Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: KLARA KODRA, NJË PROFIL MIQËSOR, I PAAUTORIZUAR

 

 

 

Kjo, sipas meje, është prof. Klara Kodra.  Studiuese e letërsisë. Poete me disa libra dhe përkthyese nga italishtja në shqip e nga shqipja në italisht.

Jemi moshatarë. Më shumë na kanë lidhur letërsia, leximet, takimet në ngjarje letrare, sesa jeta. Unë kam qenë me një këmbë në ajër në Tiranë. Ajo këtu është lindur deri edhe pensionuar si anëtare e Institutit të Letërsisë.

Takohemi rrallë. Pimë kafe, flasim për kohëra tashmë të perënduara.

Në origjinë ajo është gjirokastrite, e bija e prof. Malo Kodrës nga lagjia ‘Palorto’. Në ca sjellje më ngjason me Kadrie Kadarenë. Të dyja të pamartuara, të dyja të thekura pas ca mënyrave të jetesës sonë tradicionale, të dyja ashike të fjalës së shkruar shqipe.

Me një ndryshim esencial.  Klara është e bija e Jolanda Kodrës, kjo një italiane, përkthyese dhe studiuese e shqipes. Pra, Klara është ndër ne një gjysmë italiane, por jo një gjysmë shqiptare. Ajo është njëqindpërqind shqiptare dhe gjirokastrite. Megjithëse (unë e di): asnjëherë nuk do ta shpallin qytetare nderi në atë qytet.

Babai i saj, gjirokastriti që në vitet ’30 studioi në Austri dhe në Itali për fiskulturë, (një çudi kjo për një gjirokastrit) solli nga Italia si bashkëshorte Jolandën, e cila jetoi e punoi këtu në fushën e përkthimit dhe të studimit.

Klara e ka italishten gjuhë të nënës. Në fëmini, në moshën 5-vjeçare ajo e dinte se do të bëhej shkrimtare dhe i dha së ëmës një tekst letrar të shkruar në italisht. 13 vjeçe ka botuar poezi në revistën “Nëntori”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve.

Në moshën rreth 10-vjeçare nga shkolla i kërkojnë të shkruajë një hartim me temë: “Unë e dua shumë Partinë”. Foli me nënën, i tha: nuk jam fort e sigurt që e dua shumë Partinë. E po mirë… bëj sikur e do shumë – ia ktheu Jolanda, përkthyese e Gj. Fishtës.

E ëma… po e mësonte të mos ishte e sinqertë?!

Klara e asaj moshe, vagullt, por e donte Partinë, Partinë që ati i saj, si i kulturës perëndimore, nuk e kishte fort për zemër… Klarës, së edukuar me “frymën e re”, ati i saj i dukej i “botës së vjetër”, një “i prapambetur”.

Prej natyre, Klara ka qenë e tërhequr. Ecte si e pa vënë re nëpër rrugët e Tiranës. Një ecje e lehtë dhe aq e butë sikur nuk donte të mëshonte fort mbi tokë. Në mbledhjet, në festa, dreka a darka, ajo nuk flet. Të sheh me një vështrim si prej askundit sa të duket se nuk është fare aty. Nuk i lëviz asnjë muskul kur të tjerë këndojnë thërrasin. Por ajo i ndien, i sheh, i shijon të gjitha, i mban mend dhe i gjykon thellë atje në mendjen e saj.

Fshehtësia, veçse tipar individual, është tipar i gjirokastritëve. Në atë qytet nuk e merrje vesh se kush ishin kushërinj, vëllezër, apo krushq. Në jetën publike, në kafe pazari, në rrugë, punë… ata i kthenin shpinën njëri-tjetrit. Në ksoll, në raste vdekjesh, bëheshin bashkë. Dhe kur ndonjëri syresh kërcënohej nga ndonjë e keqe, bëheshin grusht. Bashkë, por të padukur. Si në një tregim të Kadaresë, atje punonin, punojnë “kalimet e nëndheshme”.

Në dukje e vetmuar, KLARA ka ditur të jetë e dhemshur. Kur motra e saj e vogël, e dashuruar, ia kish nevojën, ajo i rrinte pranë, duke e mbajtur të fshehtën të kyçur edhe prej prindërve.

Klara Kodra studiuese mund të shkruajë një tekst në italisht, po aq mirë sa dhe në shqip. Është njohëse e mirë e letërsisë dhe e kulturës italiane. Kjo e ka “ndihmuar” të shkruajë disa nga monografitë më të bukura për shkrimtarët arbëreshë të traditës, për De Radën, për Seremben, për Anton Santorin…

Me këto hollësi dua të shpjegoj atë që Klara e ka gdhirë dhe e ngrysur jetën mbi libra. Jeta e saj është letërsia, fjala e shtypur, fjala e shkruar.

Sot, kur e ftojnë në një takim letrar, ajo përherë vjen me një tekst të shkruar. Të shkruar me dorë, me stilolaps mbi letër. Dhe e lexon me atë zërin fëminor që pak ka ndryshuar edhe në këtë moshë, në rrjedhë të viteve.

E lidhur fort dhe përgjithmonë me letrën, me “letrat”.

Ende sot… vazhdon po kështu.

Më datën 8 nëntor 2022, ishte e gëzuar kur më mori në telefon..

(I pari duhet ta kisha marrë unë).

Lexo ‘ExLibris’, dëgjova në telefon. Jam munduar të shpjegoj enigmën e poezisë tënde, më tha.

E falënderoj. Shumë… shumë.

Please follow and like us: