Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Mbyllet në Elbasan Festivali “Anti-virus-22”

Nga Miho Gjini, Mjeshtër i Madh

Në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, prej datës 29 shtator-04 tetor dhe brenda e jashtë kështjellës së lashtë “Skampa” u zhvillua festivali me i veçantë shqiptar, i cili rreket akoma të jetë ndërkombëtar e të mbajë ende profilizimin e vet në një kohë tepër të vështirë moti e kolere! Jo si herët e tjera, me pjesëmarrje më të gjerë tupash prestigjioze nga bota, pa ftesa të shumta artistësh e bashkëpuntorësh, pa i mbajtur trupat të njohin njeri-tjetrin e të këmbejnë eksperiencën e tyre, si edhe pa e patur sallën e atij teatri komod që u dogj (!) e u ribë nga e para. E megjithatë, ja tek u bë e do ta quaja ‘një heroizm’, nga që u ndodh vetëm një njeri këmbëngulës, nje artist si Adonis Filipi , ‘i çmendur’ fund e krye, që merr parasysh rrezikun e madh të dështimit dhe e bën atë, pa i mbledhur dot të gjitha paratë, “nga janë e nga s’janë” dhe e zhvillon festivalin pikërisht atëhere, kur ndalohet mbledhja e spektatorëve nëpër grupime të përbashkëta, (veçse në distancë e me maska në fytyrë!), për t’iu shmangur murtajës shfarosëse që ka pllakosur vendin e tërë dynjanë. Për të lënur përsëri po atë “GJURMË”,-sikundët e quan ai këtë herë Drejtori Artistik edicionin e tij, në një vazhdimësi prej 22 vitesh!

Drejtori i Festivalit Adonis Filipi

Dy performanca “të arta” 

Qoftë edhe për këto dy performanca,-prurje të rralla të artit skenik bashkëkohës, duhej bërë ky festival, jo i përmasës së zakonshme. Është fjala për shfaqjen e mrekullueshme “Mbyllja e dashurisë”, nga dy artistë të Teatrit Kombëtar, me autor të tekstit poetin Pascal Rambert nga Parisi dhe regji, po ashtu francezin Eric Vigner, si edhe për shfaqjen tronditëse që solli regjisoria e pedagogia jonë e artit skenik, Ema Andrea “Lojra në oborrin e pasëm” të Edna Mazya. Që të dyja, si spektakle të ndryshme e krejt të vaçanta në koncepte, shtrirje, interpetime e trajtime regjisoriale, po aq të domosdoshme e në përshtatje me profilin e këtij festivali.

E para, ishte një shtjellim unik i dy monologjeve të gjata, të një çifti bashkëshortor, kur, me kalimin e viteve, ka ndodhur ngërçi midis çiftit, prerja e mardhënieve të erotikës, harmonia e dashuria dhe kur, befas, një ditë prej ditësh, do të ndodhen në pragun e ndarjes. Pa shkuar në gjyq, me një përballje akuzash me njeri-tjetrin, nga ku shpaloset vuajtja e dashurise, zhbërja e saj nga faktorë objektivë e subjektiv, ftohja, derisa vjenë ‘vyshkja’ e moshës, rënia dhe pastaj: përplasja ballore, tepër e dhimbëshme, me një psikologji të thellë, ku do të nxjerrë krye edhe urrejtja. Përmes një teksti brilant poetik, me nuanca të dramacitetit njerëzor, kur kjo ndjenjë e fuqishme nis edhe të zhbëhet. Po gjithmonë lypsen artistë të vërtetë që ta zbulojnë tërë këtë dallgëzim ndjenjash, që nga qetësia e dikurshme e ‘valëve të detit’, deri në acarimin e tmerrshëm të dallgëzimeve që bie fërtuna. E këta janë: një aktore e dimensioneve të mëdha si Luiza Xhuvani, e sprovuar në të tria gjinitë skenike (dramë, tragjedi e komedi), si një nga talentet e rralla e të papërsëritshme që kemi, po edhe nga një aktor tjetër i drames e i tragjedisë, si Vasjan Lami, me botën  e tij shpirtërore të pasur, në zërin e plotë e sugjestiv e me atë proçes të natyrshëm kalimesh e shpërthimesh. Duket sikur ata janë të shkëputur nga njeri-tjetri, prej mungesës së dialogut, po regjia e mënçur jep diçka tjetër: marrëdhënien e komunikimit përmes fjalës-vepruese të njerit dhe heshtjes së tjetrit, si një harmoni e artit të shprehjes, pa zë, në përgjigjet ndaj partnerit, nëpërmjet shpirtit, syve e mizanskenës vepruese, në atë vërtitje të pazakontë, kur ‘zëmrat’ e të dy bashkëshortëve janë duke ‘plasur’, si tek njera e si tek tjetri, kur jeta ‘ka marrë shtrëmbër’ dhe, me një ritmikë të pazakontë, vihet deri në buzën e greminës, për të mbyllur kështu ‘siparin e dashurisë’! Një performancë elegante, nga më të rrallat që kemi mundur të shohim në skenat tona!

 Të dytën shfaqje, diametralisht e kundërt me të parën, (“Lojra në oborrin e pasëm”), e shquan dinamika e vrulli rinor, po edhe një dramë e dhimbshme: dhuna seksuale e te miturve në veçanti e çfardo dhunë në përgjthësi, si një ‘plagë e hapur’ e shoqërisë sonë, duke e shtjelluar këtë aspekt e fenomen të shëmtuar, si një akuzë, po edhe si një vetgjykim, mandej edhe si një protestë të fuqishme. Është Edna Mazya që ka hartuar një tekst rrënqethës, të nxjerrë nga kronika reale, nga media, policia e gjykata, po edhe një regjisore si Ema Andrea që e ndërton këtë shtjellim faktesh e ngjarjesh në trajtën e një spektakli, ku përfshet rrëfimi, deklarimi i fakteve reale, inskenimi, interpretimi, vetgjykimi e dancingu. Prej disa artistëve të rinj që meritojne të përmënden këtu me emëra (Suela Bako, Enisa Hysa, Matia Llupa, Artemisa Kusi, Ermir Hoxhaj, Ermir Jonka, Paula Kadillari, Noel Kokomani e Rosella Pellicioti). Ndëra Ema Andrea, e cila edhe herë të tjera është paraqitur me kërkime avangardiste të artit skenik, me eksperimentime e performanca të tilla, me nivele rrezatuese, arrin të shprehë fuqishëm revoltën e një shoqërie të tërë kundër dhumës seksuale, ca më fuqishëm se ato që bëhen në ndonjë demostrim rruge, emisione televize e artikuj gazetash. Forca e artit ësht shumë më e lartë e më se depërtuese. Humanizmi  që rrëfen arti është gjthmonë më sugjestionues e ndihmon në shërimin e këtyre plagëve universale të njerëzimit. Me një performacë të ‘Teatrit të Rrugës’, ku këmbanat e alarmit dëgjohen ca më tepër!

 

Një tragjedi, një satirë dhe një komedi zbavitëse…

Tragjedia e Shekspirit “Jul Çezari”, nga Trupa e Teatrit Ekperimental “Kujtim Spahivpgli”, me një regji të kroatit Ivica Buljan, shfaqur edhe gjetkë, brenda kështjellës së hershme të Elbasanit, gjeti dekorin e saj real, me një publik intelektual të zgjedhur. Sipas autorit gjenial, tashmë betejat kanë mbaruar, perandorit i është ofruar kurora  e fitoreve edhe ndërkaq do të ‘ndizen gjakrat’ e patriotizmit, të nderit, miqësisë, po edhe të xhelozisë që do të përfundojnë deri në vrasjen e Jul Çezarit: Kush e vrau  e pse u vra Perandori (?!), si edhe vetë ngjarja mizore, do të trajtohen nga regjia me një konceptim e atmosferë të ngjajshme, me ciklin e tragjedive kundër tiranëve, ku ndjehet roli e prezenca e figurës madhore të Çezarit, në shtratin e subjektit, po ca më tepër akoma të të tria figurave përreth tij, ajo e Brutit, e Mark Antonit dhe e Kasit, të cilët krijuan tri ‘kollonadat’ që mbajnë të ngrehur tragjedinë, ne atë vorbull të përgjakshme ngjarjesh të vërteta, të cilat i ka mbuluar tisi i kohrave e i ka zbuluar kollosi i dramaturgjisë botërore. Dhe të interpretuara mjeshtërisht nga aktorët Ervin Bejleri (Bruti), Alert Çeloaliaj (Mark Antoni) dhe Amos Muji Zaharia (Kasi). Secili prej tyre është një karakter,-figurë artistike e plotë, që sjellin të vërteta të dhimbshme nga etja për pushtet. Interpretimet e tyre janë pasionante e të motivuara, brenda rrethanave e atmosferës së krijuar ‘pas perdeve’! Mirëpo gjithçka që ka të bëjë këtu me spjegimet e nënëtekstin  e autorit, janë e mbeten gjithmonë aktuale rreth figurave historike e atmosferës së asaj epoke, pa qenë nevoja të shtohej teksti, aty-këtu,-gjë që e banalizojnë atë, Gjigandin Botëror, i cili e ka shprehur gjithçka me forcën e fjalës së vet.

Po surprizën e festivalit prestigjioz do të na i bënte Teatri Turk i Ankarasë, me një Grand-Spektakël, duke e bllokuar portën kryesore të kështjellës së dikurshme me skenografinë e pjesës “Libri i Pafundësisë”. Regjisori Mustafa Kurti, njëherësh edhe Drejtor i Përgjithshëmi Teatrit të Turqisë, e trajton pjesën e shkrimtarit, poetit e dramaturgut Sabahattin  Kudret Aksal, si një satirë të mprehtë mbi kohrat dhe njerëzit ‘monomanë’ të librave, të cilët rrezikojnë edhe të shkëputen nga realiteti egzistues. Manjaku i librave që interpretohet me aq vërtetësi nga Ozgur Deniz Kaya, portretizoi një Zotëri që jeton vetëm me heronjtë e librave që ka lexuar, që nga Antikiteti Grek deri ne ditët e sotme, duke parapëlqyer edhe të vdes si Gëtia, të cilin e dashuron marrëzisht. Të dyja punonjëset e librarisë, -interpretuar me virtuozitet nga aktoret Orida Yildran e Gizem Yonel, të habitura prej këtij njeriu krejt të veçantë, jo vetëm që dëfrehen me  tipin e fantaksur, po janë gati t’ia shesin krejt librarinë, kur ai u zgjatë atyre ‘çekun e bardhë’! Ëndërrimi i këtij zotërie merr fund kur tashmë libraria bëhet krejtësishte tij e pikërisht atëhere ai do të humbas ndjenjat  e do të vdes po mbi ato libra, përmes të cilave ‘udhëtonte’ gjatë gjithë jetës së tij. Njëfarë Don Kishoti që nuk lufton me mullinjtë e erës që i ngjajnë si armiq të tij, po në inversin e kësaj figure emblematikej, prej një dashurie euforike për heronjtë e dijes e të letërsisë, si edhe për të vdekur si ata. Dhe ne qeshim, po edhe na vjen keq për Heroin Romantik të dijeve. Ne pamë kështu një spektakël që i tejkalonte përmasat e zakonshme, brenda një labirinthi që i ngjet edhe një karuzeli ku vezullojnë gjërat, ndriçohen vëllimet e librave e provohet fati i njeriut, si të ishte në një lodër a kuturisje kazinoje!

Mbyllja e këtij festivali teatror do t’i takonte ‘të zotërve’ të shtëpisë, Teatrit ‘Skampa’ me komedinë zbavitëse të Alil Vardarit (shqiptarit-parizien) “Zyrtarisht beqare”, me një suzhet jetësor të këndshëm, paksa të tejkaluar në stilin e vet, ku njeri prej personazheve femër, do ta interpetojë një burrë (aktori Gentian Zenelaj), po gjithsesi në përgjigje të nevojave që ka publiku për të qeshur,-pse jo-,në distancim me streset tona që s’mbarojnë kurrë, duke u shtuar këtu edhe ‘mysafirin e padëshiruar’, Covidin-19! Komedia është e këndshme për publikun, me rengje e situata të sajuara,-kur personzhi i tretë femër që hyn këtu si qeraxheshë (burri i veshur si grua!), do të përballojë krejt situatën, ku edhe degdisja, shpotitja dhe humori ‘pa fre’, do të jenë po aq tallëse. Me artificin se të dyja të tjerat, interpretuar nga aktoret Egla Ceno dhe Ilirda Bejleri (trajtuar enkas me mjetet e groteskut), nuk do t’a kuptonin rengun që kryhet para syve tanë e jo para syve të tyre(!?). Në komedi pranohet edhe gallata, veçse në një shije paraqitjeje më të hollë, si edhe më të besueshme, nga trajtimi regjisorial i Armando Borës, i cili do të shkëlqente në Festivalin e Dibrës së Madhe me spektaklin” Ata hyjnë pa trokitur”…

Edhe dy shfaqje që mund të evitoheshin 

Nuk është e thënë që në një festival të shkelqejnë që të gjitha shfaqjet, por në një Festival Ndërkombëtar Eksperimental, me egzigjenca, nuk ka vend për shfaqje të pa verifikuara, të papara, apo edhe amatoreske, për fatin e keq, aq më tepër kur ato rrezikojnë edhe imazhin e përgjithshëm të tij, para syve të spektatorëve. Në këtë aspekt linte për të dëshirur shfaqja e një aktoreje nga Maqedonia e Veriut e titulluar “Ballkancovidizëm”, si edhe shfaqja “Frigoriferi” i të dy aktorëve nga Kosova nga Teatri ‘Kllapa’, spektakle që nuk e kapërcenin nivelin e mundshëm për të marrë pjesë në këtë festival prestigjoz.

Diapazoni e Frymëmarrja 

Një larmi veprimtarish të tjera, përbrenda kornizës së këtij Testivali Botëror, do të shprehnin diapazonin e përmasave të tij që e kapërcejnë të zakonshmen. Kështu mund të përmendim pjesëmarrjen e Cirkut të Tiranës nën drejtimin e Alketa Haxhiut dhe të Mjeshtrit Ilir Gjini, Dancin e përgatitur nga Koreografi Artan Ibërshimi, përurimin e librit të dramaturgut Naser Shatrolli nga Kosova, ku përfshihen 6 Drama Shqipe, duke shtuar këtu edhe monologun e interpretuar në mjediset e jashtme të Resursit Turistik të Gjergji Lucës në Labinot-Fushë, prej aktorit Xhuljano Brisku të po këtij autori. Po këtu u zhvillua edhe promovimi i librit të Teatrologes Anxhelo Çikopano “Kode zakonore në dramaturgjinë shqipe”… Pra, festivali nuk mbetet si qëllim në vetvete, po është edhe një pasqyrë e vlerave teatrore, që i takojne ‘brumit lëndor’, frymëmarrjes, po edhe zhvillimit të mëtejshëm të teatrit.

Po kush përgjigjet për gjithë këto Festivale Teatrore?! 

Askush! Secili shqiptar që mendon të bëjë një festival teatri, e bën atë lehtazi e pa asnjë kriter, pa marrë leje nga askush e pa e miratuar askush, madje edhe kur mungojnë prurjet e shumta. Mjafton që ky “Kërkushi”, të mbledhë pese lekë nga dikushi, nga ndonjë Biznesmen, Komunë, Bashki apo Ministri, si edhe t’bëjë bashkë pesë drama, pa le të jenë shfaqur një apo pesë herë, ndofta edhe asnjëherë! Në këto tri dekada numërohen dhjetra festivale të tilla ‘pa bereqet’. Në shumicën e rasteve, me të njëjtat shfaqje, të cilat qarkullojnë nëpër to me vite e dekada. Mungojnë kriteret, profilizimet, programimet, paraqitjet e kulturuara me ‘Fletë-palosje’, me aspektin e bukur të tyre, shtrirjet zonale e turistike të festivaleve, marrëveshjet me njeri-tjetrin, po edhe me ministrinë përkatëse, e cila nganjëherë i jep edhe pesë para, gjithashtu edhe për përgjegjësinë që duhen të kenë njerëzit profesionistë, për të drejtuar, të profilizuar, si specialista të teatrit me vizione bashkëkohore e jo kushdo njeri pa vlerë shoqërore, morale e profesionale, vetëm e vetëm sepse paska qejf të merret me ‘këtë punë’ për ‘hesapet’ e veta! A nuk është një shembull special ai i Regjisorit Turk Mustafa Kurti, i cili nuk është vetëm Drejtor i përgjithshëm i Teatrove të Shetit në Ankara (“ADANA” e “BURSA-“FLLAD BALLKANIK!), po edhe Themeluesi i Festivalit Ndërkombëtar Teatror po aty? Po Regjisori kroat Ivica Buljan që konsiderohet si një nga regjisorët më të mëdhenj në botë  dhe ka drejtuar njëherësh edhe Teatrin Kombëtar në Split, a nuk është edhe Themeluesi i Festivalit Botëror të Zagrebit? Regjisori Adonis Filip, i cili ka vënë shume shfaqje prestigjoze në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, po edhe në disa shtete të botës, deri në Kinën e largët, (i ftuar posaçërisht!), ka eksperiencën, përvojën e të drejtën legjitime, për ta drejtuar edhe një FESTIVAL TË TILLË TEATROR. Vetëm se, mbështetjet financiare vijnë duke u shterur, sikundër ka ndodhur edhe për Festivalin Prestigjioz të Butrintit.  Duke u shterur në këto festivale edhe prezenca e personaliteteve të artit, si edhe e kritikëve të teatrit, për zhvillimin e analizave, evidentimin e vlerave, po edhe për publicitetin e këtyre festivaleve, të cilat tani bëhen gati ‘inkognito’ e nuk  merrë vesh njeri se është bërë apo jo “një farë festivali teatror”, të paktën… Ka pra formalizm, mani për të bërë festivale, sido që të jete ai, nëpër ‘mullinj’ pa ujë e pa drithë!

Elbasan, 5.10. 2020.

Please follow and like us: