Albspirit

Media/News/Publishing

Godina e Bankës Kombëtare Tregtare në Durrës pret restaurimin e vonuar

Gëzim Kabashi

Në fllimit të vitit 2022 pritet të fillojë restaurimi i godinës së Bankës Kombëtare Tregtare në Durrës, monument kulture i kategorisë së dytë. 

“Godina e Bankës, që u ndërtua në fund të viteve 1920 është edhe sot mjaft funksionale – thotë për BIRN 77-vjeçari nga Durrësi.

Por mbi të gjitha njëlloj si të gjithë ata që kanë patur rast të kalojnë pranë saj, edhe Flamuri vlerëson arkitekturën e mrekullueshme dhe zgjidhjet arkitektonike në mjediset e brendshme.

Ajo është një nga ndërtesat më përfaqësuese të qytetit bregdetar.

Flamurit i vjen keq që nuk mund të hyjmë brenda në godinë, pasi ajo i ka mbyllur dyert për publikun dhe për klientët që nga qershori i vitit 2018.

Drejtoria e Bankës vendosi në atë kohë ta restaurojë plotësisht banesën, por megjithëse kanë kaluar 3 vjet e gjysëm ndërtesa është krejtësisht e heshtur.

Fasada e saj filloi të rrënohet edhe më tej, sidomos pas dy tërmeteve të shtatorit dhe të nëntorit 2019.

Sidoqoftë, godina që ka marrë statusin “Monument kulture i kategorisë së dytë” nuk ka pësuar asnjë ndryshim.

Arkitektja Lida Miraj, e cila ka përgatitur projektin restaurues tha për BIRN se gjithçka do të rikthehet në pamjen që ka patur godina, që u projektua gati një shekull më parë nga arkitekti italian Vittorio Ballio Morpurgo.

Sipas Mirajt, restaurimit do ti nënshtrohen interierët dhe mobiljet që kanë mbërritur nga periudha para luftës.

Projekti i restaurimit ka marrë miratimin e Institutit të Monumenteve, dhe me fillimin e punimeve gjithçka duhet të ndiqet nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore.

Por heshtja në godinën e hijshme dhe mungesa e informacionit i ka bërë skeptikë qytetarët durrsakë.

Një tjetër godinë e ndërtuar në vitet 1930 në kodrën mbi qytet vazhdon të jetë në të njejtën gjendje të vitit 1997, kur u plaçkit nga keqbërësit.

Ndërtesa e njohur si Vila e Zogut apo godina e ish-hotelit “Vollga” në Durrës janë tregues i mungesës së kujdesit nga pronarët dhe institucionet.

Ndërkaq, e zbrazur nga nëpunësit prej më shumë se 40 muajsh njoftimet për të ardhmen e restaurimit të bankës kanë munguar krejtësisht.

Drejtoria e BKT para një jave iu përgjigj kërkesës për informacion nga BIRN, duke shkruar se “Fazat e punimeve parashikojnë përforcimin konstruktiv të godinës, rehabilitimin e fasadës së jashtme, si dhe rikonstruksionin e plotë të ambienteve të brendshme të saj”.

Ndërsa më tej një lajm i mirë: “Punimet e zbatimit parashikohen të nisin në fillim të vitit 2022 – shkruhet në përgjigjen e BKT për BIRN.

Historia e godinës së Bankës është një paralele e jetës së qytetit bregdetar gjatë 100 vjetëve të fundit.

Godina e Bankës përfundoi në vitin 1928, duke shkaktuar një dëmtim për monumentet mesjetare në qytet.

Themelet e saj ndodhen mbi kullën juglindore të fortifikimit bizantin, i cili njihej si “bastioni i madh”.

Mbi hyrjen impozante të bankës ndodhet monumenti I një gruaje, që përfaqëson në mënyrë simbolike begatinë dhe që për disa kohë hapi diskutimin nëse I takonte figurës së mbretëreshës ilire Teutë.

Shumë pranë bankës sondazhet e kryera në vitin 2017 gjatë punimeve për realizimin e projektit “Veliera” nxorrën në dritë elemente të tjerë të fortifikimeve antike dhe mesjetare.

Ish-drejtuesi I Bankës Flamur Hidri tregon se një pjesë e dokumentacionit përfshirë edhe projektet fillestare të godinës janë dërguar në Tiranë.

“Në vitin 1997 një grup grabitësish tërhoqën me automjet dhe shkulën një nga zgarat mbrojtëse të dritareve të ndërtesës – tha Flamur Hidri për BIRN.

Pasi dështuan për hapjen e kasafortës së madhe në bodrum, u përpoqën ta shpërthejnë atë me eksploziv, por sistemi perfekt i sigurisë e mbrojti më së miri thesarin – kujton Flamuri ngjarjet e hidhura të vitit të mbrapshtë.

Duke folur për kushtet optimale të punës në Bankën me moshë 93-vjeçare, drejtuesi në pension vizaton mbi letër shkallët e apartamenteve të familjeve të punonjësve që deri në fillim të viteve 2000 banonin në mjediset e bankës.

Ai e quan fatkeqësi tjetërsimin e disa prej elementeve dekorativë të sallës së madhe të shërbimit ndaj klientëve.

“Kolonat e larta të sallës, me kanale kanelyra janë mbushur padrejtësisht me allçI, duke ia humbur nurin që kishin që nga ndërtimi – thotë Flamuri.

I tregoj Famurit për përgjigjen e drejtorisë së Bankës, që shkruan se “Proçesi për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e godinës së Bankës Kombëtare Tregtare Durrës, mendohet të realizohet brenda vitit 2022”.

I gëzohemi këtij lajmi, duke vazhduar shëtitjen tonë rreth ngrehinës së boshatisur por të mrekullueshme, me vlera historike dhe arkitekturore.

Please follow and like us: