Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: GIANCARLO RAMALLI OSE GJON GJONI PIQERASIOTI

Kështu e spjegon prejardhjen e emrit të tij edhe miku im nga Villa Badessa e po kështu jam bindur edhe unë, kur sapo kisha mbërritur në hyrjen e atij fshati të bekuar dhe kur Gjoni,-i mbiquajtur Giancarlo Ramalli,-sipas versionit të italishtes, m’u hodhë në qafë e më tha”Mirëse më errdhe, o vëlla”, në gjuhën e mëmës… Ashtu i përzemërt sikundër është ai burrë, i gjatë e i pashëm, me të vërtetë si një vëlla i së njëjtës nënë… Sepse, kam dashur të besoj që, të tre vëllezërit: Gjini, Deda dhe Gjoni u vendosën në Piqeras, qysh pas rrethimit të tretë të Krujës, kur aty hynë hordhitë turke, pas rënies së Skënderbeut dhe shumë nga luftëtarët e tij, me në krye të birin Gjon, erdhën e u vendosën në krahinën e lirë të Himarës e prej andej, mbas shumë vitesh e dekadash erdhën në Itali, me ikjet masive të vitit 1743, duke përfituar edhe nga simpatia e përkrahja e Mbretit Carlo III Burbon të Napolit, në regjimentin Maqedono-Ilir të të cilit shërbenin edhe disa oficerë të lartë piqerasiotë. Dhe po kështu shkruajnë edhe kronikanët e asaj kohe, gjithashtu edhe prifti Lino Bellizzi në librin e tij, i cili hynte e dilte nga shtëpa e Gjone të Villa Badessas, si mysafiri më i nderuar e miku i afërt i gjyshit të tij Spiridhon Gjoni, i ati i Niko Gjonit. Unë i them Gioncarlos se, në atë kohë, në Piqerasin tonë, i ndërtonim shtëpitë të ngjitura me njera-tjetrën përmes muresh e avllive, pra i patëm shtëpiat afër e afër, si në të njëjtën vëllezëri, që edhe të mbroheshin më mirë, si edhe për të dalur në një shesh të përbashkët, sikundër kishim e kemi akoma, sheshin e vogël nën ullishte, që njihet edhe sot e kësaj dite me emrin Dedegjoni (pra: ”Deda (dhe) Gjoni”), që duhet të kenë qenë dy vëllezër të ardhur nga Kruja a Mirdita! Të njëjtin kriter ndoqën edhe këtu, shton ai, kur të parët tanë i ndërtuan shtëpitë, si në të njëjtën vëllazëri, në të dyja anët e “kurrizit të peshkut”, gjer aty poshtë, nën ullishte, ku u ul me kavaletin e tij Eduard Liri, në vitin 1848, të pikturonte ullishten tonë dhe disa nga banorët duke folur, tek pati edhe kënaqësin njerëzore të ishte dy ditë e dy net edhe si mysafiri ynë…
Profesori i Universiteit të Molizës (Molise), Giancarlo Ramalli, pinjolli i fundit i familjes Gjoni, na fton në shtëpinë e tij të origjinës, ku banonte dikur gjyshi Spiridhon Gjoni, me të birin Domeniko (Niko) Gjonin, ku do të na priste bija e Nikos, 80 vjeçarja Ana me të mbesën që jetonte në Gjermani, Antoneta Vlashin dhe ku do të ngazëlleheshim me fjalë të hershme të shqipes, si edhe me po ato gatime piqerasiotshe: pipeq e tepsi me kofto që kishin aritur gjer në ditët tona! E mua do të më mbeteshin sytë nga një fotografi e vjetër në murin përballë, ku qe fiksuar e gjithë familja e tyre, në mesin e së cilës shquhej edhe figura e mençur e Lino Belizzit, mik i hershëm i familjes së tyre, dhe, prej andej do të shkonim me nje tufë lulesh të freskëta në varrezat e fshatit, ku preheshin të parët e profesor Gjonit (Gioncarlo Ramallit) dhe trashëgimtari i Gjonajve të Piqerasit, do të prekte me dorën që i dridhej portretin e së ëmës mbi mermerin e ndritshëm, ku shkruheshin në shqip edhe këto fjalë: “FAMIGLIA MILI GIOVANNI”, si edhe më poshtë: “I përjetshëm qoftë kujtimi tuaj”…
Kërkimi i “rrënjëve të të parëve” tanë,-si të ishin rrëmba të ngrohta gjaku,- do të na bashkonte vetiu me të njejtin mall e dashuri të shënjtëruar, tek do të shihnja pak më tej edhe mbiemrin tim Gjini. Kisha shtangur! Mirëpo, ky njeri i dhimshur nuk do më ndahej, as në kishë, as ne proçesionin e nxjerrjes së ikonës së madhe të Shën Marisë së Kremesovës,-tashmë të restauruar nga motrat Spiri, as në ato përpjekjet e përbashkëta,-për të fiksuar historinë në kartëra, me anë të botimeve,- si edhe me ngritjen e “Muzeut të Fshatit”, në qendër të tij, ku do të zinte vendin kryesor etneografia, me përpjekjet personale të profesorit të “Etneografisë e të Antropologjisë” në Universitetin e Chietit, Françesko Stopp, i cili na shpie diku më larg, ku tre gra italiane, rrobaqepëse stiliste merreshin me krijimin identik të veshjeve të Piqerasit, në bazë të fotografive të asaj kohe, të katalogëve të Institutit Shqiptar të Enteografisë, si edhe në bazë të veshjeve të atëhershme, të ruajtura në sënduqet e grave… Që të tre jemi të “mpleksur” në të “njëjtat rrënjë e dege”…
Shtrohem fshaçe në bisedë me Gjonin: A është Badhra,-kështjella e rrënuar e kohës se Bronxit, fillesa e fshatit Piqeras, atje ku ndahemi me Borshin, rrëzë një përroi, pas ngrehinave të mëvonshme të Bunecit, të Mirofshatit, apo të atyre shtëpijave te reja që u ngritën në kurrizin e kodrinës më të bukur të Piqerasit në mijëvjeçarin e fundit?,-pyesim njëri-tjetrin, për të vazhduar ca më më tejë akoma: A është toponimi Badessa një përafërsi leksikore me Badhrën e hershme, apo i takon si vëndbanim pronave të dikurshme të Markezes Badessa, ku u vendosën edhe ikanakët e 18 familjeve piqerasiote në vitin 1743?… Në mjediset e kështjellës së Cepagattit, ku e pimë kafen e ditës tjetër me Gijancarlon dhe që i ngjan një bodrumi kështjellash të lashta, marrë vesh që edhe ai, si President i “Shoqatës Baddessa” është në të njëjtat kërkime, gjurmime historike dhe hamendësime… Jo më pak i shqetësuar e i preokupuar prej pasionit historiko-patriotik, si piqerasiotë të mëvetshëm… Ai hap çantën e tij e prej andej nxjerrë një fotografi, ku ka dalur përpara portretit të bijës së tij të veshur me kostumin piqerasiot, të ruajtur me fanatizëm e krenari në Villa Badessa dhe, pa fjalë, ma dhuron mua që kisha ngrirë i tëri nën harkun e kështjellës së vjetër të Roscanës.
Tre herë e ka parë e vizituar Piqerasim ky Gjoni i Gjonajve, me mall të përvëluar, anë më anë, skaj më skaj, që nga Manastiri i Kremesovës në lartësitë qiellore të fshatit e gjer në anëdetin e plazhit të virgjër të Kubovës, si edhe që nga Badhra e gjerë në “gjarpërimin” e lumit të Bunecit që derdhet ne det, atje ku është limani i sotshëm, nga ku mërgimtarët tanë, do të merrnin me vete një familje lukoviote dhe një tjetër nga Shën Vasili… Për të rënë në mendime se, prej këndej u nisën me varkë, duke mbajtur ndër duar ikonën e Shën Marisë, tok me ungjillin e kishës, ato 18 familje mërgimtarësh, trima të rrallë, që lundruan nëpër natë deri në Sarandë dhe prej andeja nëpër det, gjersa u sosën midis Romës, Chietit e Pescarës, duke themeluar aty edhe Villa Badessën, po njëlloj, si një kurriz peshku mbi kodrinë. Doemos, që do të përgjërohej që nuk e shihte më sulinën ujësjellëse, që nga rrëza e Lavanit të Sase e gjeri këtu, nga ku mbushën podet me ujin e pijshëm ikanakët tanë, për të shuar etjen në detin e hapur. Ka çaste njeriu që zgjedh heshtjen, kur pamjet i “vrasin shpirtin”, tek kishte parë lartë, në mesin e fshatit, të nxirë nga zjarret e 97-ës, po këtë rrënim që i ishte bërë ujësjellësit më të lashtë që kishte Piqerasi,-vepër e arkitekturës të duarartëve tanë të së kaluarës, që furnizonte me ujin e pijshëm, jo vetëm varkarët e saj, po edhe anijet e huaja, të cilat e dinin, tek lundronin “Mesdheun” se, vetëm në këtë fshat të Bregut, kishte vënë “dorën vetë Perëndia”! Qe si një heshtje gjëmimtare,-e kthyer në ulërima të xhanit brenda, kur Gjoni i Villa Badessës, kishte parë edhe shfytyrimën e kishës, pas prishjes së qendrës së dikurshme të fshatit, nga vandalët, e kthimin e saj të mëvonshëm në një “kapanon derrash”(!?) atje, në Sheshin e Vjetër të “Shën Thanasit”, për të ngritur godinat standarte të vullnetarëve që hapnin tarraca në mal, në kohën e diktaturës, nga ku mbeti fillikat i vetëm ulliri i kishës!… Ndërkohe që kushërira e tij, Antoneta e Vlashe, që në Itali e Gjermani njihet me emrin Antonett de Blazzi, para shtëpive të Qendre aty afër, kërkonte gjurmët e oborrit të shtëpisë së saj, të shembur e të zhdukur, po ashtu, pa e ditur se, pas emigrimit të fundit janë rrëzuar në Piqeras edhe 73 çati shtëpie të tjera, ndërkohë që në Villa Badessa mezi gjeta një të tillë, si edhe kishën e vjetër që ata e deshën të ishte si në Piqerasa dhe që nuk arritën t’i vinin çatinë, si presion që me domosdo, kisha e tyre e re t’i përgjigjej besimit e stilit të ndërtimeve të kishave katolike!… Dhe ajo, do ta bënte kryqin përpara ullirit të moçëm të asaj kishe inegzistente, tashmë edhe pa atë kambanë që dërguan si dhuratë ikanakët e parë…
Xhoncarlo do të merrte rrugën mandej, fort i pikëlluar, bashkë me të ardhurit rishtazi në vendin e të parëve, gjer në Likurës të Sarandës, nga ku ekuipazhi i asaj nate do të merrte edhe një familje nga banorët e asaj kohe, prej Likursiotëve… Aty do të admironin panoramën mahnitëse, do të uleshin në tryezë dhe do të hanin edhe nje vakt, si mysafirët e shekullit të ri, të përmalluarit e vatanit, sikundër do të bënin edhe tek rrepet e Nivicës dhe të Shën Vasilit…
Natyrisht, që një kafe edhe nën rrepet e ujëvarës së Borshe, do të ishte për këta njerëz të malluar edhe një harresë e së shkuarës së dhimbshme, ndaj grindjeve e sherreve të vjetëra për sinoret e pronat, për besimet, shkatërrimet e ndodhura dhe krushqitë e ndaluara! Tashmë ujërat burojnë të qeta, rrjedhin furishëm nën këmbët e asaj shkallareje lumore që gurgullon me ofshamje të largëta e nga flladi që sjellin rrepet gjigande, ndërkohë që ka mbetur tanimë kjo ujëvarë freskie e mendjes dhe e shpirtit, si një dashuri e re, një tjetër frymëmarrje, që Gjoni i Gjonajve mundohej ta fiksonte, me aparatin e tij fotografik, edhe në fytyrat tona, si një buzëqeshje e thellë dhe e paanë…
Athinë, qershor 2022.
Please follow and like us: