Albspirit

Media/News/Publishing

Voskopoja, qëndra më e zhvilluar kulturore e arumunëve dhe shpalosja më e madhe e kulturës në Ballkan

Gersa Rrudha

Shekulli XVIII u hap nën shenjën e Papës shqiptar Albani, e mund të quhet i konsiderueshëm interesimi i këtij njeriu të kultivuar, virtuoz e të zellshëm, për atdheun e tij të origjinës e për gjithë Orientin në përgjithësi. Promotor i luftës antiturke, mbështetës i rebelimeve të fiseve shqiptare, i ndihmuar edhe nga arqipeshkvi i Tivarit Zmajeviç, ai arriti të kryejë një reformë të thellë kishtare në Shqipëri, reformë kjo që do të kulmohet me mbajtjen e “Këshillit të parë Kombëtar” më 1703.

 Por trashëgimnia më e madhe që ai i la Shqipërisë ishte impulsi i fortë që i dha studimeve orientale. Duke pasur dijeni për përgatitjen që po bënte jezuiti Filipo Riceputi të një Illyricum Sacrum, të llojit të përmbledhjeve të tjera që përgjatë këtij shekulli erdudit po shihnin dritën e botimit për çdo komb, ai jo vetëm e inkurajoi me ndihmë e mbështetje materiale dhe njerëzore këtë ndërmarrje, por edhe i dhuroi atij studimet dhe materialet e mbledhura në rininë e vet. Përpilimi i kësaj vepre gjigande zgjati për një shekull të tërë derisa u përfundua nga Daniele Farlati (me 6 vëllimet e para, kur vëllimi i parë daton më 1751) dhe Xhakomo Koleti, me dy vëllimet e tjera, i teti u botua më 1819), e mbetet ende dhe sot një vepër themelore, më e gjera që ekziston, përsa i përket historisë civile dhe kishtare të Shqipërisë.

Natyrisht Illyricum Sacrum merret kryesisht me zhvillimet e kishës latine, ndërkohë që përsa i përket ritit ortodoks ky zhvillim pasqyrohet më thellësisht nga vepra tjetër e madhe “Mbi origjinën, progresin dhe gjendjen e sotme të ritit ortodoks në Itali dhe Shqipëri”, e përgatitur nga arbëreshi i madh Pietro Pompilo Rodotá, nxënës i kolegjit të Shën Athanasit, më 1763.

Në po këtë kohë, shohim të zgjohet interesi edhe në studimin e gjuhës. Kështu, nga Kolegji i Shën Pjetrit në Montorio del nga shtypi vepra “Vërejtje” e italianit At Franceso M. nga Leçe (1716), një vepër kjo goxha e rëndësishme dhe e konsideruar si gramatika e parë e botuar shqip, madje e mbetur unike për një kohë të gjatë.

Në “Arkivat e Vatikanit” të Kroacisë, sapo janë bërë disa zbulime që spikasin kontributin e jashtëzakonshëm të Don Pal Zogajt për hartimin e gramatikës së gjuhës shqipe në Kroaci në vitin 1776. Emri i vërtetë i këtij kleriku, siç merret vesh nga arkivat e Universitetit Urbaniana të Vatikanit, shkruar me dorën e tij, ishte Pal Brija, por meqë ky ishte nga fshati Zogaj i Tropojës, ai prezantohej si Don Pal Zogaj, siç ishte zakoni për shumicën e klerikëve të asaj kohe. Pal Zogaj kish lindur më 20 shtator 1752 dhe studimet i kishte kryer në Universitetin Urbaniana të Vatikanit në degët e gramatikës, filozofisë dhe teologjisë.

Me 15 janar 1774, ai i shkruan Propagandës Fide një letër falenderimi për librat dhe e njoftonte lidhur me sjelljet dhe suksesin e nxënësve të tij në mësime. Në nëntor të vitit 1773 mbyllet rendi jezuit në Osijek dhe 4 nga 7 të rinjtë shqiptarë të shkollës së Osijekut zhvendosen në qytetin e Zagrebit së bashku me mësuesin e shqipes Don Pal Zogajn.

Në Zagreb ata do të vazhdonin shkollimin e mesëm në internatin greko-latin të atij qyteti, të ngjashëm me gjimnazin në kohën e sotme. Qysh nga mbërritja në Osijek dhe deri sa u vendos me punë në Zagreb Don Pali iu përkushtua hartimit të një gramatike të gjuhës shqipe të shpjeguar në gjuhët latine, gjermane dhe kroate, të cilën ua dedikonte bashkëkombësve të tij, së pari të rinjve shqiptar të fisit Kelmendi, student të këtij internati.

Ai i bëri një lutje mbretëreshës Marija Tereza për fonde dhe bashkë me kërkesën e tij i dërgoi edhe një kopje të gramatikës së hartuar, duke marrë për model gramatikën e Francesco Maria da Lece me titull “Osservazioni grammaticali della lingua albanese”, Romë, 1716. Me datën 13 maj 1776, në adresë të Këshillit Mbretëror Kroat, arriti vendimi me shkrim i Mbretëreshës në të cilin bëhej me dije se botuesi i Oborrit Mbretëror Trattner është i detyruar që në shtypshkronjën e tij në Varazhdin të bëjë shtypjen e gramatikës shqipe të Zogajt.

I përmendëm të gjitha këto fakte për të përgënjeshtruar disa pohime që këtë shekull e quajnë “shekullin e përgjumjes” për shqiptarët apo si një “terra incognita” për mendimin shqiptar. Ishte vërtet një periudhë e vështirë, një kohë rrudhjeje, por kodi i burimit etnik, arriti ta gjejëmënyrën e vet që kultura shqiptare ta ngrejë kokën, nëpërmjet bijve jashtë atdheut, për të lëruar kështu truallin ku do të niste më vonë ringjallja e viteve ‘800.

***

Shpirti dhe psikika e kombit, duke vepruar në mënyrë misterioze, siç di ajo vetë, mund t’i ngjajë edhe një lumi të nëndheshëm. Kish ndodhur në veri humbja e luftës që pat udhëhequr Bogdani dhe Perandoria Austro-hungareze për të çliruar Ballkanin në fund të viteve ‘600, paskësaj në fillim të viteve ‘700 ish bërë “Kuvendi i Arbrit” nga Papa Albani, kur diku në jug të Shqipërisë ndodh të zhvillohet dicka madhështore.

Ndoshta e frymëzuar nga ai kod i brendshëm që kërkon të shpërthejë diku, për të shpalosur idenë e vet themelore, sa herë qëi jepet mundësia dhe i puqen kushtet dhe rrethanat, ai lumë i nëndheshëm i burimit etnik, arriti të konkretizohet për mrekullisht në atë fenomen qytetërimi, siç e quajnë shumica, por që më mirë do të qe të quhej një “kryengritje” diturore e shqiptarëve dhe fqinjëve përreth, në atë qytet-model, siç ishte Voskopoja e fillimit të viteve ‘700.  Lulëzimin më të madh ky qytet e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë.

 Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur AkademiBibliotekëShtypshkronjë, artizanat të zhvilluar e tekstile, duke shërbyer si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin më 1916.

“Zhvillimi në Voskopojë i profesioneve të zejeve të kohës së vet u bë një nxitës real konkurence në të gjithë Ballkanin duke dhënë shenjat e para të një kulture para-industriale që do të sillte padyshim një zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin e rajonit. Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë kanë qenë të famshme dhe ndonjëherë për t’u dalluar mbanin të gdhendur shqiponjën siç ndodhte me sënduqet” (187).

“Në qytet kishte 14 korporata, e mund të themi pa e zmadhuar, se historia e qytetit është historia e korporatave të saj” (188).

Përveç zhvillimit ekonomik, elementi më i çuditshëm i Voskopojës ishte standarti demokratik i administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare në mënyrë të pavarur nga Porta e Lartë nëpërmjet parimit të votimit. Këtë e konstatojnë shumë studiues të huaj (189). Voskopoja ishte një qytet autonom brenda Perandorisë Otomane i përbërë nga shqiptarët, grekët dhe vllehët. Po ti referohemi studiuesit Aurel Plasari, Voskopoja nuk ekzistonte as në Suret Defter-in e Sanxhakut Arvanid”, (botuar nga H. Inalcik, pjesa Defteri i Përmetit dhe i Korçës përkthyer shqip nga V. Buharaja, Tiranë 1969).

 Nuk përjashtohet mundësia që Voskopoja të jetë trajtuar prej autoriteteve osmane “jashtë Shqipërisë”; rast i ngjashëm do të ishte ai i vilajetit të Përmetit, i vënë në dukje nga vetë Inalciku: ky vilajet “iu dha si shtojcë Jakub Beut, të birit të Teodor Muzakës” dhe si i tillë, “kjo krahinë konsiderohej jashtë Shqipërisë”. (190)

Gjithashtu Plasari i referohet edhe V. Papacosteasi, i cili e përcakton Voskopojën si “një qytet jashtë pushtetit të Portës, dhe në fakt ishte një “qytet tentakular në kuptimin e plotë të fjalës” e që tërhiqte rreth vetes gjithë sa i vlente: tregtarë, afaristë, intelektualë të kohës, rini të fshatrave” (191). Ky është fakti më kuptimplotë që Voskopoja ishte shqiptare sepse duke qenë një qytet tentakular që thithte mes trojeve shqiptare një popullsi prej dhjetra mijë banorësh, kuptohet që elementi joshqiptar nuk mund të ishte kurrë minorancë.

Sipas Robert Elsie “Akademia e Re ose Hellênikon Frontistêrion ishte një qendër e dijes e themeluar më 1744, e ngjashme me akademitë që dihet se kanë qenë në Bukuresht, Jash, Konstantinopojë, MecovëJaninë, në Malin Atos dhe Patmos”. (192) Akademia e Re, Biblioteka dhe e vetmja Shtypshkronjë e Perandorisë së asaj kohe, ka qenë një trekëndësh kulturor unikal në Ballkanin e mesit të shekullit XVIII.

Për aq kohë sa Voskopoja lulëzoi, një numër shumë i madh të rinjsh shqiptar, grekë dhe vlleh u shkolluan dhe formuan një identitet europian të mbrujtur me idetë iluministe të dijeve pozitiviste. “Diplomantët e atyshëm e siguronin me lehtësi hyrjen në universitetet e kryeqyteteve europiane, kryesisht studimet si mësues, doktorë, ekonomistë, filozofë dhe juristë.”(193).

Arti dhe kultura patën një zhvillim të paparashikuar duke e kthyer Shqipërinë në një far që ndriçonte të gjithë Ballkanin otoman. David Selenica, ka qenë artisti më influent i Rilindjes së të gjithë artit ballkanik dhe ndikimi i tij u ndje në të gjithë artin ortodoks të Ballkanit sepse ai dha shenjat e para të kapërcimit të klisheve të pikturës zyrtare të malit të Shenjtë (qëndra e ortodoksisë kishtare të kohës).

Por pika më e fortë dhe njëkohësisht më e dobët e Voskopojës ka qenë pa dyshim shtypshkronja e saj. Po ti referohemi studiuesit të mirënjohur Bernard Luis, “shtypshkronja e Voskopjës ishte e vetmja në të gjithë Perandorinë sepse shtypshkronja tjetër e Stambollit që u hap nga Said Mehmet Efendiu në 1727, 7 vjet pas Voskopojës, u mbyll që në 1740” (194)

Po a jemi vallë në kushtet e përcaktimit të kësaj lëvizje si një lëvizje mendore? Lulëzimi që njohu Voskopoja u dha mundësi voskopojarëve të shpenzonin fonde të mëdha të hollash për përparimin kulturor të qytetit.

Më 1710,  në Voskopojë u ngrit një kolegj grek, të cilin e ndoqën jo vetëm nxënës voskopojarë por edhe nxënës nga krahinat e tjera të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Më 1720,  qyteti u pajis me një shtypëshkronjë, e cila u krijoi intelektualëve voskopojarë bazën materiale për një zhvillim të shpejtë tëkulturës. Shtypshkronja e vazhdoi veprimtarinë për gati gjysmë shekulli.

Më 1744, me përkrahjen e Joasafit, një grup intelektualësh themeluan në Vorkopojë “Akademinë e re”. Programi arësimor ishte si ai i shkollave të mesme të vendeve më të përparuara të Evropës. Pedagogët qenë personalitete të shquara në lëmin e arësimit, kulturës e shkencave.

 Rektori i parë i Akademisë qe Sevast Leontiadhi nga Kosturi, i lauruar nga universiteti i Padovës (Itali). Qysh nga viti 1748 rektor u bë Theodor Kavalioti nga Voskopoja, mendimtar i shquar i shek. XVIII. Shumica e pedagogëve qenë njëkohesisht edhe autorët e teksteve mësimore të Akademisë. Disa nga këto tekste u shtypën në shtypëshkronjën e Voskopojës. Fondet për mbajtjen e Akademisë u formuan nga ndihmat e voskopojarëve.

Në Voskopojë autoriteti i qeverisë turke nuk ndihej drejtpërdrejt. Si rrjedhim, edhe kultura islame-orientale nuk kishte pasur ndikim në jetën e këtij qyteti. Në vend të saj këtu ndikoi kultura greke. Por, megjithëse në rrethet intelelktuale të Voskopojës si gjuhë kulture u përdor greqishtja, lëvizja e tyre mendore ishte jashtë ndikimit të Patrikanës së Stambollit.

 Ajo u zhvillua më tepër nën ndikimin e kulturës së iluminizmit evropian. Zhvillimi kultural i Voskopojës u përkrah nga Patrikana e Ohrit që ishte në konflikt me Patrikanën e Stambollit. Konfliki ishte shkaktuar nga kontradiktat midis klerit vendës të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë me klerin grek të Fanarit, cili kishte fituar prej sulltanëve privilegjin që të shfrytëzonte popullsinë ortodokse të të gjithë perandorisë. E lidhur me ngushtë me popullsitë vendase, Patrikana e Ohrit përkrahte lëvizjet çlirimtare në këto krahina.

 Në juridiksionin e Patrikanës së Ohrit hynte edhe Voskopoja. Voskopojarët u bënë përkrahësit e zjarrtë të Patrikanës, madje një nga patriarkët më energjikë të Ohrit, Joasafi, qe vetë voskopojar.

Nuk duhet harruar se lulëzimi i Voskopojës ndodhte në një kohë kur në vendet e ndryshme të Evropës perëndimore lëvizja iluministe, e filluar në shekujt e mëparshëm kish arriturkulmin e vet me enciklopedistët frëngj të shek. XVIII. Lëvizja kulturore e iluministëve, e cila luajti një rol të madh përparimtar pasi përgatiti ideologjikisht revolucionet borgjeze, pati jehonë edhe në vendet më të prapambetura të Evropës, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Jehona e ideve iluministe u duk në radhët e inteligjencës së Shqipërise së jugut qysh në fillim të shek. XVIII.

Por kjo inteligjencë e pakët, gjysmë-klerikale, e mbeshtetur mbi borgjezinë e vogël e të përçarë, u tregua e pazonja për ta zbutur regjimit feudal turk. Për këtë arësye ajo përvehtësoi në fushën e mendimit filozofik pikëpamjet dualiste të Dekartit, Malëbranshit, Lokut e sidomos pikëpamjet e filozofit gjerman Lajbnic, i cili me përpjekjet e tij për të pajtuar besimin me arsyen dhe fenë me shkencën shprehte tendencën e pajtimit të borgjezisë me feudalizmin.

Kjo lëvizje kulturale u kufizua vetëm në radhët e Intelegjencës ortodokse, prandaj këta ranë në kundërshtim të hapur jo vetëm me sundimtarët turq, por edhe me Patrikanën ekumenike të Stambollit si dhe me qëndrën kulturore me reaksionare të kishës ortodokse, Malin e Shenjtë, të cilët kërkonin të ruanin metafizikën dogmatike të kishës mesjetare.

Një nga përhapësit e parë të ideve iluministe në Shqipëri ishte Method Antrakiti, grek nga Janina. Ky u dëbua nga Janina pasi kritikonte filozofinë skolastike aristoteliane dhe predikonte pikëpamjet e Dekartit e të Malëbranshit. Antrakiti dha mësime për disa vjet edhe në Voskopojë (1720-1736).

Një nga nxënësit e Antrakitit ishte Sevast Leontiadhi, rektor i parë i Akademisë së Voskopojës ku u shqua si propagandist i sistemit filozofik të Dekartit e të Malëbranshit. Një personalitet i shquar që luajti një rol të rëndësishëm në jetën kulturale të Shqipërisë, Greqisë dhe Rumanisë qe prelati i kishës ortodokse Evgjeni Vullgaris (1716-1806) nga arbëreshët e Greqisë. Përkrahës i flaktë i iluministëve bashkëkohorë dhe veçanërisht i pikëpamjeve të Volterit, Lajbnicit, Volfit, dhe Lokut, Vullgarisi i përhapi pikëpamjet e tyre me anën e leksioneve që mbante në kolegjin Marusian të Janinës.

Leksionet e tij luajtën një rol jo të vogël në përhapjen e ideve çlirimtare në Ballkan, të frymës së reformave në kishë e të kulturës kombëtare. Evgjeni Vullgarisi është autor i shumë veprave me përmbajtje filozofike e historike. Ai redaktoi dhe plotësoi veprën e nxënësit të tij nga Voskopoja, Kostë Xhehanit, mbi Skëndërbeun, të shkruar, greqisht në bazë të veprës së M. Barletit dhe të botuar në Moskë më 1812.

Një nga nxënësit më të dalluar të Evgjeni Vullgarisit ishte voskopojari Theodor Kavalioti (1718-1789). Ky ndoqi me kujdes leksionet e mësuesit të vet në kolegjin Marusian të Janinës. Kur u kthye në Voskopojë u emërua më parë pedagag dhe më 1748 rektor i “Akademisë së Re”. Edhe Kavalioti u shqua si përkrahës i ideve iluministe. I pajisur me një kulturë të gjerë ai u bë udhëheqës i lëvizjës kulturore jo vetëm të Voskopojës, por edhe të krahinave të tjera të Shqipërisë se mesme e të jugut.

Me leksionet mbi filozofinë, logjikën, matematikën, fizikën e filologjinë, Kavalioti ngjalli frymën e luftës për kulturën e re me baza racionaliste kundër skolastikës mesjetare, mbi parimin se natyra njërëzore është e prirur drejt gabimit dhe konfuzionit, shpirti njerëzor arrin në saktësi si në fushën e spekulacioneve teorike ashtu edhe në praktikën e çdo dite vetëm në qoftë se ndihmohet nga studimi dhe përvehtësimi i diturisë.

Pikëpamjet filozofike të Kavaliotit kanë qenë shprehur në një varg veprash, nga të cilat ne sot njohim fare pak, pasi të tjerat janë zhdukur. Në veprën e tij “Logjika”. Kavalioti del si një dishepull i zjarrtë i pikëpamjeve filozofike të Lajbnicit. Dualizmin e Lajbnicit, orvatjen e tij për të pajtuar besimin me arsyen, fenë me shkencën, e gjejmë të pasqyruar edhe te Kavalioti., në bindjen e tij se vetëm nëpërmjet filozofisë, dualizmi unik i qenies njerëzore mund të arrijë në shkallën e tij më të lartë të përsosmërisë, dualizëm ky që na jep mundësi të njohim realitetin e vërtetë dhe, përsa i përket praktikës së përditëshme, nuk na lejon të punojmë në mënyrë të parregullt.

 Por dualizmi i tij në thelb nuk ishte gjë tjetër veçse një idealizëm objektiv. Ai pranonte ekzistencën e fuqisë së mbinatyrëshme, ekzistencën e zotit. Kavalioti i porosiste nxënësit e tij të ruheshin nga rrymat e filozofisë materialiste, të cilat në kohën e tij, po i përhapnin me sukses materialistët frëngj.

Rrethi i ndjekësve të iluministëve u shtua me nxënësit shqiptarë dhe vllehë të Shqipërisë që dolën nga bankat e Akademisë. Është pikërisht nga ky ambient që u bënë edhe orvatjet e para për t’i dhënë kishës ortodokse në Shqipëri një karakter shqiptar. Vetë Theodor Kavalioti ndërmori për këtë qëllim, sikurse thuhet, përkthimin e “Dhjatës së re” në shqip. Kavalioti botoi me 1770 edhe një fjalor tri gjuhësh (greqisht-arumanisht-shqip).

Do të qe interesante nga pikëpamja e mendimit, të dihej se ç’lloj arsimdhënie kultivonte Akademia e re dhe Kavalioti? Kjo temë ka qenë objekt hulumtimesh shkencore qysh me Sathën, që e quajti Kavaliotin “mendimtar gjenial” dhe me studime të mëvonshme deri sot nga shkencëtarë të shumtë (grekë, rumunë, shqiptarë, suedezë, italianë, gjermanë, austriakë e francezë). Pavarësisht se në këto  studime mund të vësh re mangësi që janë të zakonshme, të pashmangshme e të kuptueshme kur hyn në mjegullën gati treqindvjeçare të së kaluarës, është pranuar tashmë se niveli dhe fryma progresiste e veprave filozofike të Akademikut tonë Voskopojar janë plotësisht të krahasueshme me ato të mendimtarëve të shquar të Ballkanit, Korydaleut, Domodosit, Antrakitit, Leontiadhit, Vulgarisit etj. Kavalioti i përkiste atij krahu të kulturës neobizantine, që u frymëzua dhe u mbështet në filozofinë e shkencat e Evropës Perëndimore, sidomos në veprën e Rene Dekartit.

Fjala nuk është vetëm në faktin që Kavalioti në veprat e tij filozofike përmend shumë herë emrin dhe meritat e filozofit francez, por sidomos ngaqë për çdo problem të rëndësishëm filozofik e shkencor, ai pranonte zgjidhjet që pati dhënë Dekarti.

 Dhe po të kemi parasysh opinionet e Hegelit se filozofia e Kartezit shkaktoi një kthesë krejtësisht të re, se me të filloi epoka e re e filozofisë, ne e quajmë një meritë të madhe që në Akademinë e Re të Voskopojës, në Shqipërinë e në Ballkanin e atëhershëm, Kavalioti futi e përhapi idetë e atij, që i parapriu filozofisë moderne të racionalizmit dhe iluminizmit evropian. Akademiku ynë vlerësoi lart parimin filozofik kartezian mbi dyshimin.

 Dhe është një mrekulli e vërtetë që postulatin e dyshimit, Kavalioti jo vetëm e përsërit, por e vendos në themel të fizikës, metafizikës dhe të logjikës së tij. “Sikur të pyeteshin nxënësit e rinj të Akademisë, – shkruante ai, -ata do të arsyetonin me të drejtë kështu: – Vallë, a jetojnë? A hanë? A ecin? A rrinë? Dhe si do të përgjigjeshin? Se dyshojnë! Por dyshimi është njohje. Duke qenë se dyshimi është një veprim mendor, atëherë pranohet ekzistenca e tyre” (195).

Formula “Dyshoj, mendoj, pra ekzistoj” ka qenë disi e njohur shumë kohë para Dekartit; në veprën “Qyteti i Zotit”.

Agustini përmend një formulë të përafërt, por kuptimi i saj ndryshon nga ai i Dekartit, sepse ajo përdorej në favor të skepticizmit ekstrem, kurse te Dekarti e Kavalioti principi i dyshimit kuptohej si një mjet, si akti i parë i metodës racionale të njohjes, që ngjallte, nga njëra anë, mosbesim ndaj paragjykimeve të gabuara dhe nga ana tjetër, jepte siguri në njohjen e së vërtetës, në mundësinë parimore të njohjes shkencore. Përmes këtij principi botëkuptimi i Akademikut voskopojar fitoi frymën kritike të filozofisë moderne perëndimore, mospajtimin e saj me kultin e hyjnizimin e shumë paragjykimeve mesjetare, prapa të cilave qëndronin autoritete të padyshimtë si Platoni, Aristoteli etj.

Qysh në “Parathënien” e “Fizikës” Kavalioti iu drejtohet nxënësve të Akademisë: “Ju pra, – shkruan Kavalioti,- që me ndihmën e perëndisë studioni filozofinë, duhet të flakni tutje gjithë mendimet e gabuara të filozofëve, madje edhe ato të korifeut të tyre, Aristotelit dhe të drejtoheni drejt së vërtetës”. (po aty)

Pas Dekartit, edhe Kavalioti parimin e dyshimit e lidhte me formulën karteziane: “Cogito ergo sum”, që e quante kriterin më ideal të vërtetësisë së dijeve dhe dëshminë më të padyshimtë të fuqisë njohëse të mendjes. Që këtej ai predikonte që të pranosh e të pohosh vetëm atë që është bindje e brendshme për vërtetësinë dhe që përputhet me atë që pranon mendja jonë, duke e dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Kavalioti theksonte se askush nuk ka qejf të gabojë, por nën ndikimin e Dekartit, ai pohonte se akti njohës gjykues është akt vullneti dhe çdo mendim i gabuar është për këtë arsye edhe një gabim moral. Meqënëse vullneti i jep liri veprimi mendjes, në zgjedhjet e saj janë të mundura gjykimet e drejta, ashtu edhe gjykimet e gabuara dhe prandaj, sipas Kavaliotit, në procesin e njohjes njeriu duhet të ndjejë edhe përgjegjësi morale për idetë e gjykimet e tij. Kjo përgjegjësi e lidh individin pas së vërtetës dhe në këtë akt bartësi i saj duhet të jetë i sinqertë, duke e ditur se zgjedhja e së vërtetës varet nga personi që gjykon e arsyeton.

Për Kavaliotin “Cogito” karteziane përbën ligjin e lirisë së brendshme të mendjes, që e çliron nga çdo autoritet i jashtëm; i vetmi autoritet, të cilit duhet t’i përmbahet njeriu është vetja, egoja, vetëdija, njohja duhet të jetë konkluzion i raportit të lirë midis arsyes dhe së vërtetës, pa asnjë ndërhyrje të jashtme e të dhunshme. Shprehja “mos pranoni për të vërtetë atë që s’është e tillë” mund të duket banale, por në fakt ka qenë një kthesë, një përmbysje në mendimin njerëzor, që nxiti kalimin nga skolastika mesjetare drejt mendimit shkencor.

Kuptohet se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një fitore të mendimit filozofik të së kaluarës, por edhe me një parim të rëndësishëm për bashkëkohësinë tonë: për të flakur tutje robërinë e mendjes dhe për t’a zëvendësuar me bindjen e brendshme për të vërtetën, domethënë me lirinë mendore.

Kjo gjë ka rëndësi, jo vetëm kur njeriu ndodhet brenda një regjimi totalitar, por edhe kur jetohet formalisht, i lirë në demokraci, kur individi nuk gëzon një liri të mjaftueshme për të menduar e për ta thënë pa ndrojtje të vërtetën në çdo rrethanë, sepse i imponohen me mjete të shumta e të ndryshme, me dhunë ose me vitrina fallco, gjithfarë iluzionesh, paragjykime, gënjeshtra e mashtrime, që dobësojnë sigurinë drejt së vërtetës, drejt lirisë së mendimit e vullnetit. Përparimi lidhet me përparimin e shkencës dhe më gjerë në vartësi të përparimit të lirisë të mendimit dhe ky përparim është arritur aty ku liria ka qenë më e madhe, ku janë të lirë dhe aq sa janë të lirë, sipas shkallës së lirisë e palirisë.

Gabimi e mashtrimi zhduken e ngadhnjen e vërteta krahas zhdukjes së mashtruesve, gënjeshtarëve, hipokritëve, që zbulohen e mënjanohen nga drita e së vërtetës, nga vetëdija e sinqertë që mbeten të patundura dhe, në fund të fundit, ngadhnjejnë. Ja, ku i shtynte Kavalioti studentët e tij të Akademisë së Voskopojës me ndihmën e asaj formule të njohjes të Dekartit drejt hapësirave të iluminizmit qysh në shek. XVIII.

Në lidhje me këtë lloj filozofie, duhet theksuar se në konceptin e iluminizmit nuk futet një kuptim i vetëm, për shembull, ai i themeluesve të iluminizmit francez (Didro, Volter e Ruso), por edhe i vendeve të tjera, ndaj një kontribut partësor duhet të konsiderohet edhe produkti i ilumizmit që prodhuan gjatë kësaj periudhe vëndet e Ballkanit.

 Përveç veprave didaktike, si “Libri i leximit” (Protopiria) dhe “Fjalori trigjuhësh: greqisht, vllahisht dhe shqip” me 1170 fjalë, Kavalioti ka hartuar edhe tre vepra madhore, që janë ruajtur: “Fizika” , “Metafizika” (1752) dhe “Logjika” (1743). Ndryshe nga traditat bizantine mesjetare, që përmbanin si lëndë mësimore të shkollave të ulta alfabetin, këndim e shkrimin, fenë dhe elemente të teologjisë, Kavalioti në Akademinë e Voskopojës trajtonte si lëndë themelore filozofinë dhe shkencat moderne europiane. Sipas tij, “Filozofia ndahet në dy pjesë: Filozofia teorike, qëllimi kryesor i së cilës është njohja e vërtetë e qenies dhe kjo përmbledh Logjikën, Fizikën dhe Metafizikën; kurse pjesa e dytë praktike, përmbledh etikën, ekonominë dhe politikën”. Ky progam mësimor tregon se “Akademia” e Voskopojës ishte një kolegj i tipit universitar dhe librat e tij përdoreshin si tekste mësimorë edhe në disa kolegje të afërt me të, si në Jashi të Rumanisë e gjetkë.

Origjinaliteti i pikpamjeve filozofike iluministe të Kavaliotit spikat sidomos në qendrimin e tij ndaj filozofisë moderne, domethënë të Kohëve të Reja, ose siç ka qenë shprehur vetë, ndaj “filozofëve të rinj”, midis të cilëve dallonte Rene Dekartin(1596-1650), të cilin e quan “më të madhin”,”më të shkëlqyerin filozof midis gjithë filozfëve të rinj”.

Nuk është fjala vetëm që Kavalioti e përmend në dorëshkrimet e tij me nderim shumë herë emrin e filozofit francez, por sepse mbështetet kryesisht në idetë e Dekartit dhe për këtë arsye është quajtur “dishepull” i tij. Në “Parathënien”  e “Fizikës”, Kavalioti i kushtonte filozofisë rolin kryesor në formimin arsimor të studentëve të Akademisë së Voskopojës: “Të gjitha ato që zotëron njeriu në trup e në shpirt, -shkruante ai,- nuk do të ishin e nuk do të quheshin të drejta sikur gjykimi për to të mos kish qenë i drejtë dhe i qartë, gjë që arrihet vetëm me anë të filozofisë. Filozofia është njohje e saktë dhe e qartë e gjithë atyre gjërave, që i sjellin njeriut kulmin e lumturisë”. (196)

Përfytyrimi ynë për botëkuptimin iluminist të Kavaliotit pasurohet me të dhënat interesante të shkencave natyrore e filozofike europiane, që paraqiten sidomos në përmbajtjen e “Fizikës” e “Logjikës” së tij. Kavalioti u kushton vemendje të veçantë problemeve ontologjike (teoria e qenies), problemet gnoseologjike (teoria e njohjes), të logjikës dhe metodologjisë se njohjes shkencore (epistemologjisë), pra, ai ka trajtuar probleme filozofike të rëndësishme filozofike jo vetëm në planin historik, të së kaluarës, por edhe të zhvillimeve intelektuale e kulturore të kohëve moderne.

Duke patur parasysh “Principiae philosophiae” të Dekartit, akademiku voskopojar shtron problemin e raportit midis filozofisë dhe fizikës, domethënë të shkencave të veçanta natyrore. Problematikë e fizikës ai e përfshin me titullin “Mbi bazat e trupave materialë” (“De principus rerum materialum”), si pjesë të pandashme të sistemit të tij filozofik. Ndonëse qysh me N.Kopernikun dhe Xh. Brunon etj, po dukeshin shenjat e para të përveçimit të matematikës, astronomisë, fizikës, kimisë dhe mekanikës, në shek. XVII shkencat e veçanta nuk ishin ndarë thekshëm nga filozofia, por përmblidheshin në të ashtuquajturën “naturfilozofi”, të mbrujtur me zbulime të rëndësishme të reja shkencore, që e dallonin nga “natyrfilozofia” naive e Antikitetit. Kavalioti filozofinë e konsideronte si “shkencë të shkencave”, domethënë si paradigmë të gjithë përmbajtjes të “Fizikës” së tij. Që këtej ai mendonte se përfitimi ishte i dyfishtë e reciprok: filozofia fiton nga fizika dhe fizika  nga filozofia.

Fizikën e Dekartit Kavalioti e vendoste si pjesë të parë të filozofisë së tij. Eshtë e logjikshme, që studimi i fizikës të vijë përpara pjesëve të tjera të filozofisë, sepse është më pranë sendeve materiale, natyrës, që janë në lidhje të domosdoshme, duke lenë anash gjithshka të rastit, kauzale.

 Sipas Akademikut tonë cilësitë kryesore të natyrës janë materia dhe lëvizja. Ai e shpallte natyrën të vetëqenë, që i nënshtrohet ligjit të ruajtjes së energjisë dhe lëvizjes. Kavalioti u përmbahej kaq fort ideve të Dekartit sa duket se i ka kopjuar drejtpërdrejt nga librat e tij. Ja, disa nga formulat që na  jep në librin “Fizika” të tij e që janë të njëjta me ato të Dekartit: “Materja nuk mund të jetë e zhdukshme dhe e krijuar.

 Po të ishte e krijuar, po të kish lindur, në themel të saj do të duhej të kish patur së brendshmi fillesë të parë, nga e cila të kish lindur, por pikërisht këtu qendron natyra e saj, se përndryshe do të kishte ekzistuar para se të kish lindur. Unë e quaj materien fillesën , predikatin e parë të çdo sendi, nga e cila lind çdo send”.  (197) Në këtë pohim të Kavaliotit duket qartë se ai mbronte idenë e mësuesit të tij, Dekartit, që pranonte se të dy substancat që ekzistojnë nuk kanë nevojë përveç vetes së tyre; “substanca materiale dhe substanca shpirtërore janë, -sipas Kavaliotit, të pavdekshme, të pa zhdukshme”.

Që këtej rridhte edhe konkluzioni i Kavaliotit, që shkruante se “kjo ide mbrohet nga të gjithë pasuesit e Kartezit, të cilët e pranojnë jo vetëm materien të pafundme, infinite, por edhe të shtrirjes së saj në hapësirë dhe kohë”. (po aty) Ashtu si Dekarti edhe Kavalioti pranonte teorinë atomike dhe njihte tre lloje thërmijash të vogla, nga kombinimi i të cilave ndërtohen të gjithë trupat shqisorë. Kavalioti  pohonte se filozofët e rinj thonë se shtrirja është e vetmja entelehi e materies, ashtu si edhe të menduarit është e vetmja entelehi e shpirtit.

Ndaj, jo pa arsye, u mësonte studentëve të tij zbulimet e reja shkencore në fizikë (ligjet e mekanikës), u rrëfente për zbulimin nga Bouli të makinës pneumatike etj. Ai kundërshtonte peripatetikët, duke treguar rëndësinë e madhe që kanë dijet e krijimet e reja shkencore e teknike, si makina pneumatike, pompat e ujit, barometrat, etj. që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e vetive natyrore fizike e kimike të trupave materialë.

Një vend të rëndësishëm zenë parimet e mekanikës, ligjet që përcaktojnë rregullsinë e lëvizjes të trupave fizikë. Në qoftë se Dekarti thoshte se po të më jepni materien dhe lëvizjen kam për t’iu ndërtuar botën, Kavaloti thoshte se lëvizja është organi kryesor i natyrës. “Ndërtimin e mrekullueshëm të qenieve e paraqitin forma, lëvizja dhe moduse të tjerë më të qartë, që quhen parime mekanike dhe që i predikonin filozofët e Antikitetit (Anaksagora, Leukipi, Epikuri, Demokriti) dhe jo pak filozofë të kohëve të reja.

 Çdo lindje e trupave të ndryshëm bëhet nga tërheqja dhe shtytja. Lëvizja është transferimi i trupit nga një vend në një vend tjetër” (198). Njohuritë e reja të mekanikës klasike dhe të ligjeve të natyrës, që i propagandonte Kavalioti në Akademinë e Voskopojës, sillnin tek studentët dritën e shkencave moderne, që ishte themeli i gjithë formave të iluminizmit europian, i cili me kohë depërtoi edhe në vendet e Ballkanit.

Përmendëm vetëm disa vija kryesore të mendimit filozofik e shkencor tëKavaliotit, që dëshmojnë se ai mbante një qendrim origjinal në rileximin e filozofisë neobizantine, të Antikitetit dhe të Rene Dekartit.

Dualizmi i mendimit të tij filozofik ishte shprehje e karakterit tranzitor të gjendjes shoqërore dhe të kulturës të atëhershme të Shqipërisë, që shërbeu si premisë teorike paraprake e zhvillimit progresiv të vendit, i cili qysh në dekadat e para të shek. XIX hyri në Epokën e madhërishme të Rilindjes Kombëtare.

 Mund të themi, gjithashtu, se dy shtyllat e mendimit të tij, prioriteti ndaj filozofisë (të cilin e gjejmë të shprehur në formë të parë edhe tek Vreto) dhe parimeve karteziane të metodës, njëri nga neoshqiptarët më të mëdhenj të mendimit të viteve 30-të, Vangjel Koça, do t’i vendoste në themel të lëvizjes së vet. Gjejmë të formohet kështu një vijimësi mendimi që zgjat rreth 150 vjet, e që ia shton vlerën Voskopojës dhe lëvizjes së saj, si vatra e një qytetërimi të sapolindur shqiptar.

***

Ndoshta gjithçka ishte shumë e hershme, ndoshta trualli shqiptar s’ishte ende i lëruar aq sa duhej që fara e gjuhës shqipe të mbillej e të rritej e shëndetshme, por gjithësi projekti më madhor që kjo epokë dhe ky lulëzim që njohu asokohe Voskopoja, i dha lëvizjes sonë kombëtare, ishte ai i shqipes.

Nga të dhënat e copëtuara dhe të keqpërdorura që vijnë sot, rezulton se Voskopoja po projektonte për të parën herë krijimin e një gjuhe të shkruar shqipe. Teodor Kavaljoti, (një shqiptar me origjinë nga Kavaja, siç i referohet prof. Dhimitër Shuteriqi dëshmisë që vjen nga i biri i tij, Anastas Kavaljoti, të cilit i referohet studjuesi i shek. XIX Gjergji Roza), përgatiti për këtë qëllim edhe të parin alfabet shqip të kohës.  “Po t’i referohemi filologut gjerman Von Hahn (Lexicon Tetraglossan), Kavaljoti kishte shpikur një alfabet gërmat e të cilit mund të identifikoheshin si “analoge me ato të glagolitishtes ilire” (199). Ky alfabet që është zhdukur në rrënojat e Voskopojës (apo mbahet i fshehur në ndonjë arkiv grek apo rumun), u kurorëzua me aktin më të rëndësishëm të kohës së vet: përkthimin e të parës Dhjatë të Re nga gjuha greke në gjuhën shqipe” (200).

Gjithashtu edhe Zëvendësrektori i Akademisë së Re, në vitin 1762, Grigor Voskopojari (nga Berati, i vdekur në 1772), kishte përfunduar shqipërimin e të dyja Dhjatave (të së Vjetrës e të së Resë). Ishte ky një aksion shumë i madh, që kishte të bënte me përkthimin në gjuhën e vendit të librave bazë të kishës. Liturgjia në kisha pjesërisht thuhej me kohë edhe në shqip. Kjo vazhdoi edhe në shek. XVIII, edhe më pas.

Në proçesin mësimor të shkollës së drejtuar nga ky kler hynte dhe shqipja, së pari përmes teksteve fetare, që zinin vendin më të madh nëpër programe, por edhe përmes lëndëve të tjera. Në tekstin e Theodhor Bogomilit (njohur më shumë si Anonimi i Elbasanit), të shek. XVII, përfshihet edhe një predikim i lirë fetar. Dhaskal Todri na ka lënë edhe një fabul të shqipëruar të Ezopit. Edhe Kostë Ikonomi hartoi tekste tri gjuhësh (në greqishte të vjetër, në atë të re dhe në shqip). Këto tekste i ka përdorur edhe mësuesi vithkuqar Kostë Cepi (shek. XVIII-XIX), prej të cilit i njohim të kopjuara.

Ai ka dhënë mësim jo vetëm në vendlindje, por edhe në Elbasan e gjetiu. Grigor Voskopojari shkruante me një alfabet origjinal, si edhe Bogomili, që e kishte shpikur vetë për shqipen që shkroi. Të njëjtën gjë bëri edhe Dhaskal Todri, ndofta nën ndikimin e Bogomilit, por edhe të Grigorit, të cilin e pati mësues në Voskopojë. Edhe ky përdori një alfabet origjinal, që e shpiku vetë e që u përhap mes njerëzve të tjerë në Elbasan.

Kështu, Voskopoja ishte edhe qendër e lëvrimit të shqipes.

Këtë gjuhë nuk e shkruanin vetëm Kavaljoti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të tjerë, duke arritur të shqipëroheshin Dhjatat në atë qytet, të përdorej jo vetëm alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar posaçërisht për shqipen. Kjo do të shërbente si bazë për krijimin e identitetit shqiptar dhe bazën për kalimin nga një identitet protonacional drejt një identiteti nacional dhe që do të ndikonte në krijimin e nacionalizmit shqiptar para grekëve, serbëve dhe bullgarëve.

Voskopoja po kthehej kështu pak nga pak në një fanar ndriçues dhe orientues drejt nacionalizmit dhe pavarësisë shqiptare jo vetëm nga Perandoria por edhe nga Patriarkana Helene e Stambollit. Kjo ishte edhe pika e dobët e Voskopojës, sepse gjuha shqipe ishte kulmi por edhe vdekja e saj.

Sepse gjuha shqipe e folur në atë kohë deri në rrethinat e Athinës, po të shkruhej, do ta shkruante ndryshe historinë e territoreve të Shqipërisë dhe të Greqisë. Aleks Buda shprehet “unë nuk ngurroj ta quaj këtë epokë dhe këtë lëvizje që na jep Voskopoja në fund të shek. XVIII Iluminizëm i hershëm dhe një stad që nuk do të thotë ende rilindje kombëtare, qoftë edhe vetëm në fillimet e saj, por që e përgatit atë me siguri”  (201).

https://tricolor.al/histori/-34-voskopoja-qendra-me-e-zhvilluar-kulturore-e-arumuneve-dhe-shpalosja-me-e-madhe-e-kultures-ne-te-gjithe-ballkanin-34-85?fbclid=IwAR0ZSzu4xlK5VAsD9mc0JNd_6qdJfqptGEN4J6bRQ_RUiMwopUSmWn0nYWk

Please follow and like us: