Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: SHKRIMTARI

Tregim

 

Zbrisnin të heshtur në tatëpjetën e sokakut të të marrëve, emër që prej kohës së largët, kishte mbetur herë si damkë, e herë si mallkim, duke u mbajtur me duar për muresh. Mbi popëlat e lagura prej shiut, kërcinjtë, nën çapokët e gjurit, të çmësuar, dridheshin si thupra thane kur i lëkund era. Gurë të ftohtë, të shtrembër, cinikë.

Ai para dhe arkitekti pas. Zbrisnin pa fjalë dhe bashkë me heshtjen e tyre, edhe vetë tragjeditë sikur e kishin humbur udhën.

-Të ngjan vetja pak i marrë? – pyeti më shumë veten se arkitektin, sikur përtej, në fund, të ishte vetë koha dhe ku ata s’mund të shkelnin, pasi mund t’i akuzonin si vrasësit e fateve të tyre.

-Ç’thua, mo, je në vete? – ia ktheu i tromaksur arkitekti me një zë si angullimë ujku të plagosur.

– Mua më ngjan! – tha prerazi sikur deshi t’i ngulte një shtizë mu në thelb të kujtesës, për të plagosur të vërtetën se aty poshtë sokakut gjendej një lumë i nëndheshëm dhe sipër tij një lumë i mbidheshëm.

Dhe qeshi. Arkitekti mblodhi supet e ngushtë dhe sikur kërkoi të zbresë në thërmola të vetes e të kuptimit. Në zhgënjim, si fantazmë a në prushanën e ferrit, arkitekti e ndoqi pas verbtazi deri sa mbërritën në shtëpinë e rindërtuar, të mbushur përplot.

Hahaha. Të gjitha vrimat e mureve ishin mbushur me pyetjet tinëzare. Pse erdhi tani? Nuk gjeti kohë tjetër me diell? Po shi, shi…? C’qëllime ka? Kë takoi? Mbahet, mbahet akoma? Po të tijtë kanë ardhur? Takoi njeri? Po ajo ka ardhur? Apo ka tjetër tani? Ehu… Ta marrim vesh njëherë e mirë mor jahu …! Ku flet ai, është nopran. Sa do të rrijë këtu, mor aman? Do shkruajë ndonjë gjë, apo …? Kur do të ikë? Po karabinanë kujt do t’ia lerë? Ehu… sa e shtiu në dorë deshi…! Pijini lëngun premtimit për t’ia falur bashkisë?

Ushtri a lukuni?

Stera dhe pusi në hajatin e poshtëm gjëmonin nga ujërat. Gjëmimi ishte si dhimbje.

Si një dhimbje e pikëlluar në shpirt.

Ai u ngjit në hajatin sipër dhe shpura e ndoqi pas. E bindur. Kokëulur. Fare afër, u afrua pastaj një guximtar, burrë i thyer në moshë, me sytë që shkëndijonin prej dëshirës dhe kureshtjes.

-Më mban mend kur luanim bashkë?

Ai ktheu kokën çuditshëm.

– Kemi qënë në një klasë gjithë filloren? – dhe u avit ta mbështillte në krahët e gjatë të së shkuarës.

– Jo. Nuk të mbaj mend, – dhe ktheu kokën vrik nga dritarja sikur kërkoi të shihte detin ku përmbyten kujtesat e hiçëve.

– Ti ishe në bangën e dytë nga dritarja dhe unë në të tretën, – këmbënguli plaku dhe në sy iu  vizatua uria e zhgënjimit.

– Në bangën e dytë ishte Homeri. Ai rrinte përhumbur dhe sikur gëlltiste luginën nga vinin karvanet e luftës. Homeri ishte i verbër dhe shihte Akilin që qante ndaj lumit të zilisë së egër.

– Ua, – i shpëtoi klithma burrit dhe pas saj asgjë tjetër nuk pipëtiu.

– Në bangën e tretë duhet të ketë qënë Sheakspeare. Pëshpëriste shpesh që ashtu si tek Ajaksi i Sofokliut, Skënderbeun e hoqën nga skena përpara se të mbaronte akti i tretë dhe i fundmë i tragjedisë shqiptare. Pastaj me rradhë vinin Balzaku, Tolstoi, Nietzsche … hë,  klasë me plot mëkatarë.

Pas këtij pohimi heshti. U afrua në qelqet e dritares për të shquar më mirë atje përposh luginës së lashtë, në arenën ku ndeshej ushtria digjitale e Çezarit. Sepse sigurisht të gjithë Çezarët e vjetër kanë vdekur nga falja që i bënë tradhëtisë. Vetëm malet dhe legjendat kanë mbetur…

Please follow and like us: