Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: MU-MUJA

Tregim

1.

Në burgun e Baselit, midis të dënuarve të tjerë, prej dy vjetësh, vuante edhe një shqiptar, i cili nuk i ngulte dot këmbët në tokë. Dënimit të tij po i vinte fundi. I kishin mbetur edhe pak ditë. Ecte mbi një karrocë me rrota, duke e shtyrë me dorën e majtë. Të dy kupat e gjunjëve i kishte të thyera. Nuk kishte lindur ashtu. Ato ia coptoi, duke e qëlluar me çifte, pronari ku ai punonte. Nuk e goditi hatajet, por me vetëdije të plotë. Feliks Hofman, pronari, ishte gjuetar, nishanlli i klasit të parë dhe çiften dinte ta përdorte për bukuri. “Nuk u përmbajta dot kur diktova që po më përdhunohej mushqera tetëmbëdhjetë muajshe, në mes të stallës. Po kthehesha nga gjuetia. Isha jo vetëm i fyer, por edhe i mbushur me mllef e urrejtje kur pashë sesi po keqpërdorohej malli im, aq më keq një kafshë që nuk ka gojë të flasë, por në vend të saj, fola unë me grykën e çiftes”, deklaroi ai me mburrje e krenari. Fillimisht në polici e më vonë në gjyq. Kjo deklaratë “e sinqertë”, zyrtarët i emocionoi e motivoi, por më shumë ndezi flakë shoqatat në mbrojtje të kafshëve të buta e të egra. Është detyra e tyre të ngrihen në mbrojtje të dinjitetit të gjësë së gjallë. Dhe ato ashtu bënë.

Të burgosurit ishin ndarë në dy kampe, ata që e mbështetnin shqiptarin me emrin Isuf, të cilit i ndodhi kjo ngjarje dhe të tjerët që e përçmonin e bullizonin. Sa herë ai dukej në mencë, apo në sheshin e ajrimit, këta të dytët, nuk i flisnin me emër, por me nofkën e shpifur Mu-mu. “Hë si dukesh Mu-mu, ke parë ndonjë ëndërr të bukur me kafshë? Po derra, ke provuar, ah, kujdes, historikisht sifilizi prej derrave është përhapur…”, talleshin ata. “Zoofilik”, e quajti një tjetër i dënuar, por me titull shkencor. Aq sa e përbuznin, po aq e donin dhe e respektonin të tjerët, kryesisht emigrantët me kombësi të tjera, të ardhur në Zvicër nga halli. Ata e besonin që ai ishte i pafajshëm dhe kishte rënë viktimë e një intrige të rafinuar. E ku nuk ka racizëm, herë i hapur e herë i fshehur, lëre më që në burg racizmi është i papërmbajtshëm. Atje ai shpërthen si një shatërvan me llum të zi. Isufi, edhe pse sakat, mundohej t’i shërbente vetes pa vënë në siklet as miqtë e as armiqtë e tij. Hollë-hollë i binte të ishte një vit në këtë të ashtuquajtur kamp, sepse pjesën tjetër e kaloi në spital, duke u mjekuar e riparuar kockat e thyera. Askush nuk e fyeu aty. Personeli mjekësor ishte tjetër gjë, ndërsa të burgosurit, njerëz ordinierë, të njëmijë e një të zezave. Çfarë nuk kishte aty, lloj-lloj tipash, llo-lloj racash. Po edhe këtu e kishte bërë një gabim; të parit që e thirri “Mu-mu”, i frëngëlliti bastunin pas të cilit mbahej. Dhe e goditi drejt e në ballë, për pak i iku syri atij derdemeni. Do ti që rrugaçët e burgut, në vend të heshtnin, u ndezën më keq. Nganjëherë e thërrisnin në kor “Mu-mu” duke imituar lopët.

Ziente përbrenda si një kazan sere shqiptari Isuf Peza. Po nuk kishte çfarë të bënte. Komanda e burgut, me urdhër, bastunin ia hoqi për fare. Mesa ndalet dallga e detit, po aq prapsoheshin talljet dhe përqeshjet e të burgosurve ordinerë.

– Ku të hodhi kështu era, o Isuf fatziu, o Isuf pezaku, – i tha vetes kur një shkurtabiq korrozi iu drejtua pak më parë me cinizëm; e pyeti nëse i kujtoheshin se çfarë race dhe ngjyre ishin lopët e pronarit të tij, Feliks Hofman.

Edhe pse nga zemërimi e inati i kërceu ai damari i errët, mbi vetull, Isufi kafshoi gjuhën dhe nuk dha përgjigje. Nuk e duronte dot më gjatë burgun, qoftë edhe një ditë më shumë. Kishte arritur në pikën që nuk mbante më.

2.

Kishte kaluar mesi i natës dhe ai nuk kishte vënë gjumë në sy. Të nesërmen do të linte burgun-kështjellë dhe do të ishte në liri të plotë. Kujtoi ditën e parë kur kishte ardhur në Zvicër nëpërmjet Francës. I kishin thënë se këtu ka punë në ndërtim dhe paguhej goxha mirë. Kantoni fliste frëngjisht, gjuhë të cilën ai e zotëronte mirë ngaqë kishte bërë katër vjet në shkollë të mesme. Isuf Peza vjen trupdrejtë, pak i hollë, fytyrë zeshkane dhe me sy të kaltër. Ka ca duar të mëdha, gjithë eshtra, kur të mbërthejnë, të këputin si darë. Punëtor i madh, si një makineri, punon ritmikisht dhe me cilësi të lartë. Zviceranët thonë: Puno ngadalë, por me kualitet, si për vete! Nuk të detyrojnë të strapacohesh, as normat nuk i kanë të larta, por kur të shohin që ulesh diku, apo thith duhan në orarin e punës, nuk të marrin me sy të mirë, ta kanë vënë vizën dhe bëjnë çmos të të largojnë.

Isufi nuk kishte nga këto vese. I qeshur, mik me të gjithë dhe i papërtuar për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve. I pari që iu afrua, ishte buldozeristi, Feliks Hofman, një burrë midis të 30-40-ve, biond, me flokët si kashtë tërshëre, pak nursëz, por i zoti i punës, mekanik i shquar. Në një nga ato ditë, ai e ftoi për një birrë, kur kishin mbaruar punë. I tregoi se banonte tre çerek ore larg me makinë, në një fshat të bukur, rrëzë një kodre të rrethuar me pyll. Në ndonjë të diel, kur të dëshironte, ishte i ftuar mysafir në shtëpinë e tij. Kjo ftesë ishte pak e papritur për Isufin. Gjithë emigrantët thonin se zviceranët të japin para, por nuk të futin në shtëpi. Kaluan ditë dhe ai bëri sikur e harroi ftesën, por Feliksi nuk e harroi. E pyeti një të shtunë se çfarë do të bënte të nesërmen, a kishte ndonjë plan.

– Kam lënë të takohem me ca miq në një shoqatë shqiptare, – iu përgjegj.

Nuk e gënjeu.

– Merr telefonin tim dhe lajmëroi se je i ftuar në një familje zvicerane dhe të jesh i bindur se ata do të japin leje, – këmbënguli buldezoristi.

– Me siguri do ketë ndonjë mur për të ngritur, – mendoi Isufi dhe i premtoi se do të shkonte.

Të nesërmen, Feliksi, i veshur me kostum, parkoi para fjetores ku ishin strehuar punëtorët emigrantë. Priti aty gjersa miku i tij u bë gati për rrugë. Isufi, qysh një ditë më parë kishte blerë një konjak shqiptar “Skënderbeu”. Ishte i vetmi product që shitej në shitoret e Zvicrës. E mbështolli në një letër varaku dhe hyri në “Benzin” e Feliksit që kundërmonte erë parfum. Ishte nga ato ditë kur në qiellin e kaltër nuk kishte asnjë gjurmë reje. Bënte fresk dhe kraharori të mbushej me oksigjen. Lumenjtë rridhnin të kulluar dhe rrugës kishte më pak lëvizje se çdo ditë.

3.

Zoti Hofman banonte në pjesën gjermanfolëse. Lanë djathtas një qytet të vogël dhe gjarpëruan në ca kodra ku dredhonte një rrugë asfalti e ngushtë.

– Shikoje atë shtëpinë trekatshe në majë të kodrës. Ajo me lule në çdo dritare, aty do të shkojmë. Për lulet kujdeset ime më, – tha Feliksi me mburrje.

– Nuk ka shtëpi të tjera rrotull? – pyeti shqiptari emigrant ngaqë nuk pa ndonjë fjollë tymi apo të dëgjonte zëra fëmijësh. I ngjau se aty nuk kishte fare fshat.

– Jo, janë 20 hektarë tokë të miat, rreth e rreth kodrës, gjer në rrëzë të pyllit, – tha me fodullëk zvicerani.

Sa mirë, mendoi Isufi, por nuk e tha me zë. Kodra plot bar, si një vezë rrumbullake, pa një gur, më tej pylli. Me siguri nga pylli duhet të rrjedhë edhe ndonjë burim uji. Njëzet hektarë, njëzet fusha futbolli. Këta nuk kanë pasur kurrë luftë dhe pronat i kanë trashëguar brez pas brezi. Tani gjethja është e gjelbër në të errët. Kështu del gjethja kur rrënja ngopet me ujë dhe pleh. Tokë e bekuar, tha dhe mendimi shkoi e iu ndal në shkurret e Pezës, në Shqipëri.

Para se të hynin brenda shtëpisë, Feliksi i tregoi tufën e gjedhëve, lopë të races hollandeze të shpërndara në livadh. Ishin shkallë-shkallë, mëmat qumështore, mushqerat, viçat dhe një dem i zi. Isufi i mumroi dhe gjithësejt i dolën njëzetë e një krerë.

– Jo, – i tha Feliksi – janë njëzetë e tre, dy lopë i presim me orë të pjellin dhe i kemi lënë brenda stallës.

Mysafiri shqiptar vuri re se kullota rrethohej me një tel që arrinte gjer tek turiri i lopëve.

– Nuk dalin dot nga teli? – pyeti kureshtar.

– Jo, përmes telit kalon një rrymë elektrike 12 wolt dhe lopa fillimisht e prek me turi, kur ndjen dridhjen elektrike, nuk guxon ta cekë më. Teli bën punën e bariut.

Të zgjuar këta zviceranët, tha me mend, dinë sesi të kullandrisen. Centi nuk u shkon dëm. I zoti i shtëpisë udhëhoqi dhe shqiptari si një qengj manar e ndoqi mbrapa. Tek dera i priti një grua fytyrërumbullaktë, me sy gështenjë, pak me bisht, e veshur thjesht dhe pa tualet. Mbante një përparëse ku ishin stampuar lloj- lloj frutash. Gjoksin e kshte paksa të hapur gjer tek e prera e futës.

– Ursula, – u prezantua ajo. Nga hutimi, Isufi harroi të thoshte emrin e tij, por i erdhi menjëherë në ndihmë Feliksi duke e shqiptuar të rrokëzuar emrin dhe mbiemrin e tij.

– Nga Turqia është? – ndërhyri e ëma që nga qoshja ku ishte ulur mbi një kolltuk me një mbulesë gri përsipër, si flokët e saj.

– Jo, nga Shqipëria nënë, këta kanë qenë katolikë, por Perandoria turke ua ndërroi besimin, i mashtroi duke u dhënë privilegje, por në shtëpi i luteshin Krishtit, – i tha i biri.

– Burrin e parë unë e kam pasur bankier, më thoshte vazhdimisht se vetëm shqiptarët janë të besës në punën e parave, të tjerët gënjejnë e duan të ta hedhin. Ai fliste mirë për ta.

– Edhe ky ashtu është, nënë, – i tha ai.

Ja ku e nxorën kokën, – mendoi Isufi – këta duan të bëjnë ndonjë transaksion, ose shplarje parash, ndryshe nuk ka pse të më sjellë këtu në këtë majë kodre. Një qëllim e ka. Këta e zënë lepurin me qerre, jo si puna jonë që e themi pa pikë takti çfarë kërkojmë. Shih si buzëqesh nusja e shtëpisë, duket se ajo i di të gjitha qëllimet e kësaj vizite. Duhet të jem i vëmendshëm, të mos ma hedhin.

– Keni pasur, keni mbajtur bagëti në shtëpitë tuaja? – pyeti plaka.

– Posi jo, ne bagëtia na ka mbajtur gjallë. Unë jam me origjinë nga një fshat afër Tiranës. Kur na tepronte bylmet, e shisnim në qytet, por prodhonim edhe grurë e misër, sa për vete.

– Di t’u shërbesh lopëve? – ndërhyri Feliksi.

– Posi jo, madje edhe t’i mjel me duar.

– Di kur duhet t’i ushqesh, si ta kombinosh ushqimin, kur t’u hedhësh kripën, kur t’u japësh ujë?

– Të gjitha i di. Tek ju është shumë e thjeshtë sepse vura re që keni depo sillazhi, ujë brenda stallës dhe mjelje elektrike.

Ursula uli në tavolinë drekën, së bashku me verën. Lexoi shishen, ishte prodhim italian, marka “Kabernet Sauvignon”, nga më të shtrenjtat, pikërisht ajo që atij I pëlqente më tepër. Filloi të provojë gjellët. Vuri re se kishin një shije dhe aromë që nuk e kishte ndeshur në restorante, por nuk guxoi të dinte më shumë. Tamam sikur të ishte brenda mendimeve të tij, Ursula pyeti:

– Ju pëlqejnë gatimet?

– Nuk kuptoj ky mishi i pjekur, me çfarë është gatuar?

Ajo qeshi me gjithë shpirt, tregon Isufi, duhet të jem skuqur. Mos vallë kisha bërë pyetje të gabuar? Pse qeshi aq shumë?! E dha përgjigjen shpejt, vetë e zonja:

– Unë prisja të pyesnit qysh në pirunin e parë, jo tani që po mbaroni pjatën. Është mish viçi i freskët, gatuar në ajkë qumështi si qëmoti, tani nuk gatuhet më kështu. Mua ma ka mësuar ime më, ndjesë pastë. Prindërit e mi kanë vdekur dhe ata më lanë trashëgim këtë truall, këtë pronë. Amaneti i tyre: Mos e shit këtë vend, merru me lopët, ato do të bëjnë të pasur. Unë kam mbaruar shkollën e lartë për veterinari. Por nëna e Feliksit po plaket, nuk ka fuqi të më ndihmojë. Na duhet një njeri, një krah pune i fortë.

– Po, – tha Feliksi – unë sot të kam ftuar me qëllim të të njoh me familjen, sidomos me Ursulën. Ajo ta shprehu e para propozimin dhe unë e kuptova që ajo të pëlqeu. Tani është radha jote të përgjigjesh.

– Ne në Shqipëri kemi një proverb, mos premto në pije e sipër, më lini të mendoj. Më parë desha të di sa është rroga dhe ku do të fle?

– Rroga do jetë pesëdhjetë përqind më e madhe sesa në ndërtim dhe fjetja së bashku me ne.

– Mua më mjafton të jeni i lidhur me punën, t’i doni lopët siç i dua unë, të tjerat ua mëson puna, hap pas hapi, – tha Ursula qetë-qetë.

Isufi kuptoi se ajo vendoste, ishte firma e parë, prona dhe malli ishin të asaj. Kuptohet se ka bërë një martesë të kondicionuar. Atë natë ai fjeti aty, nuk deshën ta lënë të iki në fjetoren e punëtorëve. Dhoma që kaloi natën ishte një apartament më vete, me banjë, kuzhinë dhe dalje nga ana e stallës. Duhet t’i vije rrotull nga jashtë shtëpisë që të hyje aty. Kur po pinim kafen e mëngjesit, ata e pyetën edhe një herë nëse i pëlqente puna, dhoma e fjetjes dhe familja. Ursula e shikonte në dritë të syrit dhe atij i ngjau se ata sy luteshin të pranonte. Uli kryet dhe padashur vështrimi i mbeti tek pulpët e saj, kishte forma të përsosura. I ngjau sikur zuri prushin me duar. Nga turpi, sytë i ngriti lart me vërtik. Dha të njëjtën përgjigje: më lini dy ditë afat ta mendoj mirë këtë punë dhe të pyes rrotull.

4.

Isufi tregon se pas dy ditësh Feliksi e priti me ankth, sa të mbaronte punën. E ftoi përsëri për një birrë.

Bisedën e filloi kështu:

– Kam dy lajme të gëzuara; edhe nëna ime, edhe nusja të admirojnë dhe e dyta, nëse do të fillosh punën tek ne, Ursula të fal një nga automobilët e saj, “Golfin”, për gjithnjë. Është i mbajtur mirë.

Kjo e fundit, thotë ai, më gëzoi shumë, kisha gjithë jetën që ëndërroja të kisha një makinë, por çfarë çmimi do të paguaja vallë? Pranova. Më duhej edhe një muaj të mbyllja kontratën provizore me kompaninë e ndërtimit, por të gjitha veprimet burokratike i mori përsipër Feliksi dhe i puthiti në një kohë rekord. Atij i shkonte fjala. Ishte i domosdoshëm për kompaninë, sidomos për mjetet e rënda motorike.

U mbarta menjëherë në vilën rrëzë pyllit, vazhdon ai tregimin. Po flija në një dhomë të ngrohtë, me dush të pandërprerë dhe ushqim të mirë. Nuk e kisha fare problem të pastroja stallën, të ushqeja dhe ujitja lopët, apo t’i kashaisja. Për mjelje vinte vetë Ursula. Ishte shumë manjake për pastërtinë. Aty mësova një gjë të re. Qumështi, ende i ngrohtë, përfundonte në punishte nëpërmjet tubave plastikë. Nga që ishim në kodër, qumështi arrinte në baxho, ose fabrikë, siç i thonin ata, me rrjedhje të lirë. Pas çdo mjelje, tubat laheshin me ujë të ngrohtë.

Veç mjeljes, Ursula nuk pranonte që unë të ndërroja disqet në magnetofon. Kur në një rast vura vallen tironçe me klarinetë, erdhi që nga shtëpia e alarmuar:

– Çfarë bën, po m’i mëson lopët me folklor shqiptar?! Të lutem, mos e përsërit më këtë gjë, nuk e sheh që unë kam zgjedhur për to vetëm kompozitorët klasikë?!

Këta janë të gjithë të lojtur, thashë me mendjen time, këtu nuk marrin vesh njerëzit nga muzika e jo më të dallojnë lopët se ato disqet e mi janë valle popullore me klarinetë. “Me këtë muzikë, thotë kjo, u tremb qumështin lopëve”.

Një nga krerët e lopëve e kishim problematike. Kur milej, ajo me një shpejtësi dhe befasi të jashtëzakonshme vërtiste bishtin si një kamzhik mbi fytyrat tona. Sidomos mbi mua. “Kjo po hakmerret, më thoshte Ursula, duhet ta kesh goditur apo rrahur ndonjëherë, pse nuk më fshikullon edhe mua”?! Nuk durova më dhe iu ktheva: “Po kërkon dem, kërkon mashkull, do të ndërzehet”. “Ti po tallesh me mua, nuk i kam mësuar këto gjëra në shkollë”, më tha ajo e zemëruar.

Kohët e fundit filloi të mbante dietë. Thoshte se kam shtuar kile dhe nganjëherë rrinte pa ngrënë. Pasi u dobësua, gjithë fustanët e vjetër dhe pantallonat i rrinin të gjera. Vazhdimisht, si pa të keq, më pyeste se a e pëlqeja ashtu, elegante. Pyet burrin tënd, i thoshja unë me humor. Ku ta gjej, thoshte ajo me buzë në gaz, gjithë ditën unë jam me ty, në stallë. I thashë se do të sëmurej po të vazhdonte ashtu, pa ngrënë, vetëm me perime. Dhe vërtetë u sëmur. Një ditë i ra të fikët duke mjelë lopët. E prita në duar, e mbajta pezull dhe e nxora në ajër të pastër. Kur u përmend, m’u lut ta mbaja ashtu në duar, ndërsa njerin krah e kishte rrotulluar rreth qafës sime. U vizitua dhe mjeku i tha se i kishte rënë rezistenca, të zgjidhte ushqimin, të hante më shumë fruta, peshk dhe asnjëherë mish gjedhi. Ishte koha e luleshtrydheve. I tha Feliksit se do të shkonte në pyll me mua të mblidhte luleshtrydhe. Nuk se i mori leje, vetëm e vuri në dijeni. “Dakord, i tha ai, derëziu, por mos u futni thellë në pyll”. Unë e deshifrova porosinë e tij, por ajo nuk i ra në të nënkuptimit. E shoqërova në pyll, por ajo ishte e pakënaqur. Nuk i qeshte nuri.

“Ti më rri larg, më mban distancë, pse?”, më pyeti. Dhe unë iu përgjegja: “Pylli ka sy dhe veshë”. Të nesërmen më dha të drejtë, i shoqi kishte shprehur xhelozi për miqësinë tonë, pastaj me zë të ulët dhe si fajtore, tha: “Në pyll unë desha të më mbaje në duar, si atëherë kur më ra të fiktë”. Përdora një shprehje shqiptare që asaj i pëlqeu shumë: “Kripa në gjellë e kripa me karar”. Kaloi rreth një muaj dhe ne ishim si të huaj me njëri-tjetrin. Kalonte pranë meje dhe ulte sytë përtokë. Nuk di çfarë mendonte në ato momente.

Kishte kaluar mesnata dhe dëgjoj një të trokitur të lehtë të derës ku flija. U ngrita i përgjumur dhe hapa derën. Ajo ishte me këmishë nate. Më porositi me zë të ulët: “Mos e ndiz dritën, Feliksi para një ore mori në telefon dhe nuk vjen sonte, ka defekt një ekskavator dhe u duhet pa tjetër ta rregullojnë, varet puna e tetë punëtorëve për nesër. Nuk e besova, por ai më kaloi në telefon përgjegjësin. Tani më merr në duar, je i sigurt që askush nuk të ndjek”. Ashtu bëra, e ngrita hopa dhe e futa në shtratin tim. Digjej zjarr. Ndodhi ajo që ndodhi, u dorëzova, nuk u përmbajta më. Durimi ka një kufi”. Afër mëngjesit doli e lumtur. U zgjat mbi majat e gishtrinjve dhe më puthi fort në gushë. “Tani, më tha, vuri ato muzikat me valle Tirone, unë do zgjohem me Bethovenin”. Qesha në errësirë dhe ajo humbi po në errësirë. Më ngjau sikur bëra dashuri me një shtojzovalle.

E ja kështu, vazhduam nja tre muaj të tjerë. Ishim të dy të gëzuar. Ishim të dy të marrë, por të lumtur. Bota ishte e jona, me gjithë lopët, stallën dhe pyllin. Ne nuk kishim kuptuar që e ëma e Feliksit na ndiqte hap pas hapi dhe fotografonte pa ndërprerë. Dashuria është e verbër, është idiote. Si nuk na shkoi mendja tek ajo plakë tinzare?! Ursula kërkonte prej meje një fëmijë dhe mua nuk më ishte mbushur mendja ende. Ajo kishte dyshime se i shoqi i saj ishte steril, nuk mund të linte trashgimtarë. Çfarë nuk do falte të kishte një fëmijë! E dëshironte këtë nga thellësia e zemrës, e shpirtit.

Gjëma ndodhi kur Ursula ishte për vizitë tek mjeku. Unë isha duke mjelë lopët kur tek dera shoh një grykë çifteje.

– Mos lëviz qen shqiptar, do të lë të gjallë, por do m’i paguash të gjitha tradhëtitë. I kam me fakte, të gjitha dashuriçkat tuaja janë të filmuara.

Nuk më la kohë as të përgjigjesha dhe as të mbrohesha. Tërhoqi këmbëzën dhe më goditi të dy gjunjët me çifte. Rashë pa ndjenja, humba vetëdijen, fuqitë m’u prenë, mendova se kaq e pata. Siç u mor vesh më vonë, ai më kishte ulur pantallonat, më la në mes të një pellg gjaku dhe lajmëroi policinë. “E gjeta duke më përdhunuar mëshqerrën”, deklaroi nën betim. Unë u përmenda në spital.

Kisha humbur shumë gjak. As bëhej fjalë të ecja me këmbët e mia.

5.

Afër mëngjesit, Isuf Pezën e mundi gjumi. Ai kishte rënë në shtrat me gjithë rroba veshur. Nuk po kuptonte, ishte në ëndërr apo në jetën reale. E kishin vënë në mes një tufë lopësh dhe pëllisnin në një kohë të gjitha: “Muuuu…”. Ai ishte i vetmi dem midis tyre. Një dem i zi me brirë çeliku. Ai u thirri lopëve pushoni, po ato buluritnin e pëllitnin edhe më shumë: “Muu-muu-muu-mu…”. Ai, Demi, nuk duroi më, gërreu tokën me thundra, ngriti tym përpjetë dhe u sul me brirët e çelikut. U çau zorrët me radhë. “Mua jo, mos…”, thërriti me zë njeriu një mushqerë. “Kush je ti?”, e pyeti Isuf Peza. Ajo hoqi lëkurën nga koka dhe ai e njohu. Ishte Ursula. Po këta të shtrirët? Oh, Feliksi, burgaxhijtë që e tallnin, gjykatësit që e dënuan, policët e korruptuar….

Një rreze dielli i lodroi mbi fytyrë dhe ai hapi sytë. Paskishte qenë në ëndërr.

 

***

Në shtëpinë në kodër e rrëzë pyllit, vazhdonte jeta si zakonisht. Në të njëjtën orë shtrohej darka. Plaka nisi të lutej. U duk sikur fryu një erë dhe u hapën me vrik kanatat e dollapit. Doli një grykë çifteje, pastaj një zë si një bubullimë.

– Poshtë këmbëve keni nga një fletore dhe stilolaps, që të tre shkruani historinë e vërtetë të mushqerës me shqiptarin Isuf Peza, firmoseni dhe mos harroni të vini datën e sotme. Nëse refuzoni, do t’u vras një nga një, të parën plakën dhe Ursulën të fundit. Nuk më duhet jeta me turpin që më hodhët përsipër.

Heshtje. E para foli Ursula:

– Unë nuk dija gjë për komplotin, por do të shkruaj çfarë më kanë pohuar këta të dy.

– Të lutem na kurse, unë e kurdisa planin, po shkruaj këtu të vërtetën, – tha Feliks Hofman, dyllë i verdhë në fytyrë. Ai më njihte mirë dhe e dinte që unë atë që thoshja, e bëja.

Jashtë prisnin dy pezakë me makinë të ndezur.

– I mora të tri deklaratat, sot kam rilindur, – tha i gëzuar Isuf Peza duke tundur tri fletë fletoreje si flamur beteje.

Të pasnesërmen deklaratat u botuan në shtypin zviceran. Gjyqi u përsërit dhe shqiptari emigrant nga Peza, për të gjitha vuajtjet dhe burgun, u shpërblye aq sa nuk ia kishte rrokur mendja kurrë. Kjo ishte historia e Mu-musë. Nëse nuk e besoni, shfletoni shtypin zviceran, aty do ta gjeni.

Mississauga, 29 tetor 2022.

Please follow and like us: