Jovan Bizhyti

Kongresi Historik i Lushnjes, ose siç u quajt atëherë, “Mbledhja Kombëtare Lushje”, 21-31 janar 1920, ishte një ngjarje e rëndësishme për fatet e atdheut e të kombit shqiptar. Shqipëria në ato vite, ishte e njohur si shtet i pavarur që më 1912-tën, por gjysma e saj kish mbetur jashtë kufijve ekzistues. Brenda territoreve shqiptare, ziente një anarki e plotë feudale. Qeveria e Esat Pashë Toptanit në Durrës, bënte një luftë të ashpër ndaj Qeverisë së Ismail Qemalit me qendër në Vlorë. Bashibuzukët e brendshëm, vepronin të lirë me trazira, vrasje e grabitje, ndërsa armiqtë e jashtëm të shteteve fqinj të Ballkanit, ishin sulur mbi shtetin e ri gjysmak shqiptar, me qëllim coptimin e mëtejshëm të tij, me synim edhe zhdukjen e tij nga harta e Europës.

Greqia po shkretonte toskërinë, serbët Shqipërinë veri-lindore, malazezët sulmuan Shkodrën, që mbas një qëndrese heroike të popullit patriot të veriut, e pushtuan atë. Forcat e errëta brenda vendit krijonin kudo kaos e terror, ndërsa presioni dhe lakmia e armiqve të jashtëm, ishte e papërballueshme, pasi shqipëria e vogël nuk kishte një ushtri të organizuar për ti dal zot vendit. Pric Vidi, me origjinë gjermane, që u dërgua në Shqipëri nga Fuqitë e Mëdha si “Mbret i Shqipërisë” në mars të vitit 1914, nuk arriti të organizonte shtetin e ri shqiptar dhe pas gjashtë muajësh, në shtatorin e po atij viti, u largua nga Shqipëria. Lëvizjet rebele në Shqipërinë e Mesme dhe ndërhyrjet e grekëve në Shqipërinë e Jugut, po pengonin ndjeshëm organizimin e shtetit shqiptar. Në këtë periudhë, shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe Shqipëria u pushtua nga ushtritë ndërluftuese, Austro-Hungareze, Italiane dhe Frënge.

Vazhdimi i Luftës së Parë Botrore, e bëri më të koklavitur problemin shqiptar. Traktati i fshehtë i Londrës 1915, i premtoi Italisë, Vlorën me qarkun e saj dhe një farë protektorati mbi Shqipërinë e Mesme. Grekëve u premtoi Shqipërinë e Jugut dhe Serbo-Malazezëve atë të Veriut. Në bazë të këtij traktati, Italia vazhdonte të mbante të pushtuar Vlorën dhe disa krahina të tjera shqiptare, duke mbështetur njëkohësisht një qeveri kukull të Esat Pashë Toptanit me qendër në Durrës, për të siguruar protektoratin mbi Shqipërin e Mesme. Në vazhdim të kësaj vije politike shoviniste, Italia nënshkroi me Greqinë traktatin, “Tittoni-Venizellos”, e cila i njihte Greqisë kërkesat mbi Shqipërinë e Jugut, me kusht që dhe Greqia t’i njihte Italisë sundimin mbi Shqipërinë e Mesme-Perëndimore. Natyrisht dhe Jugosllavia, që kish dalë nga lufta e “përkëdhelura” e Fuqive të Mëdha, nuk do të mbetej pa gjë, do të merte dhe ajo një copë territor nga Shqipëria e Veriut, ndoshta edhe Shkodrën.

Këto ishin planet e Fuqive të Mëdhe mbi Shqipërinë në përfundim të Luftës së Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes, që u mblodh në Paris më 1919, kërkonte t’a zbërthente problemin shqiptar në mbështetje te këtyre planeve. Gjëndja paraqitej e rëndë dhe shpresat dukeshin të humbura. Shqipëria s’kish asnjë përkrahje të jashtme, përveç zërit të fuqishëm të Presidentit Amerikan Wilson. Presidenti Wilson ishte një njeri idealist, që besonte në drejtësinë, në përparimin moral të njerëzisë dhe parimet për të cilat vendi i tij kish hyrë në luftë, dhe këto parime ai u mundua t’i mbronte gjer në fund. Presidenti Wilson, ishte një nga të rrallët burra shteti, që atë ç’ka fliste e mbronte dhe luftonte gjer në fund për t’a realizuar. Po ç’mund të bënte Wilsoni, sikur shqiptarët të mos ishin të zotë të lëviznin vetë? Amerika s’mund të dërgonte ushtri në Evropë, për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë.

-“Duhet të shpresoni në veten tuaj”, u ish përgjigjur ambasadori Amerikan në Paris disa patriotëve shqiptarë, që kishin vajtur t’a takonin dhe që i thanë se, të tëra shpresat i kishin varur tek Amerika.

Gjëndja e brendëshme në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore e deri në prak të 1920-tës, ishte shumë kaotike. Edhe shqiptarët e kolonive të mërgimit, dërgonin në Konferencën e Paqes delegacione, që binin ndesh me planet e Qeverisë së Durrësit, të Esat Pashë Toptanit, që ndodheshin atje ku thureshin intrigat e armiqve të Shqipërisë.

Në këto rrethana, u mblodh Kongresi Historik i Lushnjes më 21 janar 1920, si një shfaqe e vullnetit kombëtar të popullit, si një akt trimërie në mes të atij dëshpërimi atdhetar. Në këto kushte e rrethana mjaft kritike dhe të rrezikshme, u mblodhën pikërisht në Lushnje, në atë qytet të vogël të Myzeqesë, një Komision Iniciator i përbërë nga 28 patriotë nga Myzeqeja dhe nga krahina të ndryshme të vendit. Ata ishin: Besim Nuri, Kryetar i Katundarisë (Bashkisë) së Lushnjes, që u vu në krye të këtij komisioni, Ferit Vokopola, Sheh Ibrahim Karbunara, Taulla Sinani, Emin Vokopola, Llazar Bozo, Nebi Sefa, Qemal Mullai, Zija Mullai, Mustafa Vokopola, Eshref Frashëri, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skënder Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Jakov Bozo, Andrea Papai, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat (Hysni) Shazivari, Abdyl Azizi, Hasan Islam Like dhe Hamit Xheka.

Komisioni ndërtoi platformën e zhvillimit të Kongresit, listën e patriotëve pjesëmarës nga të gjitha krahinat mbarë shqiptare me ftesat përkatëse, masat mbrojtëse për zhvillimin normal të punimeve të kongresit, strehimin, ushqimin dhe mbështetjen popullore të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë. Përfaqësuesit e krahinave, që u mblodhën në Lushnjë nga të gjitha anët e Shqipërisë, ishin të vendosur të bënin bashkimin kombëtar, t’i jepnin fund anarkisë, të ndërtonin një shtet shqiptar të përqendruar mbi forcat e tij dhe të pavarur. Kjo ishte e vetmja rrugë shpëtimi. Por kjo u prishte planet atyre që vepronin si agjentë e të huajve dhe që kishin varur shpresat e ambicieve të tyre tek të huajt. Prandaj disa anëtarë të Qeverisë së Durrësit, organizuan dhunë e reprezalie, deri dhe vrasjen e patriotit kavajas, Abdyl Ypi, që ishte një nga iniciatorët e mbledhjes së Kongresit.

Megjithatë, kongresi nuk u tund as nga këto kërcënime, as nga vështirësitë e gjendjes kaotike që ekzistonte. Delegatët nga të gjitha krahinat, u drejtuan drejtë Kuvendit në Lushnje të Myzeqesë. Përfaqësuesit sipas krahinave ishin: Nga prefektura e Durrësit: Abdi Bej Toptani, Irfan Ohri, Mytesim Këlliçi, Rexhep Jella, Shazivar Alltuni, Xhaferr Ypi. Nga Malësia e Gjakovës: Hasan Batusha, Xhemal Bej Bushati. Nga Prefektura e Dibrës: Ahmet Zogu, Dine Dema, Dine Nasuh Maqellara, Ramiz Daçi. Nga prefektura e Shkodrës: Ejup Sabri Bushati, Hoxha Kadri, Mati Logoreci, Ndoc Çoba, Rexhep Shala, Xhemal Naibi. Prefektura e Elbasanit: Aqif Pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Asllan Shahini, Filip Papajani, Kasëm Sejdini, Qazim Dyrmishi, Sali Ceka. Prefektura e Korçës: Beqir Rusi, Eshref Frashëri, Gjokë Ndini Gusho, Idhomen Kosturi, Koço Kota, Sali Butka, Selaudin Blloshmi. Prefektura e Beratit: Bektash Cakrani, Hysen Nikolica, Iliaz Vrioni, Kamber Belishova, Llambi Goxhomani, Llazar Bozo, Spiro Popa, Sheh Ibrahim Karbunara dhe Ferit Vokopola. Prefektura e Vlorës: Dhimitër Qypi, Myqerem Hamzaraj, Qazim Kokoshi dhe Ymer Ali Radhima. Prefektura e Gjirokastrës: Ali Këlcyra, Ali Kumbaro, Arshi Shehu, Dervish Seit Grosha, Kasem Radovicka, Kiço Koçi, Rasim Babameto, Shezai Çomo, Spiro Kosova dhe Veli Hashorva. Erdhën dhe patriotë të tjerë, edhe nga diaspora: Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Dr. Mihal Turtulli, Sulejman Delvina, Ali Riza Kolonja, Sotir Peçi e tjerë. (AQSH. Dokumente të Kongresit Historik të Lushnjes, janar 1920)

Kongresi i Lushnjes, u shpall si një Kuvend Kombëtar i plotfuqishëm, që i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme dhe iu përvesh punës për organizimin e shtetit shqiptar. Intrigat dhe kanosjet e fqinjëve e kishin neveritur popullin aq shumë, sa që ai e pa Kongresin si një forcë shpëtimi dhe e mbështeti, e brohoriti me tërë entuziazmin nacionalist të asaj kohe, duke iu dalë kundër intrigave të jashtme dhe planeve të copëtimit që bëheshin në Konferencën e Paqes. Kongresi i Lushnjes nisi të veprojë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Hartoi statutin e shtetit shqiptar me një Këshillë të Naltë në krye, zgjodhi sistemin e parlamentarizmit shtetror, vendosi që Tirana të jetë kryeqytet i Shqipërisë dhe i dha vendit një Qeveri të ligjshme, e cila iu vu me energji organizimit të administratës, të xhandarmerisë, ushtrisë, të shkollave për zhvillimin e arsimit shqiptar dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë. Në pak kohe, Qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjes, u njoh prej të gjithë shqiptareve dhe u formua kështu një qendër rreth së cilës mund të mblidheshin energjitë e kombit.

Ndërhyrjet e huaja vazhdonin akoma. Italia mbante të pushtuar ushtarakisht Vlorën dhe qarkun e saj gjer në Tepelenë. Jugosllavët mbanin Dibrën dhe nganjëherë patën zbritur dhe deri në shkallën e Tujanit pranë Tiranës. Grekët vazhdonin këngën e vjetër për Korçën dhe Gjirokastrën. Por tani kish të paktën një qeveri shqiptare, që mund të kanalizonte përpjekjet e kombit për t’i dilte zot vendit. Kongresi i Lushnjes kish ngjallur shpresa dhe u kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete, aq sa, pa marrë parasysh përpjesëtimin e forcave, rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj e tërë Shqipëria e jugut, u ngritën me armë në dorë kundër ushtrisë italiane në luftën heroike të Vlorës në 1920-të, të cilët brenda pak muajve e detyruan Italinë të tërhiqej dhe të lëshonte Vlorën dhe gjithë territoret bregdetare të Shqipërisë. Përpjekje u bënë dhe kundër serbëve në veri, që tregoi të njëjtin vullnet lirie dhe pavarësie që shprehte populli shqiptar në çdo krahinë të vendit. Këto përpjekje, treguan edhe njëherë, se shqiptarët e bënë fora, duke i dal zot vendit dhe kombit.

Tërheqja e Italisë nga Vlora, ishte një rrjedhim logjik, që siguronte pavarësinë e shtetit shqiptar. Sepse, gjer atëherë, Italia kishte një forcë e autoritet më të madh, që përbënte rrezik për coptimin e Shqipërinë. Pra, forca e ndërhyrjes së Italisë, ishte më e fuqishme se ajo e fqinjëve të ballkanit. Këta të fundit mund të synonin territore mbi kufijt shqiptar, vetëm atëherë kur Italia t’a mohonte pavarësinë e tërësisë tokësore të Shqipërisë, duke përmbysur ekuilibrat në Adriatik dhe në Ballkan. Sikur Italia të vendoste njëherë e përgjithmonë, se një shtet shqiptar i pavarur ishte i nevojshëm për sigurimin e saj dhe të gjithë Ballkanit, veçanërisht atij perëndimor, në vend të një politike imperialiste copëtimi dhe kolonizimi, të kërkonte me kombin shqiptar marrëdhënie miqësore me pajtim interesash të të dy palëve, fqinjët e Ballkanit do stepeshin.

Ajo që ka venë në rrezik ekzistencën e Shqipërisë, që prej traktatit të fshehtë të Londrës në1915 dhe gjer mbas çlirimit me vendosjen e sistemit komunist në fuqi, për Shqipërinë nuk kanë qenë aq fortë fqinjët ballkanas, se sa qëndrimi i lëkundshëm i politikës italiane. Ndërrimet e herëpashershme të politikës italiane kundrejt vendit tonë, i kanë sjellë Shqipërisë dëm më shumë ndoshta nga barbarizmat e fqinjëve ballkanas. Pra, me tërheqjen e ushtrive italiane nga Vlora më 1920, Shqipëria mbeti automatikisht shtet i pavarur. Dhe si i tillë, u pranua në gjirin e Lidhjes së Kombeve që në shtator të atij viti. Një vit më vonë, më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, i hodhi poshtë kërkesat e grekëve mbi Korçën dhe Gjirokastrën dhe Lidhja e Kombeve nisi të vëzhgojë lëvizjet e jugosllavëve me pretendimet e tyre ndaj territoreve shqiptare të veriut e veri-lindjes.

Kongresi Historik i Lushnjes, në këtë situatë të rëndë që po kalonte Shqipëria, ishte guri i themelit për mbrojtjen e pavarësisë së vendit. Pikërisht aty u mblodhën gjithë burrat patriotë e atdhetarë të kombit, analizuan gjëndjen dhe morën vendime të rëndësishme për ti dal zot vendit dhe kombit shqiptar. Delegatëve i uroi mirëseardhjen në Kongres Ferit Vokopola, që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, ku përfshihej dhe Lushnja e Skrapari. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i shquar i asaj kohe, Aqif Pashë Elbasani. Ai u përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët, duke mbyllur kështu ceremoninë e hapjes së Kongresit. Mbas kësaj ceremonie të hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh Kryetar i Kongresit, Aqif Pashë Elbasani dhe sekretar, Ferit Vokopola. Po atë ditë, nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili ishte një nga iniciatorët e mbajtjes së këtij kongresi.

Mbledhja e tretë që u mbajt në 30 janar, vendosi mbas shumë diskutimesh, që të bëheshin protestat më të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për Paktin e fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të, pakt i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si në situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Nga kjo analizë u nxorë si konkluzion, se ajo qeveri me administrimin e saj të keq dhe antikombëtar, e kishte futur vendin në një anarki të madhe, dhe delegacioni i saj në Konferencën e Paqës, kish mbajtur një qëndrim kompromentues antikombëtar. Po ashtu ajo qeveri, ishte përpjekur me çdo kusht dhe për t’a penguar mbajtjen e Kongresit të Lushnjes, duke kërcënuar delegatët dhe penguar një pjesë të tyre të mos vinin në kohë në Lushnje.

Kongresi zgjodhi dhe Senatin e Qeverinë legjitime të Shqipërisë, pas asaj të Ismail Qemalit në 28 Nëntor 1912. Me unanimitet nga të gjithë delegatët, u zgjodh dhe delegacioni legjitim shqiptar, që do të përfaqësonte vendin në Konferencën e Paqes në Paris. Ky delegacion përbëhej nga zotrinjtë: Imzot Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Dr. Mihal Turtulli, si dhe Sulejman Delvina. Kongresi mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes të Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Ai u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati nga vendet e huaja.

Po ashtu Kongresi zgjodhi dhe Këshillin e Lartë Shtetror të përbërë nga 4 vetë, i cili do të drejtonte kolegjialisht shtetin shqiptar, të përbërë nga patriotët: Aqif Pashë Elbasani, Imzot Luigj Bumçi, Abdi Toptani dhe Dr. Mihal Turtulli, të cilët do kryenin funksionin e kryetarit të shtetit. Këta drejtues nga pikpamja fetare, përfaqësonin të gjitha besimet fetare ekzistuese në vend. Ky këshill do të ushtronte pushtetin ekzekutiv, së bashku me qeverinë e dal nga ky Kongres. Kongresi zgjodhi dhe Këshillin Kombëtar, që do të luante rrolin e parlamentit, të përbërë prej 37 anëtarë, i cili do kryente detyrat e organit legjislativ. Kongresi zgjodhi dhe Qeverinë e re me Kryeministër, Sulejman Delvinën dhe ministra të qeverisë u zgjodhën: Ministër i punëve të brendëshme, Ahmet Zogu, Ministër i punëve të jashtme, Mehmet Konica, Ministër i drejtësisë, Hoxhë Kadria, Ministër i financave, Ndoc Çoba, Ministër i arsimit, Sotir Peçi, Ministër i luftës, Ali Riza Kolonja, Drejtor i punëve botore, ingj. Eshref Frashëri dhe Drejtor i postë-telegrafës, Idhomen Kosturi.

Kongresi në 31 janar pasdite, u dha fund punimeve, duke vendosur dhe Tiranën kryeqytet të Shqipërisë. U theksua gjithashtu, që delegatët nuk do shpërndaheshin, deri sa qeveria të merte në dorë frenat e shtetit shqiptar. Po ashtu, miratoi dhe një letër falnderimi për popullin patriotë të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë, për bujarinë, mikpritjen dhe sigurinë që krijoi për mbarëvajtjen e punimeve të kongresit. (AQSH, dokumenta të Kongresit të Lushnjes, janar 1920)

Kongresi Historik i Lushnjes, i tregoi botës mbarë se Shqipëria është një vend sovran dhe i pavarur, ç’ka do të thotë se populli shqiptarë, pasardhës të Skënderbeut, do të luftojnë deri në pikën e fundit të gjakut për pavarësinë e vendit, duke mbajtur të paprekur trojet shqiptare kundër çdo orvajtje për coptimin e Shqipërisë. Organet që zgjodhi, nisën të vepronin si i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane. Qeveria e dal nga ky Kongres, u njoh prej të gjithë shqiptarëve, rreth së cilës mund të mblidheshin të gjitha energjitë e Kombit.

Vendimet e Kongresit të Lushnjes, i detyruan Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga qëllimet e tyre grabitqare ndaj Shqipërisë, sepse vendi tashmë kishte zot.