Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: KECI I KUDRETIT

Tregim
Askush nuk e besonte se ky njeri i heshtur qe burgosur nga “dashuria e tepërt” për kecin e tij Laraman. Nuk qe me shumë se 6 vjeç kur dhia e vetme që mbanin në shtëpi për një pikë qumësht e kishte lindur këtë Kec Laraman, që ishte bërë sebepi kryesor i një mjerimi të thellë. Që nga viti 1948, sa kishte hyrë maji, kur erdhi mandati i kobshëm i shtetëzimit të bagëtive edhe thellë ndër male e gërxhe, ku njeriu jetonte me ato “kokë bagëti” e fëmijët lodronin me kecërit. E kur dhinë qumështore qenë të detyruar, të mos e mbanin më në konakun e shtëpisë e të kulloste bashkë me kopenë e vogël që kishin sajuar gjatë jetës së tyre të mënjanuar nga bota. Keci mjeran do të ndjente largimin e së “ëmës”, por qe Kudreti i Vogël që do t’i jepte kafshës një dashuri njerëzore. Dhe jeta ngushtohej lemerishëm, midis tokës së zhveshur e kupës së kaltër të qiellit…
Babai i Kudretit, e mbërtheu derën e vathës me duart që i dridheshn, po njeri nga ata të tre që erdhën e që ishte i armatosur, e shtyu me forcë, hapi shtegun e tha serbes-serbes: Harrove Zotrote që je shpallur “Kulak”, d.m.th ARMIK?! Si herën e parë kur të shpalli Partia e Qeveria, si të tillë, edhe këtë herë nuk të pyesim fare, or ti borgjez i fëlliqur…
Bagëtitë i vunë përpara e vatha mbeti e shkretë. Dëgjohej vetëm blegërima e tyre, si në një gjëmë njerëzore. Babai i Kudretit vërtitej pas gardhit me lotin që i rrëshqiste syve dhe e shoqja, e tharë si shkarpa, vuri ulërimën, si të kishte vdekur ndonjeri nga rob’t e shtëpisë. Kudreti i vogël, me lot në sy, shtrëngonte në gji Kecin Laraman, pak më tutje pragut të shtëpisë dhe i puthte turinjtë e bardhë e me lara. Mirëpo, njeri prej atyre të treve e vuri re kecin në duart e fëmijës, u kthye mbrapsh e ia shkuli fëmijës kecin e mitur, prej gjoksi. E i mbeti në kujtesë përpëlitja e kecit në gjoksin e atij njeriu të egër me sy të bardhë, si të ujqërve dhe me leshrat gri, të murme, e të pakrehura kurrë… Nuk kishte bërë as javën që kishte lindur keci, ashtu i bukur, laraman, më këmbëzat që i dridheshin e fëmija e merrte ndër duart e tij, e përkëdhelte dhe i afrone turirin nën sisët e buavitura nga qumështi, gjersa të mësonte instiktivisht të pinte gllënjkat e para të qumështit nga lehona. Një mrekulli, gjersa iu forcuan këmbëzat e holla dhe hidhej “hop këtu e hop atje”! Mirëpo, sapo që rrëmbyesi u kthye vrullshëm pranë kopesë, keci i rrëshqiti nga duart e vrapoi si shigjetë tek fëmija që kshte filluar tani të qante. Nuk arriti i vogëli as të ngrinte kecin e lebetitur, kur ai mbërriti me një frymë dhe me duart e tij të trasha e mbërtheu përsëri e përsëri keci u hodh përpjetë. Ai e mbërtheu për gryke dhe e tërhoqi zvarrë, si të kishte ndonjë zvarranik a egërsirë, gjersa e kaloi kecin më përtej një shkëmbi të lartë e humbi nga sytë0 .Po nuk kaloi minuti e keci u pa tani në ajër, tek u hodhë nga lartësia e shkëmbit afro katër metra të lartë, dhe, si shpëtoi pa u vrarë, u ngrit në këmbë, vrapoi vetëtimthi e iu rras të vogëlit në trupin e tij të njomë, gjersa grabitësi u shfaq rrishtazi duke dihatur, i dha një të shtytur fëmijës e u largua duke sharë me fjalët më të ndyra, tok me ulërimat e kecit kërthi që e vërviti krahqafe.
Me këtë kujtim të trishtë, ai do të mbetej edhe vite të tëra më mbrapa, kur do të rritej e të bëhej burrë dhe do ta shihte veten pas hekurave të Burgut, në rrëpirën e Ballshit që shpesh mbulohej me tymnajën gjigande që villnin oxhaqet e Rafinerisë së Naftës, atje poshtë. E quanin Kudret Veseli dhe qe nga një fshat malor i qyteit G. Dënuar 8 vite me heqje lirie, se e “zinte për gryke” neni 55 për “Agjitacion e Propogandë”, që kishte mbrapa edhe shtesën “për përmbysjen e Pushtetit Popullor”. I thanë se kishte sharë sistemin kooperativist që “gjoja” shtetëzoi me dhunë bagëtitë e oborrit dhe se i kishin rrëmbyer bile, edhe kecin nga duart e holla, që kur ishte fëmijë, e luante me të, si ta kishte shokun e vetëm! Dhe atij i ishte shfaqur si përpara një ekrani ajo pamje e egër, kur ata tre veta që mblidhnin bagëtitë për t’i futur në Kooperativën Bujqësore, gjoja vullnetarisht, ndërkohë që askush nuk e donte këtë e nuk qe ngritur dora nga asnjeri nëpër mbledhjet e tyre, prej banorëve të raskapitur që edhe kripën e vajgurin i blinin dy sahate më tutje. Aty, mes maleve, ku bari e bimësia mezi mbinte rrëzë gurrëve dhe kullotat qenë dy-tre orë më larg… Duke i akuzuar si “kulakë” e se nuk prisnin që kulakët të binin dakort me “qeverinë e popullit”, si “armiq të betuar që ishin”, që merrnin në qafë edhe të vogjijt. Po kishin kaluar më shumë se 10 vite që atëhere e tani i qe “mekur goja”, ngaqë po i thonin në bangën e të akuzuarve të Gjykatës së Lokalitetit se kishte sharë sistemin kooperativist e direktivat e shokut Enver për vullnetarizmin, si një nga “tiparet kryesore të komunizmit”. E të tjera, e të tjera dëngëla!…
Kudret Veseli ecte i heshtur mbi çakullin e “shëtitores”, të atyre të vuajturve, veshur me bizhamat dalëboje të Burgut, para kapanonëve të gjatë prej pupuliti, bashkë me “kollonën” e të dënuarve po kaq të heshtur, tek mezi e dallonin njëri- tjetrin nëpërmjet tymit të zi që kutrubonte djegësirën e naftës bruto. Qe akoma në vitin e parë të burgimit dhe po aty kishte njohur edhe atë kompozitorin që fliste, me anë të këngës, për “qëngjin e vogël (që) ri mendueshm” e që e ngushëllonte hidhur një burr i gjatë e i thatë në fyfyrë nga Malësia e Madhe se: “Ç’ka tu desh, or Lekë, që nuk e fute në kooperativë kingjin, po ardhe nji ktu me gjetë Kudretin, qi po kshu e pat edhe ai, tuj mos e fut Kecin Laraman në “Grigjën e Shtetit”, si me kenë “Grigja e t’Madhit ZOT!”. Dhe Kudreti shqyente sytë e bëhej edhe më i heshtur… Humor i hidhur. Fort i zi…
Por qe shtangur, kur ma vonë sollën aty edhe ata të dy që i patën rrëmbyer kecin e që i kishin dalur si dëshmitarë në gjyqin kundër tij, pa u shkuar fare në medje se “Bota do të rrotullohej!” e do u vinte rradha, së fundi, edhe vet atyre, që të dënoheshin me një akuzë edhe më të avancuar “Për shpërdorim të pronës socialiste e vjedhje në grup”. Ç’kishte ndodhur vallë?! Vite më vonë nga historia e kecit të tij, ata të dy, kishin “vënë dorë” në bagëtinë e Koperativës Malore, duke bërë proçesverbale “për rënie bishe në kope”, për shitje kecash e qëngjash “me para nën dorë”, po edhe për therrje natën, pjekje e ziafete mishrash, pa mundur që t’i shpëtonin dot “syrit vigjilent” të atij tjetrit, shokut të tretë, që Kudretit 6 vjeçar i shëmbëlleu me ujkun e vërtetë, i cili i kishte parë, përgjuar dhe spiunuar shokët e tij, në pushtet e në Organin e Sigurimit. Se ujku, ujk mbetet! Qe bërë dava e medhe dhe një Gjyq Shembullor mu në mes të fshatit. A thua se këto “gjyqe” mbronin fukaranë që mezi e shtynte jetën e shkretë! E gjyqi, me atë prologun “Në emër të Popullit”, sikundër bëhej edhe në ato “gjyqet partizane, kur jeta e njeriut “varej në një fije përi” e ikte “për dhjamë qëni” drejtë “Botës tjetër”, u caktoi 10 vite heqje lirie, duke i ngarkuar me dy nene. Kudreti as që u foli kur i pa e kur mori vesh së ç’proçkë kishin bërë, po këta katila, që i rrëmbyen nga shpirti Kecin Laraman. Të një fshati edhe ata. Të ligj e të zinj nga shpirti. Tek kishin shpifur për të, sikur kishte sharë Pushtetin e Uddhëheqësin e Partisë, që nuk u la as edhe një dhi për qumësht e asnjë kec për të lozur fëmija… E që megjithatë, nuk i kishte thënë… Se kujt do t’ua thoshte, në fund të fundit, maskarenjve? Që edhe mund ta vrisnin si qen, në ndonjë qoshe të burgut, sikundër edhe ndodhte, jo pak herë..
Kudreti ziente nga mbrënda që, megjithatë, të hakmerrej me këta të dy zuzarë, të cilët jo vetem që i kishin shqitur nga gjiri kecin Laraman po kurdisën edhe akuzën fallco për burgimin e tij… Pas asaj që ndodhi, i ati i pështiu në fytyrë, ashtu pa fjalë, duke mërmëritur se do t’ua gjente “shtegun”, gjë që, po në mbledhjen e parë të kooperativës, ata të fëlliqur,-nuk do t’i kursenin sharrjet e akuzat armiqësore… Mjerë jeta e tyre në këtë rrokullimë që po merrte i gjithë vendi! Në këto e sipër dikush e zuri nga mënga dhe i tha në vesh se po e kërkonin në Komandën e Burgut. U drodh, sikur t’i kishin përgjuar mendimet që “bluheshin” në kokën e tij…
Shpejtoi këmbët i shqetësuar. Roja i rrëfeu gishtin për nga zyra e Operativit. Trokiti dhe hyri. Pa e parë fare në fytyrë, Operativ i rrëfeu me pëllëmbën e dorës se duhej të ulej në karrigen e betonuar.
-Kudret Veseli?
-Po!
-E di mire se kush je?
Heshtje…
-Ja, po ta them unë: një bir kulaku e nipi i një Eksponenti të “Ballit Kombëtar”që atje në Mukje iu kundërvu Udhëheqësit tonë. Dhe që të kemi dhënë dënimin minimal të mundshëm. Tetë vite!
-Ç’doni nga unë që të them?
-Asgjë, veçse t’ia shpërbleni Partisë këtë bujari që të është bërë, duke patur parasysh moshën tënde të re dhe qëndrimin e heshtur që ke mbajtur e mba!
-Ç’farë kërkoni?
-Fare pak! Një firmë! Një firmë që do të garantojë rrugën tuaj të reabilitimit. Duke vërtetuar se, këndej e tutje do të bashkëpunoni me ne, për të mirën e Partisë. Duke harruar se kush keni qënur e kush jeni edhe tani… Duam ringjalljen tënde si të Jezu Krishtit!
Heshtja bëhet edhe më e rënduar. Ai shtrëngoi të dy duart te platforma e hekurt e karriges, po aq sa edhe nofullat, mbylli sytë dhe tha me një zë të mbytur: KURRË!
Operativi buzëqeshi lehtë, nxorri nga xhepi paketën e cigareve, çakmakun dhe u ngrit në këmbë.
-Aq më keq për ty,-tha Operativi, duke e ndezur me nge cigaren,-Vështirë se do të delni i gjallë prej këndejë, po do të ngordhni si gjyshi yt atje në katakombet e nëndheshme të Kalasë së Gjirokastrës, për të paguar kështu edhe konseguencen tënde, si BIR BUSHTRE, farë ballistësh e kulakësh. Merreni!
Kapteri që përgjonte pas dere e shihte nga një vrimë e vogël që të gjitha lëvizjet aty brënda, hyri menjëherë, sa të hapje e mbyllje sytë dhe i hodhi hekurat ndër duar…
Qe një mbasdite e errët, me llohë dëbore dhe erërat që vinin nga veriu i sillnin shtëllungat e tymnajës që i villte flaka e dy oxhaqeve të rafinerisë gjer atje e që ngjiteshin akoma më lartë, drejtë qiellit që sa vinte e nxihej edhe më shumë. E që Kadriut iu dukën së kope ujqërish që kishin pushtuar qiellin e që po i vërsuleshin edhe tokës së tejbushur me të “qarat” e qiellit mbrëmësor.
Shkruar në Piqeras, sipas ngjarjesh të vërteta, më 20 tetor 2022.
Please follow and like us: