Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Dantja i përbotshëm

https://vivadante.it/dante_mondo/

700 vjet nga vdekja e shkrimtarit më të madh italian, Dante Alighieri

Në kohët e sotme nuk ka asnjë dyshim që filozofi dhe poeti fiorentin Dante Aligeri është një kryemajë planetare, i pangjashëm me askënd dhe i paarritshëm nga askush. Jetoi pak, vetëm 56 vjeç, i pakursyer nga malarja, shkroi latinisht dhe italisht dhe u konsiderua që në gjallje një personalitet i madh, në kapërcyell të Mesjetës dhe Kohës së Re. La pas pak libra: “Jeta e re”, “Rimat”, “Gostija”, “Mbi gjuhën popullore”, “Monarkia”, “Letrat” dhe në fund të jetës “Këngët bariotore”.

Vepra kryesore ‘Komedia Hyjnore’, një udhëtim imagjinar dhe njëjavor i autorit, 18-25 Prill 1300 në Ferr, Purgator dhe Parajsë, përkatësisht me 9, 7 dhe 9 rrathë është një zhbirim i fateve njerëzore në mbretërinë e përtejjetës, pra në atë të vdekjes. Në moshën 35 vjeç, i gjendur në një pyllnajë të errët, i vjen në ndihmë fantazma e Virgjilit dhe të dy së bashku rrugëtojnë në mbretëritë e përjetshme.

Në mbretërinë e Ferrit ndëshkohen me dënime të lehta të pangopurit dhe kopracët, me dënime të mëdha ndëshkohen dhuntarët e tradhtarët, madje këta të fundit gjenden të zhytur në akujt e përjetshëm.

Në malin e Purgatorit ndëshkohen të dënuarit e dashurisë, përfshi dashurinë qe s’duhet, dashurinë pa pasion të mirë, dashurinë me pasion të tepruar, pra veset dhe epshet dashurore.

Ndryshe nga dy mbretëritë e mësipërme, në Parajsë poeti shoqërohet nga Beatriçja në 9 qiej: të Hënës me shpirtrat e të harruarve, të Mërkurit me shpirtra e punëdobishmëve, të Venerës me shpirtrat dashurues, të Diellit me kishtarët e ditur, të Martit me luftëtarët e mbrojtjes së fesë, të Jovit me princat e drejtë, të Saturnit me shpirtrat soditës, të Yjeve me triumfuesit dhe “Qielli i pari lëvizës” në trajtën një trëndafili të bardhë.

Komedia dhe fama e Dantes erdhi më e madhe pas vdekjes së tij, në epoka të tjera të zhvillimit njerëzor. As gjuha italiane që e sanksionoi vetë Dante dhe që renditet e 21-ta në planet dhe as përkatësia kristiane (1 e treta e botës janë të besimit të krishterë) nuk janë shpjeguese për famën e autorit që u bë ndërgjegje europiane dhe më gjerë.

Dante studiohet dhe ripërkthehet në të gjitha vendet dhe ai është në një farë mënyre një zot në mbretërinë e tij të pazhbëshme. Ka tashmë një mumër të madh shkrimtarësh dhe artistësh të mëdhenj që i referohen apo frymëzohen nga Dante, një majë e pakapërcyeshme e letërsisë, përfshi nobelistët grekë Seferis dhe Elitis apo shkrimtarin më të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Bota njerëzore ka njohur shumë perandori që lindin, zmadhohen, zgjerojnë territoret dhe më në fund bien, përkundër tyre perandoria e letrave e Dantes zgjeron hapësirat falë një talenti të jashtëzakonshëm dhe të temave të trajtuara që janë aktuale edhe për botën moderne.

Dante dhe shqiptarët

Dihet se kjo poemë u shkrua për 8 vjet, secila pjesë ka 33 këngë, përjashtuar Ferrit që ka edhe një strofë hyrëse dhe përmban gjithsej 14.233 vargje njëmbëdhjetë rrokëshe. Pikëtakimi i parë i Dantes me shqiptarët vjen 570 vjet më vonë, në vitin 1895 kur “Komedia Hyjnore” është përkthyer në arbërishten e Italisë nga Luigi Lorecchio, po fakti që arbëreshët janë gjendur në këtë vend qysh në shekulllin e pesëmbëdhjetë dhe që ishin dygjuhësa njohja me të ka ndodhur dy shekuj më parë. Në vitin 1900 botohet përkthim i një pjese të Këngës V, të Paolos dhe Françeskës, në revistën e arbëreshëve të Italisë, “La Nazione Albanese”, me autor Sokol Baazi, ndërsa Vinçens Prennushi botoi më 1924 këngën XI të Parajsës.

Këngë të veçanta të poemës janë sjellë në shqip nga Ernest Koliqi, në antologjinë e përgatitur prej tij, “Poetët e mdhej t’Italis”, botuar në 1932, ndërsa Nikollë Dakaj përktheu pjesë të Ferrit në vitet ‘30 nën pseudonimin Basho Jona. Në 1937, Kristo Floqi solli në shqip tek revista kulturore ‘Leka’  këngën XXXIII. Përkthimi i parë e i plotë i veprës u bë nga Pashko Gjeçi dhe u botua në Tiranë nga botimet “Naim Frashëri” në 1960, ndërsa nën kujdesin e Ali Podrimjes u publikua në Prishtinë më 1981 nga botimet “Rilindja”.

Përkthimi i Mark Ndojës i bërë në vitet pesëdhjetë gjeti dritën e botimit në 1998 nga botimet “Dituria”, ndërsa në 2000 u botuan dhe përkthimet e tij për Purgatorin dhe Parajsën. Përkthime të tjera të mëvonshme janë ato të Çezar Kurtit me Ferrin në vitin 2000, të Meritan Spahisë po me Ferrin në 2016, ndërsa në 2018 në Tiranë u botua përkthimi i Ferrit nga Hektor Shënepremte.

Kurorën e këtyre përkthimeve e përmbyll sprova e Ismail Kadaresë, “Dantja i pashmangshëm”, botimet “Onufri”, 2005. Kadare thotë se “Dante nuk ishte lidhur vetëm me terrnajën tonë. ‘Komedia Hyjnore’ e tij ishte, me sa dukej e vetmja në botë, që rrezatonte po aq fuqishëm edhe zinë edhe dritën… Duke rrëfyer rrugëtimin e tij të vetmuar në botën e të vdekurve, ai u tregoi sivëllezërve të vet poetë, qofshin ata rusë, shqiptarë, baltikë a kinezë, se gjendja natyrale e shkrimtarit të madh është pikërisht ajo: të udhëtojë i gjallë midis vdekjes. Të pajeta shtrihen para tij mbretëritë, vrasësit, tiranët, orizoret, stuhitë, vetë ajri që i prodhon ato. Përbindëshat dhe rreziqet janë rrotull tij, por ai ka një përparësi: ai është i gjallë, ndërkohë që ata s’janë. Ndaj fjalët e Virgjilit ‘mos u tremb, është një stuhi e vdekur’, përbëjnë formulën e shpëtimit për shkrimtarin. Gjithë thelbi i ‘gjendjes’, rrjedhimisht i fatit të tij, përmblidhet në besiin ose jo të kësaj formule”.

https://www.botasot.info/kultura/1725620/dantja-i-perbotshem/

 

Please follow and like us: