Albspirit

Media/News/Publishing

Kodorkovski: Me Putinin të gjallë nuk ka paqe. Të bisedohet nuk ka kuptim

Nga ANDREA NICASTRO

KIEV – Mihail Kodorkovski mendon më të keqen e mundshme për Vladimir Putinin dhe është e lehtë të kuptohet përse. Më 2003 ishte njeriu më i pasur i Rusisë dhe Putini, atëherë president, e shkatërroi me një sërë dënimesh për mashtrim, mos pagim taksash, qarkullim parash të pista. Kodorkovski përfundoi dhjetë vite në burg e pastaj në mërgim. Duke shtrydhur atë, Putini i dha shembullin të gjithë pasanikëve të tjerë mbas sovjetikë: kush e ngre kokën e humb atë. Në Londër që nga viti 2015 ish oligarku rus mbetet kundërshtari rus më me ndikim, kontaktet e tij e njohja e mekanizmave të brendshme të Kremlinit e kanë kthyer në një nga analistët më të ndritur të putinizmit.

Kodorkovski, kur do të mbarojë kjo luftë?

“Kur Putini të ketë arritur përfitimin më të madh që fuqia e tij i premton ose kur të fillojë të humbasë si pasojë e fuqisë që e kundërshton”.

E nëse, në sajë të armëve perëndimore, Ukraina do t’a zbrapste mësymjen?

“Putini do t’a bindte popullin e tij se sidoqoftë ai ka fituar”.

A është e mundur?

“Opinioni publik rus, si shumë të tjerë, e ka kujtesën të shkurtër. Synimi i shpallur nga Kremlini, në fillim ishte ndryshimi i regjimit në Kiev. Tashmë është bërë Donbasi. E të gjithë në Rusi i besojnë. Të ndryshojë përsëri shpjegimi nuk do t’ishte problem.”

Propagandë apo jo, sidoqoftë a do të vijë paqja?

“Deri sa Putini të jetë i gjallë, jo. Kufiri i 2500 kilometrave do të jetë gjithmonë i nxehtë, siç ishte muri i Berlinit. Nëse Putini do të pranonte një armëpushim, do të shpërthente një tjetër luftë sa më shpejt. Vëndet Balltike dhe Polonia janë synimet e tij të ardhshëm. Prandaj duhet përmbajtur me forcë. Bisedimet nuk kanë kuptim.”

Një rrymë mendimi e mishëruar nga Kisinxheri nuk është n’atë mendje.

“Kisinxheri dhe njerëzit e tij nuk e kuptojnë se me kë kanë të bëjnë: Putini nuk është një politikan, është një kriminel që ka shkrirë fatin e tij me atë të Shtetit.”

Pastaj?

“Nga e shkuara e tij në Kgb, shërbimi i fshehtë, Putini ka ruajtur përçmimin për jetën njerëzore. Për të qytetarët janë vetëm vegla të Shtetit. Ndërsa nga psikologjia e tij kriminale rrjedh se do të ndalohet vetëm kur të kuptojë se ka para vetes ndonjë më të fuqishëm se ai”.

Duke arsyetuar kështu mbërrihet në përballimin bërthamor.

“Atomikja do të ishte më shumë një problem se sa një dobi për Putinin. Gjeneralët rusë nuk duan të proçedohen për kriminelë lufte, NATO do të mund të përgjigjej duke vënë në shënjestër pikërisht Putinin dhe, mbi të gjitha, asnjë “i marrë i dobishëm” në botë nuk do t’a mbronte më. Putini ka frikë të shpallë mobilizimin e përgjithshëm për të mos gjindur popullin kundër. Merret me mënd sa don të përdorë bombën atomike”.

A keni njoftime mbi sëmundjen e carit?

“Zëra. Edhe sikur t’ishte, nuk më ngushullon. E dij se lufta do të shkojë gjatë. Vetëm një thyerje ushtarake mund t’a shkarkojë. Kështu ka qënë gjithmonë në historinë ruse”.
A pritej kaqë vështirësi për të mbizotëruar në Ukrainë nga ana e “fuqisë së dytë ushtarake në botë”?
“Duke përjashtuar arsenalin bërthamor, Rusia nuk është aq e fuqishme. Dhe po e vërteton. Shtetet e Bashkuara dhe Kina po e kuptojnë me qetësi. Rezervat janë ende të pakufishme, mund të fitojë mbi Ukrainën, por ka treguar se “putinizmi” nuk funksionon. Rrethi i tij i tregon atë që ai don të shohë e ndërkaq vjedh ç’është e mundur, si ai nga ana tjetër. Është naive të presësh efektshmëri nga këta njerëz.”

Juve deshët t’i shisni naftë Kinës. Tani e bën Kremlini për t’i ikur sanksioneve perëndimore.

“N’atë çast, teknologjia ruse ishte më e përparuar se sa ajo kineze. Për Moskën do të kishte qenë një dobi strategjike. Sot nuk është më kështu. Putini i flet Kinës me kësulë në dorë. E do të shkojë gjithnjë e më keq. Për çastin sanksionet perëndimore kanë kufizuar ndikimin e agjentëve të Putinit mbi politikën perëndimore, por nuk kanë plagosur ende ekonominë ruse. Ndërsa në afatet e mesme, do të pengojnë rritjen teknologjike e do të gjymtojnë pritshmëritë e Vëndit”.

Bllokimi i mallrave i detyruar nga Lituania në enklavën e Kaliningradit, a mund t’a shtynte Putinin të zgjeronte luftën?

“Nuk e shoh të fillojë një mësymje tjetër, por mendoj se do të verë në provë NATO-n. Nëse NATO nuk do të kundërveprojë do të jetë fillimi i fundit për Aleancën. Pa siguri përgjigjeje NATO-ja nuk ka kuptim”.

Si është e mundur që të gjithë oligarkët ukrainas i kanë qëndruar besnikë Zelenskit?

“Është një zgjedhje aq ndjenjësore po aq sa dhe pragmatike. Të jesh i pasur dhe kozmopolit nuk do të thotë të mos jesh i lidhur me vendin tënd. Pastaj, afaristët ukrainas kanë frikë se, pavarësisht nga ajo që u premton Putini sot ai, në çdo çast, mund t’ua zhvasë ndërmarrjet, siç ndodhi me mua. Kanë më shumë mundësi të bëjnë biznes në një Ukrainë të pavarur”.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika 

Please follow and like us: