Albspirit

Media/News/Publishing

Franz Kafka, ky brumbull Sui Generis (2)

Dr. Iris Halili
(Pjesa e dytë)
Rrugëdalja, lirija dhe arsyeja
Njё nivel i dytë leximi, do ta bënte çdo receptues të mendonte se problemi i lirisë ndoshta ёshtё ndër ato probleme, që shqetëson Kafkёn në këtë tekst. Por pasi ke lexuar një pjesë të mirë të veprës së shkrimtarit, bindesh se ky është, nё tёrёsi, njё ndër problemet më shqetësuese për të. Sidomos tek ‘Një relacion akademik’, Kafka sikur kёrkon t’u japë mёsime njerëzve se ç’është liria dhe përse ata nuk ndihen të lirë.
Ka një lidhje të afërt midis ‘Metamorfozës’ dhe ‘Një relacioni akademik’. Tekstet flasin për një shndërrim, por, nёse në rastin e parë kemi një njeri të kthyer në kafshё, në rastin e dytë, kafsha është kthyer në njeri. Autori na pёrshkruan me hollёsi çfarë këto dy qenie ndiejnë dhe ç’fitojnë e humbasin njëherësh nga këto metamorfoza. Kështu, lexim pas leximi, duket sikur përgjigjet e errëta që shfaqen te ‘Metamorfoza’, i zgjidh ‘Një relacion akademik’. Te kjo copёz e fundit, duket sikur pёrfundimet lihen të hapura dhe të shtjelluara si në një leksion. Problemet janë ato filozofike të ekzistencës. A jemi të lirë? Pse nuk jemi të lirë?
Majmuni i dikurshëm dhe njeriu i tanishëm, shpjegon se pikërisht në çastin e shndërrimit të madh: “Për herë të parë në jetën time gjendesha pa rrugёdalje.. Deri në atë kohë kisha pasë shumë rrugëdalje dhe papritmas nuk më mbetej asnjë. Isha bllokuar. Sikur të më kishin gozhduar, liria ime për veprim do të ishte shkurtuar. Po pse”?
Le të themi si fillim se Kafka, jo rastësisht, merr shndërrimin e një majmuni në njeri. Kjo të kujton edhe vetë procesin biologjik, sipas të cilit mendohet të jetë kryer zhvillimi njerëzor. Filozofia është e qartë, mesazhi gjithashtu. Njeriu dikur ka qenë i lirë, pikërisht, atëherë kur ishte në qelizat e një majmuni, kthimi i tij i plotë e bëri atë pa liri. “Po pse”? pyet Kafka me zërin e ish majmunit (që simbolizon njerëzimin). Më pas kemi përpjekjet për të gjetur arsyet e kësaj mungese lirie të racës njerëzore. Ish majmuni, konstaton se ai me t’u shndërruar nё njeri, është gjendur pa rrugëdalje. Ai kupton se njerëzit i gënjen liria e tyre. Në fakt, ata e dëshirojnë pa masë atë “Mbasi liria rreshtohet në vargun e ndjenjave të madhërishme, edhe zhgёnjimi i lidhur me të, mbetet i madhërishëm”.
Vihet re se ish majmuni, bën përcaktime të qarta, si i kanë hije një njeriu që mban brenda vetes gjithë fatin e gjenetikës njerëzore. Përfundimisht, ai kupton se robёria e tij, buron nga vetë ajo, që njerëzimi e njeh si krenarinë më të madhe: arsyen.
Shohim se si relacioni akademik fillon të rrëfejë torturën e të qenurit njeri, torturë që çon në ofshamat: “Me siguri jam i lodhur: ky është fati im”.
Përsëri pesimizmi kafkian mundohet të gjejë rrugëdaljet njerëzore të kushtëzuara nga vetë fati – njeri: “Ju siguroj se mësohet kur je i detyruar: mësohet kur kërkon një rrugëdalje: mësohet me tërë forcën e trupit”.
Këtu e gjen Kafka vazhdimin e ekzistencës njerëzore, këtu e gjen vazhdimёsinë, sepse këtu edhe majmuni i shndërruar në njeri, gjeti lumturinë.
Dija njerëzore, filloi të prodhojë vetë ekzistencën e saj. Arsyeja që na bën të mos jemi të lirë, filloi të merrej si e kundërta, si burim i aspiratave njerëzore, si hapёsirë ku njeriu mat vetveten dhe shikon sa i fuqishëm është. Gjithçka u vu në shërbim të njerëzimit. Ndërsa ai mbeti përjetësisht “i dënuar me liri”, siç thotё edhe ekzistencialisti Jean-Paul Sartre.
Kështu një majmun kthehet në njeri. Ai provon për herë të parë një jetë pa rrugёdalje dhe i palirë. Më pas kupton se kjo robёri e ka burimin te arsyeja. Atëherë na lind pyetja: Gregori Samsa, njeriu i kthyer në kafshë, përse nuk gëzoi lirinë shtazore, por në të kundërt iu kufizua dhe ajo pak liri që njerëzimi stimulon? Relacioni akademik na sygjeron t’i kthejmë sytë nga arsyeja e Samsës, ndërsa vetë teksti Metamorfoza na tregon se Gregori jo vetëm që nuk e humbi arsyen, por kthimi në kafshë, e bëri atё edhe më të përgjegjshëm. Pikërisht se Gregori na shfaqet një kafshë me arsye, ai nuk mundi t’i shmangej lirisë njerëzore. Tё humbёsh edhe grahmёn e fundit të lirisё, do të thotë të dish të përshtatesh, të durosh e të lumturohesh sipas kufijve që ti, njeriu, ia ke përcaktuar vetes.
Analizimi i tё dyja teksteve kafkiane, të çon në idenë se përgjegjës për fatin e tij është vetë njeriu, që ndёr shekuj e epoka tё ndryshme, përsosi arsyen dhe diturinë, duke humbur kështu lirinë. Morali është pjellë e njerëzimit për ta torturuar vetë atë.
Një tjetër lexim që mund t’i bёjmё ‘Metamorfozёs’, është sa dhe si na e jep teksti kthimin e Gregorit në kandërr. A e ka zgjedhur ai vetë një gjë të tillë, apo gjendet i shndërruar nё kafshё, papritmas? Përgjigja e kësaj pyetjeje ka rëndësi për aq kohë sa të na çojё tek përgjigjet e tipit: Nëse Gregori ka zgjedhur kthimin në kafshë me dëshirë, atëherё pёrfundimet që jep ‘Njё relacion akademik’, vlejnë edhe për ‘Metamorfozën’. Në qoftë se Gregori rastësisht e ka gjetur veten në pozicionet e kafshës, atëherё, parёsor mbetet pёrfudimi që nxorëm gjatë nivelit të parë të leximit. Këtu duhet të shtojmë se, sido të jetë përfundimi, të gjitha anlizat e bëra për ‘Një relacion akademik’ vlejnë edhe për tekstin ‘Metamorfoza’. Çështja luhet vetëm për nga radha e rëndësisë në tekst.
Duke iu rikthyer tekstit ‘Metamorfoza’, shikojmë se një mëngjes, Gregori ëstë zgjuar kandërr. Vetë teksti nuk të jep shpjegime nëse ka dashur apo jo ai një gjë të tillë. Në qoftë se do të supozojmë se nuk e ka dashur, atëherё mbetemi sёrish tek arsyetimi se megjithёse i kthyer në kafshë, njeriu ështё dënuar me arsye, dhe rrjedhimisht me liri. Por gjithsesi, ky konkluzion është derivati i asaj çka ne lexojmë. Po nёse marrim rastin kur Gregori e dëshiron shndërrimin? Kuptohet edhe këtu duhet t’i shmangemi maksimalisht, elementeve jashtёtekstuale. E gjitha çfarë teksti thotë, është se Gregori është zgjuar nga gjumi i shndërruar, dhe pse, hap pas hapi, fillon të ketë bezdi nga kafsha brenda vetes. Pyesim se përse ky shndërrim ndodh pas gjumit, gjë që lë shteg të flitet edhe për gjendjen e ëndrrёs si një proces të pavetëdijes, apo për një sapongritje nga gjumi, ku përgjithёsisht, njeriu ende ёndёrron me sy hapur, apo fantazon me sy mbyllur. Në qoftë se do ta çonim më tej arsyetimin, mund të pyesnim: A nuk pёrpunohen në ëndrrat e në fantazitë tona dëshirat më ambicioze? A nuk mbetet liria më e dëshirueshmja prej dëshirave?
Në fakt, teksti nuk jep asnjë shpjegim dhe hapet vetvetiu, duke na vendosur jo më nё pozicionet e një receptuesi bashkëpunёtor, por tё një receptuesi rikrijues.
Përfundimisht, të dyja tekstet flasin me një gjuhë. Molla, që Samzës i mbetet në fyt, vjen edhe njëherësh me arketipin qё mban brenda vetes: gjeni njerëzor ka fatin e vet të përcaktuar, fat që ia përcjell brezave, fatin e një mёkatari që vuan dënimin e përjetshëm të Evës dhe Adamit: “Molla, tё cilёn askush nuk guxoi ta nxirrte nga shpina e Gregorit, mbeti e ngulur nё mish si njё kujtim i dukshёm i ngjarjes dhe plagosja e rёndё, nga e cila lёngoi mbi njё muaj, siç duket e bindi edhe tё atin se i biri, me gjithё formёn e tashme tё hidhur e tё neveritshme, prapёsёprapё, mbetej anёtar i familjes…”.
Simbolet dhe Arketipet
Bota simbolike në tekstet kafkiane, përbën një fjalor më vete. Simbole universale, simbole që kthehen të tilla nga procedimet e fantazisë së shfrenuar kafkiane, simbole arketipe, të gjitha këto janë alfabeti i gjuhës kafkiane. Pa deshifrimin e tyre, nuk do të mund të kuptojmё tekstet, pa përcaktimin e tyre, nuk do të mund të fillojmë të njohim Kafka-ën.
Me simbolet ai ndërton filozofinë, jep mesazhet, profetizon, krijon universalen.
Vetë personazhet kafkiane, më shumë janë dhe mbeten simbole, se sa thjesht personazhe. Ndodh, që për të njёjtin mesazh, Kafka të përdorë një galeri simbolesh, që të gjitha së bashku i lidh enigma kafkiane.
Një kandërr tek ‘Metamorfoza’ dhe një kafshë gjysmë qengj dhe gjysme mace tek ‘Shartimi’, mbeten simbole të kafshës që kemi brenda vetes, që na ndjek në çdo hap, që e përsosim duke e kufizuar çdo ditë, që e ndrydhim për ta shfaqur më shumë:
Shkruan, pyet a pёrgjigjet, s’dihet. Thotё vetёm kaq: “Ajo mace me shpirt qingji kishte dëshira njerëzore”?
Në tekstin letrar ‘Shpata’, Kafka krijon një arketip nën emrin e vetë titullit. Ky simbol i kalon kufijtë e një simbolike të thjeshtë, për vetë tekstin që ka marrë përsipër ta ndërtojë dhe zbulojë njëkohësisht.
Eshtë përsëri mëngjes. Kafkës i pëlqen ky vakt, të cilin e përdor, pothuaj gjithmonë, në letërsinë qё bёn. Personazhi që flet në vetën e parë, sikur të ishte një “unë”, është në gjumë.
Shokët e zgjojnë dhe, befas, shikojnë se në qafë diçka nuk shkonte. “Një shpatë të madhe dhe të vjetër kalorësie, me një dorezë në trajtë kryqi, ishte ngulur me tërë tehun në shpinën time”.
Analiza, gjithsesi të çon në përcaktimin e gjendjes së papërcaktuar të gjumit, ëndrrës apo fantazisë. Teksti na thotë se “unë” nuk e ndjen peshën e shpatës, janë vetëm shokët që e shohin një gjë të tillë. Nuk ka as gjak, bile nuk ka as dhembje. Gjendja e pacaktuar i afrohet një pavetëdijeje, ku siç dimë, rrinë të pavetëdijshme dëshirat. Kjo të çon në deshifrimin e parë, sipas të cilit, shpata është një shënues, që rend të shënojë gjendjet tona instiktive, për të cilat ne jemi të pavullnetshëm. Ne nuk i ndjejmë ato brenda nesh, sikurse nuk ndjejmë edhe një shpatë, që një mëngjes na varet në qafë. Vetëm kur ato veprojnë, ne bindemi për ekzistencën e tyre.
Por shënuesi, shpata, nuk ngelet vetëm tek një i shënuar. Polisemia rritet nё çdo rresht. Tani na ndihmon një tjetër shënues: kalorësit. Ai në fillim duket sikur vjen vetëm për të na ngatërruar dhe për të na larguar nga arketipi që mban shpata, duke na kufizuar tek një i shënuar i tipit, fisnikëri. Në fakt kalorësit vjen si një shënues që i referohet kohëve të mëparshme, për të na shënuar, gjithashtu, se shënuesi shpata është element i trashëgueshëm. Pikërisht, kjo veti trashëgimie kthehet në një të shënuar të dytë që rrit përsëri poliseminë. “Kush i lejon kalorësit e lashtё të enden në ёndrrat tona duke vringëlluar shpatat e tyre dhe të përshkojnë me to njerëzit që flenë të qetë?”
Këto rreshta flasin qartë për një përforcim të shpatës si një arketip, që mban brenda vetes të pandërgjegjshmet kolektive, të trashëguara në breza. Se ç’janë këto të pandërgjegjshme, le të kujtojmë faktin se çdo njeri është i dënuar me vdekje, se çdo njeri është i palirë, falë arsyes së tij, se çdo njeri është i përcaktuar edhe nga një botë instiktive, e cila hetë pas here mbizotёron veprimet tona. Të gjitha këto ne i kemi brenda vetes, të gjitha këto ne i trashëgojmë në breza. Vjen një moment dhe ato janë pjesë e ekzistencës sonë, aq sa dhe nuk i shohim më si çudi. Kjo polisemi deshifrimi i jep shënuesit shpata një varg të shënuarish, që i bashkon një fjalë e vetme: gjenetika njerëzore e trashëgueshme.
Krijimi i universales
Të diskutosh për tekstet kafkiane, mbetet, gjithsesi një punë e vështirё. Kjo edhe për faktin, se, herë pas here, ato i ke të vështira t’i klasifikosh si nënlloje. Kështu, një tekst letrar, si ‘Një mjek fshati’ edhe mund ta quash tregim, por e ka pothuaj të pamundur të konsiderosh të tillë tekstet: Në galeri, Një faqe e vjetër, Para ligjit, Mesazhi perandorak, Halli i kryefamiljarit, Hiq dorë etj, etj. Ato paraqiten thjesht si fragmente dhe diskutimi për to do të vlente njësoj si për çështjen: A mund të klasifikohet fragmenti si një nënlloj në fiction? Sigurisht, këtu nuk është vendi të bëhen këto analiza dhe mund të gjendet kompromisi i shfrytëzuar më parë. Kështu, për ato nënlloje të fiction-it për të cilat e kemi të vështirë të bëjmë përcaktime, le t’i quajmë thjesht fiction.
Nga ana tjetër, të analizosh tekstet kafkiane, pa kujtuar këtu atë qё Kafka vetë s’e harron kurrë, do të qe një gabim i madh. Kështu, personazhet e Kafkës janë të gjitha shumёdimensionale. Ato veprojnë në disa rrafshe, si në atё moral, ashtu edhe në atë filozofik. Zgjedhja dhe drama e ekzistencës, në fund të fundit, përcakton edhe fatin e moralit, qe mbetet gjithmonë pasojë. Ndërthurrja e këtyre dy lidhjeve e bën Kafkën njerëzor. Ai, në çdo rast, mundohet të largojë distancën midis personazhit dhe receptuesit. Këtë e realizon herë duke mos i emëruar këta të fundit, herë duke u shfaqur me personazhe të tilla si Jozef. K. (ku iniciali K. ka lidhje “të rastësishme” me vetë mbiemrin e autorit) dhe herë duke i vendosur në vetën e parë. Në pjesën më të shumtë të rasteve, situatat e mësipërme ndërthuren. Kështu, tekstet e Kafka-ёs nisin pak a shumë: “Ishim vendosur në një oaz…”. (Çakenj dhe arabë); “Isha i ngrirë dhe i ftohtë..” (Ura); “Bashkë me dy shokë kishim vendosur që të dielën të bënim një shëtitje” (Shpata); “Sipërmarrja, që kam ngritur, rëndon tërësisht mbi shpinën time” (Fqinji) etj, etj.
Kuptohet që është elementi i vetës së parë, që krijon njё komunikim tё brendshёm midis autorit, zërit që flet e që ndërton personazhin dhe receptuesit hipotetik. Nga ana tjetër, mungesa e emërtimit të personazheve apo e vendosjes së tyre me iniciale, na bën ta gjejmë veten shumë herë pranë tyre. Ato mbeten në vazhdimësi një “unë”, që identifikohet me receptuesin po “unë”. Ka shumë elemente të tjera brenda tekstit, që sjellin një afëri të personazhit me receptuesin e momentit. Kështu, tek tekstet kafkiane që po studiojmë, në pjesën më dërrmuese të rasteve, vihet re një ngarkesë e qartë e kohës kur zhvillohet ngjarja, e vendit ku zhvillohet, e etnisë që ka personazhi, bile në shumë raste edhe e gjinisё të tij. Kjo, sigurisht, shton komunikimin e brendshёm. Identifikimi i receptuesit me personazhin vjen sipas logjikës: personazhi apo zëri i tekstit X = me receptuesin e kohës, vendit, etnisë, gjinisё Y. Kjo analizë na bind se ky identifikim ka qenë, afërsisht i tillë më 1926-ën, 1936-ёn, 1986-ёn, 1999-ёn dhe të çon tek ideja se do të jetë sipas kësaj skeme edhe më 2026-ёn.
Gjithë kjo zhveshje e personazhit dhe e kohë-vendit, vihet në shërbim të universales. Kafka, në këtë mënyrë, i krijon vetes mundësinë që në kohëra të ndryshme të flasë me një zë dhe të plotësojë, kështu, një ndër kriteret kryesore të universales në letërsi.
Këtë universale, teksteve të Kafkës ia shton edhe përdorimi i arketipeve, si simbole universale. Polisemia, që mbajnë brenda vetës simbolet kafkiane, jep deshifrime të shumta dhe të ndryshme, në kohë të ndryshme.
Përfundimisht, le të shtojmë se krijimi i universales në letërsi nuk lindi me Kafkёn. Shkrimtarët e të gjitha kohërave e kanë krijuar atë. Në shekuj ka ndryshuar vetëm pёrqasja. Skema qё vazhdon tё na udhёheq, ёshtё njё sferё e rrumbullakёt qё merr tё tatёpjetёn lehtё. Ndryshon më shumë mёnyra se si flasim, sesa ajo për ç’ka flasim. I bindemi letёrsisё si njё tabele tё njohur tashmё. Letёrsia ёshtё si jeta, na merr prej dore e na shpie gjetiu.
Please follow and like us: