Albspirit

Media/News/Publishing

RRAPO HEKALI, MONUMENT I HISTORISË SHQIPTARE

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Për fatet e shqiptarëve në shekuj jo rrallë ka vendosur fushëbeteja. Bilanci shpesh është matur me “kutin”-trimëri, gjak e sakrifica sublime deri sa është mbritur në “Shqipërinë Londineze”, 110 vjet më parë vendimi për Shqipërinë merrej në Londër, atje ku afirmohej Shteti shqiptar. Por nuk mund të kishte afirmim kombëtar, pa Rilindje dhe Rilindas, pa Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, pa kryengritet e shumta shekullore të shqiptarëve, pa cetat e lirisë, pa intelektualizmin dhe elitat e mencura që punuan me pushkë e penë për Shqipërinë, pa gjakun e derdhur të kapedanëve dhe dëshmorëve në shekuj. Mençuria shekullore e popullit tonë thotë, “Kombi që nuk i harron bijtë e tij të rënë në luftë, s’ka mort kurrë”. Historia e një kombi vlerësohet nga figurat e shquara që ai ka nxjerrë. Një komb që s’ka figura të shquara nuk ka as histori. Filozofi e historiani francez Hyppolyte (1828-1892) thotë: “Ne jetojmë në saj të burrave të mëdhenj dëshmorë dhe atyre u jemi mirënjohës. Në fakt na administrojnë të mëdhenjtë e vdekur”. Thellësia shpirtërore e dëshmorëve qëndron në sakrificën supreme  për kombin. Sakrificat e të gjitha brezave janë bërë në emër të jetës, të zotërimit të së djeshmes, të tashmes dhe së ardhmes, në emër të jetës zot në fatin e vet. Një shkrimtar gjerman ka shkruajtur se, “shqiptarët janë një popull zotërinjsh”; ndërsa një autor francez thotë se “shqiptarët janë aristokratët e Ballkanit”. “Ata kishin  karakter të tillë që më mirë të pranonin të ndërronin fenë, se sa të hiqnin dorë nga synimet e ambicies së parreshtur për lirinë e rrënjosur thellë në shpirt”. Në shpirtin shqiptar ka jetuar e kaluara historike e shkruar në këngë, shpesh e padokumentuar, por e arkivuar thellë në memorien e kombit. Në prushin e zjarrtë të vargut popullor shqiptar në të katër anët e hapësirës shqiptare, gjen të trupëzuar mijra e mijëra dëshmorë që kanë shkruar epope të trimërive e të luftrave kundër pushtuesve. Kreshnikët dhe Kapedanët, prijësat e luftëtarët e lirisë i gjen në çdo varg dhe këngë, në gojëdhëna, në mite, legjenda, në çdo copëz të historisë shqiptare. Memorialët e dëshmorëve janë element i rëndësishëm historik, një emëtues valësh ngjarjesh të shkuara e të paharruara, valë që përhapin jehonën e traditës shekullore luftarake shqiptare.

Çështja kombëtare dhe rezistenca e luftëtarëve mallakastriotë

Prijës i kryengritjes fshatare antiosmane të vitit 1847, Rrapo Hekali lindi në një familje me origjinë nga fshati Hekal i Mallakastrës, me tradita të shquara luftarake. Në moshë fare të re u dallua për qëndresë kundër shtypjes kombëtare osmane. Si udhëheqës i kryengritjes së vitit 1847, krahas Zenel Gjolekës, Rapo Hekali u shqua në luftrat për çlirimin e Beratit dhe të Greshicës. Pas shtypjes së kryengritjes nga një ekspeditë e madhe ushtarake osmane, Rrapo Hekali u kap në befasi në fshatin e Qesarat, dhe u dërgua në Manastir bashkë me të vëllanë dhe dy djemtë si dhe 35 luftëtarë të tjerë besnikë të tij. Rrapo Hekalin e veshin me uniformë turke që të mos binte në sy të popullsisë nga frika e ndonjë revolte mbarëpopullore për kapedanin e vet. Rrapo Hekali mbajti një qëndrim burrëror para komandantit të Rumelisë, në kazermën e famshme të Manastirit. Ai deklaroi që luftonte për çështjen kombëtare shqiptare. Sipas gojëdhënës popullore vdiq në natën e 31 dhjetorit të vitit 1847, në burgun e kazermës së Manastirit, i helmuar nga autoritetet osmane. Në fakt emri i vërtetë i Rrapo Hekalit ishte Rrapo Hasani. Pasi shërbeu për një kohë të gjatë si ushtarak në ushtrinë osmane në gadishullin arabik. Rrapo bëri karrierë ushtarake duke u graduar officer, falë aftësive të tij në trimëri dhe në intuitë luftarake, duke u dalluar në mesin e  luftëtarëve të tjerë. Kjo e ndihmoi të grumbullonte një farë pasurie. Me këto para, kur u kthye në atdhe bleu një çiflig në Levan të Fierit. Në fillimet e Tanzimatit Rrapo Hekali u pozicionua si kundërshtar i tij. Fillimi i rekrutimit ushtarak dhe taksa e xhelepit, bëri që në maj të vitit 1847 të shpërthente kryengritja antiosmane, ku ai luajti rol kryesor.

Dekreti i Shenjtë i Odës së Trëndafilave – Tanzimati

Porta e Lartë vendosi të reformonte shtetin duke shpallur Tanzimatin. Për t’i bërë ballë zbatimit të reformave të Tanzimatit që në fakt godisnin interesat e shqiptarëve. Krerët e Shqipërisë së Jugut u mblodhën në qershor të vitit 1847 në Mesaplik të Vlorës, ku u formua besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut që u quajt “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Porta e Lartë e kishte kuptuar se një perandori e madhe, nuk mund të mbahej e bashkuar me pashallarë të shpërndarë që nga Ballkani e deri në Kaukaz, që të qeverisnin jashtë kontrollit. I nxitur edhe nga fuqitë e mëdha të kohës, Anglia dhe Franca, sulltan Abdyl Mexhidi shpalli një dekret i cili parashikonte përqendrimin e pushtetit, ngritjen e një sistemi gjyqësor sipas parimeve europiane, riorganizimin e sistemit të taksave dhe shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Dekreti u quajt “Hati-Sherif i Gjylhanesë” ose Dekreti i Shenjtë i Odës së Trëndafilave, të nëntorit të vitit 1839. Reformat e reja u quajtën me emrin e thjeshtë “Tanzimat”, që nga persishtja do të thotë “rend, rregull”. Në fakt Sulltani hezitoi disa vjet që ta zbatonte rendin e ri në Shqipëri. Fakt është se hapësira shqiptare nën perandorinë osmane drejtohej nga prijësit lokalë në krahinat malore dhe nga bejlerët nëpër qytete. Sulltanati ishte i bindur se nuk ishte e lehtë t‘i nënshtroje shqiptarët me anë të Tanzimatit. Çështjet gjyqësore i zgjidhnin vetë me anë të pleqësive të tyre, nizamë nuk kishin dëshirë të dërgonin. Taksat, revoltat dhe lufta e mallakastriotëve po bëhej e pashmangshme. Rrapo Hekali ishte prijës krahinor që nuk ishte afër nga pushteti qendror osman edhe pse kishte titull osman. Është fakt se në vitet e kryengritjeve kundër tanzimatit familjet e njohura feudale ishin të kufizuara. Kështu kazaja e Delvinës, nga 32 përfaqësues kishte vetëm një ka titull “bej”: Abdyl bej Koka, nga një familje e njohur feudale e Delvinës; Kazaja e Vlorës nga 44 përfaqësues me tituj osmanë ishin vetëm 4 vetë; në Mallakastër, nga 12 vetë, vetëm Rrapo Hekali (Hasani) kishte një pronë, të blerë me paratë e fituara nga shërbimet ushtarake ndaj osmanëve, ku kishte marrë edhe titullin “aga”.

Besëlidhja e Sinjës dhe kapedanët e kuvendeve

Gjatë zhvillimit të saj, Rrapo Hekali thirri kuvendin “Besëlidhja e Sinjës”, në të cilën mori pjesë paria e Mallakastrës dhe krahinës së lumit të Vlorës, kuvend i cili është përjetësuar si mëposhtë: “Në Sinjë u mblodh ordhia/seç u mblodhë pleqësia./Pleqtë e Kuçit gjithë vanë/u mbush Sinja me nizamë/topat rrebeshirë vanë”. Komanda qendrore drejtohej nga Rrapo Hekali, i cili drejtonte edhe formacionet e kryengritjes popullore. Pas kësaj mbledhjeje Rrapo Hekali shkoi në fshatin e lindjes në Hekal dhe aty mblodhi popullin e fshatrave Aranitas, Klos, Kalenjë, Cakran. Mbledhja u pasua nga ajo e Povlës, ku u bë bashkimi dhe riorganizimi i luftëtarëve të trevës së Mallakastrës, Myzeqesë dhe lumit të Vlorës. Autoritetet osmane të Beratit vendosën që në kushtet e zgjerimit të kryengritjes ta likujdonin atë, duke dërguar trupat e tyre drejt Mallakastrës së Sipërme, ku ndodhej epiqendra kryesore e lëvizjes. Në fillim të zbatimit të reformave autoritetet osmane organizuan një mbledhje në Berat me gjithë parinë e krahinës së Mallakastrës, Vlorës e Labërisë. Mbledhja synonte për t’i bindur ata që të pranonin reformat e tanzimatit të shpallura me shumë bujë nga Porta e Lartë e Sulltanit. Në fakt ndryshe nga sa kishin parashikuar autoritetet osmane, krerët e kazasë së Mallakastrës, Vlorës dhe Labërisë jo vetëm që nuk i pranuan reformat e tanzimatit, por paralajmëruan që të mos tentonte të dërgonte njerëz për të mbledhur taksat dhe detyrimet, si dhe nizamë në këto krahina. Në këtë kuvend morën pjesë Kapedanët Rrapo Hekali, Sulo e Muço Zeneli nga Greshica, Dervish Aliu, Tartar Memush Ruka, Hajdër Kanina, Zenel Xhafo Aranitasi, Orhan Bardhaj, Shaban Peshtani, Lulo Duraj dhe Yzeir Mahmutaj nga Kalenja, Luman Elmazi nga Drizari, Yzeir Cakrani, Hyso Qesarati, Dule Mato, Sadik Luftinja, dhe Sulejman Çelo Toçi, si dhe kapedanë të  tjerë të Mallakastrës, të lumit të Vlorës dhe të krejt Labërisë, të cilët në përfundim të mbledhjes e paralajmëruan edhe një herë osmanët që të mos shkelnin në këto krahina.

Mallakastra – zemra e kryengritjes mbarëpopullore

Mallakastra bënte pjesë në Sanxhakun e Beratit. Sanxhaktari Hysen Pashë Vrioni, ishte treguar ndër administratorët më të zellshëm në zbatimin e reformave të Tanzimatit. Në verën e 1847-s mallakastriotët u mblodhën në qendër të Hekalit, ku Rrapo Hekali bëri organizimin kundër pabesisë vrionase të asaj periudhe. Vrionasit me ushtarët e tyre dolën nga Berati dhe u përpoqën të depërtonin në Mallakastrën kryengritëse, por fakt historik është se, në afërsi të fshatit Greshicë u pritën nga mallakastriotët të cilët zunë rob Isuf bej Vrionin dhe të vëllanë, të cilëve hakmarrja popullore bëri që të vareshin në Sinjë, në një fshat në këmbë të malit të Shpiragut. Më tej ushtria mallakastriote e Rrapo Hekalit, që arriti deri në 1000 luftëtarë, rrethoi Beratin dhe arriti të marrë lagjet e jashtme të qytetit deri në dyert e kalasë. Por në të njëjtën kohë e njëjta pamje po ndodhte edhe në rrethinat e Gjirokastrës, ku Zenel Gjoleka me kurveleshasit kishin rrethuar kalanë. Si të gjitha kryengritjet edhe kjo ishte e destinuar të dështonte përballë mobilizimit të Portës së Lartë, ku sulltani kishte dërguar në Shqipëri kryekomandantin e forcave Ballkanike Mehmet Reshit Pashën, i njohur për egërsinë e tij. Faktet flasin se megjithë paralajmërimin në mbledhjen e Sinjës në Berat, administrata osmane dërgonte në Greshicë një taksambledhës të quajtur Latif Salanji me dy zaptije (ushtarë), të cilët kryengritësit i vranë pranë fshtit Greshicë duke u përcjellë mesazhin osmanëve se kërkonin të jetonin të lirë. Kundërpërgjigjia e osmanëve pas vrasjes në Greshicë ishte një operacion në shkallë të gjerë me dy taborrë të armatosur me armët më moderne të kohës, topa, havana, karabina të reja me bajoneta, me kavaleri dhe këmbësori të rregullt, të stërvitur për luftë sipas modeleve të fundit të ushtrive europiane. Osmanët bënë që lajmi që të përhapej në gjithë zonën duke kaluar gojë më gojë e fshat më fshat, se ata ishin nisur në drejtim të Mallakastrës, që shigjetonin kryesisht Sinjën, si dhe kryekapedanin mallakastriot Rrapo Hekali. Në qafën e Sinjës ushtria osmane u nda në dy pjesë, duke marrë drejtimin për në Aranitas dhe në drejtim të Greshicës. Në faqet e dokumentuara të historisë shqiptare përmendet për rolin e tij edhe komandant Sulo Zeneli si organizator i çetës së Greshicës, ku luftëtarët megjithëse të armatosur keq deri edhe me sfurqe e sopata, ishin të vendosur për të luftuar deri në pikën e fundit të gjakut, për të mbrojtur vendin.

Kërkesa osmane: “çdo shtëpi nga një dash dhe nga një vashë”.

Përgjigjia shqiptare: “1000 osmanë të vrarë; 300 dëshmorë shqiptarë”

Populli i Greshicës dërgoi një përfaqësi në çadrat e garnizonit të komandës së ushtrisë osmane të kryesuar nga Sheh Hyseni, për të marrë vesh misionin e tyre. Sheh Hyseni ishte për kohën një nga burrat më të mençur në të gjithë krahinën i shquar për urti e maturi dhe për fjalën me peshë. Bisedimet u zhvilluan në një klimë shumë të acaruar dhe krerët e ushtrisë osmane i kërcënuan greshiciotët se do të marrin për çdo shtëpi “nga një dash dhe nga një vashë”. Në këtë kohë sheh Hyseni me mençurinë shqiptare ju përgjigj me ironi : “Po në mëngjes do t’i keni gati këto që kërkoni”, “edhe deshtë edhe vashat”. Përballja kryesore midis forcave osmane të drejtuar nga komandanti i tyre Hysen Pashë Vrioni dhe kryengritësve të drejtuar nga Rrapo Hekali, u bë pikërisht në korrik të vitit 1847 në fshatin Greshicë. Pozicionet midis dy forcave kundërshtuese kalonin në një front rreth 3-4 km. Forcat osmane kishin një efektiv prej 2400 ushtarësh, kurse forcat e kryengritësve arrinin në 800 veta. Luftimet në Greshicë zgjatën 3 ditë e 3 netë dhe përfunduan me thyerjen e ushtrisë osmane, ku pati rreth 1000 osmanllinj të vrarë; ndërsa nga forcat kryengritëse 300 luftëtarë të vrarë, nga të cilët edhe 60 djem smokthiniotë, që të gjithë dëshmorë, ndoshta të paevidentuar, që kanë marrë emrin e epokës luftarake të Rrapo Hekalit. Figura e kapedan Rrapos paraqitetet në vargjet e popullit: “Ra tërmeti u tund mali,/thonë vjen Rrapo Hekali,/ Ç’janë ata që shkojnë zallit /Trimat e Rrapo Hekalit/ Sokëllin Rrapo Hekali/Sokëllin sa tundet mali,/Tundet mali, tundet fusha/Rrapua me dyqind mushka…/As u trembe as u tute/Plumbat të binin mbi supe… dhe finalizohet: “Pse lufton a derëzi,/As për mua dhe për ti,/Por për gjithë Shqipëri”.

Kapedanët në provë lufte të sprovuar në beteja

Tashmë është një eveniment historik se Komandanti Sulo Zeneli, pas ditës së parë të luftimeve kishte marrë masa për të njoftuar krerët e kazasë së Vlorës si dhe të gjitha çetat e Mallakastrës. Në ditën e dytë të luftimeve erdhën çetat e Mallakastrës dhe drejtimin e tyre e merr kapedan Rrapo Hekali. Ndërsa çetat e lumit të Vlorës drejtoheshin nga kapedanët Dervish Aliu, Tartar Memushi, Dule Zoto, Hajdër Kanina etj. Çeta e Smokthinës e drejtuar nga kapedanët Tartar Memush Ruka e Dule Zoto zunë pozicionet, në pjesën jug lindore te Greshicës dhe zhvilluan luftime ku ishte vendosur një pjesë e shtabit të ushtrisë osmane. Çeta e Dukatit mori drejtimin për nga ana veri perëndimore e Greshicës, kurse në qendër luftonte çeta e Greshicës dhe e Mallakastrës. Ushtria osmane u shpartallua pjesë-pjesë. Çeta e Çorrushit e komanduar nga Muhamet Hodua mbylli rrugëkalimin Greshicë-Aranitas-Sinjë–Berat në Qafën e Veshave. Ushtria osmane mbeti e rrethuar dhe në mëshirën e plumbave dhe jataganëve të luftëtarëve Mallakastriotë e lebër. Beteja më e madhe u zhvillua në qendër të fshatit, pranë shtëpisë së komandatit Sulo Zeneli. Shtabi i kryengritjes me në krye Rrapo Hekalin vendosi që varrimi i luftëtarëve që ranë në këtë betejë, të bëhej në vendin më të përgjakur, tek kodra e Muçajve, në afërsi të shtëpisë së komandantit të çetës së Greshicës Sulo Zenelit dhe që prej 165 vjetësh quhet “Kodra e varreve të Lebërve” ose “Kodra e Shehitëve/Dëshmorëve”. Por kryengritësit nuk u ndalën. Ata pushtuan Beratin në 1.8.1847. Kjo ishte tjetër arritje e rëndësishme e kësaj lëvizjeje popullore, më e suksesshmja ngjarje e kryengritjes se Shqipërise së Jugut kundër Tanzimatit. E shqetesuar për përpjestimet e luftimeve, Porta e Lartë mori masa emergjente, duke dërguar kundër kryengritësve të Rrapo Hekalit, Serasqerin e Rumelisë Derbihor Reshit Pashën, i cili u nis nga Manastiri në krye të 15000 osmanëve në 7 divizione, të pajisur me artileri të lehtë malore.

Kapedanët nuk i mposht as thika, as plumbi, as helmi

Pas luftimeve të pabarabarta kryengritësit e braktisën qytetin e Beratit dhe u shpërndanë për të vazhduar qëndresën të organizuar në çeta. U shquan luftëtarët e fshatit Dukatit nën udhëheqjen e Dervish Aliut, Zenel Xhafos, Orhan Bardhos etj. Kjo kryengritje dështoi si pasojë e tradhëtisë së brendeshme të disa bejlereve. Lufta u ndërpre për disa ditë dhe kështu u dha kohë osmanëve të riorganizoheshin dhe të mbylleshin në kalanë e Beratit. Me shtypjen përfundimtare të kryengritjes së vitit 1847 në Shqipërinë e Jugut autoritetet osmane mundën të arrestonin Rrapo Hekalin me të vëllanë Hamit Hasani, Tahir Çaparin dhe luftëtarë të tjerë, të cilët i burgosën dhe i internuan deri në Anadoll. Pasi e burgosën në burgun e Manastirit atë e ekzekutuan mesnatën e 31 Dhjetorit 1847. Versioni zyrtar osman për vdekjen e tij ishte se ajo u shkaktua nga sëmundja e tifos, por gojëdhëna popullore është dokument i pagabueshëm kur thotë se, “osmanët helmuan kapedanin popullor të Hekalit, të Mallakastrës, memorialin kombëtar të shqiptarizmës”. Pas shtypjes së kryengritjes Porta e Lartë bëri raprezalje të rënda në Mallakastër, ku u përdor gjerësisht terrori mbi popullsinë me ekspedita ndëshkuese gjatë dimrit 1847-1848, duke djegur fshatra te tillë si, Greshica, Klosi e Fratari, megjithëse kryengritjet dhe revoltat antiosmane nuk u shuan asnjëherë vatrat e qëndresës, gjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Megjithëse në fakt qeveria osmane ndërmori atëherë zbatimin e sistemit të ri tanzimatist në Shqipërinë e Jugut. Me amnistinë e vendosur më vonë nga osmanët fshatarët iu rikthyen jetës së përditshme, megjithese vendi ishte rrënuar dhe në Mallakastrën e sipërme gjithçka duhej të niste përsëri nga e para. Disa vite më vonë Porta e Lartë përveç reformave të lëna përgjysme realizoi edhe reformën administrative. Treva e Fierit u fut në vilajetin e Janinës. Myzeqeja dhe Mallakastra në këtë vilajet gëzonin statusin e Nahijeve, status që qëndroi deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912. Nahija administrohej nga Mydiri. Pranë tij vepronte Këshilli administrativ konsultativ (Mexhlis-i idare). Mexhlisi diskutonte të gjitha çështjet administrative të Nahijes/krahinës.

Gjëmimet e kuvendeve dhe 400 epopeve të historisë së trimërive

Në Qafën e Sinjës, pasi kalon Gjurmën e Mushkës, ndjen erën e shekujve sepse këtej kalonte rruga e udhëkryqeve nga Vlora, Ballshi, Ura e Thellë për Berat, Voskopojë, këtej kalonin rrugët nga perëndimi në lindje, nga jugu në veri, nga Tepelena nëpër kurrize kodrash drejt Myzeqesë, nga hani i madh, si vendqëndrim, pushim për karvanë e tregtarë që vinin nga Vlora, nga Voskopoja, Berati. Por mbi të gjitha në këtë pikë janë refuzuar Osmanët në vitet 1640, 1667, 1676, 1740, 1830, 1835, 1840 herë me mosdhënie taksash e nizamësh, herë me kryengritje. Këtu u luajt një nga skenat më dramatike të kryengritjeve antiosmane në mes të shekullit XVIII. Në Sinjë është shkruar me gjak epopeja e vitit 1847, ku Rrapo Hekali në Sinjë mbledh parinë e thjeshtë nga Mallakastra, Vlora etj. Sinja do ishte përsëri vend i pushkës dhe kuvendit, ku më 22 korrik 1912 u mblodhën udhëheqësit kryengritës të Shqipërisë së Jugut që vendosën më 23 korrik 1912 “Memorandumin e Sinjës”, një prelud i Pavarësisë. 20 km në perëndim të Beratit 800 metra mbi nivelin e detit, ku nis mali i Shpiragut në Qafën e Sinjës, në fshatin me katër çezma, katër dyqane, katër sheshe, katër mullinj, katër rrugë dhe me katërqind epope trimërie e heroizmi.

Qytetërimi që lindi kapedanë të shquar të historisë shqiptare

Kapedani popullor Rrapo Hekali i përket origjinës së qytetërimit të bylinëve, që ishte themeluar rreth vitit 370 para Krishtit, si kryeqendra e Koinonit ose lidhjes së Bylinëve, një republikë e vogël mbi bregun e djathtë të Vjosës. Te dhenat arkeologjike e historike flasin se në 863 Khani i bullgarëve, Borisi, u mund nga ushtritë e Bizantit në këto treva dhe një nga pikat e “Traktatit te paqes” ishte që ai dhe bullgarët duhej të pagëzoheshin si të krishterë. Që atëherë është bërë e njohur kisha e madhe, e “Fjetjes së Hyjlindëses”. Vetë Shën Klementi i Ohrit, një nga shenjtorët më të rëndësishëm të kohes, mori pjesë më 893, në përurimin dhe pagëzimin e bullgarëve. Këtu përmendet epitafi i famshëm: “Epitafi i Gllavenicës” i qëndisur në flori prej Gjergj Arianitit dhe Kristo Gllavarit në vitin 1373. Trualli ku lindi Rrapo Hekali kishte një të shkuar te madhe dhe shekuj të shkëlqyer qytetërimi. Bylisi kishte teatër, stadium, disa tempuj, monedhën e vet. Në 229 para Krishtit romakët pushtuan Apoloninë, por Bylinët ruajtën paqen me Romën. Në vitin 168 para Krishtit bylinët u lidhën me Perseun e Maqedonisë kundër Romës. Paul Emili, konsulli ndëshkues romak, pasi shkatërroi 70 qytete të Epirit rrafshoi edhe disa kështjella në Mallakastrën e sotme, qe eshte nje nder pjeset me tragjike te histories se kesaj treve. Megjithëse Koinoni i bylinëve u shpërbë, por Bylisi mbeti autonom dhe nuk u prek dhe në vitin 48 para Krishtit Bylisi i hapi portat Jul Çezarit në luftën kundër Pompeut. Më vonë Bylisi u shndërrua në koloni romake dhe në Bylis u vendos qendra e peshkopatës që dikur ishte në Apoloni. Rreth viti 586 sllavët dogjën, plaçkitën e shkatërruan qytetin, por mallakastriotët në rrugën e gjatë e të mundimshme të pushtimeve janë ringritur gjithmonë aq herë sa janë rrëzuar, kanë ditur të ringrenë jetën dhe të lindin kapedanë e atdhetarë të flaktë si Rrapo Hekali/Hasani.

Please follow and like us: