Albspirit

Media/News/Publishing

Kleitia Vaso: E shpëtuar nga Pachelbel (2)

Pjesa e tretë

Interlude (hap freskoren, hidh një sy përreth)

Fytyrat tregojnë gjithçka, gjithçka që mund të thuhet e shumë më tepër. Fjalët, shpeshherë, bien ndesh me të vërtetën lakuriqe që pasqyrohet natyrshëm, pa turp, në fytyrë. Si avokate dinake, pa skrupuj, duken të punësuara posaçërisht për ta përgënjeshtruar atë. Për këtë arsye e shumë të tjera, duhet të mësojmë t’i lexojmë fytyrat, me të njëjtin vullnet e ndjenjë detyre me të cilën mësojmë alfabetin, e çdo formë tjetër komunikimi do të bëhej thuajse e panevojshme, ose, të paktën, do të zhvendosej në rend të dytë. Më saktë, duhet të kujtohemi që mundemi dhe e bëjmë natyrshëm këtë lloj leximi, e pastaj t’i vendosim një emër zyrtar si shkencë, fushë, dispilinë, çfarëdo tingëllon e arsyeshme e bindëse, e vetmja mënyrë për shumicën e “të rriturve” përreth, të mbetur nxënës të vegjël brenda, për të kuptuar diçka apo për ta marrë seriozisht. Për ta besuar atë, për të besuar në aftësitë e tyre vlerësuese apo interpretuese, në fund të fundit. Më pas, mund të organizojmë konferenca mbi të, plot prezantime artikujsh të mërzitshëm që nuk i dëgjon asnjeri, ku e vetmja mënyrë për të kaluar kohën shfaqet vëzhgimi i njerëzve përreth. Megjithatë, nëse duam ta ruajmë të gjallë “shkencën”, këshilloj shmangien e organizimeve të tilla.

Le të kthejmë në modë artin e vjetër të fizionomisë, interpretimin e tipareve, për të lexuar jo vetëm temperamentin e karakterin, por edhe cilësi më kalimtare, si gjendjen emocionale, humorin e momentit, mirëqenien, shëndetin, e kështu me rradhë. Si objekte studimi, le të përfshijmë të gjitha fytyrat me të cilat ndeshemi, ato të gdhendura me durim prej kohës apo me më ngut prej dorës së njeriut, të bukurat, të shëmtuarat, të bukura-shëmtuarat, të shëmtuara-bukurat (të vëmë në përdorim konceptin e jolie-laide, të ofruar aq bujarisht nga popuj me besim në gjykimet e tyre të pastra), të zakonshmet, nëse ekzistojnë, interesantet, për mirë a keq, të padukshmet në pamje të parë, apo të dukshmet në pamje të parë që zbehen me çdo vështrim. Kategoritë e kombinimet janë të pafundme, si tregimet e Sheherazades, gjë që të jep shpresë e ushqim për vazhdimin. Por, pavarësisht shumëllojshmërisë, çfarëdo forme kanë apo marrin, një fije lidhëse i bashkon të gjitha fytyrat: ato tregojnë të vërtetën dhe veçse të vërtetën.

Rrugët, restorantet, kafenetë, bankat, dyqanet, parqet, plazhet, bota, do të shërbejnë si libri ynë, ku do të lexojmë:

sytë, të ashtuquajtur “dritare të shpirtit,” të veçuar për fuqinë e tyre shprehëse e, si rrjedhojë, më të trajnuarit për të larguar vëzhguesin nga rruga e drejtë; por, disi të pavarur, me jetën e tyre vetjake, përtej nesh, ata thonë tepër, menjëherë; shohim ngjyrën, bardhësinë, zverdhjen, apo skuqjen e të bardhës, rrathët, çuditërisht tërheqës, lodhjen apo freskinë; shprehjen;

kapituj, nënkapituj;

kontaktin apo shmangien; frikën, guximin, apo shëmbëlltyrën e secilës; agresivitetin apo qetësinë, grykësinë apo përmbajtjen, transparencën apo turbullirën, cektësinë apo thellësinë, shtresat kuptimore që rriten apo fshihen prej viteve; gëzime mbi zhgënjime mbi trishtim mbi shpresë; ndriçimin apo dritën e fikur, shkëndijën e vërtetë a të rreme, vitalitetin apo plogështinë, hapjen apo mbylljen (ndaj botës), vrullin a tërheqjen, dëshirën apo letargjinë, shikimin e drejtuar jashtë apo të veshur nga perdet e vetë-pasqyrimit verbues, intensitetin e kontrolluar apo të falsifikuar, besimin apo dorëzimin, kuriozitetin, e shumë tregime të tjera,

hundën, pika ku mund të kapemi, ajo e e referencës, si piramida, landmark-u i fytyrës (një modifikim i vogël apo zhvendosje e saj ndryshon gjithë peizazhin), mike modeste e anashkaluar, thuajse asnjëherë e falenderuar, apo armike e madhe, shpeshherë e sulmuar; rrallëherë jashtëzakonisht e bukur në mënyrë të natyrshme (e, në ato raste, e kundruar si vepër arti, me adhurim, pa turp), rrugë e drejtë apo plot kthesa, ulje e zbritje, ngushticë apo autostradë, pushtet apo finesë, prima donna apo rol mbështetës, e kthyer përpjetë e kapriçoze, akuiline e ambicioze si ajo e Dantes, apo modeli kallëp, ai i fundit e më i përhapuri, më demokratik se demokracia vetë, barazues shtresash e njerëzish të cilët asgjë tjetër nuk do të arrinte t’i afronte,

gojën, në mënyrë sekrete më shprehëse se gjithçka tjetër, falë formës së fituar (apo humbur) ndër vite,  hartë, pa emra, e rrugëtimit tonë, pozicionimit ndaj jetës e trajtimit prej saj, udhërrëfyese në muzeun e përvojës sonë personale, treguese e pagabueshme e fuqisë apo dobësisë, dorëzimit apo këmbënguljes, ekonomisë apo teprisë, lëshimit e kontrollit, bujarisë apo kurnacërisë, shijimit apo shtypjes së tij, kënaqësisë apo pakënaqësisë kronike, kokëfortësisë apo tolerancës. E gjithë historia jonë personale thuhet prej saj, pa fjalë.

Si në çdo libër shkollor, shembujt e cituar janë të pamjaftueshëm e të rastësishëm, tentativë, me siguri e dështuar, për të qartësuar idetë kryesore. Megjithatë, si çdo tekst didaktik, edhe ky kërkon respekt e besim, pa dyshim të pamerituar. Në realitet, shenjat dhe simbolet, shkronjat tona, janë të panumërta, tepër për t’u përfshirë në të gjithë librat e botës; lëkura, për shembull, si faqet e një libri, unike në nuancë e teksturë, tansparencë apo densitet, lëmim a ashpërsi; faqet, të bollshme apo minimale, stil barok apo modern, si kodra apo rrafshnaja, petale me vesë, apo gjethe të mbuluara prej pluhurit; qerpikët, si një pyll i dendur a freskore ekzotike, apo delikate dhe thuajse inekzistente, vetë-sakrifikuese në theksimin e tipareve të tjera nëpërmjet mungesës së tyre; vetullat, viktimat e para të trend-eve, të lira të jenë apo të torturuara sipas sezonit, treguese kryesore të krenarisë apo modestisë dhe, sigurisht, ndjekjes apo injorimit të modës; balli, ekrani ku projektohet qartë prirja për të mbimenduar e për t’u shqetësuar apo një qëndrim më laissez-faire kundrejt jetës e fatit; veshët, të shkëputura prej kokës për të të dëgjuar më mirë, bija ime, apo të mbyllura si një guaskë deti, të bukur e tragjikë në izolimin e tyre; mjekra e nofullat, rrëfyese të një fabule mbi vullnetin apo mendjelehtësinë, e kështu me rradhë; kombinimet janë të pafundme në këto fytyra si tregime, novela, apo romane, në varësi të pasurisë së tyre e vëmendjes, dëshirës, aftësisë, e, sigurisht, përgatitjes së lexuesit.

Please follow and like us: