Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: DASHURIA NË ART 

Ese
Në të gjitha artet është përvijuar shumë edhe tema e dashurisë , si një fenomen gjithnjë në zbulim e sipër. Por si është ndërtuar marrëdhënia e dashurisë brenda marrëdhënieve jetësore, në të gjithë kohët? Ajo shpesh është idealizuar , është profanizuar , është krijuar një botë e tërë për të.
Në art, përgjithësisht, në të gjitha format e tij, është folur në tërë mënyrat për një lloj lirie të veprimit dhe mendimit, që lidhet edhe me lirinë e dashurisë apo të jetës seksuale. Por ende dhe kurrë nuk do të jemi të lirë nga paragjykimet dhe manitë. Sidomos, këto të fundit, s’ mund të jenë kurrë liri. Mendoj se po të kishim qenë krejtësisht të lirë, mbase edhe nevoja për art nuk do të kishte qenë. Në këtë kontekst, më vjen ndërmend piktura e Klimtit apo Pikasosë, si një kërkesë për çlirim nga fshikëza e ekzistencës që shkon deri tek kufijtë prehistorikë me përmasën e së cilës Adami ishte thjesht Mashkulli, dhe Eva, Femra. Më kujtohet edhe Miltoni me vjershën e tij për Evën dhe Adamin, në atë kohë lakuriqësia s’ ishte turp dhe dashuria ishte lumturi, gjer për të ardhur kohëra të tjera që zhvilluan proceset e reja në jetën e dashurisë. Nëpër farkëtimin e këtyre proceseve kohore hyjnë edhe ndjenjat e Moralit, Nderit, Vitrtytit, etj. Duke i thënë njëherë e përgjithmonë lamtumirë asaj lumturisë së dashurisë së pafajshme. Ndaj dhe Klimti, apo Egon Shili e të tjerë , me krijesat e tyre piktorike, me ngjyrat , duan të na rikthejnë diçka nga ajo botë e humbur. Na ringjallin përpara syve krijesa të rafinuara që shkojnë gjer në pafajësi ose ngërthehen bashkë pafajësia dhe mëkati (  fjala mëkat hyri pas fjalës pafajësi), bukuria dhe ndyrësia, harmonia dhe çrregullimi.  Dashuria,  apo marrëdhënia seksuale, sipas meje nuk vjen si vartësi e robëri, por si një nevojshmëri për t’u çliruar nga fshikëza e vetmbrojtjes, e dyshimit dhe pasigurisë. Ajo që dua të theksoj në këtë shkrim është se për të arritur gjer tek dashuria , shpesh na duhet të takojmë shumë vështirësi dhe nganjëherë kthehet në pamundësi. Sepse ajo, ka humbur rrugën e drejtpërdrejtë siç ndodhi në zanafillë dhe njerëzit e veçanërisht artistët e kërkojnë atë nëpër rrugë dhe forma të ndryshme. Sepse edhe vetë dashuria nuk mund të rrinte pa u ndikuar nga zhvillimet e ndryshme të feve, të qytetërimeve, por edhe nga vetë Artet! U ngritën kultet e dashurive të mëdha si ajo e Romeos e Zhulietës, ajo e Dantes për Beatriçen e vet, dashuri të dënuara, këto, ndaj dhe u kultëzuan. Shumë nga shkrimtarët e mëdhenj të të gjithë kohërave kanë dhënë shembuj të lartë frymëzimi mbi dashurinë. Khajami në njërën prej strofave të ” Rubairave” shkruante;
           Dhe kur të shkosh
           Moj dor’ e këmb’ argjende
           Për të gostitur miqtë n’ ato vende
           Ku pinim bashkë e t’ arrish ku rri
           Mos psherëtit!- po zbrazmë kupën                                                                     tënde!
Por ndryshe nga ai , shkruan Verleni për një dashuri imagjinare, të panjohur për të, por që është brenda mendjes. ” Njē grua që se njoh, që e dua dhe më do”. Gjithashtu, ” Asaj që shkoi” e Bodlerit, është një nga poezitë më të bukura që janë shkruar. E gjen tek Noli të përkthyer mjeshtërisht, ashtu siç është edhe rasti i ” Korbit” të Poes, rast ky se si fjala shqipe mund të kthehet në muzikë , madje nganjëherë mund ti rrisë vlerën edhe vetë veprës. ” S’ të shoh vallë, veç në jetën e pasosur?” Të gjitha keto, duket se përmbajnë në vetvete një peng, një dëshirë dashurie të papërmbushur. ” Asaj që shkoi” i përket dashurisë së Rastësisë, diçkaje që të vjen vetëm një çast përpara syve dhe zemrës për t’u zhdukur përgjithmonë. Fjala dashuri mbështetet edhe në fjalën besim, atëherë ç’ të jetë vallë kjo ndjenjë kaq e beftë dhe tronditëse për poetin? Ai sheh bukurinë e saj dhe shtanget, dhe atje kupton edhe pamundësinë për të shijuar këtë bukuri që shkon udhës së vet. Pra, më shumë se dashuri a nuk është ky një përdëllim seksual? Ndryshe nga ” Anabel Li” e Poes, që përkundrazi, ishte një besim dashurie i mbështetur në një përvojë të thellë njohjeje;
   Dashuria që kishim ishte më e fortë
                                            se çdo dashuri
Se ka pasur as plak as i ri
As i marrë a i urtë njeri
Dhe as engjëjt e qiellit në erë
As demonët përposh në skëterrë.
  Ashtu si në çastin e papërsëritshëm të një dashurie që s’ kthehet tek Bodleri,  gjejmë një tjetër dashuri , dashurinë e Pathënë, atë të ndrojturën, ose të pamundurën. E gjejmë tek Aleks Feliks;
   Kur të këndojë këtë vjershë e çuditur
Pyet se ç’ grua qe dhe s’ di që ish vetë ajo.
   Shembullin e një dashurie të Humbur e gjejmë tek Poradeci, për hollandezen e bukur që e ndjek kudo por s’e arrin dot. Ai ishte si një zog qiejsh , që nga fundi i vetvetes do të këndojë një mall të ri e të pashuar. Ashtu si Matisi në pikturë, me vallen e vashave, me dritën e purpurt, edhe Lasgushi çan nëpër qiej në valle me yjet, mes dashurisë së tij fatkeqe.
    Dhashë disa raste kur janë shkruar vërtet poezi të fuqishme dhe secila me një tipar të ndryshëm, që e dallon. Por raste të ngjashme i ndodhin gjithkujt. Dhe i mbetet një peng në zemër. Dhe pengjet nganjëherë kthehen në perla. Në krahasim me dashurinë, që nisi në zanafillë me Adamin dhe me Evën, mishërim ky i plotë dhe i pacënuar , asnjë nga këto që përmenda nuk është e ngjashme. Prandaj dua ti jap të drejtë Miltonit kur shkruante;
     O nder i turpshëm, bir i mëkatës
     Sa shumë e turbullove njerëzimin
     Dhe zhduke nga kjo jetë lumturinë
     Dhe çiltërsinë dhe pafajësinë e dlirë.
Përse pra, fjala liri në dashuri, është kështu afër dhe larg nesh, njëkohësisht? Cila është ekzistenca jonë dhe përse jetojmë? Mos vallë prej dëshirës sonë për të arritur të pamundshmen , shijen e asaj që na është ndaluar? Po përse na u desh që të vinim gjer këtu? Mos vallë sipas Frojdit, pasi kapërcejmë vetëm një pjesë të vogël të fëmijërisë , ku na lejohen disa gjëra( edhe ato me recetën e prindërve tanë), më pas bëhemi të gjithë të sëmurë dhe instiktet tona hyjnë në kthesa të rrezikshme? Ku ndihemi më mirë, mes realitetit apo ëndrrës? Fjala ëndërr ka ardhur për të na shpëtuar prej vetes? A duhet të besojmë në dashurinë? Dashuria êshtë një simbol i shpikur për të përligjur përdhosjen e vlerave njerëzore, apo u krijua si vlerë? A duhet parë dashuria si një kult, si një çlirim nga vetja? Çdokush e gjen rrugën e çlirimit dhe të ndjenjave hyjnore për pak çaste , por pothuajse tek askush , ato janë të qëndrueshme. Ndaj njeriu ia vlen të jetojë edhe për këto pak çaste që herëpasherë ia rrëmben gati me dhunë parajsës së humbur. Këto pak çaste janë ato që na gënjejnë mbi përfytyrimin e asaj që poetët e quajnë dashuri dhe flasin për të si për një gjë të përjetshme e që do të vdesë bashkë me ne. Kështu besonte Dantja në dashurinë e tij për Beatriçen, kështu na ndodh pak a shumë të gjithëve. Po a nuk ka ardhur koha ti shohim gjërat ndryshe, ashtu siç janë në të vërtetë? Dua të theksoj atë kultin e burrit apo gruas ideale, që është ngritur gjatë shekujve dhe vazhdon edhe sot. Atë lloj gruaje dhe burri siç e mendojmë dhe e duam ne dhe jo si janë në të vërtetë. Përse duhet të vazhdohet të shkruhet për burrin apo gruan ideale me një lloj maniere personale siç është bërë gjithnjë, por më gjerë, si diçka që është pjesë e jetës, e plotë dhe e pavarur nga ne? Do i referohem Herman Heses ” Të duash nuk do të thotë të kesh, por vetëm të duash”. Përshembull ta shohësh një grua të bukur thjesht si  të gjitha gratë , ose thjesht grua, madje tërësisht si fenomen dhe jo me mani, as me ndjenjë pronësie apo kulti. Kjo është më e mira që mund të bëhet tani. Duke iu referuar shembujve të poezisë si ajo e Poes dhe poezisë së Bodlerit , dua të shtoj se jo të gjitha fenomenet mund të quhen dashuri në kuptimin e plotë e të vërtetë të fjalës. Shpesh takojmë vetëm disa reflekse të saj që unë do i quaja Magjepsje. Dashuria duhet të jetë e pa interes me të gjitha, siç thotë Hesse , për ta përmbushur vetveten. Por ne, si fillim, ngatërrojmë shpesh fjalën dashuri me tërheqjen seksuale, sepse dashuri nuk mund të ketë pa u mbështetur tek besimi në atë që dashuron. Por edhe kur ka dashuri mes burrit dhe gruas , shpesh ajo hyn në krizê, kur mes tyre shfaqet i Treti. Përse ky i tretë, apo tradhëtia hyn shpeshherë mes një çifti? Në të shumtën e rasteve, në martesë apo në lidhjen mes dy njerëzve, ka pasur përveç dashurisë edhe edhe një lloj komoditeti e mirëqenieje për të jetuar dhe frika për të mos humbur atë që kanë arritur , i bën të mbajnë larg atë të tretin. Pavarësisht nga kjo, dhe shembullin më të mirë na e jep romani ” Ëndërr e dyfishtë” i Artur Shnitlerit, pa u njollosur në shoqëri dhe duke krijuar konflikte të thella , shpesh ata e tradhëtojnë njëri- tjetrin në ëndrrat e tyre që s’ është gjë tjetër veç asaj që do donin vërtet të bënin.
    Thashë më lart se përveç dashurisë Adam- Evë , të lirë e të papenguar, të gjitha dashuritë e tjera kanë qenë të ballafaquara me dikë, ne opinionin, në pamundësinë, në pabarazinë, etj. Ndaj për ti shpëtuar zhgënjimit të madh shpirtëror, u shkruajtën edhe perlat e Petrarkës, Shekspirit, etj. Nga kjo mendoj se u bë edhe një arsye më shumë mbi origjinen e arteve. Dhe njeriu, më shumë se me dashuritë është dehur me magjepsjet e tyre. Dhe magjepsja nuk është tjetër veç një iluzion mbi përndritjen dhe devocionin. Ndaj do të thoja që Magjepsja është si një ligjvënëse, na tërheq në kurthin e saj duke na e mbushur trurin me ëndrra . Një fillesë që ndihmon në ndërtimin e të gjitha godinave të Mahnitjes dhe kjo se mungon në vetvete liria për të përmbushur në çast një dëshirë.
   Shqyrtova dashurinë brenda marrëdhënies njerëzore dhe artit dhe m’u desh  t’i referohem shpesh Adamit dhe Evës. Por siç e thashë, ata kanë një fat që të tjerët kurrë nuk e kanë patur. Mungesa e atij të Tretit. Po të kishte qenë i treti, çdo të kishte ndodhur vallë me ta? Do të flinin së bashku në mirëkuptim e paqe, apo do të lindte zilia, pengesa, përzgjedhja, urrejtja? Po pas të tretit, a nuk erdhën të tjerê?
Ndaj tema e dashurisë në art, mbetet gjithnjë e cunguar. Dhe në fund të fundit, dio të mbetet gjithnjë një temë pa fund.
Ese e botuar tek gazeta ” Drita”, 12 maj 2002.

 

Please follow and like us: