Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: KOLEGIA IME E SHKOLLËS SË AKTRIMIT, DRITA AGOLLI

Pas një rrugëtimi të gjatë për t’u formuar si Artiste e Teatrit, Drita Agolli, si nesër, më 2 qershor, do të kremtonte 97-vjetorin e saj, pra pas afro një shekulli, nëse nuk do të largohej nga jeta pesë vite më parë, si kishte mbaruar së shkruari edhe librin”I PAEMËRI”. Po realisht, ajo ishte vetë Drita! Që “lëshonte dritë!”, sikundër kishte edhe emrin, rrezatuese, pasionante, gjurmëlënëse dhe e paharrueshme. Dhe që do të mbetet në Historinë e Teatrit Shqiptar si regjisoria e parë profesioniste e vendit…
E njihja vetëm nga larg, kur unë isha student i ndrojtur dhe shihnim me admirim, po edhe të përgjëruar, artistët e kthyer nga Moska, pas prishjes së marrëdhënieve shtetërore, tek të cilët ngërthehej një “jetë artistike e pakurorëzuar ende”. Dhe një “fat i mbrapshtë”. Se vetë Teatri është si një ëndërr, bile më tej, si një magji e atypëratyshme! Mirëpo ajo, Drita, se ç’kishte një rrezatim të ngrohtë, elegancë në trup, në veshje, në ecjen delikate me taka të larta, me vështrimin krenar, si edhe me një siguri në vetvete. Shumë shpejt do të na kthehej në admirim, kur ajo do të mbronte diplomën si regjisore, me pjesën kineze “Shtrëngata”, duke sjellë rishtas, pas “Vajzës me flokë të thinjura”, një film kinez që e kishim parë edhe nëpër ekranet tona, si edhe shfaqjen me të njëjtin titull, fill pas prishjes me rusët! Hapej kështu, “perdja” e një misteri, me personazhe të një natyre tjetër, të një populli shumë të largët, që, sikundër flitej në atë kohë të errët e të dyzuar se, “mund të na mbanin edhe ne shqiptarëve me bukë, sikur të kursenin, qoftë edhe nga një ‘kokër orizi’ në ditë”!… Dhe se, ishin “aq të zotë”, sa që edhe portretin e Kryetarit Mao e bënin në atë “kokër orizi”! Flitej midis ne studentëve, që shumë shpejt do na dhuronin edhe nga një distriktivë nga ato të Maos, për t’i vënë ndër xhaketat tona! Edhe gazetat shkruanin se paskishim gjetur “mikun më të madh tonin”! Ndërkohë do të pëshpëritej që kjo grua e re, ishte bashkëshorte e një ambasadori të rëndësishëm në “kupolën e shtetit”, së cilës i krijuan mundësinë të studionte artet e bukura në Bukuresht dhe t’i vazhdonte ato më tej, edhe në Moskë, në Institutin e Lartë të Teatrit “GITIS” për regjisore. Mirëpo shumë shpejt do të mësonim edhe se, kjo grua e bukur, paskësh “shkruar në biografinë“ e rinisë së saj edhe një legjendë heroizmi: pjesëmarrjen në Luftën NÇL. E kjo na e shtonte kërshërinë dhe admirimin. E, kur u ulëm në sallën e Teatrit Popullor, bashkë me pedagogët tanë që të shihnim dramën kineze “Shtrëngata” që ajo e kishte realizuar për të mbrojtur diplomën, figura e kësaj Drite na u bë edhe më rrezatuese. Aq më tepër se, në radhët e para qenë ulur kolegët e saj të Moskës, Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Pirro Mani, Esat Oktrova e Misto Zoto. Shfaqja zhvillohej nëpër labirinthe gjysmë të errëta, me kontraste të forta. Të nesërmen, kritiku Javer Malo, shkruante në një gazetë qëndrore, se “Drita Agolli të jep përshtypjen se ndodhet në një vend pa rrugëdalje”, ndërsa regjisori e pedagogu ynë Luarasi, shkruante në shtypin letrar se, “në këtë kryqëzim kanalesh, në thellësi, shihet një copë qiell, që është kuptimplote dhe e gjetur”. Kështu që në atë distancë midis sallës e skenës, ne pamë edhe regjisoren e re, e cila katër vjet më mbrapa, do të ishte edhe kolegia ime për katër vite me rradhë, në të njëjtin kurs aktrimi, – gjë që do të më vinte para obligimesh edhe më të mëdha. Jo vetëm se kishte kryer studimet e larta në institutin më prestigjioz në botë, ku ende jepnin mësime ish nxënësit e teoricienit më të madh të teatrit të asaj kohe, K.S. Stanislavski, porse, për të ardhur deri tek “Shtrëngata”, kishte kaluar edhe një rrugëtim të gjatë mundimesh njerëzore, emocionesh të befta dhe pasionesh skenike, si amatore e si njeri që lufton për t’u bërë dikush.
Ishte viti 1950, kur vajza e re nga Maqellara e Peshkopisë, Drita Strazimiri (Agolli), e cila punonte në selinë e Kuvendit Popullor, pas kryerjes së gjimnazit, trokiti në derën e Drejtorit të Teatrit Popullor me një emocion të fshehur përbrenda vetes. Kishte parë aty në Tiranë, ku ishte vendosur me familjen e saj të re, shfaqjen e dramës së një autori amerikan, me titullin “Rrënjë të thella” dhe nuk e kishte zënë gjumi netë me radhë. Ndjente në brendësi të shpirtit të saj se, edhe ajo mund të shprehej në skenë, të fliste e të vepronte si Besa Imami, si Marie Logoreci e si ca të tjera po aty! Drejtori Kolë Jakova, – dramaturgu më në zë i asaj kohe, e priti me buzë në gaz dhe nuk e demoralizoi vajzën e re, por i dha mundësinë e një prove dhe të një angazhimi. Regjisori Pandi Stillu u rrëfye edhe më i ngrohtë dhe, pasi i bëri asaj një provë, i ofroi edhe rolin e Merielit në dramën ruse të Boris Llavrenjevit “Zëri i Amerikës”. Dhe Drita Agolli del për herë të parë në skenë, sikundër kishin dalë për herë të parë edhe shoqet e saj më të vjetëra aty, pa kryer ndonjë shkollë aktrimi! Shans që vjen rrallë dhe jo për këdo njeri! E tok me “shansin” erdhi edhe suksesi. Në vitin 1953 i besojnë rolin e Biankës në tragjedinë e Shekspirit “Otello” që vërtetoi edhe më tepër se, Drita Agolli nuk kishte gabuar në pandehmat e saj amatoreske. Dhe kjo do të vërtetohej, paskëtaj si talent, që do të perfeksionohej e do të vihej mbi baza të forta profesionale, kur ajo do të kryente studimet e larta për regjisurë në GITIS të Moskës, ku shkëputet përfundimisht nga faza e jeta e Probistes. Një sërë etydesh, fragmentesh e shfaqjesh të plota, kurorëzuan ëndrrat reale të Drita Agollit, me shkëlqimin e dramës së Artur Milerit “Pamje nga Ura”, si proçes mësimor, ku ajo do të interpretonte bukur rolin e Beatriçes, përkrah Pirro Manit (Edi Karbone) dhe Misto Zotos (Marko). “O Zot çfarë mrekullie! – shprehet ajo e entuziazmuar në ditarin e saj! Këto lloj çastesh të vogla në dukje, por aq domethënëse, mbetën të paharruara në jetën e një artisti, të pashlyera deri në frymëmarrjen e fundit”.
Me kthimin e dytë nga Moska, së toku me regjisorët Pirro Mani e Misto Zoto, mbaron për të periudha e formimit të plotë dhe i afrohet Teatrit Popullor me rolin e parë si aktore profesioniste, në tragjedinë “Hamleti” që e vinte në skenë regjisori rus Bortko. Duke përgatitur teorikisht e praktikisht rolin e Gertrudës, ajo nisi të ndjejë sadisfaksionin e madh të një personazhi të rëndësishëm. Mirëpo do të ndodhej befas në një garë profesionale të ashpër, ca më të fortë se garat sportive, kur ishin ndarë rolet kryesore në tri grupe, me tre Hamletë e me tri Gertruda. Edhe ne si studentë do të kuptonim se sa i vështirë e i pabarabartë ishte ky “duel artistik” dhe se ç’punë e madhe individuale profesionale duhej bërë për të “garuar” e për të dalë i pari. Drita do të kishte përbri aktoret veterane Marie Logoreci e Drita Pelinku dhe do t’i lutej shpesh regjisorit të dytë, Andrea Malo që t’i jepeshin mundësitë e provave me kryeregjisorin Bortko, të cilat asnjëherë nuk mjaftonin, për vet volumin e madh të këtij proçesi e të kësaj “gare” të pashembullt. Në të njëjtat “pozicione” ndodheshin edhe dy Hamletët e tjerë, Kadri Roshi me Kujtim Spahivoglin, të cilëve iu shtua edhe një Hamlet i katërt, aktori po kaq serioz, Prokop Mima, sikundër po “luftonin“ me njëra-tjetrën edhe dy Ofelitë: Margarita Xhepa me Afërdita Taçin. Në librin e saj “I paemri”, Drita Agolli, do të shprehte edhe dëshpërimin e saj se, nuk i mori kurrë këto prova kryesore, për t’u ndjerë e barabartë në garë. E megjithatë, iu dha e drejta që të dilte në skenë me rolin e saj, tok me vlerën që ajo arriti vetë profesionalisht, për të paraqitur një Mbretëreshë me dinjitet profesional, në radhë të parë, ashtu sikundër e mendonte ajo personazhin, duke e “tretur përbrenda dëshpërimin”. Qe koha kur, i madhi aktor Kadri Roshi, i cili ishte ngritur në lartësira të mëdha, në saje të një pune të lodhshme, me talentin vetiak e të një specializimi në Çeki, është shprehur se: “duhet të hashë shumë pluhur skene, për të dalë në krye e të bëhesh aktor”. Mirëpo, në këtë dualitet artistik, Drita Agolli do ta ndjente veten keq, edhe kur regjisori Mihal Luarasi do të vinte në skenë dramën e autorit brazilian Figueiredo “Ezopi” (1961) dhe, krahas aktores Margarita Xhepa, do t’i besohej roli i Kleas edhe asaj, që do të ishte përsëri “e dyta”, por jo edhe e pavlerësuar nga partneri Roshi që i dha shkëlqim figurës së Ezopit e nga publiku që e pa në skenë, me një kulturë profesionale të qëndrueshme. Vetëm në vitin 1962 Dritës do t’i jepej një rol i pavarur, ai i Dritës, në dramën e Fadil Paçramit “Mbi Gërmadha”, me regji të Kujtim Spahivoglit, për të gëzuar edhe suksesin e të qënit i vetëm në rol e në “betejën artistike”. Me gropat e thelluara të syve, që ajo do ta ndjente fill pas uljes së perdes e kur do të dilte para pasqyrës, me drithmën e zemrës në kraharorin e saj, të një fitoreje të beftë e të merituar! Kjo sedër e mirë dhe ky sukses do t’i përsëritej në një rol tjetër, më prezentabël, por në planin e komedisë, me vënien në skenë të “Karnavaleve të Korçës” nga Pandi Stillu. Ndërsa tek spektakli i dramës së Çehovit “Xhaxha Vanja” që e vuri në skenë regjisori Andrea Malo, sedra e saj do te lëndohej përsëri e do të ndodhte edhe një herë po e njëjta histori e hidhur, kur ajo do të vihej rishtazi në një “pozicion rivaliteti” me aktoren Margarita Xhepa në rolin e Elena Andrejevnës, të cilin ajo e adhuronte si rol, deri në kufijtë e marrëzisë, por që ishte rishtazi në “pozicionin e pabarabartë”, këtë herë edhe prej ish kolegut të saj Andrea, sikundër nënvizon në ditarin intim. Gjithsesi, tashmë Drita Agolli është e vlerësuar nga kritika, prej personalitetesh të larta letrare, sikundër qe Petro Marko, i cili shkruante në atë kohë se: “Dona Luçia e Drita Agollit të jep përshtypjen e një gruaje që sundon, që përbuz, që përfaqëson një fuqi të madhe, nga e cila varen këta “Laro”!. Ndërsa kritiku Vasil Melo, do të shkruante se: “Drita Agolli e interpretoi Elena Andrejevnën me natyrshmëri dhe shpesh me vërtetësi…”. Mirëpo në jetën e kujtdo njeriu, aq më shumë të një artisti, nëse përpiqesh e lufton me të gjitha forcat e tua, do të vijë ai çast i lumturuar, kur do të ndjeshë sadisfaksionin e madh të lartësive, të atyre niveleve që i takojnë edhe mundit, edhe talentit tënd. E këto çaste do të vinin pas një “Shtrëngate” paksa të gjatë, në ditë më të qeta, më të bukura e me diell dhe pikërisht kur do të lexonte në një gazetë qëndrore se ç’farë shkruante një gazetar e kritik i mënçur, Javer Malo, i cili nënvizonte me dashamirësi se: “Në dramën ‘Shtrëngata’, kolektivi i Teatrit Popullor na dha një shfaqje plot dinjitet, na tregoi talentin e një regjisoreje të re të teatrit tonë dramatik. Shfaqja e dramës ‘Shtrëngata’ qe një e re për kolektivin dhe njëkohësisht suksesi i parë i regjisores së re Drita Agolli”. Një dramë tjetër kineze që do të vinte në skenë regjisorja jonë, me titullin “Roje nën dritat e neonit”, nuk do të kishte një sukses të njëjtë, ndoshta edhe për vetë natyrën e saj të karakterit masiv. E megjithatë do të vlerësohej prej një figure tjetër kritike të kohës, sikundër qe Dalan Shapllo, i cili, gjithashtu nënvizonte se: “Regjisorja Drita Agolli krijoi në tërësi një spektakël të gjallë dhe të organizuar, të lirshëm dhe funksional…”. Në këtë realitet artistik e njerëzor, për t’u afirmuar si artiste e zëshme, Drita Agolli e ndjeu thellë ashpërsinë e dualitetit. Dhe, me gjysmë zëri ajo i thotë vetes: “Nëse do të realizoheshin të gjitha dëshirat, do të humbiste interesi për të jetuar”. Pra, prano realitetin që të mos vuash, -shton ajo më tej… Cilin realitet?”, – i përgjigjet zëri tjetër i brendshëm. Më thuaj, o njeri pa emër!”, duke u zhdukur…”?! Njëherësh, do të merret me mendje këtu, mesazhi që bën të ditur se “I paemri” është ajo vetë, si “zë i brendshëm” për të mbetur EMËR.
Në vitin 1965, me themelimin e Institutit të lartë të Arteve, Drita Agolli emërohet si Shefe Katedre në Degën e Dramës, që do ta vazhdonte me shumë përkushtim për 10 vite me radhë. Dhe, për katër vjet, nga ditët e fillimeve të saj në këtë detyrë, do të kisha fatin e mirë që të bashkëpunoja me të, si pedagog i jashtëm, në lëndën e “Mjeshtërisë së Aktorit”, duke parë nga afër, jo vetëm vitalitetin e kësaj gruaje me vlera njerëzore, por edhe përkushtimin që kishte, potencialin artistik të akumuluar, për t’ua transmetuar studentëve. Dhe me një tonalitet dashamirës e komunikues me studentët, për ta bërë mësimin të lehtë e të këndshëm. Qe koha e vitit të tretë të studimeve, kur atyre u duhej të bënin edhe një “Shfaqje Diplomë”, për realizimin e së cilës më duhej të bisedoja me mikun tim, shkrimtarin e dramaturgun Naum Prifti që të shkruante diçka për studentët tanë dhe ai nuk u kursye, derisa realizoi komedinë “Dasmë pa nuse”, që Dritës i pëlqeu shumë, por edhe studentëve-aktorë. Komedia, si gjini të jep mundësi të pashtershme për t’u shprehur lirisht, të krijosh detaje, gjetje, situata, truke, atmosferë të këndshme dhe karaktere. Por edhe rolet e personazheve u përgjigjeshin aktorëve-studentë, sado e lehtë që ishte ajo, veçanërisht atmosfera masive e dasmës, me krushqit e të dyja anëve që i ngatërronte (gjasme) kalendari alla turka me atë alla frënga! Kështu, Birçe Hasko qe i denjë për rolin e plakut Haxhi Hasa, i cili fikson datën e marrjes së nuses me kalendarin e vjetër, duke ia lënë zbatimin e porosive të tij, nipçes Namik (të cilin ia besuam Gëzim Kames), i cili do t’i bënte “lëmsh” gjërat me kalendarin e ri që dasma me Shegën të mos bëhej! Rolin e dhëndrit 40-vjeçar do ta luante me shumë humor Minella Borova, ndërsa atë të krushkut, Kristaq Mitroja. Kurse Shegën ia besuam Dhoksi Tetës nga Berati. Me krushqit e të dyja krahëve mori pjesë i gjithë kursi, duke krijuar kështu një atmosferë shumë gazmore. Me procesin e realizimit skenik të komedisë u mora kryesisht unë, duke patur si udhëheqëse artistike Dritën, në një bashkëpunim të frytshëm e gazmor.
Po. Ajo kishte një rrezatim drite rreth vetes e më përteja vetes! Së pari, përreth nesh që punonim me të. Krijonte kurdoherë një klimë të ngrohtë, atmosferën e krijimit, për ta ndjerë veten sa më të lirshëm e për t’u shprehur pa pengesa e barriera shpirtërore, pa vese e ngurime komunikimi. Ajo i çlironte plotësisht studentët e vet, duke i ftuar ata edhe në shtëpinë e saj, kur nuk ishin të mjaftueshme provat në studio, apo kur duheshin bërë edhe prova individuale me studentët që kishin boshllëqe, apo që e kërkonin edhe vetë diçka të tillë. E papërtuar! Si shkolla edhe shtëpia e saj kishin për të të njëjtin funksion, si për studentët, si për mua që shkoja bashkë me ta tek Drita, por edhe për vetë Dritën, e cila e kishte artin në vetvete si obligim kryesor, si pasion që i vlonte në shpirt, derisa të plotësohej e pastaj të shpërthente natyrshëm. Rrezatimi i dytë, nuk kishte të bënte vetëm me kursin ku ajo jepte mësime direkte, por edhe me vetë gamën e punëve të krejt Institutit, edhe me shfaqjet që viheshin aty në skenë, bile edhe duke realizuar edhe spektakle jashtë kësaj skene, si me realizimin e dramës “Toka e Zjarrtë” (1967), një inskenim nga vetë ajo i romanit të Thoma Frashërit, inskenimin e Kudret Velçës “Lumi i vdekur” (1975), sipas romanit të Jakov Xoxës me të njëjtin titull, dramës “Luiza Miler” (1979) të Shilerit, dramës “Njerëz të thellësive”(1981) të Naum Priftit, dramën e Hamza Minarollit “Shënomëni dhe mua” (1988), – që të gjitha këto të realizuara në skenën e Teatrit Popullor; po ashtu, të rivënies në skenë të dramës së S. Pitarkës “Familja e Peshkatarit” (1980) në skenën e Teatrit “Skampa” të Elbasanit dhe dramës së Frederiko Garsia Lorkës “Marianida Pineda” (1989) në skenën e Teatrit të Beratit. Pa përmendur këtu edhe vënien në skenë të operës së Tish Daisë “Vjosa” në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Një aktivitet i dëndur, i gjallë dhe i papërtuar për një regjisore grua! Dhe, përfundimisht, në këtë trinitet të personalitetit të saj, midis aktores, pedagoges e regjisores, do të mbeste ajo e regjisores, sikur të mos kishte vënë në skenë asnje shfaqje tjetër, përveç asaj të “Lumit të Vdekur”,-një spektakël i dimensionve të mëdha, me sfondin epik, me vlagën e dheut e të njeriut bashkë. Me atë zgjidhje alla Brehtiane, ku personazhet e “Lumit të Vdekur” i vendos në të njejtën karrocë të vjetëruar, kur mbi ta vërtitet një qiell i varfër, anës një lumi të tharë nga rreshjet e nga vetë jeta, Me disa piskama rrëqethëse si ajo e Pilo Shpiragut e të njerëzve të tij tragjikë. E është po ajo regjisore që e ka realizuar krejt ndryshe “Marianida Pinedën” (në v,1989) e Garsio Lorkës, me një frrymë poetike, apo edhe “Luiza Milerin”, dhjetë vite para saj, ku anën poetike të dashurise e përdhosë dhuna sociale e egërsia e tiranëve. Thua se nuk i ka realizuar këto shfaqje, ajo aktorja që loz tek “Zonja e Bujtinës” së Goldonit , Ortensia e harbuar e vitit 1962 kur roli ngjitë tek artisti dhe Drita Agolli provon edhe shansin e intrepretimit në një komedi- satirë…
Po gjithmonë, pas largimit të njerëzve nga jeta, figurat e tyre sikur marrin një dimension edhe më të gjerë, edhe më fisnik, duke u evidentuar vlerat, sikundër bëjmë edhe ne tani, pasi grumbullojmë e selektojmë krijimtarinë e veprimtarinë e saj. Kur, edhe sot e kësaj dite, ka aktorë që “tunden e shkunden” tërë kohën, pa nxjerrë gjë në dritë. Të paktën, ajo “luftoi” për emrin e saj dhe e la një emër… Ndërkohë, libri me karakter autobiografik i Drita Agollit na ndihmon që të kuptojmë më mirë botën e saj të brendshme, synimet e arritjet, shqetësimet emocionale, mangësitë reale e dëshpërimet që i dilnin përpara, por edhe ngërçet e disfatat, që i ka kushdo artiste. Gjithçka e ka shprehur me kurajo, sidomos kur e ndjente “ngecjen në vend”, paralelizmën e garën e pabarabartë, por, – le ta themi hapur se, vetëm me një punë kolosale, mund të arrinte të shprehej plotësisht, siç ajo i donte me shpirt, ato role që i ëndërronte e, me to, edhe të shkëlqente! Por jo të gjithë e kanë atë dhunti e fat të rrallë, atë “zog që të vjen vetëm një herë në dorë”! Dhe Drita, ndonëse e vuante këtë, – sikundër më shprehej edhe mua, – jo të gjithë janë të barabartë në “arritjen finale të suksesit!”. Se gjithmonë njëri apo njëra do të dalë në krye. Megjithëse, shkallëzimi mëtëposhtë e dëshpëronte Dritën. Por diçka tjetër e ndriste në jetë: BESIMI! Dhe diçka tjetër sikur i bëhej pengesë: POLITIKA, pikërisht ajo që fillimisht e kishte ndihmuar(?!)…-gjë që përbën një tjetër temë, paksa më të gjërë, që duhet “rrahur” veçmas… Gjithsesi,vetë jeta e saj skenike do të na bindte për atë përkushtmëri pasionante të Regjisores së parë profesioniste Shqiptare DRITA AGOLLI. Ajo luftoi për një emër dhe e la një emër, edhe pse e quajti veten: “I Paemri”!
Botuar në Albumin “10 +1. Portrete ARTISTËSH”. 2020.
Please follow and like us: