Albspirit

Media/News/Publishing

Lasgush Poradeci: PËRKUJTIM NË DITËN E MËSUESIT

 

Shkolla Shqipe e Pogradecit, e këtij qytetthi palcërisht shqiptar, i futur në gjirin e maleve si kafka në trurin e njeriut, është një nder jo vetëm për Atdheun po dhe për Pogradecarët në mënyrë të veçantë. Sepse me datën rrënjësisht të vjetër të hapjes së saj në ditën e 14 Marsit 1887, ajo shkon krahas nga parësija me Shkollën Shqipe të Korçës, të shuguruar aty një moti pas pesë shekujsh robërije dhe vojtjeje. Ka qënë një kuxim, në tërrë meritën dhe në tërë fuqinë e fjalës, rrëmbimi i flamurit të gjuhës nënore nga ana e pogradecarëve pothuajse njëkohësisht me Korçën – vetëm dymbëdhjetë muaj më von. Kurse nër fshatrat e Kolonjës, në katundet e Vakëfit, futja e Shkollës Shqipe u bë siç e thamë vetëm pas katër vjet e shtatë vjet, që më 1890 e 1893 dhe atëherë me vullnetin dhe ndihmën e Kryetarit të Shoqërisë Drita Nikoll Naços, Pogradeci ardhi vetë në Korçë që në fillimin më të parë, sapo hariu prej Bukureshti Efthim V. Markua dhe prej Stambolli dëshmori Pandeli Sotiri më 1885. Dhe në qoftë se në Korçë hapja e shkollës u shty dhe u zgjat më 1886 gjer më 7 Mars nga kundërshtimi i njerësve dhe i rethanave dhe jo më pak nga mungesa e shtëpisë shkollore, gjithashtu në Pogradec, po ajo mungesë e shtyri hapjen e shkollës edhe dymbëdhjetë muaj më pas.

Me gjithë vlerën e përpjekjes së Pogradecarëve për gjuhë e kombësi, me gjith Shkollën Shqipe të hapur pa shumë vonim pas asaj të Korçës më 1887 dhe me Klubin Shqiptar të hapur një kohësisht pas klubeve të tjera në Shqipëri më 1908, mos-lëvizja, d.m.th heshtja e vëndësve të Pogradecit rreth veprës Kombëtare të përmbushur duket si një e metë e pandrequr: prej naturës së tyre të brëndshme ose prej redhit qarkonjës, ata janë tipe të mbyllur në vetvete, të patundur sidokudo nga tërheqja e reklamës. E përhapur ose jo, e njohur ose e panjohur, një vepër që u krye qëndron kurdoherë pritëse për t’u kundruar, për t’u çmuar, dhe kështu është edhe Shkolla Shqipe e Pogradecit. Sikundër në Korçë shtyllat e para të shqipes dhe të shkollës shqipe, Jovan Cico Kosturi, Efthim Vasil Markua, Orhan Çerçis Pojani qëndruan fitimtarë-èdhe me therorinë e gjakut- përmes gjithë furtunës së tmershme kundërshtare,-ashtu fillonjësit dhe përmbajtësit e parë të Shqipes dhe të Shkollës Shqipe të Pogradecit Ndini Gjorgji Gusho dhe Sotir Gjorgji Gusho përball në gjithë pengesat dhe dëshpërimet, èdhe dyke asgjësuar rezikun e jetës, me një mijë helme për një të vetëm gëzim mëmëdhetarije.

Ndinkë Gushua dhe Sotir Gushua, nisjatorët e atdhetarisë në Pogradec, ishin që të dy prej një race thjeshtësisht shqiptare, të hollë dhe viganë nga shtati nga i cili shkak dhe bashkëqytetasit i-u theshin Ndinka-i-Gjatë dhe Sotirka-i-Gjatë, dyke i miemëruar për ndjenjat e tyre sipas një zakoni të ditur të kohës Ndinkë Shqiptari, Sotirkë Shqiptari: siç e ka theksuar në shënimin e tij vetëshkrimor më 10 Shkurt 1936 një ish-nxënës i Shkollës Shqipe të Pogradecit, atdhetari Ikonom At Llazar Kozma, Famulltar i Komunitetit Orthodhoks të Pogradecit, tashi Igumen i manastirit të Shën Naumit.

Vëllezërit Ndini Gusho dhe Sotir Gusho çlodhen prej shumë kohe në Fjetjetoren e qytetthit ku mbaruan detyrën e kësaj jete, nënë baltën e dhemshur të Shqipërisë për gji. Po ne vazhdonjësit e tyre, që na u pat lënë kjo pikëz trashëgim, duke kujtuar Shkollën Shqipe të Pogradecit qoftë dhe këtu rastësisht, pas pesë-dhjet-e-pesë vjetësh nga dita kur u çelnë për së pari dyert e saj, ruajmë në zemër me shentëri barrën e paraqitjes së punës dhe të shpalljeve përkatëse, gjë të cilën i nënëshkruari e mban të përmbledhur për një botim të arthmë, me ndjenjën e mirënjohjes dhe përuljes më së fellë që mund të jetë i zoti të ndjejë shpirti i një pjelle ndaj të-ungjit dhe t-et të vet.

Dokumentat që përkasin Shkollën Shqipe të Pogradecit, nër fletore, të përkohëshme, libra, shënime, kujtime etj, janë të mjaftuarshme për hedhjen e një drite reth fillimit, vijimit, dhe luftimit të asaj shkolle, me gjith largësinë e madhe të kohës prej më shumë se gjysmë shekulli pas ngjarjes. Midis tyre, më duhet të sjell vërrejtjen për nënëshkrimin që bën Ilo-Mitkë-Qafëzezi, vazhdonjës i gjithë ngjarjes dhe hollësirave, në veprën e sipër-thënë f.149,3. Po kujtoj këtu kalimthi për t’i plotësuar sadopak vijat kryesore të vepëronjësve të Shkollës Shqipe të Pogradecit, se mësonjësi i saj i parë ka qënë, më 14 Mars 1887, Koço Sotiri, i vëllaj i dëshmorit Pandeli Sotiri, mësonjësit të parë të Shkollës Shqipe të Korçës. Është vërtet, siç shënon Ili Mitkë Qafëzezi-ish-mësonjës dhe ky i kohëve të vona i shkollës fillore në Pogradec-se Koço Sotirit këtu i-u pat ngjitur miemri ultësonjës mason për shkak të përhapjes së Ungjijve shqip të Kostandin Kristoforidhit që ay bënte nër popull – atje ku i-a qëllonte… Ky lajm i vjetëruar që na harin gjer më sot në ditët t’ona gojërisht nga kujtesa e Thoma Abramit, kryemësonjësit veteran të Shkollës Shqipe të Korçës, ka qënë gjith aq i vërtetë, sa dhe i bujshëm dhe i potershëm. Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të Pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi. Masonëri, në gjuhën e Rilindjes Shqiptare, është një kujtim i idhur nga dhembjet e shumta të plagës së madhe së Kombit që thuhet plaga e ndarjes në gjirin e njëshmë të një populli, e përbuzur prej veteranëve me fisnikëri, e shëruar prej dëshmorëve me gjakun e vet të therrorisë. E përbuzi dhe Koço Sotiri në Pogradec, me bindjen e tij të pathyer, siç e përbuzi i vëllaj Pandeliu me burrëri në Korçë dhe siç e përbuzë që të dy kur vajtnë një herë për t’u çmallur në fshatin e tyre të dashur fort-në Selckën e Lungjerisë – ku bashkëfshatarët, domethënë far e fis e miqërija, nuk i nqasnë po i përzunë prapë nga ardhë, për shkak të apostullatës së të dyve ndaj gjuhën dhe ndaj Kombin e adhuruar. Dhe u këthyen e iknë që të dy prapë në mërgim e në arratisje që nga kishin ardhur, dhe njëri, Koço Sotiri-Kota – vajti drejt për në burg i dënuar me një-qind-e-një vjet dyke dhënë pastaj shpirtin nga mjerimi rrugëve në Manastir më 1909, kurse tjetri, Pandeli Sotiri-Pandua – gjeti vdekjen e tmerrëshme në Stamboll nga fitilat e armikut më 1894. Sepse kështu, me kësisoj dëshmorësije, shërohej atëhere plaga e dhimbëshme e ndarjes Shqiptare, sikundër sot e nesër e në gjithë kohën e kohrave. Që të ndritet sa vete më shume fjala e Vjershëtorit të Rilindjes, që është Dhiata e gjithë Dëshmorëve.

“Si trashëgim ju lemë shpirtin t’onë” *

Sipas tregimeve dhe dokumentimeve që paraqitmë këtu lart mi vjetërsinë e shkollave më të para shqipe në Atdhe, duket kulluar dhe qëndron pra në mes të ditës se shkolla e parë kombëtare e Shqipërisë është çelur më 7 Mars 1886 në Korçë, kurse e dyta, dyke qënë vazhdonjësja e përnjëherëshme dhe e drejt-për-drejtëshme e asaj së Korçës, është Shkolla Shqipe e Pogradecit, e çelur pikërisht më 14 Mars 1887. Shkollat shqipe të tjera nër katundet e rrethit të Korçës (Kolonjë, Vakëf) të hapura prej Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit, nuk vijnë sipas datës kronologjike përveç se në radhën e tretë-më von në këtë rradhë-me qënë që hapja e tyre bje, siç thamë, mezi më 1890-1893 domethënë pas katër dhe pas shtatë vjetësh tëhu. E theksoj këtu këtë fakt, me rastin e rrëfimit të istorisë shkollore kombëtare shqiptare, sepse lënia mënj’anë e Shkollës Shqipe të Pogradecit është një padrejtësi e dhimbëshme që i-u ka qënë bërë Pogradecit dhe Pogradecarëve, të cilët gjithmonë, dhe që në fillimin më të parë, kanë mbushur me të plotë detyrën e vet ndaj atdheut. Këtë detyrë ata e kanë mbushur me punë dyke e lënë në heshtje kurdoherë që ka ngjarë, jo vetëm me çështjen e shkollës shqipe dhe të mësimit shqip, po dhe me krijimin e Klubit shqiptar të tyre dhe të pjesëmarrjes aktive me çetat e lirisë dhe me luftonjësit e pavarrësisë.

Shkronjësi i këtyre serëve e ndjen për barrë të lehtë shpalljen e kësaj së vërtete istorike sot rastësisht me dy-tri fjalë, dhe do t’a ndjejë për barrë edhe më të lehtë nesër me gjithë rrëfimin dhe dokumentimin e nevojshëm i cili pret gati që prej kohe.

Dyke u hapur shkolla shqipe e Korçës – siç pamë përmes aq mundimesh dhe intrigash dhe mjerimesh – shoqërisë Shqiptare të Kollonisë së Bukureshtit i-u hap dhe asaj një përkujdesje e re, një vepërim tjetër. Mësonjëtorja së cilës ajo i-a çeli dyert me aq therrorira gjer tashi, kish nevojë për libra. Hapi i saj i parë që ish aq i thjeshtë dhe i pakët, u rit dhe u shumëzua për dita me shumë energji, për hir të propagandës së pathyer të Kryeveteranëve. Që më 7 Mars 1886 kur u çel shkolla gjer më 20 Qershor 1902 kur u desh, pas vojtjesh së skëterrshme, të mbyllet dhe të pushojë hë-për-hë, ajo pat kërkuar një ushqim të panginjur dhe të pashuar lënde mësimi, librash, fletoresh dhe ndihmash të ndryshme shkollore, të cilat plotësoheshin kryesisht nga gjiri i pashterur i Kollonisë. Kollonija që i dha shpirt asaj shkëndije së ndritur në mes të vëndlindjes, kish kujdes dhe t’a përmbajë me jetë. Dhe jeta e Shoqërisë, asikohe, pra dhe shkollës, ishin librat, librat shqip. Shtypja e këtyreve kishte hyrë në udhë përfundërisht me anën e Shtypshkronjës, po ato, aq sa botoheshin dhe ashtu siç botoheshin, mezi qenë pakmos të mjaftuarshme për lexonjësit e lirë, kur se tashi me hapjen e shkollës puna duhej shtuar dhe përshtatur pas qëllimit. Dilnin më parë librat e Kollonisë nga shtypëshkronja sidokudo, pa sgjedhje, pa kriter, tashi nevoja shtynte medoemos për libra mësimi, për libra shkollorë. Dhe këto libra duheshin dërguar veç kësaj dhe midis shume reziqesh gjer në Shqipëri brenda, gjer në Korçë. Më  parë u shtypnë prej Kollonisë, për këtë qëllim, katër soj libra shkolle, domethënë një Abetare, një Shkronjëtore, një Numurëtore dhe një libër me Këndime. Po krahas me këtë veprimtari botimesh, shoqërisë së Kollonisë i-u desh të zhvillojë me shumë kuptim dhe një sipërmarje tjetër, të mbushur me gjithë mundësirat e reziqeve: librat shkollore kështu të shtypura ish nevoja të dërgohen për në drejtimin e tyre, dhe t’a harijnë atë drejtim. Sepse ish èdhe koha e tiranisë, dhe ajo që ndalohej për Shqiptarët qe pikërisht mjeti i ndritjes dhe i mësimit. Librat e tjera të Kollonisë, të shtypura përpara hapjes së shkollës shqipe, me qënë që nuk dilnin në dritë as për një qëllim dhe as për një vënd ose qytet sidokudo të caktuar, dërgoheshin dhe hynin me më pak vështirësi në Atdhe. Ato kishin një kriter propagande kombëtare dhe si të tilla mirrnin sa me të dalë udhën e mirëregulluar të tyre. Dërgoheshin fshehtas me mjetin e rëndësishëm të kontrabandës, shumë herë me postat e Legatave dhe Konsullatave të shteteve të huaj që gjindeshin asikohe nëpër Turqi. Po dhe futeshin me kujdes brënda plaçkash vetijake me anën e miqve patriotë dhe besnikë, të cilët kalonin skelat dhe qëndrat e tjera doganore dhe të kontrollit të Turqisë. Si i bëhej çështjes tashi, që shkolla shqipe u hap dhe u hap në një qytet të ditur dhe librat, që kërkoheshin sa vinte më shumë prej këmdonjësve të saj, duheshin dërguar pikërisht në atë qytet? Të shumta ishin përpjekjet dhe mundimet e Kollonisë për dërgimin e librave në Atdhe, ajo i-a kish dalë qëllimit kurdoherë, èdhe dyke interesuar financërisht organet e shërbimit të fshehtë qeveritar, po tashi gjindja qe qërmbysur. Sepse më një anë qeverija otomane kish lejuar me një lejë të veçantë hapjen e shkollës shqipe të Korçë, e më anën tjetër ajo nuk lejontë dërgimin e librave të botuara për atë shkollë. Leja ishte siç pamë private, e lëshuar mi emrin e mësonjësit të parë dëshmor Pandeli Sotirit, dhe organet e kontrollit nuk deshin t’i-a njohin shkollës karakterin zyrtar; kështu që mjerimi i Kollonisë vazhdonte dhe tashi, pas fitimit të shkollës, me gjithë rrjedhjet e ngatërruara të çështjes. Shtegu, që ngjante i pakapërxyeshëm, u hodh dhe tashi si kaq herë pas një ndërhyrjeje stili të math ku burrat e Bukureshtit ishin rrahur e të regjur më së miri. Ndërhyrja përkiste së drejtazi Qeverinë, po Kollonija hoqi dhe kësaj rradhe udhën e tërthortë me anën e ministrit turk në Bukuresht. Ky, i mbështetur në Stamboll nga ndërmjetësimet vetore të anëtarve të Shoqërisë së atjeshme, dyke ardhur në kryeqytetin rumun solli dhe lejen e shumënevoitur dhe të shumëpritur të hyrjes së librave shkollore shqipe të Kollonisë shpenguar në Shqipëri. Dhe kësisoj filluan të harijnë në Korçë paqetat e para, kur më të mbëdha kur më të vogla, të librave të shtypëshkronjës shqiptare të Bukureshtit, të më së parës shtypëtore kombëtare, të shkruara dhe të ndrequra me dhemsuri për qëllimet e shenta të më së parës shkolle kombëtare të Shqipërisë. Njerëzit e lidhjes, midis Bukureshtit dhe Mëmëdheut, të cilëve i-u drejtoheshin paqetat dhe arkat e librave bënin në këtë vepër një detyrë të rëndë vetmohimi dhe ata siguronin me besimin e vet gjithë sipërmarjet me karakter kombëtar. Shumë herë kushtimi i tyre për çështjen e shentë shpërblehej me therrorinë e vetëvetes, siç ngjau me dëshmorin e math Spiro Kosturin që vulosi me gjakun e tij lëvizjen dhe mësimin shqiptar të Koçës, dhe siç ngjau gjithashtu me dëshmorin jo më të vogël Gjokë Pleshishtin që vulosi me gjakun e tij lëvizjen dhe mësimin  shqiptar të Pogradecit.

Me hapjen e Shkollës Shqipe të Pogradecit, që ngjau siç thamë një mot pas asaj së Korçës, më 14 Mars 1887, vepërimtarija e shtypëshkronjës në Bukuresht u dëndësua edhe më shumë se përpara, dhe kjo vërrehet në mënyrë të dukurshme nga numuri i librave të përdorura në atë shkollë, të shënuara me kujdes prej nxënësit të saj të vitit të parë, Mito Ndinkë Gusho, djali më i math i Ndinkë Gushos. Mito Gushua, që kish një kujtesë të jashtërendshme dhe çuditërisht të përpiktë-një kujtesë absolute-na ka lënë shënim për gjithë librat e përdorura në Shkollën Shqipe të Pogradecit si dhe për çdo paqetë dhe arkë dyke mos lënë mënjanë sjellësin përkatës nga Rumanija në Pogradec. E dhimbëshme dhe e tmerrshme është faqja ku bëhet fjalë shkurtas mi dëshmorin kombëtar të Pogradecit, Gjokë Shqiptarin nga Pleshishti i Potkozhanit të Mokrës, i cili u dogj i gjallë prej armiqve të Lirisë kombëtare, pak ditë passi kish dorëzuar në Pogradec një arkë me libra shqip nga shtypëshkronja e Bukureshtit, dyke ardhur nga Konstanca.

Për librat dhe nxënësit, si dhe për hollësirat e tjera ku çvështillej çështja e gjuhës dhe e Lirisë kombëtare në Pogradec më qarkun e tij, do të parashtrojmë lajmet e vëzhgimeve t’ona në një monografi të veçantë, rreth Shkollës Shqipe të Pogradecit. Nuk po durojmë së përmënduri këtu më-të-shkruar tre emra të çmuara brenda lëvizjes së shkollës, Istref Be Starovën nga Pogradeci, Riza Be Minarollin nga Pogradeci dhe Kajo Babjenin nga çetat e Lirisë, përkrahës të vlefshëm që të tre të shkollës së vëllezërve Ndini dhe Sotir Gusho.

Please follow and like us: