Albspirit

Media/News/Publishing

Klement Shalari: KUSH E ARRATISI ‘ESKILIN’ SHQIPTAR?! (1)

 

France. IDF. Paris. Saint Germain des Prés. Café de Flore.

Sprovë

 

“…Vendimi për ta lënë Shqipërinë ka qenë shtysa kryesore për ta mbaruar me ngut librin (“Ftesë në Studio”). Ky vendim ka kushtëzuar njëfarë fryme lamtumire dhe ndarjeje nga lexuesi shqiptar, ndarje, që ndonëse përpiqesha ta besoja si të përkohshme, kishte ditë kur më dukej se mund të ishte e gjatë…”. Kështu fillon edhe prologu i arratisjes së shkrimtarit Ismail Kadare.

“Arratisja” e shkrimtarit të madh Ismail Kadare në ambientin shqiptar dhe shtypin zyrtar të kohës ngjalli shumë pështjellime, tronditje, anatemime, paragjykime, irritime, akuza, pezmatime dhe hamendje të çuditshme. Klubet dhe kafenetë, që në atë kohë ishin të pakta si në Tiranë apo edhe në provincë, tashmë gumëzhinin nga diskutimet e zjarrta e plot pathos, ku hamendësimet vlonin në formë pyetëse se:

-Pse Kadareja u arratis në këtë moment të vështirë e kritik për fatet e kombit kur demokracia po trokiste në prag të derës dhe ai mund të ishte bërë protagonist e ndoshta lider i saj?! Pse Kadareja e shkelmoi shansin e vet, kur ai i kishte të gjitha premisat për t’u bërë një Havel shqiptar, si ish-Presidenti i Çekosllovakisë?! Pse nuk arriti që të krijonte dot një opozitë legale dhe ta luftonte nga brenda regjimin komunist, që ishte në grahmat e fundit dhe po jepte shpirt?! Pse Kadareja nuk e shfrytëzoi sa duhet personalitetin, autoritetin dhe gjeninë e tij krijuese, por iku duke e marrë Shqipërinë si një plagë me vete, etj.

Kafenetë ishin kthyer ne taverna politike rreth kësaj teme të ditës; Iku për të marrë Çmimin “Nobel” thoshte njeri, nuk ka për t’a marrë ia priste tjetri. Çmimin “Nobel” Kadareja e ka marrë qysh tani, vetëm formalitetet duhen, sugjeronte bashkëbiseduesi tjetër në tavolinën përballë etj. Jo mor, jo, – thoshte tjetri në tavolinën përbri, – thonë se Kadareja ka patur debate e konflikte të ashpra me atë “lartë” (Ramiz Alinë), prandaj iku për ta sfiduar atë dhe regjimin vetë.

Dhe kështu pyetje e hamendësime pafund rreth enigmës së “arratisjes” së Kadaresë. Kishte adhurues të shumtë të Kadaresë, që mendonin se me ikjen e tij në Paris, ai mund t’i shërbente më mirë kombit dhe çështjes shqiptare, se kishte më shumë kushte e hapësira për t’a sulmuar nga larg regjimin tiranik e totalitar të Tiranës. Të tjerë, që e hiqnin veten si “patriotë” dhe “shkrimtarë të mëdhenj”, pretendonin se me “talentin e tyre” mund t’a kishin tejkaluar Kadarenë, në qoftë se do të kishin pasur përkrahjen e shtetit komunist,se krijimtaria e tyre mbeti në sirtar e të tjera shfajësime, justifikime e vajtime për talentin e munguar të tyre.

Kishte edhe më keq, ndoshta ndonjë hetues apo oficer Sigurimi, është shprehur siç thoshte Kiplingu: “me krenari, që verbon”, se nuk ishte kot ajo dosja që krijuam për ndjekjen, përpunimin dhe kontrollin e Kadaresë, se koha e provoi që ai ishte “agjent i Perëndimit”. Ziliqarët apo cinikët, disa edhe persona publikë në median e shkruar, pretendonin se tani, sipas tyre erdhi koha për ta shkurorëzur nga froni i lartë artistik që ishte ngjitur. Por universin letrar dhe artistik të Kadaresë ishte e vështirë për ta zhbërë, pasi cinizmi, thoshte Ciceroni qysh në lashtësi, është streha e fundit dhe e errët e mediokërve.

Rasti e solli, që ditën që u arratis Kadareja, të ndodhesha tek “Hotel Tirana”, ku zhvillohej një mbledhje e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit dhe kishin ardhur rreth 100 gazetarë për të ndjekur punimet nga afër të kësaj konference. Një punonjës i hotelit, i cili duhej të ishte përgjegjës i administratës m’u afrua dhe më thotë me keqardhje, i pezmatuar dhe trishtuar, se tani sapo na erdhi një faks tronditës nga Parisi, i cili thotëse Kadareja është “arratisur” dhe ka kërkuar azil politik në Francë. Ma tregoi konkretisht faksin, i cili ishte shkruar në gjuhën frengjisht. Ishte vonë mbasditë, por nata nuk kishte rënë plotësisht dhe në qendër të Tiranës kishte shumë lëvizje dhe dukej sikur ata ishin në pritje, se diçka do të ndodhte.

Papritur në hollin e katit të dytë të hotelit, ku zhvillohej Konferenca, vërshuan si një lumë gazetarët e huaj , kush e kush të jepte lajmin i pari dhe filluan intervistat. Aty në holl, ndodhej edhe shkrimtari Neshat Tozaj, i cili ishte bërë i njohur me romanin “Thikat” dhe parathënien e këtij romani e kishte bërë Ismail Kadare, ku flitej hapur për shkeljen e të drejtave dhe lirive  të njeriut nga institucionet partiake e shtetërore të regjimit të kaluar dhe lufta e përpjekjet që duheshin bërë për mbrojtjen e tyre. Disa gazetarë arritën që t’a merrnin në intervistë Neshat Tozajn dhe ai u përgjegj në mënyrë lakonike se “…Kadareja është një shkrimtar i madh, mik e kisha, mik e kam…”.

Sidoqoftë, kjo deklaratë e tij, kur regjimit akoma nuk i kishin rënë dhëmbët, por njëkohësisht nuk ishte as në gjendje të të kafshonte, ishte padyshim edhe një sfidë. Themi sfidë, sepse pikërisht atëhere kur regjimet janë duke dhënë shpirt, mund të shkaktojnë edhe më shumë kaos, edhe më shumë anarki, edhe më shumë drama e tragjedi. Sepse të gjitha të zezat, presioni, frika, dhuna e terrori, të gjitha ligësitë e poshtërsitë me të cilat është mbajtur një regjim, në kohë të tilla të turbullta e të mbarsura, shpërthejnë me gjithë fuqinë e tyre dhe dalin në sipërfaqe.

Kam parasysh si tani, se atë mbrëmje tetori të vitit 1990, pak më tutje në sallë ndodhej edhe shkrimtari tjetër i shquar Dritëro Agolli, i cili kur u pyet nga një tufë gazetarësh, se ç’mund të thoshte rreth “arratisjes” së Kadaresë , – Dritëroi , – mori një qëndrim dinjitoz që nuk shprehte as ligështim, por as edhe krenari dhe në mënyrë të vendosur tha prerazi: “…Kadareja iku, por vepra e tij mbetet…”. Në ato pak fjalë që tha Agolli, më pëlqeu, se nuk përmendi as fjalën “arratisje”,dhe as togëfjalëshin “azilant politik”, por vetëm iku, e cila ngeli një fjalë pezull. Është e njohur se Kadareja me Agollin kanë patur edhe momente debatesh e kritika të ashpra midis tyre për letërsinë që kërkohej të bëhej sipas parimeve të asaj kohe; edhe periudha e momente ftohjeje, por kurrë nuk kanë arritur që të cenojnë shoqërinë, miqësinë, karakterin dhe dinjitetin e njeri-tjetrit. Kjo është veti e njerëzve të mëdhenj. Edhe shkrimtari i Kim Mehmeti, një personalitet i kulturës shqiptare në Maqedoni, kur u pyet së fundmi në një intervistë televizive, se si e vlerësonte krijimtarinë e Ismail Kadaresë në raport me atë të Agollit , pohon se “…Kadareja ështëmajë e letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare, por kur them majë, kjo nuk do të thotë se nuk ka maja të tjera…”.

Fjala domethënëse “iku” e Agollit, më kujtoi fjalët e poetit të madh lirik Lasgush Poradecit, i cili kur mësoi lajmin e hidhur të vdekjes së atdhetarit dhe patriotit të madh Aqif Pashë Elbasanit, që aq shumë kishte bërë për Shqipërinë, nuk e pranon vdekjen e tij, por thotë se “… Iku nga kjo botë, i ndjeri Aqif Pashë Elbasani…”.

Ështe fatmirësi, që Kadarenë e kemi ende gjallë dhe të kemi ende nëpër duar veprat artistike brilante, që prodhon e gjeneron mendja dhe fantazia e tij e mahnitshme, por shkrimtari ka edhe privilegjin dhe fatin më të madh si askush tjetër , sepse ka jetën biologjike si gjithë të tjerët, ka jetën krijuese në të gjallët dhe jetët letrare pas vdekjes. Por gjithashtu në këtë botë ka njerëz, që kërkojnë të bëhen të lavdishëm në një kohë të palavdishme dhe mezi prisnin rastin që të derdhnin lumin e urrejtjes, të shpifjes, të përhapjes së thashethemnajave, ose kulturën e thashethemit, siç do të thoshte At Zef Pllumi,- duke shpresuar e menduar se Kadareja do të binte lehtë pre e tyre.

I ndjeri Gramoz Pashko, në atë kohë ish-profesor në Universitetin Shtetëror të Tiranës, i cili njihej si një nga miqtë më të afërt të Kadaresë, në një intervistë dhënë radios “Zëri i Amerikës”, kur u pyet nga gazetari Elez Biberaj, se si e komentonte ai arratisjen e Ismail Kadaresë, Pashko u përgjegj: “Unë jam një njeri i vdekshëm dhe nuk mund të komentoj aktin e një gjeniu…”, duke e konsideruar atë si një burim shprese dhe një dritare e vetme ku shqiptarët nëpërmjet krijimtarisë së tij komunikonin me Perëndimin.

Do të ishte irrituese dhe venë në dukje se shteti shqiptar, që dikur mburrej për krijimtarinë e tij, që botohej jashtë shtetit, nëpërmjet shtypit të tij zyrtar, e kishte shpallur Kadarenë “dezertor” dhe “tradhtar”, cilësime dhe fjalor tipik komunist. E keqja qëndron në faktin, se janë shpikur tradhtarë edhe kur ata mungojnë realisht.

Ditën e nesërme të arratisjes së Kadaresë, takoj në bulevardin kryesor “Dëshmorët e Kombit” poetin Agim Shehu dhe gjatë bisedës Agimi më thotë se unë kam qenë vetë i persekutuar nga ky regjim, por Kadarenë e njoh mirë, qysh nga rinia e hershme e tijkur kemi studjuar në gjimnazin e Gjirokastrës. Edhe krijimtarinë e tij letrare e njoh mirë, por duhet pranuar e vërtetaashtu siç është, se “Ismail Kadare me artin dhe letërsinë që ka bërë, i hiqte çdo ditë nga një tullë ngrehinës socialiste”.

Është e vërtetë se Kadareja në qëndrimet dhe jetën e tij letrare, nuk e ka honepsur dhe nuk e honeps dot mediokren, nuk ka bërë asnjëherë kompromis me të, nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me letërsinë mediokre, si në procesin e krijimit, ashtu edhe në jetën e përditshme. Koha dhe jeta ka provuar se Kadareja është armik i qëndrimeve të vagullta dhe i shpalosjeve të vetkënaqësisë, i pozicioneve të lëshimeve në krijimtari, duke e mbrojtur veprën e vet me këmbëngulje e dinjitet, duke skalitur vazhdimisht lulen e vullnetit, siç do të shkruante dekada më parë poeti Lasgush Poradeci.

Vetë Kadareja ka pranuar hapur se nuk jam shkrimtar politik dhe nuk kam qenë shkrimtar disident, se ka bërë letërsi normale në një vend anormal. Por letërsia, që është me të vërtëtë letërsi, ajo që quhet letërsi e madhe, nuk ka të bëjë aspak me regjimet, rendet, format e monarkive, republikave apo sistemeve shoqërore që kanë kaluar, apo pritet që të kalojë një vend. Letërsia ka funksionin, parimet dhe ligjet e veta dhe nuk ka të bëjë aspak absolutisht me ligjet e parimet e shoqërisë. Po të ishte kështu nuk do të kishim letërsi ruse që i përket periudhës staliniste, nuk do të kishim letërsi të Amerikës Latine, sepse kanë qenë në përgjithësi shoqëri diktatoriale, nuk do të kishim as letërsi të vendeve të Europës Lindore, sepse këto vende janë sunduar nga regjime totalitariste. Laboratori krijues i shkrimtarit është gati i pazbuluar prej nesh, gati mistik, ku nuk mund të hyjë çdo mendje njerëzore, pavarësisht se temat, ngjarjet apo edhe personazhet kanë lidhje me jetën sociale dhe shpirtërore të shoqërisë.

Kadareja luftonte gjithnjë në vetvete, duke synuar e shkuar drejt përsosmërisë, por e dinte gjithashtu, se edhe vullnetet më të spikatura vetëm se i afrohen përsosjes, sa më shumë aq më mirë, sepse përsosja absolute është vetëm vepër e duarve dhe e mendjes së Zotit, jo e njeriut të vdekshëm. Vetëm për Mao Ce Dunin, thoshin kinezët, se ishte i pavdekshëm.

Klement Shalari: KUSH E ARRATISI ‘ESKILIN’ SHQIPTAR?! (2)

Please follow and like us: