Albspirit

Media/News/Publishing

VËSHTRIM I VEPRËS ME ESE “KURTHET E LETËRSISË”

SHEREMET PROKSHI
Na bie të lexojmë poezi të bukura, ndonjë tregim, thënie të urtë, të mençur, apo edhe shkrime të tjera që njerëzit e letrave i postojnë nëpër faqet e veta e portale të ndryshme elektronike. Disa prej tyre gjithsesi të arritshme, madje vargje poezie që mund te renditen në piedestalin e vlerave të larta të artit letrar.
Por shkrimet dhe librat e shkruara nga autorët, ky akt e shprehje guximi qytetar, nuk mbeten te vetvetja. Ato i falen tjetrit për t’i dhuruar dije e kënaqësi leximi dhe përjetimi.
“Poeti, (thotë autori i veprës të cilën e kemi në dorë), më  mirë se kushdo tjetër, kap nëpër vargje bukurinë e çastit. Ku lind një syth, ku shpërthen një ndriçim i qelibartë agu, ku ndjehet një mërmërimë dashurie gjethesh, ai është atje, me pendën e tij të artë, ta rrëmbejë magjinë dhe ta bëjë të vetën, duke i përkthyer ndjesitë e bukura të shpirtit në magji fjalesh.”
 A s’është kjo mrekullia?… Ajo që mund ta prekë vetëm mendja e një artisti të fjalës së shkruar, kjo muzë frymëzimesh, madhështinë e të cilave e gjejmë vetëm nëpër vargjet e bukura poetike.
Në të kundërten, jo rrallë na bie të futemi në humbëtirat e ndonjë aventure letrare, mbase edhe pa e ditur se si i kemi hyrë një rrugë prej të cilës vështirë të dilet pa lënë mbresa të thyera e të pakëndshme. Kjo mbase, shumë autorë veprash, janë të pakënaqur me jetën e tyre. Janë hamendësimet, vibrimet shpirtërore që i ngacmojnë sot, po edhe frika si do ta presin të ardhmen, aq sa, të mos ndihen mirë.
S’do mend se për jetën e poetit, pos tjerash, edhe për arsye të frymës komplekse të temave që trajtohen në këtë libër, meriton të shohim çka mësojmë prej disa fragmenteve të shkëputur nga esetë e kësaj vepre:
“Jeta e poetit, (shkruan autori) është e pangjashme me jetën e të tjerëve. Jeta e tij udhëton me trena të largët e të panjohur drejt visesh që si ka parë kurrë askush. Dhe që askush s’mund ti besojë.
Çdo ditë, poetit i shkëpusin diçka nga vetja, çdo ditë që kalon ndjehet i plaçkitur dhe i zhgënjyer për se e si po shkon kjo botë.
Dhe vazhdon të ecë përmes vetes, siç kalon qielli përmes hapësirës së tij”.
Eseja, “JETA E DYFISHTË E POETIT”
Nuk thuhet rastësisht se idealet e mëdha, shpresat e rrethanat e mëdha të një kohe, japin njerëz të mëdhenj. Pra secili nga profilet krijuese e ka kredon e vet, shenjat e veta, hapësirën e tij krijuese. Secili e ngërthen emblemën e vet. Kurse vlerësohet dhe jeton gjatë ai varg, që pikasë në vetëdijen tonë, se njeriu e ka në dorë të mos e mposhtë e keqja.
 “Se nuk do të dimë ç’është e vërteta, nëse nuk jepen vlerësime studioze edhe për gabimet”, ka thënë Etienne Sourian, një eseist freng bashkëkohor.
Por të vazhdojmë e lexojmë cfarë sheh e ndjen eseisti Rifat Ismaili për krijuesit tanë:
“Duke qenë se ne, nuk jemi shumë popull lirik, shkruajmë shumë lirika dashurie… Duke qenë se ne s’ja kemi fare haberin hireve të gruas, shkruajmë sikur të jemi Khajamër, shenjtorë, sikur jemi vetë perëndia e dashurisë. Më gëzon fakti se sa shumë dashurojmë.
Duke qenë se s’jemi aq të emancipuar sa duhet, shkruajmë pafundësisht për të mirat dhe vlerat e gruas.
Duke qenë se ne i shkruajmë jo gruas së vërtetë, por imazhit të Gruas, edhe lirikat tona janë të zbehta, të përhumbura e të trullosura, si njollat e fundme të dritës së perëndimit diellor mbi det. Duke qenë se ne s’jemi shumë popull atdhedashës, shkruajmë shumë vjersha për atdheun”.
Eseja “DUKE QENË SE…”
Të provosh penën në disa rrafshe, me një gamë të gjerësisë e thellësive problematike, do të thotë, t’ua japësh vlerën e mirëfilltë atyre temave për të cilat shkruan. Por a po ndodh kjo?
Dhe nga një pyetje e tillë, s’ka si mos të ngelet në mendje ky fragment:
“Edhe poezia, arti, mendimi i vyer si dikur paraja, është zhvlerësuar. Kemi shumë poetë e poezi, por si çdo gjë e tepruar, humbë dhe befasia e krijimit, humb vetvetiu lexuesin. Kemi shumë vargthurës artizanalë, por jo shumë poetë të vërtetë, që kërkojnë në vetvete cilësinë, fabulën e ndërtimit të një poezie, idenë dhe misionin poetik. Jam dhe kundër atyre optimistëve me lugën bosh, optimistëve hipokritë që kemi nëpër këmbë, që luajnë me ndjenjat e njeriut të thjeshtë.
Ndaj fjala e revoltuar e poetit te mirëfilltë, është një këmbanë e vogël në pyllin e pafund të errësirës. Sigurisht, ne nuk e kemi forcën të ndryshojmë asgjë, ama, mundemi të përmirësojmë”.
 Eseja “UDHËTIM NË TRENIN POETIK”
Në rrugëtimin e ruajtjes së statusit autorial për të ecur drejt këtyre specifikave, pos tjerash, autori ka zgjedhur të analizojë artin mes koncepteve të qenësishme  dhe  të ashtuquajturave “cikërrime” të frymëzimit e entuziazmit letrar, ku përveç me fjalë e thjeshtësi shprehjesh, duhet ditur si e me çfarë figurash e metafora i mveshim ato.
“Poezia duhet të ketë vlera, ku çdo varg të shprehë fuqishëm idenë, ku fjala me shpirtin bëhen njësh, dhe si i tillë është i përligjur”, thotë autori.
Kjo mbase, mund të na kishte sjellë  ndonjë sukses t’i ngjitemi kupolës së këtij shekulli, që po gëlon nga autorë veprash.
Përveç për poetin dhe poezinë, analizon edhe shkrimet e shkruara në prozën moderne. Shkruan deri ku kemi arritur, dhe në cfarë niveli jemi.
“Në letërsi, rrëfimi në vetën e parë, është bërë gjë e stërpërdorur, sidomos në prozën moderne, por nuk ka ndonjë gjë tjetër më efikase për të rrëfyer ndjenjat më intime me hollësi dhe precizitet kirurgu, gjersa e ardhmja, ndoshta, ( ku i dihet? ), do t’i sigurojë formave dhe teknikave të të shkruarit, ndonjë risi gjuhësore apo ndonjë çudi, që ne ende se njohim.
Por le të kënaqemi tani për tani, me kënaqësinë e të shkruarit…
Dhe kjo, sot për sot na mjafton!”
Eseja, “MËNYRAT E SHKRIMI”
Poeti, prozatori, eseisti, dhe përkthyesi Rifat Ismaili, tashmë i dëshmuar me vlerat e veprimtarisë së tij krijuese, në këtë vepër na sjell edhe disa pyetje të cilat ia kanë shtruar miqtë, dhe sikur në të gjitha shkrimet e deritashme, lexuesi ka për ta gjetur kënaqësinë, po edhe do të mësojë nga këto larmi temash.
Pra me këtë vepër, autorin e shohim edhe si iniciator hulumtimesh letrare dhe trajtash të reja, vjelës frymëzues i të mirave, i përvojës së kulturave botërore, krejt kjo si dëshirë që nënkuptohet për të zbuluar diçka të re, më të freskët, me të kapshme, me frymë e nivel sa më të lartë, sepse ky edhe është qëllimi kryesor i krijimtarisë.
Dhe për fund, vështrimin e veprës “Kurthet e letërsisë” po e përfundoj me dy karaktere poetësh, që autori mendon se e përcjellin secilin krijues:
“Midis një krijuesi ekzistojnë dy karaktere, dy jetë. Një e zakonshme prej njeriu me të gjitha hollësitë, dhe tjetra prej artisti që zbulon dhe gjykon botën”.
Please follow and like us: