Albspirit

Media/News/Publishing

Kleitia Vaso: E shpëtuar nga Pachelbel (3)

Pjesa e katërt dhe e fundit

Foto: Jora Vaso

 

Pasqyrime e reflektime

Kur, ndonjëherë, shoh papritmas pasqyrimin e fytyrës sime në një vitrinë apo pasqyrën e një lokali, ndodh që nuk e njoh menjëherë. Ky çast distancimi nga vetja, apo Verfremdung, ashtu si çorientimi që shoqëron kapërcimin prej gjumit te zgjimi, më jep mundësinë për ta parë fytyrën në mënyrë objektive, si t’i përkiste një të huaje. Në raste të tilla dalloj, me jo pak shqetësim për të ardhmen, se, dalëngadalë, gjurmë pakënaqësie po skaliten në të.  Para se ato të ngurtësohen përgjithmonë,  do të doja t’i shpëtoja formës së tyre aspak të bukur.

Si rrjedhojë, sa herë vërej tek të tjerë, shpeshherë e acaruar, ndonjë vetull të ngritur apo buzë të varur, pyes veten, tepër vonë gjithmonë, nëse po shoh veten, pasqyrimin e fytyrës time.

Ky mendim më sjell tek tregimi vijues e aspak i jashtëzakonshëm, i cili thjesht rendit vëzhgimet e mia gjatë një dite tërësisht të zakonshme. E vetmja veçanti e kësaj të fundit ishte mbindjeshmëria ime, e cila, për mirë dhe keq, zmadhonte e zgjeronte gjithçka sipas qejfit, si një pasqyrë deformuese apo mbretëreshë tekanjoze. Për shumë arsye të qarta e të tjera tërësisht misterioze, mund të shihja, dëgjoja, nuhasja gjithçka me intensitetin e një kafshe në xhungël, një mprehtësi të cilën vetëm gratë munden ta përjetojnë e kuptojnë. Ndoshta me përjashtimin e burrave që kanë qenë në luftë. Atë ditë vërtet nuk ekzistonte një filtër ndarës mes meje e botës, por, në mënyrë disi paradoksale, një mur i padepërtueshëm e i pakapërcyeshëm na ndante.

Rrjedhimisht, e kujdesshme e me lëvizje të matura, zgjodha të ulesha në një vend disi të ri për mua, relativisht të qetë – qetësia në Tiranë ekzotike siç nuk është më asgjë, – me një pamje të qytetit të pranueshme si edhe avantazhin e të qenit vendi i vetëm i ngrohur mirë në dimër. Gjithashtu, cilësia e kafes është mbi mesataren, edhe ky një faktor kyç i cili, për mua ka qenë dytësor deri më sot, por në një botë ku gjërat e bëra me kujdes e dëshirë, dhe si pasojë vërtet të mira, janë në zhdukje e sipër, ai po merr rëndësi dita ditës. Ndoshta është edhe kontributi i moshës.

Për të gjitha këto arsye, vendi  në fjalë është disi i shtrenjtë e, nëse nuk i sheh gjërat me tepër kujdes, ofron iluzionin e të qenit elegant, gjë që shpjegon klientelën shpeshherë në dukje të pashpjegueshme.

Planimetri  e atmosferë

Vendet më të mira ndodhen pranë dritares. Si rrjedhojë, rrallëherë janë të lira.

Tre vajza të reja janë ulur aty kësaj rradhe, të lumtura që mund të shohin e mund të shihen, kjo e fundit edhe më e rëndësishme. Kur përpiqem t’i kujtoj tani, e vetmja figurë e qartë është ajo që i përket mbretëreshës me siguri të vetëshpallur të treshes. Megjithatë, dukej se dy shoqet e saj e mbështesnin në këtë uzurpim froni. Nuk mbaj mend detaje, apo karakteristika të veçanta në pamjen e saj, pasi nuk kishte të tilla, por më vjen ndërmend si ide, si siluetë. Si shumë vajza në qytet, kishte flokë tepër të zeza dhe të gjata, thuajse qëllimisht të dëmtuara e të zhveshura nga shkëlqimi, një look ky i cili ka një kuptim në vende vërtet luksoze, ku mund të përfaqësojë një përpjekje për t’u dukur e shkujdesur apo natyrale (pra, “pa mendje”), por, në një vend që vërtet të than e të rrudh, është i pakuptimtë. Këtu, lëvizja “me mend” do të ishte pikërisht ajo e kundërta, një luftë e paepur për konservimin e çdo shkëlqimi. Por, për momentin, drita nuk është trendy, kështu që le të vazhdojmë. Për të bashkëjetuar në harmoni me nuancën e panatyrshme të flokëve, dy vetulla në teori ideale, por jo të sajat, të trasha dhe të pikturuara apo të mbjella në mënyrë të përkryer, pa asnjë fije të rritur kundër korrentit  por me atë vijën e lëkurës së skuqur të mbetur lart, si një kornizë ndihmëse që duhet të ishte fshirë pas përfundimit të vizatimit. Më poshtë, për t’u përputhur me vetullat, qerpikë artificialë, të dendur e të gjatë, si një freskore. Me rëndesën e tyre, duket sikur i detyronin sytë të rrinin gjysmë të mbyllur, duke parë majën e hundës, edhe kjo në dukje e rindërtuar. Nuk e vë dorën në zjarr për këtë të fundit, por një element i dyshimtë mjafton për të vënë në pikëpyetje vërtetësinë e gjithçkaje. Në fund, qershia mbi tortë, buzë aq të fryra sa, për një çast të shkurtër që iku ashtu siç erdhi, pavarësisht trashësisë sime në lëndën e fizikës, arrita të kapja lidhjen mes sipërfaqes dhe vëllimit.

Nga afër, fytyra e saj dukej e krijuar për t’u parë nga larg, gjë që mendoj tregon distancën prej të cilës ajo e sheh veten. Në skenën e largët ku interpretojnë yjet e popit, balerinat, sopranot, fytyra e saj do të dukej thuajse e përsosur, përcjellëse e denjë e emocioneve që transmetohen nëpërmjet muzikës, kërcimit, apo aktrimit. Gjithashtu, me një filtër të mjegullt apo e parë me sy gjysmë të mbyllur, si të përgjumur, shtresat shpërqendruese të tualetit, fryrjet e shfryrjet e panatyrshme do të sfumoheshin, nuk do të ekpozoheshin nga drita mizore e diellit. Por, kjo e fundit, nxjerr në pah gjithçka, nuk kursen asgjë e asnjeri.  E verbuar prej qartësisë së saj, gati e alarmuar, largova sytë nga vajza për të parë reagimin përreth, ku kuptova se asnjeri, përfshirë edhe atë vetë, nuk dukej aspak i bezdisur apo i shqetësuar nga këto detaje. Sidomos meshkujt. Më saktë, ata dukeshin sikur nuk i shihnin aspak, sikur kishin bërë një marrëveshje të heshtur, kush e di se kur me të, ku kishin rënë dakord të besonin se ajo kishte lindur me atë pamje, e krijuar për kënaqësinë apo fantazitë e tyre fëminore. Aty kuptova se janë djemtë e vegjël ata që duhet të luajnë me kukullat Barbie. Si shumë gjëra në këtë botë, ajo është krijuar për ata, e jo për vajzat, të cilat dënohen  jo vetëm të luajnë me të, por të dëshirojnë, me pahir, të imitojnë formën e saj.

Vajza në fjalë ishte transformuar në një Barbie urbane, një kombinim i të ashtuquajturës “të bukur” dhe të një elementi të përbindshëm jo përrallor, por të zakonshëm. Megjithë këtë të fundit, kishte pamjen e një specieje tjetër. Aq tjetër, sa dukej sikur asgjë nuk duhej të na bashkonte,  por ja ku ndodheshim, të dyja në një hapësirë, kaq pranë njëra-tjetrës, në një prej mënyrave të pafundme të jetës për të na argëtuar ne e veten. Ishte e ulur në krye të tavolinës, përballë meje, maja e një trekëndëshi dybrinjënjëshëm, me dy kulmet e tjerë nën të, në hije. Nga vajza e dytë, e klasifikuar si e tillë nga numri më i vogël i detajeve të ruajtura në kujtesën time si edhe nga renditja e saj jozyrtare por e qartë në skuadër, mbetet kryesisht shpina, e cila, si torso i Apolonit në poemën e Rilkes – më pak poetike, e përbërë prej mishi e jo mermeri – ishte po aq shprehëse sa një fytyrë, ndoshta më tepër. Elementi më mbresëlënës ishte lakuriqësia e konsiderueshme e saj në një ditë të ftohtë e të lagësht dimri. Nuk e di nëse sakrifica ia vlente në rastin në fjalë, por këtë nuk është në gjendje ta gjykojë vetë vepra apo subjekti, por vetëm spektatorët. Ajo nuk mund ta shihte apo ta njihte këtë pjesë të saj aq sa shikuesit, një fenomen frustrues për ne të gjithë, jo vetëm në lidhje me shpinën, por gjithçka. Pavarësisht dokumentimit të tepërt, pothuajse të sëmurë, të fytyrave e trupave tanë, nuk mund ta shohim asnjëherë veten në jetë, në lëvizje e sipër, të gjallë. Imazhi i qartë i vetes mbetet i paarritshëm, na rrëshqet sa mendojmë se e kemi kapur. Atë që tregojmë, shpeshherë në mënyrë të pandërgjegjshme, vetëm ne nuk mund ta dimë. Nuk e lexojmë dot kurrë nëntekstin e fytyrës që na përket.

Në rastin e shpinës prej mishi, di vetëm se shikimi, në mënyrë të pavullnetshme, shkonte drejt lakuriqësisë së ekspozuar, të rëndomtë e të veçantë njëkohësisht, të lashtë sa vetë bota por të manifestuar në këtë fragment të gjallë në të tashmen; në lëkurën e zbehtë, e cila vajza shpresonte të ishte e pastër, e lëmuar; në muskujt të cilët ajo besonte ekzistonin, siç beson një fëmijë në një mrekulli, pa punuar për të; në belin e saj tepër të hollë, të mbuluar pjesërisht nga një shtresë thuajse të tejdukshme flokësh, me shiritë të verdhë e të errët, të krehura me kujdes e me onde të shtuara në fund, por jo veçanërisht të pastra. Thatësia e tyre, nuanca paksa e verdhë e fytyrës, detaje ndoshta të padukshme në një foto, por të ekspozuara nga drita e ditës, tregonin një mungesë kujdesi të mirëfilltë, zbulonin mangësinë e thellë, të brendshme, rrënjësore të mirëqenies. Ndoshta kjo shpjegon urinë e vajzave, vrullin me të cilin hanin, pinin, flisnin, thithnin si biberon cigaren elektronike. Pavarësisht mungesës së konsideratës së tyre për të tjerët, të shprehur në çdo gjest, që nga volumi tepër i lartë i zërave, ndjeva keqardhje për to. I kuptova e kujtova kohën kur edhe vetë helmohesha me cigare e ushqime të pashëndetshme, e pandërgjegjshme për veprim e pasojë, krim e ndëshkim, një Pinok i vërtetë prej druri. Nga ana e tyre, edhe ato ndoshta, nëse do të më shihnin, do të përjetonin të njëjtin kombinim përçmimi e mëshire të shkaktuar nga veshja ime jo veçanërisht seksi, pamja jo edhe aq e kuruar, stili thuajse i pamenduar. Duke e parë veten nga sytë e tyre, që në të vërtetë nuk shihnin asnjë tjetër, as njëra-tjetrën, qortova veten për mungesën e përgatitjes, për përtacinë time të veshur si rehati, për mungesën e guximit të maskuar si modesti, për refuzimin për të luftuar të shfaqur si vetëbesim.

Nga vajza e tretë nuk mbetet pothuajse asgjë, veç stilit të flokëve sipas atij të momentit. Gjithçka tjetër është e mjegullt. Ndoshta mungonte ekzagjerimi apo mbiekspozimi, duke e bërë atë të padukshme. Mund të jetë edhe se shoqet e saj nuk e dëgjonin, e kështu rreshtat e saj u recituan jashtë skenës, u eliminuan në montazhine përfundimtar të filmit. Ndodhen para meje, në kujtesë, si një pikturë ende në proces, ku vetëm figura kryesore është e përfunduar, e dyta pothuajse e plotësuar, e treta e saponisur. Me siguri, vajzave nuk do t’iu shkonte në mendje se mund të frymëzonin një imazh kaq klasik, për to sigurisht demodé. Pa dyshim, ato do të preferonin diçka më të shpejtë në zbatim, më të menjëhershme në konsumim e kënaqësi, një set fotografik, apo edhe një selfie të goditur. Nuk kanë faj. Shumë njerëz nuk mendojnë në këtë mënyrë apo për gjëra që nuk lidhen ngushtë me përditshmërinë. Ndoshta nuk e kanë këtë luks, ndoshta e konsiderojnë humbje kohe një mendim pa përfitim konkret. Unë nuk mundem të bëj ndryshe; i shoh të gjithë dhe të gjitha, pa dallim bukurie apo shëmtie, mirëqenie apo mjerimi, veçantie apo “padukshmërie,” si subjekte të denjë për vepra arti, herë tablo groteske, herë kryevepra. Përfshirë edhe vajzat të cilat, pa dashje, shkaktuan një sërë reagimesh, nga më negativet deri tek mirëkuptimi. Vërtet, për një çast, pavarësisht detajeve shqetësuese, mendova për privilegjin e madh të të qenit grua, si ato, si unë, pak rëndësi kanë dallimet.

Pa fluturuar tepër drejt qiellit, zërat e tyre më zbritën përsëri në tokë, në dhomën e përbashkët, duke mbërritur në tavolinë. Timbri i tyre, bashkë me temat e diskutimit,  përputheshin në mënyrë të përsosur me pamjen e vajzave. Temat, apo tema, më saktë, kryesorja nga këto anë, kishte të bënte pikërisht me paraqitjen dhe çdo element të saj, që nga thonjtë, flokët, lëkura, deri tek dieta, ushtrimet e ushqimet. Bleta mbretëreshë ankohej, me mungesë të theksuar sinqeriteti, për paaftësinë e saj për të shtuar peshë, problem i rrallë, ndërkohë që dy shoqërueset e saj e dëgjonin gojëhapur, të hipnotizuara. Ashtu si unë, edhe ato dukeshin që e dyshonin vërtetësinë e deklaratave të saj, por diçka i shtynte ta dëgjonin pa e kundërshtuar, me një lloj adhurimi, ndoshta jo për aftësinë apo paaftësinë fiktive por për vetëbesimin, guximin, apo edhe paturpësinë për t’u mburrur në një potpuri mënyrash. Ndoshta nuk e dëgjonin aspak, thjesht luanin rolin e dëgjueseve.  Po t’i vëzhgosh të gjithë pa zë, arrin të kuptosh se shpeshherë qëllimi i fjalëve nuk është domethënia, por rasti për të pozuar. Më tepër se kurrë, jeta duket se është zhvendosur në sfond, ndërsa përfaqësimi i saj, poza, në plan të parë.

E dëshpëruar tej mase e jashtë çdo proporcioni për eventin aspak domethënës, i ktheva sytë, si zogj të çorientuar, këtej e andej, gjithandej, me dëshirën më të madhe për t’u arratisur. Për pak mbështetje, u drejtova nga kamarierët, bashkëvuajtësit e vetëm të mundshëm, por tek fytyrat e tyre statike si statuja nuk dallova asnjë shenjë jete, e jo më solidariteti.  Të vetmet ndjenja që mund të lexoheshin ishin mërzia, indiferenca ndaj punës, me siguri edhe fatit, e doza të konsiderueshme përçmimi.  Megjithëse shumica ishin djem të rinj, në lule të moshës, ata dukeshin tërësisht të painteresuar në ambientin e njerëzit përreth, përfshirë këtu edhe vajzat pothuajse moshatare. Nuk i shihnin, në mënyrë thuajse kokëfortë, një pasqyrim ky apo kundërpërgjigjje ndaj shpërfilljes së plotë të vajzave kundrejt tyre. Këto të fundit nuk u interesuan në asnjë çast për figurat që u shërbenin pijet e ushqimet – duar pa zot, me siguri –  duke nënkuptuar se kishin shqetësime më të rëndësishme se stafi i padukshëm i shërbimit. Shumë të tjerë silleshin po kështu; pak njerëz ndërvepronin me kamarierët, pavarësisht punës së mirë apo të keqe, apo pamjes, me raste shumë herë më interesante apo edhe më të bukur se klientët. Gjë që shpjegon mungesën e entuziazmit të stafit, atë të besimit gjithashtu, procesin e gjatë e të mundimshëm të ngrohjes. Përsëritja e veprimeve, porosive, shprehjeve, shkëmbimeve, sjelljeve po ua fshin, pak nga pak, dëshirën për jetën. Kamarierët e këtij qyteti mund të mos të jenë të ndërgjegjshëm për shkakun e letargjisë së tyre, ndoshta edhe për vetë ekzistencën e këtij virusi të gjithëgjendur, por shpeshherë duken si trupa të zbrazur që veprojnë automatikisht, pa kujdes e vëmendje, pa dalluar mes fytyrave të njerëzve përballë tyre. Sytë duken të hapur, por nuk shohin e buzëqeshja e sforcuar, pa mendje, u dhurohet të gjithëve e askujt. Të mbiekspozuar ndaj njëtrajtshmërisë në pamje e sjellje, kanë ndalur së kërkuari ndryshime. Si rrjedhojë, asgjë nuk është vërtet e shijshme; asnjë vend nuk të mungon për gjatë dhe, edhe nëse gëzohesh një herë, do të zhgënjehesh herën tjetër.

Përballë vajzave, si një pasqyrim disi i deformuar, ndodhej një grup me biznesmenë. Nuk e di nëse ishin vërtet të tillë, por, megjithë rrobat tepër sportive e, me raste, të papërshtatshme për moshën, krijonin këtë përshtypje nga intensiteti i bisedës dhe afërsia fizike me njëri-tjetrin. Dukeshin tërësisht të përfshirë ndërsa diskutonin shifra, prona, borxhe e gjyqe, tema po aq të paevitueshme për një grup të këtij lloji sa vetë vdekja. Aq të përqendruar dukeshin, sa mund të mendoje se ishin të pandërgjegjshëm për praninë e vajzave pjesërisht të zhveshura të ulura përballë. Por, nëse prisje e shihje me vëmendje, në heshtje e qetësi të plotë, arrije të dalloje ndonjë vështrim të shpejtë, si pa mendje, në drejtimin e tyre, duke perceptuar, gradualisht, dialogun e heshtur, shumë herë më interesant se ai me fjalë, dhe arsyen pse ky i fundit, i shifrave e pronave, ekziston. Megjithëse, siç ndodh shpesh, rendi e rëndësia janë ngatërruar e ajo që një herë e një kohë ishte vegla, tashmë është kthyer në vetë qëllimin përfundimtar. Pasi përfunduan shkëmbimin mbi shqetësimet e tyre më serioze, biznesmenët ndezën purot e pashmangshme, për të sinjalizuar kështu nisjen e lojrave të argëtimit. Në këtë pikë, u kthyen pa turp drejt vajzave,  aspak të shqetësuar, ndoshta edhe të vetëdijshëm, për imazhet disi qesharake që përcillnin apo frymëzonin purot e tyre mes buzëve.

Në kërkim përrallash më qetësuese, u ktheva nga ana tjetër dhe i harrova menjëherë vajzat e reja dhe burrat e pjekur, në historinë e të cilëve isha aq e investuar vetëm para pak çastesh. Ky përqendrim i përkohshëm nuk më kishte lejuar të shihja pranë meje një gjëegjëzë disi më të ndërlikuar apo, të paktën, më të rrallë nga këto anë; një çift të përbërë prej një gruaje në mesmoshë, veshur me një fustan të ngushtë e të shkurtër e, në dukje, shumë të parehatshëm e një djali më të ri, të cilit ajo nuk ia ndante sytë, si e trembur nga pasojat e një shkëputjeje, sado të shkurtër. Kur ai lëvizte sadopak, ajo e shtrëngonte dhe e drejtonte nga vetja, kujdes tërësisht i panevojshëm, pasi ai nuk e ktheu kurrë vështrimin në tjetër drejtim. Dukej sikur i gjithë vullneti e fuqia  e tij përqendrohej tek shikimi në sytë e saj, pa u dorëzuar, pa devijuar, me një përkushtim e besnikëri që rrallëherë e ndesh këto ditë. Kur ajo u ngrit, ai u gjend menjëherë pas saj, me pallton në duar, gati për ndihmë e shërbim. Në shkëmbim, ajo e pa me gjithë ëmbëlsinë e dashurinë e mundshme, veshi pallton sikur po mbështillej nga krahët e tij dhe u nis drejt kamarierit me faturë e kuletë në dorë.

Çifti u zëvendësua menjëherë nga një tjetër. Aq shpejt sa dukej sikur nuk kishin qenë kurrë atje, sikur edhe tavolina e karriget i harruan trupat e tyre sa hap e mbyll sytë. Vajza dhe djali i ri që zunë vendin e sapoliruar ishin, qartësisht, në fillim të historisë së tyre. Hapat hezituese dhe veshjet jo veçanërisht të rehatshme tregonin se e kishin zgjedhur këtë vend për takimin e tyre të parë a të dytë nisur nga reputacioni i tij si një pikëtakim elegant e luksoz. Vajza kishte veshur një fustan të zi e të shkurtër në stilin e viteve ’80, me geta të tejdukshme, të cilat stononin disi me diellin e mesditës. Ishte aq “femërore” në çdo detaj, përfshirë thonj e flokë të gjatë, sa mund të shërbente si një përkufizim paksa i rëndomtë i fjalës në fjalor. Prekte vazhdimisht flokët e saj të zeza, në mënyrë kompulsive e të sikletshme, thuajse pornografike, një gjest që, si çdo kompulsion, të acaronte kur e shihje, por që të shtynte, si kundër vetes, të ktheheshe e ta kontrolloje përsëri, me shpresën që ndoshta kishte ndalur. Shihte drejt e në sytë e djalit të ri, i cili kishte veshur diçka më të thjeshtë, xhinse e një bluzë të bardhë që vinte në pah tatuazhet e tij të shumta. Por, pavarësisht tyre, gjestet plot pasiguri dhe mjekra e rrallë, plot boshllëqe, e bënin të dukej më tepër të ndjeshëm e të kamufluar sesa të fortë. Gjatë bisedës, e cila ishte më tepër një monolog i vajzës, mund të lexoje qartë dëshirën e tij për ta habitur atë, dhe pamundësinë e njëkohëshme për ta bërë. Ndërkohë që mund të dalloje lëvizjen e vazhdueshme të dhjetra ideve dhe shqetësimeve prapa ballit – ashtu dukej, të paktën, nga zverdhja e djersët e ftohta – pothuajse asnjë tingull nuk arriti të dilte jashtë buzëve të tij. Ngjante me krijesat e magjepsura në përralla që dëshirojnë, më tepër se gjithçka, të flasin, por nuk munden. Mund t’i kisha thënë se ky ishte një mundim e ankth krejtësisht i kotë dhe nerva të çuara dëm, pasi vajza kishte vendosur, që në pikënisje, se çfarëdo të bënte, ai ishte mëse në rregull, se thjesht prania e tij mjaftonte. Siç ndodh shpesh, ajo kishte marrë përsipër barrën më të rëndë. Ishte ajo që drejtonte bisedën-monolog, prekte krahun e tij, e shihte me adhurim, lëvizte pa pushim dhe qeshte sikur dëgjonte gjërat më argëtuese, kur nga ai dilnin vetëm disa belbëzime dhe tinguj të paformuar. Duhet të pranoj se kjo pabarazi histerike më bezdisi si të isha një teto moraliste. Nuk mund të dalloja nëse shkaku i vërtetë i këtij turbullimi ishte shfaqja e qartë seksuale e shkëmbimit, e pafshehur mjaftueshëm, apo panatyrshmëria e sikletshme, një performancë e të gjithë repertorit të pozave të njohura, të përsëritura, e bajate të shkëmbimeve ndërgjinore, poza që mendoja ishin zhdukur me kohë.

E njëjta histori, e përsëritur pafundësisht. Megjithatë, çifti shërbeu si urë drejt tregimit tjetër. Pranë tij, ishin e, ndoshta, kishin qenë ulur për një kohë të gjatë, dy gra të reja çuditërisht të papërcaktueshme. Fytyrat e tyre, qartësisht të paprekura nga tualeti, ishin dukshëm por lehtësisht të prekura nga dora e njeriut. Kjo specie e re mund të përfaqësojë pasardhësen e look-ut të “vajzës së pasur” amerikane, një metodë thelbësisht tjetër nga shijet e deritanishme e qëndrimi ballkanik ndaj pamjes. Në versionin amerikan, investimi i konsiderueshëm kohor e monetar përqendrohet në
themelet, jo zbukurimet; elementi kyç, vetë qëllimi i këtij stili është fshehja e përpjekjes së madhe. E njëjta ide po përhapet edhe këtu, por ende në hapat e para, rezultati shpeshherë shfaqet i çuditshëm, një hibrid çorientues, që, në të vërtetë, e bën më interesant se ai i perfeksionuari amerikan.

Mbi xhinset e bluzat e tyre të thjeshta, dy vajzat kishin hedhur supeve peliçe ekstravagante e luksoze, të painformuara apo të pashqetësuara se, në botën e zhvilluar, ky material shihet si mizor a ka kohë që ka dalë jashtë mode. Ndoshta peliçet për to kanë ardhur më herët seç duhet, në atë hapesirë ku sferat e pasurisë dhe kulturës ende nuk janë takuar me njëra tjetrën për të krijuar një mbitakim. Ndryshe nga treshja dietike, plot zhurmë e gjeste, dy figurat pjesërisht të mistershme qëndronin statike, si dy buste. Për të dalluar se po flisnin, në dukje pa lëvizur buzët, duhet të kishe sytë e një gjahtari. Nuk dëgjohej asnjë fjalë, vetëm një pëshpëritje e lehtë që nuk dihej ekzaktësisht nga vinte, pasi dy shoqet apo motrat vështronin drejt, pa u kthyer nga njëra-tjetra. Në fytyrat e tyre sa të zakonshme, aq edhe ekzotike, ku dora e mjekut apo estetistes përziehej me gjene të njohura lokale, mund të lexohej, me pak mundim, vështrimi thuajse bosh i përçmimit, një shprehje, në këtë rast, më shumë e përvetësuar se e natyrshme. Ekzekutimi ishte tepër i përsosur e teatral për të qenë kjo e dyta. Pozicioni i tyre në sallë dhe mënyra e të parit e të pëshpëriturit më solli ndërmend tetot thashethemexhie të Sagës së Forsajtëve, apo, ndoshta, paraardhëset më modeste të tetove aristokrate. Megjithëse, me një vështrim të dytë, shumë pak apo aspak i ndante dy vajzat nga princesha Eugenie apo Beatrice, gjë që vërteton përfundimin e papritur të J.-së gjatë shikimit të serialit The Crown (Kurora), se mbretëresha dhe familja e saj nuk janë aq të qytetëruar apo të sofistikuar sa supozohet. Cilësim ky, shenjat mbështetëse për të cilin gjenden para syve tanë, nëse nuk mahnitemi nga tituj e formalitete. Në fund të fundit, ata janë si të gjithë ne, kombinim i çdo elementi, të thjeshtë e të rafinuar, të ditur e të paditur, urbanë e ruralë, llum e ajkë, në varësi të këndvështrimeve e përkufizimeve. Gjithçka është njëkohësisht vetja dhe e kundërta, objekti dhe pasqyrimi.

Me sytë e tyre, pashë edhe një herë të gjithë sallën si në një skenë panoramike, e m’u duk sikur po shihja një version të modernizuar të Kohës së pafajsisë, por me personazhe me fytyra të ngjashme me ato të motrave Kardashian. Për të shoqëruar imazhin me zë, në ajër fluturonin copëza bisedash mbi shifra e ushtrime. Brioche-t therreshin me thikë e pirun, në mënyrë tragjiko-delikate; gota vere të shtrenjta në çmim, por ndoshta jo në shije, braktiseshin gjysmë të plota, qëllimisht. Asgjë nuk shijohej apo shijohet, që do të thotë se asgjë, e vërtet gjithçka, sakrifikohet. Çdo veprim përmban një qëllim, lidhet me dinamikat e pushtetit, tregon fuqi apo, të paktën, përfaqëson një përpjekje të tillë. Asgjë nuk është e lirë, spontane, një stil jetese që, në thelb, është vetë antiteza e luksit, mirëqenies, dhe jetës së jetuar mirë. Merr politikanët, për shembull: sa më të pushtetshëm janë, aq më shumë detyrohen të jetojnë një jetë plot aktivitete të detyruara, duke u kthyer, edhe më shumë se vartësit e tyre apo popullin e thjeshtë, në shërbëtorë. Ja pse fjala në anglisht e përdorur për ta është public servant . Apo “yjet” e spektaklit, të ndëshkuar të performojnë për turmat edhe kur nuk duan, të sforcuar të mbeten vazhdimisht intersantë, duke kërkuar, në kthim, çmime të larta që justifikojnë këtë stërmundim. Parë me kujdes, jetët anonime të anëtarëve të turmës shfaqen shumë herë më tërheqëse.

Në këtë pikë të vështrimit e reflektimit, fytyra ime, me siguri, pasqyronte ambientin e jashtëm e atmosferën e brendshme. Me siguri, u përpoqa ta shpëtoj përpara se të ngurtësohej në një maskë tragjike. Për t’iu arratisur vdekjes së palavdishme prej mbytjes në këto ujëra të cekëta, u orvata të gjej diçka të bukur ku mund te kapesha, çfarëdo gjëje me sadopak thellësi. Me erdhi në mendje Beethoven me emocionet e tij të shfrenuara, bukurinë aq të papërmbajtur sa, me raste, tingëllon pothuajse e vrazhdë. Në vend që të ndjehesha më mirë, u trishtova edhe më shumë. Mbaj mend se, mes kësaj kakofonie zërash e pjatash, mendova për humbjen e dëgjimit, heshtjen e plotë në të cilën përfundoi, çmimi për përkushtimin e tij të tepruar që vetëm jeta mund ta përcaktonte e kthente me aq saktësi. Mendova për betejat e kompozitorit me veten e të tjerët, lartësitë e arritura, ndoshta si askush tjetër, nëpërmjet mundimit të vazhdueshëm, sforcimin për të qëndruar në majën e ethshme dhe të paqëndrueshme, ku një qëndrim i zgjatur duket se paguhet me paaftësinë për t’u kthyer i padëmtuar në botën e të tjerëve. Vetëm përfytyrimi i mundimit të nevojshëm ishte sfilitës, duke treguar menjëherë distancën mes nesh e tij, prirjet tona drejt shpërqendrimit e fuqinë e tij tërësisht të përqendruar në nota muzikore që nguliten pa kthim në mendje.

I njëjti mendim, apo moment kuptimi, më erdhi ndërsa lexoja me kujdes, për qëllime akademike, Iluminimet e Walter Benjamin. Pas disa faqesh mundimi për të kuptuar çdo rresht e ide, niste, si me kronometër, një dhimbje koke që rritej me çdo fjali, pasojë, me siguri, e lartësisë së madhe e të mbajtur konstante të mendimit, kërkuese, të pamëshirshme, mizore madje; mendime të nisura e të vazhduara deri në limitin e tyre, si fije të tërhequra deri në prag të këputjes. Nëse thjesht leximi kërkon kaq shumë, mund të imagjinohet procesi i shkrimit, sforcimi për të ndjekur një ide drejt majave marramendëse, pastaj rendja pas saj nëpër qindra faqe, pa pushim, pa u dorëzuar, pa e lëshuar. Ngjitja e zbritja më kujtuan Danten, thellësitë e arritura dhe, pas qëndrimit pothuajse fatal në to, daljen po aq të rrezikshme, e ngjitjen po aq të mundimshme. Pas gjithë këtyre lëvizjeve, arrita përfundimin e thjeshtë, që edhe shumë të tjerë e kanë arritur para meje, që vetëm kush guxon të zbresë aq poshtë, mund të ngrihet po aq lart e të këndojë për tmerrin e bukurinë tragjike të ferrit, letargjinë e limbos, lumturinë thuajse të papërballueshme të parajsës. Vetëm ata që mund të mbijetojnë prekjen e shtresave më të thella të errësirës, të ndërgjegjshëm për atë që po ndodh, mund t’i thurin ode gëzimit. Tregimet e tyre, dëshmi udhëtimesh të pavdekshme, janë të vetmet që ia vlen të dëgjohen.

CODA

Në ndodhi më tokësore, pak kohë më parë, rastisa të shoh një pjesë interviste në të cilën një aktore relativisht e re dhe shumë e suksesshme, barazisht popullore dhe e vlerësuar nga kritikët, e një aktor edhe më i famshëm e me përvojë më të gjatë, po promovonin filmin e tyre të ri. Në një pikë të bisedës, intervistuesi i pyeti për kinemanë klasike, filmat e preferuar të secilit. Nuk më kujtohet titulli i cituar prej aktores, por mbaj mend që zgjedhja tregoi qartë moshën e saj, pasi më tingëlloi edhe mua, disa vite më të madhe se ajo, ende tepër bashkëkohor për t’u konsideruar klasik. Shkurt, pata përshtypjen se kishte dalë dje, jo para erës sonë. Në mënyrë të ngjashme, edhe përzgjedhja e aktorit, Tango e fundit në Paris e Bertolucci-t, përputhej me moshën e imazhin përkatës të tij, persona-n e krijuar përmes roleve dhe shtypit mbi jetën e tij të stërfolur private. Megjithëse zgjedhja e tij m’u duk disi bajate, u habita, ndoshta edhe më tepër se ai vetë, kur aktorja pranoi se nuk e kishte dëgjuar kurrë këtë film. Për më tepër, nuk dukej aspak e sikletosur për këtë mungesë njohurie, apo e turpëruar nga çudia e pasqyruar qartë në fytyrën e kolegut. Megjithatë, kjo habi nuk zgjati shumë, pasi ai, i trajnuar dhe i sjellshëm, e ndryshoi mimikën e tij menjëherë, për t’i kursyer asaj çdo ndjenjë mërzie. E ndërroi temën dhe vazhdoi të bënte shaka e të tregonte anekdota nga jeta e tij. Intervista vijoi gëzueshëm, por unë kisha humbur çdo interes në opinionet, tregimet, si edhe filmat e saj. Në atë çast, m’u duk e papranueshme që një aktore e kalibrit të saj, tashmë pjesë e padiskutueshme e historisë së kinemasë, nuk kishte dëgjuar kurrë një titull aq të diskutuar, për mirë e për keq. Fytyra e saj, e qetë, e paturbulluar, e pashënuar nga e shkuara kolektive, jo thjesht përvoja e saj personale, e bënte të pamundur besimin në aftësitë e saj për të përjetuar e përcjellë shtrirjen e gjerë dhe shtresat e pafundme të përvojës njerëzore.

Imazhi i fytyrës së saj të qeshur e të patrazuar m’u kujtua pikërisht në kafenenë kinematografike.  Një vështrim rreth e rrotull, në fytyra të fshira apo të transfomuara para se të kishin mundësi të lindnin, të merrnin formë, apo të bëheshin fytyra të mirëfillta, ma bëri të qartë se isha treguar tepër e ashpër në gjykimin tim ndaj aktores, ndonëse ky gjykim apo mungesa e tij është tërësisht i parëndësishëm për të. Siç duhet të jetë. Me fytyrën e saj të bukur nga natyra, si trëndafil, për të cituar dikë, ajo dukej si gjeni në krahasim me çfarë më rrethonte, më e mira e mundshme – madje më tepër se aq – që mund të ofrojë brezi i saj, fatkeqësisht i zënë në grackën e tundimit dhe mundësisë për të qenë “i/e/të bukur” në çast, pa mundim.

Po zhytesha më thellë e po humbja çdo shpresë. “Braktisni çdo shpresë, ju që hyni këtu,” sepse ferri i vërtetë është pikërisht kjo varfëri e shndritshme dhe e zhurmshme. Kur u ktheva në shtëpi, kisha humbur çdo dëshirë për të lexuar, shkruar, jetuar. Përse, për kë, për çfarë? Disa kafe në dukje të thjeshta, të parrezikshme, arritën të fiknin jo vetëm çdo shkëndijë që mund të lindte, por edhe thëngjij të mbetur nga zjarre të kaluara. Për të mbajtur gjallë njërin prej tyre, për të tentuar të paktën, nisa të dëgjoj muzikë klasike si kundërhelm. Në pak minuta, notat dramatike apo lozonjare, në varësi të muzikës e kompozitorit, ia dolën të më ngrenë lart, larg batakut që po më përpinte, fashitën dëshpërimin mpirës që rrjedh nga zbrazëtia. U ngrita aq lart, aq shpejt, sa, në pak çaste, harrova gjithçka që kishte ndodhur pak më parë. Siç duket, për të ardhur në vete, për të gjetur një kuptim e pak dëshirë, mjafton të shtyp play dhe të dëgjoj Beethoven-in, Mozart-in, Vivaldi-n, aq të fuqishëm sa, me pak tinguj,  mund të kapërcejnë shekuj e të depërtojnë shtresa të panumërta muresh të ngritur qëllimisht apo në mënyrë të pandërgjegjshme, arrijnë të aktivizojnë ndjenja të panjohura edhe për vetë dëgjuesin, pa emër, ndoshta, por realë, të vërtetë, të përjetshëm.

Kujdes: Ky ilaç nuk është efektiv në çdo rast. Herë pas here, mund të ketë efekte anësore të papritura. Për shembull, në redaktimet e lodhshme të teksteve teknike, kjo zgjidhje nuk funksionon. Përdorimi i muzikës, i veprës së artit të krijuar e të nxjerrë me mund prej dikujt tjetër, për t’i shpëtuar pjesërisht prangave të pranuara në shkëmbim për pagesa gjithnjë të pamjaftueshme, nuk mund të sjellë rezultatin e dëshiruar. Dështimi apo fitorja janë pjesë përbërëse e një veprimi që në lindje, në pikënisje. Kështu edhe në këtë rast, një ilustrim ideal i kësaj ideje. Vetë jeta, muzika, drejtësia universale nuk lejon që diçka e bukur të përdoret për të minimizuar dhimbjen e të bërit diçka që shton shëmtinë e kësaj bote. Këtu, muzika të tradhëton ose, më saktë, të mbron duke të thënë të vërtetën, haptas, pa keqkuptime apo paqartësi. Shëmtia e tekstit bie ndesh me emocionin e pastër të Sonatës së hënës, apo bukurisë sa të larmishme aq edhe të unifikuar të Katër stinëve, thellësisë së Beethoven-it, apo harresë si shampanjë në nota të Mozart-it, ndjeshmërisë së Vivaldi-t, dramaticitetit të Tchaikovsky-t dhe, në vend që ta bëjë punën të durueshme, të përtypshme, kjo e dyta, më e zakonshme, aspak e bukur e bën muzikën e marrë nga qielli e nga ferri të tingëllojë e çjerrë, e zbrazët, e lodhshme. Në këto raste, njeriu duhet të zgjedhë njërën ose tjetrën, duke përcaktuar kështu vazhdimin e ditës, ndoshta edhe të jetës.

Please follow and like us: