Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: U shua si qiriu Eglantina Mandia, që do të ndriçojë gjithmonë

 

Eglantina Mandia, shkrimtarin gjermano-lindor dhe Natasha Lako para Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

 

 

Kisha disa ditë që po mendoja të shkruaja për Eglantina Mandinë. Do të doja që ajo, të dëgjonte dashurinë time për të. Ti tingëllonin rresht pas rreshti kujtimet e mia, që kur e kam parë për herë të parë e deri për herë të fundit.

Ta bëja të lumtur, po si.

Ajo do të thoshte mjaft. Sepse kishte zgjedhur heshtjen më fisnike.

Dhe sot në mëngjez, në një spital të largët kanadez, ku nuk i mungoi kujdesi i herë pas hershëm, në heshtjen hijerëndë ajo vendosi të ikë, pas një sëmundjeje, që nuk e përballoi dot.

E para gjë që më bije në mendje në këto çaste të hidhura, është një libër, ku ajo përmbledh gjithë kujtimet për shoqet e saj, të gjitha duke ulur kokën mbi libra, si i kujtoj edhe unë, atje në sallën shkencore të Bibliotekës së Tiranës.

Tina ishte zemra e asaj salle, ku punonin shumë të njohur.

Unë shkoja t’i prishja rregullin, ta ndaloja ndonjëherë penën e saj. Ndoshta i prishja punë, po ajo nuk thoshte gjë.

Këtë zakon e kisha gjatë. Kur isha në parlament, shkëputesha shpesh gjatë pushimeve të seancave, për ta gjetur në apartamentin e saj, që ndodhej afër, ku dukej sikur do të vazhdonte seanca tjetër.

Një herë madje, kërkoi një takim dhe këmbënguli të lejoheshin fraksionet. Por vetëm kaq.

Ajo donte të mbetej zysha e shkollës së natës, ku dha mësim deri sa doli në pension, pas një periudhe që kishte punuar në gjimnazin “”Sami Frashëri”, “Partizani”. Dhe ajo pati fat të njihet me njerëz të përvojave nga më të ndryshme. Ajo gjithçka e tregonte bukur dhe duke qeshur.

Tani unë nuk shkoj dot në Kanada, t’i prish gjumin e përjetshëm, por e di që një ditë edhe atje do të flasim gjatë.

Do të flasim për Musine Kokalarin, jetën e së cilës ajo e ndoqi hap pas hapi deri sa na dha një libër të mrekullueshëm.”Sonatën e henës” që unë gjithnjë e mendoj për tekstet shkollore.

E ka shkruajtur, si thoshte vetë, nën dritën e qiriut, kur Tirana vuante ende nga mungesa e energjisë elektrike dhe kolapsi i përgjithshëm. Po Eglantina Mandija kishte vullnetin e saj.

Tregimet e saj të para u botuan në gazetën “Zëri i Rinisë.”

E mbaj mend tregimin e saj për një të mbijetuar të kampit të Prishtinës, që e takoi vetë. Për të mësuar se si shpëtoi. Më ka foluri e para për Gjysepina Kosturin, infermjeren e luftës së Spanjës, për të cilën bisedoi gjatë me Petro Markon. Botoi pa rreshtur në gazeta shkrime për jetën e grave të zakonshme, por të rralla shqiptare.

Gjithçka që shkruante Eglantina e pati nga kontaktet e drejpërdrejta. Foli për vajzat e para të viteve ‘50, të cilat po kërkonin një liri tjetër, që përbënte një karrierë të pastër dashurije, luhatjesh dhe force të re, për jetën shqiptare, njësoj  si kish ndodhur në të gjithë botën. Ishte koha që Bergman shfaqte për të tronditur mentalitetet e ngurtësuara filmin,” Një verë me Monikën” dhe Billi Wilder filmin “Pas shtatë vite martesë,” ku Merilin Monro po krijonte një figurë të re gruaje.

Shqipëria e fundit të viteve ‘50, kishte edhe Eglantina Mandinë, yllin e saj, që pati gjithnjë dobësi për kinematografinë, aq sa zgjati kokën si thoshte vetë, te filmi “Kapedani”, me që e ftoi miku i saj Muharrem Fejzo. Dhe ëndrrat për dinjitet nuk kanë asnjëherë kufi dhe nuk varen nga kufinjtë me tela me gjemba.

Sot vetëm shqiptarët nuk i japin rëndësi fundit të viteve ‘50 që sjellin vizione të reja për jetën e gruas. Por Eglantina Mandija e bëri këtë me jetën dhe me krijimtarinë e saj, e heshtur dhe e qetë. Disa herë u kthye për promovimet e botimeve të saj, me miqtë e saj, pa u bërë merak për kamerat e xhirimit.

Bukuroshes që i ngrihej fustani nga era, jo në film, por kur shkonte në plazh, erdhi koha që në fund të viteve ‘80, i ndaluan një dramë që po vihej në skenë, nga Dhimitër Orgocka me ngjarje të kampeve të përqëndrimit, nga ato që mohohen deri sot dhe që edhe shqiptarët e sotëm kanë mësuar t’i nderojnë. Asosacioni mesa duket ishte i tmerrshëm edhe atëhere për zyrtarët e frikësuar, si për ata që i mohojnë sot, sipas orekseve të reja.

Do të fliste gjithnjë për këtë dramë të ndaluar, si për të gjithë njerëzit që gjithnjë dëshërojnë t’i mbyllin edhe mendjes edhe të vërtetave portat. Dhe dinte që bisedën ta kthente në një të qeshur të hidhur.

Për jetën në konvikt të shkollës pedagogjike, për të gjithë vajzat që kujtimet e luftës i kishin të turbullta, por kujtonin vitet e mëdha të urisë, gjithashtu fliste gjithmonë.

Uria i bëri mike të pandashme me njera-tjetrën për gjithë jetën. Dhe pastaj uria e leximit.

Dhe pastaj plot dilema deri sa u largua me gjithë familjen në vitin e vështirë 1997, sikur të dublonte atë që kishte thënë në një libër. Qëndrimin e Kamber Bënjës, gjyshit të saj të famshëm përmetar, model për monumentin e Lirisë të Odise Paskalit në Korçë, që vendosi të mos ndahej nga toka që e kishte lindur, deri sa u vra, gjatë Luftës së Parë Botërore, duke mbrojtur monumentet e Apollonisë, ndryshe nga i vëllai që vazhdoi jetën në Stambollin e largët.

Dhe ajo nuk iu shqit dëborës kanadeze dhe këtyre dilemave të përhershme shqiptare. Sepse ky vend nuk e mban njeriun lehtë. Ose duhet të paguajë shumë, ka thënë në vepër shkrimtarja Eglantina Mandija.

Megjithatë sot më duket sikur të gjithë vajzat shqiptare janë prodhim i saj.

Nuk do të ishin këto që janë sot, pa Eglantina Mandinë.

E di që shumë ministre janë kaq të reja dhe ndoshta vinë nga back graunde, që nuk u shkon as mendja se para tyre ka egzistuar ajo bukuri dhe ajo mençuri e madhe.

Që jam e sigurt që i ka dashur të gjitha me gjithë shpirt.

E ka falur të gjithë botën në lamtumirën e fundit, për të gjithë gabimet e vogla të saj. Sepse e tille ishte Eglantina Mandija. Dhe gabimet e mëdha i sfidonte me gjërat e mrekullueshme që njeriu ka krijuar për ditë. Idhulli i saj ishte Nënë Tereza.

Eglantina Mandija që arriti të bëhej stërgjyshe ishte vetë një mrekulli, që dinte të jepte një dashuri të madhe. Në ka pasur njeri që t’i ketë dashur aq shumë edhe prindërit e mij dhe t’u rrijë në kokë, t’i kuptojë në të gjithë peripecitë ka qenë ajo. Që do të thotë se sillej si një motër. Ka dëgjuar me durim, sa unë e quaja tempull.

Çfarë mund të thonë ish nxënësit e saj, është një pasuri tjetër e jetës shqiptare.

E mira ime, fisnikja jonë, gazeta ’Dielli” të gjeti ty, në vitet e fundit. Edhe Kosovën e kërkoje me zemër.

Dhe tani besoj se të gjithë ata që e duan letërsinë po aq sa krenarinë e bijave shqiptare, do ta kenë jetën tënde si një pasuri të madhe dhe ti do të jetosh e do të ndriçosh gjithmonë.

11 shkurt 2022.

Please follow and like us: