Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: 6 QERSHORI 1944 – DITA E GUXIMSHME E PERËNDIMIT

(Me rastin e përvjetorit të hapjes së frontit të dytë të LIIB)

 

 

Sot, përvjetori i zbarkimit në Normandi, që shënoi kthesën vendimtare të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Normandia do të ishte kryebeteja e Luftës së Dytë Botërore ku zbarkuan 160.000 ushtarakë me 5000 anije luftarake, ndërkohë që 13000 avionë bombarduan objektivat në Francën veriore dhe në thellësi. Zbarkimi i aleatëve në Normandi është kthesa kyç e fatit të luftës. Vërtetë ajo u kthye në një plazh vdekjeje. Konsiderohet si beteja më e përgjakshme pas asaj të Stalingradit, por gjithçka që erdhi më pas në favor të lirisë i ka themelet pikërisht në detin e gjakut që vërshoi në plazhin e Normandisë. Më 6.6.1944, trupat aleate të përbëra kryesisht nga ushtarë amerikanë, britanikë dhe kanadezë, do të sulmonin Normandinë që ishte nën pushtimin e Gjermanisë Naziste. Rezistenca gjermane ishte e fortë dhe e mirë pozicionuar, sidomos në plazhin Omaha dhe qytetin e Kaen. Në muajin e parë, Aleatët do të fitonin terren. Luftime të ashpra do të ndodhnin në këto toka me pyje të dendur dhe fusha të gjera që pikërisht për këtë faunë do të merrnin emrin luftimet Bocage, që është fjalë frënge. Por në të vërtetë Aleatët hovin do ta merrnin vetëm gjatë Operacionit Kobra në Saint Lo, qytet verior francez.

Gjatë gushtit, Armata e Shtatë Gjermane dhe Armata e Pestë e Panzerave ishin rrethuar pothuaj krejtësisht në Falaise. Rreth 50.000 ushtarë u zunë rob por një pjesë e mirë e ushtrisë arriti të dalë nga rrethimi e ndërsa forcat aleate që vepronin në Itali u detyruan të pushtonin rivierën Franceze dhe 15 gushti shënon ditën që u vëndos lidhja me trupat në Normandi. Data 19 gusht, pra katër ditë më vonë Rezistenca Franceze në Paris, ngriti krye kundra nazistëve gjermanë dhe njësia Franceze nën komandën e Gjeneralit Jacques Leclerc, që erdhi nga Normandia, mori deklarimin e dorëzimit të gjermanëve. Më 25 gusht, Parisi ishte çliruar.

Është fakt se data 6 qershor 1944 është data e fillimit të fundit të pushtimit të Europës. Trupat aleate përshkuan ngushticën e La Manshit dhe nisën mësymjen vendimtare të frontit të dytë, të datës së mposhtjes së mortajës së nazizmit gjerman, por edhe të të krejt boshtit fashist. Normandia ka ngelë në kujtesën e njerëzimit si vendi ku zbarkuan 160.000 ushtarakë perëndimorë, me 5000 anije luftarake dhe 13000 avionë bombarduan objektivat në Francën veriore, por edhe në thellësi të objektivave strategjikë.

Historiografia në qindra e mijëra dokumente ka rregjistruar përgatitjen e madhe dhe të gjatë për zbarkim të aleatëve në Francë, zbarkim i cili u krye midis portit të Le Havre dhe bazës detare në Cherbourg. Në planëzimin e operacionit në pikëpamje ushtarako-strategjike, më 6 qershor 1944, anglezët dhe amerikanët, të plotësuar edhe nga trupa kanadeze, polake e franceze hodhën në sektorët bregdetarë të Normandisë, Sainte-Honorine-des-Pertes, Saint-Laurent-sur-Mer, Vierville-sur-Mer, forca të shumta që janë shënuar në memorien e kombeve si një prej ngjarjeve më të mëdha luftarake të solidaritetit, që shpejtoi mposhtjen përfundimtare të nazizmit dhe të krejt bushtit fashist botëror, operacionin që prej 77 vjetësh njihet si “hapja e Frontit të Dytë”.

Nëse do të kërkosh laboratorin e vërtetë historik të memories së kombeve në 80 km bregdet,ky laborator gjendet pikërisht në Normandi dhe se Fronti i Dytë ishte aq shumë i shumëpritur sepse do të shënonte përfundimisht fatin e Europës dhe europianëve padyshim, bashkë me trupat e ushtrisë së kuqe nga Lindja, që mbajtën një peshë të madhe dhe të konsiderueshme të luftës.

Operacionet e mëdha në Betejën e famshme të Normandisë ishin operacione të mirëorganizuara dhe që njihen edhe si beteja e përmasave gjigande si një ngjarje e rrallë në historinë e luftërave të njerëzimit, që vlen të studiohet në gjithë Akademitë më modern ushtarake të planetit. Në këtë 77 vjetor veteranët e “ditës D” janë “lisa” jashtëzakonisht të rralluar të historisë së mbijetuar nga operacioni i normandisë. Pas shumë pak vitesh do ta kemi vështrirë të kemi ende dëshmimtarë të gjallë të këtij operacioni të përmasave historike.

Franca ka qenë dhe ngelet vendi mikpritës për 77 dekada rresht që prej ditës së sulmit të madh nga deti dhe ajri në ditën e historisë evropiane, ku me mijëra trupa të aleatëve kanë filluar uljen në brigjet e Normandisë në Francën veriore në fillim të një ofensive të madhe kundërgjermane. Normandia kjo fushë vdekjeje, kërkonte trimëri dhe guxim, kërkonte një ditë symbol që të quhej “Dita e guximshme e Perëndimit”.

Të hapje frontin e dytë do të thoshte të guxojë përballë një bishe që nuk e njihte dorëzimin edhe pas mijëra grushtesh që kishte ngrënë fashizmi nga ushtria e kuqe e Stalinit. Është fakt se forcat aleate vazhduan avancimin në brendësi të Europës dhe në vijimësi çliruan me radhë Francën e Belgjikën, e hynë në territorin gjerman.

Hapja e frontit të dytë të betejës europiane nga trupat e aleancës shpejtoi humbjen e nazistëve gjermanë dhe se sulmet ajrore përgjatë bregdetit Francez u paraprinë nga një operacion i madh i parashutizmit në shpinë të forcave që duhet thënë pati një numër të konsiderueshëm të rënësh në fushëbetejë. Oficerë, Ushtarë, pajime, armatime, avionë, anije, parashutistë, topa, mitraloza, ishte natyra në brigjet e normandisë 77 vjet më parë në një kohë gri, ku komandanti dhe gjenerali i Përgjithshëm Duajt D. Ajzenhauer urdhroi fillimin e betejës vendimtare të forcave amerikane, britanike e kanadeze për çlirimin e kontinentit plakë të europës. Sulmin e kryeson një grup i komanduar nga gjenerali anglez Bernard Montgomeri, me trupa amerikane, britanike e kanadeze, sulm që nisi menjëherë pas mesnate nën komandën e Gjeneralit Bernard Montgomery dhe koha e zbarkimit në Normandy ishte mjaft kritike. Historia njeh detaje të pafund në lidhje me këtë zbarkim edhe me kohën e planifikuar për zbarkim që në muajin maj 1944, megjithëse më vonë u shty për në muajin Qershor, deri në shtyrjen në minutën e fundit si rezultat i kohës së keqe. Aleatët anglo-amerikanë e kanadezë u bënë shpëtimtarët e kombeve Europianë nga perëndimi me hapjen e frontit të dytë dhe rusët që sulmonin nga lindja dhe që kishin futur gjermanët në darën shtrënguese të luftës përfundimtare, pasi bota kishte pesë vjet që përleshej me pjellën më të zezë të njerëzimit me fashizmin.

Deti dhe ajri u bënë ura nga e cila Komandanti i flotës së Aleatëve, Admirali Sir Bertram Ramsay, zynonte zbarkim për t’i kapur në befasi gjermanët, pas mashtrimit që u kishin bërë për kohën dhe vendin e zbarkimit në brigjet jugore franceze. Avionët e zbulimit gjerman nuk u kundërpërgjigjën, po ashtu edhe bateritë bregdetare kishin një intensitet të vogël, kështu që gjermanët ishin zënë disi në befasi. Njësi parashutiste vepronin në prapavijë, në shpinë të forcave armike. Zbarkimi me parashutim ajror u krye në shkallë strategjike, duke bërë , që Kryqtarët e Lirisë në Normandi në Operacionin “Perënditë”, të shkruanin një faqe të re të strategjisë luftarake në zbatim në praktik me përdorim masiv të desantëve ajrorë. Mesazhi i kësaj lufte të përgjakshme në historinë botërore është i qartë dhe se zbarkimi në Normandi/hapja e Frontit të Dytë në Europë, ishte vendim i të Mëdhenjve, Stalinit, Rusveltit dhe Çurçillit në Konferencën e Teheranit, që në dhjetor 1943 dhe kishte për qëllim final përfundimin e Luftës në Europë.

Shtypi dhe media botërore do të shkruanin për ditën e madhe të guximit dhe unitetit Europë-Amerikë do të shkruante për simbolin e botës së lirë Ajzenhauer, i cili ju drejtua ushtarëve: “Ne nuk do të pranojë asgjë tjetër, vec fitores së plotë. Paçi fat/Good luck!”. Ndërsa europianëve u drejtohej: “Ky veprim është pjesë e planit për çlirimin e Europës, të hartuar së bashku me aleatët rusë. Unë kam një mesazh për ju të gjithë. Edhe pse sulmi fillestar nuk mund të mbulojë vendin tuaj, ora e çlirimit është afër”.  6 qershori i 1944-ës është vetë dita histori solidariteti midis amerikanëve, anglezëve dhe europianëve, një gjest i guximshëm.

Nga të dhënat 24.000 parashutistë që kishin si detyrë, që para se të fillonte në të gdhirë zbarkimi i trupave nga deti, të vinin nën kontrollin e tyre ura dhe pika të rëndësishme rrugore dhe të vendosnin sinjale drite për forcat ajrore, por njihet gjithashtu se plani nuk funksionoi plotësisht sipas parashikimeve. Era e fortë i shtyu parashutistët thellë në brendësi të Francës dhe vetëm një e dhjeta e tyre arriti në kohë në zonën e frontit. Fatet e tyre ishin të ndryshëm dhe historian ushtarakë I kanë gdhendur detajet.

Në brezin prej 80 km kishte 4.200 varka zbarkimi, 1.200 luftanije, 155.892 ushtarë të vendeve aleate nga 14 kombe të mbështetur nga ajri prej avionëve ushtarakë. Kombet më të vogla u inkuadruan në trupa ushtarake të përziera, por që të gjithë nën një komandë atë amerikane dhe me shkallëzim për nivelet e trjera të komandimit dhe drejtimit të forcave.

D-Day është ndër ditët e Luftës II Botërore, ku amerikanët dhe kanadezët pësuan humbjet më të mëdha, sipas historiani Peter Lieb. Në orët para të sulmit gjetën vdekjen më shumë se 50% e ushtarëve, për shkak se shumë u mbytën, i zuri deti dhe nuk ishin në gjendje të mbroheshin, pra u vranë, apo sepse tanket ngecën në rërë.”. Nga dreka gjermanëve iu mbaruan municionet dhe për këtë shumica e fortifikatave të murit mbrojtës të Atlantikut ranë brenda disa orësh në duart e trupave aleate. Megjithatë përparimi i trupave aleate në brendësi të Francës nuk qe i lehtë. Dhe Charle De Gaulle arriti të marshonte me një divizion tankesh në Parisin e çliruar vetëm më 25 gusht.

Fjalimi historik i Komandantit Suprem, Duajt Ajzenhauer tingëllon i fuqishëm edhe sot: “Ju po nisni lundrimin drejt një Kryqëzate të Madhe, për të cilën ne jemi përpjekur gjithë këta muaj. Sytë e Botës shohin nga Ju. Shpresat dhe lutjet e të gjithë njerëzve që e duan Lirinë, marshojnë krah jush. Së bashku me aleatët tanë trima dhe shokët e armëve në frontet e tjera, ju do të sillni shkatërrimin e makinerisë ushtarake gjermane, eliminimin e tiranisë Naziste që sundon mbi njerëzit e shtypur të Evropës dhe sigurinë për ne vetë, në një botë të Lirë. Detyra juaj nuk do të jetë e lehtë. Armiku juaj është i mirëpërgatitur, i mirëpajisur dhe i ashpër në betejë. Ai do të luftojë egërsisht…!”. Miti i triumfi nazist të viteve 1940-1941 kishte rënë dhe ishte thyer dhe aleantët i kanë shkaktuar gjermanëve humbje të mëdha, në betëjë të hapur, trup më trup. Ofensiva jonë ajrore e ka reduktuar seriozisht forcën ajrore të armikut dhe kapacitetin e tij për të zhvilluar luftë në tokë. Tani është radha jonë. Njerëzit e lirë të botës po marshojnë së bashku drejt fitores historike të botës së lirë demokratike. Unë kam besim të plotë në kurajën tuaj, përkushtimin ndaj detyrës dhe aftësitë në betejë. Ne do të pranojmë asgjë më pak sesa fitore e plotë”. Mesazhi i Ajzenhauerit përbën një dokument themelor historikisht i njohur, që flet moralisht, simbolikisht, politikisht dhe ushtarakisht. Komandantët aleatë të Frontit të dytë Gjeneral Duight Eisenhouer, Bernard Montgomery, Omar Bradley, Trafford Leigh Mallory, Arthur Tedder, Bertram Ramsay; ndërsa nga gjermanët Marshall Gerd von Rundstedt, Ervin Rommel. Dukej sikur nuk ballafaqoheshin forcat e mjetet, makineritë ushtarake, por po ballafaqohej historia mbi rrugën që duhej të ndiqte njerëzimi. Vetëm në ditën e parë të betejës së Normandisë aleatët humbën rreth 10,400 ushtarakë, ndërsa gjermanët pësuan rreth 9000 të vrarë. Në ditët në vijim humbjet vazhduan të thelloheshin duke bërë që në bilancet e luftës LIIB të rrezultojë lufta me humbje të jashtëzakonshme njerëzore dhe dëme material. Historia e njeh Betejën e Normandisë si kurorëzim me fitore, por me humbje të jashtëzakonshme jetësh njerëzore, mbetet një moment kyç në historinë e luftës kundër fashizmit në dy fronte. Njerëzimi nuk duhet të harrojë, sepse harresa mund të bëjë që ngjarjet të përsëriten!.

 

 

 

Please follow and like us: