Albspirit

Media/News/Publishing

RAMIZ LUSHAJ: AMBASADORË AMERIKANË PËR SHQIPTARËT (7)

Madelene OLLBRAJT, Sekretare Amerikane e Shtetit,  Ambasadore e SHBA në OKB 1999

(Madelene Ollbrajt, kësokohe, 23 janar 1997 – 20 janar 2001, ishte Sekretare e Departamentit Amerikan të Shtetit).

KOSOVA-DIPLOMACIA DHE KËRCËNIMI PËR PËRDORIMIN E FORCËS

Disa njerëz zgjohen në mëngjes me këngën e këndesit, zilen e orës apo gurgullimën e kafesë që zien. Si banore e Uashingtonit, unë zgjohem me lajmet e radios. Meqenëse ishte e martë, 19 janar 1999, radion e ndeza vetë, por, edhe pse pak më vonë se ditët e tjera, gjithsesi para agimit.1 E shtrirë në shtrat, në gjysmëerrësirën e dimrit, dëgjova folësin që po kumtonte për një masakër që kishte ndodhur pesë milje larg. Hollësitë nuk vonuan të mbërrinin. “Aty ka shumë trupa të pajetë, – u deklaronte ambasadori Bill Woker gazetarëve, – njerëz që janë qëlluar në mënyra të ndryshme, por shumica e tyre janë vrarë nga fare afër”. Në qytetin e Reçakut në Kosovë ishin gjetur trupat e dyzetë e pesë njerëzve. Woker i kishte parë trupat me sytë e tij, shumë prej të cilëve ishin të shpërndarë në një shpat mali e të mbuluar me borë, të tjerët të hedhur njëri mbi tjetrin, secili prej tyre me plagë të llahtarshme, të gjithë të veshur civilë, njëri me kokë të prerë. I pyetur se kush ishte përgjegjës për atë masakër, Woker nuk ngurroi të përgjigjej: “Policia serbe”.

Ekipi i Vëzhguesve Ndërkombëtarë të Woker-it nuk kishte mundur ta ndalte Masakrën e Raçakut, por gjithsesi kishin arritur që ajo të mos mbetej e pazbuluar. Sipas dëshmitarëve të intervistuar prej tyre, serbët kishin nisur të bombardonin një ditë më parë. Më pas, trupat paraushtarake kishin hyrë në qytet, kishin grumbulluar gratë dhe fëmijët në një xhami, kishin rrethuar meshkujt e rritur dhe i kishin marrë me vete. Më vonë, fshatarët kishin gjetur trupat e tyre të pajetë.

Pjesën më të madhe të asaj të marte, e kalova në shtëpi duke folur në telefon me gjysmën e botës. Deri në atë çast, kishim qenë të shqetësuar se gjendja në Kosovë do të shpërthente pasi të shkrinte bora e dimrit. Thirra Sandy Bergerin dhe i thashë e trishtuar: “Duket sikur këtë vit pranvera në Kosovë ka ardhur më herët”! I kërkuam gjeneralit Wesli Clark, komandantit suprem të NATO-s dhe gjeneralit Klauss Naumann, kryetar i Komitetit Ushtarak të Aleancës, të shkonin në Beograd dhe të paralajmëronin Millosheviçin që të mos ndërmerrte shkelje të tjera të këtij lloji, të kërkonin, që Gjykata për Krimet e Luftës, të lejohej të hetonte ngjarjet e Reçakut dhe t’i kujtonin atij se kërcënimi i NATO-s për përdorimin e forcës vazhdonte të mbetej ende në fuqi. Thirra në një takim ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s dhe u propozova që Aleanca të rishikonte dhe modernizonte planet për fi llimin e goditjeve ushtarake. Mblodha gjithashtu këshilltarët e mi më të lartë, duke u kërkuar një strategji që do të gërshetonte forcën dhe diplomacinë për të ndaluar veprimet e Millosheviçit, në mënyrë që Kosova të mos kalonte nën guerilet e UÇK-së.

Në rastin më të parë mblodha në zyrën time një grup që përfshinte Srobe Talbottin, Jamie Rubinin dhe Morton Halperin, njeri inteligjent dhe kundër skemave, që kishte përballuar beteja në Uashington dhe që kohët e fundit kishte zëvendësuar Greg Craigun në vendin e drejtorit të Zyrës sonë për Planifi kimin e NATO-ja do të përdorte goditjet ajrore për t’i detyruar të vepronin në këtë mënyrë.

Po qe se plani ynë do të zbatohej, mendoja se mund të arrinim në tri përfundime të mundshme, prej të cilave dy ishin më të pëlqyeshme se statuskuoja në kushte ideale, kërcënimet e NATO-s dhe dalja e ngjarjes në plan të pare në shkallë ndërkombëtare, do të bënte që të dyja palët të pranonin të gjenin një zgjidhje përfundimi për kosovarët, do të ishte vetëqeverisja dhe siguria, të garantuar nga një trupë paqeruajtëse nën udhëheqjen e NATO-s; nëse serbët do të thoshin “Jo” dhe shqiptarët “Po”zgjidhja do të paraprihej nga një periudhë bombardimesh, që do të zgjaste aq sa do të ishte e domosdoshme për ta detyruar Millosheviçin të ulej në tryezën e bisedimeve; në qoftë se të dyja palët do të thoshin “Jo” përfundimi do të ishte një çorbë, për të cilën do të mbanin përgjegjësi të dyja palët.

Mbrëmjen e 19 janarit, hyra në një debat me drejtuesit e tjerë kryesorë të Sigurisë Kombëtare, që do të vazhdonte thuajse pa ndërprerje edhe gjatë katër ditëve të ardhshme. Isha e bindur se ndodheshim në një pikë kthese kritike dhe këtë e deklarova hapur. Fillimisht, sekretari i mbrojtjes, Cohen dhe gjenerali Hugh Shelton, i cili kishte zëvendësuar John Shalikashvilin në postin e Kryetarit të Shtabeve të Përbashkëta, shprehën dyshime për mënyrën se si e shihja unë problemin dhe kundërshtuan me forcë krijimin e një force paqeruajtëse. Ata nuk dëshironin të mbështetnin një mision të dytë të madh afatgjatë në Ballkan dhe kishin frikë se mos gjendeshin në mesin e një lufte civile. Gjithashtu, vinin në dyshim edhe aftësinë tonë për të siguruar mbështetje politike për çështjen e paqartë të Autonomisë të Kosovës. Njëkohësisht, nuk ishin të bindur se Kongresi do të votonte pro pjesës së fondit që duhej të paguanim ne për mbajtjen e një force paqeruajtëse. Për rrjedhojë, parapëlqenin më tepër krijimin e një ekipi verifikues sesa praninë e trupave të armatosura. Edhe në rast se aty do të dërgohej një forcë e NATO-s, ishin të mendimit që në të, të mos përfshiheshin trupa amerikane.

E kuptoja pse zyrtarët e Pentagonit mendonin kështu, por alternativa që ofronin ata nuk kishte kuptim. Verifi kuesit nuk do të ishin në gjendje të mbanin rregullin. Pa mbrojtjen e NATO-s, guerilët nuk do të çarmatoseshin kurrë. Pa pjesëmarrjen amerikane, nuk do të kishte mbrojtje nga ana e NATO-s, dhe pa qenë aty NATO-ja që ta ndalonte, Millosheviçi do të vazhdonte sulmet. Duke pasur dy palë që luftonin, katastrofa ishte e pashmangshme. Mënyra për të shpëtuar nga katastrofa, ishte të përdornim diplomacinë, të mbështetur me kërcënimin e forcës së NATO-s, për të arritur dhe zbatuar zgjidhjen politike.

I respektoja sekretarin Cohen dhe gjeneralin Shelton, por mendoja se, sidoqë të ishte puna, e kishin gabim. Nga Bosnja kisha mësuar që mosmarrëveshjet të mos i merrja personalisht, kështu që fola me zë të qetë dhe u përpoqa që të gjithë të përqendroheshin tek e vërteta. Ngadalë e në mënyrë të qëndrueshme, gjatë takimeve të nivelit të lartë, që vazhdonin me orë të tëra, argumentet e mia nisën të fi tonin terren. Për ironi, Millosheviçi ma lehtësoi punën, duke këmbëngulur para gjeneralëve Clark dhe Naumann, se njerëzit që ishin vrarë në Raçak, kishin qenë terroristë. Ai u deklaroi atyre se në këtë rast Gjykata për Krimet e Luftës nuk kishte juridiksion, duke shprehur edhe pretendimin se Bill Woker ishte i njëanshëm në gjykimin e çështjes. Kur Klarku përmendi mundësinë e goditjeve ajrore të NATO-s, Millosheviçi e quajti atë “kriminel lufte”.

Ndërkaq, nga burimet e zbulimit, mësuam se serbët po planifikonin një sulm në shkallë të gjerë mbi njësitë e mëdha dhe qendërkomandat e UÇK-së, gjatë një periudhe dyjavore në mes të muajit mars, çka do të pasohej nga një operacion njëmujor për eliminimin e xhepave të rezistencës. Një ofensivë e tillë do të shkaktonte shumë të vdekur dhe zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve. Më 23 janar, i kisha mbushur mendjen ekipit tim, të pranonte një plan që të nxiste fi llimin e bisedimeve, duke kërcënuar me anë të goditjeve ajrore dhe të mbështetnin një forcë paqeruajtëse të NATO-s me pjesëmarrjen e “mundshme” të Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, Pentagoni theksonte se një forcë e tillë mund të ishte e mundur dhe vepruese, vetëm në një “mjedis lejues”, çka donte të thoshte se mund të vepronte vetëm me pëlqimin e Beogradit. Duke pranuar atë që munda të fi toja, hëpërhë nuk e zgjata më tej. Duke patur pak a shumë mbështetjen e administratës sime, ndërkaq më duhej të merresha me pjesën tjetër të aktorëve. E dija se koncepti i një force të NATO-s do të mbështetej nga Europa dhe se ideja e lidhjes së goditjeve nga ajri me një konferencë ndërkombëtare paqeje të nivelit të lartë, do të ishte tërheqëse për miqtë tanë në Paris, natyrisht me kusht që bisedimet të mbaheshin në Francë. Ndërkohë duhej të qartësoja se kush do ta udhëhiqte këtë iniciativë. Parapëlqeja që kjo forcë të udhëhiqej nga NATO-ja, e cila ishte e fuqishme dhe kompakte dhe kishte pasur sukses edhe në Bosnjë. Europianët, veçanërisht francezët, parapëlqenin Grupin e Kontaktit prej gjashtë anëtarësh, ku zëri i tyre nuk do të zbehej nga prania e një numri të madh shtetesh. Mendova se mund të përdoreshin të dyja variantet, por vetëm nëse Rusia- anëtare e Grupit të Kontaktit nuk do të krijonte pengesa. Kjo nënkuptonte se duhej të përcaktoja se sa presion do të bënte Moska dhe në çfarë drejtimi. Rastësisht dhe për fat të mirë, që më parë kisha planifi kuar që po atë javë të shkoja për vizitë në Rusi.

Për herë të parë e kisha takuar Ivanovin kur kishte qenë zëvendës i Primakovit, por atëherë më ishte dukur disi zyrtar. Kur e njohëm njëri-tjetrin më mirë, pasi ai zuri vendin e Primakovit si ministër i Jashtëm, vura re se ishte inteligjent dhe tërheqës. Megjithatë, ashtu si edhe Primakovi, dinte të ishte gjithashtu i prerë në bisedime, ndërsa bisedat e mia me të për Kosovën, silleshin gjithnjë në formë rrethi. Do t’i thosha Igorit se problem përbënte Millosheviçi, pasi shtypja e ushtruar prej tij kishte shpënë në krijimin e UÇK-së. Ivanovi ishte në një mendje në këtë pikë, por tha se që prej krijimit të tyre, guerilët e UÇK-së, përbënin kërcënimin më të madh. Të dy parapëlqenim zgjidhjen politike, por nuk arrinim të kishim të njëjtin mendim për rrugët se si do të arrihej një gjë e tillë. I thashë Ivanovit se Millosheviçi nuk do të ulej në tryezën e bisedimeve, po të mos e kërcënonim me goditje ajrore. Ivanovi m`u përgjigj se Rusia nuk mund ta lejonte përdorimin e forcës kundër vëllezërve sllavë. Në këto fjalë e sipër i vura në dukje se burimi i problemit ishte Millosheviçi dhe që në atë çast biseda hyri në rrugë pa krye.

Shfrytëzova rastin të dilja nga ky rreth vicioz në një mjedis që s’kish asnjë lidhje me mjediset zyrtare në Teatrin “Balshoj”, ku Ivanovi më kishte ftuar për të parë “Traviatën”. Ishim ulur të dy në lozhën e presidentit, e cila kishte qenë ndërtuar për carët dhe ishte e veshur me kadife të kuqe me push. Shfaqja ishte e mrekullueshme, por ndonëse sytë dhe veshët i kisha përqendruar në skenë, mendja më rrinte te Kosova. Gjatë pushimit mes akteve, Ivanovi dhe unë dolëm në paradhomë, ku kishin shtruar shampanjë dhe haviar. Nuk i kurseva fjalët.

-Dëgjo, Igor, – i thashë. – Po të flas hapur. Nëse Kosova shpërthen, do të kemi pengesa të jashtëzakonshme për të punuar së bashku edhe për një numër të madh çështjesh të tjera. Nuk duhet ta lëmë të ndodhë një gjë e tillë. Duhet të gjejmë një zgjidhje politike. Shqiptarët nuk do t’i lëshojnë armët para se NATO-ja të shkojë aty për t’i mbrojtur. Nga ana tjetër, Millosheviçi nuk do të lejojë kurrë që NATO-ja të hyjë atje për sa kohë që nuk do ta kërcënojmë me përdorimin e forcës. Europianët janë të shqetësuar rreth reagimit tuaj nëse NATO-ja përpiqet të veprojë pa kaluar në Këshillin e Sigurimit, por unë vetë, nuk mund t’ia besoj këtë gjë Këshillit, pasi Millosheviçi e di që ju do të përdorni “Veton” ndaj përdorimit të forcës, çka do të thotë që kërcënimet tona nuk do të jenë të besueshme e, për rrjedhojë, nuk mund të ketë një zgjidhje politike. Automatikisht, kjo do të thotë luftë për Kosovën. Ky është tamam një “Ketc-22”.

Ivanovi më pa me kujdes për rreth një minutë. Më pas tha: -Madeleine, nëse mund të më shpjegosh, çfarë është në të vërtetë “Ketc-22”? Ia shpjegova aq sa munda e më pas vazhdova: -Igor, puna është serioze. Më duhet t’u them europianëve se NATO-ja mund të përdorë forcën për të arritur në një zgjidhje politike, dhe se ju mund të gjeni mënyrën për ta pranuar këtë. Përsëri, përpara se të përgjigjej, u mendua edhe një hop.

-Rusia nuk do t’i pranojë bombardimet ajrore kundër serbëve, – tha. – Një gjë e tillë, do të ishte krejtësisht e papranueshme. NATO-ja nuk ka asnjë të drejtë të sulmojë një shtet sovran.

Pasi i tha këto fjalë, toni i tij u zbut dhe shtoi: – Megjithatë, ne pajtohemi me dëshirën tuaj për një zgjidhje politike dhe ndoshta kërcënimi për përdorimin e forcës është i nevojshëm për ta arritur një gjë të tillë. Personalisht nuk shoh ndonjë arsye që të mos përpiqemi të punojmë bashkërisht. Ishte mesi i natës, por, pasi u ktheva në hotel pas operas, mora në telefon ministrat e tjerë të Jashtëm të Grupit të Kontaktit, e vetëdijshme se çdo fjalë që do t’u thosha unë, do të regjistrohej për t’ua çuar autoriteteve ruse. Nëse do të gaboja në paraqitjen e qëndrimit rus pas këtyre telefonatave, do ta mësoja shumë shpejt. U thashë kolegëve se Ivanovi nuk do të na ndalonte të vazhdonim planin tonë dhe se duhej të bashkoheshim të gjithë për t’i dërguar një ultimatum Millosheviçit.

Për herë të parë gjithçka shkoi sipas planit. Më 29 janar, në Londër, rashë dakort me qëndrimin e Grupit të Kontaktit, i cili u shpreh se bisedimet e paqes mund të fillonin në Rambuje, në Francë, më 6 shkurt. Të dyja palëve do t’u kërkohej të pranonin një plan, sipas të cilit, popullit të Kosovës do t’i njihej Autonomia dhe se ajo do të zbatohej nëpërmjet një force paqeruajtëse të NATO-s, e përbërë përafërsisht prej njëzet e tetë mijë trupash. Statusi i Kosovës do të rishqyrtohej pas tre vjetësh, ku mes faktorëve të tjerë që do të merreshin parasysh do të ishte edhe “vullneti i popullit”. Me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, atje do të zhvilloheshin zgjedhjet dhe do të ngriheshin institucionet demokratike. Qëllimi ynë ishte të bindnim të dyja palët që të thoshin “po”. Në shpalljen e planit, me ne u bashkua edhe Ivanovi.

Rambujeja është qytet klimaterik veror me një popullsi prej rreth njëzet e pesë mijë banorë, i vendosur mes pyjesh në jugperëndim të Parisit dhe i famshëm në botë për rritjen e bagëtive të imëta e për leshin merinos. Kjo veçori, u dha shkas spekulimeve të mediave rreth faktit nëse bashkëbiseduesit do të ishin në gjendje t’i drejtonin ndërmjetësit drejt një kullote të vetme. Francezët kishin caktuar që bisedimet të zhvilloheshin në një kështjellë të shekullit të katërmbëdhjetë, e rrethuar nga kopshte tejet të bukura e të mirëmbajtura, të cilat përshkoheshin në mes nga një rrugëkalim i gjatë me zhavorr, ku të kalonin makinat dhe që hijezohej në të dyja anët nga pemë që lartësoheshin njëra pas tjetrës. Vetë kështjella është labirint me korridore të përkryera e të spërdredhura, mijëra shkallë dhe dhoma të zbukuruara në mënyra nga më të çuditshmet. Midis thesareve të saj gjendet edhe govata ku lahej Marie Antoinette, e fshehur diku në një dhomë të vogël, ngjitur në kuzhinën në katin përdhe.

Ndonëse Robin Cooku dhe Hubert Vedrine ishin organizatorët zyrtarë, bisedimet e përditshme duhej të bashkërendoheshin nga Trojka e përbërë nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Chris Hill, përfaqësuesi i BE-së, Solfgang Petrisch dhe ambasadori rus, Boris Mayorski.

Delegacioni shqiptar prej gjashtëmbëdhjetë vetash, përfshinte udhëheqësin e moderuar politik, Ibrahim Rugova, gazetarin e respektuar, Veton Surroi, akademikun Rexhep Qosja dhe përfaqësuesit e partive të tjera politike, të pavarurit dhe UÇK-në. Papritmas, delegatët zgjodhën si kryetarin e tyre një komandant të UÇK-së, 29-vjeçarin Hashim Thaçi, i cili kishte një fi zik të gjatë e thatim. Me të, deri atëherë, kishim pasur shumë pak kontakte. Dukej se caktimi i Thaçit, pasqyronte rënien e vazhdueshme të pozicionit të Rugovës, i cili pas gjithë asaj fyerje nuk e hapi gojën thuajse fare. Kur njëri nga diplomatët tanë e pyeti Rugovën pse ishte aq i plogësht, ai u përgjigj: “ky është stili im”. Ndërkohë delegacioni serb përbëhej nga disa juristë që gëzonin respekt, si dhe nga një numër sllavësh muslimanë, turq dhe romë, të zgjedhur enkas për të treguar angazhimin e Millosheviçit ndaj larmisë etnike. Aty nga fundi i javës së parë, diplomatët tanë raportonin se delegacioni serb nuk po i merrte seriozisht bisedimet, ndërkohë që shqiptarët të cilët këmbëngulnin për të drejtën e tyre për të zhvilluar një referendum përfundimtar lidhur me pavarësinë ishin “kokëfortë si mushka”. Chris Hilli më njoftoi se prania ime më parë se ç’ishte planifi kuar në fi llim, mund të ndihmonte për të dalë nga gjendja.

Unë rashë dakord dhe shkova të merrja pjesë në bisedime për dy qëllime kryesore: së pari, të bindja serbët se marrëveshja do të ishte në interesin e tyre, çka e besoja edhe vetë; së dyti, të bindja shqiptarët të pranonin marrëveshjen-kornizë që kishte propozuar Grupi i Kontaktit.

I nisa përpjekjet duke e nisur diskutimin me Milan Milutinoviçin, president i Serbisë, i cili vepronte si zëvendësues i Millosheviçit. Milutinoviçi kishte fl okë të drejtë të krehur lartë, kostum të prerë dhe fl iste mirë anglisht. I thashë se zgjidhja politike që kishim paraqitur ishte e mirë për vendin e tij. Ajo do të çarmatoste UÇK-në, do ta mbante Kosovën brenda Jugosllavisë dhe do t’i jepte mundësinë ushtrisë së saj të vazhdonte të patrullonte kufi rin. Prania e forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO-ja, do të ndihmonte e nuk do të dëmtonte, sepse do të ruante edhe të drejtat e njeriut të pakicës etnike serbe në Kosovë.

-Ndryshe, – i thashë – do të krijohej një Çeçeni brenda kufi jve tuaj. Njëkohësisht, do të gjenden në një situatë edhe më të vështirë përballë Bashkësisë Ndërkombëtare dhe NATO-s. Kjo nuk duhet të ndodhë. Duke shfrytëzuar rastin që po u jepet për paqe, keni mundësinë të hyni në Europë dhe në Perëndim. Milutinoviçi u përgjigj:

-Jam dakord me 60-70% të asaj që thatë ju. Ne duhet të përqendrohemi tek e ardhmja dhe të përpiqemi t’i zgjidhim problemet në Kosovë përmes mjeteve politike. E kemi pranuar idenë e autonomisë dhe demokracisë, por nuk mund të pranojmë propozimin tuaj për të dërguar aty një forcë të jashtme ushtarake. Kjo do të ishte katastrofë. Në vend të kësaj, duhet të punoni me ne, për shpërbërjen e UÇK-së. Ju duhet të dërgoni trupat tuaja në Shqipëri, për të mos lejuar që armët të mbërrijnë tek ekstremistët.

– Milutinoviçi e pranoi se Beogradi kishte bërë gabim duke i mohuar autonominë Kosovës për vite me radhë. – Përqasja e ndjekur mund të ketë minuar zërat e moderuar, por Shtetet e Bashkuara janë në rrugë të gabuar. Duhet të punoni me ne, për të luftuar terrorizmin dhe dhunën.

Iu përgjigja: -Ushtria serbe është furnizuesja më e mirë që ka UÇK-ja.

Milutinoviçi më korrigjoi me një çiltërsi që nuk e prisja. -Jo, – tha. – Besoj se kjo mund të thuhet vetëm për policinë paraushtarake.

Porsa arrita në Rambuje, fillova takimin e parë ndër takimet e shumta me Delegacionin Shqiptar. Termi “i ndryshëm” mund të ishte shpikur shumë mirë për këtë grup, i cili përbëhej që nga enigmatiku Rugova e deri te pragmatiku Surroi dhe problematiku Thaçi. Askush prej tyre nuk kishte marrë ndonjëherë pjesë në bisedime të koklavitura, sigurisht jo në shkallë botërore. Përveç kësaj, vazhdonin të kishin ende shumë mosmarrëveshje mes tyre. U gëzova që kishin pranuar ndihmën e një ekipi të vogël këshilltarësh të jashtëm, përfshi edhe ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Morton Abramo Sitzin, njëri prej miqve të mi të vjetër dhe mbrojtës i jashtëzakonshëm i të drejtave të njeriut.

Mesazhi im për shqiptarët përmbante të njëjtat argumente që u kisha paraqitur edhe serbëve: “Ju jeni udhëheqës. Jeni zgjedhur për të përfaqësuar popullin tuaj. Mendohuni mirë përpara se t’i dënoni ata me një të ardhme me luftë. Marrëveshja që kemi propozuar ne, do t’u japë vetëqeverisjen, mbrojtjen e NATO-s, ndihmë ekonomike, të drejtën për të arsimuar fëmijët tuaj në gjuhën amtare, si dhe mundësinë për të ushtruar kontroll mbi jetën tuaj. Nëse e pranoni atë, do të shkoni drejt një të ardhmeje të begatë, demokracisë dhe integrimit në Europë. Po e hodhët poshtë atë, për pasojë do të përfshiheni në një luftë që ju do ta humbisni, e bashkë me të edhe mbështetjen ndërkombëtare”.

Shumë prej delegatëve kërkonin të siguroheshin nga unë, se Shtetet e Bashkuara do të merrnin me të vërtetë pjesë në një forcë për ndërtimin e paqes dhe se atyre nuk do t’u duhej të mbështeteshin vetëm tek Europa. Rugova theksoi se kosovarët e kishin barazuar gjithnjë sigurinë me pavarësinë dhe se, po të pranonin t’i shtynin përpjekjet për pavarësi për një periudhë të përkohshme, këtë do ta bënin vetëm si lëshim. Të gjithë ishin në një mendje për nevojën e mbajtjes së një referendumi rreth çështjes së Pavarësisë. “Në rast të kundërt – tha njëri prej tyre – do të mbetemi gjithnjë të kyçur brenda Serbisë”.

Pas takimit të përgjithshëm, u takova vetëm për vetëm me Thaçin në njërën nga dhomat përdhese ku frynte shumë. Që në takimin e parë, ashtu si edhe në takimet e mëvonshme, u habita nga mosha e tij e re dhe mungesa e përvojës çka e bënin atëherë kokëfortë e herë të etur për t’u pëlqyer të tjerëve. Në rastin e Rugovës, ndjeja se i drejtohesha një kolegu të çuditshëm akademik. Thaçi më ngjante më shumë me një student me mundësi të shkëlqyera, me prirjen për ta dorëzuar detyrën me vonesë.

Sipas marrëveshjes sonë, UÇK-ja do të detyrohej të çarmatosej dhe do të hiqte krejtësisht dorë nga çfarëdo lloj roli ushtarak. E dija se Thaçi do ta kishte të vështirë ta pranonte këtë, edhe me garancitë që ofronte NATO-ja për të mbushur boshllëkun e sigurisë së krijuar. Që në takimin e pasdites së parë, i kujtova se edhe organizata të tjera ushtarake më pas ishin kthyer në parti politike. Thaçi u përgjigj se priste që delegacioni shqiptar ta nënshkruante marrëveshjen, por se do të kalonte njëfarë kohe derisa guerilët t’i përshtateshin kësaj gjendjeje. Duke dashur ta bëja fakt parashikimin e Thaçit, i thashë: “jam e kënaqur me zotimin tuaj për të nënshkruar”. Ai u përgjigj: “besoj se mund të arrihet një marrëveshje por kjo nuk varet as nga unë, as nga UÇK-ja, madje as nga delegacioni. Mund të ketë vështirësi”.

Ndërsa filloi java e dytë e bisedimeve dhe unë u ktheva në Uashington, vazhdonin të mbeteshin ende dy pengesa të mëdha: së pari, dëshira e shqiptarëve për organizimin e një referendumi të qartë rreth pavarësisë, të cilën për mendimin tim mund ta zbutnim; së dyti, kundërshtimin serb ndaj një pranie ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, me të cilën do të na duhej të përballeshim. Ishte e qartë se qëndrimi serb nuk do të ndryshonte nëse Millosheviçi nuk vendoste ta ndryshonte atë. Për këtë arsye, mora në telefon Beogradin.

Gjatë bashkëbisedimit telefonik prej njëzet minutash, i thashë Millosheviçit se bisedimet po ecnin mirë dhe se një zgjidhje do t’i përmirësonte marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke e ndihmuar Serbinë ekonomikisht. Megjithatë, një gjë e tillë do të arrihej vetëm nëse ai pranonte Forcën Paqeruajtëse. Diktatori më siguroi se dëshironte të arrihej paqja, si dhe u zotua për një “Kosovë shumëetnike, shumëkombëshe dhe shumëfetare”. Ai vuri në dukje se Delegacioni Serb në Rambuje, kishte në përbërjen e tij njerëz nga shtatë kombësi të ndryshme.

-Janë shqiptarët, – u shpreh ai, – që kërkojnë një shtet separatist. Kjo nuk mund të jetë zgjidhja e duhur në fund të shekullit të njëzetë.

Iu përgjigja: -Zoti President, jam e kënaqur që dëgjoj të flisni për idealin shumëetnik. Koha për të ka ardhur. Marrëveshja që kemi propozuar, përfshin të drejtat e pakicave, si dhe të shqiptarëve, që përbëjnë 90 përqind të krejt popullsisë së Kosovës. Po ju them me siguri se marrëveshja në fjalë është vërtetë e kohës. Por me sa dukej, Millosheviçi kishte organizuar regjistrimin e tij të popullsisë.

-Me gjithë respektin që kam për ju, zonja Sekretare, shqiptarët etnikë janë vetëm tetëqind mijë në Kosovë. Ka qindra mijë serbë dhe malazias, romë dhe turq. Në Kroaci, Shtetet e Bashkuara mbështetën spastrimin etnik të serbëve. Shpresoj se nuk po përpiqeni të përzini serbët nga Kosova.

-Zoti President, – i thashë, – e di që ka edhe joshqiptarë në Kosovë dhe ju e dini se jam përpjekur t’i ndihmoj serbët që të kthehen në shtëpitë e tyre në Kroaci. Por nuk dua të hyj në diskutime. Nuk kemi shumë kohë. E kuptoj se ndoshta e keni të vështirë të shpjegoni se pse e lejuat NATO-n të hyjë në Kosovë, por do të bëjmë ç’është e mundur për t’ua lehtësuar punën. Do të doja të bisedonit me Chris Hillin, i cili mund t’u shpjegojë gjerë e gjatë propozimin tonë. Pas kësaj, mund të bisedojmë për ndonjë shqetësim të veçantë që keni. Millosheviçi ra dakort të takohej me Hillin dhe biseda telefonike përfundoi. E pashë telefonin me mosbesim.

Pohimet e Millosheviçit kishin ndezur sërish tek unë një kujtim të fëmijërisë. Kur isha në shkollë në Angli, në moshën gjashtë ose shtatëvjeçare, luanim një lojë ku të gjithë nxënësit ndaheshin në dy grupe. Ndaheshim njëlloj si skuadrat e Harry Potterit, të cilat i merrnin pikët sipas veprimtarive të ndryshme që kryenin. Kur fitova pikët e para për skuadrën time, ia thashë këtë gjë babait, i cili u gëzua pa masë. Duke dashur t’i bëja përsëri qejfin, nisa të sajoja disa bëma të tjera që më shtonin pikët, duke përfshirë këtu, nëse më kujtohet mirë, se një ditë e kisha nxjerrë mësuesin nga gëmushat e trëndafi lave. Shumë shpejt kisha grumbulluar me mendjen time aq shumë pikë imagjinare, saqë vendosa të sajoja edhe një shpërblim të veçantë. Hyra në shtëpi duke thënë se kisha fituar “kupën egjiptiane”. Prindërit më kërkuan ta çoja kupën në shtëpi, gjë që natyrisht nuk kisha si ta bëja. Në vend të kësaj, shpika një varg të tërë gënjeshtrash duke thënë se sa të këqinj tregoheshin të gjithë me mua. “Madje, më ngacmojnë shumë e më tallin”! Mamaja, që gjithmonë përpiqej të më mbronte, nguli këmbë që të vinte në shkollë për të parë se ç’po ndodhte me vajzën e saj të gjorë. E vërteta doli në shesh dhe mua më ndëshkuan paq. Vite më vonë, sa herë që thosha ndonjë gjë që nuk përputhej me të vërtetën, prindërit më kujtonin “kupën egjiptiane” dhe unë e qepja.

Mund t’i thosha “kupë egjiptiane” edhe Millosheviçit. Sipas tij, numrin e shqiptarëve në Kosovë e shtonin me më shumë se 50 përqind dhe se ai vetë ishte njëkohësisht edhe mbrojtës i tolerancës etnike, edhe mendimtar i shekullit të njëzetenjëtë. Përpjekja jonë për ta nxjerrë atë nga universi i tij paralel vazhdoi gjatë gjithë javës. Kur i telefonova përsëri të enjten, më tha: “Problemi ynë i madh është se nuk po gjejmë dot një zgjidhje që të mos na largohen joshqiptarët nga Kosova. Kosova ka qenë fortesa e Perëndimit të krishterë kundër islamizmit për pesëqind vjet”. Këto ishin mendimet e tij të shekullit të njëzetenjëtë(!).

Ndonëse drejtpërsëdrejti nga Millosheviçi munda të përfi toja fare pak, Delegacioni Serb më në fund iu përgjigj pjesëve politike të projektit. Kjo gjë na dha zemër neve, por jo shqiptarëve, të cilët i shihnin me nervozizëm juristët e Grupit të Kontaktit, që rrinin për orë të tëra me serbët.

Gjatë javës mora në telefon Thaçin, i cili më tha se dëshironte të pranoheshin më shumë sugjerime të shqiptarëve. Megjithatë, në tërësi mbetej optimist. U ktheva sërish në Francë dhe të martën në mëngjes u takova për pak kohë me Delegacionin Shqiptar, si me të gjithë anëtarët një nga një, ashtu edhe kolektivisht. Kosovarët më thanë se do ta miratonin Marrëveshjen-Kornizë kur të dyja palët të takoheshin me ministrat e Grupit të Kontaktit atë pasdite. Meqenëse serbët nuk i kishin trajtuar ende çështjet që lidheshin me sigurinë, kosovarët kishin një rast të artë për ta izoluar Millosheviçin. Po prisja gjithë shpresë që ta shfrytëzonin këtë rast. Më pas u zhvillua takimi.

Dhoma ishte plot me njerëz dhe e vogël. Ministrat e jashtëm ishin ulur së bashku, si një grup gjykatësish, në njërin krah të një tryeze të drunjtë. Që në fi llim, sesioni të krijonte përshtypjen e një seance hetimore. Në fund nuk kishte dyshim, se në një të tillë u kthye. Udhëheqësit e Delegacionit Shqiptar ishin ulur përballë nesh. Thaçi, i cili dukej i shqetësuar, ishte ulur në karrigen qendrore. Atmosfera ishte e nderë qysh kur u ulëm dhe po rregullonim kufjet e përkthimit. Në të vërtetë, aty kishte vetëm një pyetje për t’u bërë dhe ajo kishte të bënte me faktin nëse shqiptarët do ta pranonin Marrëveshjen-Kornizë. Ata kishin premtuar se do të përgjigjeshin pozitivisht, por, kur erdhi çasti, Thaçi nuk dha asnjë përgjigje të qartë. Ky qëndrim, i dha rast që të ndërhynte ministri i jashtëm italian, Lamberto Dini, i cili gjithnjë kishte mbajtur qëndrim kritik ndaj UÇK-së. Ai këmbënguli që Thaçi jo vetëm të pranonte Marrëveshjen Kornizë, por gjithashtu të hiqte dorë nga mbështetja për një Referendum lidhur me Pavarësinë. Kjo ishte e padrejtë. Propozimi që kishim paraqitur ne, kërkonte që kosovarët t’i nxitnim, por jo t’i braktisnin aspiratat e tyre për Pavarësi. Me këmbëngulje, Dini kërkonte ta shtynte Thaçin të përgjigjej me “po” ose “jo” për atë që Thaçi nuk donte të fliste. Për rrjedhojë, Thaçi qëndronte as mish, as peshk, duke mos pranuar as Marrëveshjen-Kornizë e as të jepte ndonjë përgjigje të qartë. Delegatët e tjerë që ishin me të – Surroi, Rugova dhe Qosja – rrinin si trungje. Surroi ngaqë mendonte se nuk mund të fl iste para të tjerëve, Rugova ngaqë ky ishte stili i tij dhe Qosja ngaqë mendonte se Thaçi po vepronte ashtu siç duhej.

Hoqa kufjet dhe i përplasa mbi tryezë. Shqiptarët na kishin thënë se do të binin dakord me Marrëveshjen-Kornizë dhe, kur këtë pyetje ua bëra më vonë, ashtu bënë. Por dëmi ishte bërë. Qëndrimi i kosovarëve ishte më i paqartë se kurrë. Hëpërhë, Millosheviçi i kishte shpëtuar grepit.

Ishte menduar që e marta të ishte dita e fundit e bisedimeve, por ndërkaq ramë në ujdi që t’i zgjatnim ato edhe tri ditë të tjera. Teksti i marrëveshjes ishte larg së qëni i përfunduar dhe na duhej kohë për të ndryshuar qëndrimet. Thaçi nuk ishte i vetmi nga gjithë delegacioni që kishte rezervat e tij. Për shkak të kohës që kishim shpenzuar gjatë javës për të bindur serbët, shumica e shqiptarëve nuk ndiheshin rehat. Ata kishin nisur të dëgjonin njerëz nga jashtë, që u thoshin të mos u besonin as europianëve, as neve. Kishin frikë se mënyra me të cilën u kërkohej të parashtronin kërkesat e tyre, do të bëhej pengesë e përhershme për arritjen e Pavarësisë. Gjithashtu nuk dëshironin as të çarmatoseshin. Njëkohësisht, as qëndrimi i francezëve nuk na ndihmoi; pa dhënë asnjë shpjegim, ata nuk pranuan t’i lejonin ofi cerët e NATO-s të hynin në kështjellë për t’u shpjeguar shqiptarëve hollësitë e planit tonë ushtarak. Në vend të tyre, këto shpjegime i dha një avokat i Grupit të Kontaktit, i shoqëruar nga një kolonel i forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, i cili kishte mundur ta fuste vjedhurazi uniformën e tij brenda kështjellës.

Duke shfrytëzuar në maksimum atë pak kohë që kishim në dispozicion, për t’u dhënë siguri shqiptarëve, ndërmorëm një përpjekje të përbashkët duke e parë me ta të gjithë tekstin, në mënyrë që të dinin saktësisht se çfarë u kërkohej të miratonin. Ua bëmë të qartë se marrëveshja nuk do t’i pengonte të mbanin referendum, ndonëse ky nuk do të ishte i vetmi kriter që do të mbahej parasysh në përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Duke ardhur me avion nga Brukseli, gjenerali Clark u takua me shqiptarët në një bazë ushtarake ajrore jashtë Rambujes, për t’u qartësuar atyre angazhimin e NATO-s për mbrojtjen e Kosovës pasi të arrihej marrëveshja. Njëkohësisht, nxitëm Qeverinë e Shqipërisë dhe shumë shqiptarë etnikë me zë anembanë botës, që të mbështetnin marrëveshjen. Ndërkohë, unë vetë nuk lashë fjalë pa thënë për të bindur delegacionin.

Rezultati i gjithë kësaj përpjekjeje ishte përparimi i bisedimeve. Kur i filluam bisedimet të martën në mbrëmje, nëntë anëtarë të delegacionit kishin votuar kundër. Të hënën, ai që kundërshtonte ishte vetëm Thaçi. Ai paraqiste një problem të veçantë, pasi ishte shumë e vështirë të futej në hollësitë e marrëveshjes. Ishte e qartë se pavendosmëria e tij nuk vinte për shkak të ideologjisë apo të ndonjë presioni nga ana e delegatëve të tjerë. Ai ruante lëkurën e vet. UÇK-ja nuk ishte monolite. Tashmë kishte nisur një luftë për pushtet midis komandantëve të UÇK-së dhe figurave të jashtme në hije, që furnizonin guerilët me para dhe armë. Kjo shpjegonte edhe thirrjet telefonike të pafund me celular të bëra nga Thaçi dhe ndihmësit e tij. Udhëheqësi i UÇK-së, kishte parë në televizor Jamie Rubinin të denonconte Millosheviçin dhe të dy kishin zënë miqësi. Ndërkaq, Thaçi i tregoi Jamies se kishte frikë për jetën e tij.

Pas dështimit të së martës, fillova të përdorja taktika të shumëllojëta. Së pari, i thashë Thaçit se ishte një udhëheqës i madh i mundshëm. Kur nuk më doli gjë me këtë, i thashë se ishim zhgënjyer me të dhe se gabohej nëse mendonte se do t’i bombardonim serbët edhe sikur shqiptarët ta hidhnin poshtë marrëveshjen. Në një rast të tillë, nuk do të arrinim kurrë të siguronim mbështetjen e NATO-s. “Nga ana tjetër, – i thashë, – nëse ju thoni “po” dhe serbët thonë “jo”, NATO-ja do të godasë derisa forcat serbe të largohen nga Kosova dhe forcat e saj të hyjnë brenda. Në këtë mënyrë, do të keni siguri dhe do të jeni në gjendje të vetëqeveriseni”.

Thaçi u përgjigj se synimi i vetëm i UÇK-së ishte lufta për pavarësi dhe se për ta do të ishte shumë e vështirë të hiqnin dorë nga një gjë e tillë. I thashë: “Ju s’keni pse të hiqni dorë, por duhet të tregoheni realistë. Kjo marrëveshje është për tre vjet. E dimë se problemi është te Millosheviçi. Por gjendja mund të paraqitet krejt ndryshe pas tre vjetësh. Ky është shansi juaj. Kapeni atë, sepse nuk do t’iu vijë kurrë më”! Ndonëse shihej qartë se ndihej i turpëruar dhe thuajse me lot në sy, përsëri Thaçi nuk tha “Po”. E hëna do të ishte pa diskutim dita e fundit e plotë e bisedimeve. Grupi i Kontaktit kishte caktuar një afat përfundimtar për ditën e martë në orën tre pasdite. Duke zhvilluar takime të veçanta gjatë gjithë fundjavës, ndihesha tejet e brengosur. Të dyja delegacionet nuk po tundeshin nga qëndrimet e tyre. Dukej se të gjithë ishin llastuar nga ushqimi i përkryer francez. Gjatë një vakti, dikush u ankua: “Pse nuk ka djathë?”. Isha gati të shpërtheja. Gjatë gjithë pasdites vrava mendjen se si ta bindja Thaçin. Kisha marrë në telefon të gjithë ata që mendoja se mund të ndikonin mbi udhëheqësin e UÇK-së, ndaj më në fund vendosa të provoja edhe Adem Demaçin. Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit të ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm. I telefonova në Slloveni, ku ndodhej dhe i kërkova ta nxiste Thaçin që të mbështeste qëndrimin tonë. Demaçi u përgjigj se nuk mund të pajtohej me gjithçka dhe se donte të takohej personalisht me mua; më sugjeroi që të shkoja në Slloveni dhe të bisedoja me të. I thashë:

-Ka dy javë që palët po bisedojnë; edhe fare pak orë kanë mbetur që të skadojë afati i fundit. Mund të takohem me ju në të ardhmen por tani ju duhet t’i jepni Thaçit miratimin tuaj. Në rast se nuk e bëni këtë, dështimi do t’iu ndjekë si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e thjeshtë do të vriten.

Demaçi tha: – Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë. Iu përgjigja: – Propozimi im nuk do të thotë që ju të hiqni dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. Thuajini Thaçit se e mbështetni atë.

Demaçi ma priti: – Është e pamundur. E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedimet më rrënqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time.

Pavarësisht nga Demaçi, presioni ynë më në fund pati sukses. Ne nuk ishim të vetmit që ishim të zhgënjyer nga Thaçi. Pjesa tjetër e delegacionit shqiptar, po bindej gjithnjë e më shumë se marrëveshja ishte e favorshme dhe se do të mbështetej nga shumica e kosovarëve. Për ditë të tëra kishim folur rreth faktit se shqiptarët nuk do ta nënshkruanin vërtet marrëveshjen, por vetëm premtonin një gjë të tillë. Kjo qasje kishte epërsinë që na jepte mundësi t’i nxitnim serbët, por njëkohësisht u jepte atyre mundësi ta nënshkruanin marrëveshjen. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, delegacioni nervoz kosovar donte të sigurohej se zgjedhësit që kishin pas, do ta mbështetnin një veprim të tillë.

Ditën e martë, teksa afrohej afati përfundimtar i orës tre pasdite, Thaçi vazhdonte të mbetej ende problem, por pikërisht atëherë Veton Surroi, “sekretari” i delegacionit shqiptar, i mori vetë punët në dorë duke propozuar daljen me një deklaratë të shkurtër, ku thuhej se delegacioni shqiptar e kishte miratuar marrëveshjen dhe se do ta nënshkruante atë brenda dy javësh, menjëherë sapo t’ia shpjegonte kushtet e saj popullit të Kosovës. Ndërkohë që Surroi dhe të tjerët po punonin me tekstin e deklaratës, Thaçi vazhdonte të debatonte shumë rreth tekstit si për versionin anglisht, ashtu edhe për atë shqip. Përfundimisht, Surroi u shpreh se mund të mbaronin punë vetëm nëse Thaçit i mbushej mendja të largohej nga dhoma për pak minuta. Juristi ynë, Jim O’Brien, gjeti mënyrën më të mirë për ta joshur dhe larguar Thaçin nga dhoma duke i thënë se Jamie Rubini kërkonte të takohej me të. Kështu Jimi dhe Thaçi shkuan të gjenin Jamien, të cilin nuk mund ta gjenin pasi ishte duke informuar shtypin. Më në fund, Jamie erdhi dhe doli me Thaçin, duke u përpjekur t’ia hiqte mendjen duke i folur për filmat dhe Holliwoodin. Pas pak Surroi e përfundoi deklaratën ndaj na duhej edhe Thaçi. Kështu, Jimi e mori edhe një herë Thaçin dhe e drejtoi për nga zyra, ndërkohë që Jamie gjoja ankohej: “Hej, po unë sapo ndeza cigaren!”. Kur u kthye në zyrë, Thaçi u përpoq përsëri ta ndryshonte tekstin, por Surroi nuk donte të pranonte asnjë ndryshim. Deklarata e nënshkruar nga Surroi iu kalua ministrave të jashtëm të Grupit të Kontaktit dhe Jamie e shpalli atë publikisht.

Pavarësisht nga përplasjet dhe dështimet, ikëm nga Rambujeja me pjesën më të madhe të atyre që kishim kërkuar. Ndërkaq, kishim një delegacion shqiptar pak a shumë të bashkuar si dhe një vizion të qartë se ç’formë do të kishte një Kosovë demokratike në të ardhmen. Shqiptarët kishin debatuar dhe ishin lëkundur, por përfundimisht kishin zgjedhur paqen. Dy javët e ardhshme, Thaçi u përpoq të sqaronte komandantët dhe kuadrot e UÇK-së për Marrëveshjen e Rambujesë. Ai u rishfaq përsëri pak përpara se të fillonin bisedimet në Francë më 15 mars dhe e shoqëroi delegacionin në Paris. Aty nënshkruan zyrtarisht Marrëveshjen prej tetëdhjetë e dy faqesh në një ceremoni pesëminutëshe, e cila u bojkotua si nga delegacioni jugosllav, ashtu edhe nga bashkëbiseduesi rus.

Çfarë do të bënte tani Millosheviçi? E kishim njoftuar se ishim të gatshëm të diskutonim edhe rreth disa shqetësimeve të veçanta të palës serbe. Megjithatë, nuk mund të pranonim kompromis rreth pranimit të dërgimit të një force paqeruajtëse të NATO-s, ndonëse ishim të gatshëm të punonim me të për mënyrën e përcaktimit të misionit. Kishim propozuar të bisedonim për një marrëveshje ku të thuhej se NATOja do të hynte në Jugosllavi si e ftuar dhe jo si pushtuese; madje sugjeruam që serbët t’i cilësonin trupat e NATO-s si “antiterroriste”, pasi një pjesë e funksionit të tyre do të ishte çarmatosja e UÇK-së.

Disa nga ata që rishikojnë historinë, kanë pretenduar se me vetëdije i kemi anashkaluar disa sinjale të Beogradit, sipas të cilave Millosheviçi ishte i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje. Ky ishte budallallëk. Nëse serbët do të kishin qenë seriozisht të interesuar për të biseduar, një gjë të tillë mund t’ia kishin thënë çdonjërit prej vizitorëve të huaj që vërshuan në Beograd në fi llim të marsit. Por mesazhi i pandryshuar, i marrë nga zyrtarët rusë, grekë, të BE-së, amerikanë apo të NATO-s ishte i njëjtë. “Jo, – thoshin serbët, – nuk e pranojmë një forcë ushtarake nga jashtë! Do ta përballojmë vetë kërcënimin terrorist në vendin tonë, sipas mënyrës sonë. Dhe nuk do zgjasë shumë”. Në mes të marsit, Ivanovi shkoi në Jugosllavi dhe aty gjeti “vetëm idiotë, të gatshëm për të shkuar në luftë”.

Për javë të tëra, ndërkohë që ndiqnim zhvillimet diplomatike në Europë, vijonim të punonim vazhdimisht me Kapitol Hilin. Ndonëse kishim mbështetje të fortë nga senatorë të fuqishëm që ndiqnin politikën e jashtme, si Joe Bideni dhe Richard Lugari, në të dy krahët kishte njerëz që na kritikonin për rrugën që kishim ndërmarrë. Disa prej tyre vinin në diskutim bazën ligjore për goditjen ajrore të NATO-s, të tjerë mendonin se një luftë në Kosovë, mund të na fuste në një rrugë pa krye, ashtu si edhe Vietnami. Më të paktë në numër ishin ata që ngulmonin se Millosheviçi nuk e kishte mbushur ende kupën. Senatori Donald Nickles nga Oklahoma deklaronte: “Nuk mendoj se duhet të fi llojmë bombardimet për sa kohë që serbët nuk kanë ndërmarrë ende një masakër të vërtetë“.

Pas ditësh të tëra me seanca dëgjimore, takime, informime dhe thirrje telefonike, përfundimisht ia dolëm mbanë. Fare pak kohë përpara ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujes, në mes të muajit mars, Dhoma e Përfaqësuesve votoi 219 me 191 në mbështetje të Planit të Presidentit për dërgimin e trupave për zbatimin e një marrëveshjeje paqeje, në rast se një gjë e tillë do të arrihej. Ndonëse ky votim parashikohej të kishte karakter partiak, patëm mbështetjen e kryetarit të dhomës, Denis Hasterit, dhe të republikanëve të tjerë të respektuar, siç ishte përfaqësuesi i Ilinoisit, Henry Hyde. Ndërkohë që po përfundonte afati kohor për ndjekjen e rrugës diplomatike, senati votoi 58 me 41 për të autorizuar Presidentin të mbështeste bombardimet e NATO-s. Të paktë ishin ligjvënësit që besonin në këtë perspektivë, por shumica ishte dakord në atë që mundësitë e tjera ishin shumë më pak të pranueshme.

E paralajmëruam vazhdimisht Millosheviçin që të mos e ndërmerrte ofensivën, por po e shihnim se po përgatitej për të mos u kthyer mbrapsht. Beogradi kishte çuar në Kosovë pothuaj 50 përqind më shumë forca të sigurimit se në sulmet e 1998-s. Bashkëbiseduesit e tij erdhën në Paris me një vizion krejtësisht të ndryshëm nga ai i Grupit të Kontaktit, duke fi lluar nga fshirja e fjalës “paqe”. Ndoshta Millosheviçi mendonte se ne po talleshim ose se rusët do të gjenin mënyrën për t’ia prishur planet NATO-s. Mbase dëgjonte edhe këshilla të këqija, që i thoshin se mund ta fi tonte lehtë luftën në Kosovë. Ndërkaq edhe mund të mendonte se do të ishte i fuqishëm duke luajtur rolin e viktimës. Sidoqoftë, bëri zgjedhje të këqija. Kurse ne duhej të bënim zgjedhjet tona.

Më 19 mars, ekipi ynë i politikës së jashtme u takua me Presidentin për të analizuar variantet tona. Nuk kishte variante të mira. George Teneti na raportoi se ofensiva serbe kishte filluar dhe se kishte bërë të tërhiqeshin disa njësi të UÇK-së. Numri i refugjatëve dhe i personave të zhvendosur po rritej me shpejtësi. Vlerësimi ushtarak ishte gjithashtu i zymtë. Civilët në Kosovë ishin fare të pambrojtur ndaj sulmeve serbe. Të paktën në fi llim, sulmet ajrore të NATO-s nuk kishin si t’i ndihmonin. Kishte rrezik që shumë njerëz të pafajshëm të vriteshin ose të plagoseshin. Një fushatë ajrore e NATO-s drejtuar kundër burimeve të pushtetit të Millosheviçit do ta dobësonte atë, por nuk e dinim sa kohë mund të rezistonte ai.

Ndërsa dëgjoja, shihja Presidentin. Sytë e tij shprehnin gjithë zymtësinë që ndjeja edhe unë. Në prag të 50-vjetorit të krijimit, përherë të dytë në gjithë historinë e vet, pas luftës së parë në Bosnjë, NATO-ja ishte sërish gati për luftë. Qëllimi ynë ishte të fi tonim mbështetje për një marrëveshje që nuk pasqyronte aq qëllimet përfundimtare të shqiptarëve, as të serbëve. Fitorja do të thoshte angazhim afatgjatë ushtarak për të ruajtur rendin në një zonë tejet të rrezikshme, por tërheqja ishte e papërfytyrueshme. Vendimi ynë ishte pjesë e një zgjidhjeje midis autokracisë dhe demokracisë, midis fanatizmit dhe tolerancës në zemër të Europës. Thashë: – Dëgjoni, duhet të kemi parasysh se qëllimi i përdorimit të forcës, është që t’i japim një herë e përgjithmonë fund maskarallëkut të tipit të Millosheviçit. Nuk ka garanci se do të triumfojmë, por zgjidhjet e tjera janë më të këqija. Nëse nuk veprojmë tani, do të na duhet të veprojmë më vonë, ndoshta në Maqedoni, ndoshta në Bosnjë. Millosheviçi ka zgjedhur luftën. Nuk mund ta lëmë të fitojë.

Presidenti më miratoi duke thënë publikisht: -Kur ke të bësh me agresorë në Ballkan, ngurrimi nënkupton që t’u japësh leje të vrasin.

Dërguam në Beograd Dick Holbrooken, i cili do të bënte një përpjekje të fundit për ta bindur Millosheviçin të ndalte ofensivën e tij. Por bisedimet nuk patën kurrfarë rezultati, për të mos thënë që përfunduan në shërbim të taktikave të Millosheviçit për t’i zvarritur punët, kështu që i dhashë urdhër Holbrookut të kthehej. Sikurse kuptohej edhe nga fjalët e Presidentit, nuk mund të prisnim më gjatë. Duke nisur ofensivën e tij, Millosheviçi na kishte detyruar të vepronim. Pra, na duhej të vepronim, ndonëse çasti ishte edhe aq i përshtatshëm. Kryeministri rus, Primakov, ishte në rrugë e sipër për vizitë në Shtetet e Bashkuara. Kur Al Gore e informoi me telefon se bombardimet e NATO-s do të nisnin shumë shpejt, Primakovi, i inatosur, e urdhëroi pilotin të ndryshonte kursin e fl uturimit dhe të kthehej sërish në Moskë. Pak orë më vonë, në mbrëmjen e 23 marsit, sekretari i përgjithshëm, Solana, urdhëroi gjeneralin Wesli Clark të niste operacionin e goditjeve ajrore. Kish kaluar mesnata. Isha kthyer në shtëpi e këputur nga lodhja, por ndenja deri vonë para televizorit për të parë emisionin e lajmeve. Pothuaj më kishte zënë gjumi, kur ra telefoni. Ishte presidenti. Ai tha: “Po bëjmë atë që duhet. Do të kemi një rrugë të gjatë dhe është diçka që nuk do të mbarojë shpejt, por mendoj se i kemi parë të gjitha alternativat”. Së bashku, nisëm të radhitnim të gjitha përpjekjet që kishim bërë për të gjetur një zgjidhje diplomatike, përfshi edhe pesëmbëdhjetë udhëtimet që kisha bërë për t’u këshilluar me aleatët gjatë një viti më parë. Folëm për përgjegjësinë që kishim ndaj kosovarëve dhe veçanërisht ndaj forcave tona të armatosura. Dërgimi i të rinjve dhe të rejave në luftë është vendimi më i vështirë që mund të marrë një president. Sa herë që kam vizituar trupat amerikane, jam përpjekur të vendos kontakte pamore me to, në mënyrë që të ngulitja në mendje fytyrat e tyre. Asnjë udhëheqës amerikan, nuk mund të angazhojë trupat në një ndërmarrje ushtarake pa i peshuar mirë e mirë të gjitha kostot. Në këtë rast, ne e kishim bërë këtë. Presidenti tha përsëri: “Mendoj se po bëjmë atë që duhet”. – “Po, zoti President, – i thashë. – Po bëjmë atë që duhet”.

Please follow and like us: