Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Josif Papagjoni: DHE PENA MBI KARTË E MIHO GjINIT RRËSHQET… RRËSHQET…

…Kur shkruan një libër me përmbledhje recensash e artikujsh mendja e autorit përjeton njëfarë ankthi: Kë të vë e kë të lë! Te ky libër i fundit, e di se Miho Gjini është gjendur para një dileme, ca të thartë e ca të “ëmbël”. Po pse, do habitet dikush. Një libër është si prehri i një nëne, i ngrohtë, i butë; ka plot xhepa ku mund të futësh çka ti dëshiron. Ah, kjo “aritmetikë” është për ata që shkruajnë pak e rrallë. Por Miho Gjini ka botuar aq shumë shkrime përcjellëse për shfaqjet e llojllojshme të teatrit në gjithë hapësirën shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, madje edhe nga shqiptarët e Greqisë. Ndaj dhe i duhet të përzgjidhte syresh ato që përfaqësonin më shumë, ca për mendimin e tij e ca për të tjerët, të cilat shkonin përtej një emri, përtej një shfaqjeje, përtej një titulli libri a një eventi, madje edhe përtej një viti a kohe gjithsesi kufizuese, për të mbërritur në caqe dhe në një perimetër tjetër, tanimë më gjithëpërfshirës.
Libri është dykrerësh: teatër dhe letërsi, si dy hulli a dy nënkresa, ku autori ka mbështetur kokën e zbardhur (pra dhe mendimet), në një udhë të mundimshme që zë fill afër 60 vjet më parë, kur hodhi në letër edhe shkrimet e ndrojtura të fillimit për artin që e dashuroi një jetë, teatrin. Aktor, regjisor, profesor e drejtor teatri, më pas kur fati donte ta përgjunjte e ta shuante birucave të burgut apo kur e rraskapiti udhëve të emigrimit në Greqi, lodhur pas punës së rëndë, me dorën që dinte ta mbante mirë penën dhe ku shkrimi thurej bukur, Miho Gjini ia nisi një tjetër lami: letërsisë. Donte të bënte katarsisin e vet, ta pastronte shpirtin nga zgjyra dhe gjithë vuajtjen e pikëllimin ta qiste jashtë, si një dëshmi e memorie rrëqethëse. Shkroi tregime, novela, romane, libra me kujtime, ese. Por kurrë se braktisi të dashurën e vjetër: kritikën. Sepse pikërisht këtu ai ndjehej në lëkurën e tij. Pas 20 vjetësh, i trokiti në derë kësaj të dashure: tuk – tuk, hape, jam miku yt i njëhershëm dhe i përhershëm. Afërmendsh se porta qe e hapur, mjaftonte ta shtynte fare pak. Dhe e shtyu. Librat vinin njëri pas tjetrit. Ky është i njëzet e teti. Ka ngritur ky njeri nëpër dhjetëvjeçarë një kasolle, një shtëpi, një kullë. Të gjithë e njohin sot Miho Gjinin. Sepse ai nuk lodhet. Nuk epet. Një “mohikan”. Shëtit viseve të tij. Arti dhe letërsia janë këto vise, është shtëpia e tij. Edhe ky libër është pjesë e kësaj shtëpie. Një gur. Një shtyllë. Dhe, si për ta pagëzuar në një kishë a për të kryer ritin libror, në rolin e një “prifti” që ligjëron “meshën” e këtij botimi, Mihua, si miq të vjetër që jemi, më ftoi rishtazi të hyja aty, në shtëpinë e re të tij. Bujrëm, më tha. Si të duket? A mund të më thuash dy fjalë?
E si mos të thosha “dy fjalë” për Miho Gjinin?!

Qysh në kryeherë, me artikullin me natyrë teorike e didaktike “Vepra letrare dhe vepra skenike – midis letërsisë dhe artit” ai i ka caktuar sinorët e librit. Në Gjilan, në Festivalin e Teatrit “Flaka e Janarit” të këtij viti, Mihua shkëputej prej meje dhe shokëve të tij, dhe me kafet dhe atë cigaren e pahequr nga goja, 5 – 6 orë pa lëvizur nga tavolina, aty në hotel “Kristal”, i dha dorën e fundit këtij libri që po lexoni. Kërkonte, doemos, edhe ndonjë këshillë nga unë. Meraku, merak mbetet te çdokush që ka një penë. Shqetësimi im kryesor ishte përzgjedhja. Mos fut gjithçka, i thosha, gazeta është tjetër dhe libri tjetër. E dija se nga një tepri shkrimesh në vazhdë të dhjetë vjetëve, 2007 – 2017, ai zgjodhi, më në fund, 104 të tillë, 67 tituj nga teatri dhe 37 tituj nga letërsia. Struktura është e thjeshtë, duke i bërë bashkë të dy këta lloje arti. Dhe u grahu atyre si dy buajve në një parmendë: teatrit dhe letërsisë, duke çapuar bukur mirë e me ëndje atyre arave e kopshteve, ku shpirti vlon e përvëlon, herë qan e herë qesh, ku pikëllimi dhe ngazëllimi rrinë së toku ku, pasioni dhe vrullima psikik, hareja dhe mërzia, komikja dhe tragjikja dorë më dorë i gjen dhe ai përherë bashkë i ka gjetur, si në një vallëzim të habitshëm estetik.
Afërmendsh se unë, si shumëkush lexues, kam hyrë në “tendën” e kritikut të mirënjohur, si në strehën time. Kjo sepse jemi të dy grahës të të njëjtit kalë, Pegasos, sa të teatrit, aq dhe të letërsisë, dhe prandaj e dimë afërsisht, në rrjedhën e shumë e shumë viteve, përpjekjeve dhe eksperiencave gjegjëse, se si ujdisen gjërat, se si gatuhet një “bukë” e mirë dhe ç’magje është ajo më e përshtatshmja, më e mira; ku ka më shumë ujë e ku ka më pak, ku drita përshkënditet më qartë e ku ajo zbehet, ku imazhi vizllon e ku ai meket, ku ka agullimë e ku ka mugëtirë përkundruall konceptit regjisorial, aktrimit, performimit teatror, ligjërimit letrar, rrëfimit, vargjeve, rimës e ritmit poetik. Dhe të tjera “hile” të formës e të brendisë, të vezullimit estetik e të spikamave formale, të asaj që thuhet dhe asaj që nënkuptohet, duke prekur e shijuar me mendje e zemër kodet dhe strukturat që i japin lëndë, frymë, vizllim, bukuri, elegancë, pushtet një ngrehinë arti. Këto që po them bëjnë fjalë pikërisht për atë aftësi e mendjemprehtësi të kritikut Gjini, që e gjejmë të njëmendësuar në krejt lëndën e këtij libri. Nuk besoj se do të mbeteni të zhgënjyer nga vlerësimi im. Miho Gjini, përpos njohjes, shikimit të kujdesshëm të shfaqjes apo leximit syçelur të librit konkret, që e shndërron në objekt shqyrtimi, ka një “shqisë të gjashtë” për t’iu qasur artit dhe artistit, shkrimtarit dhe shkrimtarisë. Kjo “shqisë” është ndjeshmëria e tij, emocioni që ai përfton e ua fal bujarisht lexuesit.

Paçka se vepra e Peter Shafferit “Equus” e Teatrit Kombëtar është një tekst i vështirë, me nënshtresa semantike jo lehtë të zbërthyeshme, ku kodet letrare e teatrore luajnë me simbolet dhe metaforat e mbivendosura, gjithsesi kritiku e ka futur thellë brenda vetes emocionin e vjelë dhe ofron një qasje të vetën, ku ndjehet tej e tëhu ngazëllimi që vjen prej një shfaqjeje fort të bukur dhe pasionale, sikurse ajo qe. Ndërsa te vepra brilante e Çehovit “Tri motrat”, ai i afrohet veprës dhe shfaqjes disi më ndryshe, sqima dhe loja e mendjes lozonjare është aty e pranishme, sepse duket kryekreje që kritiku e njeh në thellësi Çehovin brilant dhe ecejaket finesës së tij të jashtëzakonshme. Më tutje në qasje e parashtrime të ndryshme, kritiku kënaqet dhe kënaq lexuesit e tij me veprat e Strindbergut, që zhbirilojnë nëpër traumat psikike, atje ku mbijnë urrejtjet dhe hapen humbellat e mendjes; këqyr satirat dhe dramat e Joneskos, Eduard Ollbit dhe Mrozhekut duke u dhënë kuptim parabolave të teatrit të absurdit, tragjedisë së komunikimit gjuhësor dhe pakuptimësive; rrugëton veprave të Okar Uajlldit e Garsia Lorkës, këtyre dy mjeshtërve të fjalës poetike dhe të mprehtësive, më tutje të Dario Fosë dhe Havelit, me marramendjet, groteskun, format bixarre dhe shpotitë përvëluese. Përtej veprave dramatike të autorëve të mirënjohur nga bota, pena e Mihos bëhet edhe më e dashur teksa u drejtohet veprave të autorëve shqiptarë, siç ngjet me komeditë satirike të Ferdinand Hysit, Stefan Çapalikut, Haqif Mulliqit dhe gjer te autorët e rinj si Erjon Papagjoni.
Ai ngazëllehet kur shkruan për komeditë, duket saora se e pëlqen fort humorin, sepse është vetë njeri i humorit: një shpirt i panginjur nga optimizmi. Së paku, do veçoja dy analiza të bukura të dy prej komediografëve tanë të traditës, Çajupit me “14 vjeç dhëndër” dhe Spiro Çomorës me “Karnavalet e Korçës”. Tok me autorët, veprat, idetë, stilet, paradigmat letrare, në vëmendjen e kritikut një hapësirë e madhe i kushtohet lojës së aktorëve, koncepteve regjisoriale, gjer edhe skenografisë dhe përbërësve të tjerë të performimit teatror, ku lexuesi gjen vlerësime të sakta prej një profesionisti plot sqimë për artistë të tillë si regjisorët Dino Mustafiq, Hervin Çuli, Spiro Duni, Altin Basha, Driada Dervishi, Elma Doresi, Elmaze Nura etj., sikundër aktorët Robert Ndrenika, Timo Flloko, Luiza Xhuvani, Yllka Mujo, Nikolin Xhoja, Demir Hyskja, Theofil Haxhijani, Ismet Azemi, Mentor Zymberaj, Sanije Hoti, Ilirian Ali, Gjinovefa Redhi, më të rejat si Marsela Lena, Naime Azi, Aida Alidemi e gjer te aktorët e huaj si Vasil Duev. Edhe më thellë përbiron syri i kritikut në autorë dhe vepra serioze të letërsisë sonë, sikundër do të kujtoja këtu shkrimet e thelluara për romanet e Thanas Medit (“Fjala e fundit e Sokrat Bubës” dhe “Kohë e djegur”), poezinë e Grigor Jovanit (“Vreshtat e Dionisit”), vepra të Robert Martikos, Fatmir Mingulit, Pajtim Çaushit, Ndue Dedës, apo të tjerë prozatorë e poetë si Telemak Koça, Jonida Beqo, Kostandin Vogli, Alba Stefa, Edlira Doko, Eliona Gjergo, Qazim Muska etj.
Dhe këtë emocion, pasi e ka shtënë shumë thellë vetes, aty, në thellomat shpesh të pashpjegueshme të perceptimit estetik, aty, ku gjendet çarku i përnxitjes së emocionit, i ngasjes dhe i çlirimit të energjisë psikike, aty, ku rrënjëzohet aksiologjia, procesi i vlerësimit, rrjedhimisht ku testohet shija artistike si gërshetim harmonik midis përjetimit dhe meditimit, procesit racional dhe procesit emocional, – Miho Gjini e qit plot afsh e pasion jashtë vetes atë dhe e hedh në germa, në fjalë e në tërë shestimin analitik të tij. Me një frymë. Kjo magmë psikoestetike është mirëfilli e tij, e paimitueshme, e patjetërsueshme; një magmë që është e lidhur fort me emocionin vetjak. Mihua i qëndron besnik këtij emocioni. Prandaj dhe vështirë të gjesh në shkrimet e tij parashtresa të ftohta, racionale së tepërmi. As shumë teori dhe tundime për t’u stërholluar në mendime e për të luajtur me pjesën formale të artit e letërsisë, ai s’para ka qejf. Nuk është fort lojcak. I pëlqen mbresa dhe emocioni i drejtpërdrejtë. Dhe, po ashtu, mes mbresës dhe emocionit, që e mbajnë të ngrohtë, ai vrapon diku në një qoshe, në studion e tij në shtëpinë që ka në Athinë apo atje në Piqeras, fshatin e lindjes, ose dhe më shpesh akoma në dhomën e një hotelit, ku ka bujtur i ftuar në një shfaqje a festival teatri, dhe nxjerr atë bllokun e tij të madh e shkruan me një frymë. Unë kam pasur me dhjetëra e dhjetëra raste, pasi kemi qenë shumë shpesh në dhoma hoteli, dhe ende pa vetuar drita e mëngjesit, ai çohet nga shtrati dhe ia nis hedhjes së mbresave, mendimeve, ideve, bën këqyrjen e kujdesshme të shënimeve që ka mbajtur dhe shkruan… shkruan… Nuk ekzagjeroj po të them se ky njeri, në moshën 80 vjeçare sa ç’është sot, i ngjan një makine shkrimi, ose… ose… (të përdor një hiperbolë dhe të bëj pak shaka) një Shtëpie Botuese?!…
Po! Dua ta përfytyroj pikërisht kështu mikun tim e të shumë të tjerëve, Miho Gjinin, si një shtypshkrues nga aradhja e Gotenbergut. Sepse ai nuk resht së shkruari, së lexuari, së përcjelluri në shtyp e veprimtari të larmishme artistike e letrare dhjetëra e qindra shfaqje, vepra, emra, libra, evente, dukuri, ide, probleme. Ky vitalitet i rrallë nuk është te gjithkush, kuptohet. Aq më tepër në moshën 80 vjeç. Mirëpo Miho Gjini është Miho Gjini, i pangopur me jetën, i pangopur me humorin dhe optimizmin, i pangopur me krijimtarinë.
Ashtu qoftë!

Në shkrimet e tij ka shumë dashuri. Por ka dhe një sy të mprehtë, të vëmendshëm, që dallon detajin, imtësinë, veçantinë. Instinkti i tij prej kritiku, rreth 60 vjet punë e pareshtur, ia ka rrëfyer ca sekrete që mos të humbas pyllit të mendimit dhe përjetimit, por aty të shquaj çka është thelbësore, specifike. Ku është drita. Ku është e vërteta e artit. Atë më emocionalen. Ai nuk hutohet kollaj në labirintin që një vepër e bukur ka e të fton. Hyn aty, por ai edhe di që të dalë prej andej, se zotëron fillin e Arianës, arsyetimin dhe aftësinë për të thënë atë që është dalluese për veprën konkrete. Edhe pse fshehtësia e përmbajtjes së një krijimi të bukur, madje të madhërishëm, mund t’i ngjajë atij labirintit të njohur mitik egjiptian Ptolemau Eurgetis me 3000 dhoma e korridore, me tre kate, Mihua çuditërisht e gjen daljen, sepse ka instinktin e kritikut, domethënë arsyen e kumtimit të asaj që rri e pazbuluar në vepër, asaj që grish e tundon, për t’ua dhënë publikut dhe lexuesve në një mënyrë të hijshme.
Një cilësi tjetër prej mikut tim unë vlerësoj guximin për t’i thënë hapur, pa doreza mendimet e tij, qoftë edhe kur janë me pak spec djegës brenda, pra me frymë kritike. E kam vënë re këtë tipar në dhjetëra e dhjetëra diskutime, në “tavolinat e rrumbullakëta” nëpër festivale të ndryshme teatrore, ku lëvrohet mendimi kritik dhe bëhet vlerësimi i shfaqjeve, ashtu sikundër edhe në mjaft shkrime, ku gjen kësisoj, madje, edhe në fletët e këtij libri, ani pse janë përzgjedhur vepra të suksesshme, për pasojë më pak të kritikueshme. Jo rrallë herë ai ka ngarkuar mbi shpinë mëritë e artistëve, të cilët kanë një shpirt fort të ndjeshëm, janë të brishtë, por ndonjëherë dhe të vegjël, delirantë e plot teka, prandaj dhe jo fort të sjellshëm e të durueshëm. Por Mihua e ka thënë fjalën, i pëlqen apo s’i pëlqen dikujt. Veçse kritika e tij ka qenë e sinqertë, bile shëruese. Dhe teksa është ulur më pas në një kafe me artistin apo shkrimtarin, e ka zbrazur në mënyrë të shpenguar, siç vetëm ai di ta bëjë, atë mirësinë e tij, kokëshkrepjen e tij, me atë fytyrën babaxhane dhe sytë e qeshur, gati fëmijëror, dhe ti, sakaq, ke harruar në beftë mërinë, inatin, dhe shpirti të është hapur, inati ka thyer zverkun teposhtë. Sepse Miho Gjini nuk mban gjë përbrenda, është mësuar t’i thotë gjërat troç. Por, ama, t’i THOTË, jo t’i fshehë nën buzëqeshje ironike a cinike, as t’i mbajë si garguj mendjemadhësie e mburrjesh prej njeriu kinse të “ditur”, kompetent, i “pagabueshëm”.
Vëmendja ndaj artistëve dhe shkrimtarëve të rinj është karakteristike për Miho Gjinin. Dhe kjo i bën nder këtij libri ku ka jo pak syresh. Ai fare lehtë mund t’i shmangte shkrime të tilla, por ky njeri dhembshurinë dhe mirësinë e ka brenda vetes. E ndjen si nevojë për “t’u dhënë një dorë” njerëzve që shkruajnë për herë të parë një libër, që interpretojnë një rol, që provokojnë me talentin dhe cilësitë e tyre, që i buzëqeshin muzës, që kanë brenda vetes farat e zhvillimit dhe lulëzimit të mëpasëm. Dhe shpesh tejpamja e tij nuk ia ka turpëruar instinktin e pikasjes së talenteve.
Mihua nuk është një teoricien, i shmanget asaj, i duket teoria si një shtatore e ftohtë dhe e “vdekur”, si metafora e njohur e Migjenit. Mihua është lloj dhe specie e kritikut pasional, e njeriut që thith ngrohtësi dhe çliron po aq për të tjerët, në mos më shumë. Dhe mirësi, e bukuri, e dashuri nga vetja e tij, nga ajo çka shfaqja apo vepra i kanë lënë mbresë; një gjurmë, që ia ka ngacmuar trurin, ia ka zhuritur zemrën. Dhe asnjëherë s’ka përtuar ta rrëmbejë penën e të shkruaj plot përkushtim e dashuri. Sepse Mihua i do njerëzit.
Sa shumë dashuri ka shpërndarë ky njeri edhe në 107 shkrimet e kësaj përmbledhjeje. Shkrimet lexohen plot ëndje, sepse ai përzien veprën apo shfaqjen me veten e tij, duke bërë një rijetësim. Si të thuash, një akt bashkëjetese e simbioze, një farë mutacioni psikik midis këtyre dy identiteteve, dhe prandaj aty ku është shkrimtari, artisti, shfaqja, aktori apo libri aty është, po aq, edhe Miho Gjini. Sepse përthyerja në vetëdijen e tij është e tërësishme, thellësisht e tija; është përjashtimisht personale, dhe pikërisht kjo i jep shansin e një riciklimi, ku qenia kritike mëton të ruaj territoret dhe integritetin e vet të patjetërsueshëm.
Miho Gjini e do të bukurën: të bukurën e artit më së pari, por edhe bukuritë e jetës; e mrekullon një imazh i bukur (ka hobi fotografinë), një det e perëndim i bukur, një rënie bore e bukur, një qytet i bukur, një shfaqje e bukur, një aktore apo femër e bukur! Ah, po! Erosi, djali bukurosh i dashurisë dhe Orfeu, zë ëmbli që përgjumi bishat dhe shastisi mbretërit e varrit, janë tela që tingëllojnë si shushurimë uji në lirën poetike e kritike të Miho Gjinit. Epo kur njeriu e do të bukurën, e ka hak jetën.
Jeto Miho Gjini jo 80, por edhe 100 të tjera!…

Please follow and like us: