Albspirit

Media/News/Publishing

Kleitia Vaso: E shpëtuar nga Pachelbel (1)

Pjesa e dytë

Foto: Jora Vaso.

Con brio

Jeta në Tiranë, në thelb, është e ndenjur. Megjithatë, kjo fjali mund të përshkruante çdo vend të botës nëse do të jetoje përgjithmonë në të, apo edhe shumë gjatë, meqënëse “përgjithmonë” ka fluturuar nga dritarja një herë e mirë, por dyshoj se kjo është një e vërtetë që nuk do të kem fatin ta verifikoj. Atëherë le ta ndajmë fajin, unë dhe Tirana ime e dashur, secila me difektin e saj fatal që, si magnet, tërheq dhe shtyn tjetrën me të njëjtën fuqi, sipas dëshirës dhe momentit. Në thelb, i përkasim njëra-tjetrës, duam apo s’duam.

Shkurt, unë vazhdoj të largohem e kthehem, kthehem e largohem dhe, si në një ekpseriment, në të cilin një model shërben për të hedhur dritë mbi një fenomen shumë herë më të gjerë, qyteti, vendpushimi im konstant mes lëvizjeve të vazhdueshme, përfaqëson ekzemplarin ideal. Kryeqyteti që rritet me hovin idiot të një adoleshenti, ku trupi rend si gallof, para gjithçkaje tjetër, i shoqëruar nga naiviteti djallëzor apo djallëzia naïve që shoqëron këtë fazë të parehatshme të jetës, i bindur se po i “gënjen” të gjithë, është i paçmueshëm në vetinë e tij për të ilustruar, i pandërgjegjshëm, fazat fillestare të sivëllezërve më të përparuar, simotrave më të sofistikuara se vetja.

Po ashtu si një gjendje subjektive e, rrjedhimisht, modeste, mund të çojë drejt kuptimit të një dukurie më të gjerë, më konkrete, një ndjenjë që qartëson një formalitet, për shembull, nëse do të ndjekim rradhën e natyrshme të gjërave. Si dashuria, e mjegullt dhe private, e shenjtë dhe profane në formën e saj më të pastër, mund të shërbejë për të shpjeguar fenë, fytyrën e saj më ceremoniale, variantin e saj më të rritur në dukje, por më të papjekur në brendësi. Një faktor mbetet i sigurt dhe i pandryshueshëm; sa më shumë zvogëlohet ndjenja, aq më i madh bëhet spektakli. “Tao që mund të përmendet, nuk është Tao i përjetshëm”, deklaron libri i lashtë, në mënyrë barazisht të vagët dhe të qartë. E thëna ngurtëson automatikisht, duke thithur esencën e asaj që do të shprehë e duke lënë formën si një guackë të zbrazët, të skartuar. Ndjenja, e freskët, sekrete, e fuqishme, dalëngadalë rrjedh jashtë – megjithëse, në mënyrë paradoksale, do të vjetërohej edhe po të rrinte brenda – e, ndërsa del, vesh, pak nga pak, zakonin e një riti. Pikërisht atë formë, e cila, perverse në natyrë, përpiqet të përjetësojë ndjesinë e gjallë dhe, rrjedhimisht, fluide, nga e cila ka lindur, duke e ndalur artificialisht dhe duke siguruar, kështu, vdekjen e saj.

“Pas dhimbjes së madhe, një ndjenjë formale vjen”, më kalon papritmas në mendje, e saktë dhe ekonomike në evokimin e atij transformimi të parë që, më pas, sjell këta të tjerët; atij të një përjetimi, pa formë, në një emocion, me emër. Nevoja jonë e madhe për qëndrueshmëri, vazhdimësi e gjëra konkrete – prova, këto të fundit, për dy të parat – dëshira e dëshpëruar për t’u mbrojtur nga fati i pabesë, kthen një gjë të gjallë në një rit që përkujton prenë që sapo ka vrarë, ose në kompulsionin e një të droguari, cilado qoftë droga e përzgjedhur, i cili me çdo dozë të marrë me grykësi dhe, eventualisht, pa dëshirë, dobëson fuqinë dhe efektin e saj. Ndryshimi më i madh mes këtyre dy versioneve qëndron në pranimin, madje, kërkesën e versionit të parë nga shoqëria, dhe refuzimit, madje ndëshkimit të së dytës.

Skenë që na kthen përsëri në një ambient urban, në qytet, në një prej dhomave të tij që shumohen brenda sekondës, apo, ndoshta, jashtë, ku, falë diellit besnik dhe bujar, zhvillohet pjesa më e madhe e jetës. Jashtë, më mirë, ku mund të vëzhgohet forma e tij, e ndryshueshme nga një çast në tjetrin, e zgjatur, e zgjeruar, e veshur me xham, flori, kuq e zi, motive gjeometrike. Megjithatë, pavarësisht modifikimeve hutuese, në dukje, dhe shpërqendruese, në thelb, gjithçka mbetet e njëjta. Me përjashtim të disa lëvizjeve apo zhvendosjeve shpeshherë të parashikueshme, shumicën e njerëzve mund ta gjesh ku e ke lënë, pak a shumë, në mos jo në kuptimin fizik, në çdo mënyrë tjetër të rëndësishme.

Në dukje, lëvizja nuk rresht kurrë, si një valë që ikën e vjen, po aq e lirë sa e burgosur në trajektoren e saj rrethore, ngritje e zbritje, përsëri në pikënisje, ad infinitum. Njerëzit hyjnë dhe dalin nga vende, qeshin, flasin, me zë të lartë – kakofonia, kolona zanore e qytetit – fjalët, edhe kur aspak dramatike në formë apo përmbajtje, shoqërohen nga gjeste teatrale. Restorantet e kafenetë gumëzhijnë, rrugët vibrojnë nga gjallëria. Ndërsa ecën në rrugë, plot këmbësorë e biçikleta që vijnë drejt teje apo ikin, disa me shpejtësi vdekjeprurëse, makina në rresht po aq të pranishme sa notat në një partiturë, ndjen se jeton në një qyteti plot energji, në vrullin e një zhvillimi të pandalshëm. Por, nën këtë zhurmë, gjithçka gjendet në gjumë të thellë.

Largim e kthim, kthim e largim, e kurdo të kthehesh, do të gjesh të njëjtat fytyra në ekran, pak më të deformuara, të shfryra prej natyrës apo të fryra prej njeriut, duke zhvilluar po të njëjtat debate. Në terma muzikorë, mund ta titullonim këtë dukuri variacione mbi një temë, por edhe këto variacione mbeten të tilla vetëm në emër, pasi nuk përmbajnë asnjë ndryshim thelbësor. Disa fjalë ndoshta shtohen apo zbriten, në varësi të episodeve specifike që diskutohen apo prirjeve verbale të momentit të atyre në pushtet, por gjithçka tjetër qëndron në vend. Të njëjtat histori makabre, të diskutuara nga aktorë të dobët që, si kukulla, mund të kurdisen e të gjestikulojnë me të njëjtin patos fals për çfarëdo lloj teme, nga vrasje e korrupsion deri te pamja e jashtme e pushimet. Tashmë, këta debatues të palodhur duket sikur i kanë braktisur apo fshehur vetet e tyre të vërteta diku në depo a sirtar, ndërkohë që trupat, si automatë, për të përdorur termin e Benjamin, veprojnë vetvetiu sipas kërkesave dhe rastit. Çdo ngjashmëri me ndonjë ndryshim të vërtetë është e trilluar.

Edhe të tjerët, ata jo në ekran, shi a diell – diell kryesisht – duan apo s’duan – duket sikur s’duan po t’i gjykosh nga mimika e niveli i energjisë –  zvarriten drejt të njëjtave kafene të vjetra, me emra të rinj e fytyra të rinuara, sikur t’ua ketë caktuar njeri si detyrë. Ndoshta, nuk duan të ndiejnë tepër entuziazëm, ta teprojnë me dëshirën, pasi këto të dyja mund të rezultojnë më të rrezikshme se letargjia e zakonshme dhe mungesa e mendimit. Të parat ta dëmtojnë zemrën në çast, të dytat, vite më pas, në forma arrestesh kardiake e tumoresh. Kështu që, në mënyrë automatike, për të mos konsumuar zemrën e harxhuar mendjen, edhe këta yje jo televizive përsërisin të njëjtat biseda. Shumica e këtyre shkëmbimeve pa shumë investim përqendrohen rreth një prej formave të pafundme të parasë, emëruesit tonë të përbashkët, pronave, dokumenteve; më pas, shokëve dhe armiqve, koleksionit të pasur të çrregullimeve e sëmundjeve, orareve, ushtrimeve e ushqimeve, rrobave, pamjes dhe gjithçka rreth kësaj, të gjitha të thëna në trajtat e përditësuara të formulimeve të vjetra. Fytyrat kanë marrë formën e shprehive më të shpeshta, të përdorura për të ofruar minimumin e përmbjatjes me maksimumin e impaktit. Sa më shumë lëvizje e zhurmë sipër, aq më e fortë ndjesia se poshtë, prapaskena është e errët dhe bosh e ka kohë që nuk jep më direktiva.

Por, edhe ndryshimi i vazhdueshëm bëhet bajat, mund të jetë një përgjigje. Duke vërtetuar se klasikët nuk reshtin kurrë së dhëni, më vjen ndërmend një citat nga Madame Bovary, i cili më bën gjithnjë për të qeshur, i vërtetë dhe komiko-tragjik, si vetë protagonistja: “Në tradhëtinë bashkëshortore, Emma zbuloi sërish gjithë banalitetin e martesës”. Kështu shkruan Flaubert, për të paralajmëruar lexuesin e romanit të tij – lexues si Emma– se arratisjet e mirëfillta, çdo element thellësisht i ri dhe ndryshe, mbetet iluzion. “Kudo, kudo, veç të jetë jashtë kësaj bote”, ulëret Baudelaire, ai guidë e dyshimtë i individit modern, që dinte dhe na njoftoi se asnjë zhvendosje brenda këtij rruzulli nuk do të na dhurojë ndryshimin që kërkojmë. Por, ne nuk i dëgjojmë. Jetojmë si cinikë të regjur dhe mendojmë si fëmijë naivë, kur duhet të ishte e kundërta. Kur duhet të mrekulloheshim me gjithçka e duhet ta përjetonim jetën sikur kemi lindur për herë të parë e të fundit – versioni më i mundshëm me sa di unë – dhe të mendonim si të pavdekshëm, të pasuruar nga dokumentimet e pafundme të lëna nga paraardhësit tanë, në lloj-lloj formash, imazhe, nota, ekuacione, fjalë.

Le të kthehemi te fjalët e tyre që vërtet pohojnë se ndryshimi është thelbësisht sipërfaqësor, megjithëse, në linja të përgjithshme, vetë të jetuarit përmban diçka sipërfaqësore. Për të mbijetuar e shijuar, duhen injoruar fenomene paralizuese nëse të menduara gjatë. Si rrjedhojë, arsenali ynë është i pasur, plot truqe, mes të cilave, ndryshimi, i madh a i vogël, përfaqëson atë më magjepsësin dhe më ndriçuesin, njëkohësisht. Ndonëse i përkohshëm, shërben si një shkundje, një goditje elektrike drejt e në zemër, një frisson nouveau, siç e quan Baudelaire tronditjen e të “resë”. Paçka se jeta e saj zgjat po aq sa një dridhje, aq mjafton për të përmbysur apo transformuar përkufizime e besime me rrënjë të thella e të ruajtura gjatë të të shkuarës, të tashmes, të ardhmes.

Kaq për argumentin dhe kundër-argumentin.

Herë pas here, tepër shpesh, njohuria dhe përvoja shfaqen të pavlefshme, pasi, pavarësisht tyre dhe gjithë mësimeve që na dhurojnë – kundër dëshirës, në shumicën e rasteve – njeriu (ah, ky njeriu!) bie përsëri në kurthe të thjeshta e zakone të vjetra. Për shembull, një ilustrim elementar: tashmë, e di mirë se, në rastin tim, gjetja e vendeve të reja, edhe për një aktivitet të parëndësishëm si kafeja e përditshme, është më entuziazmuese se kthimi automatik në të njëjtin vend. Cilësia e qëndrimit apo ajo e pijes ka më pak rëndësi, pasi ndryshimi mjafton për të zgjuar ndjenjën e shuar vetvetiu gjatë vizitave rutinë. Megjithatë, mjerisht, në shumicën e ditëve, për të shmangur të menduarit (sikur ka ndonjë gjë më të mirë për të bërë), nis rrugën, pa mendje, drejt një prej disa vendeve të përzgjedhura që prej shumë kohësh nuk më kënaqin më.

Gjithsesi, edhe nëse je më i qëndrueshëm në shije e besnik në prirje, shumica e vendeve këtu nuk do të përpiqen të të kënaqin për gjatë pasi të kanë “kapur,” pasi të kanë patur. Nuk e kanë kuptuar – ndoshta mungesë përvoje apo thjesht aftësie vëzhguese – se si çdo folje,  kesh është fluide në natyrë, e ndryshueshme, nënkupton një shpalosje; shkurt, nuk është e gdhendur në gur. Përkundrazi, ndoshta më tepër se çdo folje tjetër,  paturit është iluzor. Por, fëminore në karakter dhe, rrejdhimisht, në përcaktime e përkufizime, këto vende mund ta ruajnë entuziazmin vetëm për pak kohë pasi iu del emri. Në vend ta marrin dashurinë e ofruar e ta përdorin për t’u përmirësuar, apo, për të mbajtur status quo-në, të paktën, pjesa dërrmuese e kafeneve, restoranteve, muzeumeve – të paktët që ekzistojnë – galerive, kamarierëve, kuzhinierëve, administratorëve, politikanëve, e shumë, shumë të tjerëve, e gëlltit grykësisht pohimin e shumëkërkuar dhe e konverton menjëherë në dembelizëm e vetëkënaqësi, shoqëruar, pashmangshmërisht, me pjatat e bëra pa kujdes, për tjetrin, e me rritjen e barkut, për veten. Në anën tjetër, publiku, klientela, apo përkrahësi/ja vazhdon të ushqejë iluzionin e cilësisë dhe lumturisë, duke ngulur këmbë për hir të rehatit të dyanshëm, në të parit të asaj shkëndije fillestare për një kohë të gjatë pas shuarjes së saj.

Ka muaj të tërë, ndoshta vite, ndonëse me shkëputje, që një vend ku kthehem verbërisht, më ofron veçse një jehonë të zbehtë të kënaqësisë së dikurshme dhe një dozë të konsiderueshme acarimi në çdo vizitë. Asgjë nuk bëhet me dashuri, apo edhe thjesht kujdes, nga përshëndetja mekanike në hyrje, akullorja e hedhur shkujdesshëm në tas, dikur e bukur dhe e shijshme, kafja shpeshherë e vakët, shërbimi letargjik i kamarierëve të lodhur, të mbi- e keq-përdorur, të cilët, po me aq të drejtë sa edhe pa, nuk arrijnë të formojnë asnjë marrëdhënie më të afërt apo të qëndrueshme pavarësisht sjelljes apo numrit të vizitave. Edhe klienti, nga ana tjetër, apo njeriu, më saktë, nuk mëson kurrë të mos hamendësojë se ndonjë vëmendje rastësore një ditë apo përkujdesje më e madhe një herë tjetër është tregues i një vlerësimi të veçantë apo simpatie kur, në fakt, edhe për tjetrin, çdokush shërben si pasqyrë. Kështu që, për të qenë e drejtë, mungesa e dashurisë mund të jetë, është, pasqyrim i asaj që ndodhet përballë; në këtë rast, një fytyrë e mërzitur që ka ardhur pa dëshirë e pret dozën e zakonshme të zhgënjimit. Në mënyrë aspak të habitshme, edhe ky rreth është bërë vicioz.

Në vizitën e fundit atje, e mësuar me rrudhjen e shtrembërimin e fytyrës që ndodh automatikisht me hapin e parë brenda, u habita nga buzëqeshjet e ngrohta dhe shikimet miqësore. “Më në fund, e kuptojnë, paskan një mendim”, mendova, si korbi budalla që hap gojën për të falenderuar dhelprën dhe lëshon djathin që ajo do, i gënjyer në mënyrë fatale nga lajkat magjepsëse. Edhe unë e kuptova tepër vonë që vështrimet e shpeshta dhe buzëqeshjet e ndrojtura nuk fshihnin ndonjë cifël kurioziteti apo thërrime mirëkuptimi por dëshirën e dyfishtë për të marrë, njëkohësisht, diçka të prekshme dhe diçka jo-materiale: ndonjë dollar më shumë, për të parafrazuar Sergio Leone-n, ndoshta për të justifikuar mundimin dhe maskën që duhet vendosur për punën pa lavdi dhe, pse jo, nëse vjen, edhe nënproduktin, iluzionin e të të qenit i/e pëlqyeshëm, i/e pëlqyer. Ky qëllim i nëndheshëm mund të jetë i padukshëm fillimisht, i mbuluar siç është nga mbifaturimi, për shembull, dhe pritshmëria se klienti i gudulisur në sedër nuk do të shohë çfarë gjendet para syve të tij, i/e etur për të besuar çfarë nuk është e vërtetë. Shkurt, vihet në veprim loja e iluzionit reciprok, lojë kjo që nuk i përket thjesht sferës së  shërbimit, siç e dimë.

Asnjeri nuk ka faj. Ose të gjithë, që është pak a shumë e njëjta gjë. As kamarieri, as klienti, më tepër se mungesa e akordimit tonë me kohën, paaftësia për të ndryshuar systeme që, në mënyrë të qartë, janë të marra fund, të cilat i kemi tejkaluar, por nuk guxojmë t’i ndërrojmë. Vazhdojmë, për inerci, me këmbëngulje e përtaci, për të mos menduar të tjerë. Qartësisht dhe me të drejtë, asnjeri nuk do të shërbejë më, por të gjithë duan të shërbehen. Dhe, kjo formulë ku dhënia nuk ekziston dhe marrja sundon supreme, ka pushtuar çdo fushë, jo vetëm shërbimin apo industrinë e mikpritjes, siç e quajnë në anglisht, duke pranëvendosur dy terma në thelb kontradiktore, në momentin e gabuar, pikërisht atëherë ku ngrohtësia dhe intimiteti i mikpritjes është zëvendësuar nga turizmi masiv, i ftohtë e thellësisht i parehatshëm. Edhe këtu, fjalët përkujtojnë atë që është vrarë, që ka vdekur. Por, ky përfaqëson thjesht një shembull prej shumë të tjerëve, pasi nëse folja shërbej do të zëvendësohej me një tjetër, formulimi do të tingëllonte përsëri i vërtetë: asnjeri nuk do të x-jë; të gjithë dëshirojnë të x-hen.

Si përmbyllje aspak të fuqishme të kësaj historie jo të shënuar, do të shtoja thjesht që, në vizitën e kushedisatë të pakënaqshme, për të dyja palët, pasi dola në humor më të keq se kur hyra, me qëllim për ta ngritur atë, me më pak lekë se ç’duhet të kisha shpenzuar, dhuratë apo penallti e frekuencës së vizitave, mirësjelljes dhe formës së saj konkrete, bakshisheve, gabimisht të interpretuara si dobësi, u largova me dëshirën e zjarrtë për të mos u kthyer më kurrë.

I vetmi shpëtim në atë vend është një djalë, apo burrë i ri, më saktë – ekziston gjithmonë një i tillë që të ndryshon mendim, përkohësisht, të paktën – por ende kam dyshimet e mia, gjë që tregon më tepër për mua se për të. Duhet të jetë kryekuzhinieri. Nuk është aspak i qeshur, as përpiqet të jetë joshës apo i këndshëm dhe nuk është veçanërisht i bukur. Por, është aq i përqendruar tek ajo që bën, sa duket sikur ndodhet vetëm, në një dhomë të shkëputur nga ambienti që e rrethon, cilësi që për mua e bën të jetë prania më magnetike aty. Sigurisht, nuk do t’ia them kurrë, as me vështrime, as me fjalë, për të mos shkatërruar çfarë admiroj, megjithëse, si grua, tundohem në momente. Skeptike, kontrolloj çdo herë, në mënyrë diskrete, të shoh nëse më ka vënë re mua apo të tjerë, veçanërisht vajzat dhe gratë, disa aq të ekzagjeruara në pamje e veshje sa duket e pamundur mos t’i shohësh. Por, nuk e kap asnjëherë me sytë drejt nesh. Ndoshta i kthen tepër shpejt që unë ta dalloj, por preferoj ta shoh ndryshe.

Please follow and like us: