Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: “Kthesa” e Valentina Hysit, një roman emocionues

 

Valentina Hysi

 

Leximi i një libri shëmbëllen me një rrugë të gjatë gjithë të papritura, herë të këndshme dhe herë jo. Nga ky rregull i pa shkruar nuk shpëton as romani më i fundit i Valentina Hysit “Kthesa”.

Sapo shfleton librin “Kthesa”, ai të ngjan me një pëlhurë të endur me fill mëndafshi që ngjan me një dramë familjare ku në qendër është personazhi kryesor Eva.

Një personazh i fortë së cilës jeta nuk i ka lënë zgjidhje tjetër. Që nga faqet e para të librit u përfshiva nga entuziazmi i leximit që të fal luksin e kënaqësisë intelektuale, një informacion aq i madh i shkruar me kulturë që të mban peshë dhe nuk të le që ta heqësh librin nga dora.

Në fluksin e madh të librave që botohen sot në Shqipëri, pak libra kanë një meritë të tillë. I shkruar si një libër me mbresa, refleksione, ai i kapërcen kufijtë e titullit, sepse autoria është një skenariste dhe intelektuale me këmbë në tokë e me emocione nën fre. Autorja nëpërmjet kujtimeve na jep dramën e personazhit kryesor Evës, që herë i vjen si një plagë që i dhemb më shumë se çdo tjetër, herë si mall, herë si trishtim, herë si ëndërr, herë si shpresë, herë si besim se  jeta duhet të jetohet edhe kur ajo është e vështirë…

Autorja e këtij romani, një intelektuale e kompletuar, që ka njësi matëse vlerat civilizuese të shoqërisë dhe të familjes.

Që në faqen e parë të romanit ajo pyet veten “Kush jam unë… E pse duhet pyetur kështu”?

Tek libri i Valentina Hysit ka patur shumë copëza vegimesh në rrugën e gjatë të jetës, të cilat autoria i ka ruajtur me kujdes në kujtesë dhe na i sjell   në formën e kujtimeve. Por ajo që spikat në këtë libër, këto copëza jete kishin lënë gjurmë tek autorja dhe ishin strukur thellë në kujtesën e saj. Ajo shkruante heshturazi, me mëndje, pa hedhur asgjë në letër. Libri ngjan me një sagë familjare. Në faqet e librit na jepet kuptimi filozofik rreth idesë se shpesh herë fatet ndërhyjnë papritur në jetën e njerëzve duke iu sjellë atyre trazime e drama të mëdha e duke i gjymtur shpirtërisht.

Libri ka brenda informacionin të hollësishëm, përshkrimet e gjetura që të lejojnë të shikosh anët e panjohura. Aty përcillen mjeshtërisht sjellje njerëzore që të lejojnë të prekësh ndjenja dhe të përcjellësh emocione, drama njerëzore, histori të trishta dhe hera-herës krejt të veçanta që meritojnë të njihen nga të gjithë. Kjo shihet më qartë tek kapitulli “Pengu i një ëndërre”

Pa dyshim, me nota shekspiriane janë gatuar disa kapituj që ke dëshirë që t`iu rikthehesh nga emocionet që të sjellin veçanërisht kapitujt si “Rrëfim  dashurie” apo “Rikthim”. Në libër ka shumë ngjarie kulmore që të mbajnë në tension. Ka çaste mizore që kërkojnë ndarjen e përjetshme të njërit nga bashkëshortët duke e lënë tjetrën në zbrazëtinë e shtëpisë; kjo ndarje përzihet mjeshtërisht me kohët e lumtura që ka kaluar çifti. Këtu fiton përmasa e një meditimi mbi dashurinë dhe lumturinë, por dhe një meditim për vdekjen. Kulminacioni i veprës është klithja e shpirtit të Evës e cila e di mirë se çfarë është dashuria e vërtetë.

Valentina Hysi ndjek një veprim dramatik duke mposhtur dhimbjen e Evës dhe duke u kthyer në jetë. Ajo që i rrit vlerat librit është gjuha e gjallë dhe e pasur me detaje të kohës së diktaturës dhe të trazicionit duke shmangur çdo lloj artifice. Desha të theksoi se drama e jetës dhe e vdekjes jepet në lëvizje. Kjo lëvizje është si një dritë iluminishente për të ndriçuar çdo situatë që të sjell jeta. Ky roman jepet si një univers kompleks, ku loti, dhimbja, klithja e shpirtit, dashuria, urtësia fqinjërojnë me njëra -tjetrën duke na sjellë befasi të këndshme që nuk e heq dot librin nga dora. Në të ardhmen me talentin e saj Valentina Hysi do të jetë një prurje e rëndësishme në letërsinë shqiptare./albspirit.com

 

Please follow and like us: