Albspirit

Media/News/Publishing

Amarda Ekmeçiu: Në vend të një urimi për 2023!

Mënyra më e mirë për të ruajtuar njerëz të dashur, ata që na mungojnë dhe vitet që ikin, janë kujtimet.

Tradita në çdo fundvit në familjen tonë përsëritej me një përpikmëri nga e cila nuk shpëtonin dhe detajet më të vogla.

I miri, gjyshi im si i vetmi që njihte recetën e gatimit, vinte pasditen e datës 30 Dhjetor në shtëpinë tonë dhe përgatiste sallatën ruse. Një specialitet për kuzhinën shqiptare atë kohë. Kureshtarë sytë e mi ndiqnin çdo veprim të tij, me përfundimin që ia “vodhën” zanatin e, tani në tryezën tonë në ndërrimin e viteve, sallata ruse, shoqëron ushqimet e shumëllojshme.

Por ajo që më kujtohet sa herë e përgatis sallatën ruse, është një detaj i vogël i cili më ka mbetur mirë në kujtesë.

Atëherë tregu ushqimor nuk kishte majonezë. Gjyshi e përgatiste atë me të verdhën e vezës, limon dhe vajulliri. Sekreti për të përgatitur majonezën bio ishte se, veza duhej të kishte të njejtën temperaturë me të dhomës, në të kundërt kur bëhej bashkimi i saj me limonin ajo pritej. Kjo ndodhte rrallë, por ndodhte.

E gjyshi më tregonte se për të pasur sukses në atë që bëje, duhej durim e mbi të gjitha dashuri.

Gjelat e detit dhe një rikë, im atë i merrte në fund të tetorit e mbaj mend që përveç kullotës së lirë përreth lulishteve të lagjes, i ushqenim me fitila. Fitilat i bënte me bukë të squllur në ujë e me thelbinj arash. Unë mbaja sqepin e hapur të gjelit e fitilat rrëshqisnin përgjatë gurrmazit të tyre si shuka të mëdha pengese. Kur i therte për darkën e vitit të ri, gusha e tyre varej nga dhjami i yndyrshëm që qe formuar nga arrat.

Ndërsa bakllavanë me njëqind petë në tepsinë 500-she, që nëna ime e kishte përgatitur bashkë me time gjyshe, e sherbetoste pasditen e fundit të datës 31. Dhe kjo kishte sekretin e saj. Që të kuptoje se sherbeti i bakllavasë ishte gati, nëna pikonte me majën e lugës mbi thua një pikë prej tij. Nëse ai qëndronte në formë rruaze kjo do të thoshte se ishte gati.

Si mund të harroj nikoqirllëkun e saj.  Gjithçka në shtëpinë tonë do të kalonte në duart e saj (me pasunin pesëmbëdhjeç). Në kazanet që vlonin në furrnelat me vajguri. Me përfundim që tërë shtëpia ndrinte nga pastërtia e tepruar.  Më kujtohet që këto quheshin punët e vitit të ri.

Pra si nëna ime ishin të gjitha nënat shqiptare.  Ky  më dukej një stoizëm i papërsëritshëm, që vetëm ato, ato më të mirat e kësaj bote, nënat shqiptare mund ta dinë.

Këto janë kujtime që bashkë me shumë të tjera më sjellin pranë njerëz të dashur, vite që ruajnë jetët e tyre. Njerëz që ditën të përçjellin nëpërmjet veprimit të thjeshtë.

Gëzuar nga mot gëzuar!

Ardhtë i mbarë për të gjithë ju 2023-shi!

Please follow and like us: