Albspirit

Media/News/Publishing

GJENERAL ENRIKO TELINI, DËSHMORI I KOMBEVE QË RA PËR SHQIPËRINË

(Në kuadrin e 110 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar si dhe në mirënjohje të bijëve të kombeve të tjerë, që kontribuan për t’ju dhënë të drejta shtetit shqiptar)

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Gjenerali italian Telinin është një martir i Lidhjes së Kombeve, një figurë tashmë e përbotshme e paqes së kombeve ballkanike. Ai punoi për kombet në paqe; jetoi me ndershmëri dhe vetë jetën ia kushtoi drejtësisë. Vepra e gjeneral Telinit është përjetësuar në libra dhe botime enciklopedike. Emërtimin “Gjeneral Telini” e mban një shesh në Firencie; një rrugë në Milano. Presidenca italiane vendosi dekorata me emnin “Enriko Telini” gjeneralëve për trimëri të forcave të armatosura qysh në vitin 1923. Para më shumë se gjysëm shekulli një shtatore e burrit të madh që dha jetën për kufijtë e Shqipërisë ishte në kryeqytetin tonë. Një rrugë mbante emrin “Gjeneral Telini” (rruga pas godinës Presidencës deri tek ura e re e Lanës) si dhe shëtitorja “Gjeneral Telini” e përuruar më 27 gusht 1933, 10 vjet pas vrasjes në fushën e nderit; një bust i Gjeneral Telinit punuar nga Odise Paskalit ishte vendosur në krye të shëtitores në 18-vjetorin e vrasjes (27 gusht 1941), që u vendos në një nga sheshet qendrore të Tiranës, para Akademisë së Shkencave. Për përjetimi memoristik në kujtim të Gjeneral Telinit, ju dha emri edhe një rruge në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1938, që është pasqyruar edhe nga shtypi i kohës e veçanërisht revista “Diana”. Nga italianët vepra e Gjeneral Enriko Telinit është vlerësuar si, “Martir i mbrojtjes së tokave shqiptare në vitin 1923”, nga shqiptarët është në rrugën e rivlerësimit, sepse Telini u vra pikërisht për drejtësinë e kufijve të shtetit shqiptar. Historia dhe e vërteta janë një kur dëshmojnë ndershmëri. Shqiptarët kanë një thënia popullore: “Më mirë vonë se sa kurrë”. Gjeneral Telini ishte i dyti pas Presidentit Udrou Ëillson, që siç e vlerëson Fan Noli: “.. jo vetëm nuk vuri firmën, por u përgjegj dhe me dy nota, që janë dy nga xhevairet më të ndritëshme të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë që gëzojmë sot..”. Është kjo arsyeja që Gjeneral Telini, ky kontribues real në çështjet historike shqiptare meriton përkujtim dhe nderim; siç meriton edhe vendosjen në enciklopedinë shqiptare aktualisht  të munguar. Gjeneral Telini i bën nder Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ai është një emër dhe një mik i rivlerësuar i shqiptarëve. Auditorimi më i ri pranë Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu” mban një emër tashmë të njohur “Gjeneral Telini”,  që u vendos në kuadrin e sezonit të aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010-dy popuj, një det, një miqësi” të zhvilluar para pak kohësh në vendin tonë. Gjeneral Telini është hierarku i huaj me gradën më të lartë, me kontribut të jashtëzakonshëm, që ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj detyrës e pagoi me gjakun dhe jetën e tij. Gjeneral Enriko Telini është ushtaraku madhor italian që ra dëshmor për trojet shqiptare së bashku me Major Corti, Adjutanti i Gjeneralit toger Mario Bonaçini, marrshall Renixho Farneti (shofer), përkthyesi shqiptar Thanas Kraveri nga Leskoviku, doktori Luixhi Korti dhe një shoqërues shqiptar. 

Jeta e një ushtaraku të madh. Gjenerali italian Enriko Telini ka lindur më 25 gusht 1871 në Kastelnuovo të Garfanjanës, krahinë buzëdetit në lindje të Gjirit të Xhenovës, në Italinë e Veriut. Mësimet e para i mori në shkollën e vendlindjes, kurse studimet ushtarake i kreu gjatë viteve 1884-1900 në kolegjin e Firences, në Akademinë Ushtarake në Torino në degën e Artilerisë Bregdetare dhe në Shkollën e Luftës. Gjithnjë me nota “shkëlqyeshëm”, në vitin 1890 fitoi gradën nëntoger artilerie. Mbaroi të gjitha shkollat e kualifikimet ushtarake si dhe akademi e kurse të posaçme shtabmadhorie. Në vitet 1914-1915 e dërguan atashe ushtarak në ambasadën italiane në Vjenë. Telini ishte ekspert i përkryer artilerisë bregdetare. Më vonë pas ngjitjes në karrierë ushtarake Gjeneral Telini u dallua edhe si një diplomat i spikatur. Në moshën fare të re 20 vjeçare Telini merr gradën e nëntogerit (1890). Në vitin 1914 merr gradë Major dhe dërgohet atashe ushtarak pranë ambasadës italiane në Vjenë, kryeqytet i Austro-Hungarisë. Telini ishte pjesëmarrës në luftën italo-turke dhe në Luftën e Parë Botërore. Në vitin 1915 drejtoi sërish në komanda njësish të ndryshme ushtarake, kryesisht komandues artilerie, por edhe në Shtabmadhorinë e Përgjithshme dhe në Komandën Eprore. Në 28 vjet karrierë ushtarake gradat i mori për merita dhe shërbim korekt. Ndërsa në vitin 1918 në përfundim të Luftës së parë Botërore Enriko Telini gradohet me meritë të plotë në gradën madhore Gjeneral Brigade pas shërbimit si kolonel i Shtabmadhorisë. Gjeneral Telinit i’u besuan detyra në shtabe divizioni, truparmate, në Komandën e Përgjithshme të ushtrisë dhe në Ministrinë e Luftës; komandoi artileri divizionale dhe njërën pas tjetrës, brigadat “Lombardia” e “Piacenca”. Për korektësi në shërbimin ushtarak ishte nderuar me medalje dhe urdhra të lartë. Shembullor në kryerjen e detyrave të ngarkuara, e nderuan me Urdhrin “Kryqi i Kalorësit të Urdhrit Ushtarak të Savojës”, me “Medaljen e Argjendë me Vlerë Ushtarake” dhe me “Kryqi i Oficerit të Urdhrit Ushtarak të Savojës”. Merita e Gjeneral Telinit arriti deri aty sa pas vresaje të jepej dekorata e trimërisë “Gjeneral Telini”. Ishte i njohur në fushën ushtarake, politike, diplomatike dhe për vlerat dhe veçoritë e cilësitë e larta njerëzore, vlera për të cilat më 9 nëntor 1922, Konferenca e Ambasadorëve e zgjodhi kryetar të Komisionit Ndërkombëtar për përcaktimin e kufirit shqiptaro-grek. I përkushtuar si gjithnjë për përmbushjen sa më pëlqyeshëm të detyrave të besuara nga organet shtetërore dhe ndërshtetërore, për më tepër njohës i mirë i çështjeve Ballkanike. Në nëntor të vitit 1922 Gjeneral Telini erdhi në Shqipëri. Ishte plotësisht i vendosur dhe i gatshëm për zbatimin e detyrës së ngarkuar ndërkombëtarisht. Gjeneral Telini, duke pasur të drejtën e vetëvendosjes, për 12 fshatrat devollite, përkohësisht të shpallura  asnjëanëse, po që në të vërtetë mbaheshin ende nën sundimin grek, i la brenda shtetit shqiptar, duke mbetur besnik i paepur i së drejtës duke përcaktuar fshatra e tokë shqiptare atje ku flitej gjuha shqipe.

Dëshmor i trojeve shqiptare…Kur vendoseshin kufijtë e Shqipërisë…

Mirënjohje shqiptare për Gjeneral Telinin është pikërisht se ai është martiri i vendosjes së drejtë të vijës së kufirit shqiptar. Janë të shumta skenat dhe prapaskenat në lidhje me caktimin e kufirit shqiptar. Që prej shprehjes së Bismarkut se “Shqipëria është një nocion gjeografik” e deri në vitin 1913 kishte ndryshuar mendimi evropian për Shqipërinë e shqiptarët. Nga 1878 e deri në 28 nëntorin e 1912, kur Ismail Qemal Vlora shpalli pavarësinë e Shqipërisë ka pasur zhvillime të vrullshme që u kurorëzuan me emblemën shqiptare të shekujve që është Pavarësia. Padrejtësia historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Evropës, që do të sillte ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI, kur me të drejtë shumë popuj të botës kanë një thënie, “E drejta vonon, por s’mungon.. ajo zhytet por nuk mbytet”. Këtë mësim të madh të historisë të nxjerrë nga eksperienca e madhe e kombeve e provoi dhe po e provon edhe populli shqiptar.

Në zbatim të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve

Kufijtë shqiptarë kishin një historik që niste që para fillimit të Luftë së Parë Botërore. Caktimi i kufijve të Shqipërisë u bë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Me 22 mars 1913 u vendosën përfundimisht kufijtë veriorë dhe në qershor-gusht 1913 u morën vendimet për kufijtë jugorë. Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare; njërin për kufijtë me Malin e Zi e Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Gjatë punës në terren komisionet, sidomos në jug, hasi në vështirsi të mëdha. Për këtë ju propozua Fuqive të Mëdha një vijë e re kufiri, e cila u vendos në Firence, ku Komisioni hartoi më 17 dhjetor 1913, protokollin mbi kufijtë jugorë e juglindorë të Shqipërisë, të cilët, me disa ndryshime të vogla, janë po ato që ekzistojnë edhe sot. Lufta e Vlorës nuk ishte një luftë e thjeshtë lokale por një gjëmim i kohës që coi në pranimin e Shqipërisë më 17.12.1920 në Lidhjen e Kombeve. Konferenca e Ambasadorëve “nuk po tregonte ngutje për ta kryer përzënien e të huajve nga tokat shqiptare”. Por me t’u pranuar shteti shqiptar anëtar i Lidhjes së Kombeve përfaqesia qeveritare shqiptare i parashtroi Lidhjes prerazi kërkesën : “Të dalin të huajt nga viset e shtetit shqiptar”; kërkesë kjo krejtësisht e pakundërshtueshme, sepse nuki mund të kuptohej një shtet i pavarur dhe anëtar i Lidhjes me fuqi pushtuese ushtarake brenda tij. Konferenca e Ambasadorëve e mbledhur në Paris më 9.11.1921 vendosi të ripohonte kufijtë shqiptaro-grekë, që vendimet e veta të marra në Londër më 12.12.1912 dhe më 22.03.1913 dhe atë të Protokollit të Firences më 17.12.1913. Këshilli i Lidhjes së Kombeve urdhëroi Konferencën e Ambasadorëve të përfundonte punën e lënë përgjysëm në vitet 1913-1914, për përcaktimin përfundimtar të vijës së kufirit shtetëror greko-shqiptar. Për caktimin përfundimtar të kufijve konkretisht në terren, u la të  formohej një komision me përfaqësues të Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, i cili u krijua më 8 janar 1922. Në të të merrnin pjesë  përfaqësuesi i Italisë, gjenerali Enriko Telini; Anglezi kolonel Gilles; Francezi kolonel Ordion, dhe kapiten De Limperani që ishte sekretar i Përgjithshëm i Komisionit.  Ndërsa Japonia nuk e dërgoi delegatin e saj. Kryetar i komisionit u caktua Gjeneral Enriko Telini. Pranë komisionit do të punonte dhe një komitet tekniko-gjeografik.  Shtetet e interesuara për kufijtë, Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia do të kishin përfaqësuesit e tyre pranë komisionit. Në bazë të parashikimit, në fillim të 10-ditshit të tretë të nëntorit 1922 në Korçë arritën dhe pjestarët e Komisionit Kufitar.

Gjeneral Telini: “Në marrjen e vendimeve,.. nuk kursej asnjë kombësi..”

Fillimisht palën shqiptare e kryesonte në Komision gjeneral Ali Riza Kolonja dhe më vonë u zëvendësua nga major Bajram Fevziu. Gjatë ecurisë së ndarjes së terren Major Bajram Fevziu u zëvendësua nga Dhimitër Berati, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pala jugosllave përfaqësohej nga gjenerali serb Jovanoviç; ndërsa për palën greke nënkoloneli Neokli Boçari. Komisioni erdhi  në Shqipëri në mars 1922 dhe  filloi punimet në zonën kufitare nga mali Gramoz deri në pikën e kufirit që ndante tre shtetet greko-shqiptaro-jugosllav, për të vazhduar pastaj për më në jug. Komisioni hasi pengesa reale nga delegacioni i fqinjëve shqiptarë. Në një raport të Gjeneral Enriko Telinit thuhet se, “Ky delegacion nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar… Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”. Në fund të nëntorit 1922 për shkak të këtyre pengesave dhe dimrit që po afronte, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që punimet e caktimit të kufijve të rifillonin më 1 maj 1923. Kështu anëtarët e Komisionit arritën në Korçë, po nuk filluan dot punën, sepse siç shkruhej në fletoren “Near East”, “ka hasur në pengesa të drejtpërdrejta, jo vetëm nga Greqia, por edhe nga Serbia”. Kështu që Komisioni e ndërpreu punën dhe u rigrupua në Korçë në fund të prillit 1923. Për më se një muaj Komisioni u pengua në punën e tij duke u përballur me pengesa nga më të ndryshmet. Këmbëngulja vendimtare e Gjeneral Telinit “që përpiqej me mish e me shpirt t’i jepte fund punës një orë e më parë”. Kundër këtij përkushtimi shtypi I fqinjëve të Shqipërisë e sulmonte me egërsi; ndërsa në fletoren “Tomorri” thuhej se “Gjenerali Italian ishte armik të Greqisë”. Gazeta “Dielli” shkruante se 50 ushtarë grekë të lënë qëllimisht në Korçë, si “të sëmurë” hynë përdhunshëm në ndërtesën e Komisionit, për të trembur gjeneral Enriko Telinin dhe ta detyronin që Korçën ta kalonte brenda kufirit të shtetit grek. Më 26 korrik 1923, kur Gjeneral Telini vendosi që fshatrat Pobickë e Radat, në lindje të Leskovikut, si edhe burimet e ujërave të nxehta poshtë Radatit të mbeteshin brenda shtetit shqiptar, tërbimi i fqinjëve tanë arriti kulmin. Por Gjeneral Telini qëndroi i patundur në vendimin e vet. Kur Gjeneral Enriko Telini vendosi që fshatrat Peshkëpi e Radat në Rrëzë të Zezë të Libohovës dhe Kakavija të mbeteshin brenda kufirit të shtetit shqiptar si dhe vija kufitare do ta shtrihej deri në Kalama duke ecur nëpër rrjedhën e tij dhe do të përfundonte në ngushticën detare ndërmjet Korfuzit e anëdetit shqiptar të krahinave të Çamërisë dhe Labërisë. Me këtë vijë kufiri, të kërkuar në vitin 1912 edhe nga vetë përfaqësia greke e kryesuar nga Xhavella, brenda shtetit shqiptar mbetej tërë Çamëria Veriore, në malësinë në lindje të së cilës gjenden malet Murganë, Shtrungarë e Vigël, që mbizotërojnë vendin, jo vetëm deri përtej Janinës, por edhe ujëdhesat jonike, sidomos atë të Korfuzit. Përfaqësia greke shikonte dy rrugë ose ta linte Komisionin të vendoste me drejtësi mbi tokat shqiptaro-greke ose të përdorte metodën stërgjyshore. Këtë të vërtetë e vë në dukje edhe diplomati dhe historiani i shquar italian Renco Falaski, i cili shkruan se, “Gjeneral Enriko Telini e njihte fare mirë mjedisin dhe nuk nguroi të pranonte kërkesat e drejta të shqiptarëve, që sipas bindjes së tij brenda shtetit shqiptar duhej të mbetej edhe Janina e më përtej saj”. Gjeneral Telini gjatë punës në krye të komisionit punoi me paanshmëri.  Në marrjen e vendimeve, sipas rastit, ai nuk kurseu asnjë kombësi; as shqiptarët, as grekët, as jugosllavët. Në raportin e fundit  drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, më 26 gusht 1923, pikërisht një ditë para vrasjes, Gjenerali Enriko Telini shprehej se, “…vendimet e komisionit janë të  paanëshme” dhe ai “po kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë”.

Vrasja e Gjeneralit – pusi gjakësore ndaj paqes & Dëshmori i paqes midis kombeve

Ishte planifikuar që komisioni i kufirit jugor shqiptaro-grek më 27 gusht 1923 do të shkonte nga Janina në Kakavijë. Qëllimi ishte që të përfundonte vendosja e disa gurëve kufitarë në atë zonë. Herët në mëngjes u nisën nga Janina automobilat e delegatëve shqiptarë, grek e italianë. Automobili i përfaqësuesve grekë pësoi një “defekt”, që në nisje. Automobili i italianëve parakaloi atë grek duke ndjekur automobilin shqiptar. Në fakt në makinën me të cilën udhëtonte Gjeneral Telini së bashku me 5 vetë kishte një shkëputje rreth 30 minuta larg makinës së përfaqësisë shqiptare.  Pasi kaloi automobili i komisionit shqiptar  në afërsi të Janinës, në vendin e quajtur Zepe, rreth 50 km larg Janinës ose 4 km larg Delviqanit dhe 10 km larg kufirit shqiptar (fshatit Kakavi), midis Delviqanit dhe Arnishtes, vrasësit, që kishin në shinjestër Gjeneral Telinin bllokuan rrugën në një kthesë me drurë të mëdhenj. Gjeneral Telini dhe bashkëshoqëruesit e tjerë nuk e dinin prapaskenën në tokën greke. Vendi i zgjedhur ishte shumë i përshtatshëm dhe i zgjedhur për pusi, në bërrylin e një kthese. Kur makina e Gjeneral Telinit mbriti në kthesën vrastare u gjendën përpara së papriturës me rrugën e bllokuar nga trungje drurësh. Shoferi Renixho Farneti, dhe përkthyesi shqiptar, Thanas Kraveri nga Leskoviku zbritën për të larguar drurët nga rruga, por u gjendën midis goditjesh gjakësore dhe mbetën të vdekur që të dy.  U vra dhe doktori Luixhi Korti që ndodhej brenda në makinë.  U vra Adjutanti i gjeneralit toger Mario Bonaçini. Ai u godit menjëherë  sapo doli prej automobilit dhe pasi u plagos rëndë e mbeti nën të; u vra gjithashtu majori italian Corti si dhe një shoqërues shqiptar. Gjenerali Telini i rrethuar nga të gjitha anët, u hodh nga makina dhe pasi mundi të largohej vetëm disa metra nga makina mbeti i vrarë me revolver në dorë, në përpjekje për vetëmbrojtje nga armiqtë e paqes midis dy shteteve të Ballkanit, Shqipërisë dhe Greqisë. Nga burimet arkivore del se nga ora 08.45 deri në ora 10.00 misioni shqiptar e priti më kot atë misionin italian. Kërkoi disa herë pranë autoriteteve greke që të kthehej të shikonte se ç’kishte ndodhur, por nuk u lejua. Vetëm në ora 17.00 iu dorëzua një telegram me anën e të cilit lajmërohej se misioni italian nuk mund të vazhdonte në drejtimin e caktuar, sepse ishin parë banditë rreth e rrotull. Delegati shqiptar i mbështetur nga Dr. Xhioti i Institutit Gjeografik  italian, kërkoi sërish që të shkonte në ndihmë të Gjeneral Telinit, por përsëri nuk u lejua një gjë e tillë.  Leja për të shkuar ju dha vetëm në orën 18.00.  Ata mësuan se vrasja kishte ndodhur në ora 09.00 të mëngjesit. Trupat ishin transportuar në Janinë e në vendin e ngjarjes kishin mbetur vetëm gjurmë gjaku. Për nder të tyre në Janinë u dha një meshë dhe trupat e italianëve të vrarë me nderimet e duhura u nisen në Prevezë për në kishën katolike, ku edhe këtu u dha një meshë. Në ora 12.30 të datës 19 shtator 1923 trupat e tyre u nisën në mënyrë  ceremoniale  për në Taranto të Italisë me avulloren italiane “San Marko”. Ceremonia zyrtare u bë në  kishën Santi Apostuli në Romë ku morën pjesë Duka i Aostës, Duka i Gjenovës, Konti i Torinos, Princi i Udines, Benito Musolini me ministrat, të gjithë ambasadorët dhe përfaqësues të tjerë të huaj.  Pastaj trupat u dërguan secili për në vendin e lindjes. Gjeneral Enriko Telini u varros në Firence të Italisë. Pas atentatit të 27 gushtit 1923, Konferenca e Ambasadorëve vendosi të dërgojë në Janinë një komision special hetimi. Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve u mor më 8 shtator 1923. Por edhe ky komision nuk mundi të jepte një mendim përfundimtar të saktë  rreth përgjegjësive që çuan në vrasjen e gjeneralit dhe shoqëruesve të tij. Vrasja e komisionit italian shkaktoi krizë  në marrëdhëniet italo-greke. Qeveria italiane bëri përgjegjëse palën greke dhe kërkoi dëmshpërblim për këtë vrasje. Kjo krizë solli edhe pushtimin e përkohshëm të Korfuzit nga ana e italianëve.

Por kush ishe vrasësi i misionit italian? Komisioni i hetimit i ngritur nga Konferenca e Ambasadorëve nën presionin grek, por edhe sabotime të anëtarëve nuk dha përfundime. Por një gjë ishte e sigurt, krimi u krye për motive tepër të errëta politike. Autorë të tij ishin ato forca, të cilave u prishte punë korrektësia dhe paanësia  e gjeneral Telinit dhe e delegacionit që ai kryesonte. Vrasja ogurzezë shkaktoi një zi të përgjithshme në Shqipëri.  Opinioni publik shqiptar i konsideroi viktimat martirë për të drejtat ndërkombëtare dhe për paqen midis kombeve. Parlamentarët shqiptarë në shenjë zie ndërprenë punimet e tij për 24 orë. Autoritetet më të larta shqiptare iu dërguan telegrame ngushëllimi personaliteteve italiane dhe familjeve të viktimave. Telegrame dërguan dhe bashkitë dhe populli i të gjitha qyteteve shqiptare. Në kishën e Shën Gjergjit në Korçë, u bë një përshpirtje për Gjeneral Telinin dhe 6 martirët e tjerë ku merrnin pjesë autoritetet më të larta të qytetit.  Populli i Vlorës ditën e 3 shtatorit 1923, kur do të përkujtonte me festime me rastin e 3 vjetorit të çlirimit të qytetit nga forcat italiane, vendosi të shfaqte hidhërimin e tij për vrasjen çnjerëzore me anë manifestimesh.  Manifestuesit që arrinin në rreth 4000 vetë, që u drejtuan në konsullatën italiane ku i shprehen ngushëllimet konsullit italian dhe më tej prej andej shkuan në kishën katolike ku u bë një përshpirtje.  Edhe në kishën katolike të Tiranës, në kishën ortodokse dhe në xhami u kryen gjithashtu shërbesa fetare për shpirtin e të ndjerëve të komisionit të caktimit të kufijve të vrarë në tokën greke. Gjatë inspektimit në trevat shqiptare, gjeneral  Enriko Telini u prit si mik dhe u respektua për punën e ndërgjegjshme që bënte.  Shpesh i shoqëruar nga delegati shqiptar dhe nga anëtarë të tjerë të komisionit ai bëri vizita edhe në fshatrat shqiptare, për të verifikuar në vend ku flitej shqip dhe ku greqisht. Banorët e të gjitha trevave dhe sidomos sa herë që e takonin në rrugët e Korçës, në koncertet e Bandës Kombëtare muzikore “Vatra”, të ardhur nga SHBA, apo në kinema “Modern”, ku shëtiste lirisht, e përshëndesnin me gëzim e dashuri të dukshme si një baba i madh i drejtësisë. Ndryshe ndodhte në shtetin fqinj, ku ndaj punës së komisionit të ngritur nga Konferenca e Ambasadorëve kishte një qëndrim agresiv e sabotues. Sipas një raporti të Konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi në një moment rrëmbimi përfaqësuesi grek kishte thënë se, “Gjeneral Telini duhet vrarë…”. Këtë frazë ky kolonel e ka përsëritur edhe publikisht në një lokal, ajo çka do të ndodhte në të vërtetë.

Këshilli Kombëtar/Parlamenti i Shqipërisë për Gjeneral Telinin

Ngjarja bëri bujë jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Europën. Një gjeneral italian kishte dhënë jetën për të drejtën e kombeve dhe ngeli dëshmor i kufijve shqiptarë. Në Këshill fillimisht e mori fjalën kryeministri shqiptar, që mbajti këtë fjalim: “Me hidhërim të madh po ju jap lajmin për një ngjarje të shëmtuar e tepër të poshtër që ka ndodhë në Greqi. Para tri ditëve, komisioni i kufijve, duke ardhur nga Janina në Gjirokastër, pati një rrezik, pse kryetari i këtij komisioni, gjenerali italian z.Telini, u vra bashkë me shokët e tij. Duke dalë prej Janine, i pari automobil ishte ai i komisionit shqiptar. I dyti i komisionit italian dhe i treti i atij grek. Mbas udhëtimit prej 54 km nga Janina, kur arritën në Zep, automobili i komisionit shqiptar kaloi këtë vend, ndërsa ai i komisionit italian ndalohet e vriten gjenerali, një major doktor, një toger adjutant, një ushtar, shoferi e një shqiptar. Pas kësaj ngjarjeje, kaloi komisioni i Greqisë pa pasur asnjë ngjarje, vijoi e shkoi në Gjirokastër. Përmbi këtë janë përhapur lajme të këqija, të cilat, qeveria e populli shqiptar i përgënjeshtrojnë e protestojmë rreptësisht pse në tokën shqiptare, në ato anë nuk ka asnjë bandë. Pos kësaj, z.gjeneral Telini ka qenë mik i popullit shqiptar dhe i ka përkrahë me paanësi të drejtat e tij. Qeveria e populli shqiptar kanë marrë pjesë në hidhërimin e madh që ka sot qeveria e populli italian”. Në parlament folën edhe deputetët Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ali Këlcyra, Vissarion Xhuvani dhe në shenjë respekti për Kryetarin e komisionit gjeneral Enriko Telinin, Këshilli Kombëtar i Shqipërisë pezulloi punimet për një ditë.

Koloneli japonez Shibo: “Hetimi mbaroi..”

Lajmi mbi vrasjen e Gjeneralit Enriko Telinit u përhap më 28.08.1923 tek pjesëtarët e Komisionit të Kufijve që po vendosnin piramidat nga Prespa deri në Qafë të Prush. Sipas major Ali Erëbarës, përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komisionin e Kufijve me Jugosllavinë, koloneli anglez Gills me gjithë gjakftohtësinë e racës dhe përmbajtshmërinë e detyrës së tij nuk mundi ta mbante veten nga thënia e fjalës: ”grekërit”. Për të zbuluar fajtorët, Konferenca e Ambasadorëve ngriti një komision të posaçëm hetimor me kryetar kolonelin japonez të drejtësisë, Shiboja dhe anëtarë përfaqësues të qeverive angleze, franceze e italiane. Me të arritur Komisioni në vendin e vrasjes të gjeneral Enriko Telinit dhe shoqëruesve të tij, koloneli japonez Shiboja nxori koburen dhe shtyu në ajër dy herë. Ushtarët e një njësie greke që ishin vendosur atje, afër brenda pak minutave u gjendën atje dhe e rrethuan Komisionin e posacëm special të hetimit. Atëherë koloneli japonez tha: “Hetimi mbaroi”. Kur pjestarët e tjerë të habitur e pyetën Shibo-ja u përgjigj: “kur krismat e dy të shtënave revolveri u dëgjuan nga ushtarët, si është e mundur që qindra të shtëna pushkësh nuk u dëgjuan prej tyre ?!”. Gjendja u acarua së tepërmi, pasi qarqet shoviniste greke organizuan vrasjen e gjeneralit italian Telini dhe anëtarëve të Komisionit Ndërkombëtar për përcaktimin përfundimtar të kufirit, duke dashur të fajësojnë Shqipërinë. Disa ditë më vonë italianët e pushtojnë ishullin e Korfuzit. Më 31 mars 1923, Konfereca e Ambasadorëve e deklaruan fajtor të krimit qeverinë greke dhe e ngarkuan me përgjegjësi. Paqja ballkanike ishte prishur nga krismat e dhunës që nuk bashkojnë por ndajnë popujt.

Gjeneral Telini – Shërbëtor i paqes së kombeve

Vlerësimet për gjeneral Telinit janë të shumta në harkun e gati nëntë dekadave. “Gazeta e Korçës” më 1 shtator 1923 e vlerëson gjeneral Telinin: “Emri i tij do të mbetet i paharruar për popullin shqiptar. Historia e Rilindjes tonë Kombëtare emrin e këtij gjenerali të nderuar, së bashku me atë të kolonel Tomson do ta përmendë me një nderim të madh, për shërbimet q’i solli Kombit tonë të shumëvuajtur”. Gazeta “Vatra Shqiptare” do të shkruante: “Gjeneral Telini për ne përfaqëson, njëkohësisht idenë e drejtësisë dhe atë të mbrojtjes të interesave tona. Të dy këto ide i ngjajnë fort njëra-tjetrës. Ideja e dytë ndjek pas idenë e parë si hija e saj. Shqiptari që e ka të thellë kuptimin e drejtësisë e të miqësisë, është e pamundur të mos ishte frymëzuar me një mirënjohje të thellë për gjeneralin italian”. Vlerësimet për Gjeneral Telini janë nga më të larmishmet aq sa shtypi i kohës shkruante se, Telini ngjan me një gjeneral të Romës së vjetër, një misionar të zhvillit. Gdhendja e monumentit është e denjë për heronj që të përjetësohet kujtimi.

Cilësitë dhe vlerësimet për Gjeneral Enriko Telinit nga burime italiane vijnë për “Një fytyrë Historike”: “Telini ishte një ndër gjeneralët më të shquar të ushtrisë italiane. Zotësia e tij teknike e organizative dallohej në shenjë, sikur dallohej edhe drejtësia e paanësia në detyrën delikate, në të cilën ai me një kthjelltësi të patundur qëndronte e zbatonte veprimet që i përkisnin. Nga dituria, rritja dhe gjykimi i kthjelltë që kishte, më bëri përshtypjen më të madhe. Ishte i ëmbël, i qetë e i çiltër në shpirt dhe i paanshëm“. Ndërsa bashkëpunëtori i vet në caktimin e kufirit, Dhimitër Berati, në atë kohë prefekt i Korçës, shkruan: “Ushtarak i vërtetë në sjellje e në fjalë. Burrë pa frikë e pa leqe (lak, kurth, çark); njeri me kuptim të thellë, me mendime të kthjellëta e zemër bujare; njeri me kuptim të thellë, që dinte të shikonte larg dhe ta ndante menjëherë të mirën nga e liga…Ishte shtënë me gjithë zemër pas punës së caktimit të kufirit; e kryente këtë si një detyrë të çmuar… Në ka të huaj që të ketë derdhur gjakun për të mirën e kombit shqiptar, gjeneral Enriko Telini ishte dhe mbetet në rreshtin e parë… Thoshte: “E dua kombin tuaj, se kam përshtypjen që në çdo fshatar shoh jo vetëm një ushtar të vërtetë, por edhe një kumandar në kuptimin më të mirë të fjalës”. Pas inagurimit të shëtitores “Gjeneral Telini”; në 27 gusht 1933 dhe gjysmëtruporjës së tij, në gazetën “Vullneti i Popullit” shkruhej “na ka ngacmuar plagën e pashërueshme që pësuan zemrat tona, kur humbëm fatosin e kampionin e të drejtave tona”.

Gjenerali italian Enriko Telini, kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për caktimin në vend të kufirit ndërmjet shtetit shqiptaro-grek. Kryefjala e tij ishte: “I dua dhe i nderoj shqiptarët, sepse janë zemërbardhë dhe trima. Mjerisht, ata po vuajnë keqbërësitë e fqinjëve. Do të përpiqem t’ua pakësoj mundimet dhe t’ua lehtësoj dhimbjet kombëtare që shqiptarët të jetojnë të lirë si kombet e tjera”. Ishte ky mesazhi që përcolli gjeneral Enriko Telinit përfaqësuesve të qeverisë shqiptare gjatë takimit të parë me ta dhe zotimit ai i qëndroi besnik deri në vetëmohim e sakrifikim. Prandaj është koha për të grisur perden e errësirës dhe për të rivlerësuar vlerat e vërteta njerëzore dhe dimensionet humane të një figure madhore italiane ushtarako-diplomatike, që i përket botës së paqes, që ishte dhe mbeti mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Telini ka kontributin e madh dhe firmën e tij në lënien brenda shtetit shqiptar të 12 fshatrave dropullite që ishin lënë asnjëanës, por që deri në atë kohë mbaheshin padrejtësisht nga shtetit grek. Gjithçka e kryente në bazë të parimit se aty ku flitej gjuha shqipe ishte tokë shqiptare. Gjykojmë se është në nderin e instancave kopetente shtetërore e akademike, për të rivlerësuar dhe vendosur në piedestalin e merituar në këtë 110 vjetor të shtetit shqiptar të figurës dhe veprës së gjeneral Enriko Telinit dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke e parë figurën dhe veprën e tij, si dëshmor të Lidhjes së Kombeve, që ra për të vendosur drejtësinë në kufirin juglindor të Shqipërisë.

-%-

 

Please follow and like us: