Albspirit

Media/News/Publishing

Mit’hat Frashëri: Çështja e Epirit

http://balkaneana.eu/explore/uploads/pdfs/577259e8e4192.pdf

Mid’hat Frashëri: “Çështja e Epirit”

 

Popullsia e Epirit

La Population de l’Epire, 1915, Sofje.

Përktheu nga origjinali: Aleko Gjergo.

Redaktorë: Manjola Tërshana, Syrja Xhelo & Çerçiz Loloçi

Botimet “Lumo Skëndo”, Tiranë 1998

 

 

Do të na dukej krejt e kotë dhe pa vlerë që të flisnim për kombësinë e Epirit. Mendojmë se të shkruash një artikull të tillë, është sikur të provosh vërtetësinë e dritës së diellit apo të nxehtësisë së zjarrit. Por paturpësia e grekëve nuk paska kufij dhe padituria e publikut qënka kaq e madhe, saqë ajo që po thuhet dhe po përsëritet çdo ditë rrezikon të besohet dhe të merret si e vërtetë. Në fakt, rallë mund të gjesh, një në njëmijë njerëz, që të kenë dëshirë të studiojnë dhe të thellohen në një çështje; shumica mjaftohen me ato çka i rrëfejnë të tjerët dhe i gëlltisin idetë pa i përtypur.

Duke përshkruar egërësitë e grekëve në Epir, kemi thënë se në të gjitha provincat e Korçës dhe të Gjirokastrës nuk ka grekë, përveç banorëve të nja pesë a gjashtë fshatrave në Jug të Delvinës, në kufirin e përcaktuar nga Komisioni Ndërkombëtar i kufijve jugorë të Shqipërisë. Ne kemi deklaruar se nuk ka patur asnjë grek në provincën e Korçës dhe këmbëngulim në këtë fjalë: ASNJË.

Kështu nuk do të përpiqemi aspak të provojmë mendimin tonë me anë të thënive të autorëve dhe udhëtarëve të huaj; ne vetëm do t’u kërkojmë kundërshtarëve tanë grekë që të na japin provat e pretendimeve të tyre.

Lexuesve inteligjentë dhe të sinqertë ne do t’u rekomandonim që të hedhnin një sy shkarazi mbi hartat etnografike të Lejean, Shafarik, Kiepert, të lexojnë cilindo libër udhëtimesh, me kusht që ai të mos jetë vepër e ndonjë njeriu dashakeq; të kalojnë nëpër duar të gjitha shënimet e udhëtarëve që kanë vizituar trevat e Korçës dhe të Gjirokastrës dhe do të shohin vetë se çfarë mendon popullsia e tyre. Për më tepër, vetë grekët e kanë pranuar gjithmonë karakterin shqiptar të banorëve të Korçës dhe të Gjirokastrës. Vetëm gjatë luftës ballkanike, ata kanë shfaqur një ringjallje të shovinizmit dhe të fanatizmit të verbër.

Ne themi se rajonet e Korçës dhe të Gjirokastrës janë shqiptare. Me këtë nënkuptojmë se banorët e tyre flasin gjuhën shqipe, ndjehen tërësisht shqiptarë dhe kanë në damarët e tyre gjak të racës shqiptare. Në këtë mënyrë e kuptojmë ne konceptin shkencor të etnografisë së një populli.

Tani kur grekët pretendojnë se këto rajone janë të banuara prej bashkëkombasve të tyre, atyre iu pëlqen të nisen nga disa iluzione dhe koncepte të gabuara.

Në fillim grekëve iu pëlqen të ngatërrojnë kishën me kombësinë. Është një gabim ndaj të cilit ne kemi tërhequr shpesh vëmendjen e lexuesit tonë, por që grekët nuk e kanë marrë asnjëherë parasysh sepse ai është shumë i dashur për ta.

Pra, kur një grek përdor këtë fjalë, (kombësinë), ai më shpesh nënkupton ritin ortodoks, kishën greke. Fantazia e tij nuk njeh asnjë kufi kur futet në këtë qorrsokak. Atëhere, ai është i zoti të bëjë montime nga heleno-shqiptar në heleno-turk, duke dashur të tregojë me këtë një shqiptar të krishterë të ritit ortodoks dhe një tjetër të besimit musliman. Vetëm se në vend që të përdori termat “ortodoks” e “musliman” që tregojnë përkatësisht besimet, ai përdor fjalët “helen” e “turk” që tregojne racat, kombësitë. Dhe kështu, me këtë logjikë së prapthi, një njeri që ndryshon fene Ipso Facto do të kishte ndërruar njëkohësisht edhe racën.

Por logjika greke nuk ndalet aspak këtu. Ata kanë gjithashtu edhe shprehje të tjera të çuditshme si alvanofonë-helenë, vllahofonë-helenë, bullgarofonë-helenë – duke dashur të nënkuptojnë me këto helëne që flasin shqip, vllahisht dhe bullgarisht.

Është një letërsi tepër zbavitese ajo e broshurave dhe e librave propagandistike të fabrikuara nga shoqata Helenizimi i Athinës, Kazazis e Cie; aty do të gjesh të gjitha këto marrëzi të grumbulluara në mënyrën më të habitshme.

Nganjehëre, përsa i përket afërsisë me shqiptarët, grekët kanë një shpërthim emocional dhe nisin të tregojnë histori me një seriozitet grotesk. Flasin për Pellazgët e vjetër, Ilirët, Dorianët e ku di unë se çfarë dhe arrijnë në konkluzionin se grekët dhe shqiptarët janë dy raca motra, dy popuj vëllezër. Vëllezër, sigurisht sipas gjenezës biblike, pra atëhere jemi vëllezër edhe me Zulutë dhe Samojedët. Por le t’i kthehemi “argumentave” të fqinjëve tanë jugorë.

Jo rrallëherë në statistikat e botuara nga grekët mund të shohësh shifra të nxjerra nga statistika zyrtare të Turqisë (salname: të vilajeteve). Kjo mënyre dokumentimi u vjen mjaft mirë për shtat politikanëve të Athinës, sepse në çështjet e kombësive dhe të komuniteteve fetare turqit nuk janë aspak më të saktë se grekët; mentaliteti i tyre dhe mënyrat administrative janë të mbështjella me një çoroditje të pashembullt.

Kujtojmë në fillim se Turqia ka në bazë të administrimit të vet ligjet e nxjerra nga Kanuni. Sipas këtyre principeve, Turqia ka njohur vetëm dy klasa njerëzish: muslimanët dhe jo-muslimanët; këta të fundit të quajtur “qafirë” (të pafe), “raja” dhe “zimmi”. Me këto përcaktime janë poshtëruar të gjitha racat jo-muslimane të tokës, përveç çifutëve të quajtur gjithmonë me emrin që u jep atyre Kurani (Jehudi, xhehud).

Kur turqit u zëvendësuan nga perandoria e Bizantit, Mehmeti II qe padyshim shumë i lumtur kur gjeti një peshkop në Kostandinopojë që pranoi të marrë përsipër administrimin e klasës së papastër të qafirëve.

Kështu patriarku mori juridiksionin shpirtëror dhe laik të të gjithë të krishterëve të ritit ortodoks, të cilët ishin të regjistruar nga burokracia otomane vetëm me emrin “roum” (domethënë romakë); ata të perandorisë së Poshtme shënoheshin me termin Diari-I-roum, ndërsa grekët thirreshin Romios, romakë.

Të veshur me këtë fuqi supreme që i bënte me të vërtetë ekumenikë, patriarkët në vend të proselitizmit fetar nisën të bëjnë proselitizmin kombëtar. Ky zell i madh i klerit ortodoks është lehtësisht i kuptueshëm nëse kujtojmë se administrimi i kishave, manastireve dhe shkollave (më shumë fetare se sa laike) ishte në duart e patriarkatit. Dhe kështu ai që ishte kleri ortodoks u bë një kler krejtësisht grek dhe helen, siç pëlqente ta quante veten.

Ka patur një moment ku të gjithë të krishterët ortodoksë të Turqisë Evropianë u quajten grekë. Në fillim ishte më tepër një zell fetar, por nuk vonuan të shfaqen edhe idetë kombëtare e politike, sidomos gjatë këtyre 150 vjeteve të fundit.

Atëhere patriarkati u bë qendra e helenizmit dhe e politikës helenike. Shkollat u shtuan, propaganda e letrave dhe e gjuhës greke mori një shtrirje të gjerë; sigurisht lindën edhe shkollat për vajza me qëllim që të ndërhyhej akoma më shumë në familje deri te djepi i fëmijës.

Dhe të gjithë shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe vllehët u quajtën Roumë (grekë) si të gjithë qafirët. Prifti në kishë, mësuesi dhe kujdestarja në shkollë bënin ç’ishte e mundur për rrënjosjen e kësaj ndjenje të rreme kombëtare, për shkatërrimin dhe paragjykimin e karakterit të vërtetë etnik të popujve dhe kombësive.

Ja pra, cilat janë arsyet që grekët janë të dashuruar me të dhënat zyrtare turke mbi popullsinë e Epirit dhe të Maqedonisë. Në Salname (vjetarët) e vilajeteve të gjithë muslimanët janë të emërtuar ISLAM, ndërsa ortodoksët ROUM, d.m.th grekë që frekuentojnë kishën greke dhe varen nga juridiksioni fetar i Patriarkanës së Fanarit. Vetëm në vitin 1872 idhtarët e kishës bullgare u quajtën zyrtarisht bullgarë nga autoritetet otomane.

Ortodoksët shqiptarë, duke mos patur një kishë autoqefale dhe duke qenë të varur ndaj juridiksionit të Patriarkatit të Fanarit, kanë figuruar gjithmonë si Roume në regjistrat turq.

Një tjetër argument i përdorur nga grekët është ai i shkollave. Sidomos në këto vitet e fundit ky argument është përdorur dhe konsideruar prej tyre si një armë tepër e fuqishme në duart e veta.

Grekët nuk kanë munguar kurrë të publikojnë numrin e shkollave, të mësuesve dhe të nxënësve. Në çdo vend tjetër, përveç Turqisë, këto të dhëna do të kishin patur një vlerë mjaft të madhe; ato do të kishin qenë një udhërrëfyes për të përcaktuar karakterin e vërtetë etnik dhe aspiratat e vërteta të një populli. Por ajo që kemi thënë më lart mjafton për të kufizuar këtë argument në vleren e tij të sakte. Dhe ja përse:

  • Drejtimi i shkollave është në duart e komuniteteve, të cilat janë grupuar rreth kreut fetar: pra shkollat dhe komuniteti përbëjnë një trup të vetëm me kishën dhe qeveria truke i njihte këto institucione vetëm nëpërmjet kreut fetar i cili ishte ngarkuar me administrimin.
  • Komunitetet kishin në dispozicion të tyre fonde të mëdha, donacione e trashëgimi, të gjitha të shënuara në emër të komunitetit si entitet fetar; atëhere kuptohet se sa i madh ishte roli shtypës i këtyre shumave të mëdha që ndodheshin në duart e klerit dhe të komuniteteve.
  • Kleri ka në duart e tij edhe një forcë tjetër, atë të komunikimit me jashtë dhe të persekutimeve fetare. Këto armë mbështeten nga qeveria, e cila është një konservatore e thellë që sheh me frikë çdo inovacion.

Pra, a kërkoni ju të dërgoni djalin në një shkollë të padëshiruar nga kleri, nga i cili fatkeqësisht ju jeni i varur? Ju menjëherë shpalleni heretik, syrgjynoseni nga gjiri i kishës, prifti ju mohon shërbimet e zakonshme, kaq të shtrenjta për shpirtrat e besimtarëve. Ai refuzon t’i pagëzojë fëmijën e porsalindur të familjes së mallkuar, t’ju vërë kurorë çifteve të reja në martesë, madje ju refuzon edhe një copë tokë në varreza.

Me qindra raste të tilla janë provuar në Shqipëri dhe shpesh herë njerëzit janë detyruar të ndërmarrin një udhëtim të gjatë për të pagëzuar fëmijët ose për të celebruar një martesë.

Këtyre armëve shpirtërore i shtoni edhe disa të tjera më të fuqishmë dhe më therëse: terrorizmin e bandave të andartëve për llogari të klerit grek e të komuniteteve fetare dhe ju do të kuptoni më mirë nëse egzistenca dhe numri i aq e kaq shkollave mund të konsiderohet si kriteri i karakterit etnik të një populli. Kjo nuk i ka shpëtuar pa vënë re autorëve seriozë që kanë studiuar çështjet e Ballkanit, Engelhardt thotë tesktualisht:

“Përsa i përket shkollës si shenjë dalluese e kombësisë, kjo cilësi nuk mund t’i atribuohet atyre në Maqedoni ku kleri grek e ka patur prej shekujsh monopolin, domethënë drejtimin ekskluziv të institucionit të arsimit publik”. (1)

Statistikat zyrtare të Turqisë dhe numri i shkollave greke, janë argumentet më të fortë të shovenëve fqinj, arma e tyre e preferuar, por që ne e pamë së toku se sa vlen ajo.

* * *

Por le të shohim se çfarë thonë këto statistika të famshme, aq të dashura për grekët:

Qysh në ditët e para të Janarit 1913 qeveria helenike paraqiti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër një promemorje mbi kufijtë e Epirit, të cilës i bashkëngjitej një tabelë statistikore, e nxjerrë edhe ajo nga të dhënat otomane të vitit 1908. (2)

Sipas kësaj promemorjeje të famshme kazaja e Korçës numëronte 69.609 banorë, nga të cilët 35.438 janë grekë dhe 34.171 muslimanë. Nga këta 35.438 grekë, 33.894 ishin shqipfolës dhe 1.544 vllehfolës. Pra 33.894 + 1.544 = 35.438. Me fjalë të tjera në kazanë e Korçës ka 34.171 shqiptarë muslimanë dhe 33.894 shqiptarë ortodoksë, plus 1.544 vlleh ose shqiptaro-vllehë. (3)

Gjithmonë sipas kësaj promemorjeje të famshme që siç u tha më lart është një kryevepër absurditeti llafollogjik, kazaja e Starovës e lakmuar nga Grekët përmban 13.409 banorë ndër të cilët 10.104 muslimanë dhe 3.305 grekë, që të gjithë shqipfolës. Pra, asnjë grek.

Kazaja e Kolonjës me 14.701 banorë numëron 9.664 muslimanë dhe 5.057 grekë, që të gjithë shqipfolës. Pra, asnjë grek.

Të tri kazatë e sipërpërmenduar bënin pjesë në Vilajetin e Manastirit. Ja tani shifrat për vilajetin e Janinës:

Përmeti me 17.986 banorë numëron 9.256 muslimanë dhe 8.721 grekë nga të cilët 8.721 shqipfolës dhe dhe 1.600 vllahofonë. Pra, asnjë grek.

Pjesa e kazasë së Tepelenës, e reklamuar nga grekët, numëron rreth 10.241 banorë, nga të cilët 5.855 muslimanë dhe 4.386 grekë që të gjithë shqipfolës.

Himara me një popullsi të përgjithshme prej 11.968 banorësh numëron 7.218 grekë dhe 4.750 muslimanë, nga të parët 3.865 janë greqishtfolës dhe 3.353 shqipfolës. Pra vetëm 3.865 grekë.

Kazaja e Delvinës prej 21. 836 banorësh numëron 16.386 grekë dhe 3.350 muslimanë; nga shifra e parë 12.231 janë greqishtfolës dhe 4.155 shqipfolës.

(Do të shohim më poshtë cili është karakteri i vërtetë etnik i atyre që pretendohet se janë grekë).

Kazaja e Gjirokastrës në një total prej 42.126 banorësh, numëron 21.094 grekë dhe 21.032 muslimanë.

Pra, në një popullsi të përgjithshme prej 201.876 banorësh që përfshihen në tetë kazatë e sipërpërmendura, vetëm 29.274 banorë janë grekofonë domethënë që flasin greqisht; të tjerët, e pranuar kjo edhe nga vetë grekët, janë shqiptarë qoftë të besimit musliman qoftë të besimit të krishterë. Raporti i grekofonëve me atë të shqiptarëve është afërsisht 14 përqind.

Ja pra se ku i bazojnë grekët pretendimet e tyre për ta konsidëruar grek Jugun e Shqipërisë, ose Epirin e Veriut siç e quajnë ata.

Por kur grekët gjenden me shpatulla mbas murit dhe kur e shohin se janë të detyruar të pranojnë absurditetin, atëhere ata kapen mbas një argumenti tjetër.

Nga konsideratat fetare dhe shkollore ata kalojnë në konsiderata psikologjike dhe të përgjigjen: Të kesh në damarë gjak të këtille ose të atillë, të flasësh këtë apo atë gjuhë nuk do të thotë asgjë; gjithçka, kryesorja është ndërgjegjja kombëtare, njeriu i përket racës për të cilën ai deklarohet. Dhe epirotët janë grekë nga ndjenjat!

Kjo është një tjetër logjikë. Të përpiqemi të analizojme këtë argument të ri të grekëve.

Në fillim duhet që lexuesi perëndimor të ketë parasysh se nuk kemi të bëjmë me një komb evropian, se nuk ndodhemi përpara një grupimi të tillë etnik si francezët, anglezët, italianët, gjermanët, racat e të cileve u janë dashur shekuj e shekuj që të zhvillohen, të afirmohen, të ndërgjegjësohen. Lexuesi nuk duhet të harrojë se ndodhet në pjesën Lindore të Europës ku gjithçka ka qenë kaq e ngatërruar, kaq e fallsifikuar, kaq e gjymtuar dhe e mbushur me mashtrim.

Ndërgjegjja kombëtare! Por a nuk është kjo ndërgjegje kombëtare, për të cilën Pukevili njëqind vjet më parë thoshte se nuk ekzistonte te grekët përpara pavarësisë së tyre? (4)

Për cilën ndërgjegje duhet të flasim? A kemi harruar se ka më shumë se tri të katërtat e shekullit kur rumunët konsideroheshin sllavë, ndërsa fisnikët e tyre mbaheshin për grekë? (5)

Ata që kanë studiuar sadopak racat e Maqedonisë e dinë fort mirë se çfarë rrëmujë është atje: fshatra që sot quhen grekë nesër deklarohen bullgarë, pasnesër deklarohen rumunë dhe më vonë serbë.

Asgjë e përcaktuar, asgjë e qëndrueshme përsa i përket kombësisë së këtyre njerëzve, të nënshtruar ndaj një çoroditjeje tepër fantastike, sepse është kisha, prifti, shkolla, janë bandat që diktojnë në ndërgjegjen e tyre. Jo rrallë dëgjon të thuhet: az sem gerc, no znam gertski (unë jam grek, por nuk di greqisht). Dhe ky bullgar i mirë që sot e quan veten grek, nesër do të besoj se është serb dhe ndoshta një ditë do ta kuptojë se është bullgar (6).

Nuk do të harrojmë fjalët e famshme të princit të parë të Bullgarisë, Aleksandër de Battenqerg: Kemi bërë Bullgarinë, tani na duhet të bëjmë bullgarët.

Pra meqënëse ndërgjegjja kombëtare nuk shpreh asgjë të saktë dhe në rastin kur kjo ndërgjegje është e sofistikuar nga ndikimi i kishës dhe i propagandës, detyrohemi të marrim si kriter të karakterit etnik gjuhën dhe gjakun e një populli, sepse vetëm atëhere do të jemi në rrugë të drejtë.

Do të ishte mirë që antropologët të ndërmerrnin studime antropologjike mbi popullsinë e Epirit dhe jemi të bindur qysh tani se këto studime shkencore do të jenë mbështetëse të tezës sonë. Në fakt, ndryshimi ndërmjet kafkës së një shqiptari dhe të një greku është aq i madh sa mjafton të shohësh një epirot ndërmjet njëmijë grekësh për ta dalluar atë menjëherë.

Duke patur njohuri mbi disa studime shkencore, le të shohim të dhënat e nxjerra nga konsideratat etnografike të udhëtarëve që kanë njohur dhe studiuar vendin tonë.

Kemi thënë më lart se kazaja e Himarës, Akrokerauni i lashtë që gjendet në jug të Vlorës, në breg të detit, me një popullsi të përgjithshme prej 11.968 banorësh ka 3.865 grekë. Por a janë ata grekë autentikë? Mos vallë ka këtu ndonjë gabim dhe këta njerëz e fshehin karakterin e tyre të vërtetë etnik?

Në fakt bëhet fjalë për banorët e tri fshatrave të Himarës: Drimada, Palasa,

Himara që janë treva dygjuhshe, domethënë ku flitet njëkohësisht edhe shqip edhe greqisht. Koloneli anglez William Martin Leake që ka qëndruar në Shqipëri si konsull britanik pranë Ali pashait të Janinës thotë për himariotët si më poshtë:

“Greqishtja flitet nga të gjithë njerëzit, ndërsa italishtja nga ata që kanë udhëtuar jashtë, por femrat njohin vetëm gjuhën shqipe”. (7)

Vini re: femrat në Himarë flasin vetëm shqip, ndërsa burrat që kanë udhëtuar jashtë dhe kanë parë botë me sy mund të njohin çdo lloj gjuhe tjetër: greqisht, italisht, arabisht ose kinezçe.

Për më tepër himariotët në shërbim të mbretërisë së Napolit formonin një batalion të quajtur: Reali cacciatori albanesi (8). Pra ata nuk quheshin aspak grekë dhe, qysh prej njëqind vjetësh, askujt nuk i ka shkuar nëpër mend t’i quajë me këtë emër.

Ajo çfarë kemi thënë dhe provuar për Himarën, vlen gjithashtu edhe për dy kazatë e tjera, Delvinën e Gjirokastrën, pjesë të të cilave pretendohet nga politikanët e Athinës se janë territore greke.

Por mendoj të mos kufizohemi në studimin e popullsisë së rajoneve që përfshihen në kufijtë e përcaktuar nga konferenca e Londrës për Shqipërine e pavarur. Për ne Epiri është krejt Jugu i Shqipërisë që shtrihet në kufijtë e tij të vërtetë, domethënë deri në gjirin e Artës dhe në kepin e Prevezës. Epiri kufizohet dhe ndahet prej Greqisë nga malet e Pindit dhe gjiri i Ambrakisë.

Kjo pjesë e Epirit përfshin tri sanxhaqe: i Janinës, i Prevezës dhe i Igumenicës, të cilët sipas statistikave të famshme greke, aq të dashura për grekët, numërojnë: Sanxhaku i Janinës ka 128.148 banorë nga të cilët 10.706 muslimanë, 4.024 shqipfolës, 11.230 vllahfolës- si rrjedhojë 102.188 grekë dhe 25.960 jo-grekë. Sanxhaku i Prevezës ka 36.540 banorë nga të cilët 2.736 muslimanë dhe 1.100 shqipfolës. Sanxhaku i Igumenicës ka 74.844 banorë nga të cilët 34.406 muslimanë, 11.662 shqipfolës dhe 100 vllahfolës. Kështu pra, të tri sanxhakët bashkë numërojnë një popullsi të përgjithshme prej 249.532 banorësh, ndër të cilët 64.594 shqiptarë dhe 11.330 vllehë.

Nuk dëshirojmë të hyjmë në disktim për numrin e vllehëve në Epir, nuk na takon ne të bëjmë një përshkrim dhe numërim të fshatrave vllehe përgjatë vargmaleve të Pindit ose për karakterin e vërtetë etnik të rajoneve të Zagorisë, Pogonit etj.

Lexuesi që dëshiron të dijë më shumë le të lexojë publikimet nga vetë vllehët. Ai do të gjejë në to të dhëna tepër të hollësishme mbi çështjen e racës dhe një tjetër konfirmim mbi çfarë kemi thënë në fillim të këtij studimi mbi klerin grek dhe tiraninë e tij të patolerueshme.

Ndërsa nga ana tjetër ne duhet të jemi më të qartë për elementin shqiptar, të cilin grekët e Athinës dëshirojnë ta quajnë një minoritet në sanxhakun e Janinës dhe Prevezës. Shembulli i Himarës do të jetë përsëri i vlefshëm për ne.

Në jug të Shqipërisë ndodhet një krahinë që quhet Suli, ndërmjet Janinës dhe Prevezës, të cilën konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohu si krahinë greke. Sot çdo grek i ndershëm do t’ju thotë se banorët e kësaj zone janë grekë dhe do të arsyetojnë se janë pikërisht suliotët ata që i kanë dhënë Greqisë kapitenët dhe heronjtë më të mëdhenj gjatë luftës për pavarësi. Bindja e grekëve në këtë pikë është absolute.

Por ka disa dhjetra vjet që grekët e kanë njohur vetë kombësinë shqiptare të suliotëve. Historiani grek Papa Rigopulos e pranonte me ndershmëri këtë tezë dhe po kështu pohohet edhe në fjalorin grek të historisë e gjeografisë nga autorët Vutira, Vretos dhe Vafiadhis.

Oficeri francez Adolf Serfber që me emrin Ibrahim Monsur Efendi ka qenë për një kohë të gjatë pranë Ali pashait të Janinës, duke folur për suliotët këmbëngul për gjakun e tyre shqiptar të cilët një pjesë e mirë njerëzore në Europë i marrin për grekë vetëm duke u nisur nga lufta e Ali Pashës. Për më tepër, suliotët në shërbim të qeverisë franceze në vitet 1807-1814 a nuk kishin formuar një regjiment të quajtur regjimenti shqiptar?

Për problemin e Epirit ne do të përpiqemi t’i japim lexuesit një ide më të gjerë mbi përpjekjet që bën propaganda athinase dhe fanariote me qëllimin e greqizimit të shqiptarëve.

Autori i këtij libri ka vizituar gjashtë vjet më parë tetë fshatra të pjesës jugore të Sulit, në rajonin e quajtur Laka Lelova. Në njerin nga këto fshatra, në Papadate, kam takuar një djalë rreth 10 vjeç, të cilit kur i fola shqip m’u përgjigj se nuk e dinte këtë gjuhë. Unë këmbëngula disa herë që ai të fliste shqip dhe më në fund mësova prej tij se mësuesi i shkollës, ai dhaskal i mjerë, i ndalonte fëmijët të flisnin në gjuhën amtare, madje i kërcënonte se do të bënin një herezi… se do të shkishëroheshin… dhe se do të provonin në shpinë kamzhikun.

* * *

Nga sa thamë më lart shihet se çfarë tregojnë statistikat greke dhe ku bazohen pretendimet e fqinjëve tanë jugorë. Ndoshta mund të mendohet se grekët kanë të drejta historike mbi Epirin, një e kaluar që lidh Epirin me Greqinë, një traditë që bashkon fatin e Shqipërisë së Jugut me atë të Greqisë.

Sigurisht, në rast se ka pretendime dhe të drejta historike, nga më absurdet janë ato të grekëve ndaj Epirit sepse Shqipëria e Jugut e quajtur Epir nuk ka qenë asnjëherë greke.

A nuk është historiani grek Tuqididi që thotë dhe e përsërit pa pushim se epirotët janë barbarë (domethënë jo-greke), se ata flasin një gjuhë të pakuptueshme nga grekët? A nuk është Herodoti që i konsideron epirotët dhe maqedonasit si të huaj? A nuk thonë të njëjtën gjë Straboni e Plutarku dhe a nuk është Demosteni thumbues që lëshon shigjetat e tij më të mprehta kundër barbarit Filip të Maqedonisë?

Gjeografi francez Malte-Brun e përmbledh shumë bukur të kaluarën e Epirit kur thotë:

“Epiri, të cilin të gjithë autorët grekë e përjashtojnë nga Greqia, është përshkruar ashtu si edhe Iliria dhe Maqedonia nga Straboni. Kantonet e tij kryesore kanë qenë në Kaoni, Thesproti dhe Molosë. Straboni dhe Plutarku na tregojnë se epirotët flisnin një gjuhë të veçantë dhe se kjo gjuhë ishte e njëjtë me maqedonishten. Duket se e folura moderne e shqiptarëve rrjedh prej saj”.

Pra gjatë gjithë Antikitetit, Epiri ruan një figurë të veçantë nga ajo e Greqisë. A mos vallë kjo ka ndryshuar gjatë Mesjetës? Dëshmitarët e historisë vërtetojnë se Epiri ka mbetur gjithmonë jo-grek dhe do të na vinte keq nëse grekët do të tregohen aq naïvë sa të konsideronin dominimin bizantin si një dominim grek që të mund të sajonin ndonjë lloj të drejte mbi Epirin.

Qysh nga ardhja e turqve në Europë, Epiri ka qenë konsideruar si një pjesë e Greqisë apo e Shqipërisë?

Tek një autor me origjinë greke Teodore Spandugino Cantacuscino, në një histori mbi origjinën e Turqisë (9), ne lexojmë pjesët e mëposhtme:

“Perandori Cantasuzene zgjodhi në Janinë një njeri nga shtëpia Spata dhe e bëri nën-dhespot dhe guvernator së bashku me një Musak Topia nga të cilët njeri qëndroi në Janinë që ishte kryeqyteti i mbretërisë së Shqipërisë” (10).

Pak më poshtë lexojmë:

“Janina, e cila ishte një vend i fortë, ka qenë kryeqyteti i gjithë Shqipërisë” *.

Dhe përsëri disa rreshta më poshtë:

“Amurati, që ishte në gatishmëri, pa pritur më gjatë, hyri në Shqipëri dhe pushtoi Artën”. (11)

Pra, jo vetëm Janina, por edhe Arta konsiderohej si territor shqiptar. Për më tepër Sansovino në faqen 302 na tregon se në kohën e ardhjes së turqve e gjithë Maqedonia quhej Shqipëri sepse banorët e saj flisnin shqip duke u shtrirë nga Thesalia deri në Dalmaci, kufizuar në Lindje nga lumi Strimon dhe shtatë liqenet e tij të mrekullueshëm.

Domethënë qysh nga koha e ardhjes së turqve, Epiri shqiptar nuk ishte aspak grek përkundrazi mund të thuash se një pjesë e madhe e Greqisë ishte shqiptare dhe se turqve iu desh të luftonin në Greqi jo kundër princëve vendas, por kundër princëve shqiptarë. (12)

Mbas pushtimit turk dhe gjatë shekujve modernë a ka pësuar ndryshime fizionomia etnografike e Epirit? Nuk e besojmë. Turqit e kanë konsideruar gjithmonë Epirin si një tokë shqiptare dhe historianët e tyre e përshkruajnë këtë rajon me emrin arnautllëk (Shqipëri) kurdoherë kur flitet për Himarën, Delvinën, Pargën, Janinën ose Prevezën.

E tillë është konsideruar ajo edhe nga misionarët katolikë të Romës, për të cilët Epiri formonte vazhdimësinë jugore të Shqipërisë.

Një dokument interesant i ruajtur në arkivat e “Propaganda Fide” të Romës, që daton më 1703 dhe është dërguar nga peshkopi i Antivarit Mgr Vincenzo Zmaviewich, një slloven i lindur në Perasto, përcakton kufijtë e Shqipërisë që shtrihen nga Antivari dhe Dulcigno deri në gjirin e Artës në Jug (italisht në tekst).

“Shqiperia… e vënë nën zgjedhë nga turqit, e kufizuar me Maqedoninë dhe Epirin si dhe me një pjesë të mirë të skajit Dalmacisë, zë sot gjithë atë pjesë bregdetare që ndodhet ndërmjet Postroviçit, kufiri i fundit i republikës Venete dhe gjirit të Ambrakisë, i quajtur liqeni Arta duke përfshirë me emrin Shqipëri jo vetëm qytetin Tivari dhe Ulqini, pranë Dalmacisë, por edhe gjithë Epirin që shtrihet nga Vlora deri në Arta si dhe pjesa më e madhe e Maqedonisë”. (13)

Pra, Epiri përshkruhet vetëm si pjesë, si një provincë e Shqipërisë, si Toscana në Pulia në Itali, si Gaskonjë ose Provencë në Francë.

Për dijetarët modernë kjo çështje qëndron vetëm kështu dhe jo ndryshe. Në botimin e tretë të vitit 1778 në Gjenevë të Enciklopedisë nga Didëro dhe Dalembert, në artikullin “Shqipëria”, ky vend përshkruhet i kufizuar: “…në perëndim nga gjiri i Venecias, në veri nga Dalmacia dhe Bosnja, në lindje nga Maqedonia dhe një pjesë e Thesalisë, ndërsa në jug nga Achaie ose Livadie. Me emrin Shqipëri kuptohet Iliria e vjetër dhe Epiri i Greqisë…”.

Gjatë gjysmë-pavarësisë së Ali Pashës, Epiri ka qenë konsideruar vetëm si një pjesë integrale e Shqipërisë dhe francezi Mark Bruere des Rivaux s’ka bërë gjë tjetër veçse ka thënë një të vërtetë të thjeshtë kur i spjegonte Ali Pashës së Janinës se “me Epir kuptohet e gjithë hapësira e banuar prej arnautëve ose shqiptarëve me përjashtim të Maqedonisë ku ishte vendosur pashallëku i Shkodrës”. (14)

Mbas luftës ruso-turke të vitit 1877, atëhere kur projektohej copëtimi i Turqisë, në një séancë të kongresit të Berlinit u propozua më shumë “bujari” nga Franca që t’i jepej Greqisë një pjesë e Shqipërisë së Jugut që shkonte nga Preveza deri në luginën e lumit Kalamas.

Ky ishte një territor shqiptar, por në atë kohë mendohej vetëm për shtete tashmë të pavarur dhe ishte e natyrshme që të mohohej egzistenca e një kombësie tjetër aty. Shqiptarët u revoltuan kundër një dhunimi të tillë të të drejtave të tyre kombëtare. Ata protestuan kundër kësaj padrejtësie dhe e famshmja Lidhja e Prizrenit, që shtrihej nga Shkodra deri në Prevezë, mori pjesë aktive në këtë çështje duke dërguar një mision në kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Përkundrejt këtij manifestimi krejt të ligjshëm dhe me të gjithë demostrimet dhe qëndrimet qesharake të Greqisë, gjyqi evropian e dha verdiktin e vet dhe nuk pranoi t’i jepej Greqisë një pjesë e Shqipërisë.

Kjo sigurisht ishte triumfi i drejtësisë ndaj padrejtësisë.

Nuk ka mësim më të mirë dhe më interesant se sa të lexosh korrespondencën zyrtare të asaj kohe ku përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha (anglezët, italianët dhe francezët) u detyruan të njohin vërtetësinë e fakteve dhe sugjeruan se duhet ndrequr një gabim i tille i shkaktuar nga dashamirësia e tepruar ndaj Greqisë zhurmëmadhe (15).

* * *

Kemi parë se sa të pabazuara janë pretendimet etnografike dhe historike të Greqisë ndaj Epirit shqiptar dhe e përsërisim akoma edhe një herë se historikisht grekët nuk mund të kenë asnjë të drejtë mbi Shqipërinë jugore. Ata nuk kanë qenë kurrë zotër të këtij rajoni dhe se përkundrazi të drejtat e shqiptareve ndaj fqinjit jugor janë ndoshta shumë më serioze.

Po ashtu etnografikisht numri i grekëve ose të greqizuarve në Shqipëri, është tepër i vogël, ndërkohë që elementi shqitpar në Greqi arrin një shifër mjaft të rëndësishme. (16)

Kemi parë gjithashtu se eksperienca e shkollave nuk mund të merret si kriter i kombësisë dhe se ndërgjegjja kombëtare është në të shumtën e rasteve e tjetërsuar nga ndikimi tiranik i kishës greke.

Grekët që janë mjaft të zgjuar, me gjithë shovinizmin e tyre, e kuptojnë fort mirë këtë edhe kur përpiqen të sjellin një argument tjetër. Ata kapen mbas kësaj teze: kriteri i kombësisë nuk është as historik, as etnografik, as gjuhësor por është ndërgjegjja e popullit, dëshira ë tij për t’u deklaruar i tillë apo i këtillë, është manifestimi spontan i zemrës dhe i shpirtit.

Tani, banorët e Epirit, të paktën të krishterët, e quajnë veten grekë, ndjehen grekë, kanë ndjekur dhe ndjekin shkollat greke, ndërkohë që shpirti shqiptar nuk “shfaqet” në asnjë formë tek ata. A nuk është manifestimi spontan i ndjenjave filo-helenike ai që duhet të përcaktojë kriterin e kombësisë?

Spontan! Sigurisht fjala tingëllon mjaft ironike sepse do të ishte një spontanitet i çuditshëm ai që shfaqet me forcën e dëbimit nga komuniteti, me mallkime, me bandat e armatosura dhe me terrorin moral e fizik.

Ndoshta lexuesi i huaj për këto çështje, mund të ndikohet nga llafollogjia greke. Dhe ndoshta mund t’i besojë.

Por a është e vërtetë se banorët e krishterë të Shqipërisë Jugore e ndjejnë veten grekë dhe se ata nuk kanë asnjë ndjenjë e ndërgjegje për kombësinë e tyre të vërtetë? A është e saktë se ata janë njerëz që ndryshojnë fe e kombësi dhe në rast se është kështu, përse i duhet dhënë kaq shumë rëndësi disa renegatëve të racës e të atdheut? A është e vërtetë se shqiptarët nuk kanë patur kurrë një ndjenjë të vërtetë të racës së tyre?

Na vjen keq që gjithmonë jemi të detyruar të përgënjeshtrojmë grekët dhe do të kishim dashur që ata të kishin të paktën një herë të drejtë. Por jemi të detyruar përsëri që të shohim se sa vlen ky argument i fundit i tyre.

Banorët e Epirit, qofshin të krishterë apo muslimanë, e kanë mjaft të zhvilluar ndjenjën e racës së tyre. Madje, edhe filo-helenët më të tërbuar, mburren dhe krenohen me këtë cilësi, për gjakun e tyre shqiptar të cilin e konsiderojnë më superior dhe më të pastër se ai grek.

“Unë jam shqiptar dhe jo grek”, thonë shqiptarët në mes të Athinës, qofshin me origjinë nga Epiri apo nga Megara. Kurrë të krishterët shqiptarë, me përjashtim të disa të shiturve te qeveria greke ose të helmuar nga propaganda megallomane greke, nuk kanë shfaqur ndonjë prirje ndaj Greqisë dhe në asnjë rast nuk u janë përgjigjur thirrjeve të grekëve.

Bandat greke e kanë bredhur kudo vendin, por ata nuk kanë gjetur kurrë mbështetje dhe si pasojë nuk kanë mundur të ushtrojnë ndikimin e tyre përveçse në disa rrethina të kufizuara të Thesalisë. Shqipëria jugore nuk ia ka vënë kurrë veshin thënieve të tyre. Përkundrazi Lidhja shqiptare e vitit 1878 numëronte shumë anëtarë të krishterë në degët e saj të Epirit.

Por dështimi i pësuar nga grekët mbas luftës ruso-turke, fakti që nuk munden të shtien në dorë pjesën jugore të Shqipërisë, i detyroi që të përqëndrojnë të gjitha forcat dhe mjetet në këtë pjesë të Shqipërisë. Veprimtaria e ushtruar nga propaganda e Athinës gjatë këtyre 35 vjetëve të fundit ka qenë e shfrenuar dhe qeveria turke me verbërinë e saj kokëfortë dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve, e ka mbështetur këtë mynxyrë fuqimisht duke qenë pra turq e grekë së bashku e në një mendje kundër regjimit kombëtar shqiptar. Porta e Lartë dhe Jilldizi i lanë dorë të lirë Patriarkanës së Fanarit.

Me dhjetra shkolla shqiptare të hapura në Kolonjë (në jugperëndim të Korçës) më 1893, munden të mbijetojnë fshehurazi vetëm pesë vjet dhe e vetmja shkollë që pati një farë kohëzgjatje, ajo e Korçës, themeluar më 1886 u mbyll nga autoritetet turke më 1902.

Intoleranca turke e bënte shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, çdo aksion në Shqipëri, por megjithatë shqitparët nuk u dëshpëruan aspak. Shoqata shqiptare, themeluar më 1879 në Kostandinopojë, u trasferua më 1881 në Bukuresht, ndërkohë që shoqata të tjera lindën në Egjypt dhe në qytete të tjera të banuara me shqiptarë.

Këta shqiptarë të Rumanisë dhe të Egjyptit nuk ishin gjë tjetër veçse të krishterë ortodoksë me prejardhje nga pjesa jugore e Shqipërisë, epirote, të cilët, zotërinjtë e Athinës i quanin grekë. Veprimtaria dhe shërbimi që këto koloni i kanë bërë çështjes shqiptare, janë jashtëzakonisht të mëdha. Këta shqiptarë të krishterë kanë meritën e publikimit të librave shqip, të lulëzimit të letërsisë shqipe. Këto shoqata janë zhvilluar dhe përhapur në vazhimësi.

Shumë shpejt lindën edhe asosacione të reja në Kostancë, Sofje dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse ka spontanitet, ai sigurisht gjendet në veprimtarinë e këtyre shqiptarëve të krishterë të cilët luftonin kundër tiranive të kombinuara të patriarkatit grek dhe autoriteteve turke duke përhapur propagandën kombëtare të rrethuar nga rreziqe të panumërta (17).

Kjo propagandë ishte shumë herë më e zbehtë se sa propaganda greke e mbrojtur dhe e veshur me të gjitha imunitetet, e pajisur me fonde të pashtershme dhe me një përvojë shekullore. Kështu nuk ka asgjë të habitshme dhe të jashtëzakonshme që numri i veprimeve të kryera nga përpjekjet e shqiptarëve, është shumë më i vogël se ai i propagandës zyrtare e jozyrtare greke. Besoj se kjo është tepër e kuptueshme.

Ndërkaq, kur tirania turke u dobësua, kur njerëzit një ditë besuan se kushtetuta e vitit 1908 i jepte liritë dhe garancitë çdo kombi të Perandorisë- atëhere u shfaq një ripërtëritje e fuqishme e shqiptarëve. Në pak kohë dhe si me magji lindën një numër i pafund klubesh, gazetash, shkollash e shtypshkronjash.

Për fat të keq kjo liri zgjati sa hap e mbyll sytë. Dy vjet më vonë, në fillim të vitit 1910, xhonturqit treguan se ishin tiranë më të këqinj se paraardhësit e tyre. Por këto dy vjet mjaftuan për t’i dhënë një drejtim zhvillimit të çështjes shqiptare dhe çdokush që dëshiron ta studiojë problemin shqiptar duhet të ketë mirë parasysh përpjekjet e mëdha të kryera gjatë asaj kohe të shkurtër.

Ndërmjet klubeve të shumtë të hapur në Shqipëri, (rreth pesëdhjetë), një numër i madh prej tyre u themeluan në Epir: në Janinë, në Korçë, në Gjirokastër, Delvinë, Përmet, Frashër, Leskovik, Prevezë, Loros, Filat, Mazarek, Konispol, Pogon, etj.

Këto ishin klube që frekuentoheshin si nga muslimanët ashtu edhe nga të krishterët, nga ata të krishterë që sot mundohen t’i quajnë grekë.

Ndërmjet gazetave shqiptare ka patur dy në Korçë dhe një në Janinë, të shtypura që të trija në shtypshkronjat e tyre; me dhjetra mijëra kopje gazetash u shpërndanë nëpër Shqipëri të shtypura në Manastir, Selanik, Kostandinopojë, Shkup, Shkodër, Elbasan, SHBA. Nuk vonuan të hapen edhe shkollat: çdo klub kishte edhe një shkollë nate, ndërsa shkolla të tjera të rregullta u çelën në kryeqendrat dhe fshatrat e trevave të Korçës dhe të Gjirokastrës deri në Negovan (Follorinë).

Nisën të shfaqen shoqatat letrare në Korçë dhe në Janinë (18) si dhe një shoqatë muzikore në Korçë me një orkestër frymore të mirë. Kolonitë shqiptare në SHBA (kolonë që jetuan vetëm disa vjet atje dhe pastaj u rikthyen në shtëpitë dhe vatrat e tyre) u organizuan shumë mirë duke themeluar shoqatën federative “Vatra”, shoqatë që grumbullon sot rreth vetes dyzet degë duke çelur në të njëjtën kohë edhe një gazetë të përjavshme shumë të mirë (sot e përditshme).

Përpjekjet e bëra në qendër, në veri dhe në lindje të Shqipërisë nuk ishin të vogla: gazetat përpiqeshin të përhapnin mendimin intelektual, shtypshkronjat prodhonin një ushqim me vlerë dhe mjaft të bollshëm me libra të dobishëm, klubet dhe shoqatat letrare e shkollore përgatisnin me durim një të ardhme më të mirë. Një shkollë e mirë normale e themeluar në Elbasan më 1909 ishte shpresa e jonë për organizimin e mëtejshëm të shkollave fillore. Por rëndësi patën për vëllazërimin e patriotëve dhe intelektualëve edhe dy kongreset e mbledhura, përkatësisht në Manastir dhe Elbasan.

Përfitimi nga liria e dhënë prej autoriteteve turke, nuk ishte veçse një gjysmë-lirie. Duhej çliruar gjithashtu edhe nga thonjtë e klerit grek, duhej dalë nga ai qerthull poshtërues i Fanarit, agjenti më i fuqishëm i helenizmit.

Kështu qysh në ditët e para të kushtetutës së famshme xhonturke, u krijua në Korçë një Lidhje Ortodokse me një organ të përjavshëm me të njëjtin emër. Lidhja kërkonte emancipimin e kishës shqiptare ose të paktën të drejtën zyrtare për të predikuar në gjuhën shqipe një pjesë të liturgjisë. Tashmë, kjo lëvizje kishte filluar në Amerikë ku shqiptarët epirotë kishin dy kisha të tyre dhe dy priftërinj që përkthyen librat e parë të meshës.

E gjithë kjo lëvizje: klube, shkolla, shoqata letrare dhe muzikore, lidhje fetare po shkonte si jo më mirë. Por zhvillimi dhe përparimi i tyre i madh, do të shkaktonte turbullirë tek të tjerët. Xhonturqit u treguan njëqind herë me reaksionarë dhe tiranë se sa padroni i tyre Sulltan Hamiti. Ata e panë me sy të keq përparimin paqësor të shqiptarëve. Ndërkohë qëndresa energjike dhe burrëria e shqiptarëve, u dha atyre një pretekst për një kryqëzatë të vërtetë turke kundër racës shqiptare.

Ekspedita të dërguara njëra pas tjetrës kishin marrë urdhër që të mbysnin çdo shenjë të rilindjes dhe të rizgjimit shqiptar. Çarmatosja nuk ishte veçse një pretekst, në të vërtetë duheshin ndëshkuar nacionalistët bashkimas (sipas emrit të klubit të tyre “Bashkimi”), duheshin mbyllur shkollat; të ndaloheshin gazetat dhe t’i dorëzoheshin inkuizicionit musliman veprat e nacionalizmit. Shkishërime, gjyqe kaliderësh kundër alfabetit latin, djegje në turrën e druve, asgjë nuk lanë mangut turkomëdhenjtë e rinj që udhëhiqeshin më shumë nga një mëri e verbër vetiake se sa nga arsyet e shtetit. Por ata që ngazëlloheshin gjatë kësaj kohe qenë agjentët e helenizmit dhe pothuaj të gjithë priftërinjtë e patriarkët, që duke harruar divergjencat e mëdha me turqit, u kthyen menjëherë në spiunë të autoriteteve turke.

Në këtë luftë me xhonturqit, kanë qenë pikërisht shqiptarët e Jugut të Shqipërisë, epirotët, ata që luajtën rolin më të madh e më të rëndësishëm duke zhvilluar mitingje proteste, qëndresë me armë në dorë ose propagandë dhe luftë paqësore. Ishin gjithashtu epirotët ata që shpallën me një zë të lartë vullnetin dhe dëshirat e tyre, ishin ata që ranë viktima të idealit kombëtar gjë që dëshmohet nga gjashtë djem të rinj të vrarë në një përpjekje në Korçë pesë prej të cilëve ishin të krishterë ortodoksë, epirotë dhe njëri prej tyre ishte biri i atij që katër vjet më parë ishte vrarë nga plumbi i një vrasësi politik grek në Selanik.

Dhe janë, padyshim, këta shqiptarë të Jugut që janë quajtur grekë nga politikanët dhe publicistët e Pireut dhe të Athinës.

….

 

 

Referenca

 

  1. Çështja maqedonase, nga Ed. Engelhardt, Paris 1906, f.30.
  2. Të dhënat e mëposhtme i kemi nxjerrë nga libri “Irredentizmi helenik”, nga Charles Velley, Paris 1913, që riprodhon promemorjen greke dhe shifrat e tabelës.
  3. Ne e vëmë në dyshim vërtetësinë e këtyre shifrave, sepse agjentët grekë kanë patur interes ta shtojnë numrin e “të krishterëve”, shtetësine e tyre, ndërkohë që shqiptarët muslimanë kanë patur gjithmonë zakon të regjistrojnë një numër sa të jetë e mundur më të vogël gjatë regjistrimeve. Nga kjo arrijmë në përfundimin se në këto shifra numri i të krishterëve duhet të jetë të paktën 5 përqind më i lartë, ndërsa ai i muslimanëve 5 përqind më i ulët nga realiteti.
  4. Shih: “Udhëtim nëpër Greqi”, Paris 1820.
  5. Xenopol, “Historia e Rumanisë”, Paris 1896, me parathënie të Alfred Romband.
  6. Mbi këtë teze shih broshurën intersante të profesorit serb Cvijic: “Shënime mbi etnografinë e Maqedonisë”, Paris 1906.
  7. M. Leake: Travels in Northern Greece, London 1835, vol.I, pg. 88.
  8. M. Leake: Vepra e cituar. Shih gjithashtu një studim interesant mbi Himarën në revistën “Roma e l’Oriente”, Grotteferrata (Roma), viti III, fshikulli 34, f.209 e në vazhdim.
  9. Historia e Gjeografisë, nga Malte-Brun, kapitulli 5.
  10. I comentari di Theodoro Spandigio Cantasciscino gentiluomo Constantinopolitano, dell origine de principi Turchi st de costumi di quella natione, Firenze 1551. Kjo vepër është botuar edhe në volumin e parë të “Istoria univesale dell origine guerre et imperio de Turchi”, raccolta da Francesco Sansovino, Venetia 1654.
  11. Laquale era capo del regno della Albania. Edition de Florence, page 25, edit, de venise, geuillet recto.
  12. Janina laquale pericioche era luogo fortissimo era capi di tutta l’Albania. Edit, de Florence, ph. 27, edit de Venise, meme geuillet.
  13. Ma Amurato il quale era in punto, senza aspettare altro, entro nell’Albania et occupo l’Arta.
  14. Lexuesit tane serioze jane te lutur t’i hedhin nje sy veprave teper te rendesishme te Hopf.
  15. Shih Roma e l’Oriente, Grottaferrato, 3 me annee, ph. 216.
  16. Boppe, op. cit, ph. 76.
  17. Në faqen 120 të librit “Vendi i shqiponjave” nga F. Gibert, Paris 1914, lexojmë: “Ka nja 30 vjet që konsulli grek në Shkoder, Mavromatis, shkruante me të drejtë në gazetën “Akreopolis” se emrit Shqipëri munt t’i jepej një sens etnografik:
  18. Shqipëria e Jugut, nga kufiri grek në lumin Shkumbin.
  19. Shqipëria e Mesme, nga lumti Shkumbin deri në Mat.
  20. Shqipëria e Sipërme, nga Mati në Mal të Zi.
  21. Shqipëria e Veriut, përfshirë Novi Pazarin, shtrihet drejt Lindjes duke përfshirë Prizrenin, Prishtinën, etj.
  22. Maqedonia e Lindjes që nga liqeni i Prespës dhe Ohrit deri në Manastir.
  23. Numri i shqiptarëve në Greqi (para luftës ballkanike) ishte të paktën 250.000.

 

Mit’hat Frashëri: Çështja e Epirit (1)

 

 

Please follow and like us: