Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Virion Graçi

 

DY NJERËZ

Vazhdova rrugën pa të dashurën.

Pemët më binin mbi supe

Gurët kilometrikë

Më bënin shenjë të vazhdoja .

Vazhdova. Diku pashë një urë

E hedhur tejpërtej mbi greminë

Aty poshtë, në fundin e saj të frikshëm

Midis gurëve të mbushur myshk e hije

E dashura ime mbillte trëndafila.

U hodha. Ngeca në ajër. I lodhur.

 

KTHESA

Fytyra jote shfaqet përkohësisht

Në pastërtinë e përkohëshme të xhamave.

Pastaj tretet në ngjyrat e errëta të perdeve

Dhe në tingujt e gëzuar të muzikës.

Fytyra jote e përkohëshme shfaqet

përjetësisht

Në pastërtinë e përkohëshme të xhamave.

ORA

E shtrirë më zgjat e bindur

Gjuhët e tua të zjarrta.

Dhe ngelem pa dashuri

Dhe ngelem pa të ardhme.

Naive përgjunjesh, zbulohesh

Pastaj marr gërshërët e ndryshkura

Trurit tim të lodhur

Flokët e shumtë i’a qeth.

 

PAMJE NGA AFËR

Mundohu të flesh

Asnjë fill ironie mos kërko

Në zërin tim. Pa provoje një herë.

Një gjysmë hëne

Ose diçka e përafërt me qiellin

Një bari i lagur

Ose diçka e përafërt me diellin

Një krah i prerë

Ose diçka e ngjashme me kolltukun.

Një njeri

Ose diçka e ngjashme me njeriun.

Mundohu të pushtohesh

Nga diçka e përafërt me gjumin polar.

 

GRAVITET

Si tretet dalëngadalë njeriu

Vëllai im nga gjaku

Motra ime nga shpirti

Si tretet dalëngadalë, si humbet nën tokë

Në ulluqe të sajuar me gjethe të

kruspullosura

Nga shterpësia dhe padurimi

Tani mbi tokë ndërroi moti

Ndryshuan modelet e veshjeve.

Si tretet me pa të keq imazhi yt

Planimetria e një krijese tepër e hijshme

Planimetria e një krijese të mbështetur

Mbi dy këmbë të bardha, të plota, të

bukura

Si tretet ngadalë kujtimi yt

aroma e një trupi cicërues

Lëkura e pastër prej glukoze dhe zjarri.

Imazhi i një trupi të kredhur pambarim

Në një tretësirë me formulë të

padeshifrueshme.

 

TROTUAR

Përfytyroje pa kuaj karrocierin

Pa karrocën me stoli antike

Pa veshjen e tendës mbuluese

Tendosur nga shufra të harkuara.

Përfytyroje pa burinë karrocierin

Pa karrocën me stoli antike

Pa veshjen e tendës mbuluese

Tendosur nga shufra të harkuara.

Përfytyroje pa ndenjësen, pa kamzhikun

fshikullues

Pa çiftin e lumtur mbrapa karrocierit

Pa femrën veshur në të bardha

Pa burrin që qesh si klloun.

Përfytyroje pa korteun e përzishëm

Pa të afërmit me kostume të errësuara

Pa shpirtërat e braktisur nga shpresa

Që kalërojnë në heshtje mbas kuajve.

Përfytyrimin çoje në shekullin e nesërm

Dhe jepja të drejtat e autorit

Rapsodit të verbër me harpë.

 

HEROI

Prangat prej bronxi dikur

Të folën aq bukur për lirinë

Liria ishte atëherë

Send prej zjarri

Që i mungonte dhomës tënde prej druri.

Kur të folën sërish për të

ishe ndarë me dhimbje bronxi

Nga prangat e ngrohta prej nervi e mishi.

Dhe t’u duk liria një send prej druri

Që i mungonte dhomës tënde prej zjarri.

 

PAS PERDES

Mungon ngjyra në kurmin e saj.

Nuancat mungojnë. Transparencë e

padurueshme.

Ftohtë. Shumë ftohtë. E kap-dhe mjetet

kapëse

Dukshëm fillojnë ta humbasin ngjyrën. E

pushton

D h e mjetet pushtu ese fitojn ë

transparencë.

Përzihesh keqas me të dhe bëhesh i

padukshëm.

Derdhet vetiu në bronx

Vjedhësi i ngjyrës dhe i flakës.

 

PAMJE NGA LARG

Dalë-ngadalë

Në oborr do të bien gjethet e pemës

Do të dalë një mace në faqen e çatisë

Një karrocë e vjetër do të shkasë në

kalldrëm

Pijanecët prapë do të grinden nën strehë

Një kockë e thyer do të zbardhë diku

Dy prindër do të qortojnë fëmijën e tyre.

Një qivur do të dalë prej portës më tej

Dielli do të shkojë drejt perëndimit

kokën tënde të kaltër, të këputur

Do ta mbash në prehër.

Diçka do të kujtosh

Dalë-ngadalë do të shuhesh edhe ti

Ndofta prej gëzimit.

 

DRITAT

Nuk të harroj dot

Më tha një grua e panjohur

Në shitoren gjigande të perimeve

E kam seriozisht

Kurrë, kurrën e kurrës

Nuk do të kem fuqi të të harroj

Vazhdoi gruaja e panjohur

Si i shurdhët u zhvendosa më tej

Në këndin e lakrave mesdhetare

Duke zgjedhur me ankth amvise

Barishte të njoma.

Me një aromë të mirë, pa emër e ngjyrë

Duke thithur sirena autoambulancash

Më shkoi fundjava e jetës.

 

PËRSHËNDETJE

Në cilën anë të lumit

Të të pres?

Kur do ta përsërisësh saktësisht

Hijen time mbi tokë?

Po zërin tim? Po qeshjen time?

Flas për ty vazhdimisht

Dhe harroj të firmos

Emrin tim sipër epitafit.

 

KREMTIME

Fëmijët e varfër kërcejnë

Lozin e qeshin me njëri-tjetrin

Dalin zbathur nëpër dëborë

Kurrë nuk i thyejnë degët e bredhave

As për zbukurime festash.

Me pak baltë mbulohen

Kur vdesin papritur fëmijët e varfër

Nëpër zgavrat e tokës humbasin të tretur

Bashkë me shkëlqimin e përkohshëm të

Krishtlindjeve.

 

TAKIMI

Pasi doli nga kulla i hypi kalit

Pasi i hypi kalit u largua nga kulla

Pasi u largua nga kulla i’u afrua lumit

Pasi u takua me lumin ajo i mbajti frerin

kalit

Pasi i mbajti frerin kalit zbriti në zallin e

nxehtë

Pasi zbriti në zallin e nxehtë

Kërkoi me sy një vend të fshehtë

Pasi e gjeti vendin e fshehtë

Filloi të zhvishej

Pasi u zhvesh plotësisht

Ajo kërkoi rrobat e banjos

Pasi kërki rrobat e banjos

U kujtua se nuk i kish marrë me vete

Pasi u kujtua se nuk i kish marrë me vete

Nxitoi të fshihej në kallamishtë

Pasi u fsheh në kallamishtë

Lumi ngriti valë e shkumë

Pasi lumi ngriti valë e shkumë

S’u dukëm më as kallamat, as ime zonjë

Pasi s’u duk më ime zonjë në kallamat e

përmbytur

Unë u ktheva pa hingëllima për në kullë.

 

LULE TË VERDHA

Kam përpara pesë filozofë

Prej nga do zgjedh katër libra

T’ia dërgoj një vajze.

Kam përpara gotën me çaj

Ku do ta tres sheqerin për tre sekonda

E ta rrufis për dy minuta

Kam përpara një dimër

Zero netë polare

Dhe minus

Një ditë të zakonshme vere./exlibris

Please follow and like us: