Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Midis të vërtetës dhe trillimit…

 
Të vërtetën dhe realen i duam shumë, betohemi për to gjithë ditën e ditës. Kjo s’na pengon të flirtojmë edhe me të trilluarën dhe irealen.
Njeriu nuk jeton dot gjatë pa ëndërra, pa çudira e mrekullira. Mezi pret natën, të varë ndërgjegjen në gardaroben e gjumit dhe të niset çaireve mbushur me çudira e sendërgji.
Madje aq i paduruar është sa që shpesh edhe gjatë ditës gjen rast që për pak çaste të zhytet në mbretërinë e imagjinares, të shohë ëndrra me sy hapur ‘a day dreams’, siç i quajnë psikanalistët.
Fëmija madje është më i sinqertë: fare hapur e pa komplekse zgjedh përrallat, të imagjinuarën përpara reales, madje realiteti shpesh e besdis. Këtë prirje duket se e rropos me kalimin e viteve, por vetëm në dukje se etja për të trilluarën është si ata lumenjtë e shkretëtirës: humbasin në rërë për të dalë diku larg, pavarësisht dukjes janë përherë aty, në sipërfaqe dhe sidomos në thellësi.
Njeriu nuk jeton dot pa mrekullira, thoshte Distojevski, ndaj i ngjiz ato vetë. Dhe vërtetë sendërgjitë më të mëdha nuk janë në natyrë po në art, letërsi, mitologji, me një fjalë janë krijim i njeriut.
Paçka se hera mund ta ketë sjellë të jesh heretik, ateist apo skeptik, prapseprap një shtysë e fshehtë dhe pothuajse biologjike do të të cysë të falesh në tempullin e të trilluarës, në mos ditën natën, në mos zgjuar në gjumë.
Megjithëse gjithë ditën e ditës betohemi e rropatemi për të vërtetën, ka të ngjarë që dashurinë ta kemi për të rremën. Duke shtuar pak cinizëm mund të thoshje se jemi martuar me realen, po për dashnore mbajmë imagjinaren. Njëra prozë, tjetra poezi.
Dhe s’di të thuash: ky dyzim buron nga vullneti e ngasja jonë apo është nevojë ekzistenciale.
Please follow and like us: