Rusia i ka rezistuar prej kohësh lëvizjes së Ukrainës drejt institucioneve evropiane dhe NATO-s në veçanti. Kërkesa e saj kryesore është që Perëndimi të garantojë se Ukraina nuk do të bashkohet me NATO-n, aleancën mbrojtëse të përbërë prej 30 vendesh.

Ukraina ndan kufij si me BE-në ashtu edhe me Rusinë, por si një ish-republikë sovjetike ajo ka lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë dhe rusishtja flitet gjerësisht atje. Kërcënimi po merret seriozisht sepse Rusia e ka pushtuar Ukrainën më parë. Kjo ndodhi kur ukrainasit rrëzuan presidentin e tyre pro-rus në fillim të vitit 2014, Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti separatistët që pushtuan pjesë të mëdha të Ukrainës lindore. Kryengritësit kanë luftuar me ushtrinë ukrainase që atëherë në një konflikt që ka marrë më shumë se 14,000 jetë.
Rusia nga ana e saj është shprehur qartë në riformulimin e marrëdhënieve të saj me NATO-n. “Për ne është absolutisht e detyrueshme të sigurojmë që Ukraina të mos bëhet kurrë, asnjëherë anëtare e NATO-s”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov. Presidenti Putin thotë  se nëse Ukraina bashkohet me NATO-n, aleanca mund të përpiqet të rimarrë Krimenë.
Moska akuzon vendet e NATO-s se po furnizojnë Ukrainën me armë dhe SHBA-në për nxitjen e tensioneve për të frenuar zhvillimin e Rusisë. Putin është ankuar se Rusia “nuk ka ku të tërhiqet më tej dhe e ka bërë të qartë se Rusia nuk do të rrijë duarkryq.
Në realitet Rusia dëshiron që NATO të kthehet në kufijtë e saj të para vitit 1997. Kërkon që të ndalet zgjerim i NATO-s drejt lindjes dhe përfundimin e aktivitetit ushtarak të NATO-s në Evropën Lindore. Kjo do të thotë që njësitë luftarake të tërhiqen nga Polonia dhe republikat baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, dhe nuk do të vendosen raketa në vende të tilla si Polonia dhe Rumania.
Në sytë e presidentit Putin, Perëndimi premtoi në vitin 1990 se NATO nuk do të zgjerohej “asnjë centimetër në lindje”, por e bëri këtë. Megjithatë, kjo ishte përpara rënies së Bashkimit Sovjetik, kështu që premtimi i bërë presidentit të atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev i referohej vetëm Gjermanisë Lindore në kontekstin e një Gjermanie të ribashkuar.
Rusia ka propozuar gjithashtu një traktat me SHBA-në që ndalon vendosjen e armëve bërthamore përtej territoreve të tyre kombëtare. Mirëpo qëllimi I Rusisë për ta larguar NATO-n nga oborri saj duket se nuk do të ketë sukses 30 vendet anëtarët të NATO-s kanë refuzuar çdo përpjekje për të lidhur duart e tyre për të ardhmen. Ukraina ndërkohë po kërkon një afat kohor të qartë për t’u anëtarësuar në NATO dhe sipas aleancës Rusia “nuk ka veto dhe nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë proces”./RTK/