Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Në lirinë e fshehur brenda zemrave

Një tekst i Zhuliana Jorganxhiut, ku dashuria për motrën mbetet e përjetshme…
Kam dashur prej shumë kohësh të shkruaj diçka për këngën ‘Pranvera me një lule s’vjen’ (Pranvera vjen me lule shumë) me tekst të Zhuliana Jorganxhiut, një përjetim muzikor i vitit 1987 që kulmon mes indokrinimeve jo aq të rralla të të gjithë shqiptarëve që nuk dinin rrugëdalje tjetër.
Dhe frymëzimi është tepër njerëzor, sepse kjo këngë i kushtohet drejt për drejt një motre. Dhe kjo është Rozmari Jorganxhi, që sa është ndarë nga jeta.
Unë nuk e di se në çfarë rrethana në vitin 1987 u shkrua teksti i këngës. Nuk di se si lindi ideja muzikore.
Autorët mund të shkruajnë një histori tjetër, nga ajo që percepton publiku i tyre.
Ndoshta është rasti, si në të gjithë krijimet e mëdha, që kënga përmban një bërthamë reale jete, nga më të çiltrat, por jashtëzakonisht domethënëse.
Një impresion plot freski i Zhuliana Jorganxhiut nga fëminia e saj.
Është shkruar si një eko nostalgjie për fëmijërinë, kur një vajzë e vogel gjen lulen e parë të pranverës. Gjendemi gjithsesi në një lulëzim të dyfishtë prekës, atë të dy motrave, njëra pak më e madhe se tjetra, por njëkohësisht edhe një udhërrëfyese. Kënga ka një lëvizje të brendshme dashurie dhe kërkim të së bukurës, një botë të pastër motrash, me një varg të papërsëritshëm, pyetës dhe emocionues, që merr nënkuptime të pafund për qënien njerëzore.
O motër, unë lulet ku mund t’i gjej.
Pasazhi është aq viziv.
Unë që e kam jetuar femijërinë time në të njëjtin qytet si Zhuliana Jorganxhiu, e përfytyroj në kodrat e qytetit duke mbledhur lulet e para. Është këngë e çdo fëmijërie, në radhë të parë vajzërore, ku drita nuk shter kurrë, megjithë gati klithmën si ankim fëminor, që duket sikur vajton, në një kuptim shumë më të thellë figurativ, si element i evokimit dhe jo marrëdhënies të drejtpërdrejtë. Sepse koha gjykon. Dhe pranvera me një lule s’vjen.
Kënga, një nga të rrallat për dashurinë ndaj një motre, për ne që jemi mësuar me plagët e Gjergj Elez Alisë, me një ndjeshmëri kaq delikate femërore, ka arritur në Koncertin e Pranverës të vitit 1988 dhe përgatitur në vitin 1987.
Për të zbuluar edhe më tepër ngacmimet emocionale të saj, adresimi mund të na çojë deri sa, po me tekst të kësaj autoreje të shfaqet kënga “Jon” e cila, nëqoftëse ka diçka të fuqishme personale për të gjithë, për qindra shqiptarë që kapërcyen detin dhe të parët izolimin, ka edhe emrin “Jon”, me të cilin duket sikur këngëtari i drejtohet vetë birit të tij.
Nga viti 1987 deri në vitin 1991, kur shkruhet kënga “Jon” si nga kantautori edhe poetja, kanë ndodhur brenda botës së shqiptarit tronditje të mëdha dhe është shfaqur një etje tjetër për jetën, me sa duket se me to është shkruar historia, që nën muzikën e ‘lehtë’ hap krahë të tjerë, si një paralajmëruese e asaj që po vjen, thënë kjo me kaq delikatesë shpenguese në këngën e pranverës së dy motrave Jorganxhi.
Dhe duhet thënë me zë të lartë se kjo këngë i tejkalon për nga forca dhe qëndrimet, ato mbledhje të famshme shumë më të vonshme të intelektualëve, apo ato shkrime për reforma, sipas kuadrateve të vendosura, me të cilat sot mburren shumë personalitete, që pse jo mbushin biografite e tyre. Por jo modestja e modesteve dhe e mira e të mirave, autorja e këtij teksti me densitet emoicional të rrallë… Jo vetëm se kjo këngë i tejkalon shumë fraza të kornizimeve, gjysmë të burokratizuara dhe shtrënguese, jo vetëm se është krijuar para rënies së Murit të Berlinit krejt natyrshëm, jo vetëm se ajo përmban shumë jetë, jo vetëm se ka një përdorim masiv, por se në vitet 1987-88 është vetë një lule pranvere, që këlthet, ’po lulet e tjera ku do t’i gjej’…
Zhuliana Jorganxhi, në modestinë e saj, me këtë këngë-hymn, me vargun e famshëm, ‘pranvera jo, me një lule nuk vjen’ të fondit popullor shqiptar i dha shqiptarit ‘një kontekst tjetër shoqëror’ të një kërkese edhe më të madhe, pothuaj të shprehur drejtpërdrejt, kur ende vazhdonin edhe hymnet partiake. Poetja i vendos vargut një “JO” të fortë që, nën kumbimin muzikor, e forcon edhe më tepër mungesën.
Më ka rrahur zemra fort kur e kam dëgjuar këtë kënge, pasi kam marrë leximin e dytë dhe aq të pritshëm, kur po përgatitej diçka tjetër, në lirinë e fshehur brenda zemrave. Së pari në zemrën e dy motrave dhe brenda pafajësisë së tyre të vetvetishme.
Ngandonjëherë të vërtetat jetësore janë aq të fuqishme, sa kapërcejnë çdo lloj kufiri, ndoshta në mënyrë të pavetdijshme. Por që shpallin kaq vetvetiu një ndjesi të thellë, që kjo poete ka pasur brenda vetes.
Dhe kjo këngë na mëson se vetëm nga shpirti njerëzor dhe kujtime të brishta personale, arti arrin në përgjithësime të mëdha, që e tejkalojnë kohën.
Sot ne mund të marrim përsëri kuptimin e parë të dashurisë së dy motrave, pa e vrarë mendjen se në çfare periudhe dhe rrethana është shkruar kjo këngë, kur njerëzit përndiqeshin ende.
Por historia njerëzore ka stacione të tilla të mëdha që duhen shënuar.
Dhe në një farë kuptimi, kjo këngë, të cilën e bën të vetën kompozitori, mund të quhet një dhuratë nga Zhuliana Jorganxhi dhe Rozmari, këto dy motra të mrekullueshme.
Mjafton kjo këngë për t’i shprehur ngushëllime për humbjen e Rozmarisë, poetes sonë të shtrenjtë që na fali këto vargje. Kjo është një ditë e një ndarjeje të madhe dhe kompozitori që e bëri këtë tekst të dashurisë së dy motrave të paharrueshme, do të më kuptojë.
Please follow and like us: