Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Bitum e hekur, jo krahasim!

Kur u ktheva nga Kosova, njerëzit më pyesnin, hë si t’u duk Dardania? Shumë mirë iu përgjigja. Bridhet shpejtë, shtonin. Në fakt për një orë e gjysëm bëhej nga Prishtina në kufirin tonë. Dhe nuk kishte asnjë tra. Kurse nga Tirana për në kufi doje 2 a 3 orë të mira. Deri në Milot ishte torturë trafiku. Por kjo nuk ka domethënien që Kosova është e vogël. Mu kujtua mikja ime e mirë poetja gjermano-shqiptare Silke Liria Blumbach. Duhet të ketë qenë viti 2002. Atij motit Drejtoria e Festivalit Ndërkombëtar Ditët e Naimit në Tetovë, kishte në program një shëtitje rreth e rrotull Maqedonisë së Veriut. U nisëm nga Tetova sapo mbaruam mëngjesin. Tre furgonë. Ishte një ide e bukur. Lëvizja ka në themel kërshërinë për të zbuluar pejzazhe, realitete, histori. U kthyem vonë pasi kishim parë sa të duash. Silkja më tha, tani e kuptova se përse Shqipëria më është dukur shumë e madhe. Rrugët e ngushta dhe të vështira. Thuajse kam harxhur një ditë të tërë për të shkuar në Sarandë, më tha ajo. Ishte një e vërtetë e hidhët. Puna është se në raport me Shqipërinë, Kosova i ka rrugët më të mira, kjo të bën të duket se i dilet shpejtë. Ata janë më mirë nga ne, më thoshin. Në fakt janë shumë herë më mirë se Shqipëria. Madje në raportin qytetar shtet, në komunikimin politik, në ndërrimin e pushtetit, lidhjet me emigrantët, janë disa shkallë më lartë. Për më tepër që kanë si monedhë duarsh euron. Duke patur fatin të shikoj shumë vende, mundësinë për të krahasuar, e them me bindje, po Kosova është shumë herë më përpara se Shqipëria. Edhe në mentalitet kombëtar. Janë më shumë të lidhur me dheun se ne. Madje emrat e fëmijëve shqiptarë janë 99% të amerikanizuar, kurse aty në Dardani 99% të shqiptarizuar. Vajza e Shqipërisë e ka emrin Hillary, kurse ajo e Dardanisë, Syhanë. Fushat kodrinore të Kosovës ishin shumë të racionalizuara dhe prodhimi i pastër. Vreshtari dhe misër me shumicë. Madje një zonjë prishtinase, më tha me buzën në gaz, ju nuk keni nevojë për grurë e misër, ua ka siguruar Vuçiçi. Megjithatë edhe Kosova kishte bjerrjen e vet. Shikoje se si një pallat me historinë e lojrave me dorë qe kthyer në garazh makinash. Se si Grand Hoteli, ku u akomodua bota në luftën e 1999, kishte degraduar nën nofkën e komunizmit. Se si libri kishte përfunduar kioskave dhe se në Bibliotekën Kombëtare ankoheshin për fondet e pakta. Madje edhe aty, ashtu si në Shqipëri, shkrimtarët ishin sponsorizues, botues, shpërndarës të librave. Në Shqipëri fushat mbyteshin nga super prodhimi, kalbeshin nga shalqini, pjeshkat, specat. Mungonte tregu, mungonin dhe alternativat e kriposjes, kompostove. Madje se si më vetiu vegimi, që viteve tetëdhjetë rruga e lagjes sime mbytej nga kamionët e ngarkuar me domate. Prisnin në radhë të përpunoheshin. Mbaronte domatja, fillonte rrushi e me radhë. Sot alternativa dominante ishte vetëm tregu. Për të tjerat pak flitej. Madje fushave gjeje në anë të rrugës plot remorkio zetorash me shalqi. Dikush ma bëri me dorë nga oborri i shtëpisë, mbushe bagazhin më tha, nuk dua lek. Shkurt, dhimbje. Arrita në përfundim se në Shqipëri ka me shumicë fuqi prodhuese, por ka me shumicë edhe menaxhim të keq. Ajo çfarë më trishtoi akoma në atë pak udhëtim në Shqipëri, ishte traseja e copëtuar e trenit. Vende-vende shikoje shina të ndryshkura. Pastaj asgjë ferra, ose ndonjë ndërtim përmbi. Sa keq…, kemi mbrujtur një kulturë të ashpër zeroje. Gjithçka duhet zeruar… nga ana tjetër dëgjoja ndonjë tek thoshte, nuk ka më tren për në plazhin e Golemit. As për në Podradec. As për në Shkodër. As për në Milot. As për Fier e Vlorë. Kurse ti, në ato shkrimet e tua, kërkon tren për Prishtinë. Pastaj më pëshpëriste, ore ti mirë i thua gjërat, po kujt ia thua. Dhe tjetra je, larg se të ishe këtu ta mbyllnin gojën, të hiqnin nga puna menjlherë. Po ti mirë e ke…, bjeri në kokë. Oj tren, për Prishtinë thotë. Nga ana tjetër unë që pëshpërisja përse jemi bërë kaq rrëmujë? Përse nuk duam ta kuptojmë se më përpara se kancelaritë në Europë, janë këto rrugë të kollajshme me bitum e hekur që na bashkojnë. Qarkullimi i lirë. Ekonomia. Jo, krahasimi.
Please follow and like us: