Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Bardhosh Gaçe: Himara në poezinë e Odhise Goros

Në poezinë shqipe bashkëkohore dhe në marrëdhëniet që kultura dhe poetët e Bregut dhe Himarës përcjellin në kohët e sotme moderne, prurja e kësaj krijimtarie ka gjithmonë një lloj freskie, një lloj përmendje sa historike po aq dhe të fortë meditative, e cila qëndron në një nyjë të rëndësishme të kësaj kulture. Duke qenë se kultura e Bregut dhe ajo e Himarës, tradicionalisht kanë një perceptim  interesant specifik jo vetëm kulturalisht, por edhe nga pikëpamja historike, ngjarjet e Himarës dhe të Bregut kanë sjellë opinion të hershëm dhe të rëndësishëm për Vlorën, Labërinë dhe Shqipërinë. Kjo kulturë ka reflektuar vetveten në etnologji, kulturën tradicionale konceptet mbi atdheun, vendlindjen, lirinë, familjen, dashurinë, për ritet, doket dhe zakonet, në pasurinë shpirtërore si kënga dhe tregimet popullore, në formimin e individëve që marrin rol përfaqësues, në figurat historike, pra përbëjnë një dëshmi të rëndësishme etno-historike, e cila shfaqet në veprimtarinë jetësore dhe në traditën apo aktualitetin e të shkruarit.

Thellësisht kultura dhe tradita e komunikimit të njerëzve me njëri- tjetrin, por dhe të njeriut me kohën nga trevat bregdetase është e hershme. Duke qenë si një nga nyjat kyçe të lidhjeve dhe të komunikimit të Ballkanit me Evropën dhe të Lindjes me Perëndimin, Himara ka qenë e shtrënguar të përballet dhe të përballojë raporte të ashpra dhe të forta luftërash, pasi himarjotët janë ndër njerëzit tipik që nuk iu janë nënshtruar asnjë pushtuesi, ata kanë qenë të shtrënguar të përballojnë shtresime të shumta të kulturave të ndryshme mesdhetare, natyrisht të pranishme për shkakun e fateve historike. Kjo ka bërë që edhe poetët e shkrimtarët e brigjeve të Himarës të krijojnë mjete dhe të ndërtojnë “struktura” shpirtërore të komunikimit nëpër kohë për të ruajtur historinë, hershmërinë, thelbin e himarjotit si individ dhe si kulturë sociale dhe familjare.

Në një këndvështrim të gjerësishëm, jo vetëm komunikimi përmes kulturës popullore, por edhe njerëzve të dijes dhe të kësaj kulture, poetë, shkrimtarë, kulturologë, aktorë, dramaturgë, tekstologë, grupe të polifonisë, rrëfyes dhe interpretues të kodeve zakonore, kanë një qasje gati të përbashkët, lidhur me çështjet e edukimit. Edukimi në këtë larmi mënyrash dhe mundësish përbën një fakt interesant sot në qasjen dhe personalitetin që ka krijuar dhe krijon një himarjot ndryshe krahinave të tjera, një personalitet që shfaqet në specifikat e veta.

Kjo parashtresë lidhet me praninë e madhe të gjithë këtyre elementëve historikë dhe shpirtërorë të Himarës në çdo produkt poetik të poetëve të saj, por jo vetëm poetët. por edhe në marrëdhënien përditësore që një himarjot ka me mjedisin, njerëzit, punën, socialitetin etj. Kjo parashtresë është po kaq reale dhe e nevojshme dhe për poetin Odhise I. Goro, një poet sqimatar, mjaft komunikues, një poet i cili ka një frymëmarrje interesante me kohët historike dhe bashkëkohësinë, me përditësime jetike, e cila për shkakun e këtij komunikimi përgjithësohet mjeshtërisht nga autori. Odhise I. Goro ka një krijimtari të gjerësishme dhe të shtrirë në kohë. Ai ka një lidhje të shumëfishtë me krijimtarinë dhe artin e krijimit, ashtu siç ka një lidhje të tillë me kohën, Himarën dhe prirjen për të komunikuar përmes vargut poetik. I prirë për të shkruar poezi, një poezi e cila për arsye qenësore, për të cilat poeti Odhise I. Goro ka arritur të krijojë një profil të tij, një poetikë të qëndrueshme në mënyrën se si ai e shkruan poezinë, në mjetet e komunikimt përmes vargut dhe përdorimit të fjalës poetike kryesisht, frymëmarrjen që ai i jep botës shpirtërore që e frymëzon poezinë e tij, por dhe mbi njërin nga elementët më të rëndësishëm dhe më i pranishëm në poezinë e Goros, ai i përdorimit të detajeve poetike.

Lidhur me përdorimin apo gjetjen e detajeve në poezi, në poezinë e Goros ka të bëjë më së pari mënyra se si ai e sheh mjedisin, realitetin jetësor dhe në ç’marrëdhënie i vendos raportet e tija shpirtërore, ku poezia fiton një natyrë të kuptueshme dhe të qartë jetësore, shndërrohet në një lloj komunikimi funksional. Po ashtu, një çështje tjetër që sjell në vëmendje poezia e Goros, kryesisht ajo e përdorimit të detajeve, lidhet dhe me shmangien e skematizmit, poezitë që ndërtohen mbi detaje nuk krijohen kurrë mbi shabllone dhe mbi skema të çdo natyre qofshin ato.

Kur flitet për përdorimin apo për praninë e detajeve poetike në poezi, në poezinë e Odhise I. Goros, muza e tij shndërrohet në një mundësi hulumtuese dhe një zbulesë, jo vetëm të mënyrës dhe stilit se si ai e shkruan atë, por rrugën që ndjek shqisa e tij poetike për të gjetur apo për të krijuar detaje; Goro duke pasur një aftësi të çuditshme për të ligjëruar poetikisht për gjëra nga më të zakonshmet e deri te ata fondamentale, që zakonisht poezia i përdor, afron një qasje interesante, ku në shumë raste, detaji vjen përmes apo në praninë e simboleve. Në poezinë e Goros nuk ka shumë simbolikë, por ka detaje, që janë të pranishme për shkakun e mënyrës se si ai e qëmton realitetin, si e vëzhgon natyrën dhe jetën njerëzore, si është krijuar botëkuptimi i tij për njerëzit dhe fenomenet jetësore, po ashtu dhe një botëpërjetim të konsoliduar estetik dhe artistik. Zakonisht komunikimi e bën poezinë moderne.

Odhise I. Goro ka disa libra të botuara në hapësirën e tij jetësore prej krijuesi, çfarë na njofton sigurisht për një poet dhe shkrimtar me një ndjesi të tjellë përjetuese. Ai ka shkruar vëllimet poetike “Nuri i brigjeve tona”“Zambakë anës së detit”“Këtu dhe deti këndon”“Deti në kafaz”“Kënga e zogjve”“Te Joni i mbaj syt딓Kali i fatit”“Do pimë në botën tjetër”, “Pse më solle lule për ditëlindje”, dhe siç mund të shihet dhe në paraqitjen titullore, ajo që bie në sy është kontakti i vazhdueshëm dhe i përhershëm me detin dhe peizazhin e natyrës nga është poeti. Kjo lidhet me natyrën e thellë lirike të shpirtit poetik të Goros. Ndërsa ai ka shkruar dhe në prozë dy libra të titulluar “Pres përgjigje” (tregime) dhe “Të bijtë e Himarës” (një paraqitje që ai e ka nëntitulluar si shënime letrare), por dhe katër tituj në gjininë e dramës, të titulluara “Flaka e hakmarrjes”“Ditë të shqetësuara”“Ishte kohë lufte” dhe “Na shiko në sy”, për një studiues apo hulumtues të natyrës së një poeti, për të kapur dhe referuar thelbit të tij, mendoj se profili i poetit, tregimtarit dhe dramaturgut Odhise I. Goro është interesant dhe i larmishëm.

Në vëllimin poetik të titulluar “Pse më solle lule për ditëlindje”, i cili është botuar në vitin 2008, në 60 vjetorin e poetit, redaktori i vëllimit e ndihmon shqyrtesën tonë lidhur me kodin e thellë, madje jetik të krijimtarisë së Goros, kur shkruan:”Pse më solle lule për ditëlindjen?”, 60 lirika në një portret: Poeti- Joni-Himara, një triptik i përjetshëm!. Është një dëshmi e padiskutueshme, e cila zë që në momentet e para kur Odhise  I. Goro ka lëvruar vargjet poetike në fletë, por ashtu siç ndodh zakonisht me poetët e Bregut dhe të Himarës, të cilët dëshmojnë dhe ruajnë një lidhje të përjetshme me vendlindjen, me detin dhe njerëzit e brigjeve të magjishme.

Odhise I. Goro nuk vrapon pas figurës poetike, pasi ai i beson natyrës jetësore, që zakonisht buron nga uni poetik, në të vërtetë poeti ka një pozitë të qartë, një tendencë me të cilën ai sjell burimin e parë të përjetimit, më së shumti poezitë e tij janë në vetë të parë. Vëllimi poetik “Kënga e zogjve” është njëri nga librat më të larmishëm të poetit, jo vetëm tematikisht, por dhe në mënyrën e të shkruarit të poezisë, diapazonin e gjerësishëm të perceptimit, por dhe të natyrës jetësore që e përbën atë. Studiuesi i njohur, i ndjeri Perikli Jorgoni në parathënien e librit ka shkruar ndër të tjera: ”Poezia e O.Goros është poezi jetësore dhe me nerv. Ajo është e mbrujtur me lëndë nga jeta, mëkohet prej saj dhe në pamjet e saj, gjen hapësiriat e hulumtimit të vrojtimit.“ Prania e një lënde të konsiderueshme jetësore, pasi siç kuptohet dhe nga bota tematike e librit, ai është shkruar në një kohë me gjendje të rëndësishme sociale dhe të vetë poetit, i japin asaj poezie një dinamikë të brendshme, një nerv komunikues, i cili përthithet nga lexuesi. Poeti nuk tenton ta sofistikojë poezinë e tij me “extra” gjetje figurative. Figura poetike në poezinë e Odhise I. Goros nuk të pengon ta kuptosh dhe të marrësh mesazhin që poeti përcjell përmes saj. Bota e thellë himarjote, brigjet dhe deti, njerëzit e mrekullueshëm, peizazhet e gjelbra dhe të blerta, ngjizen brenda një koncepti mesdhetar, duke u vizatuar në këto hapësira universale. Në këtë peizazh shpirtëror e artistik, shpaloset deti, lindjet dhe perëndimet jonike.

Vëllimi “Kënga e zogjve” është shkruar mbi një marrëdhënie të fortë të poetit me vendlindjen, mbi një kumt të qëndrueshëm lirik, qoftë të lirikës sociale, po ashtu dhe të asaj të dashurisë, mbi një lloje vizatimi përmes fjalës dhe ngjyrës që ai i jep ndjesisë së tij të brendshme, qoftë kur flet për të tashmen, qoftë kur flet për të ardhmen. Një numër i konsiderueshëm poezish e mbushin librin me një ndjesi sa njerëzore, po kaq emocionale. Poezia “Vjen një zë”, kujton bregdetin, për të cilin shkruan:”Shkëmb mbi shkëmb,/ t’i jem bregdetit.”, apo poezia “Toka e zogjve të tramundanës”, e cila ka një këndvështrim në thellësi të kohërave, ku ndër të tjera shkruan:”…i priti rrebeshet kjo tokë,/ e zogjve të tramundanës...” me ç’rast kujton atdhetarët e saj, të cilët janë zogjtë e tramundanës. Interesante janë poezitë e komunikimit të poetit me natyrën. Poezia “O valë e Jonit”, një poezi që përmes një lirizmi shpirtëror, Goro “vizaton” poetikisht bregdetin, me një nëntekst të thellë, gati hyjnor, kur shkruan:”Ai i gjori, s’kish zbritur kurrë te Jali,/ ku dallga, i jep plakut gjunjë djali…”, një poezi të cilën poeti e ka shkruar larg Jonit, diku në mërgim, një poezi, mesazhin e të cilës e përçon një poezi tjetër e vëllimit, titulluar” “T’ia merrja këngës përsëri”, një poezi e cila i kushtohet një artisti, me anë të cilit ai kërkon ta kujtojë Jonin dhe njerëzit e tij:”…trego e fol për Nase Benin/ dhe ndezi zjarr trimat e Bregut…” Në rrjedhën  poezive, frymëzimet e tij brilante e lidhin mjaft me vendlindjen dhe gjithë atë hapësirë bregdetare që ai e përjeton në poezitë e tij.

Poezia “Buzëmbrëmje në varreza” është një nga poezitë më të bukura të gjithë poezisë së Goros, jo vetëm për mënyrën se si ajo është shkruar, por për një lloj zbulese të dhimbjes njerëzore që ai e lexon në varreza. Ajo është një poezi e natyrës meditative, një kthim te jeta, dhimbja për të vdekurit. Ai ndër të tjera shkruan:”Diku një foshnjëzë më flet,/ me zë të shuar nga nënvarri:/ Ka kohë kukulla më pret,/ s’ta la pas, pëshpërit bari…

Poeti Odhise I. Goro shkruan mjaft mirë dhe larmishëm poezinë lirike. Është zakonisht një lirikë jetësore, qoftë si burim jetësor, si ritëm i përditshëm, si dhimbje, si lindje, si vuajtje, si fatalitet, si ndëshkim dhe si gëzim, si një akt i përjetshëm ku zë fill jeta e për të cilën fuqia hyjnore ka lëshuar në tokë hiret e saj. Poezia “Dhe jam 40 e ca vjeçar” mbart një fuqi të madhe emocionale, me një lirizëm të thellë, si burim jetësorë. Poeti shkruan:”O zot, ç’të shihja në vështrim!/ Dhe det të thellë, dhe tufan...”, apo poezia “Pas mirazhit”, ku në një sipërfaqe të vogël poetike, poeti përndez emocione me vargun:”O gjemb që beben ma bën gjak!

Në poezitë e këtij vëllimi shquajnë dhe tituj të tjerë të natyrës lirike më së shumti, apo natyrës sociale si poezitë: “Zotërinj, kuptomëni”, “Njoh një grua”, “Qielli”, “O djalë”, “Ti që s’ke të djeshme as të ardhme”, “Perëndia”, “Erë e Egjeut”, “Do ta doja vdekjen”, “Ti ngrohe zonjën gjithë nur”, “Kur jam larg teje”, poezi ku ndjehet një botë emocionale e thellë, e cila komunikon me mjedisin, me kohën dhe me njerëzit.

Vëllimi poetik “Do pimë në botën tjetër” është botuar në vitin 2007, një libër i gjerësishëm, ku shfaqen qartë raportet lirike dhe ata me vendlindjen, në triptikun Poet- Jon- Himarë. Është një libër që të kujton një lloj intimiteti të brendshëm, të hollë, pasi në të shquajnë poezitë që ngjajnë me një bisedë me veten, herë si dialog me gjërat dhe detajet që i shfaqen para syve, herë përmes meditimit, që i japin poezisë një lloj përditësimi lirik, ku shpaloset një shpirt i ndjeshëm, qoftë kur ndjehet i lumtur, herë kur ka dhimbje dhe zhgënjim, por dhe kur plekset me vendlindjen dhe njerëzit që ai njeh. Në vëllimin “Do pimë në botën tjetër” ka një fenomen të veçantë të komunikimit të poetit me kohën dhe lexuesin; në libër shquajnë një numër i madh poezish të shkurtra, poezi që duken si fjalë, dialogë, monologë dhe komunikim në udhëtim, çfarë tregon trazimin dhe një gjendje aktive emocionale të poetit. Një numër i veäantë i poezive lirike të tilla si: “Ti ishe vetë dashuria”, “Sytë e tu”, “Gjithë dashuria”, “Më vure flakën në duar”, “Pas drerit mos qe harruar”, “Pa dashje bëj faj”, “Valë vjershërore”, “Për atë që pret matanë”, “E dashur”, “Buzën tënde”, “Rikthehen kaltërsitë”, “Zgjuam Vjosën nga gjumi” dhe poezi të tjera, të cilat përshkohen nga gjendje interesante lirike dhe erotike, poeti në këtë vëllim ka një tematikë më tematike, më sociale dhe më refleksive. Poezi të tilla si: “Mitra e mërisë”, një poezi që qëmton veset në shoqëri “…Kurrizdalë,/ te mitra e mërisë”, poezia “Liria pa liri” flet për emigracionin, eksodin dhe kohën si emigrant, të cilën e vizaton tragjikisht me pak vargje :”Ajo,/ më vuri trastën e ikanakut,/ në shpinën e kërrusur…”, apo poezia “Vala humb zërin e saj” e cila revokon këngët e vendlindjes së tij përmes vargjeve  të tillë si”E zbardh Çikën dhimba- thinjë…/ E mek erën dëshpërimi,/ tokën ther, brinjë më brinjë,/ i hesht zogjtë hidhërimi…” (këngë që i kushtohet këngëtarit të njohur të Bregut Neço Muka), gjen një mjedis të tillë, po kaq jetik dhe komunikues dhe në poezitë “Det i anëve të mia” (“Të kam dashur e të dua,…/ më mbulojnë klithma tmerri…/ Më ngrin loti i mjerimit...” apo poezia “Kënga himarjote”, për të cilën ai thotë: ”M’u bë shark dhe llabane,/ gunë,/ pallto,/ pelerinë…

Odhise I. Goro nuk ka harruar kurrë të kujtojë njerëzit që ai i do, njerëzit që e motivojnë, i japin shpirt frymëzimit të tij dhe ndjesive të epërme poetike, njerëzit që përbëjnë shembujt e mirë për njerëzit, artin kulturën, traditën, ata që “orientojnë” shoqërinë. Poezia “Me lotin pikë- ari” poeti sjell në vëmendje artistin e njohur Kadri Roshi, për të cilin ai shkruan: ”Më fal, s’të erdha në varrim,/ o lis, si re e fjete!?” por edhe për poetin Lasgush Poradeci dhe ndonjë tjetër. Në vëllim ka edhe poezi të një natyre të komunikimit më veten, në të cilat shquan një përjetim pesimizmi dhe lakonizmi të dukshëm, që në një farë kuptimi reflektojnë valencat shpirtërore që i ndodhin çdo poeti në jetë. Libri ka edhe një lirikë të ndjerë, që i kushtohet babait, titulluar “Para teje” një poezi sublime, ku shpaloset lidhja e fortë me babanë e tij, për të cilin shkruan:”Dhe dyzetë vjet i vdekur,/ do të ngrihem përsëri,/ para teje dhe i tretur,/ rri në këmbë si qiri…”.

Siç edhe mund të kuptohet, përmes një vështrimi vertikal të vëllimi, poeti në këtë vëllim është komunikues dhe me një “diskurs” poetik të konsoliduar, me një hapësirë tematike të qëndrueshme dhe të mirëorientuar. Thjeshtësia me të cilën është shkruar libri, e bën leximin e tij më të plotë dhe më të hapur. Figura poetike qëndron brenda gjetjes së fjalorit poetik dhe ndërtimit mjaft të qenësishëm të vargut dhe rimës.

Vëllimi poetik “Pse më solle lule për ditëlindjen?” është njëri nga librat më komunikues të poetit Odhise I. Goro, edhe pse i shkruar gati “telegrafisht’, por brenda të cilit ka një “përditësim’ tematik të mrekullueshëm. Edhe pse duket se ka një lloj kthim-pas të syve. Mendjes, emocioneve, kujtesës, dashurive, dhimbjes, pengjeve, të gjallëve e të vdekurve, fëmijërisë dhe moshës së pjekur, metafora e lidhjes dhe nimfës së jetës përmes pranisë së vendlindjes përshkon të gjitha poezitë e vëllimit “Pse më solle lule në ditëlindje?” Vëllimi shquan për poezinë lirike, thënë ndryshe, duke qenë se është shkruar m poezi që nuk i kalojnë më së shumti dy strofat asnjëra, ato shpërfaqin më së shumti poezi të detajit. Zakonisht poezitë e shkurtra janë poezi të detajit, pasi nuk kanë nevojë të kenë gjëra të tjera, shtojca lirike.

Poeti shfaq një vëzhgim të imët, përdor një tufë të kursyer, zgjedh një fjalor komunikues, dhe duket se vizaton mbi simbole në një tufë lirikash të tilla si: “E kam një engjëll”, “Malli më ka marrë”, “Ajo u kthye”, “Si dje”, “Asaj buze”, “Je heshtje që ma rindez hirin”, “Pa ty” etj, por edhe në këtë libër Himara rishfaqet në çdo formë të mundshme dhe në çdo përfytyrim të poetit, përmes të cilave rrjedh jeta dhe përditësia.

Poezia “Për të bukurën Himarë”, “Valëza ime”, “Brigjet e mi”, “Këngë e anëve të mia”, “Shekujt mban të gjallë” e poezi të tjera, poeti Goro kërkon të shohë në disa dimensione Himarën e tij. Diku ai shkruan:”…linda pa vdekur dashuria,/ këngë e anëve të mia.”, apo “… më bekoi mitra e nënës,/ për të bukurën Himarë.” Ashtu si shumë poetë të botës e prekin temën e kthimit në vendlindje përmes përfytyrimit dhe një lloj sentimenti të thellë, poeti Odhise I. Goro e trajton këtë temë në të gjithë poezinë e tij, veçmas kur është larg vendit të vet, por edhe kur ai ndjen nevojën të mbështetet te vendlindja,, fëmijëria, historia dhe kënga himarjote, si një shpagim, si një ilaç, si një prehje interesante. Poezitë “Te fëmijëria”, ku ka një kthim pas të shfaqur si prehje, në vargjet “Ikjen më të dëshpëruar,/ e ndjej kur iki nga shtëpia./ Por kam kthimin më të gëzuar,/ çdo udhëtim te fëmijëria.”, ashtu siç janë edhe disa poezi të një pezmi melankolik apo fataliteti, siç ndodh me poezinë e titulluar “O Zot”, ku poeti i drejtohet perëndisë me gati dëshpërim dhe lutje :” …më nis pak fat,/ kujtomë një herë,/ mos më braktis më në vetmi…

Në vëllimin “Pse më solle lule në ditëlindje?”,poeti  shpërfaq lirizmin e ngrohtë, të cilin ai e përthyen në forma dhe në një tematikë të gjerë komunikimi dhe të marrëdhënieve të tij me jetën, kohën dhe njerëzit, e “sendërton” mjeshtërisht edhe në dy poezi të bukura, njëra kushtuar babait dhe e titulluar “Ati im”, të cilit i drejtohet me përulësi që e  ka lënë ballëlart dhe me nder edhe një poezi nënës, titulluar “Vjen meraku i nënës”, ku tonet e baladës së jetës, shndërrohen në një lirizëm të mrekullueshëm si një marrëdhënie e përjetshme e tij me të, ndër të cilat shquajnë vargje të tillë si:”Zogu krahë- gjakosur/ jam unë./ Vjen meraku i nënës të më ngrejë,/ Ia dëgjova zërin nëpër erë...”.

Këtë dimension të epërm poeti dhe krijuesi Odhise I. Goro e shpalon në të gjithë krijimtarinë e tij dhe në zhanret  tjera si tregimi, drama apo përjetim tjetër artistik.

 

Tiranë- Vlorë, shkurt 2021/gazeta dita

Please follow and like us: