Albspirit

Media/News/Publishing

Hektor K. Lole: Tre javë pas shembjes së Kupolës së Përmetit…

Reagimet e shumta në rrjetet sociale e shprehën më së miri shqetësimin qytetar përmetar për veprimin barbar të shkatërrimit të Kupolës. Është “luks” i tepëruar për një vend me qytetari si Përmeti për të shkatërruar një objekt të tillë, i cili ishte vlerësuar me çmim të parë për harmonizimin e arkitekturës me artet e aplikuara, në Konkursin Kombëtar me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtimi nazi-fashist. Objekti “Kupola” nuk ishte amortizuar aspak as në vlerat arkitektonike e as në qëndrueshmërinë konstruktive. Ajo ishte amortizuar apo shkatërruar vetëm në punimet e interierit dhe të arredimit. Në çdo rikonstruksion apo rivitalizim, që do t’i bëhej objektit, duheshin hequr e zëvendësuar me materiale bashkëkohore detyrimisht ato elemente, që realisht ishin prishur apo zhdukur, si vetratat, dritaret e dyert, parapetet e brendshme, veshjet me dru, ndriçuesit e pa dyshim paisjet e mobiljet e ndryshme. E vetmja gjë që nuk mund të zëvendësohej kursesi ishte veshja e sipërfaqeve me qeramikë dekorative të pjekur, pra vetëm ajo vepër arti e pa përsëritshme. Në librin e ing. Ibrahim Emirit “Mbresa të një projektuesi”, botuar e publikuar para një viti, autori i projektit e ka dhënë opinionin profesional për të ardhmen që mund të kishte ai objekt: “Mbas periudhës 30 vjeçare të shfrytëzimit primitiv e sidomos të braktisjes, “Kupola“ me vlerat unikale të saj natyrisht që ka nevojë për rikonstruksion e rivitalizim, në përshtatje me kërkesat e reja dhe mundësitë e mëdha materialo-teknike të kohës. Me studion projektuese të arkitekturës “M.A.-Studio & Partners” (Modelling Architecture) kemi përpunuar një projekt-ide për rivitalizimin e objektit “Kupola”, duke përshtatur e shtuar edhe hotelerinë, sipas kërkesave bashkëkohore”. Fatkeqësisht ky opinion profesional nuk u vlerësua nga organet vendim-marrëse, por u bë fakt i kryer shkatërrimi i beftë i Kupolës, duke shpërfillur brutalisht edhe opinionin e qytetarisë përmetare. Realisht ai objekt ndërtimor i përkiste të gjithë publikut si imazh urban, aq sa u quajt edhe si një nga simbolet e Përmetit. Prandaj reaksioni publik kundër prishjes së tij ishte i fortë e masiv. Fatkeqësisht, injoranca dhe aroganca e mposhtën, duke e poshtëruar qytetarinë e fisnikërinë përmetare. Prandaj shkatërrimi i Kupolës i befasoi përmetarët dhe u pasua natyrshëm me kundërshtime e komente të shumta në rrjetet sociale, prej të cilave disa e vleresuan jo vetem nga ana arkitektonike por dhe nga ana shpirterore. Ideatori dhe mbështetësi kryesor i projektimit dhe realizimit të objektit ka qenë i ndjeri Resul Zani, ish Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, por “Kupola” ishte krijesa e projektuesit të saj Ibrahim Emiri dhe mund të konsiderohet “pronë intelektuale” e tij. Pasi u ndërtua me fonde publike dhe u vu në shërbim të qytetareve, Kupola u bë vetiu pronë e publikut të gjerë, deri sa u privatizua për t’u zhvlerësuar gradualisht, duke kaluar dorë më dorë deri tek pronari i fundit, i cili ka “meritën” që e shembi përfundimisht. Shkatërrimtarët e shembën “Kupolën” në Përmet, duke lenë një shije të hidhur tek qytetaria përmetare, por nuk do të jetë çudi që një variant i ri i saj të ndërtohet përsëri, sigurisht larg Përmetit, sipas një projekti të rinovuar në kushte bashkëkohore.
Please follow and like us: