Albspirit

Media/News/Publishing

Myslimanët e Ukrainës luten për fitore dhe përfundimin e pushtimit rus

Myftiu Said Ismahilov dhe ushtarët myslimanë gjatë lutjeve në ditën e Kurban Bajramit, në Xhaminë e Medinës, Konstantinovka, rajoni i Donjeckut , 9 korrik 2022.

Në kohën kur nisi pushtimi rus, myftiu 43-vjeçar Said Ismahilov, një nga udhëheqësit shpirtërorë myslimanë të Ukrainës, kishte vendosur që do të hiqte dorë nga detyrat e tij fetare për të luftuar për vendin e tij.

Në fund të vitit të kaluar, ndërsa paralajmërimet për një sulm të afërt u rritën, Ismahilov filloi stërvitjen me një batalion lokal të mbrojtjes territoriale. Deri atëherë ai kishte shërbyer si myfti për trembëdhjetë vjet.

I lindur dhe i rritur në Donjeck në Ukrainën lindore, Ismahilov kishte ikur nga Rusia në vitin 2014, kur separatistët e mbështetur nga Moska pushtuan qytetin e tij. Ai përfundimisht u zhvendos në një periferi të qetë jashtë Kievit të quajtur Buça – për ta gjetur veten, por tetë vjet më vonë, në vitin 2022 lufta u kthye. Ndihej sikur kërcënimi nga pushtimi rus nuk do të përfundojë kurrë.

“Këtë herë mora vendimin që nuk do të ikja, por do të luftoja”, tha ai në një intervistë për agjencinë Associated Press në Kostiantynivka, një qytet afër vijës së frontit në Ukrainën lindore, ku beteja për kontrollin e rajonit po intensifikohet.

Ismahilov filloi të punonte si shofer ushtarak për paramedikët që evakuonin të plagosurit nga vijat e frontit ose qytetet e rrethuara. I ngarkuar me ngasje të automjetit në kushte shumë të rrezikshme, por edhe duke mbështetur emocionalisht të plagosurit në gjendje kritike, Ismahilov tha se e sheh punën e tij të re si “një vazhdimësi të detyrës sime shpirtërore përpara Zotit”.

“Nëse nuk keni frikë dhe mund ta bëni këtë, atëherë është shumë e rëndësishme. Profeti ishte vetë një luftëtar”, tha ai. “Kështu që unë ndjek shembullin e tij dhe gjithashtu nuk do të vrapoj apo fshihem. Unë nuk do t’ua kthej shpinën të tjerëve”.

Ismahilov ishte një nga dhjetëra myslimanët ukrainas që u mblodhën në xhaminë në Kostiantynivka të shtunën për të shënuar Kurban Bajramin, një festë e rëndësishme fetare në besimin islam. Ajo tani është xhamia e fundit funksionale e mbetur në territorin e kontrolluar nga ukrainas në Donbas. Ismahilov tha për AP-në se ka rreth 30 xhami në rajon, por shumica tani janë në duart e rusëve.

Javën e kaluar, Rusia pushtoi qytetin e Lisiçansk, bastioni i fundit i madh i rezistencës ukrainase në provincën lindore të Luhanskut. Guvernatori i rajonit të Luhanskut tha të shtunën se forcat ruse tani po bëjnë presion drejt kufirit me rajonin fqinj Donjeck.

Myslimanët përbëjnë pothuajse 1 për qind të popullsisë në Ukrainë, e cila është kryesisht e krishterë ortodokse. Ka një popullsi të madhe myslimane në Krime – shtëpia e tatarëve të Krimesë e aneksuar ilegalisht nga rusët në vitin 2014. Shifrat atje shkojnë në 12%. Ekziston gjithashtu një komunitet i konsiderueshëm mysliman në Ukrainën lindore, si rezultat i valëve të migrimit ekonomik pasi rajoni u industrializua dhe shumë myslimanë emigruan në rajonin e Donbasit për të punuar në miniera dhe fabrika.

Konflikti i vitit 2014 detyroi shumë myslimanë nga Krimeja dhe Donbasi të zhvendoseshin në pjesë të tjera të vendit, ku u bashkuan me komunitetin tatar të krijuar prej kohësh ose ndërtuan qendra të reja islamike përkrah turqve, arabëve dhe të konvertuarve ukrainas.

Por, pushtimi i ka detyruar shumë prej tyre të ikin edhe një herë. Xhamia në Kostiantynivka shërbente për një popullsi lokale myslimane prej disa qindra vetash. Të shtunën, pak banorë vendas ishin të pranishëm, pasi kishin udhëtuar drejt perëndimit me familjet e tyre.

Në predikimin e tij pas lutjeve tradicionale të Bajramit, Ismahilov i tha xhematit se Bajrami i këtij viti kishte një rëndësi simbolike në mes të luftës dhe u kërkoi atyre të kujtojnë myslimanët që jetojnë në territoret e pushtuara, ku shumë kanë humbur shtëpitë e tyre dhe disa xhami janë shkatërruar nga granatimet. Duke iu referuar një serie arrestimesh të tartarëve të Krimesë në vazhdën e aneksimit të vitit 2014, ai tha se myslimanët në territoret e pushtuara nuk ndihen të sigurt.
“Ka shumë frikë. … Lufta vazhdon dhe ne nuk e kemi idenë se çfarë po ndodh në territoret e pushtuara dhe në çfarë situate janë myslimanët atje”, tha ai.
Ismahilov i tha AP-së se ai i konsideron myslimanët rusë që pushtojnë Ukrainën, përfshirë batalionet famëkeqe çeçene të të fortit çeçen Ramzan Kadyrov, si “kriminelë”.
“Ata po bëjnë mëkate dhe … kanë ardhur si vrasës dhe pushtues, në një territor që është shtëpia e ukrainasve dhe myslimanëve ukrainas, pa asnjë justifikim. Allahu nuk ua ka dhënë këtë të drejtë”, tha Ismahilov. “Ata do të përgjigjen për të gjitha këto përpara Zotit”.

Olha Bashei, 45 vjeçe, një juriste e kthyer nga Kievi, e cila u konvertua në islam në vitin 2015, tha se Rusia po përpiqet ta “fshijë Ukrainën nga faqja e dheut”.
Bashei filloi të punojë si ndihmëse e vijës së parë në Donbas në vitin 2014. Ajo e konsideron këtë luftë “xhihadin” e saj, një term për të treguar një luftë të shenjtë apo luftë personale në islam.
“Kjo luftë është lufta ime, dhe unë e mbroj xhihadin tim sepse kam nipa, kam një nënë dhe mbroj shtëpinë time. Nuk dua që nipat e mi të shohin ndonjëherë atë që unë, për fat të keq, pashë në këtë luftë”, tha ajo.
“Islami madje më ndihmon, sepse në islam, në namaz, disi largohesh nga lufta sepse e lexon namazin dhe ke lidhje me të Plotfuqishmin. Për mua, islami është një forcë që më mbështet edhe në luftë”.

Derisa ushtarët përgatisnin delet për kurban [rit fetar] për festën e Bajramit, një zonë banimi në Kostiantynivka, disa kilometra më larg, u godit nga granatimet. Artileria që ra e tundi tokën. Disa ushtarë vrapuan në bunkerin e xhamisë. Të tjerët vazhduan të pinin çajin e tyre dhe të hanin hurma. Granatimet shkaktuan disa zjarre, duke plagosur disa banorë dhe duke djegur çatitë.

Ismahilov tha se ata do të luten për fitore dhe çlirimin e territoreve të pushtuara.

“Ne lutemi që bashkatdhetarët tanë myslimanë të jenë të sigurt, që familjet tona të bashkohen, që myslimanët e vrarë të shkojnë në parajsë dhe që të gjithë ushtarët myslimanë që mbrojnë vendin e tyre të pranohen si shehidë (martirë) nga Allahu”.

Përgatiti: Erjonë Popova
Please follow and like us: