Albspirit

Media/News/Publishing

VISET DHE QYTETET SHQIPTARE NË VEPRËN E ROSACCIOS NGA SHEK. XVI

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies, Budapest

Shtegtimet e udhëtarëve dhe të pelegrinëve nëpër detin Adriatik gjatë mesjetës nuk janë studiuar në masën e duhur deri tani, edhe pse ka mjaft burime të shkruara dhe literaturë të botuar. Territoret e vendit tonë gjenden që herët në hartat e udhëtarëve të ndryshëm. Në inkunabula (librat e shtypur deri në vitin 1500), ato gjenden të gdhendura në gravura bakri, plubi ose druri, si p.sh. në inkunabulën e Ptolemeut, Cosmografia nga viti 1477, për të vazhduar pastaj në inkunabulat e autorëve të tjerë si Giacomo Filippo Foresti de Bergamo (1483), Bartolomeo Sonetti (1485), Bernhard Breidenbach (1486), Francesco Rosseli (1490), Nicola Cusani (1491), Hartman Schedel (1493), Hieronym Münzer (1497), etj.

Për shkak të zhvillimeve të padëshiruara në planin ushtarako-politik dhe ekonomik, në fund të shekullit XV dhe fillimin e shekullit XVI, pas sulmeve dhe pushtimeve turke në Adriatikun lindor Venediku u detyrua të ndryshojë raportet me Levantin. Duke qenë se këto territore ishin me shumë rëndësi për ekonominë dhe politikën venedikase, Republika e Venedikut shtoi interesin për njohjen e tyre në gjysmën e dytë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, dhe në këtë kuadër vendosi të angazhojë intelektualë, hartografë dhe humanistë të njohur vendas e të huaj për përshkrimin dhe eksplorimin e resurseve që gjendeshin në ato territore. Ky interes dha rezultat në botime dhe vepra të ndryshme të shumë autorëve nga fusha të ndryshme, të cilat kishin si objekt edhe bregdetin dhe qytetet shqiptare.

Njëri nga humanistët dhe hartografët e shquar të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, që duke iu përgjigjur ftesës së Republikës së Venedikut bëri një udhëtim eksplorues nga Venediku deri në Konstantinopojë, dhe që përshkroi në mënyrë të detajuar qytetet, kështjellat dhe viset e tjera bregdetare shqiptare, ishte Gioseppe Rosaccio.

Rezultat i këtij udhëtimi eksplorues është vepra e tij me titull “Viaggio da Venetia, a Costantinopoli per Mare, e per Terra, & insieme qullo di Terra Santa, da Gioseppe Rosaccio con brevita’ descritto. Nel quale, oltre à Settantadui disegni, di Geografia, e Corografia si discorre, quanto in esso Viaggio, si ritoua. Cioe’ Città, Castelli, Porti, Golfi, Isole, Monti, Fiumi, e Mari. Opera vtile, à Mercanti, Marinari, & à Studiosi di gjeografia. In Venetia: Apresso Giacomo Franco. Stampata in Calle dalle Vele Appresso Nioclo Moretti, 1606”, vepër kjo e botuar për herë të parë në vitin 1574, edhe pse edhe sot e kësaj dite ka disa paqartësi dhe hamendje rreth kohës së botimit të kësaj vepre në tërësi dhe të pjesëve të veçanta të saj, përkatësisht gravurave/hartave.

Sipas kroatit Matković, kjo vepër e Rosaccio-s u shtyp për herë të parë në vitin 1574 në Venedik, në format in foglio, me gravura të gdhendura në bakër, me autor bakërgdhendësin e njohur të asaj kohe Marco Sadeler. Përkundër përpjekjeve tona të shumta, ne nuk kemi arritur të gjejmë këtë botim për ta konsultuar, por në anën tjetër, literatura dhe burimet janë të bollshme rreth kësaj ksomble, kështu që ekzistenca e saj nuk vihet në pyetje. Përveç Matkovićit, për këtë botim shkruajnë edhe autorë eminent si R. Gallo, L. Lago, C. Rossi, A. Kisić, D. Budiša, Z. Despot, etj, duke na dhënë informacione të sakta për ksomblën, por, për fat të keq asnjëri prej tyre nuk shënon vendndodhjen e saktë ose bibliotekën ku ruhet kjo ksombël e rrallë me vlera të veçanta, të cilën ata e kanë konsultuar për studimet e tyre.

Ribotimet e veprës së Rosaccio-s 

Pas botimit të parë, të vitit 1574, kjo vepër pati edhe disa ribotime të tjera, gjë që tregon për interesin e madh që ajo zgjoi dhe për vlerat e rralla të saj. Ribotimi i parë është ai i vitit 1598 (kjo ksombël dhe dy ribotimet e tjera, kanë nga 154 faqe dhe dimensione 29 x 21.4 cm) dhe pasohet nga ribotimet e viteve 1604 dhe 1606 po në Venedik, me gjithçka identike si botimi i 1598, dukë përfshirë këtu tekstin, numërimin e faqeve, botuesin, renditjen e gravurave etj.

Sipas bibliografëve italianë dhe të tjerë ka të paktën edhe tre botime të ndryshme në fund të shekullit XVI dhe fillim të shekullit XVII, por këto botime pa vit botimi nuk janë komplete dhe kanë mangësi te paraqitja e gravurave.

Për veprën e Gioseppe Rosaccio-s të cituar më lart gjejmë një informacion edhe në veprën “Albanica I” botim i Bibliotekës Kombëtare Tiranë, Sektori i Albanologjisë, Tiranë, 1998, f. 482-483, nr. 624, me signaturë: BK An III/5 T e cila është vendosur te kategoria e veprave pa vit botimi. Të dhënat e botuara aty janë kryesisht të sakta. Në fakt, aty hamendësohet për vitin e botimit dhe autorin e veprës: “Autori i kësaj vepre, botim i shek. XVI-XVII, mendohet të jetë Xhuzepe Rossaçio/Giuseppe Rossaccio.” Nëse shënimet e mësipërme nga Albanica I, janë të sakta atëherë ksombla që është në BKT është e njëjtë me ksomblën qe ruhet në bibliotekën e Peruggia-s ne signaturën: BAP I L 472, e cila ka të dhënat identike me ato të ksomblës që ruhet në BKT dhe do ishte exemplari i dytë që njihet deri me sot, gjë që e shton edhe më shumë rëndësinë e kësaj vepre që gjendet në fondin e BKT-së.

Roli dhe rëndësia e veprës së Rosaccio-s

Në lidhje me rolin dhe qëllim e veprës, autori i saj Rosaccio shkruan se ajo do të jetë e dobishme në radhë të parë për detarët, tregtarët dhe ata që merren me llogaritjet e largësive gjeografike, njohjen e bregdetit Adriatik dhe gjithçka që ka të bëjë me të. Megjithatë ajo zgjon interes mjaft të madh edhe për të tjerë të interesuar, sepse në të ka të dhëna dhe informacione të vlershme jo vetëm për lundrimin detar, por edhe për ata që janë të interesuar për aspektet politike, ekonomike, kulturore, fetare, klimatike dhe gjeografike të këtyre viseve të bregdetit Adriatik e më tej. Në të gjejmë përshkime të detajuara dhe të hollësishme të porteve, lumenjve, liqeneve, qyteteve, kështjellave, objekteve të kultit (katedraleve, kishave, xhamive), gërmadhave të lashta arkeologjike, rrugëve tokësore, popujve që banonin në ato qytete e vendbanime, zakoneve të tyre, veshjeve, traditës, madje edhe të ushtrive që po sulmojnë, apo që po mbrojnë pika të caktuara strategjike etj. Në anën tjetër, të dhënat gjeografike janë të paçmuara sepse përmbajnë elemente të rëndësishme për orientim përgjatë gjithë bregdetit Adriatik, përshkruhen kushtet atmosferike, veçanërisht erërat e forta, reshjet etj. Po ashtu, Rosaccio përpiqet të jetë i saktë kur shënon largësinë nga njëri port të tjetri, por për një gjë të tillë nuk ka shumë sukses. Sa për ilustrim sjellim largësinë nga Ulqini në Vlorë, që sipas Rosaccio-s është 140 Mila venedikase (1 M ven = 1733.48m), ndërsa në fakt është 94 mila nautike, (1 M = 1852m) që do të thotë se Rosaccio ka gabuar për 37.04 mila nautike më shumë. Po kështu distanca Vlorë-Korfuz, sipas Rosaccio-s është 60 mila venedikase, e në fakt është 71 mila nautike që është rreth 14.84 mila nautike më pak.

Origjinaliteti i gravurave/hartave në veprën e Rosaccio-s

Gravurat e gdhendura në bakër, të përfshira gjerësisht në këtë botim (gjithsej 74 gravura/harta të cilat janë te numëruara, por jo me renditje progresive) kishin tashmë një traditë të gjatë në botime të tilla apo të ngjashme dhe disa prej atyre që gjenden në ksomblën e Rosaccio-s janë shumë më të hershme nga koha e botimit të veprës, pra janë të punuara para vitit 1574.

Gravurat e Sadelerit të gdhendura në pllaka bakri që janë shfrytëzuar për botimin të vitit 1574, më pas kalojnë në pronësi të Giacomo Franco-s, i cili disa nga ato gravura (por jo qytetet dhe hartat shqiptare) i shfrytëzon në një botim tjetër, para botimit të Rosaccio-s nga viti 1598.

Nga botimi i vitit 1598 ne njohim 7 ksombla të cilat ruhen në këto biblioteka: Biblioteca civica – Padova, Biblioteca del Centro di documentazione francescana – Assisi, Biblioteca della Società geografica italiana – Roma, Biblioteca nazionale centrale – Roma, Biblioteca universitaria Alessandrina – Roma, Biblioteca nazionale Marciana – Venezia, Nacionalna Sveučilišna Knjižnica – Zagreb dhe Biblioteca Metropolitanea – Zagreb, në të cilat janë botuar bakërg-dhendjet e gravurave/hartave të qyteteve dhe viseve shqiptare.

Gravura e hartës në të cilën shënohen disa nga territoret shqiptare, në të gjitha botimet e ksomblës së Rosaccio-s që njohim ne, është vendosur menjëherë pas frontespicit, në faqen recto e cila nuk është e numëruar. Ndërsa gravurat e tjera të qyteteve shqiptare janë të paraqitura në këtë mënyrë: f. 25 Arbëria, përkatësisht Arbëria Venedike, nga gjiri i Kotorrit deri te Durrësi, f. 26 Ulqini, f. 27 Durrësi, f. 28 Shkodra, f. 29 Tivari, f. 30 Vlora, f. 31 kalaja e Sopotit, f. 32 Sopoti dhe kështjella Maragiritino. Ne bëmë renditjen sipas numërimit logjik të faqeve, ndërsa gravurat në ksomblën origjinale kanë një renditje tjetër p.sh. gravura e parë është ajo e qytetit të Tivarit dhe pasohet nga Vlora, Kalaja e Sopotit, Sopoti dhe kështjella Maragiritino, Arbëria, Ulqini, Durrësi dhe Shkodra.

Në asnjë vend autori nuk shënon arsyen e një paraqitje të tillë të gravurave. Ne mendojmë se kjo paraqitje assesi nuk mund të jetë ndonjë ngatërresë me rastin e lidhjes së ksomblave nga ana e botuesit-libërlidhësit. Të gjitha gravurat janë të shoqëruara me tekst në gjuhën italiane, tekst ky mjaft origjinal dhe i veçantë. Në tekst gjemë të dhëna historike dhe përshkime gjeografike për viset, qytetet, portet, kështjellat, malet, detet, gjiret, ishujt dhe lumenjtë të cilat botohen në këtë ksombël. Megjithatë jo vetëm ne, por edhe studiues të tjerë janë të mendimit se teksti nuk është pjesa më e rëndësishme e veprës së Rosaccios, por gravurat të cilat përmbajnë toponime dhe informacione të tjera të sakta, të cilat mund të përcillen vizualisht, duke lënë mundësinë për të bërë krahasime me botime të ngjashme të mëvonshme nga autorë të tjerë.

Qytetet shqiptare në gravurat/hartat e Rosaccio-s

Tivari:

Qyteti i parë shqiptar që paraqitet në veprën e Gioseppe Rosaccio-s është Tivari, i cili në atë kohë ishte nën sundimin turk. E veçanta e gravurës së Tivarit është se në flamurin, që ndodhet në kështjellën e qytetit është kryqi me shenjën e luanit, që do të thotë, se koha kur është punuar kjo gravurë daton para vitit 1571, përkatësisht para se Tivari të pushtohej nga turqit! Në këtë gravurë, kemi të paraqitur vetëm qytetin e vjetër të Tivarit, i cili është 2 kilometra larg portit detar. Muret rrethuese të qytetit shtrihen në një hapësirë të gjerë, fakt ky se qyteti po zhvillohej. Fillimisht në shekullin XV muret e qytetit kishin një formë trekëndëshi dhe qyteti përfshinte edhe para lagjet e jugut dhe të juglindjes ku ishte kisha e Shën Nikollës. Vërehet qartë se muret rrethuese dhe kullat janë të reja, më të gjëra dhe më të larta se ato të vjetrat për të plotësuar kërkesat që kishte vënë Venediku për fortifikimin e qytetit. Në anën lindore të qytetit është paraqitur një kullë e ulët, e cila mesa duket është pjesë e fortifikimeve të mëhershme. Pjesën qendrore në këtë gravurë e zë një pallat i madh, të cilin e kishin ndërtuar venedikasit në qendrën e vjetër të qytetit, ndërsa në verilindje, na paraqitet kisha e Shën Premtes e cila është me mure rrethuese e kthyer nga lindja. Sipas gravurës së Rosaccio-s, hyrja kryesore në qytet ishte në anën jugore përmes kullës e cila të çonte në rrugën kryesore. Po ashtu jashtë mureve rrethuese të qytetit vërehen disa vendbanime ku në jug dhe në jugperëndim dominojnë katër kisha.

Ulqini:

Qyteti tjetër në vazhdim i paraqitur në gravurë është Ulqini, i cili po ashtu si edhe qyteti i Tivarit kishte rënë nën pushtimin turk në vitin 1571. Element i  veçantë edhe te qyteti i Ulqinit është se flamuri i cili paraqitet në kështjellën kryesore të Balshajve mban shenjën e kryqit, gjë që bën të kuptohet se kjo gravurë, ashtu si edhe ajo e Tivarit është punuar para vitit 1571, pra para se qyteti të pushtohet nga turqit. Kulla e Balshajve, e cila daton nga shek. XIV, në kohën kur Ulqinin e pushtojnë Balshajt, duke e bërë kryeqytetin e tyre për Zetën, dhe pas tyre Venediku, të cilët e administrojnë deri në betejën e Lepantos, në vitin 1571, kur bie nën sundimin turk. Element dallues në këtë gravurë është busulla orientuese, e cila është paraqitur me shigjeta orientuese të cilat tregojnë lëvizjen e erërave. Lindja nuk është shënuar me shkronjën T (tramontana), por vetëm me shigjetën që tregon pjesën kryesore magnetike.

Në këtë gravurë, Ulqini na është paraqitur në një format të zmadhuar për të pasur një pasqyrim sa më real. E tërë vija bregdetare është stilizuar. Qyteti është i vendosur në gadishull dhe është rrethuar me mure. Pjesa më e fortifikuar është ana jugore, ku bregdeti është më i cekët. Tërë qytetin e dominon kulla e Balshajve e cila është paraqitur në anën veriore ku ndodhet edhe sot. Në kullë vërehen rindërtime të cilat i ka bërë administrata venedikase. Në muret rrethuese të qytetit dallohen gjashtë kulla të larta, me rindërtime venedikase. Në anën jugore është porta kryesore që të shpie në port. Më në jug të kështjellës së Balshajve vërehet një kishë trinefëshe, e cila më vonë u shndërrua në xhami.

Shkodra:

Gravura e Shkodrës është paraqitur jo vetëm me kështjellën dhe qytetin, por në një hapësirë më të gjerë me rrethinën dhe vendbanimet e tjera në afërsi, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës, Drinit, qytetin e Drishtit, Danjës dhe Shirgjin. Rosaccio e vë qytetin e Shkodrës në një kështjellë ku dominon flamuri me shenjën e gjysmëhënës, që do të thotë se në atë kohë Shkodra ka qenë e pushtuar nga turqit. Gravura duhet të jetë punuar gjatë udhëtimit të autorit në këtë qytet. Në kështjellë dominon kulla kryesore. Në anën lindore vërehen rindërtimet venedikase, ndërsa në jugperëndim vërehet një objekt kulti që mban sipër shenjën e gjysmëhënës. Lumi i Bunës është paraqitur shumë i gjerë, me një urë që lidh qytetin dhe që ekziston edhe sot e kësaj dite. Kështjellat e vendbanimeve periferike janë paraqitur mjaft të varfra stilistikisht, dhe pa shenja përkatëse identifikuese. Afër Bunës është paraqitur kompleksi i lashtë monastik i Shën Sergjit dhe Bakut (Shirgji).

Durrësi: 

Njëri prej porteve më të rëndësishme shqiptare, Durrësi paraqitet bashkë me hinterlandin e tij në gravurën e Rosaccios. Në qytet dominon kulla e lartë në të cilën është shenja e flamurit me gjysmëhënën, element ky që tregon se Durrësi në atë kohë ka qenë i pushtuar nga turqit. Gravura pra është punuar gjatë udhëtimit të Rosaccio-s. Qyteti paraqitet i rrethuar nga mure të gjera dhe të larta, ku dominojnë tetë kulla, dy nga të cilat të stilit venedikas. Vërehen dy porta: ajo lindore që të shpie në port, dhe ajo jugperëndimore që të lidh me hinterlandin. Në veriperëndim vërehen rrënojat e qytetit të lashtë antik Porto Romano. Qyteti dominohet nga kulla e lartë, të cilën venedikasit e kishin rindërtuar në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë. Po në veriperëndim të Durrësit, paraqitet porti i Shëngjinit, me një kullë të lartë dhe me një kishe trinefëshe. Rreth murit të qytetit në det vërehet një numër i madh anijesh turke të cilat janë ankoruar për mbrojtjen e qytetit.

Vlora: 

Vend të veçantë në gravurat e qyteteve shqiptare të Rosaccio-s zë Vlora, e cila ka një paraqitje impozante, me kështjellën dominuese dhe hinterlandin e saj mjaft të detajuar. Kështjella e Vlorës është me mure të larta dhe të gjera ku dominon kulla e rindërtuar venedikase nga fundi i shekullit të katërmbëdhjetë në të cilin vërehet gjysmëhëna si element i pushtimit turk. Kjo kështjellë dominuese në gravurë, ndodhet në port. Hyrja në kështjellën e Vlorës është nga ana jugore, ku vërehet një portë e lartë. Edhe gravura e Vlorës, pra, është punuar gjatë udhëtimit të Rosaccio-s, kur ajo ishte nën sundimin turk. Të gjitha objektet e larta kanë sipër shenjën e gjysmëhënës. Në verilindje dominon kështjella dhe qyteti mesjetar i Vlorës, i cili ndodhet mbi një kodër dhe në distancë nga porti. Edhe kështjella dhe qyteti mesjetar e kanë hyrjen nga jugu, nga ku lidhet me pjesët periferike të hinterlandit dhe me  portin. Në gjirin e Vlorës vërehet po ashtu një numër galerash turke te destinuara për mbrojtjen e qytetit nga sulmet venedikase apo nga sulme të tjera. Qyteti i ri i Vlorës është zhvilluar dhe rindërtuar në anën perëndimore të kështjellës dhe të qytetit të vjetër. Sipas Rosaccio-s, Vlora ishte banuar në pjesën më të madhe nga hebrenjtë, të cilët sipas tij ishin të ardhur nga Ankona.

Sopoti:

Në veprën e tij Rosaccio ka paraqitur edhe kështjellën e Sopotit. Ajo gjendet mbi një kodër të lartë, e cila është e rrethuar me mure të larta ku dominojnë tre kulla. Sipër kullave janë flamujt me kryqe, shenjë që tregon se kështjella e Sopotit ishte akoma nën sundimin venedikas. Në jugperëndim të kështjellës vërehet një mur i varoshit dhe një para lagje që lidhet me kështjellën me anë të portës që gjendet në jugperëndim. Në jug të kështjellës vërehet kampi i ushtrisë turke, topat që hedhin zjarr drejt kështjellës, si dhe disa formacione ushtarake të përgatitura për luftë. Në verilindje të kështjellës vërehet kampi i ushtrisë së krishterë. Në det vërehen disa galera të krishtera në flamujt e të cilave bie në sy kryqi. Ato janë në pozicion luftarak, sepse sulmet e tyre i janë drejtuar kampit armik që po sulmon kështjellën.

Kësaj radhe po botojmë faksimilet e gravurave nga viti 1606 së bashku me frontespicin e librit, për shkak të cilësisë më të mirë të riprodhimit digjital të tërë librit të cilin disponojmë dhe sepse ato janë me ngjyra.

Kush ishte Gioseppe Rosaccio

Giuseppe Rosaccio lindi në vitin 1530 në Pordenoneu. Studioi filozofi, drejtësi dhe mjekësi në Universitetin e Padovës, ku edhe laureohet me titullin doktor i shkencave. Pas përfundimit të studimeve vendoset në Tricesimo në afërsi të Akuilesë, ku përveç profesionit të mjekun, ushtron edhe detyrën e gjykatësit të qytetit. Duke qenë se kishte një traditë intelektuale familjare, kohën më të madhe ia kushtoi studimit të historisë, gjeografisë dhe të kronologjisë, shkenca në modë në atë kohë. Gjatë jetës boton një numër mjaft të madh veprash nga fusha e mjekësisë, gjeografisë dhe shquhet edhe për debate të njohura filozofike. Disa nga veprat më të njohura të tij janë: “Teatro de Cielo e della terra”, Venetia, 1595, “Mondo e le sue parti, cioe Europa, Affrica et America”, Venetia, 1596, “L’esposizioni sopra la geografia di Claudio Tolomeo, Venetia, 1599, vëll. 1-7, “Microcosmoso”, Venetia, 1600, “Il viaggio per mare e per terra di Costantinopoli e di terra santa”, Venetia, 1601, “Mondo elementare e celeste”, Venetia, 1604, “Viaggio da Venetia, a Costantinopoli per Mare, e per Terra”, Venetia,1606” (1598, 1604).

Please follow and like us: