Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie   

 

Fatmire Duraku

Pjesa e parë

Shkrim i kompozuar nga disa fragmente shkrimesh të ca autorëve për krijimtarinë e Nexhat Halimit

 

 

Libri është një këndim i veçantë për jetën e peripecitë gjarpërore, të përfundojë herë me vetminë e herë tjetër me amshimin. Libri megjithatë e frymon jetën. Ec ndër breza. Një mozaik me copëza guri me ngjyra të ashpra, me ngjyrë të flakës e të akullit. Një këndim i dhembjes, këndim pikëllues dhe plot mallëngjim për dashurinë. Ajo është lulja më e bukur e jetës, lëviz njëjtë si një vetëtimë. Mbetet veç kujtimi, për gjërat dhe etjet. Është vetëm iluzioni për rrjedhën, për yllin. Si të pajtohet kjo rrjedhë përfundimisht, me gjërat që lëvizin! Gjërat e kanë rrjedhën e vet dhe nuk ndryshojnë. E vërteta nuk ndryshon dhe nuk këputen kujtimet, ato rrjedhin dhe herë–herë i krijojnë mozaikët tashmë të ikur, e zgjojnë ndonjë copëz të jetës, sado që koha kurrë më nuk kthehet.

Nexhat Halimi përveç me poezi për fëmijë dhe të  rritur, përveç me tregime për fëmijë dhe të rritur, përveç me dramë për fëmijë dhe të rritur, përveç që ka shkruar disa romane ai është marrë dendur edhe me publicistikë duke qenë reporter shumëvjeçar i të përditshme së vetme “Rilindja”  në Prishtinë.  Do të ceki tri fejtonet “Njerëzit dhe malet” – skica për të ndriçuar detaje nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në përvjetorin e 100-të. Si dhe ‘Silueta e vetmisë së gurit’ – detaje nga jeta e minatorëve të Stantërgut në Mitrovicë dhe fejtonin për Hebil Ahmetin shqiptari i cili jetonte si furrtar në Modriqe të Bosnës, për 30 vjet pa e ngritur zërin se kush ishte për krye të së vërtetës se e kishte ndihmuar me të madh lëvizjen për liritë e njerëzve në atë ambient.

Ja, sesi e shkruajnë krijimtarinë e gjithmbarshëm të Nexhat Halimit, kritikët më eminentë të poezisë në vend dhe jashtë tij.

Jusuf Buxhovi: Në rubrikën e tij “Letër nga Boni“, libri i parë i poezisë shqipe nga Kosova i botuar në gjermanisht, në Hailigenof u botua në gjuhën gjermane përmbledhja me poezi “Shi në një legjendë” të cilën e përktheu Dr. Rudolf Grulih. Prezantohen njëmbëdhjetë poetë tanë bashkëkohës me dyzetë e dy poezi, Nexhat Halimi prezantohet me dhjetë poezi.

Muhamed Krasniqi Gazeta “Rilindja” e enjte 3. 8. 1978.

Mbrëmje e suksesshme në Havanë. Festivali botëror i rinisë dhe studentëve. Në Havanë në mbrëmjen e kulturës kosovare Sabri Hamiti pos që recitoi vargjet e veta, prezantoi dhe recitoi poezitë e disa poetë të shquar siç është Nexhat Halimi, Beqir Musliu dhe Eqrem Basha duke e rrumbullakësuar me diskutimin për temën “Letërsia si fushë e krijimtarisë për forcimin dhe mbajtjen e identitetit kulturor kombëtar duke u mbështetur në shembujt e letërsive të popujve të vegjël”.

Revista letrare “TIO” nga Kroacia në njërin nga numrat e vitit 13. 03. 1970 prezantimin e poezisë shqipe duke i botuar shtatë poetë shqiptarë nga Kosova: A. Podrimja, M. Ramadani. Nexhat Halimi, Beqir Musliu, I. Kadriu dhe Qerim Arifi.

Goran Babiq shkruan me këtë rast se poezia shqipe në Jugosllavi është relativisht e panjohur edhe në Kroaci, prandaj na duket e arsyeshme të botojmë disa nga poetët e rinj dhe të suksesshëm në krijimtarinë letrare.

Sabri Hamiti, në shkrimin “Jeta nuk është art”, thekson për librin “Parakalimi i etjeve”, ‘Jeta e re’, Prishtinë, 1969 (të ribotuar e të ripunuar me emërim të ri,” Flaka e etjes”, Fad, Prishtinë, 2016).

…Ti fle diku mes kërpudhave dhe hirit (Lidhjet ndërmjet vargjesh).

Poeti ka gjetur dy simbole të qëlluara për të shprehur atë diçkafen që e shkatërroi kullën e dashurisë së tij rinore mbas së cilës nuk i mbeti gjë tjetër, përveç baladës memece që u vajtua o u këndua me lot në faqe. Dy simbole shprehin diçkafen shkatërruese: Këpurdha dhe Hiri. Këpurdha (simbol paqëndrueshmërie e luhatjeje) është shkaku kryesor të cilin do ta pasojë humbja (e shkaktuar nga ajo) – hiri. Në krahët e këtyre dy simboleve qëndron e varur dashuria e dy të rinjve dhe paraqitja e saj poetike.

Cila është këpurdha poetike e Nexhat Halimit?

Aty ku njeriut gjatë bredhjeve jetësore, në ndërrimin e hapit vërviten në kokë dyshimet dhe luhatjet, vrapi i tij bëhet shpesh memec, i pakontrolluar e edhe i padëshirueshëm. Në këtë luhatje gjatë ndërrimit të hapit jetësor duhet të hapë krahët që të mbahet njeriu anash, shpesh edhe pa e njohur si duhet ambientin e anëve në të cilat i duhet të kërkoj mbështetje. Në këtë luhatje memece nisin e lindin gëzimet e gufimet që u ngjajnë këpurdhave pas shiut, po fundi i këtyre gufimeve dhe gëzimeve prapë i ngjajnë shumë zhdukjes së këpurdhave të pa baza o me baza të ligështa. E, fruti i këtyre vrapimeve memece mund të barazohet me zero të shpeshtën, fund që ne po e pagëzojmë: humbje.

Në poezinë e Nexhat Halimit, kjo humbje është hiri. Kjo fjalë haset shpesh në përpjekjet e vargkëngëtimit në mesin tonë. E hasim te shumë të rinj që shkruajnë. Dhe në të shumtën e rasteve ka marrë të njëjtin kuptim… Po te N. Halimi del me e kuptueshme mu se është e afruar dhe e lidhur me kërpudhën. E, këpudha me mund të vogël kthehet në hi. Kujtimet e një jete të ëmbël, të prera në gjysmë të rrugës, i grumbullohen në kokë të riut e i dhurojnë hidhësirë shpirti. Ngritet zëri i rezignuar i poetit në humbje drejtuar vashës së larguar:

…Dhe karavatesh mbi këpurdha e hi (Prapë vargu ndërlidhës).

Në fund të viteve të `60-ta, kritiku i shquar Mensur Raifi vë në pah ”Vjershat e Nexhat Halimit janë margaritarë të vërtetë poezie – kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet, me strofa e rima të caktuara, të rregullta,  si dhe krijimet në varg të lirë – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një – tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim.

…Krijimet poetike Nexhat Halimi i realizon me frymëzim individual, pa përsëritje dhe pa imitime”.

E, Beqir Musliu heton, Nexhat Halimi, me talentin e kreativitet të gufueshëm, që me librin e parë premtonte një poet të rrallë te ne… Poezia e tij – një sintetizëm i përvojës krijuese bukur të çuditshme, e mban tërësia si element mjaft funksional dhe i harmonizuar.

Xhemajl  Mustafa, ndër të tjera thotë:

“Raporti kreativ midis subjektit krijues dhe objektit të këndimit te teksti poetik i Nexhat Halimit është ndërtuar mbi parimin: S’dua të ligjëroj për botën, idetë dhe format e ndryshme, por synoj t’i krijoj ato në vetë ligjërimet, të marrin shpirt në fjalë dhe njëkohësisht ta shpirtëzojnë fjalën”.

Teki Dervishi, në shkrimin e vet në ‘Flakën e vëllazërimit’ për librin e dytë, Afërsia e largësisë, mes të tjerash, konstaton… Poezia e Nexhat Halimit është fyell i gjallë… Ai në tekstin poetik kultivon shijen e masës, përpiqet ta bëjë shprehjen sa më koncize, sa më të mprehtë e sa më të përmbledhur në kuptimin e saj qoftë simbolik, qoftë metaforik…

Sabri Hamiti e cek në shkrimin ‘Vizioni etik i njeriut tonë’ për librin “Afërsia e largësisë” ecjen më të sigurt të autorit. Theksonse “Nexhat Halimi e ka bërë një hap të madh para në krijimin e poezisë, krahasuar këtë përmbledhjen e dytë me të parën, edhe për kah gjerësia e motiveve edhe për kah shprehja artistike e tyre. Ai i është kthyer me plot përkushtim njeriut të kësaj toke dhe jetës së tij dhe indirekt kujtimit të jetës së paraardhësit të tij, i bindur se vetëm nëse ecet kësaj rruge mund të dihet qenia e vërtetë e njeriut të sotëm. Ai shkruan “Njeriu për njeriun…” e nuk e vazhdon e nuk e flet atë vazhdimin është ujk”. Në bazë të frymës së poezisë në numër më të shumtë del se ai pa pengesë mund ta vazhdonte mendimin e Hobsit, por për këtë e ka penguar vetë koncepti i tij artistik. Ngase në çdo grup poezish që paraqesin pjesë të relacioneve të njeriut me njeriun, mbarojnë me nga një poezi që e ndjell të mirën dhe të dobishmen. Poeti këndon për njeriun, për etikën e tij në të djeshmen, për etikën e tij në të sotmen dhe për etikën e tij në të nesërmen, të cilën e krijon në vizionet e tij. Prandaj, në poezinë e tij e gjejmë më të theksuar problemin etik e estetik gjë që ia ka caktuar edhe frymën e këtij shkrimi”.

Sabri Hamiti në shkrimin e tij “Poezia e paradoksit” për librin “Truphija” të botuar nga ‘Rilindja’ 1984, shprehet se “Leximi i librit ‘Truphija’ të Nexhat Halimit krijon një kënaqësi të rëndë, që mban në vete rrënqethjen dhe tmerrin. Kahdo ta marrësh, libër i rrallë i poezisë që kemi pasur rastin të lexojmë kohët e fundit ndër ne”.

Qerim Arifi në shkrimin ‘Vazhdim dhe hijesim, botuar për librin “Hark” në Gazetën ‘Rilindja’, Dhjetor 1973, shkruan:

“Ky poet tash më i afirmuar me shprehjet e veta tejet të ndjeshme dhe meditative, herë pas here është paraqitur edhe me tregime shumë të mira në revistat dhe gazetat ditore, në përmbledhjet e tij ‘Afërsia e largësisë’, ‘Parakalimi i etjeve’ dhe ‘Hark’ flet me një gjuhë shumë suptile dhe të dlirë… Këtu për herë të parë ndeshim poetin dhe ndjenjën e tij të kristalizuar dhe vërejmë se autori është tërësisht i një bote që jep dritë aty ku ka njerëz të urtë dhe ujë dhe zjarr. I vetmi krijues që arrin të shprehet për jetën me një metaforë të bukur”.

Nga poezinë e re që krijohet në Jugosllavi, në antologjinë e hartuar nga Jovica Aqin “Çelësat” prezantohen dhe dy krijues më të suksesshëm nga Kosova Sabri Hamiti dhe Nexhat Halimi nga gjithsej dyzet krijues nga i gjithë vendi.

Revista për Kulturë dhe Art “Mostovi” në numrin 6 sjell një panoramë me poezi dhe prozë nga Kosova dhe shkruan një kronologji të zhvillimit të letërsisë te ne. Me këtë rast prezanton disa nga emrat më eminentë të kohës siç janë: Beqir Musliu, Nexhat Halimi, Nebih Muriqi, Qerim Ujkani, Muhamed Kerveshi, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj, Fahredin Gunga, Azem Shkreli dhe Din Mehmeti.

Jusuf Buxhovi, për librin e tretë të Nexhat Halimit, ‘Hark’,  cek në gazetën ‘Rilindja’ në shkrimin ‘Sinteza e një qëndrimi’:

Përmbledhja e tretë e poezive të Nexhat Halimi, jo vetëm që është realizimi i tij më i mirë i gjertanishëm, por paraqet, si të themi, një sintezë të një qëndrimi rreth çështjeve të përgjithshme me të cilat ai rreket t’i zbulojë dhe t’i japë ato si një hulumtim me dimensione dhe gjerësi poetike. “Harku” i Halimit nga ky aspekt vërtetë meriton vëmendje të posaçme, sepse ndeshim një tërësi brenda tërësisë, një vështrim brenda një vështrimi dhe një hulumtim brenda një hulumtimi, të gjitha këto të sintetizuara nga një sens krijuesi, që ka synuar frytin e vet poetik ta individualizojë me një gjuhë unike fund e krye, ku sistemi i çështjeve (qoftë edhe formal) do ta ketë fjalën kryesore. Tërësia e tillë, që është karakteristika kryesore e kësaj përmbledhje, ka bërë që përmbledhja ta ketë një sistem, ku shtrirja është horizontale dhe ideja del në plan të parë të shqyrtimit.

Duke e lexuar këtë përmbledhje, në të parë, lexuesi mendon se ka të bëjë me një Kokë e një Hark dhe asgjë tjetër. Pra, fiton bindjen e një thjeshtësimi imponantiv. Por, pas një thëllimi asiociativ, ’thjeshtësia’ e tillë e zgjedhur me qëllim nga poeti, veprës ia ka dhënë një peshë dhe një dimension të caktuar struktural. Sepse, Halimi në këtë mënyrë ka bërë një hap para drejt konseguencës së (orientimit) të tij (orientim ky tani i përhapur) që në një vëllim të shqyrtohet një aspekt apo ndalja të bëhet rreth një ‘objekti’ apo figure. Dhe njëmend KOKA e HARKU, të ndërthurura në një lojë  e ritëm observimi, i kanë hapur kësaj përmbledhje një vertikale interesante meditative, vertikale kjo që nganjëherë prehet aq shumë sa që krijohet edhe njëfarë qëndrimi deklarativ rreth çështjeve që trajton nga ana e poetit. Rreth kokës, Halimi më së shumti mediton e mediton. Vargje e vargje ai i ‘harxhon’ për shndërrimin e kokës në kafkë dhe anasjelltas, për ta futur në një hark, që simbolikisht paraqet kohën dhe kalimin e saj nëpër të. Me një gjuhë universale, ku problemi i kafkave dhe i kokave merret si mjaft serioze, Halimi ironizon dhe në mënyrë implicite e shtron këtë çështje kur thotë: Koka ku mbeti? Nga ky aspekt kjo poezi nuk është e kufizuar, por përkundrazi shtrirja është e gjerë dhe çështja sa është individuale, e jona, po aq është e përgjithshme dhe e çdo mesi. Është pra një aludim human, se:

Thyejmë ditën

Gjuhemi me koka

Koka gur

thyejmë gishtat

gjuhem  me ditë

koka s’është gur

dhe si antitezë e kësaj avarie, kur njerëzit nganjëherë gjuhen edhe me koka dhe harrojnë edhe dromcën më të vogël të humanizmit që duhet ta kanë, poeti ‘kokat’ e tilla i gjykon në poezi ‘Koka”, kur thotë:

një ditë gjithkund  e kërkova

s’e gjeta

e kishte gjykuar koha.

pra, pas gjithë asaj ‘bredhje’ të kokës pas gjithë asaj loje me të dhe talljeje (që sot në ca vende të botës kjo lojë shfaqet në mënyra të ndryshme me edhe drastike),  poeti është i vetëdijshëm se aktorët e lojës me koka e kafka do ta pësojnë dhe do t’i ‘gjykojë koha’ siç konkludon në këtë poezi. Dhe si rrjedhim i kësaj, mund të konkludojmë edhe se poezia e tillë, e cila kryekreje e trajton një figurë të tillë, herë herë edhe me një farë pesimizmi momental, është humane, e gjykon një ‘lojë’ të tillë dhe kërkon që ajo të mos përsëritet më. Kërkon, pra, që nëpër atë hark poetik, që e vijëzon poeti me një fanatizëm të madh, të depërtoj vetëm kaltria dhe bukuria e dashurisë njerëzore. Nga kjo pikëpamje, kjo poezi e këtij të riu, është një sintezë e fuqishme e një qëndrimi, e një orientimi, e një vizioni, ku prosedeu poetik dhe ideja përciellet me një trajtim formal, i cili si i tillë i ka dhënë kësaj përmbledhje një sistem të caktuar, anipse aty-këtu vërehen edhe ndikime libreske prej një pjese të poezisë që krijohet gjetkë.

Në tërësi përmbledhja e tretë e poezive të Nexhat Halimit, ‘Hark’ është një përmbledhje e suksesshme, në të cilën shihet dhe ka gjetur shprehje orientimi i ri i këtij krijuesi. Vargu i tij është mjaft komunikativ dhe e ka atë temperaturën e duhur shprehëse çfarë e synon krijimtaria jonë në momentin e pikërishëm.

Në shkrimin ‘Mozaik poetik’, Ramadan Musliu, apostrofon për përmbledhjen ‘Dita e daljes’ e Nexhat Halimit, ku autori në vete sintetizon të gjitha veçoritë që e karakterizojnë poezinë tonë më të re: reduktimi i shprehjes poetike deri në nivelin metafor e simbol, zgjerimin e kuptimit angazhim deri në poetizim të vetvetës, aplikimi i një gjuhe të re në ligjërimin poetik, zgjerimi i botës problemore, ekuilibrimi ndërmjet formës dhe përmbajtjes etj., e që shprehimisht inicojnë problemin qenësor të çdo poezie autoktone: primaritetin e artistikes në kreacionin poetik…

Teksti poetik i kësaj përmbledhjeje imponohet me shumësinë e vlerave të cilat mund të shpalohen dhe të qasen vetëm nga kritika e specializuar. kjo poezi ka pavarësinë e vet dhe shtrihet kryesisht nëpërmjet dy rrafsheve: rrafshit ekzistencial dhe atij të logosi estetik e që në kohë të sotme janë në rrugë ta fitojnë pavarësinë e vet dhe të qenmit individual në kuadër të qenies poetike. Poezia e sotme e sidomos kjo e brezit më të ri shtron edhe një problem tjetër shumë me rëndësi, të cilin letërsitë e mëdha e kanë zgjidhur kohë më parë: antologjinë e artit, respektivisht poezisë.

Nazif Fejzullahu, në shkrimin e vet në ‘Flaka e vëllazërimit’, nënvizon, “Botë preokupuese e këtij autori nuk është subjekti ose objekti i një kohe dhe hapësire të caktuar, por dytësia e tyre e përbashkët. Pasubjektësia e këtillë e (për)kobshme,  e vështruar me prizmin e anës së përgjithshme, në librin “Truphija” formësohet nëpërmjet një vokacioni të rrjedhshëm sukcesiv, që do të thotë se ajo arrin të artikulohet me gjuhë të pasur poetike dhe semiotikisht të niveluar. Rrjedhimisht, libri i imponohet lexuesit me strukturën e tij metaforike-simbolike, e cila e kushtëzon edhe vetë aktin e leximit, duke e bërë atë që të jetë trampolinë e kuptueshmërisë së tij të mirëfilltë. Duke u marrë me tepër me anën meditative sesa me atë të veprimit (e inkurajimit këtu në fjalën e përngjitur të titullit të një vjershe dhe të gjithë librit), N. Halimi krijon poezinë e vet dhe të rrethit të tij  jetësor, prandaj edhe thirrma ideo-artistike e ardhur nga kjo nuk kakofonohet as llojshmërisht e as për nga lartësia (gjegjësisht ultësia) e zërit të pranishëm gjithandej, sepse intenca e autorit nuk është e tillë assesi. Kështu, këtu gjen shprehje mendimi biblik i gjakut–jetë, ose ai i gjakut të përzier me ujë që par excellence është shenjë e pavdekshmërisë. Lidhja e dy borërave–tokësores dhe asaj hyjnores–e bërë përmes shkurtësisë, sibilave, të cilat e mbajnë gjallë dialogun poetik me narratorin përbën hallkën kryesore të stigmatizimit të pasubjektësisë së përçmuar me meritë. Vargjet deri te Olimpi (vetëm hije) e varre (e brigje) e ujë (në rrugë) qerre të thyera (e kalorës të verbër), “Truphija” fq. 8 dhe “toka e bardhë në malkurën (përrallën e gjakut) që hapësirë bëhet në një degë (zjarr bëhet) hi (lule përsëri feniks), (fq. 118) të cilat i mbyllin përkatësisht poezinë prolog dhe  ‘Përralla’ të ‘Fragmentit 6’ qëndrojnë në marrëdhënie shkak-pasojë ose, thënë më ndryshe, të diagnozës dhe të terapisë, ligjshmëri këto që në përgjithësi janë universale në kohë dhe hapësirë. Së këndejmi edhe preokupimi me tërësinë e raporteve ekzistenciale, të vështruara në relacione të ndryshme përcaktuese, ndikon që struktura tematike e këtij libri të jetë e prridhur horizontalisht dhe vertikalisht, e cila ngërthejnë vetveten elementaritet vokativ të ri e semantik të ditur.

Skënder Gërguri, në shkrimin e vet shpërfaq mendimin se “Nuk ke nevojë të mbërrish në fund të librit ‘Gjeli i dylltë’ për ta tumirë mendimin e Floberit se ‘stili vetvetiu është mënyrë apsolute e vështrimit të sendeve’. Madje, çdo gjë qartësohet që në vjershën e parë, e cila, si të thuash, është parathënie për tërë librin, hiq ciklin e fundit që përbëhet nga vjershë e vetme. Si vjersha e parë ‘Një pjesë e lindjes’, ashtu edhe vjersha e vendosur në fund të librit, janë në të vërtetë forma të kondensuara të mendimit poetik të poetit dhe, ky mendim poetik ravijëzohet njëherë tekstualisht si qëmtim subjektiv dhe identifikimi i gjërave, sendeve, gjendjeve e situatave konkrete, e pastaj, në rrafshin mbitekstor–si formë kolektive identifikuese me konotacione përgjithësuese. Përgjithësimi sendërtohet varësisht dhe në saj të shprehjes së kondensuar poetike, e cila shquan me figurëshmëri të pasur. Ndër figurat më të shpeshta janë metafora, antiteza, por ka edhe gradacion, elipsë, përsëritje e aliteracion, etj.

Është karakteristike mënyra e ndërtimit të vjershës në këtë libër poetik, sikundër edhe në tërë krijimtarinë poetike të këtij autori, po sidomos në përmbledhjet “Truphija” dhe “Gjeli i dylltë”. Në këtë plan, përsëritja si figurë poetike është më pak prezente në libër, ndërkaq, përsëritja si formë sintaksore, jo vetëm që, si të thuash, sistemon tërë lënden poetike të librit, por edhe e nyjëton individualitetin poetik të Nexhat Halimit. Përsëriten motivet e njëjta, gjegjësisht ddegëzimet e tyre, që vijnë e përgjithësohen në një sistem poetik; përsëriten figurat, madje edhe vetë fjalët a leksemat që vijnë e ngriten në simbole kontekstuale, të marra në raport me vjershën a ciklin poetik, si: gjeli, gjarpri, shiu, deti, kafka, zogu, qeni, dega, pema, rrënja, lulja, guri, qiriri, zjarri, hiri, etj., apo simbole konstante, si: gjeli, gjarpri, ura, hija, macja e zezë, e diela, dy-pëllëmbëshi me tri pëllëmbë mjekërr, etj.

Pra, dy simbolet konstatnte – gjarpri dhe gjeli, dalin edhe në funksion të simboleve kontekstuale. (Ndoshta këtu mund të flitet edhe për rrugën e krijimit, gjegjësisht për mënyrën e ndërtimit të simboleve si parim krijues i poetit Nexhat Halimi, e, për këtë – një herë tjetër). Derisa simbolet kontekstuale dhe figuracioni poetik përgjithësisht e shquajnë poezinë e poetëve tanë më të njohur, simbolet konstante janë në të vërtetë simbole arketipe me prejardhje nga mitologjia popullore jona. Bien në sy edhe një varg dilemash që dalin në vargun poetik të këtij poeti si fjalë të urta e në funksion të përvojës së ngritur në temë-ide.

Ragip Sylaj, shkruan për librin “Njeriu me zgjedhë”, – Nexhat Halimi, i njohur si mjeshtër i paradoksit poetik, edhe në këtë libër i ruan tiparet e stilit të tij, të tekstit të kondensuar, të gjuhës figurative dhe të ndjeshmërisë lirike. Materia poetike e vëllimit “Njeriu me zgjedhë” është organizuar në gjashtë tërësi, të cilat kanë një lidhje temtiko motivore dhe stilistike dhe si e tillë  ajo mund të lexohet edhe si një poemë e vetme, pavarësisht prej autonomitetit të akcilës poezi të saj. Preokupimet e heroit lirik të kësaj poezie janë sa mitike aq atike, në njërën anë dhe po aq surreale, reale dhe bashkëkohore në anën tjetër. E veçanta tjetër e kësaj poezie është, se përveç përbërsëve të tjetër estetikë që e karkatreizojnë poezinë e tij që nga fillimet  krijuese, këtë herë e shquan një gjuhë më komunikative. Disa nga faktet e dramës së heroit lirik, paranikët e të cilit kanë përjetuar edhe shpërnguljet parae thikës serbe nga ‘Tullari i Toplicës’, sikur ndihmojnë recepientin e poezisë, për të vënë lidhje edhe me abstrakcionin, si njëra ndër shkallët fikcionale të poezisë në përgjithësi dhe te N. Halimi në veçanti.

Fatmire Duraku: Shkrimi letrar në poezi, prozë apo në dramë kërkon përkushtim të përhershëm dhe çdo ngecje në këtë rrjedhë, çdo heshtje në këtë përpjekje mund të lë pasoja ndonjëherë mjaft të rënda. Poeti i njohur Nexhat Halimi para lexuesit të vet hesht tash e trembëdhjetë vjet, që më në fund të botojë librin e vet të ri “Njeriu me zgjedhë”. Çfarë është e njëjtë dhe çfarë ka ndryshuar nga mendimi, muzika dhe forma e shkrimit poetik te ky autor? Asgjë. Kjo ka mundur të arrihej me heshtje aktive, duke shkruar gjithnjë, por pa botuar për kaq vjet, e cila gjë ka bërë që autori megjithatë ta ruaj vargun e vet të pasur, pa e dëmtuar shumë rrjedhën e as ngjyrën e krijimtarisë. Është po ritëm, po ai tingull, po ai përjetim, që në librat e mëhershëm poetik e karakterizonin këtë autor, e bënin të veçantë në letërsinë shqiptare. Kështu, jo se është dëmtuar diçka, por të shumtën e herës poezia ka fituar në mendim, në çdo krijim hetohet një leksik i ri, një kompozim i ri, një motiv i ri që në shumë aspekte e bën më të thellë librin.

Te kjo poezi – lumë, te ky krijim mjeshtëror, vërehet qartë nga secili lexues i mirëfilltë se asgjë, ama asgjë, nuk është e rastit. Secilin varg e karakterizon përkushtimi i caktuar. Ritmin e secilit varg apo poezi, e pasuron fryma popullore, urtësia popullore, për këtë shkak-pa mëdyshje, secili varg i Nexhat Halimit jo rrallë është poezi më vete. Të hetohet dhe përjetohet kjo duhet lexuar secili tingull me përkushtim të duhur… Për fund, dua të cek, se heshtja për shumë vite e autorit, apo më mirë thënë mosprania tij me krijime në hapësirën tonë letrare, nuk e ka dëmtuar poezinë e tij, por vetëm sa e ka bërë më të thellë, më të bukur dhe më të veçantë. Ajo bart në vete muzikën e shpirtit, formën e bukur, ritmin dhe thellësinë e mendimit. Të gjitha këto brenda një krijimi ia dalin t`i kompozojnë vetëm krijuesit e shquar.

Prend Buzhala në shkrimin “Semiologjia e përtërirë e shkrimit poetik” për librin “Njeriu me zgjedhë” botuar në të përditshmen “Zëri” 2002:  Nexhat Halimi i pati shpërthimet e tij letrare prej vitit 1969 e këtej kur botoi librin e parë të poezive “Parakalimi i etjeve” ishte ky filli i letërsisë moderne letrar në Kosovë. Te poezia e tij ndeshim Imagjinatën poetike. Gjuhën e re në ligjërimin poetik. Poezi për njeriun në përpëlitjet e tij jetësore. Poezia si kohezion emocional. Ndeshim tërësi brenda tërësie. Precizitet  poetik për motivet e së  pa kënduarës e të mosqenies.  I mëshiruar në fshehtësitë e poezisë. Prirja për origjinalitet, intonim i baladës dhe elegjisë, procedim i kolazhit dhe mozaikut. Bota e çuditshme poetike… kështu u vlerësua gjatë gjithë kohës  poezia e Nexhat Halimit nga kritikëtë letrar Ramadan Musliu, Sabri Hamiti, Beqir Musliu, Jusuf Buxhovi, Teki Dervishi, etj, në shkrimet e tyre  kritike.

Mendimin e vet e jep prapë ndër të tjerë dhe poeti e vlerësuesi Ragip Sylaj  për librin e radhës, me ç’ rast potencon çaste nga  përmbledhja poetike “Dega e varur mbi varr”, e filluar me poezinë “Udhëtimi i udhëtimit” dhe e përmbyllur me atë “Udhëtimi i ri”. Me këtë ndër lidh,  materien e organizuar brenda dy udhëtimesh, me “Peizazh” dhe me tetë njësi poetike, “Ditari” një e deri në tetë, sa ka libri. Këto pjesë të këngëtimit të Halimit megjithatë mundësojnë, thekson ai, që libri të lexohet dhe të përjetohet si një tërësi e vetme motivore dhe stilistikore. Mbase vetë titulli i librit “Dega e varur mbi varr”, por edhe nocionet kryesore që e pikturojnë imazhin poetik të poezisë (gjaku, hiri, guri,  ëndrra, vetmia etj.) subjektit lirik të saj i japin ngjyrimet e një ndjeshmërie elegjike dhe disa herë të ngshëryer e të gërshetuar me notat e mallëngjimit. Në përgjithësi, vargjet e poezisë janë lirika meditative mbi qeniesimin presonal dhe universal. Si e tillë edhe poezia më e re e Halimit bëhet pjesë përplotësuese e opusit poetik të deritashme të autorit, me veçantitë e veta, me paradoksin poetik sidomos, të cilin e zhvillon deri në nuancat më të  fshehta. Nexhat Halimi hyn në radhën e krijuesve letrarë të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqip që krijohet në Kosovë. Libri i ri me poezi “Requiem për fluturën”, shkruan letrari Hasan Hasani në gazetën Koha ditore, e dëshmon më së miri  nvelin artistik, ngase hyn ndër vlerat e shquara poetike të viteve të fundit jo vetëm të autorit, por të poezisë shqipe bashkëkohore. Me gjithë vëllimet e mëparshme, ku autori kultivonte kryesisht vargun e lirë, në vëllimin e ri paralel kultivon vargun e lirë dhe sonetin, këtë të fundit si formën më të vështirë të të shkruarit në vargje. Madje, në mesin e shumë soneteve të këtij libri, kemi edhe dy kunora sonetike. Libri ndahet në tetë cikle siç i quan autori në tetë kolazhe me gjithsej 148 poezi të shkruara me një përkushtim prej poeti, me fjalë e shprehje të zgjedhura, me figura funksionale, me krahasime dhe epitete, me metafora që ngrisin lart artin e të shkruarit poetik. Madja, duhet pohuar se vëllimi poetik “Requem për fluturën” është libri më i mirë poetik i Nexhet Halimit deri më sot. Duke lexuar këtë libër, lexuesi zhytet në një botë që të tërheq, të zhyt në misterin e fjalëve dhe të nxjerr më të fortë, më të qëndrueshëm.

Ali D. Jasiqi për librin ‘Udhëtimi në vete’ apostrofon veçantinë e shkrimit në radhë të parë, për t’i prekur më pastaj veçoritë që e shquajnë poezinë e autorit në shkrimin e tij. Nexhat Halimi është poet specifik, bota poetike e të cilit dallon nga të tjerët, qoftë për mënyrën e të shprehurit artistik, qoftë për gjetjen e temës, të frymëzimit të veçantë. Ai përdor me mjeshtri shprehjet poetike, të cilat i pasuron me metafora e figura në konstrukte të ndryshme artistike.

Për librin ‘Iluzioni i fluturimit’ poeti Skënder Zogaj shkruan:

Nuk ka dyshim se epitetin e librit të mirë dhe të dobishëm, e meriton edhe vëllimi poetik “Iluzioni i fluturimit”, i shkrimtarit, poetit, kritikut, dramaturgut dhe publicistit Nexhat Halimi, autor i rreth 60 veprave, shumica me poezi.

Brenda këtij opusi të gjerë e të pasur veprash poetike, vëllimi “Iluzioni i fluturimit” zotëron një pozitë të veçantë, në gjithë krijimtarinë poetike të Nexhat Halimit, sepse konsiderojmë se është nga krijimet më të bukura artistike të autorit, para dhe pas këtij libri. Për pikëpamjen time, kjo vepër shënon një pikë kyçe në opusin poetik të poetit, rreth së cilës gravitojnë të gjitha veprat e tjera të shumta artistike, që kanë marrë vlerësime të larta nga kritika, e cila në natyrën paradoksale të kësaj poezie ka gjetur finesat e bukura artistike që impulsuan fuqishëm poetikën moderne shqipe, ku poeti Nexhat Halimi paraqet figurën e mjeshtrit më të spikatur letrar e stilistik në poezinë bashkëkohore shqipe.

Përmbledhja “Iluzioni i fluturimit” krijon mbresëlënie që nga titulli i librit, që e mbanë peng lexuesin deri te vargu i fundit të librit: “mbi krah të dritares bie vetmi dhe natë”, që është një përmbyllje parabolike e “iluzionit të fluturimit”, duke e rikthyer vëmendjen tek përsiatja fillestare e vargut të parë të librit “fjalët janë të pakuptimta për lirinë”! Këto dy vargje, i pari dhe i fundit i librit, krijojnë lidhjen ndërvepruese, në kuptimin themelor ideo-tematik të përmbajtjes letrare, e cila që nga njësitë më të vogla e deri të tërësia e veprës, insiston mozaikun e madh artistik, brenda të cilit çdo detaj, qoftë edhe më i vogli, si apostrofi, (shenja e vetme e pikësimit që ka përdor autori)  janë të rëndësisë esenciale. Tek të gjitha veprat poetike të Nexhat Halimit, poezia e parë e librit absolutisht ka funksionin e prologut që determinon ose determinohet nga poezia e fundit të librit, që ka të gjitha primesat e prologut, dhe kjo ndërlidhje është shenjë karakterizuese e veçantisë ligjërimore të autorit, i cili narracionin letrar e realizon me eksplorim të zgjedhur vokacionesh artistike, ekuilibruese me përmbajtjen dhe natyrën polivalente të përsiatjeve metafizike. Pra, në vëllimin “Iluzioni i fluturimit” gjithçka është rreptësishtë e kontrolluar që forma dhe përmbajtja maksimalisht të sintetizohen në kuptimin e realizimit të rezultatit artistik. Te ky libër autori ka demonstruar zotësinë eksploruese prej artisti, përvoja e gjatë e të cilit kodifikohet në kredon poetike, model të poezisë së përparuar për kohë moderne, së cilës Nexhat Halimi, iu ka përkushtuar që nga krijimet fillestare, gjysmë shekulli më parë, dhe tendencën avangardiste ka arritur ta profilizoj me sukses të plotë. Dëshmi janë të gjitha veprat e botuara të këtij letrari, ndër të cilat vëllimi “Iluzioni i fluturimit”, është një medaljon në poezinë bashkëkohore moderne shqipe, pos tjerash “edhe me konstantën artistike: natyrën e percepcionit, përmbajtjen e vizionit poetik, strukturën e mesazhit, sublimimin lirik dhe një varg tiparesh, veçorish e karakteristikash të tjera” – (Ramadan Musliu: Mbindërtimi poetik,fq .8).

Nexhat Halimi është një mjeshtër i hollë i përzgjedhjes, zotërimit dhe përkufizimit të fjalës në shenjë-ide për ngjizjen fillestare të vokacionit poetik, si kusht determinues i shpërthimit të variacioneve dëshirore gjatë eskursit hulumtues të perceptimeve ideo-artistike. Me një zhdërvjelltësi mjeshtërore, provokon forcën rrezatuese të fjalës, që në reciprocitetin e marrë-dhënies pohuese e mohuese, pasqyron dimensionin magjik që vlerës artistike që fshihet brenda përbërjes iluzive dhe jashtëzakonisht komplekse të fjalës. Prandaj, jo rastësisht “Iluzioni i fluturimit” niset nga fjala: që është njësia e mëvetësishme më e vogël e gjuhës, dhe e cila veçohet, me potencën që të riprodhohet në shumësi variacionesh gjatë rrjedhës së ligjërimit. Qëndrimi i poetit është alegorik:

fjalët janë të pakuptimta për lirinë

i kuptimtë është vetëm gjaku

(dy vargje për nënën time (fq. 5).

Kemi tri shenjë-ide: fjala-liria-gjaku. Kjo është e qenësishmja e konsistencës krijuese, në kuptimin e përtëritjes së vazhdueshme riprodhuese të observimeve shpirtërore, që autorit ia determinojnë mënyrën e vrojtimit dhe interkomunikimit stigmatizues, kundrejt totalitares së kodeve dogmatike, që, në të gjitha kohët dhe epokat, janë me ndikim të jashtëzakonshëm në krijimin e dilemave ekzistenciale, të kalimit nga qenia në mosqenie! Poeti përpiqet por nuk arrin të lirohet nga dilema:

s’ka dilemë tashmë

gjaku është i paparashikueshëm

ka në vete diçka të lules dhe diçka të gurit

diçka nga hiri i dashurisë e zjarri i urrejtjes

ngjashëm me siluetën në fund të rrugës

është pak plak me bastun pak fëmijë me xhitë

pak marri e gjelbër është edhe pak urti

pak pyll i pa udhë pak det në stuhi

pak kohë dhe ëndërr pak qen në shi

(letra e së premtes, fq, 110).

Vargjet e cituara janë ligjërim i rrjedhshëm dhe i pastër artistik, që e realizon bukur edhe qëllimin e artit, roli i të cilit është të zbulojë dhe të pasqyrojë të vërtetat e padukshme të realitetit, që janë shumë më të rëndësishme se sa të vërtetat që mund të preken me dorë. Pra, autori, përmbajtjet tematike ua derivon konstrukteve stilistike, nga të cilat formësohet ligjërimi poetik, i dominuar nga shprehjet e dendura të personifikimit: “është vet zoti/ njeriu ai me gur në shpirt/ ai me zog në kokë”.(110)

Fatmire Duraku: “I vetëm në mal”, tregime për fëmijë.

Një libër me tregime te realizuara në mënyrë mjeshtërore është kënaqësi të bie në duart e lexuesve të vegjël dhe të rinjve, të mësojnë më shumë për historinë e pashkruar të të ikurve nga Toplica dhe mallin e përhershëm që kanë për të, për tokën dhe varret që i kanë gjithnjë atje.

Kaltërina Meka: Drama “Angështia”.  Do cekur, se ky tekst i realizuar me shumë përkushtim e mban kujtimin gjallë të popullit për katrahurat që përjetoi nga policia dhe ushtria, e sidomos nga paramilitarët serbë, duke mos i harruar për asnjë çast masakrat e papara. Lufta këtu – në dramën “Angështia”, e shtrin vetëm hijen e vet të rëndë, ndërsa përplasjet ndodhin  brenda personazheve, të cilët pësojnë. Drama, me të gjitha tiparet që ka,  ngjallë mbresë të jashtëzakonshme edhe gjatë leximit, por vërja në skenë gjithsesi do ta ndriste edhe më fuqishëm këtë lëndë impresive dramaturgjike, përmes së cilës autori nuk thërret për hakmarrje, por ngreh zërin kundër harrimit.

Fatmire Duraku: Lidhur me romanin e Nexhat Halimit “Jakia e Mujit”, botuar nga SHB “Fad”, më 2016 në Prishtinë). Ky libër-mjaft voluminoz, është i shkruar me një përkushtim të veçantë, i përshkruar fund e krye nga një poetikë, që herë-herë e bën mjaft emocional shkrimin, ndërsa herë tjetër në ndonjë masë dhe vështirë të kapshëm. Ngjarja e romanit ndodh dhe shtrihet në 320 faqe siç cekëm,  duke përthekuar ngjarje, data e çaste tronditëse  në afro njëqind vjetet e fundit. Datat, ngjarjet e çastet kapin dhe fije  rrëfimesh të largëta, ndonjëherë mite dhe gojëdhëna, derdhje mistike dhe prapë të lidhura me unazën e kohës në të cilën ndodh ngjarja, që përfshin baticat dhe zbaticat shpirtërore të fshatarit të rrethinës së Prizrenit, larg pragut të shtëpisë, jo për të shijuar bukën e hidhur të punëtorit të krahut, por për të ikur nga gjaku i vet, nga hija e vet, tërë kohën i djegur për dashurinë që nuk i shuhet për gurin, për drurin, për kullë, që ndrit nën   hënën – këtë fanar qiellor, herë të shfaqur si shenjë bukurie, herë përmallimi e shprese, herën tjetër. Ky trup qiellor, që “me argjendin e vet ëndrrën ndrit”, ndez fantazinë e Mujit dhe të birit të tij, që  nëpërmjet saj edhe të kridhen në përsiatje e kujtime, të bien në hije e fenomene  që  ngacmojnë, ngase ky trup qiellor sa  dhe kaq herë i shpie në imagjinatë, e cila i ik nga rrjedha e ashpër e kohës, sepse shfaqet si diçka që sa e sheh sa s`e sheh – zhduket, diçka që shfaqet në qiell, të është afër,  pastaj ik ta shohësh prapë të pasqyruar në ujë, një shenjë drite herë në vete, mbi vete, herë në frëngji… më pastaj humb?!  Është njëherësh diçka si ëndërr, një bashkudhëtare në jetë, në gëzime e në hidhërime, në melankoli e shpresa të kota.

Kaltrina Meka, drama “Aurora”: Drama është shkruar me një stil të rrjedhshëm, të qartë e të afërt, e cila gjë bën që lexuesit ta përjetonin deri në fund, e sidomos kjo do të ndodhte me shikuesit – dashamirë të tetarit, sikur drama të inskenohej, me ç`rast drama do të merrte dimension të ri, do të merrte shpirt, jetë në skenë para shikuesit…

Shkrimi fund e krye përshkohet me pamje, fjalë e veprime shumë të përshtatshme për skenë, por në të njëjtën kohë është mjaftë i afërte edhe për lexim. Në të shumtën e rasteve dialogët kanë rima.

Kaltërina Meka: Libri me poezi për fëmijë “Katana e purpurt” është libër i cili çel në secilin lexim kuptim të ri, krijon kënaqësi të re. Ja pse, sapo ta përfundosh së lexuari, ke dëshirë ta lexosh prapë dhe prapë. Një gjë të tillë lexuesi e gjen vetëm te krijimet e rralla, me vlera të veçanta, çfarë padyshim është dhe ky libër.

Fatmire Duraku: “Darka për dy vetë”, libër me poezi

Një libër i shkruar me përkushtim, një libër në të cilin autori secilën fjalë, varg, poezi, secilën shenjë në mbarë krijimtarinë e vet artistike e ka matur një kohë të gjatë mirë e mirë, ia ka dëgjuar ritmin dhe muzikën e brendshme, ia ka dëgjuar secilin tingull dhe vetëm atëherë do ta ketë hedhur në letër, që të bëjë jetë jashtë shpirtit dhe gjakut të tij, të bëhet pjesë e pandarë e lexuesit. Dhe kjo, padyshim, ka bërë që poezia e tij të rrjedh herë furishëm e herë tjetër fare i qetë, të rrjedh herë me shkulma dhe gurgullima, deri në bubullimë, deri në vërshim. Ai, vetë është lumë, i cili ndonjëherë rrjedh qetë, me tiktake të zemrës e ndonjëherë shpërthen. Kështu, poeti shpreh botën e vet të brendshme, shqetësimet, dilemat, zhgënjimet.Në këtë sferë të rrethit nëpër të cilin ecën dhe shkruan gjithherë është i pranishëm hiri, e kaluara e mbetur në kujtesë të gjallë, më pastaj uji dhe zjarri.Dhe drita e tokës. Ndërmjet këtu ndonjëherë të shfaqet edhe dashuria e vrarë, por zemra ende e ka në vete dhe nuk lejon t`i ik për asnjë çast gjaku i vet. Kjo bën të rikujtohen data dhe ngjarje , që lexuesin e ngacmojnë dhe e shpien deri në pikëllim, por të veshur dhe me krenari. Në librin “Darka për dy vetë” kemi vargje, të cilat lirisht mund t`i emërtojmë me margaritarë të vërtetë të poezisë së sotme shqipe, sidomos të poezisë së shkruar në Kosovë, e cila për shumë nuanca dallon nga poezia e përgjithshme shqipe.

Kjo gjithsesi për nga motivi, por dhe për nga realizimi, herë simbolik e herë tjetër hermetik.Ky hermetizëm nuk e ka dëmtuar aspak poezinë për të cilën flasim, sepse autori nuk ka lejuar te hyjë ai abstraksioni i zemrës së verbër, për ta mbytur poezinë që tingëllon përmes mendimit, muzikës dhe formës së vet kaq fuqishëm dhe të veçantë.

Vargjet e Halimit janë plot emocione shpërthyese, të realizuara me metafora, me figura dhe ngjyra, të cilat të marrin të ecësh nëpër mendim dhe muzikë të veçantë artistike.

Fatmire Duraku: Poezia e Nexhat Halimit, kjo e librit “Ulli mbi det”, e  botuar nga Shtëpia Botuese “Diti & Oli” në Ulqin, është një tërësi unike dhe ti ke përshtypjen e udhëtimit të pandërprerë ndër valë të ashpra, ndër det të qetë dhe të pafund për të arritur deri te një kështjellë mijëvjeçare dhe prapë  – i përgjakur, me  mendime, me ndjenja e pikëpamje, nisesh larg  në kohë për të arritur përmes fjalësh deri te vetja e vjetër e lidhur me gurin, me ullirin, e botën e robëruar të vetes. Etja e pandërprerë e shpirtit, i cili arrin në Ulqin me galerën e vet e megjithatë nuk arrin te liria e vet e përshkruar bukur përmes degëzimit të vetëtimës e cila çilet mbi det.

Kalterina Meka: “A vuan më pse nuk vuan” poezi për të rritur të gjitha i kushtohen më të dashurës, nënës.  Nis nga vetë titulli i librit e me radhë – me secilën poezi veç e veç,  shpjegon përpjekjet, mundi dhe vragat e jetës, rrjedhat, çastet  e ndodhitë gjatë punës së rëndë të bërë në të përditshmen e jetës në fshat. Këtë e dëshmon secila nga poezitë e radhitura në këtë libër, si dhe përkujdesja e nënës për fëmijët me të cilën ata e thurnin jetën. ”A vuan më pse nuk vuan” e shpjegon tërë thellësinë , tërë bukurinë, plot ndjeshmëri, muzikë dhe mendim të shfaqur në këtë poezi. Pikërisht, të realizuar kështu, lexuesi do ta përjetojë fuqishëm secilin tekst letrar. Në të njëjtën kohë, prej poezisë në poezi vjen e shumëfishohet dhembja për mungesën e nënës, ndërsa kaq thellë përjetohen vargjet: pse s’do të vish me shprehi / të më prekësh në netët e acarta / a i kam këmbët të ftohta / të më mishërosh me besim.

Dhembja gjithnjë rritet, shtohet, ndërsa jeta vazhdon.Të gjitha tekstet tematikë bosht e kanë dhembjen dhe pikëllimin e thellë për aktin e vdekjes, të vdekjes së nënës larg nga atdheu, në ShBA.Në mënyrë shumë të afërt, me figura të zgjedhura e metafora krijon vargje të veçanta, kujton shumë çaste të jetës pranë nënës, sidomos në moshën e fëmijërisë në fshatin Dumnicë të Llapit, ku jetonin. Herë të lumtur e herë tjetër të ballafaquar me brigje e ashpërsi të së përditshmes. Të gjitha përjetimet e këputura nga jeta, janë realizuar në poezi me ndjesi dhe mjeshtri të madhe, natyrisht falë përvojës së madhe të autorit në krijimtarinë poetike, i cili ka një bagazh të madh veprash në të gjitha gjinitë letrare. Ky libër është njëri nga më të suksesshmit të Nexhat Halimit, krijimtaria e të cilit është cilësuar e suksesshme në vazhdimësi, nga kritika, por edhe nga lexuesi.

Fatmire Duraku: Libri i me poezi i Nexhat Halimit “Vërasja e thëllëzës”

Ky krijim pa hamendje mund të radhitet libër brenda librit; gjatë tërë rrjedhës përjetohet me dhembje dhe dashuri, është realizuar me kaq mjeshtri, si rrallë tjetër herë në mbarë letërsinë shqiptare. Me tone të rënda dhe në mënyrë poashtu të veçantë është shkruar dhe poema “shënime të luftëtarit të UÇK-së”, ku përmes monologësh të fortë shprehet tërë egërsia, brutaliteti dhe krimi i hordhive serbe ndaj popullsisë së pafajshme, duarthatë. Tërë këtë lexuesi do ta shikojë, do ta ndiejë në hapjen e një torbe të një ushtari të vrarë serb, në të cilën gjenden veshët, sytë, gjuhët, gishtat, etj., të prera me kama  gjatë krimeve të bëra në Kosovë ndaj  fëmijëve dhe nënave, qytetarëve duarthatë shqiptarë.

Ka të thuhet dhe shumë për këtë përmbledhje me poezi, por nuk duhet marrë kënaqësinë e lexuesi, i cili do t`i zbulojë dhe përjetojë vetë gatë leximit të librit.

Fatmire Duraku:  Libri për fëmijë i Nexhat Halimit, “Zogu sjell lajmin në liman”, është karakteristik për shumë rrjedha, të cilat shquhen në letërsinë për fëmijë. Brenda faqesh të librit lexuesi do të ballafaqohet me shumë risi, të cilat nuk i ka hasur më parë. Ja pse ky libër është i veçantë.

Brenda shkrimit do të mësoni si i mbron të vegjlit e vet Mjellma, e cila kupton sesi zogjtë ende të pafuqishëm janë pickuar nga gjarpri. Ajo u qëndron pranë dhe vendos ta shpojë trupin e vet mbi gji, nga i cili fillon t’i rrjedh gjaku. Të vegjlit e pinë gjakun e së ëmës dhe këndellen. Sepse mjellma ushqehet me gjarpërinj dhe gjaku është ilaç, përmban atidot.

Fatmire Duraku: romani “Demi i tërbuar”.

Do cekur se autori Nexhat Halimi është dëshmuar vite me radhë publicist, poet, dramaturg dhe romansier. U lind në fshatin Dumnicë të Poshtme të Podujevës, është nga një familje, e cila, para thikës serbe-në dimër të vitit 1878, iku nga fshati Tullar i Toplicës.

Vite me radhë qe gazetar, reporter dhe redaktor në të përditshmen “Rilindja”. Për një kohë redaktoi faqet e kulturës e të letërsisë në “Zëri i rinisë”, në gazetën e përditshme “Yliria post” qe redaktor i shtojcës për kulturë, letërsi dhe art, pastaj redaktor përgjegjës në gazetën “Pavarësia…”, në të cilën redaktoi dhe shtojcën për kulturë dhe letërsi, disa vite redaktoi revistat për fëmijë “Zog mëngjesi” dhe “Mollëkuqja”, ndërsa në revistën letrare “Verbi’ redaktoi poezinë. Është autor i një varg librash me poezi, proza e drama.

Është përkthyer dhe përfaqësuar me poezi dhe prozë në shumë antologji në gjuhën shqipe dhe në shumë gjuhë të botës.

Librat e tij kanë zgjuar interesim të kritikës dhe të lexuesit.

…Ky shkrim, romani “Demi i tërbuar”, e dëshmon dhe një herë përvojën dhe talentin e autorit Nexhat Halimi.

Fatmire Duraku: Poezia “Shtatë poetë e një balerinë”, ngërthen në vete një tufë të larmishme çastesh të përafërta me dhembjen dhe muzikën e degëzuar të intimitetit, në të cilat ka ngjarje të ndryshme, ka ankthe, ka plagë, ka dashuri, verë dhe dimër. Kështu, duke rrjedhë aty-aty gjërat përmes ritmit lirik e herë tjetër dhe epik lexuesi vjen te poezitë e para, me të cilat hapet libri “Shaj me nënë” dhe “Ky ulli”, që janë tekste ballore, për të vazhduar me ciklin e parë, ku është radhitur kurorë e parë e bukur me tingëllima. Cikli i dytë përbëhet me një tufë të poezive të lira, për të kaluar te cikli i tretë ku prapë kemi kurorë tingëllimash, e cila është e realizuar në mënyrë brilantet. Në ciklin e katërt kemi tetë poezi. Autori në mënyrë mjeshtërore i paraqet në shtatë pamje, shtatë poetë, të cilët, nga perspektiva e përjetimeve, secili në mënyrën e vet e shpërfaqin “Balerinën, në dy pjesë, që është përgjigja bërthamë e esencës së përjetimit lirik e gjithë përmbledhjes poetike me katër kurora tingëllimash. Këto vargje klasike, Halimi i realizon në mënyrë precize duke i respektuar rimat dhe format e tyre, të cilat duan mund dhe mjeshtëri shkrimi.

Përvoja e gjatë e shkrimit e ka arritur dhe mjeshtërinë e përkryerjes së vet, të cilën gjë do ta përjetojë lexuesi përmes vargjesh të librit, të shtrirë në një tërësinë e librit, mjaft voluminoz.

 

* * *

Këtë shkrim të shkurtër për një veprimtari të gjatë shkrimi artistik po e nis në vitin e largët (mars 1964) me tendencë që të arrij këtu… në këtë rrjedhë artistike… me vargun që fare pa e nënshkruar autori e ka të njohur lexuesi, për hir të mënyrës së shtjellimit dhe veçantisë që ka në vete.

Për ta lidhur këtë mendim të prerë mjafton vetëm konstatimi i më hershëm i  dr Rrustem Berishës, mësues i hershëm i autorit, nga i cili poeti i ka mësuar të gjitha fshehtësitë e artit poetik. Ai do të thotë në një shkrim për nxënësin e vet, se “Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe e asnjë krijuesi tjetër”.

Një krijues i veçantë, një krijues modern, i realizuar me sukses në disa gjini të shkrimit letrar.

“në ç’derë të trokas në rizonë

ky dru e ky zog kjo kullë a është imja

ç’ka ndërruar zot udha qielli deti

***

në hotel Teuta s’më njeh njeri”.

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (2)

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (3)

 

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (4)

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (5)

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (6)

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (7)

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (8)

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (9)

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (10)

Please follow and like us: