Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: AFRESKET E PIKTORIT LEONIDHA BULLGARI

Pas një krijimtarie suksesi në tokën Helene, piktori ynë Leonidha (i Fierit), po bënë më shumë se dhjetë vjetë që është kthyer në qytetin e tij të lindjes. Aty ai krijoi e realizoi 13 ekspozita vetiake, duke tërhequr vëmëndjen e komunitetit shqiptarë në Greqi, po edhe të mjeshtrave të pikturës të këtij vendi fqinj, për atë shkëputje nga fillesat e tij realiste, sidomos në portret, drejt kompozimeve të përmasave madhore, në stilin modernist, si edhe në shprehjet kubiste, ku trajtat reale marrin interpretime, në përthyerje të formave të ngurta klasike, po edhe në kontrastet proporcionale e në ngjyra,-të vlerësuara këto edhe nga estetë grekë të artit pamor, duke e krahasuar atë edhe me piktorë të mëdhenjë të botës! Aqsa, në njerën nga ekspozitat e përbashkëta me piktorët vendas, do të fitonte çmimin e parë me dy portete diametralisht të kundërta: “Krishti i Kryqëzuar” dhe “Valltarja Cigane”, realizuar po me të njëjtën mjeshtri të lartë! Pas kësaj, piktori ynë i talentuar, do të bëhej “pre” i koleksionistit grek Jorgo Serjano, i cili nisi t’i blejë rradhazi të gjitha krijimet e tij, si edhe të koleksionistit tjetër, mjekut Vangjelis Mavroviti, i cili i bleu serine e kompozimeve madhore “Katastrofa e Izmirit”, për të cilat do të interesohej më mbrapa edhe Muzeu Qendror i Athinës! Ndërkohë që piktori Bullgari do të vazhdonte të jetonte në një ipojo (bodrum), në kryqëzimin e rrugëve që ndajnë Marathonën me qytetin bregdetar të Rafinës. Dhe kështu, miku im,-do të më përngjante gjithmonë me atë Marathonomakun e lashtësisë që do të vraponte deri në qendrën e Athinës me “lajmin e fitores”, derisa… ai do të kthehej paskëtaj, vetëm me trekëndëshin e kavaletit në krahë dhe me tufën e penelave ndër duar, drejt vendlindjes së tij.
Dhe këto ditë do të isha përsëri me të ne Fier, duke mos u shkëputur dot nga malli për njeri tjetrin në tavernën “Tymi”, ku do na bëhej “tym” edhe koka, pas peripecive tona të mërgimit e pas pandemisë së mallkuar që Leonidhës i mori edhe vëllain, Viktorin, piktor edhe ai, i rrymës impresoniste, nga më të mirët që kishim në këtë qytet dhe me gjerë. E, ja ku ishim përsëri me Leonidhën, pas atyre 13 ekspozitave të tij mbresëlënëse, “vrapimit të fitores”, morisë së krijimeve piktorike, po edhe veprimtarive të shumta që organizonim, për atë ndërlidhje “urash” midis dy kulturave, asaj greke e asaj shqiptare, nëpërmjet Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve Shqiptarë në Greqi (“Liter Art), që e krijuam me Leonidhën, fill sa i ishte vën dryni asaj të vendit tonë, së bashku edhe me ish studentin tim, aktorin Anastas Kozdine (që regjisori grek Cipos nga Janina e përzgjodhi në filmin e tij “Akademia Platon” për të interpretuar mërgimtarin shqiptarë që vjen këtu, bashkë me nënën e tij per të kërkuar të vëllanë e humbur gjatë luftës…). Po edhe me poetin Stefan Martiko, studjuesin e Letërsisë Thanas Boçi, regjisorin Lefter Simoni, aktoren Merita Dabulla, shkrimtarin Piro Loli, kompozitorin Spartak Tili e bashkëshorten, këngëtaren Anthulla Tili, pianistin Sandër Çefa, me piktorin Spiro Qirixidhi e me 30 të tjerë shkrimtarë e artistë të mëvonshëm. Po tani, pas nje dekade ndarjeje, unë do të isha së toku me të, i shastisur nga një mori e madhe skicash të fiksuara në celularin e tij, për njerëzit e rrugës, për detarët, për tokën e detit, për lulet e pemët, po për zogjtë e shumtë, që ai i kishte vendosur në muret e nje shkolle të Fierit. Po edhe me dhjetra skica nudo, të vizatuara, me penelata të holla, të bukurisë femërore, në abstragimet e artit të kubizmit.
Po gama e interesava të tij krijuese, do më shtynte që të kërkoja për të parë afresket në muret e brendshme të shkollës 9 vjeçare “Andon Xoxa”, ku ai ka dhënë mësimet e para në lëndën e vizatimit, në ato shtatë vite të mësimdhënies, para se të merrte edhe ai “udhën e Marathonës”… Dhe do ta gjeja veten aty, si midis cicërimave të zogjeve të qiellit e të pyllit, ndër degëza gjithfarësh gjethesh e lulesh të sapo çelura. Të gjitha muret e korridorit të katit të parë të shkollës, të patinuara nga vet piktori, sjellin për vocërrakët qindra cicërime të tjera që bashkohen me “cicërimat e fjalëve” të gëzueshme të tyre. Me plot ajër e dritë. Kolori ka “fluturuar” nga natyra e është fiksuar i tëri këtu, nëper mure… E jo njëlloj… Efekti pamor sikur lëvizë e do të ndryshoje nga muri në mur, nga pamja në pamjen, me reflekse të atypëratyshme ngjyrash e drite. Ah, -thashë me vete,- sikur të ishin kështu të gjitha muret e brendshme të shkollave tona. Më së fundi, e kishin përzgjedhur piktorin Bullgari që të përkujdesej për të gjithë dekoracionin e qytetit të Fierit, pa qënë më nevoja të rimerrte përsëri të “hynte në rolin e Marathonomakut” jashtë qytetit eevëndit të tij! Na shoqëronte N/Drejtoresha Irena Subashi, e cila thotë se është e mrekulluar nga arti i këtij piktori. Dhe se, do të dëshironte të ishte edhe një herë më e vogël e të bëhej nxënëse e tij, e mjeshtërisë dhe fantazisë së tij, e shijeve të tij për të bukurën….
Se, udhët e së bukurës janë të pafundme…
Fier, më 10 qershor 2021.
Please follow and like us: