Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (9)

Fatmire Duraku

 

 

 

POEZIA E PARADOKSIT

 

  1. Fundi e Fillimi

Kur një vëllim i poezisë së zgjedhur të një autori fillon me poezinë që mban titullin Fundi i udhëtimit, atëherë vetë-vetiu shtrohet çështja e domethënies poetike të një teksti te tille në një anë dhe e funksionit të tij në një rilexim të poezisë në tërësi. Këto dy çështje mund te vërehen edhe duke interpretuar poezinë ‘Fundi i udhëtimit’, që është vënë në ballë të poezisë së Nexhat Halimit. Ky tekst vetvetiu ka marrë funksionin e shenjimit të përfundimit të udhës, të rezumesë së këndimit, apo është shfaqur si një protestë intime fillestare. Sido që të jetë, këtu e ka funksionin dhe rolin e këngës paraprijëse dhe si e tillë shenjon disa tema themelore të gjithë poezisë së autorit dhe artikulimin e veçantë të tyre. Një shtresim i parë i kësaj poezie është shqiptuar nga pozita e pastër e subjektit, nga unë, që e jep situatën e jashtme bashkë me intimen:

dreqi ta hajë

 vetëm shkoj dikah prej diku

 me kokë të mbështjellë në gazetë

Ky përkufizim i gjendjes së rëndë të subjektit në një aktualitet, më tutje në një variante tjetër jepet e përsëritur, por duke e dhënë vargun e fundit me një konotacion që shkon më thellë në kohe:

 me kokë në strajcë të verdhë të historisë

në vijim teksti i kësaj poezie shqiptohet nga pozita e një kolektiviteti, nga ne. Theksohen me radhë ndodhitë kolektive, kurse ligjërimi i saj del nga figuracioni dhe ligjërimi popullor, gojor e përrallor, që është një rrjedhojë e këndimit epik, për të përfunduar mandej në një ligjërim simbolik:

Ne bregun tjetër ‘i bari

 i bie fyellit para kopesë

që kullot barin e rritur mallin

në kokë të thinjur të historisë

 

me vjet nuk shihemi

 e të njëjtën kohë e plakim

Pas një theksimi në nivel rezonues të udhëtimit dhe mbas një vlerësimi, që përgjithësohet në gjithë Ballkanin si vend e si Figurë, del se situata poetike dhe situata jetësore janë bashkuar dhe vlerësuar njësoj duke u identifikuar:

 djalli le ta hajë këtë fat

 nga të ikësh gjithmonë veten e merr me vete

 se kurrë nuk mund të jesh tjetër kush

veç dhembja vetë

veç guri që pëlcet

Duke lexuar këto tri segmente, poetike të kësaj vjershe ne hetojmë se si ndërtohet një situatë shpirtërore e krijuesit duke u nisur në aktualitet, duke u mbështetur në reminishencën kolektive për të prodhuar më në fund një situatë të ngushtuar të qenies që del si një shpërthim i serishëm autorial dhe subjektiv, ku dhembja është si guri që pëlcet. Me këtë dramatizim të situatës poetike dhe të krijuesit krijohet zjarrmia autentike – krijuesi që shënjon hyrjen në veten e dramatizuar dhe në të njëjtën kohë daljen në jetë të hapur. Pra, aty ku merr fund udhëtimi, në të vërtetë, fillon një udhëtim i ri autentik. Këtë mesazh fillestar e jep vjersha inauguruese e kësaj poezie, që ka intonime refleksive, që formohen si tërësi të veçanta figurative dhe të lidhura më pastaj formojnë tërësinë e madhe poetike. Paradoksalisht mbarimi i këtij udhëtimi kërkues është vetëm fillim i një udhëtimi te ri.

Pra, aty ku mbaron udhëtimi si përvojë e jetës dhe e shkrimit poetik, nis ‘Udhëtimi i ri’, që është edhe teksti përmbyllës poetik i gjithë veprës. Ky udhëtim tashti nis edhe m me shume pikëpyetje, sepse në fillim të tij rri droja e përsëritur si mesazh i kohës, si mësim jetësor personal apo si përvojë e sublimuar e kolektivitetit, që shqiptohet nëpërmjet figurës poetike lapidare:

vdekja është arti i kombit të folurit

 mbi fluturimin dhe të drejtën për ajër

Në këtë rrënqethje të përgjithshme të qenies, ku lëkundet pylli i errët, ku shpërthen vullneti i zi, dalja në rrugë me kokë në duar, sërish shpërthen qenia krijuese me një pikëpyetje të re tragjike:

a do te flas a do të shkruaj

Vetë kjo është një hyrje ne intimitetin, në zjarrminë krijuese, dhe përfundimisht, hyrjen në skenën e mbyllur të vetmisë, artikulimi i së cilës e bënë tragjike gjuhën dhe të folurit e hapur;

poezinë e pashkruar e flas

 e ndoshta s’kthehem më kurrë

Është bërë këtu bashkë fuqia dhe rreziku i fjalës së hapur. Kjo nisje e re e këngës, e fjalës së rëndë, fjalës së hapur dhe e rrezikut të saj, sikur e parashikon tragjicitetin e fundit, mbetjen dhe fundin e pashmangshëm:

më gjerësisht të shkruaj herën tjetër ndoshta

 apo kurrë më apo kurrë më apo kurrë më

Ndoshta, apo kurrë më!  Kujt i drejtohet poeti? Vetvetes, lexuesit apo bashkëbiseduesit të shpikur në një vetmi të thellë e tërësore? Krijuesi i shqetësuar sikur do të thotë vetëm; kjo është kjo. Ekziston diku tjetër shpresa, vetëm shpresa mbi këngën e gjelit dhe ëndrrën, si shpalim i fundit i shpirtit, për të mos u mundur, se gjaku s’e lë në terr ku fiket qiriri.

Çështjen e përpëlitjes së subjektit krijues në një ambient konkret të aktualitetit dhe para rrezikut të fjalës e të komunikimit të saj të hapur e shtron sërish dhe më hapur poezia ‘Fajtor mitik’, që del edhe si titull i librit. Le të lexojmë këtu vetëm një pjesë të saj:

qengji gjendet ende poshtë

ai edhe është fajtori mitik

pse lart i turbullohet uji ujkut

 

si te tërhiqem nga kjo ironi

e të flasë drejtpërdrejtë…

Kjo poezi që në të parë duket si shpalim i dilemave të shkrimit e si përforcim përfundimtar i një koncepsioni poetik, do të shihet, përmbledh diçka më të thellë e më shume. Vetë ndërtimi i tekstit të saj paradoksal poetik e jep edhe vetë paradoksin e situatës autoriale dhe situatës së një mesi. Nëpërmjet të citatit të përvojës së mendimit popullor ai e fikson një situatë, mirëpo shqiptimi i saj ironik e jep zjarrin edhe ethet e kohës e të aktualitetit. Poeti shkon edhe një hap më tej në këtë kacafytje me vetveten dhe situatën kolektive, nuk është i kënaqur me mënyrën e artikulimit ironik. E pra, tërheqja nga vala e ironisë si kërkesë për të për folur drejtpërdrejtë është një kërkesë për fjalën e hapur, për rrezikun dhe fuqinë e saj, që më në fund nuk shpie kund tjetër pos në portretimin e situatës krijuese ku vdes poezia, ku nuk ka kohë për poezinë. Kështu, në këtë pikë sikur gjithë poezia e Nexhat Halimit kërkon të ripërkufizohet, nga brenda: të flitet me ironi apo me figurë të drejtpërdrejtë? Mos është kjo e vetmja dalje nga poezia e hyrje në jetë. Kjo është çështja. Këtu nis dhe mbaron koncepti i tij jetësor dhe poetik, i cili përfundimisht mbështetet në figurë, qoftë të rikrijuar mbi figurën popullore, qoftë të ndërtuar në përpëlitjen personale krijuese.

 

  1. Ethet e kohës

Shpërngulja si proces i çrregullimit të jetës autentike, që del edhe në titullin e librit ‘Dita e Daljes’, do të bëhet lajtmotiv i poezisë së Nexhat Halimit, situatë që do të lakohet nëpër situata njerëzore e jetësore dhe breza njerëzish. Mirëpo, në këtë poezi shpërngulja nuk mbështetet në përshkrimin fizik, po në saktësimin e plagës shpirtërore, në shqiptimin e gjymtimit, që është i kushtëzuar nga dhuna dhe lufta ndaj saj për të mbrojtur dhe ruajtur një identitet në lëvizje e në ikje. Ne këtë vështrim vargjet:

trupi pa kulm

trëndafilin ma marrin

gjak

 

unë shtëpinë e kërkoj nëpër botë

marrin një kuptim të ri. Tanimë trupi pa kulm lexohet si trup pa kokë, se trëndafilja është vjedhur, kurse gjaku është simbolizimi i identitetit e jo vetëm i mundit për të gjetur një strehim. Është shenjë e mundimit për të gjetur kokën e tretur në udhën e ruajtjes së identitetit. Shenja e përpëlitjes për të ruajtur apo për të krijuar një ekzistencë njerëzore dhe një identitet shpirtëror, del në poezinë ‘Shtëpia me ballkonenga kafkat’, që me vetë titullin i cili është një varg themelor i nënvizuar, tregon flijimin për krijimin e kulmit, është koka e dhënë, jeta për të krijuar kokën-kulmin:

kokën time hark

 e ndërseve në pyll të lashtë

për gjah

s’u kthye më kurrë kokë

Në këtë procesion të identifikimit, në këtë përpjekje të ekzistencës njerëzore, më në fund vrasjen e bën vetmia.

Përpëlitja në rastin tjetër do të marrë karakterin e flijimit kontinuitiv:

 Ti vdes unë në rend pres

Se shpërngulja nuk është një rast, vetëm një situatë njerëzore, po një proces në kohë, një histori njerëzore, shqiptohet qartë nga poeti qoftë edhe duke u mbështetur në një realitet dhe në një aktualitet; ajo mbetet një plagë e përhershme edhe kur shikohet nga një e tashme. Prandaj, me një figurë të racionalizuar, që del si rezultantë e reminishencave të përhershme dhe të konstantave figurative, autori do ta japë këtë fenomen me ngjyra të tmerrit:

dashuria ime s’ka prejardhje vdekja

 ime s’ka trashëgimtar aq vjet vetmie

fillimi e fundi i rrethuar fund e krye

 është teatri i gjakut

Ne këtë interpretim të ekzistencës si teatër të gjakut, ne këtë rezonim poetik vargu i fundit i kësaj vjershe që del edhe si titull:

nesër përsëri është ditë

nuk shqiptohet e nuk kuptohet më si fije e shpresës dhe e dritës, e shpresës për ndërrime, po para së gjithash si konstantë dhe shenje kohore, se përsëritja do të vazhdojë me nuancime të reja, me variacione të situatave ekzistenciale, si dhe me variacione të figurave poetike të migrimit trupor dhe shpirtëror. Kjo është filozofia dhe psikologjia e shtegtarit me dhunë që portretohet në mënyrë të veçantë në poezinë e Nexhat Halimit, si askund tjetër në poezinë bashkëkohore shqipe. Në librin ‘Trupi i hijes’ poeti krijon një peizazh poetik të ashpër dhe të dhembshëm në ashpërsinë e tij, një rebelim dhe një melankoli në te njëjtën kohë. Peizazhi i tij i rendë, ftohtë nuk krijohet nga përshkrimet, syzheu i tij vetëm mund të perceptohet dhe të rikrijohet në lexim, duke hetuar gjestin e fuqishëm, copën, fragmentin. Pamja krijohet duke i lidhur këto në një imagjinatë krijuese. Peizazhi i kësaj poezie t’i kujton hapësirat e pikturës syrealiste. Po pranuam  mendimin e moçëm se peizazhi është gjendje e vetëdijes, shtrohet pyetja: ku është dalja nga kjo ngjethje, nga ky ankth i rëndë, nga kjo atmosferë që ngushton frymëmarrjen dhe prish ritmin e jetesës? Poeti i përgjigjet kësaj pyetje në mënyrën e vet origjinale, kur karshi dhembjes dhe melankolisë shqipton revoltën dhe rebelimin, mospajtimin që nxjerr krye në vargun e tij kryengritës dhe kryeneç. Në këtë vije të dhembje-kryeneçësisë, në këtë alternativë të përhershme ndërtohet pjesa themelore e poezisë së Nexhat Halimit, në këtë pikë kundërshtuese, te papajtueshme, në mes të asaj që është dhe asaj që dëshirohet  e adhurohet, ngritët poetika e kontrastit dhe paradoksit të tij poetik. Kështu lindin dysitë e preferuara të një kontrasti të fuqishëm, i cili del në trajtë të përfunduar kuptimisht dhe semantikisht në formën:

a është

nuk është

 e është

Kjo lidhet me botëkuptimin e autorit se bota që është, ekziston edhe në qoftë e mohuar, prandaj me kryeneçësi poetike e ngrit pohimin e vet poetik karshi mohimit institucional. Ky lloj i kontrastit jetësorë në poezinë e këtij autori do të shqiptohet edhe në ndërkomunikimin e tij me vlerat poetike-etike të traditës shqipe. Sepse asaj që këndohet si një idealitet ia kundërvë, apo e kryqëzon me të atë botë që i përket një realiteti. Ky kontrast mund të lexohet në rikrijimet e kësaj fare të baladës së Gjergj Elez Alisë. Nëpërmjet rikrijimit të saj aktual dhe poetik, në të vërtetë nëpërmjet leximit të kulturës nëpërmjet situatës konkrete të jetës, ai hap një dialog të ashpër ndërmjet idealitetit dhe realitetit, aktualitetit.

Udhëtimi personal dhe kolektiv në poezinë e Nexhat Halimit kalon nëpër kontraste të forta figurash dhe për le mos interpretuar figurën, po e japim në disa variante të saj:

Në rrugë qerre të thyera

 e kalorës të verbër

…………………………

Si ta shpëtoj urën

 gurin e prejardhjes bimën e trashëgimit

…………………………….

Zogj të trembur fluturojnë qiellit të ngrirë

……………………………..

 vjeshtë sall

shi

në një oborr pa shtëpi

…………………………….

Në trupin e një plepi që e kollit  stuhinë

Kështu, ky poet nëpërmjet figurës së habitshme krijon mungesën, ftohtësinë: një acar që kap qiellin e dheun, për të prodhuar vetminë si esencë të shpërnguljes, dhe kur të gjitha këto japin pamje, një peizazh të etheve, në anën tjetër është lëvizja njerëzore, është kundërshtimi, përpjekja për jetë dhe ekzistencë që do të krijojë figurën e fuqishme të teatrit të gjakut dhe të rrnesës vetëm e vetëm nëpërmjet flijimit. Pra, kontrasti dhe paradoksi rri në mënyrë homologe si në situatat jetësore të kësaj poezie dhe të ambientimit të saj, poashtu fuqishëm edhe në paradoksin figurativ të kësaj poezie te veçantë.

Mendimet për ekzistencën dhe variantet e shtegtimit tani që në tersi të veçanta poetike e krijojnë peizazhin e rëndë  tani kthehen në simbol te shtegtimit, të fluturimit, kthehen në një mit poetik, në poezinë antologjike Miti mbi fluturimin. S’është ky variante e mitit të Ikarit, rreth pushtimeve të hapësirave dhe te njohjeve të reja. Këtu është miti kolektiv, që ngritët mbi simbolin kombëtar të ekzistencës, të rënies, ngjalljes e ringjalljes, të mundimeve për të dëshmuar një të qenme:

Një mijë  e një herë e qëllojnë

Gjahtarë të sëmurë nga ëndrra

bie tërë gjak

 e prapë e mund plagën

është njaj zog mitik që krijohet serish nga zjarri e hiri i vet, që shpalon qiej e kalon detëra dhe gjithnjë kthehet në votër i tërhequr nga pesha e përrallës së gjakut. Kthimi i tij është ngushëllim i fundit i bukur i qenies së vetmuar të  poetit që vetes i bën , “shoqëri guri”, e ditës i bën „roje të vdekura”. Njaj zogu përrallor vjen të shohë shenjat e jetës e të votrës së plaguar – zjarrin, lulen, fyellin, për të shqiptuar përfundimisht thekset e tragjikes së trashëguar:

varrit të ri i këndon

Aty ku ka varre të reja, ka pasur, kishte jetë, sikur na thotë me zë të qetë metonimia poetike e Nexhat Halimit. Kjo vjershë e bukur simbolike shqipton fuqishëm temën e  flijimit, që është e pranishme kudo në poezinë e këtij autori bashkë me gjakimin dhe dashurinë për jetën.

Kjo është një udhë për të hyrë në vetminë personale duke kaluar nëpër një dhembje kolektive, në këtë kontekst vetmia është  vetëm një variante  e vdekjes së ngadalshme siç ngjet në poezinë Vdekja në dimër. Në të, përfundimisht barazohet kuptimisht e figurativisht peizazhi i jashtëm me atë të brendshmin. Në këtë vetmi, si variante të vdekjes e të ftohtësisë, sepse vijimisht bie borë, vargjet iniciale të vjershës e japin korrespondimin e botës së brendshme me boten e jashtme:

jashtë bie borë e unë gjakut

 heshtjen e pavdekshme vras

Kjo luftë personale me vetminë si variante të vdekjes apo me mundimin  e gjëllimit është dhënë në disa gjeste të shpejta dhe pikante poetike, që kapin gjendjet, e ku mungojnë veprimet e lëvizjet. Kurse gjithë tragjiciteti  situatës shqiptohet me vargjet e dhembjes, tmerrit e rezignimit, dhe ngritën shkallë-shkallë në mundimin e qenies:

 mesnata me damarë të prerë

………………………………

Më rrethojnë të vdekurit me fytyrën time

 ……………………..

me fatin e lidhur aty ku këputet fati

Lakimi i shpirtit nëpër këto valë të tragjicitetit vetëm shqipton edhe një herë fuqishëm njërën nga veçoritë më themelore te poezisë së Nexhat Halimit, që dhembjen kolektive  gjithmonë e gjithnjë e shqipton duke e subjektivizuar në një lirikë të veçantë personale, duke ia dhënë asaj në këtë proces krijues edhe nuancën e dhembjes personale. Një lirikë par exellence.

 

  1. Destrukturimi dhe Strukturimi

Poezia e Nexhat Halimit është një krijim në kuptimin më origjinal të fjalës. Ai, situatat e jashtme, motivet, shenjat e jetës kolektive dhe të aktualitetit vetëm i pranon për të lëkundur valët e detit të vet të brendshëm, për të krijuar figurën e vet poetike. Kështu procesi krijues i tij nuk ka ambicie përgjasimi, por është një proces i dramatizimit të komunikimit të një jashtësie me një mbrendësi, kurse rezultati i këtij procesi del një poezi  e mbështetur gjithnjë në figurë: pra gjithë poezia e tij është një gjerdan figurash poetike. Këto figura, mëtej, lidhen ne tërësi më të mëdha, siç është vjersha, e edhe në më të mëdha, si është libri. Duke qenë se Halimi i ik sistematikisht retorikës poetike dhe vjersha e tij rëndomë ka trajtën e solilokuiumit, për pasojë vjershat e tij duken si tërësi të papërfunduara, po si hallka që kuptimin e vet të përgjithshëm e marrin, kur lexohen në tërësi më të madhe ciklore e të librave. Prandaj, në poetikën e tij theksohet një element konstitutiv, që ai vet e qua fragment poetik, kurse gjithë vepra e tij poetike është lidhje e këtyre fragmenteve, për të krijuar tërësinë, kurse vjershat si njësi poetike duken variante te këndimeve të temave pike që marrin një artikulim të pastër lirik. Tërësitë poetike shpesh rrinë si tërësi të veçanta, si gurë të latuar të mendimit të përfunduar, prandaj poezia e tij shkon nga një lirizëm i brendshëm e subjektiv, kah një poezi e mendimit, po gjithnjë e shqiptuar nëpërmjet figurës, prandaj për të vlen plotësisht përkufizimi i poezisë si te menduar të figurshëm. Sa i përket sistemit të tij figurativ, shihet një udhe prej metaforës kah metonimia, kah simboli dhe anasjelltas. Kurse ndërtimi zotërues i tekstit te tij poetik mbështetet në paradoksin, jo vetëm si figurë tekstore, po edhe si situatë e shënjuar jetësore e individit dhe e kolektivit. Paradoksi këtu nuk ka vetëm kuptimin e ikjes nga e rëndomta po edhe të një çrregullimi të rendit të rezonimit të përditshëm. Do të thotë poezia konceptohet si diçka e re, si krijim, e me në fund, si të folur i ndryshëm nga të folurit e rëndomtë, që do të thotë si një figurë e paradoksit. Kjo mund te vërehet qofte me një inventar të shpejtë të figurave themelore me të cilat e shpreh qëndrimin dhe mundimin e ekzistencës, të cilat janë figura krejt tjera nga figurat tradicionale poetike në shqipet për temën e përhershme të qëndresës në këtë poezi. Kjo, përfundimisht, mund të vërehete dhe me figurat që dalin si tituj të tërësive të mëdha tematike e të librave si: Mbas udhëtimit, Dita e daljes, Trupi i hijes, Gjeli i dylltë, Peizazhi me zog,  dhe Udhëtimi i ri .

Në poezinë e  Nexhat Halimit, në një figurë poetike bëhem bashke e ndodhura (veprimi) pamja (gjendja.). Derisa ë para shqiptohet gati gjithnjë vetëm me figura të ngurtësuara e konstante të kujtesës popullore, nëpërmjet të menduarit dhe të kënduarit epik e duke krijuar spiralen dramatike të kësaj poezie, e dyta krijohet nëpërmjet peizazhit poetik, që e jep të projektuar gjendjen shpirtërore të subjektit. Në prerjen e këtyre dy elementeve poetike krijohet zjarrmia e kësaj poezie, që për t’u parë e tërë duhet të lexohet në sistem dhe sistematikisht. Me një fjalë në këtë poezi si veprim krijues dhe si poetikë kemi një proces te destrukturimit të një përvoje poetike, për të krijuar një strukturim të ri poetik personal, që krijon veçantinë dhe originalitetin e këtij poeti dhe të poezisë së tij.

Kur jemi te çështja e leximit të kësaj poezie, le të theksohet se edhe në tekstin e saj me orientim solilokuik apo monologjik, diku në thelbin e saj, do të shqiptohet një dialog, herë i fshehur, herë i hapur, me botën e personit dhe të lexuesit, që mund të konsiderohet si bërthamë poetike në funksion te komunikimit poetik me lexuesin. Formulimet unë e ti, të shpeshta në librin Dita e daljes, janë si përpjekje për të shpikur bashkëbiseduesin, që mungon, si mundje e monologut: kurse formulimet e përsëritura, a të kujtohet në librin Gjeli i dylltë, janë shenjim tragjik i mungesës, i humbjes, që shqiptohet si dhembje e tashme për të kaluarën, e cila vjen si plagë për personin e dashur. Me një fjalë është një klithmë  e qenies që e ka ngushtë, prej këndej edhe  gjithë ajo klithje për këngët e këputura,  urat e rrënuara, ujin e zi e të pakapërcyeshëm, dhe mundësinë e prerë të komunikimit me botën e dashur, gjë që lind për pasojë atë vetminë e rëndë, si një variante të vdekjeve të ngadalshme

Përfundimisht mund të artikulohet  mendimi se Nexhat Halimi ka krijuar stilin e vet të veçantë me një  artikulim poetik të  njënjëshëm, unik.  Është këtu një ankth personal që shqiptohet nëpërmjet shenjave  të ankthit kolektiv, herë si dëshmi e herë si reminishencë. Ligjërimi i tij është i ashpër dhe i dhembshëm në të njëjtën kohë, e jep të kuptosh se është kapur  për ashtin e fjalës e të ligjërimit. Kjo poezi përmban në vete ethet e kohës.

Prishtinë, qershor 1989.

Prezantimi i krijimtarisë  letrare të Kosovës

Në numrin e parë të viti 1986 të revistës për kulturë dhe letërsi “Rrugët” të Banjallukës botohen krijime në poezi dhe në prozë të autorëve kosovarë, me titull “Momenti letrarë kosovarë” në këtë panoramë të përgatitur nga Nenad Novakoviq, i cili, përveç fjalës së hyrjes, bën edhe prezantimin e krijuesve.

Me poezi dhe prozë prezantohen Anton Pashku, Ali Podrimja, Nexhat Halimi, Tahir Desku, Agim Mala, Abdullah Konushevci.

Përpiluesi, siç e cek edhe në parathënie, thotë se zgjedhja e poetëve dhe e veprave të tyre nuk është bërë me pretendime të prezantohen krijimet më të mira, por ato më karakteristike,  duke përmendur në këtë rast edhe emrat më të rëndësishëm të krijimtarisë letrare kosovare në përgjithësi.

Requiem për fluturën

Nexhat Halimi është poet që poezinë e shkruan me figuracion të ngjeshur , – shkruan Shkurtë Kadriu, duke analizuar librin  “Requiem për fluturën”. Poezitë: “rikthimi i lumit”, “letër për ty”, “shkumë nga ashti”, “fajkoi mbi mal” janë poezi me tonalitete dashurie që shkrihen në librin dhe shfaqin dimensione të kësaj natyre në aspektin e temës, ku të shprehurit në mënyrë figurative rritet e zgjerohet si temë dhe fjalë e fuqishme: “për ty shpërthen lulja e zjarrtë në hi / për ty fluturon fajkoi mbi malin e harruar / për ty flutura i djeg krahët në qiri”

Kurse, vargjet e Halimit si tregime për atdheun ndërtohen me tonalitete estetike e artistike duke theksuar shtrirjen tematike për atdheun, vendlindjen, luftën e viteve ‘99, ku ndihen dëshirat, mungesat, malli, vendlindja etj. Në poezitë e Halimit natyra poetike mundohet të ikë nga tonalitete të ashpra me vargje deklarative e revoltuese, apo shprehet më shumë si estetikë se sa si varg pankartë, por, me refleksin e një rrefimtari të qetë që bën edhe pyetje retorike për të dalë nga situata të përkeqësuara. Pra, pakënaqësia në poezinë e Halimit nuk krijon lajmin e një “shtypi ditor”, por ndjek formën e shkrimit që mëton të jetojë më gjatë. Me këtë fuqi është poezia “Hija e rrushit”: “A do të pëlcasë  kafazi të fluturojë zogu

Vargu i Halimit, familjarizohet me figuracionin dhe i rri bukur temës e poezisë. Ana estetike e figurative nuk e dhunon poezinë por mishnohet lehtas me të duke ndjerë rrjedhshmërinë e natyrshme të inkorporimit të elementeve temë – figurë që ndihen kudo në poezinë e tij.

Me ritëm konstant dhe figuracion të dukshëm Halimi dallon nga poetët tjerë dhe i qëndron besnik mënyrës dhe stilit në të shkruar. Fyelli, gjaku, molla, flutura janë figurat që e përcjellin poezinë e Halimit  nga fillimi deri në fund të “requiem për fluturën”.

Në secilin cikël apo secilën ndarje poezitë e Halimit nisin me një kolazh që i dallon renditja numerike dhe shihet intenca për të krijuar një parathënie apo hyrje për ciklin vijues.

Loja në teknikën poetike te Halimi shihet në shumë poezi të cilat janë të ndara me numër, të emërtuara secila me nga një titull ku vargu i fundit përsëritet në vargun e parë të poezisë pasuese, me këtë kuptojmë se Halimi krijon e ndërton vargun me teknikë e stil të veçantë duke vënë shprehjen artistiken përveç si figuracion edhe si formë që lidhë përmbajtjen me vizualen.

“Requiem për fluturën” është një program i analizuar mirë që jep ndjesinë e meditimit nëpërmjet vargut.

Vlera e imagjinatës poetike

Nexhat Halimi: «Fajtori mitik»,. botoi “Rilindja”, Prishtinë 1989

Botimet  e “Albatrosit”, bibliotekës reprezentative ku botohen zgjedhjet nga krijimtaria  e  autorëve të afirmuar, sikur e imponojnë konceptin e rileximit, domethënë të verifikimit të mbresave të leximeve të mëhershme dhe të ridefinimit të ideve që ekzistojnë për një tekst artistiko-poetik.

Libri i poezisë së zgjedhur «Fajtori mitik» (përgatitjen e së cilës e bëri Sabri Hamiti) edhe njëherë e riaktualizon imazhin poetik të poezisë së autorit të përmendur, veçmas ato tipare që i kemi përfituar nga librat e tij të fundit. Te themi se librin e saj janë poezitë e zgjedhura nga vëllimet «Dita e daljes», «Truphija», «Gjeli i dylltë» dhe dorëshkrimi «Peizazhi me zog». Libri, sikundër mund të shihet, përmbledh vjershat e fazës krijuese që e dallon prirja e theksuar për origjinalitet, që mbështetet në kultivimin e një figurabiliteti të theksuar, në kultivimin e një shtimungu baladesk-elegjiak të vijës intonative, në procedimin e tipit kolazh dhe të mozaikut etj. Është me interes të përcillet një rruge e evolucinit, nëse evoluimi mund të vlejë për krijimtarinë artistike, mbase më mirë do të ishte të thuhet konsolidimi dhe perfeksionimi stilistik i shprehjes dhe profilizim i vizionit poetik. Ky far perfeksionimi shkon nga libri «Dita e daljes» dhe vjen duke u forcuar dhe duke dhënë rezultate interesante nga «Trupi i hijes». «Gjeli i dylltë» duke përfunduar në një vizion konsistent dhe ide konsistente poetike në vjershat e dorëshkrimit «Peizazhi me zog».

Çka mbetet tjetër nga mbresat komplementare të këtij rileximi të tekstit? Poezia e Nexhat Halimit edhe më mbetet poezi që vjen si shpalim i një fotografie personale, ku janë lidhur e gërshetuar imazhet e shumta, idetë, reminishencat dhe të gjithë këto të dhëna përmes një ligjërate të reduktuar, të kursyer dhe eliptike deri në atë masë sa nga imazhi mbetet koloriti, kurse nga ideja  thelbi kuptimor.

Çfarë është bota e preokupimeve? Çka përmban ajo piktura mozaike e herë-herë edhe e llojit kolazh?

Përgjigja në këtë pyetja sikur imponon nevojën për një shkoqitje të tipit të prosedimit poetik të këtij autori. Teksti poetik i vjershave të Nexhat Halimit është i atij lloji sa nuk lë mundësi për një rrëfim poetik të tipit fabular, madje as për rrëfim ku ideja ndjek rrugën e konstituimit definitiv qoftë si ankseptim i situatës jetësore, apo dhënie e situatës emocionale. Vjersha e Nexhat Halimit ndërtohet përmes situatave jetësore dhe të proviniencave të tjera (mitike, historike, baladeske, aktuale, që rikonstruohen në imagjinatë, me ç’rast participimi i imagjinatës është vendimtar. Prandaj, impulset jetësore lidhen me reminishenca mitike, historike dhe të llojeve të tjera. Kemi në vjershat e këtij libri të ashtuquajtura bërthama kuptimore, të cilat në të vërtetë janë figura me rrezatim më të gjerë kuptimor. Në vjersha të veçanta të këtij libri kemi ide, koncepte, nocione, kemi gjendje, situata mendore, emocionale, përjetime, ndjenja, vlerësime që realizohen përmes figurave të veçanta: metaforave e simboleve. Kemi këtu figura temporale që domethënë se shenjojnë gjendje kohore: dita, nata, mëngjesi, etj, të cilat na bëjnë me dije se fjala është për akte që janë në gjendje potenciale, pra duhet pritur që diçka të ndodh në kohë. Fantazia e poetit është ajo që me siguri ka funksionin e katalizatorit që herë e shpejton e herë e ngadalëson veprimin. Mirëpo, në anën tjetër,  kemi shenja që lidhen me aspekte lokative, sikundër edhe asosh që prekin sfera të fiziologjisë së njeriut. Kur të gjitha këto lidhen mes vete, aq  më parë kur dihet se kemi  të bëjmë me bërthama semantike të vjershave, atëherë del në shesh intenca  poetike, ideja bazë, koncepti dhe këndvështrimi poetik.

Gjithsesi se me këtë rast nuk duhet harruar edhe përkatësinë problemore të temave e motiveve poetike. Ato që lidhen me natyrën fiziologjike të njeriut (figura më e shpeshtë është gjaku, pastaj edhe koka etj), atëherë shihet sheshit se problem lidhet me qenien, me njeriun si qenie. A kemi të bëjmë me probleme ontologjike, me përcaktimin e statusit ontologjik të njeriut? Assesi se jo. Më shumë kemi të bëjmë me procese, me konceptin e ekzistencës, sepse këto shenja na qartësojnë problemin e verifikimit të funksionit të shenjave dhe të çështjeve. Prandaj, ekzistencialja, e cila vihet edhe në palnin historik, mitik dhe aktual, është ai segment kuptimor që si një mbulojë shtrihet mbi të gjitha temat e nëntemat, kuptimet dhe domethënien e vjershave.

Diku më lart kemi thënë se vjersha e Nexhat Halimit pajton imazhin, koloritin e tij, me procesin, me atë që mund të konsiderohet si dinamikë, atëherë shtrohet çështje se çka del nga një situatë e këtillë paradoksale?

Nga vjershat e Nexhat Halimit sikur na  bëhët me dije se poeti nuk rrëfen diçka, po ai evokon  të ndodhurën, e aq më shumë  rikonstruon të kaluarën: fëmijërinë, mitin, legjendën historinë apo një përjetim personal. Evokacioni është ajo që i pajton paradokset dhe që zbulon perspektivën e vështrimit të gjërave. Prandaj nga kjo perspektivë edhe zbulohen dy situata: situata aktuale, kjo prej së cilës poeti e kthen «filmin», insertet e së kaluarës dhe ka mundësi ta japë edhe vlerësimin e vet. Kësisoj kur vështrohet historia, problematika historike sikur parabolon me kohën tonë, ideja e mitit dhe e legjendës puqet me problemet dhe format e përjetimit të situatave korrensponduese të së sotmes. Prandaj na duhet se në këto vjersha kemi një rezonansë të dyfishtë, kuptime që shkojnë binarëve paralelë duke e plotësuar njëra-tjetrën. Por, meqë kemi të bëjmë me një si kolazh, një si lidhje të elementeve të të dy kohëve, atëherë shtrohet edhe problemi i artikulimit të emocionalitetit he ai i intonativitetit të poezisë. Në vjershat e gjithë librit dominon një përjetim tragjik, por që ky tragjizëm shtrihet në formë të njëtrajtshme, sepse mbase më shumë është dashur të anohet nga ironia. Mirëpo, kjo poezi në thelb mbështetet në emocionin që lidhet me situatën tragjike, prandaj ironia më shumë del nga paradoksi se sa nga përjetimi i situatës dhe nga qëndrimi vlerësues i saj.

Në fund të themi se kjo poezi qoftë si zgjedhje apo edhe si cilësi që e dallon përgjithësisht poezinë e autorit në fjalë, ofron një përjetim interesant. Përjetimi bëhet aq më i plotë edhe nga parathënia e S. Hamitit, ku shkoqiten momentet dalluese të poezisë që prezantohet, – shkruan ndër të tjera në gazetën “Rilindja” Ramadan Musliu në shkrimin e vet “Vlera e imagjinatës poetike”.

Please follow and like us: