Albspirit

Media/News/Publishing

TEKSTET SHKOLLORE ANTISHQIPTARE – KOPJE TË ELABORATEVE KOMUNISTE MAQEDONASE

Edhe më skandaloze është pjesa ku bën fjalë për migrimet e brendshme (f. 103), ku Shqipëria paraqitet si shtet “pushtues”, ndërsa shqiptarët akuzohen se gjoja e paskan terrorizuar popullsinë sllave, përkatësisht atë maqedonase: “Gjatë Luftës së Dytë Botërore popullsia maqedonase në pjesën e okupuar të Maqedonisë Perëndimore nga ana e Shqipërisë, gjegjësisht Italisë, popullsia maqedonase ishte nënshtruar terrorit të fuqishëm. Për këtë shkak, ajo ishte e detyruar të shpërngulet në mënyrë masive nëpër qytete tjera të Maqedonisë”.

Qerim LITA – SHKUP

Ditë më parë opinioni i gjerë shqiptarë dhe jo vetëm, u informua për përmbajtjet antishqiptare që hasen në librin e gjeografisë për vitin II të gjimnazit të reformuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut me mësim në gjuhën shqipe. Në pjesën ku përshkruhen karakteristikat demografike (f. 87-89), ndër të tjera, ofrohen të dhëna statistikore për numrin e popullsisë në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut nga viti 1900 e deri në regjistrimin e vitit 1994, i cili – siç dihet – qe bojkotuar nga shqiptarët. Sipas librit, numri i përgjithshëm i popullsisë në këtë territor, sipas viteve, ka qenë me sa vijon: viti 1900 – 909.000 banorë; 1913 – 938.000; 1921 – 797.841; 1931 – 973.643; 1948 – 1.152.986; 1953 – 1.304.514; 1961 – 1.406.003; 1971 – 1.647.308; 1981 – 1.909.136; 1991 – 2.033. 964 dhe në vitin 1994 – 2.075.196 banorë.

Nga të dhënat e mësipërme shohim një rënie të dukshme të numrit të përgjithshëm të popullsisë nga viti 1900 e deri më vitin 1921, që kjo rënie sipas hartuesit të këtij libri shkollor na paska ardhur si pasojë e “kryengritjes së Ilindenit dhe emigrimit të popullsisë maqedonase në botën e jashtme, luftërat ballkanike, ndarja e Maqedonisë, emigrimi masiv i turqve dhe Lufta e Parë Botërore”. Tërë kjo që thuhet është një gënjeshtër me prapavijë politike, sepse dihet mirëfilli se arsyet kryesore për zvogëlimin e numrit të banorëve kanë qenë dhuna dhe terrori shtetëror serbomadh ndaj popullsisë autoktone shqiptare, për t’i detyruar të shpërnguleshin në Republikën e Turqisë. Sipas disa të dhënave të zbuluara kohëve të fundit, vetëm gjatë luftërave ballkanike në tokat shqiptare, të pushtuara nga ushtria serbo-malaziase, ishin vrarë e masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë të pafajshëm, ndërsa mbi 120.000 ishin detyruar të shpërnguleshin në Turqi. Këto fakte nuk kanë mundur të mohohen as edhe nga elaboratet, programet e analizat e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Maqedonisë, të hartuara gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit të kaluar.

Kështu, në Analizën kushtuar çështjes shqiptare në RP të Maqedonisë, hartuar më 10 shkurt 1952, nga Komisioni i Byrosë Politike të PKM-së, në krye me Kërste Cërvenkovskin, thuhet se “gjatë viteve 1912-1913, në Maqedoni kishte afër 174.000 shqiptarë” dhe se “me ardhjen e serbëve, për shkak të represaljeve kundër shqiptarëve”, ky numër në vitin 1961 bie në vetëm 115.9152 shqiptarë”. Pra, sipas këtij, dokumenti, numri i shqiptarëve brenda nëntë viteve bie për rreth 60.000 banorë, pa u përfshi aty shtimi natyror, që asaj kohe ka qenë shumë i lartë tek popullsia shqiptare. Dëbimi i popullsisë shqiptare nga vatrat e veta erdhi në shprehje veçmas pas kryengritjes së shtatorit të vitit 1913, kur për shkak dhunës dhe terrorit të ushtrisë serbe mijëra shqiptarë nga Dibra e Madhe, Kërçova, Struga, Prespa, Manastiri e nga viset tjera qenë detyruar të shpërnguleshin brenda kufijve të shtetit shqiptar.

Kryeshefi i Ohrit, Qirkoviq, në janar të vitit 1914 i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme se në Qarkun e Ohrit mbi 20.000 shqiptarë ishin detyruar t’i lëshojnë vatrat e veta për t’u vendosur në Tiranë dhe Elbasan, ku vetëm nga qyteti i Dibrës “kishin ikur 8-9.000 vetë”. Valën e shpërnguljes masive të popullsisë shqiptare nga Dibra e Madhe me rrethinë, Ismail Strazmiri, në kujtimet e tij, e përshkruan siç vijon: “…Gati të gjithë banorëte qytetit, sikurse të krahinave që përfshin Dibrën, qenë arratisur e emigrue. As një e njëzeta e qytetarëve s’kishte mbetë në Dibër dhe këta përbajshin një turm pleqsh, të shumtët të gjymtuem e të sëmurë…”.

Shqiptarët, kuptohet se jo pa qëllim, nuk përmenden fare edhe në pjesën ku përshkruhen shkaqet e shkallës së ulët të popullsisë në harkun kohor 1953-1961, ku thuhet tekstualisht: “Periudha 1953-1961karakterizohet me shkallë të ulët të shtimit vjetor. Shkaku kryesor për këtë shkallë të ulët të shtimit të numrit të popullsisë është emigrimi masiv i turqve dhe popullsisë tjetër myslimane prej Maqedonisë për Turqi”.

Procesi i shpërnguljes në ish federatën komuniste jugosllave, që zyrtarisht filloi në pjesën e dytë të vitit 1953, si qëllim primar pati pastrimin etnik të shqiptarëve nën pushtimin e asaj federate në përgjithësi e të shqiptarëve nën RP të Maqedonisë në veçanti, si dhe zëvendësimin e tyre me kolonë sllavë, përkatësisht me ish refugjatë politikë, të cilët gjatë luftës qytetare në Greqi (1946-1949) kishin emigruar në shtetet e Evropës Lindore. Ky pastrim do të realizohej përmes politikës represive për t’i detyruar shqiptarët të deklaroheshin turq, që ishte parakusht për t’u shpërngulur në Turqi. Rrjedhimisht, në regjistrimin e vitit 1953 numri i popullsisë “turke” në RP të Maqedonisë u rrit për mbi 110 për qind, përkatësisht nga 95.940 sa pati në regjistrimin e vitit 1948, në 203.938 ose 107.988 banorë më shumë se sa në regjistrimin e mëparshëm. Ndërkohë, numri i shqiptarëve ra në mënyrë drastike, përkatësisht nga 201.719 banorë, sa pati në regjistrimin e vitit 1948, ra në 162.254 banorë shqiptarë. Se pjesa më e madhe e popullsisë që qe deklaruar “turke” këtë e dëshmoi edhe drejtori i atëhershëm i Entit të Statistikës së RP të Maqedonisë, Boro Pekevski, i cili në fjalimin e mbajtur në vitin 1970, para Komisionit për Marrëdhënie Ndërrepublikane të Kombeve e Kombësive të KQLKM-së, theksoi se për shkak se regjistrimi i vitit 1953 ofroi të dhëna të pasakta “Sekretariati për Arsim qe detyruar të hapë shkolla turke në ato vise ku popullsia qe deklaruar si turke, ndërsa 90% prej tyre flisnin gjuhën shqipe…”. Krejt kjo situatë, shtoi Pekevski, “na detyroi që konsullatës së Turqisë t’i japin sqarime plotësuese dhe të arsyetohemi me atë se gjendja faktike nuk është adekuate me të dhënat”.

Sipas të dhënave zyrtare numri i popullsisë shqiptare myslimane nga RP e Maqedonisë, që u shpërngul për në Republikën e Turqisë deri në mars të vitit 1959, arriti shifrën prej 143.800 banorësh ose 11 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë së asaj republike. Ndërkohë, në Maqedoni, nga shtetet e Evropës Lindore në (BRSS-ë, Çekosllovaki, Poloni, Hungari, Rumani etj.), deri në vitin 1974 u vendosën gjithsej 11.114 familje refugjatësh ose 38.139 anëtarë. Pra, e vërteta për shtimin e ulët të popullsisë në atë periudhë kohore, në radhë të parë, ishte për shkak të shpërnguljes masive dhe të dhunshme të popullsisë shqiptare myslimane për në Republikën e Turqisë, një fakt që në libër nuk përmendet fare dhe, më pas, edhe të popullsisë tjetër myslimane të përkatësisë etnike turke, pomake e boshnjake, që – krahasuar me popullsinë shqiptare – përbënin një pakicë të parëndësishme. Në faqen 99 thuhet se shqiptarët në këto treva qenkan vendosur në tri faza. Faza e parë kishte filluar “prej para 220 viteve”, përkatësisht “kah fundi i shekullit XVIII”, ku numri i tyre na paska qenë shumë i vogël. “Në shekullin XIX – thuhet në libër – fillon një valë e re e vendosjes së shqiptarëve në Maqedoni. Në të vërtetë, atëherë janë vendosur numri më i madh i shqiptarëve. Gjatë shekullit XX është realizuar faza e tretë e vendosjes së tyre, sidomos pas Luftës së Parë Botërore, veçanërisht në tridhjetë vitet e fundit, kur është vendosur një numër i madh i shqiptarëve, tani jo nga Shqipëria, po nga Kosova. Theksojmë se vendosja e re e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë nuk është proces i mbaruar, ai bëhet edhe sot – në fillim të shekullit XXI. Vendosja e këtillë, në momente e pakontrolluar, në mënyra të ndryshme mund t’i dëmtojë të gjithë në Republikën e Maqedonisë”.

Edhe më skandaloze është pjesa ku bën fjalë për migrimet e brendshme (f. 103), ku Shqipëria paraqitet si shtet “pushtues”, ndërsa shqiptarët akuzohen se gjoja e paskan terrorizuar popullsinë sllave, përkatësisht atë maqedonase: “Gjatë Luftës së Dytë Botërore popullsia maqedonase në pjesën e okupuar të Maqedonisë Perëndimore nga ana e Shqipërisë, gjegjësisht Italisë, popullsia maqedonase ishte nënshtruar terrorit të fuqishëm. Për këtë shkak, ajo ishte e detyruar të shpërngulet në mënyrë masive nëpër qytete tjera të Maqedonisë”.

Ekzistojnë shumë fakte të dokumentuara, të cilat jo vetëm që i hedhin poshtë këto shpifje dhe gënjeshtra që jepen në këtë libër, por madje e tregojnë të kundërtën, disa prej të cilave po i paraqesim në vazhdim.

Së pari, si ka mundësi të shpallet pushtues Shqipëria, kur ajo nga 7 prilli 1939 qe pushtuar nga Italia fashiste?

Së dyti, për periudhën që bëhet fjalë, nuk ekzistonte Maqedonia, sepse ajo si republikë federale në kuadër të federatës jugosllave u shpall në Mbledhjen e I të KAÇKM-së, e cila u mbajt më 2 gusht 1944 në manastirin Prohor Pçinski, pa praninë dhe pëlqimin e shqiptarëve, edhe pse 1/3 e territoreve ishin toka shqiptare.

Së treti, pas pushtimit të Mbretërisë jugosllave (prill 1941), viset shqiptare u ndanë në tri zona pushtuese: zona pushtuese italiane, zona pushtuese bullgare dhe zona pushtuese gjermane. Pushtuesit bullgarë, përfshi edhe popullsinë sllave vendore, shqiptarëve jo vetëm që nuk ua njihnin të drejtat e tyre kombëtare, por as edhe ato të drejta më elementare, siç ishin ato politike e qytetare. Nën pretekstin e kërkimit të armëve, forcat ushtarako-policore bullgare në shumë fshatra shqiptare të Shkupit e Kumanovës kryenin një terror të paparë, duke vrarë, rrahur e plaçkitur tërë popullsinë shqiptare. Krimet, torturat dhe barbarizmat bullgare dhe të çetave komite vendore, u shtrinë edhe në regjionin e gjerë të Preshevës e të Kaçanikut, si dhe në atë të Ohrit, Prespës, Prilepit e Manastirit.

Së katërti, ripushtimi i tokave shqiptare (nëntor 1944) nga brigadat komuniste jugosllave-maqedonase, të ndihmuara edhe nga ato bullgare, u shoqërua me një gjakderdhje dhe krim të paparë ndaj popullsisë civile shqiptare. Është me rëndësi të theksohet fakti se dhuna dhe terrori komunist ndaj popullsisë shqiptare filloi pikërisht nga njësitë partizane maqedonase, të cilat kryen disa masakra, siç janë: masakra e Gostivarit, masakra e Monopolit të Tetovës, e Kërçovës, e Bllacës së Shkupit, Izvorit, Sopotit e Runicës etj., ku u vranë mizorisht mijëra civilë shqiptarë. Për sa eshohim më sipër, shtrohet pyetja se si ka mundësi që ky libër shkollor t’i kalojë të gjitha ato filtra, duke filluar nga përkthyesi, i cili konsiderohej si një ndër demografët më të njohur, jo vetëm shqiptar, po edhe më gjerë, për të vazhduar me recensentët dhe, së fundi, nënshkrimi i ministrit shqiptar, me të cilin u mundësua përdorimi i këtij libri me përmbajtje raciste, shoviniste, denigruese e diskriminuese, ku shqiptarët, përveçse paraqiten si “ardhacakë”, ata konsiderohen edhe si “të rrezikshëm” për tërë popullsinë tjetër në këtë republikë. Sikur kjo të mos mjaftonte, autori i librit shkon edhe më tej, duke theksuar se “pjesa më e madhe e tyre (shqiptarëve – Q.L.) janë popullsi maqedonase që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe nga ndonjë fis që ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”.

Të gjitha këto shpifje, trillime, njollosje institucionale të shqiptarëve nga pushteti shovinist maqedonas, e kanë burimin te Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, e cila siç dihet, në fillim të shekullit XX e, sidomos pas luftërave ballkanike e pushtimin e këtyre tokave shqiptare nga ushtria pushtuese serbe-malaziase, hartoi një sërë elaborate, programe politike, të cilat për qëllim kishin pastrimin etnik të tokave verilindore shqiptare dhe sllavizimin e tyre. Për këtë qëllim ata i paraqisnin shqiptarët si “njerëz me bisht” të “pacivilizuar”, të “ardhur nga malet” e shumë cilësime e njollosje tjera. Po në këtë frymë janë edhe elaboratet, analizat, programet politike që Byroja Politike e Partisë Komuniste të Maqedonisë i hartoi menjëherë pas Informbyrosë (korrik 1948) që, siç dihet, solli ndërprerjen e marrëdhënieve, deri atëherë, “vëllazërore” ndërmjet dy regjimeve komuniste, atë shqiptar me Enver Hoxhën në krye, dhe atë jugosllav në krye me J. B. Titon. Në dokumentin me titull “Çështja e pakicës shqiptare në RP të Maqedonisë”, hartuar në shkurt të vitit 1952, ndër të tjera thuhet se “popullsia sllave që banonte në territoret e sotme të Maqedonisë Perëndimore, i kanë lëshuar këto territore nën presionin e shqiptarëve”. Më tej në dokument thuhet se “depërtimet më të mëdha të fiseve shqiptare” gjoja se kishin filluar “diku kah shekulli XVI dhe fillimi i shekullit XIX” dhe se ato paskan filluar “në lagjet e pasura me kullota në Korab e Sharr” dhe se ky depërtim, qenka kryer “me forcë e terror ndaj popullsisë sllave”.

Pasi i marrin viset malore – vazhdon Analiza – të Sharrit e Korabit, zaptimi vazhdon edhe në viset e ulëta, në radhë të parë në Rekën e Epërme. Si karakteristikë për këtë krahinë është që shqiptarët kalojnë në islamizimin e popullsisë sllave. Sllavët para dhunës ose largohen ose islamizohen, ndërsa një pjesë (duke ngelur pa pasuri), shkon në kurbet. Më vonë, nëpërmjet Gropës, Bistrës dhe Rrafshanaltës së Mavrovës, kryhet depërtimi edhe në grykën e Kërçovës…”.

Shumë më tendencioze dhe antishqiptare është elaborati me titull “Pakica nacionale shqiptare në RP të Maqedonisë”, hartuar në gusht të vitit 1948 nga Qeveria e RP të Maqedonisë, ku pa asnjë mbështetje shkencore njolloset mbarë kombi shqiptar, i cili – siç thuhet – nuk na qenka autokton, por i ardhur gjatë shekujve XVII, XVIII e XIX, me ndihmën e pashallarëve turë me prejardhje shqiptare, të cilët na i paskan sjellë nga malet e larta të Korabit e të Sharrit në këto treva, por edhe përmes “dhunës, plaçkitjes, grabitjes e vrasjes” nga ana e vetë shqiptarëve ndaj, siç thuhet, “popullsisë vendore maqedonase”, të cilët na paskan qenë të detyruar të pranojnë fenë islame apo gjuhën shqipe ose të largohen nga ato krahina e shumë shpifje e trillime tjera. Për të parë se çfarë në të vërtetë thuhet në këtë elaborat antishqiptar, të njëjtin në vazhdim po e paraqesim të plotë.

*          *          *

“Pakica nacionale shqiptare në RP të Maqedonisë, Shkup, gusht 1948

Në territorin e RP të Maqedonisë jetojnë disa pakica nacionale, nga të cilat gjithsesi se më e madhja është ajo shqiptare. Kjo pakicë më së shumti shtrihet në pjesën perëndimore të RP të Maqedonisë, si edhe përreth kufirit me Shqipërinë. Jo vetëm qytetet Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë, Resën dhe Ohër, në të cilët ka numër shumë të madh të banorëve shqiptarë, por edhe pjesa e parë e anës lindore të Republikës është e banuar me shqiptarë, si në Shkup, madje edhe më poshtë Shkupit, deri te lumi Pçinjë. Ata jetojnë dhe gjenden si në qytetet e përmendura, po ashtu edhe në rrethet e tyre. Përveç kësaj, para pjesës lindore të malit Karadak të Shkupit, përmes tij nga Kumanova e deri në Preshevë, ka numër shumë të madh të shqiptarëve. Për dallim nga kjo pjesë, ku pakica nacionale është kompakte, pjesa tjetër poshtë Shkupit është e shpërndarë dhe më shumë përbën degë të pakicës nacionale shqiptare.

Nëse i marrim parasysh të dhënat zyrtare të Statistikës Shtetërore të ish Jugosllavisë, të cilat janë të njëanshme dhe me siguri të pasakta, sipas regjistrimit të popullsisë të kryer në vitin 1931, në Maqedoni ka pasur 129.645 shqiptarë. Këto shifra, gjithashtu, nuk mund të konsiderohen si të sakta edhe për arsyen se ka qenë e domosdoshme të ketë rritje në mesin e tyre, e cila me siguri nuk është marrë para sysh.

Sipas regjistrimit të popullsisë, i cili është kryer më 15 mars të vitit 1948, në RP të Maqedonisë pakica nacionale shqiptare numëron 201.719 banorë. Shprehur në përqindje, kjo duket si vijon: nga popullsia e përgjithshme në RP të Maqedonisë pakica nacionale shqiptare përbën 17,51%. Në këtë numër janë llogaritur të gjithë ata të cilët gjatë kohës së regjistrimit janë deklaruar shqiptarë. Mirëpo, nga ana tjetër, gjithashtu është e saktë edhe kjo: se në këtë numër futen edhe një numër i dukshëm maqedonasish të islamizuar, të cilët nuk dinë asnjë fjalë shqipe. Ata midis vete flasin maqedonisht, por janë deklaruar si shqiptarë. Në këtë numër mund të konsiderohen banorët e fshatrave Zhirovnicë, Radastush, Debresh, Llazhan dhe vende tjera në Maqedoninë Perëndimore.

Pakica nacionale shqiptare në RP të Maqedonisë nuk është autoktone. Ajo gjatë periudhës historike është riatdhesuar nga fshatrat e tyre amë nga viset malore të veriut, nga mesi i lumit Shkumbin dhe trevat e lumit Мat. Edhe sot, kur njeriu flet me shumë shqiptarë dhe i pyet: “Nga jeni, nga e keni prejardhjen?”, shumë nga ata do të përgjigjen se stërgjyshërit e tyre kanë ardhur nga vendet rreth Shkumbinit, nga Mati e vende tjera.

Zgjerimi masiv i shqiptarëve, përkatësisht migrimi i tyre në Maqedoni, daton që nga koha e Perandorisë Osmane. Sidomos kjo në shekullin XVI. Ndërkaq migrime të fuqishme të shqiptarëve janë të njohura në shekujt XII, XVIII dhe XIX. Këto migrime vijnë sidomos pas dobësimit të pushtetit qendror turk, kur Perandorisë Osmane iu dha një grusht i rëndë kah mbarimi i shekullit XVII, pas betejës së humbur para Vjenës. Pushteti i dobët osman, vetë dëshira e pashallarëve shqiptarë të cilët zbatonin politikën e tyre të pavarur nga pushteti qendror në Stamboll, më është me rëndësi edhe varfëria e krahinave të shumta malore, pastaj ikja për shkak të gjakmarrjes dhe shumë arsye tjera, tërë kjo e kushtëzoi këtë migrim, i cili u krye në mënyrë shumë të natyrshme për kohën e atëhershme në pjesën më të madhe me forcën e armës. Pra, migrimi ka qenë i përcjellë me sulme dhe, shpesh, edhe me gjakderdhje. Janë të pakta vendet ku në mesin e shqiptarëve të riatdhesuar dhe popullsinë vendore të hasur të ketë pasur fqinjësi të mirë e të qetë. Pozita zotëruese e myslimanëve ndaj maqedonasve, pastaj qëndrimi pasiv i pushtetit turk, i cili nuk ishte i aftë të ofrojë çfarëdolloj mbrojtje të popullsisë vendore dhe, në një farë mënyre, ta pengojë këtë ndërhyrje, krejt kjo e vështirësonte gjithnjë e më shumë jetën e popullsisë maqedonase.

Këto migrime, këto sulme, në vetvete, më së shumti e fshehin arsyen ekonomike, sepse përderisa jeta e popullsisë vendore zhvillohej si në qytet, përmes zejtarisë ose në fshat përmes bujqësisë, në anën tjetër ekonomia e shqiptarëve ka qenë e përmbushur, nëse jo në tërësi, përmes këtyre ndërhyrjeve dhe ndarjes së kafshëve dhe të materialeve tjera nga ato vise ku sulmonin, ndërsa krejt kjo përbënte një element të mbështetur në hajni.

Është me interes të thuhet se, përkundër asaj se kah RP e Shqipërisë ekzistojnë kufijtë natyrorë – malet e larta, siç janë: Korabi, Sharri etj., për shqiptarët ato megjithatë nuk përbënin pengesë. Ata shumë lehtë kanë arritur t’i kapërcejnë ato, që gjithsesi ua ka mundësuar edhe jeta e tyre në malet e larta. Në kohën e hershme këto male ishin të ashtuquajtura ‘hajdute’, sepse në to lëviznin vetëm grupe të cilët janë marrë me plaçkitje. Kjo kishte kontribuuar shumë që t’i shkaktojë dëme të mëdha blegtorisë, ku jetonte popullsia maqedonase. Në fillim shqiptarët kishin zaptuar kullotat, të cilat kanë qenë të nevojshme t’i kullosin kafshët. Pra, diku kishin filluar edhe vetë ata të merren me blegtori. Meqenëse kanë marrë viset e larta të këtyre maleve, atyre iu mundësua ta pushtojnë edhe anën lindore të tyre, që më pas të zbresin edhe në fushëgropë. Lidhur me këtë janë të njohura ekspedita të tëra: të organizuara prej 300 njerëzve të armatosur në krye me bajraktarët e tyre. Ata kanë vazhduar edhe më tej kah Lindja, duke marrë me vete nga disa mijëra dele.

Si qark më i mirë në të cilën shqiptarët kanë filluar të riatdhesohen ka qenë e ashtuquajtura Rekë e Epërme, në krahinën e Dibrës. Krahas riatdhesimit, popullsia vendore është detyruar ta pranojë islamin. Dhe, me të vërtetë, duke u gjetur pranë presionit të pashallarëve turq – me prejardhje shqiptare, ndërsa me qëllim të ruajtjes së ekzistencës së tyre dhe traditës popullore, kanë filluar të kalojnë në Islam. Për këtë kanë kontribuar edhe sulmet e shumta të shqiptarëve, të cilat kanë përfunduar me plaçkitje (Këtu duhet përmendur faktin se me plaçkitje janë marrë banorët nga malet e larta shqiptare, duke qenë në nivelin kulturor tepër të ulët. Ata janë marrë me plaçkitje, si të hyrat e vetme të ekonomisë së tyre plaçkitëse). Ka pasur edhe raste të tilla, që një vëlla e ka pranuar fenë muhamedane me të vetmin qëllim që të mund ta mbrojë vëllain tjetër, i cili ka ngelë i krishterë (Shembuj të tillë ka pasur në Brodec).

Kur tashmë bëjmë fjalë për kalimin e një pjese të popullsisë maqedonase në islam, do të ishte me interes të theksohet edhe ajo se diku e kanë pranuar fenë muhamedane dhe e kanë ruajtur gjuhën e tyre amtare e anasjelltas, e kanë pranuar gjuhën, ndërsa e kanë ruajtur fenë e tyre. Kështu fshatrat: Beliçicë, Duf, Kiçinicë, Vërban, Brodec, të cilat shtrihen në Rekën e Epërme, e kanë pranuar gjuhën shqipe, ndërsa e kanë ruajtur fenë e tyre. Në anën tjetër, fshatra tjerë: Radastush, Bitushë, Velebërdë, Jançe e Mogorçë e kanë pranuar islamin, ndërsa e kanë ruajtur gjuhën maqedonase. Ata edhe në ditën e sotme e flasin gjuhën e pastër maqedonase. Për shembull, në fshatin Mogorçë edhe sot e kësaj dite ekziston kisha ortodokse, pastaj ikonat të cilat i ruajnë. Kuptohet se kisha nuk përdoret, mirëpo megjithatë ka ngelë si një dëshmi historike.

Në Maqedoni kemi qarkun e ashtuquajtur Koxhaxhik, i cili shtrihet në shpatin e malit Stogovë. Aty jetojnë myslimanët, të cilët në shtëpi flasin turqisht dhe e maqedonishten në mënyrë të shkëlqyeshme, ndërsa fare nuk e dinë shqipen. Me siguri se ata janë maqedonas të cilët janë turqizuar, mirëpo sërish përmes gjuhës bukur mirë i kanë ruajtur shenjat e para të hershme maqedonase.

Gjatë shekujve XVII dhe XIX, në periudhën e pushtetit të pakufizuar të pashallarëve tetovarë, kemi migrim të fuqishëm të shqiptarëve në Pollog, për vërshimin e të cilit dukshëm u ndryshua gjendja etnografike e kësaj krahine. Për këtë u ka shkuar për shtati edhe ajo se edhe vetë pashallarët kanë qenë me prejardhje shqiptare, kanë qenë të shoqëruar me shqiptarë dhe të njëjtit i kanë riatdhesuar në Pollog. Mirëpo, ata nuk janë riatdhesuar vetëm me ftesë të pashallarëve të tyre, por edhe me dhunë. Para se të riatdhesoheshin në këtë apo atë vend në Pollog, paraprakisht i kanë sulmuar paraardhësit e tyre, të cilët i kanë plaçkitur dhe grabitur, duke i marrë me vete anëtarët e familjes, fëmijët ose të vjetrit. Për ata familjarë të tyre, që u ishin marrë peng, maqedonasit kanë qenë të detyruar t’i blejnë, kuptohet me ari të pastër. Që të mos u përsëritet, të frikësuar nga sulmet, popullsia nikoqire filloi t’i lëshojë fshatrat e saj larg kullosave për kafshët. Meshkujt kanë qenë të detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre edhe për të siguruar mjete për ekzistencën e tyre, si edhe që të përfitojnë para për t’i kthyer familjarët e tyre të mos shkojnë në kurbet. Në kurbet kryesisht kanë shkuar meshkujt, mirëpo ka pasur edhe raste të shumta që të shkojnë edhe familje të tëra. Atëherë kanë filluar të riatdhesohen familje shqiptare, të cilët në ‘fisin’ e tyre kanë qenë të lidhur me gjakmarrje. Ajo pjesë e familjeve, të cilat nuk kanë shkuar në kurbet ose është shqiptarizuar ose vetëm i kanë ftuar shqiptarët t’i mbrojnë nga grupet tjera shqiptare grabitëse. Në atë kohë kemi shfaqjen e të ashtuquajturve “sejmenë”, të cilët me para, gjoja, e kanë ruajtur pasurinë e popullsisë maqedonase. Me këta ‘sejmenë’ kanë ardhur edhe familjet e tyre, me çka edhe në këtë mënyrë është shtuar numri i shqiptarëve.

Siç vumë në dukje më sipër, shqiptarët në fillim u vendosën në fshatrat malore, e më vonë kanë filluar të zbresin në fushëgropë (Pollog, kah fusha e Shkupit etj.). Migrimi i shqiptarëve kah Kërçova ka shkuar përmes fushës së Mavrovës, malit Bistër dhe Jamës.

Para 100-150 viteve, ngjashëm sikur depërtimi në Pollog, kanë filluar të depërtojnë edhe në krahinën e Kumanovës. Migrimi i tyre ka shkuar përmes malit të Karadakut dhe të krahinës së Gjakovës. Fshatrat e krahinës së Kumanovës, siç janë Nakushtak, Mateç, Opajë, Sllupçan, Orizare, Vaksincë, Dumanoc, Llopat e fshatra tjerë, kryesisht ose tërësisht janë shqiptare. Për shembull, në fshatin Tabanoc kanë filluar të depërtojnë pas luftës serbo-turke 1876-1878). Madje, në vitin 1909 në këtë fshat kanë ekzistuar vetëm 3 familje dhe 10 persona të vetmuar, të cilët kanë jetuar në shtëpitë e popullsisë maqedonase, të cilët gradualisht i kanë depërtuar.

Këtu do të duhet të ofrohen të dhënat statistikore nga viti 1912-1913, sipas të cilave, gjithsej ka 174.000 shqiptarë. Përndryshe, pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare gjendet në pjesët perëndimore e veriore të RP të Maqedonisë. Sipas regjistrimit të popullsisë nga viti 1921, të cilit nuk mund t’i besohet, numri i banorëve shqiptarë ishte 115.952.

…………………

 

Gjatë kohës së okupacionit, përkatësisht pas kapitullimit të Jugosllavisë së vjetër, një pjesë e Maqedonisë Perëndimore qe e pushtuar nga fashistët italian. Në këtë pjesë pati kuislingë shqiptarë, të cilët u futën në shërbim të pushtuesit, duke e zbatuar politikën e tij. Ata veprojnë në atë që ta ringjallin tendencën shoviniste te shqiptarët për krijimin e Shqipërisë së Madhe deri në Shkup, për çka kanë qenë shumë të ndihmuar nga okupatori. Kështu filloi terrori dhe përndjekja e popullsisë maqedonase. Pas kapitullimit të Italisë, përforcohet terrori dhe, si rrjedhojë, nga disa fshatra u shpërngulën shumë maqedonas. Kështu, banorët e fshatrave: Mavrovë, Nikifor, Leunovë, Tresençë, Sellcë, Reka e Bërzhdanit, Galiçniku, madje tërë Kopaçia në Kërçovë, me shumicë u shpërngulën nën presionin e “bandave grabitqare balliste”, të cilët në realitet, nën mbrojtjen e gjermanëve, ishin zotëruesit. Sepse, asaj kohe (pas kapitullimit të Italisë), nëpër qytete ata e mbanin pushtetin në duart e veta.

Është me interes të vihet në dukje, se gjatë kohës së okupacionit, u riaktivizua institucioni i ‘sejmenëve’, edhe atë nga ana e bejlerëve dhe plaçkitësve. Digjeshin fshatra, me qëllim që më pas të pretendohet se janë në vendin e tyre. Kjo, në fakt, përbënte vazhdimin e politikës së vjetër feudale – të merren dhe përvetësohen privilegjet e vjetra që nga koha e Turqisë. Kështu, që të shpëtohej nga shkatërrimi, shumë fshatra maqedonase e kishin të domosdoshme t’i paguajnë këta ‘sejmenë’, të cilët në realitet duhej t’i ruanin nga dhuna. Mirëpo, ka pasur raste të shpeshta, që fshati të ishte plaçkitur përkundër rojeve të tilla, madje janë kryer edhe vrasje.

Vlen të përmendet edhe fakti se pasardhësit e ‘sejmenëve’ të vjetër, gjatë kohës së okupacionit vinin edhe nga popullsia vendore maqedonase dhe insistonin t’u paguajnë në para shpërblimin që u takonte për tërë atë kohë, përkatësisht që kur kanë qenë paraardhësit e tyre e deri në ditën e ardhjes së tyre. Nuk ka qenë asfarë habie nëse ndërmerrnin edhe ndonjë masë të dhunshme”.

Please follow and like us: