Albspirit

Media/News/Publishing

Bodler: BAMIRËSITË E HËNËS

Shkëputur nga përmbledhja e Bodlerit, përkthyer në shqip nga Besiana Kadare, titulluar “Brenga e Parisit”, Botimet Onufri.
Hëna, si trillane që është, të vështroi që nga dritarja, tek flije në djep, dhe tha me vete: “Ky fëmijë më pëlqen”.
Pastaj zbriti butë-butë shkallën e saj prej resh dhe u fut brenda pa u ndier, nëpërmjet xhamave. U shtri mbi ty me dhembshurinë e epshme të një nëne dhe shpalosi ngjyrat e saj mbi fytyrën tënde. Ja sepse sytë të mbetën të gjelbër, ndërsa faqet jashtëzakonisht të zbehta. Ishte soditja e kësaj vizitoreje që i bëri sytë e tu kaq çuditërisht të mëdhenj; dhe ajo të shtrëngoi kaq ëmbëlsisht në grykë,
saqë qysh atëherë, ty s’t’u nda më dëshira për të qarë.
Megjithatë, në shpërthimin e gëzimit të saj, Hëna mbushte krejt dhomën si një atmosferë fosforeshente, si një helm shndritës; dhe e gjithë kjo dritë plot jetë mendonte dhe thoshte: “Ti do ta ndiesh përjetë ndikimin e puthjes sime. Ti do të jesh e bukur sipas mënyrës sime. Ti do të duash çka dua unë dhe çka më do mua: ujin, retë, heshtjen dhe natën; detin e pafund dhe të gjelbër, ujin e patrajtë dhe të shumëtrajtshëm; vendet ku s’do të jesh; të dashurin që s’do ta njohësh; lulet e përbindshme; parfumet që të bëjnë të përçartësh; macet që shtriqen mbi piano dhe që rënkojnë si gratë, me një zë të ngjirur
e të ëmbël!
“Dhe ti do të dashurohesh nga të dashurit e mi, do të adhurohesh nga adhuruesit e mi. Ti do të jesh mbre- tëresha e burrave me sy të gjelbër, grykën e të cilëve e kam shtrënguar gjatë përkëdheljeve të mia nëpër net; mbretëresha e atyre që duan detin, detin e pafund, të shqetësuar e të gjelbër, ujin e patrajtë dhe të shumëtrajtshëm, vendet ku nuk janë, gruan që nuk e njohin, lulet ogurzeza që iu ngjajnë temjanicave të një feje të panjohur, parfumet që turbullojnë mendjen, dhe kafshët e egra dhe epshore që janë emblemat e çmendurisë së tyre”.
Ja, pra, pse tani unë gjendem i shtrirë te këmbët e tua, e nëmura dhe e shtrenjta fëmija ime e përkëdhelur, duke kërkuar në të gjithë qenien tënde ndikimin e Hyjnisë së frikshme, e ndrikullës fatale, e mëndeshës helmuese të të gjithë njerëzve me hënë.
Please follow and like us: