Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NEÇO MUKO H (MARIOTI)

Një telefonatë e mikut tim të jetës, të bregut e të letrave, Josif Papagjoni (nga Saranda në Piqeras), që ishte ftuar në ceremoninë e vendosjes së një pllake mermeri për NEÇO MUKO H(Mariotin), më bëri të “zhytem” përsëri në nostalgjinë time të kurbetlliut, po edhe ndër ato çfarë kisha shkruar e botuar ndër vite për BOHEMIN FENOMENAL, Njeriun e Aristin e Himarës, Bilbilin e gjithë Shqipërisë. Duke më befasuar edhe me atë që do mësoja, se stërgjyshi im Miho Gjini, një aktor komik edhe ai, lozte dikur në skenën e Sarandës, role komike me Neço Mukon e famshëm! Një Pllakë Përkujtimore? Fare pak! E megjithatë shumë më tepër, kur më së shumti (në këto 88 vite i ikur nga jeta!), ka mbretëruar heshtja e eshtrat e këtij Talenti të Madh, ende nuk dihen se ku janë?!
* * *
NJERIU –KËNGË
“Ai theu gotën e ujit, tek piu një kafe në Lukovë, atë mbasdite të vitit 1934, kërkoi falje për gjestin, e pagoi dëmin e kafen dhe u ngrit për të ikur në Himarë, ku pas një muaji do të vdiste i dëshpëruar nga tretja e zërit e nga tuberkulozi… Pas një muaji fshatarët e Lukovës do të mësonin vdekjen e tij dhe vetiu do të kujtonin gjestin e tij, prej Fisniku Aristokrat, në kafene, si shenjë dashurie për njerëzit…
Kishte jetuar vetëm 45 vite, si i thonë një fjale, “me këngë në gojë”, më së shumti aty në Himarë, pranë atyre shkëmbinjëve të detit, ku vajza përcillte të dashurin, vëllai vëllanë e gruaja burrin, për ta kalur jetën me të zeza veshur… I vogël nuk e njihia, po atë nuk e krrente nga mëndja e nga shpirti dajua im nga Piqerasi, Vangjel Qendrothanasi, këngëtar si ai, që do të kishte të njëjtin fat si ai e të vdiste po njëlloj, nga tuberkuluozi, por do të më fliste me adhurim për Neço Kapedanin edhe Xhaxhai im, Thodhori Gjini, tek e pinin me të kafen në “Grand Bretanja” të Athinës (ku edhe shërbente) e i dridhej buza tek fliste pë të…
Por, në ato vite, kur edhe ne “morëm arratinë” nga halli, pa e kapërcyer ende shekullin e vjetër, në shtëpinë e Misto Stefanit ne Kalive, afër Athinës, do të gjeja dy “margaritarë të çmuar”, origjinalin e librit “LYRA” që vet Neço Muko ia kishte dhuruar atit të tij Hundecovit. Si edhe një fyell me dru piksi, nga të Llogorait, që i biri i ruante sy sytë e ballit, E, si do ta lexoja disa herë këtë libër të rrallë, do të mësoja përmasat e ketij Njeriu e Artisti poliedrik, si këngëtar e kompozitor, si regjisor e aktor, si autor tekstesh poetike e dramaturg. Ku gjithandej zotronte frryma lirike, bashkë me tallazet e detit e dertet, tretur ndër to e në këngë drithëruese shpirtrash të lënduar. Dhe një zë, sikur dilte nga dheu e ngjitej lart drejt qiellit e universit të pa anë… Këto krijime qenë një thesar i begatë i artit të tij universal. Me të gjitha gjinitë që ka teatri si gjini, po edhe arti muzikor: romanca, marshe, tango sentimentale, foks-blues e fokstrote, kleftesh e çame.
Por, Neço Muko nuk ishte vetëm autor tekstesh, të cilat tregojnë se i sajonte aty për aty. Siç zbulohet, kemi të bëjmë me një Artist Profesionist, që ngërthente talentin për të kompozuar melodi, aftësinë dramaturgjike në krijimin e gjinive të vogla, por edhe për t’i vënë ato në skenë. Një talent që i ka shpëtuar pa u studiuar veçmas, si Historisë së Muzikës, ashtu edhe Historisë së Teatrit Shqiptar. Po Neço Muko qe edhe një këngëtar virtuoz dhe jo vetëm i këngës polifonike. Por këtu ai mbeti i pavdekshëm. Tregohet se ai bënte zërin e kthyesit dhe drithërima e këtij zëri sikur i ngjante fërfëllimës së valëzave në det kur fryn puhizë e lehtë. Deti dhe dertet e mërgimtarëve, që mbante ai në “barkun e gjërë”, (a nuk iknin pa kthim mijëra njerëz nga dherat e tij!), fitonte kështu një vokal njerëzor të habitshëm. Dhe ky aliazh i detshpirtit apo i shpirtdetit prekte zemrat e njerëzve gjer në rrënqethje.
Neço Mukon nuk e mbajti dot “patkoi i artë” i bregut të Himarës. Ai kishte aq pasione e dëshira sa shpejt do të hidhej në Greqi, pastaj në Itali e Francë, ku nuk pushoi as së shkruari e as së kënduari. Tani zbulojmë një tufë intermexosh, siç i quante ai të botuara te revista teatrore “Ortza-Fortza”, të cilat u ngjajnë më shumë vodevileve të tipit “revju”, që aq shumë luheshin në ato vite gjatë luginës së lumit Vir, në Francën e Molierit. Por Neço Muko risolli prej këndej edhe një tufë farsash që përdoreshin atje në shfaqjet gazmore të karagjozëve e të bufonatës, të cilat u pëlqyen shumë sidomos në Sarandë, Delvinë, Himarë, Shkodër, Tiranë e Korçë, ku ai interpretonte aq bukur. Kështu, ky vjershëtor do të habiste publikun e gjerë edhe si aktor komik. Rolet e tij të përshtatura, si ai i Mitrushit të zgjuar që vë në lojë dynjanë, apo Barba Kolën, qejfliun e madh të grave,- mekte publikun. Por ai kishte një repertor të gjerë dhe me këngë komike e hajdutçe, të cilat ndërpriteshin diku nga ca dialogje po aq humoristike. Ky njeri i çuditshëm njihej nga publiku i viteve 1920-30 si N.H. (Marioti). Si tip i i veçantë, ishte aq human, sa mblidhte këngëtarë popullorë dhe i shpinte deri në Paris me shpenzimet e veta për të regjistruar atje në pllaka ebaniti gramafoni zërat e tyre. Me zërat brilante të Tefta Tashko Koços, Tulla Paleologut e të Kleo Jorgos. Në një harmoni të përsosur me zërat e Llambi Turtullit, Koço Çakallit, Mitro Rumbos, Andrea Balës, Pano Kokveshit e të Dhimitër Varfit (që e patëm gjallë, me po atë zë, gjer në vitin e fundit!). Mjeshtër i harmonisë, po edhe si Maestro i dirigjimit, pa e kursyer vokalin e tij , gjersa do të ngjirej në vitet e fundit të jetës.
Një artist të tillë poliedrik s’kishte si të mos e admironte e famshmja Tefta Tashko Koço. Kjo soprano virtuoze diti të vlerësojë tek ky Neço Muko i Himarës vlerat e një njeriu me botë të madhe, e një artisti të gjithanshëm, e një bohemi, aq sa interpretoi me pathos tetë nga krijimet e tij. Ishte edhe ndihmesa e saj që të 53 krijimet e tij më të mira u regjistruan në pllakat e gramafonit të firmës “Pathe”,-emër që të kujton vendin e triumfit të Zhan Darkës së famshme.
Në vështrim të përgjithshëm krijimtaria e Neço Mukos si poet popullor ka në thellësi të saj pesë motive, të cilat spikatin e që është vendi këtu për t’i rilevuar:Në motivin patriotik renditen sidomos dy këngë: njëra për Shqipërinë dhe tjetra për Ismail Qemalin. Në këngën “Shqipëria” ai e cilëson Atdheun e vet “si Parisi”, jo për ndërtesat, zhvillimin dhe ekonominë, por për prehjen e shpirtit, sepse “…në folenë tënde të artë” njeriu mund të gjejë të gjitha kënaqësitë e botës. Ndërsa në këngën për Ismail Qemalin, heroin e historisë më të re shqiptare, Neço Muko do të nënvizonte: “Më njëzet e tetë nëntor,/ më këmbë u ngreh Shqipëria!/ Smail Qemali në Vlorë,/ me gjithë shokët e tija / Mori flamurin në dorë/ shpallet me një zë liria!/… Evropa le ta dëgjojë/ që ka djemë Shqipëria.” E cilin nga shqiptarët nuk e kanë ngazëllyer këto vargje, ndonëse pa e ditur se ato janë të Neço Mukos?
Në motivin popullor shihet një gurrë e tërë rrjedhëse e gurgulluese që tejshkon thuajse të gjitha krijimet e Neço Mukos e që zënë fill me këngën “Varfëria”. Vargu i saj i parë, “Ah, moj varfëri e mjerë” është një pasthirrmë rrënqethëse. Ndërsa figuracioni poetik do të përfshijë një këndvështrim të brishtë e të paanë, ku natyra e njeriu bashkëjetojnë… “Vajza e malit” do të ketë vargje të tilla që mbeten si margaritarë në gushën e shtojzovalleve: “Ç’erdhi prilli, ç’u shkri bora maleve,/ mbani vesh bie këmbora majave…”. Dhe natyra përreth bëhet e gjallë, e prekshme, e shtrenjtë për jetën njerëzore…
Në motivin e mërgimit, jo vetëm që tregohen plagët e pasosura të shqiptarëve, por trazohen shpirtrat deri në tragjizëm. Në një këngë të rrallë si “Pabesia” poeti thotë se “ikij me merak në zemër”, ndërsa merr me vete brengën e ndarjes me vashëzën e shtrenjtë, si edhe më pas dramën e braktisjes, kur… harron të kthehet! Por, po në këto vargje të mrekullueshme, do të gjejmë edhe virtytin e vashës së shndërruar tanimë në shtatore buzë detit, duke mejtuar e qarë me “lot të zi” (vjersha “E dëshpëruara”) dhe ca me tej akoma portretin e paharruar të vashës që pret mikun e saj të humbur mbi një shkëmb ku përplasen dallgët. Poeti e ka titulluar këtë vjershë “Vajza e valëve”, një krijim brilant, rrënqethës, i cili bëhet akoma më i mrekullueshëm kur vihet nëpër zërat polifonike të himariotëve: “Vajzë e valëve, zemra s’ja mban./ Mbi një gur n’anë të detit, qan e zeza qan./ Për atë që pret…E një dhimbje ndjen./ Gjithë bota ven e vijnë, po ai nuk vjen”! Vlera e këtyre vargjeve të papërsëritshme do të rritet më tej me dramacitetin që pëson ideja dhe fabula e poemthit, deri aty sa vajza të kërkojë ta mbulojnë nën të njëjtin varr me të dashurin, për të cilin ajo mendon se ka vdekur në dhe të largët. Në këtë pikë vargu-këngë arrin një rezonancë tragjizmi, e cila zapton thuajse të tërë rruzullin, por edhe humbëtirën e qiejve, kaltërsinë dhe thellësinë e deteve, ku besojnë se mbahen mistere të frikshme.
Në motivin e dashurisë, rezonanca e krijimeve dhe e frymëzimit të Neço Mukos është edhe më drithëruese, edhe më dehëse. Te e njohura “Katina, nina-nina”, të cilën më pas, (ku dimë ne të gjorët pse ai e ka ndaluar të këndohet!), poeti ta këput shpirtin me imazhin e së dashurës që del në dritare dhe e përgjon me sytë e saj të zinj, të përvëluarin e zemrës së saj. Te “Kanakarja” ndihet po e njëjta sfilitje dashurie,në inversin ndryshe, kur ai i lutet vajzës: “Në do mos më tret,/ Se edhe në zjarr ti të më thuash futem/ Si edhe ne det”. Dhe ja tek e shohim të mrekullohet para portretit të së dashurës, kur ajo i del përpara, si te “Valltarja”, ku me një metaforë të gjetur shprehet: “Doli hëna dritargjenda…”. Gjithsesi dashuria për të është vetë jeta, është njeriu i prekshëm që lëngon e vuan e diku-diku mbin, rritet, zhvillohet si një lule borziloku që sjell njëherazi gëzimin dhe trishtimin: “Moj Nën’ aman Nëno,/ Moj nënë atë Borzilok,/ Moj nënë atë Borzilok,/ Ruaje mir’ e kam për shok…/ Se dua të rri e të shikoj/ edhe disa derte të kujtoj./ Është nga duart e saj/ q’i mjeri nat’ e ditë qaj…”. Ky krijues kaq i frymëzuar di ta përcjellë në poezi edhe vyshkjen e dashurisë, si ndjenjë që edhe mund të perëndojë një ditë, ndofta jo si te “Pabesia”, ku poeti është i zemëruar deri dhe me qiejt lart. Në këtë këndvështrim, megjithatë, Neçoja mbetet tokësor, realist deri në fund; prandaj, te “Tango e trandafilave” do të këndojë kështu: “Eja, pra dhe merr lulet e mia,/ mos harro! Dije që dashuria lulëzon/ çelet si trandafil e mbetet,/ po edhe trandafili veshket”!
Por ky poet i shkathët, erotik, i gjithëbredhur, ashtu siç u këndon me zjarr vashave Himariote, di aq mirë të gjejë mirësinë e bukurinë edhe te vajzat Delviniote “të vogëla kanakare”, vajzave të hijshme të Tiranës, të cilën ai e quan “Paris i vogël”, shtathedhurave të Shkodrës, ku… ”shijen e gjallërisë aty e krijon”, apo çupëzave të Korçës që mbushin bulevardin e atij qyteti… Dhe ja befasia e surpriza që gjetëm: e famshmja, “O, moj korçare e bukur si pupe…”, e cila është ndofta më e bukura këngë e atij qyteti, i takon pikërisht Himariotit Neço Muko, i cili ka të ngjarë t’ia ketë kushtuar Tefta Tashko Koços apo edhe Tulla Paleologut, sepse edhe kjo pat jetuar në Korçë, të cilat i bashkonte nuri i moshës dhe i artit. Dhe, ja ku është kënga, gati e patrazuar: (Ah! Moj Korçare e bukur si pupe,/ me shik e naze shum’i, nus’ e re,/ kur shkon nganj’herë vetëm në bulvar,/ në zemrën t’onë ndizet flak’ e zjarr)!
Dhe do të ndeshim, së fundi, te Neço Muka, poet, muzikant, aktor e regjisor i zoti edhe motivin dëfryes si një domosdoshmëri e jetës njerëzore. Ky poet i zjarrtë është për një dëfrim ashtu siç ia do zemra njeriut, pa “fre e kapistall”, pa drojë. Dhe, ashtu siç këndonte për jetën dymijë vjet më parë persiani gazmor Omer Khajami, ashtu ia merr edhe Himarioti ynë me një gaz dehës, të pashuar e çakërqejf: “Hurrah! Dëfrim!/ Pa merak e pa mejtim”. Se,para gëzimit të jetës, do të na tregojë poeti, s’ka ç’e do as pasurinë e as varfërinë… Ndërsa ateizmi i tij është i përmasave groteske: “Ç’e dua unë pasurinë/ Kur shpirt’ i im kënaqet/ Unë fluturoj për Perëndi/ Kur dredh një herë mustaqet.”/……Dhe unë dëfrimin dëshiroj- se ka/ njëmijë të mira,/ e lart nga qielli kërceje-krishtër e/ perëndira!”Si një Dionisian i vërtetë,bekuar nga Perëndia e Vreshtarisë dhe Bollëkut, i pagëzuar në ndonjë tabut vere, Neço Muko ia merr përsëri këngës: “Ti moj Raki e Përmetit/ me uzo ju të dyja/ qofshi si yjet e detit,/ e jashtë vobektësia!”…..Ose: “Verë e raki Valtua u sjell/ dhe desh të pjekur në hell./ Han’ e pin’ e s’ çajnë kokë/ Kapetan Daveli e shokë!”. Nga që thonë se Dionisi i lashtësisë, e hodhi së pari farën e rrushit pikërisht në Himarë, përmbi atë baltë të kuqe, trazuar me çakëll e strall. Megjithatë, kjo tokë prodhoi verë e raki të fortë, ndaj Neço Muko krijonte ato vargje aq çapraze, si Omer Kahjami i Lindjes.
Siç përmenda në fillim, të gjitha këto i gjeta në një libërth të bërë copë-copë, grisur e zverdhur, ku mezi kishte shpëtuar gjysma e portetit të tij. Në të vërtetë, Neço Muko, tanimë qe rikrijuar i tëri përbrënda qënies sime të etur. Me siguri, ky libër i rrallë e i çmuar, kishte kaluar dorë më dorë, ndaj qe katandisur kështu. Edhe unë isha një Bregas i çmendur pas “diamanteve” të tilla të gjinisë sonë të lindur e të ritur përballë kaltërsisë së Jonit, duke patur pas shpine, përthyerjet e hatashme të Akrokerauneve. Ky peisazh madhështor, nuk kishte sesi te mos “pillte” pasardhës të Neço Mukës, si Petro Marko, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, apo një dishepull erudit si Janko Pali, i cili arriti të gëzojë edhe miqësinë e tij së gjalli… Të tjerë poetë më të rinj, si Viktor Qurku, Ilirjan Zhupa, Llambro Ruci, Odise Grillo, Llambi Gjikuli, Agim Mato, Stefan Martiko, Sulejman Mato, Evriadhi e Robert Goro, Lefter Vogli, Vasil Gjivogli, Koço e Margarita Mërtiri, Petraq Pali, Leonard Bixhili, Eleonora Qeparoi, Adriana Dhrami dhe deri te pasardhësi më i madh i tij, me taban popullor, Poeti Qelibar, Lefter Çipa nga Piluri.Dhe me Çipajt e tjerë, Mërkurajt e Nase Benin me shokëni… (E të na falni nëse na dolli nga mëndja ndonjë tjetër që e ka hakë, nga ata të Bregut të sipërm e të poshtëm)…
Dhe pyeta veten: po a ka ndonjë shtatore a obelisk, ky njeri , këngëtar e poet i madh e fort i rrallë?! Jo! Madje, është e tmerrshme ta themi, e Perëndia të na ndjejë, po këtij gjeniu nuk i gjëndet as varri në Himarë!”
***
Këtu mbyllet ky shkrim (paksa i shkurtuar),që e botoi menjëherë Himarioti Robet Goro në gazetën e drejtuar prej tij: “Gazeta e Athinës” më 10.04.2003, si edhe që unë e vendosa në librat e mi “Bisedë me Muzat” (v, 2008) e “Shpirti Artistik” (2014). Disa vite më vonë, i biri i Janko Palit, autorit të njohur poliglot nga Qeparoi, Petraq Pali, do të kishte mirësinë të botonte rishtazi “Lyrën “ e Neços, si bashkëkohës e miku i atit të tij, i cili shkroi edhe lbrin e parë për të. Po kisha dhe një merak: të takoja edhe pasuesin e tij, ndër vjersha e këngë, LEFTER ÇIPËN… I kujtova “të ziun Neço”,-sikundër shprehemi neve nga Bregu. Lefter Çipa fërgëlloi menjëherë e bëri këngë për Neçon në çast: “Se ti Neço ishe/Det dhe mal me erë…/Kthehu ku ti leve,/Tek shkrive me penë!/O Bilbil Pranvere,/ Këngët bregut mbenë…/O Djalosh, bilbil i majit,/Mos ia fal këngën varrit!”. “Po, ku e ka “Vëndfjetjen e përtejme”, Poeti e Këngëtari ynë, O Lefter Vëllai?”,-pyeta unë i brengosur.”Ia gjeta unë varrin,-gati klithi ai,-pranë një lisi të moçëm,,.në varrezat e vjetëra që u braktisën në 37-ën dhe poeti mbeti atje, nën krahët e lisit…të një lisi që e preu dikush më mbrapa, një i paditur, e mbeti atje POETI I BREGUT, që kur të bëhen varrezat e reja do t’i vë mbi krrye këtë epitaf: ”Këtu prehet poeti, FENIKSI I HIMARËS”… Me tejë, asgjë nuk di!… Po di se iku edhe Lefter Çipa, Prijësi Tjetër i Këngës Polifonike, që vajti për ta kërkuar mësonjësin e tij, atje ku janë “rrënjët” e një lisi të moçëm…
Atinë, me 28 tetor 2022.

 

Please follow and like us: