të gubernës ruse, batakçiun Hlestakov, e marrin gabimisht, tjetër për tjetër, ndërkohë që pritej të vinte një revizor nga lartë dhe kështu ai ‘gjen shesh e bën përshesh”! Loja e mëtejshme e Hlestakovit, bëhet kështu e hapët, dredharake, e motivuar logjikisht e artistikisht, tepër bukur, duke i dhënë edhe një fshikullim të gjithanshëm, jo vetëm personazheve të korruptuar e të kalbur të asaj kohe, po edhe të të gjithë shoqërisë në sistemin e  bujkrobërisë ruse, që do të mbetej gjurmëlënëse kudo në botë, edhe sot e kësaj dite! Po ashtu sikundër mbetën aktuale e të pavdekshme komeditë e Shekspirit, të Lope De Vegës, të Molierit, Goldonit, Karaxhales, Dario Fos, si edhe komedia e autorit tonë Spiro Çomora…

E gjithë ‘loja’ në teatër e në filmë, është gjithsesi një sajesë, një “gënjeshtër fund e krye”, e menduar nga dramaturgu e skenaristi, i cili niset nga diçka reale, po edhe nga mbresat e veta, të mira e të këqia, duke mos përjashtuar edhe imagjinatën, fantazinë që vepra e tij të mos jetë në dizonancë me realitetin, me ngjarjen, me epokën e kohën e atyre zhvillimeve që shtjellon aty, por nëpërmes këtyre raporteve qëndron përherë kriteri estetik, i përzgjedhjeve adekuate, të përafërta , për sigurimin e besueshmërisë dhe të së vërtetës, pa bërë spekullime të drejtpërdrejta, që kanë të bëjnë me prishjen e ndjeshmërisë, po edhe të logjikës. Po kështu, edhe kur dramaturgu a skenaristi nisen nga një ngjarje reale, gjatë procesit të krijimit të plotë të veprës teatrore a kinematografike, i nënështrohen ligjeve të artit, të konsoliduara prej dekadash e shekujsh, pa përmendur këtu rrymat e mëvonshme të modernizmit e të posmodenizmit, kur ‘recetat e ligjet’ edhe prishen për hir të noviteteve, eksperimentimeve avangardiste, deri në pafundësinë e tyre. Po kërkesat estetike që rrjedhin nga shprehja aristike e pasqyrimeve të ‘lëndës’ mbetet përherë , si një ‘marrëveshje e përhershme’ me publikun! Në filmin turk që përmenda fillimisht, ka edhe skena aksidentale të vdekjes së personazhit, apo edhe humbje ndjenjash ekstreme, të cilat zgjatin mëse një orë, nganjëherë edhe në një, dy e tri seri, me kokën varur, duke qarë e lënguar, me lotë, kuje e psherëtima, si nga ana e personazheve, ashtu edhe nga ana e spektatorëve sentimentalë, të grave e fëmijëve që e shohin atë dhe përgjërohen (!), duke humbur kështu atë që quhet ‘ndjenja e masës’. Qajnë në skenë a në ekran, qajnë në sallë a në shtëpi dhe ‘e qara bëhet lumë’! Këtu cenohet kriteri estetik i artit e ia lë vendin sentimetalizmit, melodramatizmit dhe natyralizmit, me pasojat e lotëve pa mbarim, të ulërimave e kujeve të thekshme! S’ka pak ditë që bisedoja me regjisorin Kristaq Mitro rreth realizimit të filmit ‘Liri a Vdekje’, kushtuar Heroit tonë Popullor Çerçiz Topulli dhe e përgëzova atë për një zgjidhje realiste të figurës së heroit, pa e vrarë atë (ndonëse të rrethuar nga qindra ushtarë të huaj e nga breshëria e plumbave), pa e shtrirë përdhe që ta qante me kodet tona të vdekjes e ëma dha e nusja e tij, po ashtu në këmbë, duke lënë amanetet e shënjta të tij, po aq prekëse… Bile i gjithë trajtimi i figurës së këtij heroi ështe teje njerëzor, i vërtetë e i besueshëm, si nga aktori Timo Flloko që e interpreton atë me mjeshtri të rrallë, ashtu edhe nga regjia, me thjeshtësi, vërtetësi e art të përkorë, si një figurë popullore heroke e pavdekshme…..

Kështu, për ta mbyllur këtë ese, duhet përmëndur edhe një herë proverbi popullor se, “nga e thëna në të bërë është në mes një lum i gjërë”! Pra, për të shkuar nga drama e skenari deri në spektaklin skenik e realizimin kinematografik, është një punë e madhe e shumë e lodhshme, që kërkon shumë mund, sakrifica të panumërta, profesionalizëm, para dhe mbi të gjitha: TALENT. Dhe përsëri do të sillja si një shëmbëlltyrë të shkëlqyer të këtij procesi, spektaklin turk nga Teatri Kombëtar i Ankarasë në Festivalin e fundit Ndërkombëtar të Teatrit në Elbasan, të titulluar: “Libri i Pafundësisë”. Regjisori Mustafa Kurti, njëherësh edhe Drejtor i Pergjithshëm i gjithe Teatrove të Ankarasë, personalitet artistik, rrëfen një mjeshtëri të rrallë, tek e transformon një tekst fare të thjeshtë të poetit, shkrimtarit e dramaturgut të tyre, Sabahattin Kudret Aksal, kushtuar një personazhi romantik, idealizues e të fantaksur të heronjëve të librave, me karakter poetik, ku nuk merrej vesh asfare gjinia, -me talentin e fantazinë e tij dhe krijon një spektakël të jashtzakonshëm të komedisë satirike, që mori admirimin e kritikës teatrore dhe kënaqësinë e thellë të spektatorëve elbasanas që e panë atë në një skenë të improvizuar, funksionale e të madhërishme, te Porta Kryesore e Kalasë së hershme, një kryevepër të artit skenik…

Miho Gjini: “ATA VIJNË PA TROKITUR”…

Miho Gjini: Mbyllet në Elbasan Festivali “Anti-virus-22”

Kujtimet e Mjeshtrit të Madh Miho Gjini me plejadën e parë të ndritshme të aktrimit me Birçe Haskon, Gëzim Kamen, Kristaq Mitron, Llazi Serbon, Mevlan Shanaj, Minella Borovën, Niko Kanxherin, Petrika Rizën, Saimir Kumbaron dhe Timo Fllokon

Miho Gjini: FIGURA TRAGJIKE E NJË AKTORI TË KOMEDISË

 

 

Please follow and like us: