Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue UKAJ: DASHURIA POETIKE E SHERIFIT

Poezia e Skënder Sherifit është një oazë e veçantë letrare, ku gërshetohen e bukura dhe e dobishmja, brenda një konfigurimi të përpunuar, ku idetë dhe figurat letrare, harmonizojnë tërësinë e një poezie specifike, si tematikë, dhe si realizim estetik. Lexuesi i kultivuar, sapo hap faqet e para të poezisë së Sherifit, e kupton se përpara ka një poezi që thotë shumë, një poezi me plotë konotime stilistike, ritmike, semantike e preferenciale, një poezi që përfshin një kontekst të gjerë, që përqafon universin me kompleksitetin e tij-elementet këto të transfiguruara në poezinë e Skënder Sherifit në mënyrë mjeshtërore. Në të vërtetë, nëse e lexojmë me kujdes librin me poezi LOVE, vërejmë se ajo është një poezi që artikulohet ndryshe nga poezia që krijohet në hapësirat shqiptare, sepse edhe autori i saj shquhet për autenticitetin në ide, ashtu sikurse edhe me jetën, formimin jashtë, dhe përvojën e tij internacionale, zhvilluar në një ambient kulturor të pasur dhe brenda një lirie të pa kufi, siç është bota frankofone.
Pra, kemi të bëj me një krijues me një potencë të fuqishme, me perceptim të çuditshëm për botën rreth nesh, për historinë dhe të tashmen, për metafizikën dhe realitetin, dhe sidomos për Dashurinë dhe variantet e saj erotike, sensuale, platonike, romantike, sentimentale, lirike, filozofike, idealiste, tema e motive këto që bëhen bërthama e poezisë së tij. Si perceptohet Dashuria, si shprehet, çfarë janë sensacionet, emocionet, intuicionet, instinktet, mendimet, fantazmat që i përmban?
Luhatjet, dhimbjet, ekstazat, hovet e zjarrta, lotët, si futen gjitha këto përjetime intime dhe personale dhe bëhen muzikë poetike, në harmoni të përpiktë që krijon një lloj do të thoshim, opera të Dashurisë tokësore në vargje. Dihet nga të gjithë ne, se kjo ndjenjë fisnike e Njerëzimit është temë e përhershme dhe e përjetshme e krejt letërsisë botërore, qysh në fillimi i saj. Mirëpo, rrallëkush e ka shprehur me stilin unik e origjinal sikur Skënder Sherifit, i cili di ta ilustroj aq bukur në poetikën e tij, me një imagjinatë befasuese, me imazhe dhe metafora të gjetura estetike dhe tepër të guximshme, madje qysh në titullin inicial LOVE, që tingëllon si një slogan i përhershëm, si një klithmë, si një ofshamë, si një pyetje poetike universale që: Ç’është pra Dashuria e filtruar nga Sherifi?
Pas 500 faqeve të shkruara me një dendësi poetike origjinale, me një tipologji poetike autonome dhe të pasura, ne shohim se aty flet jo vetëm poeti, por krejt bota artistike, filozofike e teologjike e 5 kontinenteve të globit, personalisht të ftuar nga vetë autori në librin e tij, pa i harruar dhe kineastët, piktorët, skulptorët, muzikantët, këngëtarët, grupet muzikore të famshme botërore, fotografët, arkitektët, të cilët krijojnë brenda librit një eko, rezonanca të  brendshme, në raport me poezitë e autorit kushtuar femrave. Pra, me gjithë këtë multidimensionalitet të veprës, lexuesi pushtohet, fundoset në një huti, orgazëm mendor, mahnitje estetike. Në të vërtet është ngjarje me rëndësi për kulturën tonë dhe poezinë shqiptare, botimi i këtij libri, ngase libri
LOVE, i cili na vjen para lexuesit pas një reputacioni të madh në opinioni frankofon perëndimor, ngase ishte në Top 10-shin e veprave më të mira të vitit 2008 në Belgjikë, sipas mendimit të shtypit belg. Kjo vepër tani po na vjen katër vjet pas, me një përkthim të bukur në gjuhën shqipe nga Albert Nikolla (i cili na ka pas ofruar në shqip dhe veprën e Sherifit të botuar në Tiranë në vitin 2005:”Ateljetë e ëndrrave”). Shihet qartë që kjo vepër buron nga shpirti, motivohet nga konteksti kohor i autorit dhe ka një porosi evidente dhe kësisoj shfaqet para opinionit kulturor e letrar shqiptar, me një estetikë sublime e origjinale. Kjo për faktin se autori me mjeshtërinë dhe potencë kreative eksploron, provon disa eksperimentime me gjuhën poetike, me fjalën, me vargun, me muzikalitetin dhe luan pafundësisht me nivelet gjuhësore, me sensin e thellë e të fshehur, duke e gdhend mendimin deri në imtësi. Autori me imagjinatën e tij të bujshme sikundër e argumenton mendimin e studiuesit të mirënjohur bashkëkohor amerikan Harold Bloom që thotë:”Poezia është kurora e letërsisë imagjinative”. Poezia e Sherifit, e ndërthurur nëpërmjet harmonizimit të se bukurës dhe të dobishmes (Horaci) është një polifoni poetike, ku emocionet ecin krahas figurave të gjetura, ndërkaq imagjinata poetike përplotësohet dhe ushqehet pastaj me dijen për artet, e veçmas për artin e poezisë. Kësisoj kjo poezi është jo vetëm origjinale, por propozon edhe një model të veçantë, nëpërmjet të cilit autori sjell para lexuesit ritmet e një poetike që është krijuar nga një njeri i frymëzuar dhe i mishëruar me poezinë. Në poezinë e Sherifit, arti e sidomos poezia është jeta, dhe që jeta është art e poezi, kjo e
fundit e filtruar me gjuhën, dhe stilin e artistit që aspiron gjithmonë liritë e pakufishme, pa korniza dhe barriera. Jeta dhe liria nuk ka korniza, apo kufizime, apo tabu, po ashtu as arti i Sherifit, i cili është pasqyrim i asaj jete që lind dhe vjen bruto, që ndryshon nga një moment e në tjetrin, dhe si rezultat na del një poezi atipike, e pa formatizuar, jashtë ideve dhe klisheve, shkollave dhe rrymave artistike të kodifikuara nëpër dijet letrare, na del pra një art autentik, burimor, i rafinuar, spontan, diçka që krijon të çdo lexues detyrimisht befasi dhe magji. Duke e lexuar poezinë e Sherifit, lexuesi i kultivuar dhe ai model i letërsisë (Umberto Eco) kupton se vepra tij na vë në pyetje, na luhatë, na propozon diçka tjetër, na trondit botëkuptimet tona poetike. Pra, para nesh na shfaqet një poezi post-moderne, alkimi e sintetizim personal e intim, sikur do të mund të thoshim”à la Skënder Sherifi“, me plotë referenca, shtresa semantike, nivele gjuhësore dhe me një shpalosje kulturash dhe përjetimesh universale, por edhe me elemente shqiptare të trashëguara si reminishencë kulturore e estetike. Poezia e tij, kësisoj është një poezi që kumbon, zhurmon, provokon, deklamon, tregon, që grish dhe hap dilema të pafundme për vetë jetën, fatin njerëzor, dhe qenësinë e poezisë, për Dashurinë dhe femrën, e cila është tema dominante e kësaj vepre poetike. Pos gjitha sensacioneve dhe emocioneve evidente, autori e përpunon në laboratorin e tij krijues dhe poetik, jetën e tij, por edhe të Njerëzimit, duke e demonstruar idenë që:”gjuha është një krijim estetik” (Jorge Luis Borges) për ta përmbushur universin. Me një poezi e cila ndërkomunikon me botën e madhe të letërsisë, duke përftuar trajta, figura dhe simbole letrare te reja, nga konfrontimi me kultura të ndryshme, që janë dëshmua ndër shekuj si gurrë frymëzimi për artet e ndryshme. Mbi këtë bazë kulturore të gjerë, vjen pastaj eksperienca personale e konkrete e jetës në të gjitha format dhe variantet e saj. Ky miksim mes kulturës dhe jetës, Shqipërisë tradicionale, antike, zakonore dhe kontradiktore dhe botës kozmopolite postmoderne amerikano-evropiane, krijon pra origjinalitetin e poezisë të autorit, i cili luan mrekullisht mirë me këto luhatje surrealiste dhe paradokse tragjikomike, por duke e ruajtur humanizmin dhe Dashurinë si vlera  shpëtimtare, mirëpo edhe duke i denoncuar të gjitha absurditetet dhe padrejtësitë tokësore. Në këtë mënyrë, poeti e vendos Njeriun në epiqendrën e artit të tij. Nuk jemi fare në abstraksione të kota, në zbrazësi formale, në fenomene modash, pasi që në zemrën e poezisë të Sherifit e kemi Njeriun me fatin e tij, e kemi humanitetin global e personal, Dashurinë, kulturën, artin, revoltën kundër të keqes, denoncimin e të gjitha negativiteteve njerëzore, pra e kemi Botën që sillet rreth nesh me gjitha ngjarjet e saj dhe përplasjet e saj. Pra kemi një art që kërkon esencat dhe shtron dilema pikërisht për esencat, një tipar që rrallë mund të gjendet në poezinë moderne aktuale. Dhe pastaj, si rrjedhimësi e kësaj shfaqen këto elemente të ndryshme: virtuoziteti i autorit, shpikjet e tij, teknika e të shkruarit, stili i tij origjinal, post-modern, lojë marramendëse me paradokset tokësore, një stil personal i pa emër, i vështirë për t’u kodifikuar dhe interpretuar. Kjo, do të thotë se ne futemi në labirintet e një poetike autonome, prandaj lexuesit duhet të ndjehet mirë në Universin dhe Stilin e Skënder Sherifit. Nga vargjet e Sherifit, predominon natyrisht tematika e madhe e Dashurisë, si energji jetësore, diçka që të çon përpara duke fluturuar nga optimizmi, i ushqyer nga pasioni i Erosit. Autori i ka integruar të gjitha rrymat letrare e artistike të mundshme në të gjitha fushat krijuese në botën perëndimore dhe amerikane dhe pastaj i ka ballafaquar, përzier me mjeshtërinë e tij, me botën dhe kulturën shqiptare, ashtu siç e ka përjetuar ai vetë gjatë jetës së tij në emigracion, në Kosovë dhe në Shqipëri. Ai shkruan pastaj një poezi me plot mistere, bukuri, enigma, çudira, dilema, ku metaforat dhe vargjet ritmike mbulojnë këndshëm mendimet e tij poetike, të cilat shfaqen në mënyre koshiente ose subkoshiente. Me Sherifin jemi gjithmonë”bordelin”, jashtë vijave të caktuara. Libri LOVE na propozohet si vepër e zhanrit”poezi” por nuk ka asnjë lidhje me librat e zakonshme që botohen kudo në botë me poezi. Kjo për faktin se gjysma e veprës është me prozë botërore. Pastaj libri na paraqitet si një spektakël teatral ose një skenar filmi. Pasi autori i fton të gjithë lexuesit në Dashur, qyteti i Dashurisë, iu propozon për ta zbuluar botën femërore, dhe Dashurinë planetare, dhe i shëtitë përmes artit e kulturës lexuesit nëpër kultura të ndryshme dhe kohë të ndryshme, duke shpalosur 5000 vjet histori, prej nga faraoni i Egjiptit Snefru e deri në Shekullin XXI në
Europë. Kjo vepër, kësisoj iu ndërton të gjitha femrave botërore një monument poetik në formën e piramidës. Autori ua kushton disa poezi, si mesazhe ose letra personale Dashurie, në formën e një homazhi shpirtëror intim. Dhe na fton edhe neve në atë intimitet, pasi që i njohim disa prej atyre femrave, si ikona kolektive, përmes famës dhe karrierës së tyre ndërkombëtare. Por, ky libër nuk këndon vetëm magjinë e femrës dhe Dashurinë, por është edhe një homazh madhështor ndaj arteve dhe kulturave tokësore, dhe ndaj krijuesve të pesë kontinenteve, të cilët na kanë zbukuruar dhe pasuruar jetën tonë rutinore.
Arti për Skënder Sherifin është frymë, oksigjen, energji spirituale, diçka simbolike e deri dikund dhe mistike, që e ngrit shpirtin kresave të përhershme të njeriut, për lumturi. Por nëse Dashuria rrjedh sikur lumi, ose gjaku në venat e njeriut, duke ia sublimuar shpirtin, nuk duhet harruar se edhe Bota gjithmonë e ka kërkuar atë. Prandaj, te autori, për rreth subjektit qendror si bazë themelore, vinë dhe shtrohen, në mënyre periferike e interaktive, gjithfarë subjektesh dhe problematika botërore. Por, më në fund dhe para apokalipsit përfundimtar triumfon jeta, erosi, Dashuria, humaniteti i autorit.
Libri LOVE na ofrohet pa rezerva si një TSUNAMI DASHURIE, ngase ndjenjat dhe sentimentet vinë si një stuhi, ndërsa erotizmi të fshinë si valët e oqeanit. Poezia e tij është një autonomi në tërësi, ndërsa vlera e saj qëndron brenda saj, si një shpërthim i pasur, brenda një kompleksiteti estetik e semantik dhe me delikatësinë e balancës së vlerës. Prandaj, në poezinë e tij, gjenden ambivalenca, metafora, ambiguiteti, tensioni, ironia, paradoksi. (Junathan Culler).
Këtë përsiatje për librin Love të Skender Sherifit, po e përfundoj me një mendim domethënës të autorit të përndritshëm, Jorge Luis Borges, nga eseja i tij i famshëm, Poezia, ku shkruan:”Estetika është aq e qartë, aq e drejtpërdrejtë, aq e papërcaktueshme sikurse dashura, sikur shija e një fruti, sikur uji. Ne ndjejmë poezinë, ashtu sikur ndjejmë afërsinë e një femre ose sikur e ndjejmë ndjesinë e maleve apo thellësinë e detit”.
Kështu, poezinë e Skënder Sherifit duhet me e ndje, por jo me e intelektualizuar, ngase autori është i hapur dhe i predispozuar me një shpirt dëlirik poetik. Me këto tipare, vepra poetike LOVE dhe universi poetik i saj, operë e këndshme poetike, të cilën duhet përjetuar dhe lexuar. Poezia është së pari sensacion, emocion, ndjenjë, dhe pastaj vjen mendimi dhe filozofia e saj. Poezia (e sidomos ajo e Sherifit) buron nga shpirti i thellë, nga një mendje e inspiruar me të
bukurën dhe që ka qëllim të bukurën. Prandaj që nga sot, lexuesi shqiptar, e ka përpara veprën poetike LOVE, e cila e fton për një takim dhe dialog aktiv me artin e saj, me intencat e saj, me tonalitetin e saj. Ajo është një poezi që të rrëmben. Meditoni mendimin e fundit: çka do të ndodhte mbi këtë Tokë të shkretë, por aq të bukur me krejt Njerëzimin nëse e imagjinoni një Botë të përmbushur e të ngopur me Dashuri? E, kjo mbase mund të jetë edhe porosia e Skënder Sherifit, si në këngët mitike të John Lenonit: “Imagine – dhe – All you need is Love”.
Prishtinë, 12 Dhjetor 2011.

Please follow and like us: