Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder SHERIFI: Miku im i përjetshëm, Philippe Soupault!

 

1922 – Paris, Musée National d’Art Moderne. Huile sur toile, achat 1978 (AM 1978-323)

PHILIPPE SOUPAULT: MIQËSIA IME ME BASHKËTHEMELUESIN E SURREALIZMIT

“PO PSE JE KAQ HUMAN, NË NJË BOTË TË PAMËSHIRSHME”?

 

 

Kur më rikujtohet sot miku im i dikurshëm, por i përjetshëm Philippe Soupault, të cilin publiku i gjerë nuk e njeh fare, edhe pse ka qenë figura themelore, pionieri i Surrealizmit, bashkë me liderin shumë më karizmatik, por mjaft autoritar, zoti André Breton (i cili njihet shumë më mirë, si autor dhe intelektual, ndërsa Filipi ka ndejtur padrejtësisht tepër diskret dhe nën hijen e tij). Nëse flitet për atë lëvizje madhore të shekullit 20, e cila ka dominuar të gjitha fushat krijuese planetare, bile për 6 dekada, në minimum, duhet t’i kemi disa nocione paraprake në kujtesë. Simbolikisht dhe si referencë evidente historike, mund t’i përmendim në Teorinë   e Surrealizmit, këto dy vepra kryesore bazë, që janë së pari:  “Fushat Magnetike” – të botuara nga të dy autorët së bashku Breton-Soupault, që në vitin 1919-20 dhe pak më vonë ai “Manifesti fiozofik” i asaj shkolle filozofiko-artistike fantastike, botuar në vitin 1924, – pra, çka është surrealizmi, ku mbështetet, çka propozon, ku e ka vijën drejtuese dhe cilat janë objektivet e tij?

Ajo rrymë lindi nga vitet 1920, me Dadaizmin, të cilin e kanë imponuar gradualisht disa artistë dhe filozofë, më tepër gjermanikë, që në fillimet e tij (Austri, Zvicër dhe Gjermani). Pastaj është zhvilluar, konsoliduar dhe teorizuar me Surrealizmin, të cilin e kanë analizuar, dekoduar, shpjeguar dhe teorizuar pikërisht ky duet letrar, që janë André Bretoni me Philippe Soupault-në! Dhe prapë sot, në vitin 2022, një shekull pas, ajo shkollë, e cila për mua është një revolucion kulturor dhe artistik madhor, e ka ruajtur të njejtën fuqi imagjinative dhe ngelët prapë aktuale apo në modë, për çdo publik evropian ose amerikan. Nëse keni ndonjë dyshim: provojeni ju vetë! Le të hapet kudo, në metropolet emblematike planetare, një ekspozitë profesionale e kompletuar e Salvador Dali-t, e Max Ernst-it, apo e René Magritte-it dhe do jetë automatikisht një sukses publik i paparë dhe i garantuar, me firmën time. Sepse, Surrealizmi e ka një fuqi atraktive dhe një magnetizëm në vete, ka diçka të thellë, që të tërheq automatikisht, që të thrret, t’i prekë dikund telat e shpirtit tënd sekret. Kam tentuar për ta kuptuar sepse? Sepse, i adresohet surprizës, të papriturës, ëndrrës, botës paralele misterioze dhe të fshehtë, subkoshiencës, pjesës tjetër të trurit dhe të shpirtit të njeriut, icebergut të tij të panjohur… dhe është ajo gjë, e cila na tërheq. Mua, prapë, pas 100 vitesh, e di që do më mahnit përsëri bota e Salvador Dalisë, apo e Magritt-it, apo një film i Bunuelit. Kurse ka shumë pak shanse, për të më fasinuar apo befasuar për mirë, një pseudo abstraksion apo instalacion i sotit, një kloun mediatik alla Jeff Koons (përpos ndonjë eksepsion artistik tepër i rrallë)!

Ua kam thënë që e ka bazën e saj frymëzueze tek psikoanaliza e FREUD-it… pra, të gjitha ato që na i ka sqaruar, gjyshi ynë Sigmund nga sallonet e Vienës, duke i mashtruar dhe abuzuar me famën dhe me mjeshtërinë e tij manipuluese, por mbi disa të vërteta shkencore, të padiskutueshme, e jo çdoherë, mbi një hiç, si tek ne, te shqiptarët, të gjitha borgjeze të Austrisë tradicionale dhe katolike. E natyrisht, kjo gjetje e surrealizmit ka qenë gjeniale, e pasur dhe e pa demodueshme, gjithmonë aktuale, ngaqë, subkoshienca do jetë çdoherë pjesë e errët e jona, diçka misterioze, e cila do na përcjell përjetësisht mbi këtë tokë (pra, si me e përdorur dhe aplikuar botën Freudiane në art, në krijimtari dhe me teorizuar në aspektin filozofik dhe pedagogjik nëpër Odat e Malësisë evropianë?)… Ta thrrasim Bretonin me Soupault! Ndërsa pjesa tjetër frymëzuese do me thënë ana më politike e revolucioneve të majta komuniste, si ai i tetorit 1917 në Rusi, gjithë ajo pjesë bolshevike, marksiste-leniniste, apo trockiste… është për mua, pak më e diskutueshme dhe aty i kam disa rezerva të forta ndaj miqve të mi surrealistë. Pos me Philippe Soupault-në, kam qenë mik edhe me piktorin tepër magjik dhe të famshëm belg, zotin Paul Delvaux, i cili më ka pritur edhe tek shtëpia e tij private në Furnes (Deurne) të Flandrës, çka ishte një privilegj i rrallë. Bile e ka edhe muzeumin e tij pak më larg në Saint-Idesbald, por e ka botën e tij të veçantë, ka qenë surrealisti më i famshëm i Belgjikës bashkë me René Magritte. Mirëpo, gjatë bisedave tona të shumta, edhe ai ishte dakort me mua, për ta kundërshtuar seriozisht atë pjesën politike komuniste, të asaj shkolle, (për mua nuk kishte shumë vlerë, pos për ta huazuar vetëm idenë e revolucionit, por si koncept teorik, për ta vendosur pastaj në praktikë në fushat artistike, por me kusht, për t’iu larguar sa më parë, të gjitha pozicionimeve të tjera politike) ngaqë, sipas meje, politizimi i tepruar, e dëmtonte dhe e kufizonte më tepër atë lëvizje fantastike surrealiste… pra ia reduktonte atë anën e saj provokuese, imagjinative të pakufi, atë lirinë e lirë. Tani, a ka sens për një shkollë artistike, aq origjinale, e pasur dhe e fuqishme, për t’u shndërruar në një lëvizje militante politike? Për mua, JO!

Me Philippe Soupault na ka lidhur një miqësi e fortë afektive, diçka e rrallë, nuk e di pse? Na ka kaluar energjia së bashku… I kam tri ose katër kujtime pikante me të, që edhe sot më bëjnë për të qeshur me shumë mallëngjim dhe nostalgji humane.

I pari, ka qenë kur më tha, që gjatë disa udhëtimeve të tij nëpër Europën e lindjes apo ballkanike, ka qenë në ato vitet 1930, në kalim e sipër, në Shqipërinë e kohës së Zogut, ha, ha, ha… kam qeshur deri në lot, kur ma tregoi atë ngajrje, sepse nuk mund ta imagjinoja Babain e surrealizmit në Albaninë e orientalizuar, të varfër dhe  e shndërruar në një No Man’s Land, mjedis evropës greko-italian, që ngelet si shenjë apo si djep civilizimi, ndërsa ne nuk kishim dalur akoma nga një narkozë e thellë post-traumatike. Dhe unë e pyeta spontanisht: “Po mirë, i dashuri Filip, a ishe për aventurë surrealiste atje, apo për një bredhje ekzistenciale absurde, si në filmat e Antonionit apo të Kaurismakit në natën finlandeze? Dhe çka të ka pas bërë më tepër përshtypje në Shqipëri, gjatë atij kalimi tënd të shpejt andej, duke e përfunduar një sahan me kryelanë”?

Dhe m’u përgjigj: “Totuarët 1 metra të lartë nëpër kryeqytetin tuaj Tiranë, ku vinin femrat e mbuluara, hipur mbi një gomar dhe zbrisnin në anën e trotuarit,  për të mos e thyer këmbën”. Prapë, qesha me gaz, se m’u duk gati një hajgare ose një skeç provokativ Dadaist… dhe i thash vetës, a mos është duke më testuar apo duke luajtur me mua? Hezitova një moment, me ju thënë të drejtën, sepse e doja, por në anën tjetër e kisha atë krenarinë e Malësorit, atë shpirtin e Kaubojve spagetti alla Tropojë… dhe për pak isha duke i thënë- “He, të raftë murtaja, zoti Soupault, se na ke turpëruar Kombin, a e din që i kemi 3000 vite histori dhe që jemi nipat fisnikë të Skënderbegut dhe të Frashërlinjve dhe ti na flet për trotuare dhe për femra mbi një gomar! Na ke ofenduar miku im… të presim për një duel me pushkë në sheshin kryesor, nesër herët në mëngjes, kur të lind dielli”. Mirëpo e kam edhe nje pjesë timën budiste, pak më të urtë, e cila më tha, pranoje vlerësimin e tij dhe çoje deri në fund…  Dije që gjërat janë të shkruara dhe që jeta funksionon me cikle. Sot je në këtë epizod të ekzistencës tënde të mjerë, por dje ke qenë dikush tjetër dhe nesër do jesh prapë dikush tjetër. Dhe na duhen disa etapa për t’u plotësuar, për ta përfunduar ciklin e plotë jetësor dhe për ta mbrri urtësinë, Nirvanën. Tani, ti djalë, pop e rock, i droguar, shikoje sesa është autentik dhe i sinqertë zoti Soupault? Dhe e pyeta përsëri me muzikën hipnotizuese e Ravi Shankarit: “Po çuditem, Filip, miku im i nderuar, por asgjë tjetër nuk të ka bërë ndonjë përshtypje në Shqipëri, pos atyre trotuareve të mutit? Si është e mundur? A e dini që jemi një popull shumë i vjetër, që nuk humbëm, as nuk tretet, kemi ndikuar në Egjipt, Turqi, këndej dhe andej… a është normale”?

E pa që isha pak i irrituar, por i përmbajtur dhe më tha: “Po të kuptoj, i dashur Skënder dhe më fal, nëse të kam ofenduar me këtë reagim banal, por nëse e pranon vërtetësinë time shpirtërore ashtu siç është, vetëm ajo skenë më ka pas bërë mua personalisht përshtypje dhe asgjë tjetër… fatkeqësisht! Nuk kam parë diçka marramendëse, vetëm pluhur, llucë, varfëri, mizerabilitet, mjerim, lypsa, shkretim, si në botën e tretë, miku im. Dhe e kam ruajtur imazhin e atyre trotuareve në kokë.  Sepse nuk kam pa diçka të tillë në shtetet e tjera të këtij kontinenti”. Okay, i dashur Filip, e pranoj pa problem, është e drejta e jote, nuk mund të diskutohet fare. Pra, a po e sheh, që dikund kemi qenë surrealistë intuitivisht, por pa e ditur se çka jemi?

Dhe ashtu, duke u përmirësuar përsëri atmosfera, duke e vazhuar me humor reciprok. Disa dekada pas, bile edhe sivjet në muajin Nëntor 2022, që e kalova në Tiranë, duke shëtitur me kusheririn tim Isa dhe me mikun tim shqiptaro-anglofon Rudolf Markun, më bënë edhe mua nëpër disa lagje të kryeqytetit tonë, përshtypje ato trotuare aq të larta (bile shkonin lehtësisht deri në 70 centimtra, ndoshta jo tamam 1 metër siç më thoshte Filipi… por nuk kam pa as vetë, aso lloj trotuaresh kudo që kam lëvizur në Europë) kështu, që m’u deshte për të qenë mjaft i kujdesshëm për të mos e thyer me pahir këmbën, në një mënyrë krejt absurde. Dhe m’u rikujtua Philippe Soupault!

Por nuk më kishte bërë ajo punë përshtypje mua personalisht gjatë 30 viteve. Por tani vonë, Po! Ah, bullshit! A nuk kemi diçka më serioze dhe me vlerë për ta bindur botën? Me të ardhur keq dhe inati realisht… Ejani ta pimë një birrë së bashku!

Rasti tjetër, ishte krejt i ngjajshëm me atë të mikut tim filozof Jacques Derrida, sepse erdhi një ditë i ftuar nga shoqja ime Monika Dorsel, drejtoresha e Teatrit të Poezisë në Bruksel, zoti Philippe Soupault, personalitet gjigant i kulturës frankofone, por edhe botërore, të cilin do ua prezantoj në aspektin më profesional, pak më vonë, pasi që t’i shijoj disa meze. Dhe më thirri Monika duke më thënë: “Eja shpejt nesër Skënder, nga ora 20, se na vjen miku yt Philippe Soupault për një prezantim letrar në teatrin tonë dhe thirri dy-tre personalitete”! “Po, patjetër: Ramazan Hajrullahun, Hajredin Maksutin dhe Avdullah Llafazanin…  nga Dibra, Luma dhe Hasi… po mirë Monikë, a ke lajmëruar gjithë dynjanë, ti zonjë, se nuk është kushdo zoti Soupault, duhet ta kemi për nder që po na vjen së pari! A i ke lajmëruar të gjitha Mediat, Shoqatat, Fiset e Belgjikës, të Flandrës dhe të Valonisë, kafet e emigrantëve, restorantet, Bajraktarët e Shqipërisë dhe të Kosovës? Mos të koritemi kot, dhe thirrë kënd të mundesh, se po të ha dreqi”! “Jo, jo, cool i dashur, se kryesorja është që të ketë ndodhur aktiviteti dhe ti e di, që unë nuk dua rrëmujë, as mundim të tepërt dhe mirë se na vijnë subvencionimet nga institucionet e shtetit”. “Po mirë, kur të mbaron seanca pas orës 22, po themi, a ja ke propozuar një natë në Bruksel”? “Jo, se do marrë trenin e fundit në ora 23, Gare de Midi… e çoj me makinë, ose e merr taksinë. Dhe nëse do me qendruar një natë këtu, vendose ti te ndonjë mik shqiptar, i cili e ka një hotel dhe merruni me të… nuk mungojnë njerëzit e gjindshëm tek ju”!

I thashë në humor: “Për qejf, ju kisha dërguar unë vetë, ty dhe disa institucionalë të kornizuar të Belgjikës, për një stazh 3 mujor në Minat e krypës në Siberi, sa për t’i rikujtuar disa vlera njerëzore të vërteta dhe disa norma shoqërore edukative. Por nuk e kam fatkeqësisht atë mundësi. Filozofia e juaj është sikurse e jona në tel: qysh me përfituar, me zhgryer, me zhvatur, me kalkuluar, pa u lodhur fare, pa u munduar dhe me një lehtësi maksimale në aspektin e përgjegjësive. It’ okay Baby… Let’s go!

Dhe na erdhi sikurse filozofi, Philippe Soupault, në Teatrin e Poezisë, me një libër të ri me poezi dhe përballë 10 vetave në skenë, duke më hequr mua dhe Monikën me nga një shoqërues, maksimum 6 spektatorë autentikë që kishin paguar një hyrje. Më erdhi patjetër turp dhe e pashë çehren e Filipit, i cili filloj për t’u luajtur nga mend… Dikur më tha: “Sherif, çka është kjo punë? A nuk ka më shumë njerëz? A nuk e keni lajmëruar siç duhet profesionalisht këtë ngarje kulturore në media dhe në publik? Mos është një kurth kjo seancë”?

Ia shpjegova imtësisht funksionimin personal të Monikës, drejtoresha e Teatrit dhe i thashë: që pos për ta lajmëruar automatikisht në broshurën apo revistën e saj të brendshme të Teatrit, e cila i ka 1000 të abonuar dhe ju vjen me postë tek shtëpia e tyre, nuk ka reklamim tjetër. Krye atë seancë, o burrë, merre si skeç surrealist e dadaist, për Portokallinë, Fare Fiks apo Al Pazar… Cool Men, me grupin Cool and the Gang, mos u formalizon fare, se do rrimë së bashku, për qejfin tonë. E sprovojmë ndonjë birrë apo verë. Të marrë unë përsipër deri nesër pasdite me Mërgatën e Qyqeve. Dhe shkuam në një kafe të Shën Gjillit, lagje popullore dhe plot me emigrantë të 100 kombësive të ndryshme në Bruksel. Pak pasi u ulëm na erdhi një magrebian tek tavolina me ca objekte.

-Skënder, më tha Filipi, kush është ky tip, çka ka me ne dhe pse po na pengon?

-Po na i propozon disa materiale të vjedhura, të ramë nga mahuna? Më thuaj, ke nevojë për diçka, se po bëjmë pazar? Ndonjë orë, parfum, telefon?

Ha… ha… ha… me vdekur duke qeshur… por edhe ai, e mori pozitivisht!

Me siguri, do i ketë thënë vetes se “ky qenka edhe më i çmendur sesa unë…”.

Kaloj edhe kjo punë horrash në kryeqytetin evropian, pa pikën e kulturës, i ngopur me pensionistë, me emigracion dhe me klasa katundareske të pasura, apo komplet të dështuara… mes të cilave, kultura dhe arti vlejnë sa një pako Pom Frita të skuqura me një salcë andaluze. Ky është realiteti i mjerë, o miq, nuk kam se çka me bërë! …

Të nesërmën kisha për të vajtur në varrimin e një miku të babait tim në Skarbeg, ku Ibrahim Kodra, kubisti i parë shqiptar, na ka lënë si kujtim në një shesh të shkretë, statujen e Skënderbegut, e cila i përgjante më tepër Shën Kollit që ju shpërndante bombona dhe çokollata fëmijëve çdo 6 dhjetor ose një plaku të shkretë pensionist, i abonuar në domino dhe çaj kamomili, sesa një luftëtari historik dhe emblematik. I thashë vetss: “Ky është Heroi i ynë, Trimi i madh kombëtar, dy pllëmbë mbi tokë dhe me një kosto maksimale”! Pra, edhe aty, në celebrimin zyrtar të një figure gjigante shqiptare, në Bruksel ka mbretëruar korrupsioni i gjithanshëm. Dhe kur  e varrosëm në komunën e Skarbegut atë bashkatdhetar, na erdhi zoti Nezir Spahia, i afërt i mbretit Zog dhe i djalit të tij, Leka i parë, nga periferia e Parisit, Créteil, një udhëtim prej 3 orësh rrugë… dhe na tha të gjithëve mbarë, larë e palarë: “Shikoni, o vëllezër dhe miq, kjo është hera e tretë, që po ju vi nga Franca, për ta varrosur një mik timin shqiptar në Belgjikë dhe është pak mundim, me 6 orë rrugë për mua. Tani, mundësisht, a ua merr mendja, për të vdekur me nga 5 apo 6 veta për një herë, që të më lehtësoni punë edhe mua në pleqëri dhe do vi për t’iu përcillur me qejf të gjithëve menjëherë. Se dijeni që një nga një, sot, nesër, dhe pas një jave… sinqerisht nuk më përshtatet. Pra, përpiquni pak, gruponu dhe gjithë ata që kanë për të vdekur, le të merren vesh së bashku për të na shkuar në të njejtin afat të caktuar”.

Na bëri për të qeshur! Pastaj, kujtimi tjetër që kam me Philippe Soupault-në, është fakti që e kam vizituar rregullisht, gjer në fundin e jetës së tij në fakt. Por dikur ishte mjaft i lodhur dhe i pafuqishëm, dhe mos harroni, që ka pas jetuar mbi moshën 90-vjeçare. Kështu, që me psikologjinë e Europës Përendimore: “sa je, je… dhe kur nuk je, nuk je”! Do të thotë, që sa të jesh aktiv dhe dinamik, pranohesh, të takojnë, ke lëvizje këndej dhe andej, vizita, propozime, e gëzon një interesim real dhe praktik, por kur të thuash apo të bësh për të kuptuar… – oO, se tani jam i lodhur, i kufizuar, i kam lënë aktivitetet e mia, jam tërhequr nga pleqëria, po rri tek shtëpia ime, apo në domin e pleqëve… Sinqerisht, të nderuarit miq, nuk do pyet askush për ty dhe nuk të vjen askush për ta kaluar një orë për qejf apo respekt pranë teje. Në Paris, Londër, New-York, etjera metropole mbretëron individualiteti, rinia, funksionimi praktik, aktiviteti, egocentrizmi maksimal, kalkulimi dhe interesa, prodhimi, konsumimi dhe nuk ka shumë vend për humanitet, për gjëra falas, për anën e ngrohtë shoqërore apo afektive, për shprehjen e dashurisë apo të miqësisë. Dhe do harrohesh, do lihesh anash, nuk do merret askush me ty realisht. E ke krye procesin tënd të punës, të funksionimit dhe tani ke dalë jashtë përdorimit, si një makinë tepër e vjetruar. E hedhin në varrezat e makinave! Bile më duket, që miku im hispano-francez, autor dhe regjisor, specialist i shahut, Fernando Arrabal, e ka pas shkruar një vepër provokative, pikërisht mbi këtë temë. Filozofia është shumë e thjeshtë dhe pragmatike. Duhet vetëm për ta pritur qetësisht fundin tënd dhe për të vdekur, duke i lënë të tjerët rehat. Kjo është përafërsisht logjika apo psikologjia përendimore. Nuk të vjen askush me të argëtuar apo kashagitur… Janë institucionet publike të paguara për atë punë! Pra, do plakesh dhe do vdesish në shtëpinë tënde, nëse ke fat, apo shpeshherë në një dhomë anonime, si numër dosje, ose në një spital, të ftohtë dhe kafkaian. Lamtumirë, humanitet…!

Mirëpo unë, me edukatën që kisha, kanunore, mesdhetare, jugore, intuitive, poetike, shpirtërore dhe pos asaj, duke qenë mësuar me SEGHERS-in, për 15 vite, vetëm në shkëmbime afektive, duke u përqafuar dhe puthur së paku 3 herë në ditë dhe duke më thirrur – Djalë – për çdo moment! Pra, isha i abonuar në HUMANIZËM dhe në kodet kanunore të respektit ndaj Pleqëve, të cilët konsiderohen si të urtë dhe me përvojë, edhe nëse nganjëherë, mund të jenë injorantë patetikë, por e kanë mund të thuash, me të drejtë, privilegjin e moshën, e cila do na imponon një respekt normal. Dhe tani unë vija për ta vizituar Philippe Soupault, edhe kur ishte tepër i lodhur, apo jashtë përdorimit… çka e befasonte deri në ekstrem. Më thoshte mua, me një çudi të rrallë, pak nostalgji dhe mallëngjim: “Po, i dashur Sherif, pse vjen për të më pa, tani kur nuk i duhem askujt për asgjë? Pse je aq tepër human, se këtu në Paris, nuk bën… nuk e ke idenë se çka të pret, ngaqë, do auto- shkatërrohesh dhe biesh gradualisht në depresion, nga zhgënjimet e shumta, që do i pësosh me njerëzit në jetë. Parisi është një qytet super atraktiv, por tepër i pamëshirshëm… nuk e duron heshtjen, meditimin e thellë, imobilizmin dhe mos aktivitetin… duhet me qenë mjaft aktiv si bleta dhe kur tërhiqesh, të lënë forcat nga defektet e moshës, e ke gati për detyrë morale, për t’u zhdukur ti vetë dikund dhe për ta pritur qetësisht fundin tënd. Tamam siç bëjnë kafshët, miku im… Luani, Tigri, Elefanti, shkojnë në një vend të qetë dhe të izoluar për të vdekur, pa i penguar të tjerët. Se këtu, askush nuk merret me ty, kur të shohin të paaftë për asgjë dhe komplet jashtë ritmit dhe gjithë lëvizjeve parisiane. Ka mbaruar filmi yt dhe tani je para fjalës ‘The End’ dhe pikë! Kështu, që mos hajde më, miku im Sherif dhe vazhdoi aktivitetet e tua lirisht. Është këshilla ime! Mos humb kohë, kot me mua, se më dhimbesh… E futa këngën mitike të Jim Morrisonit ‘The End’. diçka magjike dhe apokaliptike. E pashë fundin e botës, zhdukjen e dinosaurit të fundit, qeshjet femërore, fëminore të fundosura nga ujërat dhe llavat vullkanike… This is the End, my only Friend”!

Më preken ato fjalë, i kuptova në thelb, se e njoh mirë logjikën europiane. E mora Filipin, e shtrëngova si babagjysh dhe e përqafova, duke e mbajtur bile dy minuta rreth krahëve të mi… Filloi për t’u emocionuar dhe për të qajtur si fëmijë… dhe unë nuk mujta për t’u përmbajtur… notova në lotët e mia… Motherfucker: çka na gjet? Na u mbyll cikli… babagjyshi e ritakoi fëminë që ka qenë dikur mbi këtë Tokë!

Pasi që e rimora veten, i thashë spontanisht: “Shiko, miku im i dashur Filip… sa ta kam një fije humaniteti në shpirt, një miligram edukatë malësore, sa të jem pjesë e racës njerëzore tamam, e jo e klounave virtualë egocentrikë gjer në ekstrem… ti do jesh miku im dhe do vij për të takuar, për qejfin tim dhe për respekt ndaj teje, ndaj veprimtarisë tënde madhore… A je babai i Surrealizmit, o burrë! Pse, a mos duhet me të hudhur në koshin e plehrave, pse je i plakur dhe i lodhur? Jo, miku im… Ta kemi me borxh respektin, ndihmën, asistencën dhe me ta ndërtuar një monument. Në këtë pikë preçize: dije që jam komplet anti-francez dhe anti-përendimor! Për mua, pleqtë dëgjohen, ndihmohen dhe respektohen deri në fund… e kjo quhet edukata humane. Po pse, miku im Filip: gjithë kjo traditë aq e pasur humaniste dhe gjithë kjo trashëgimi e Rilindjeve… a na është propozuar për të mbrri deri në këtë shkallë egoizmi, indiference dhe mos humaniteti? Unë, nuk mund ta besoj! Pra, do i mbaj kanunet e mia, o Filip, kundër gjithë Parisit dhe New-Yorkut, okay”?

“Ah, Sherif, je madhështor dhe unik, por për këtë shoqëri, tepër marsian. Je për t’u admiruar me vlerat që ke… por të këshilloj sinqerisht për t’u përforcuar në maksimumin e mundshëm, nëse nuk dëshiron për të përjetuar surpriza mjaft të hidhura. Këtu nuk ka gjenerozitet spontan, miqësi dhe të pakalkuluar… ta dish mirë! Po nga të vjen ty personalisht gjithë ky humanitet”?

“Zor me t’u përgjigjur o Filip… nga natyra, ngaqë jam i lidhur dikund, i kam ruajtur disa kode, rite, trashëgimi, kujtesa kolektive, i kam disa luhatje dhe antena, e perceptoj sensin dhe vlerën e çdo elementi jetësor, ua di rëndësinë gjërave dhe marrëdhënieve njerëzore, e kam sensin e besnikërisë… Kaq”!

“Të gjitha këto të nderojnë natyrisht, i dashur mik, porse këtu në Paris, nuk funksionon shoqëria ashtu”.

“Dakort, e kuptoj, porse unë e kam ruajtur esencën time primitive dhe burimore, instituicionin e pikënisjeve, sensin e lidhjeve… nuk jam i fshirë komplet nga memoria tokësore dhe humane, nga trashëgimitë e të parëve dhe nuk jam mbi këtë globë të rrumbullaktë, për të prodhuar vetëm debilitet, absurditet, trullografi, show dhe amnezi… por mundësisht, për ta lënë një gjurmë konstruktive, me pak sens shpirtëror dhe pak humanitet”!

“Eja e të përqafoj dhe ta pimë një gotë… Se nuk i luan askush këto fjalë! E ke me të drejtë: ti je i populluar me shumë kujtesa… je një shpirt super i lashtë, antik, i përzier me diçka tepër moderne dhe gati avanguardiste. Je i përbërë nga një koktel unik dhe shumë i rrallë… duhet me qenë Nobelist i Kimisë, për me ta deshifruar siç duhet gjer në imtësi, gjithë alkiminë tënde. Supozoj që e ndien veten super të vetmuar dhe të pakuptuar, çka është logjike”.

“Po, e vërtetë, por jam i gëzuar që ti i dashur Filip, ma ke kuptuar esencën”!

Po ua përshkruaj tani edhe një kujtim tjetër, ngaqë po më sillet që sa kohë, si një satelit amerikan Apollo nëpër kokë… Një herë, më ka pas propozuar zoti Soupault, për të shkuar në një seancë letrare, ku u aplikonte ajo teknike speciale, e cila quhej dikur «shkrimi automatik» dhe mbrrimë tek një sallë, në një Kafe-Restorant të kryeqytetit francez, ku i gjetem rreth 8 persona me një Hipnotizues, i cili ishte miku   i njërit prej tyre. Dhe u ulën rreth një tavoline, po ashtu edhe unë me ta, dikush kërkoi për ta hipnotizuar, çka funksionoi me gjysmën prej tyre, ndërsa të tjerët mirrnin drogë, kërpurdha, substanca hallucinogjene dhe kur më pyeten mua: “Po ti, çka dëshiron, Monsieur Sherifi”… Ju thashë: “Një shishe verë Bordeau me 4 vite vjetërsi, me pak djathë të Cantal-it dhe të Pireneve”.

“Po pse, a nuk doni drogë, apo hipnozë, zotëri”?

“Jo, jo, faleminderit, por nuk ka nevojë, ngaqë për nga vetë natyra, jam shumë më i droguar sesa ju, por pa drogë… sepse, ma prodhon trurin im drogën që më nevojitet. Tani, mund të më harroni, për ta vazhduar seancën tuaj lirisht”.

Dhe i filluan deliriumet e tyre, por me një strukturë preçize, ngaqë ishte një lider, si një lloj animatori për t’i drejtuar dhe një sekretar, i cili shënonte gjithçka në një fletore. Dhe ideja ishte, gati si në Odat Malësore, që me rrallë çdokush prej tyre, ta shpreh spontanisht dhe pa kufizim fare, me një liri totale, atë çka i vjen, pra, çka ja dikton subkoshienca e tij (dikush nën hipnozë, dikush nën drogë) dhe filloi njëri prej tyre si poet dadaist, me një frazë të kotë absurde, por komike dhe ashtu me rrallë.

Tani, kur u mblidhnin të gjitha këto materiale bruto: kishe aty-këtu disa fraza mjaft befasuese dhe estetikisht të bukura, interesante si efekt surrealist special, porse  e kishin së paku, një fuqi poetike dhe imagjinative… pastaj, kishe mjaft fraza banale në formë, dhe pos asaj pa pikë sensi, të cilat përfundonin në kosh apo në kaftorr.

Pas një seance prej 2 orësh mesatarisht: të gjithë së bashku kolektivisht diskutonim mbi materialin tonë letrarë bruto dhe mbi seleksionimin e frazave apo të vargjeve, të cilat kishin një sens poetik, apo diçka interesante në formë, apo në sfond? Më në fund, na ngelnin pas një seance shkrimi automatik, mes 10 deri në 20 fraza, të cilat i ruanim me idenë që kishin një vlerë potenciale letrare. E falënderova mikun tim Philippe Soupault, sepse ishte një leksion praktik mjaft interesant për mua, sa për ta ditur në esencë, se çka do me thënë dadaizmi apo shkrimi automatik? Nuk është si me ta thënë për borxh formalisht një profesor gjimnazi apo universiteti në një klasë si diçka krejt abstrakte dhe teorike. Dhe më pyeti: “Sherif, si t’u duk ky përjetim dhe çka mendon mbi këtë teknikë poetike origjinale? Ma thuaj pa rezerva…”.

“Shiko, miku im Filip, është padyshim diçka interesante dhe inovuese në thelb, sepse nuk është sprovuar më parë… dhe në etapën e parë, të dytë, të dhjetë, pra në fillim, mund të jetë diçka atraktive dhe origjinale, sepse e prodhon patjetër një efekt tek lexuesi. Liri totale, perzierje zhanresh, imazhesh, absurditetesh, ngaqë shprehet pa limit subkoshienca njerëzore, por jashtë kontrollit, me droga, hipnoza, dhe në një mënyre automatike, të pamenduar, të pastrukturuar. Kështu që dalin një seri tekstesh poetike të mira, për nga ana poetike dhe estetike, pra formale… okay? Mirëpo, i nderuar Filip, pas disa kohe, për mua nuk qëndron ajo punë dhe kalon në ciklin e absurdit total, pra, del më në fund krejt bosh dhe e pavlefshme, sepse, do shtjerret ai procesus komplet mekanik, nuk do rinovohet, do sillet rreth boshtit të tij, pikë së koti, si tek Miti i Siziphit, i cili nuk jep më në fund asnjë rezultat pozitiv praktik. Po dua me thënë, që shkrimi automatik, si teknikë dadaiste, e ka jetën mjaft të shkurtër, është modë kalimtare dhe do harrohet shumë shpejt sipas meje. Sepse, miku im, POEZIA për mua e do një sens, një përmbajtje, një mesazh, një gjurmë njerëzore, një porosi, do thotë diçka, do na transmeton një ide…

Dhe tani, për të lexuar tekste poetike, të cilat mund ta kenë një efekt poetik formalisht interesant dhe të çuditshëm… okay, do funksionojë në fillim për disa herë, por dikur do merzitesh me atë përsëritje puro mekanike, e cila ty nuk do të transmeton asgjë. Pastaj, mos e harron një gjë elementare, Filip se poezia është e ndërtuar me fjalë… okay? Fjala e përbën fjalorin francez, anglez, gjerman, etjerë, dhe çdo fjalë e ka një sens preçiz, një domethënie? Kur e propozon një POET një tekst të tij me disa fjalë, fraza apo vargje, me logjikë FJALA apo FRAZA të dikton dikund një sens, një domethënie, një ide, ta komandon atë gjë… nuk mund të jetë diçka boshe, e kotë dhe pa asnjë sens sepse atëherë nuk ka sesi funksionon me kohën, se nuk e mban distancën kohore dhe nevojën që ka njeriu për një sens, sidomos kur komunikon artisti me instrumentin e fjalës. Kjo për mua është evidente…! Eventualisht, si piktor, kur je Salvador Dali për shembull, do funksionojë pa problem, ana mekanike, absurde, surpriza permanente, kolazhi dhe kaosi, intuicioni i lirë, etjera… ajo çka vjen pa na pyetur fare? Ngaqë, aty të propozohet si mjet komunikimi IMAZHI – dhe ai imazh, që është tabloja e filanit apo fistekut, ty si shikues, si individ, të len komplet të lirë për ta interpretuar siç të duash ti, për ta komentuar, analizuar lirisht, ose për të mos e analizuar fare. E ke atë liri veprimi, sepse, imazhi nuk të dikton detyrimisht një interpretim të caktuar. Prandaj, unë i dua surrealistët, dadaistët si Francis Picabia, në pikturë apo në skulpturë, sepse ma respektojnë edhe mua lirinë imagjinative dhe intelektuale dhe imazhi dominon si imazh, nuk e ka një definicion të kufizuar dhe të caktuar paraprakisht nga iks fjalor enciklopedik. Ndërsa, për mua fjala nuk mund të propozohet shumë gjatë, pa asnjë sens apo domethënie. Kështu, që poezia duhet të na transmetojnë diçka… Natyrisht, si poet anarshist, ti e kupton mirë, zotëri Filip, që unë nuk po flas këtu, për porosi, apo mesazh në aspektin kolektiv, të diktuar nga shteti, regjimi politik, nga institucionet, nga akademitë… nuk jemi në diktatet letrare propagandistike apo në misionet edukative dhe pedagogjike të paramenduara… sepse, jam i pari që i refuzoj kategorikisht. Nuk e dua letërsinë me porosi sociale, politike dhe nën diktate. Por e dua një vepër letrare, ose poetike të një individi iks, i cili na propozon me lirinë e tij të pakufi botën e tij, por ajo botë e ka një domethënie, pra, do  na transmetojë ne një porosi, një dëshmi, një sensacion, një sens dikund. Kur e lexon Rembonë, Bodlerin, Whitmanin, e ke një propozim, nuk janë tekste komplet boshe dhe të pa sens, të cilat nuk përmbajnë asgjë. Nëse je një poet i vërtetë, ti do e kesh botën tënde intime, poetike, emocionale, intelektuale, etjera… dhe do jesh pjesë e Njerëzimit dhe e Shoqërisë ku po jeton… kështu, që përmes teksteve të tua, do e ndash atë eksperiencë personale me ne si lexues dhe detyrimisht do na transmetosh diçka… Sepse, me rreshtuar fjalë dhe fraza të kota, absurde dhe pa sens, vetëm për ta befasuar dhe destabilizuar lexuesin, e supozuar qenie logjike… funksionon disa herë në fillim, nga efekti poetik i ri që mund të krijojë, por pastaj mbaron ai muhabet dhe del ajo punë komplet e pavlerë, me distancën kohore. Sepse, fjala të lidh detyrimisht me sensin… a u morem vesh siç duhet miku im”?

Këto ishin ato kujtimet e mia kryesore me Philippe Soupault, të cilat nuk do mend, që më kanë pasuruar për së tepërmi. Pos asaj, ka qenë tip i dashur dhe mjaft komunikativ, e jo komplet i milimetruar dhe i autokontrolluar si zoti Lévi-Strauss. Me këtë personalitet të jashtëzakonshëm, e kam ndier vetën relativisht të lirë dhe pa shumë ojne apo protokolle, çka më konvenonte edhe mua. Mirëpo, mjeshtëria supreme është për t’iu adaptuar çdokujt, por duke qendruar vetvetja në thelb.

Tani, më lejoni për t’ua prezantuar pak më në detaje, se kush ka qenë realisht zoti Philippe Soupault dhe cili ka qenë saktësisht kontributi i tij në artin dhe kulturën franceze dhe botërore? Se jam i bindur, që pak kush prej bashkatdhetarëve tanë, e njeh siç duhet dhe aq më pak, e kanë lexuar.

Filipi lind në gusht 1897 në Chaville, që nuk e di as unë se ku gjendet në Francë. Po në atë muaj mbrri familja ime, e zotit Shpend Sherifi dhe e nënës Xhevahire Sadria, me 1 gusht 1956 në Belgjikë, si emigrantë politikë, të ikur nga regjimi stalinian i shokut Hoxha (a mos e kishte babain hoxhë dhe ka pas harruar me bë shehadet) dhe tani, i thonë zyrtarët belgë, oficerit të Mbretit Zog dhe shefit të odave të Brukselit në Mërgatën e Qyqeve, – “Do e pastroni fermën iks, në një fshat të Valonisë, do i dlirni stallat e thinjëve dhe të lopëve dhe do qëndroni këtu, për një rifillim të karrierës suaj belge”. Dhe ky i përgjigjet përmes përkthyesit shqiptar: – U thua këtyre horrave, që ju vras ju dhe fermerët belgë, për shkejle nderi, në bazë të Kanunit, se nuk ndodh as në ëndërr që Shpend Sherifi, burrë i njohur në krejt Malësinë e Gjakovës, ta kap këtu tek ju fshesën, për të pastruar mutsihanet e Belgjikës. Ha… ha… ha… Dhe pastaj funksionari i Belgjikës frankofone i përgjigjet: “Okay, zotëri Sherifi, e kuptova dhe na falni për ofendim, por ne jemi popull pragmatik, e jo kanunor… mirëpo tani, këtu në Belgjikë, ne nuk mund të bëjmë Ministër, as Gjeneral, besoj që e kuptoni! Nga ana tjetër, do punoni diçka, apo jo… më thoni, ku dëshironi për të punuar, zotëri”?

Dhe i përgjigjet atij përkthyesit, më duket ka qenë Gjin Mirakaj, nëse nuk gaboj, i cili e zotëronte deri dikund frëngjishtën: “Thuaju këtyre idiotëve, që e dua një punë, në një zyre, ku mund të shkoj përditë i larë dhe i hekurosur, me kravatë, kostum dhe këmishë të bardhë, si filozofi hebrej francez Bernard Henri-Lévy dhe me një laps në dorë, tamam si zotëri… një punë me dinjitet për rangun tim, ose do i hajë dreqi, se askush në botën shqiptare, nuk do kishte guxuar për të ma bërë atë propozim aq të ultë, pa u nda keq me mua! Po këta pisa, nuk po e dijshin fare, se çka do me thënë fytyra dhe nderi tek shqiptari dhe qenkan të fshirë nga truri! I marroftë Zoti”! Dhe kështu, ia gjetën më në fund një punë në një magazinë të madhe, e quajtur ‘Les Galeries Anspach’ në kryeqytetin belg, ku ishte në një zyrë siç donte, për t’i regjistruar të gjitha mallrat që vinin.

Ndërsa, Philippe Soupault i kishte zgjidhur të gjitha problemet e tij praktike dhe financiare me kohë, gati që nga lindja e tij, sepse vinte nga një familje e pasur në të dy anët, me prona të mëdha nëpër Francë. Babai i tij Maurice ishte mjek, kurse nëna e tij Cécile Dancongnée, ishte vajza e një avokati të famshëm pranë Këshillit të Shtetit (Le Conseil d’État). I ka dy vajza (Nicole dhe Christine) me dy shoqet e tij, që quhen Suzane Pillard dhe Marie-Louise Le Borgne (Soupault). Vajza e dytë Kristina do martohet me arkitektin e njohur francez Paul Chemetov (i cili ka projektuar dhe realizuar shumë projekte në Francë, si Ministria e Financave në Bercy të Parisit, disa mediateka, kisha, sinagoga, qendra sportive, banesa private, pallate…). Natyrisht, merr pjesë aktive me miqët e tij André Breton, dhe Louis Aragon, në lëvizjen apo më mirë me thënë, aventurën letraro-poetike DADA (pra, dadaizmi), të cilën, e konsideron si diçka të nevojshme (tabula rasa… me fshi gjithçka që ka pas ekzistuar më parë, për të tentuar diçka komplet të ré), duke e ditur shumë mirë, bile e kishim debatuar edhe së bashku disa herë, që ishte një shkollë provizore mjaft e përkohshme, e cila do kalonte bukur shpejt, për arsyet që ua kam shpjeguar më sipër… dhe ka mbrri më vonë me logjikë të shëndoshtë tek surrealizmi (i cili ka qenë shumë më solid dhe i strukturuar), lëvizje po ashtu e ré, e cila ka dominuar një pjesë të madhe të shekullit 20 dhe bile është akoma prezente mes nesh edhe tani… sepse ka lënë gjurmë dhe referenca të pashlyeshme në kujtesat tona (përkundër dadaizmit mekanik dhe provokativ, pak më adoleshent i vonuar) mirëpo, siç ua kam thënë që në fillim: SOUPAULT me BRETON kanë qenë themeluesit intelektualë të asaj rryme artistike, pra ata që e kanë teorizuar dhe shpjeguar me argumente serioze vijën drejtuese apo filozofinë surrealiste. Hapi i parë, ka qenë botimi i librit të tyre “Fushat Magnetike” i botuar në vitin 1919-1920 … e cila konsiderohet si vepra e parë surrealiste në realitet. Kurse pastaj do vijë  “Manifesti”, më teorik për ta konsoliduar filozofinë e asaj shkolle të re dhe për ta imponuar në rrethet artistike dhe intelektuale parisiane që në vitin 1924. Në një farë mënyre, burimet frymëzuese ose ikonat emblematike të tyre, kanë qenë që në fillim: Freudi, me psikoanalizën dhe Lenini e Trotsky me idenë e revolucionit…

Tani, a po na sillni një pulë të pjekur?

Por, për ato rezervat, të cilat ua kam pas shprehur unë më sipër, në vitin 1926, pra shumë shpejt, edhe pse ka qenë themeluesi i kësaj lëvizje, do e përjashtojnë Philippe Soupault, që në vitin 1926 nga Surrealizmi, me pretekst që është tepër letrar dhe jo aq i angazhuar në kauzën e revolucionit komunist (do me thënë: pse po rri si një intelektualë borgjez në art dhe në poezi dhe nuk po militon për përhapjen e frymës komuniste nëpër botë)? Më 7 nëntor 1933, gjatë festës madhore kushtuar revolucionit, në ambasadën sovjetike, ku vjen gjithë elita e Parisit intelektual dhe artistik, dashurohet në një grua gjermane Ré Richter, e cila t’i plasë të gjitha ndjenjat, kur mbrri në shkallën 7 Richter… emri i vërtetë i saj, sipas KGB-së, është Meta Erna Niemeyer dhe do martohen në vitin 1937. Është femër super interesante, sepse është e lidhur miqësisht dhe artistikisht me disa grupe krijuese me reputacion në kryeqytetin hekzagonal galez. Takon rregullisht Man Ray, Fernand Léger, Elsa Triolet, (ish dashnoren e Majakovkit, shoqja e Aragonit, e shkrimtare ruso-franceze), Max Ernst, Kiki de Montparnasse, etjerë… dhe duke qenë studente e shkolles gjermane ‘Bauhaus’ dhe mikeshë e ngushtë e dadaistave të Berlinit (qytet super interesant gjerman, sepse emblematik i disa rrymave artistike avanguardiste dhe nëntokësore, të quajtura underground) pra, është ajo që i lidh francezët me atë shkollën e Bauhaus-it, të cilin natyrisht nuk e njihnin. (Themeluar në Weimar, në vitin 1919, nga Walter Gropius – i cili e shpjegon filozofinë e saj në një Manifest).

Pra, huazon shumë elemente nga funksionimi i botës industriale, ose grafike, siç ka vepruar edhe Andy Warholi me Pop Artin, ka diçka gjeometrike, është pak asketike, minimaliste, në një stil shumë dezajn, lidhet me arkitekturën e brendshme dekorative dhe përdor materiale ekzistuese. Aq sa është lëvizje puro artistike për nga ana krijuese, aq është edhe artizanale, si zanat, sepse e favorizon gati njëlloj punën apo mjeshtërinë e dorës. Nuk e celebron kultin krijues të artistit si individ!

Nga fundi i vitëve 1920, Philippe Soupault punon si gazetar dhe fiton një emër me kredibilitet pranë disa gazetave dhe revistave franceze (si për shembull  Vu – ose Excelsior – L’intransigeant ) dhe i propozon shoqës së tij, për t’ia ilustruar shkrimet apo reportazhet. Pas vitit 1934, udhëton nëpër botë: Gjermani, Angli, Suedi, Amerikë, duke shkruar dhe shoqja e tij Ré, duke fotografuar. Bile e thotë vetë në Radion «France Culture», si anekdotë komike… që një ditë rastësisht, do gjendet bashkë me Adolf Hitlerin dhe shoqëruesin e tij, në të njëjtin ashensor dhe mërzitet që nuk e kishte në atë moment preçiz, një revole në xhep (se mund të kishte ndryshuar komplet faqja e historisë planetare). Po ashtu thoshte, që e ka pas takuar një ditë edhe Stalinin, i cili i ka pas bërë përshtypje me egërsinë e fytyrës së tij.

Atë ditë, sipas Filipit, i ka pas pirë 24 vodka në një recepsion zyrtar. Pas vitit 1935, vazhdon rrugën e tij nëpër Skandinavi, Ballkan, në Shtetet e Lindjes të Europës orientale dhe nga Magrebi. Dikur, zoti Léon Blum – një figurë madhore e socializmit francez, i cili në atë kohë, nga viti 1936 është Presidenti i Këshillit të Frontit Popullor (Président du Conseil du Front Populaire) emër ikonik, bashkë me Jean Jaurès, të cilit i ka kënduar Jacques Breli, një këngë fantastike, e ngarkon Philippe Soupault për ta hapur një radio antifashiste, e cila do quhet «Radio TUNIS» dhe e drejton gjatë 3 viteve (1937-1940). Duke pasur dëshirë ta takojë lirisht popullin, kudo që të jetë, me një biçikletë të ndryshkur dhe për t’u ballafaquar direkt me realitetin objektiv, do ndiqet edhe nga pala franceze bashkëpunëtore e regjimit Vishist (pro Pétain) dhe nga nazistët gjermanë të vendosur në Tunizi. Dikur, e arrestojnë dhe e burgosin për 6 muaj, mirëpo për fat, do e gjejë një mundësi për t’u larguar nga Tunizia, në nëntor 1942, pak para pushtimit komplet të kryeqytetit Tunis, nga forcat e Mareshalit të njohur Rommel. Do kalojë përmes Algjerisë së korruptuar dhe do mbrri dikur në Amerikë me muzikën ‘Born in USA’ të Bruce Springsteen.

Për të qenë Rocky Balboa apo Rambo, nuk ishte aq në formë sportive. E kështu, gjatë vitit 1943, e ngarkon qeveria e De Gaulle-it, me disa misione nëpër Amerikën Veriore dhe të Jugut, për të rikrijuar Agjenci Shtypi, pra disa kanale mediatike për informacion. Në New-York takon disa nga miqtë e Parisit, si Man Ray, Léger, Ernst, Kurt Weil (kompozitor i famshëm gjerman), Marcel Breuer (arkistekt prestigjioz    që ka ndërtuar Muzeumin në Manhattan ‘Withney Art’ dhe Unesco në Paris), Herbert Bayer (fotograf, desajner, piktor, arkitekt autro-amerikan), Gisèle Freund (sociologe dhe fotografe e njohur gjermano-franceze, e cila ka vdekur në Paris në vitin 2000) dhe Victoria Ocampo në Argjentinë (shkrimtare, botuese, mecene,           e cila ka jetuar shumë kohë në rrethet kulturore të Parisit). Shumë më interesant, sesa me i takuar getot zezake dhe arabe të Belgjikës, apo indiano-pakistaneze të Londrës (me përjashtimin e regjisorëve Ken Loach apo Mike Leigh). Tani, Filipi shkon me shoqën e tij Ré, në gjithë Amerikën Latine, gjatë vitin 1944, nëpër Bolivi, Meksikë, Kolombi, Brazil, Guatemala… kalojnë nëpër Haiti dhe Kubë, kërkon për ta pi një rhum dhe një cigare ‘Made in Havana’ me Fidel Castron dhe Che Guevarën, por ishin të zanun në Santa Clara, në një sulm revolucionar, kundër regjimit të bixhozit dhe të prostitucionit amerikan, alla Batista.

Tani, mirë se vini, në GULAG-LAND!

Më mirë, ta marrim anijën e parë, për Amerikë, e dashur… si thua? Po, Filip, do të ndjek kudo, gjer në zhytjen e Titanikut, nën zërin magjik të Céline Dion.

Ia propozojnë Soupault, një post profesori në një Universitet të Pensilvanisë (SHBA)… më mirë sesa barman ose shitës hamburgerash në Mac Donald.

Në vitin 1945, pas çlirimit të Europës nga nazizmi gjerman dhe jazzi në bodrumet    e njohura të Shen Gjermen des Prés (lagja 6, e famshme e Parisit) do çlirohet edhe ai, nga shoqja e tij Ré, pa e ditur as vetë sepse… (Hajde e të provoj diçka të re)!

Duhet ta dini që miku im Philippe Soupault ka botuar mbi 20 libra me poezi, ndër të cilat mund t’ua citoj:

Les Champs magnétiques (Fushat Magnetike) 1919-20, në Paris (au sans Pareil).

Westwego – poezi – botuar në Paris në 2022 – Libraria SIX – Titulli përfaqëson një vend gjeografik të Luizianës (Louisiane) në Amerikë dhe është një bredhje poetike në rrugen WEST nën erën, atmosferën, peizhazhet dhe takimet që do i bën andej…

Këto dy libra, jam kam lexuar unë që në atë kohë dhe më kanë pas pëlqyer, pa asnjë dyshim. Pastaj, do keni veprat…

Il y a un Océan (Ka një Oqean) botuar te Guy Lévis Mano – në 1936.

Odes – botuar nga miku im Pierre Seghers në vitin 1946 (edhe këtë e kam lexuar).

Poèmes et Poésies – Grasset (tek boton Bernard Henri-Lévy) Paris, në 1973 e 1987.

Pastaj i ka botuar edhe rreth 15 vepra me romane dhe tregime, mes të cilave:

Le bon Apôtre – Apostulli i mirë – botuar në vitin 1923; Les Frère Durandeau – Vëllezërit Durandeau – Grasset – Paris 1924; Le Bar de l’Amour – éditions du Sagittaire – viti 1925; Le Coeur d’Or – Zemra e artë – Grasset – Paris 1927; Le Nègre – Zezaku – éditions du  Sagittaire – viti 1927;  Les dernières nuits de Paris – Netët e fundit të Parisit, botuar në 1928, Calman Lévy dhe ribotuar në vitin 1997 tek Gallimard – në koleksionin: L’imaginaire; Le grand Homme – Paris – Kra – viti 1929.

Ka botuar po ashtu 5 libra në fushën e teatrit francez: Vous m’oublierez – Do më harroni – 1920 – dramë me 3 akte; Tous ensemble autour du Monde – Gjithë së bashku rreth botës: 1943; Rendez-vous (Takim)- viti 1972; A vous de jouer – E keni ju topin e lojës – libër me 5 drama – Lyon – 1980.

Ka botuar rreth 25 shkrime të thella, analiza, ose ese, mbi autorët, nëpër disa antologji të prozës dhe të poezisë, ose mbi disa individualitete më emblematike, sikurse William Blake, Guillaume Apollinaire, Charles Baudelaire, Eugène Labiche, Lautréamont, Arthur Rimbaud, Alfred de Musset, James Joyce, mbi disa piktorë si Paolo Uccello, le douanier Henri Rousseau, mbi filmin me Charlie Chaplin dhe disa libra më të plota kushtuar zhanrit si për shembull: écrits de cinéma, 1918-1931, ose një seri shkrimesh me karakter puro kinematografik. Ose e keni: shkrimet mbi Pikturën: botuar në Paris 1980, tek Lachenal dhe Ritter. Pastaj, keni: shkrimet mbi artin e shekullit 20 – botuar tek Cercle d’Art në vitin 1994; ‘Ninullat franceze’, botuar në një antologji speciale tek Seghersi në vitin 1961. Pastaj i keni bile 10 vepra biografike apo monografike, që i janë kushtuar direkt Philippe Soupault, nga disa autorë sikurse Myriam Boucharenc, Sylvie Cassayre, Henri-Jacques Dupuy, Serge Fauchereau (të cilin e kam pas njohur në Paris), ka pas  botuar veprën, «Philippe Soupault – voyageur magnétique» Cercle d’Art – 1989, Lydie Lachenal, Claude Leroy, Bernard Morlino, dhe Beatrice Mousli.

Philippe Soupault, ka vdekur në moshën 92-vjeçare në Paris dhe është varrosur në Montmartre. Ka pas banuar sikurse Claude Lévi-Straussi, në Paris, tek ajo lagja 16, ku e ke një qetësi dhe një rregullsi absolute. Ka qenë fans absolut i Apolinerit, të cilin ma citonte përmendsh. Franca e ka celebruar përmes disa çmimeve interesante:

Grand Prix de la Littérature SGDL (société des gens de lettres, krijuar në 1947), 1973

Prix Saint-Simon në vitin 1981

Grand Prix de la Poésie de l’Académie française – në vitin 1974

Grand Prix National des Lettres – i krijuar në vitin 1950 – nga Ministria e Kulturës.  Filipi e merr atë çmim në vitin 1977.

Pra, ky ishte miku im surrealist francez Philippe Soupault dhe më bën mjaft përshtypje, siç ua thashë që në fillim, fakti që me këtë të kaluar aq prestigjioze,  kur shihet shumë qartë, që ka luajtur një rol madhor në historinë e artit dhe të kulturës franceze të shekullit 20 dhe në dialog direkt me biografinë e tij të jashtë zakonshme (karriera e tij si gazetar, si misionar i Leon Blumit dhe i De Gaulle-it, nëpër botë, pa folur për gjithë ato vepra letrare që na i ka lënë në trashëgimi, mbi  60 apo 70… të cilat pak kush i njeh në imtësi, pos disa specialistë, analistë, kritikë, apo studentë të letërsisë në Sorbonë) dhe megjithatë është një personalitet që ka mbetur tepër nën hijen e André Breton dhe akoma i panjohur nga publiku i gjerë.

Por unë kam kaluar momente të bukura dhe të pasura me atë njeri, kam kujtime tepër të prekshme për nga ana humane. Me një fjalë, jemi kuptuar perfekt. E kishim të njëjtën diagnozë mbi dadaizmin dhe mbi surrealizmin. Kemi qeshur dhe lotuar së bashku disa herë… Tani, sa herë që do shëtis nepër të gjitha lagjet e Tiranës, do më shkojë mendja për t’i pa me kujdes trotuaret, duke menduar për mikun tim të dashur. Unë vetë, sipas rregullit që ma kishte imponuar me plot të drejtë babai im shpirtëror Pierre Seghers, (ti djalë, ke për t’i lexuar detyrimisht 5 vepra të çdo autori, a more vesh dhe minimumi do jetë 3… ose mos shko fare për t’i takuar, se do e turpërosh vetën dhe mua në të njëjtën kohë… nuk je turist para figurave gjigante të shekullit, okay! Ngulite mirë në kokë)! Faleminderit, se shumë mirë e ke pasur, Pierre!

Por tani Philippe Soupault i kam lexuar vetëm 3 vepra, që më kanë pas bindur dhe interesuar… natyrisht nuk mjaftonte, por e kam lërë me kaq, sepse më kanë pas pasuruar po aq, edhe aventurat e shumta jetësore, shkëmbimet fantastike me  të dhe e ndieja vetën të plotësuar, të kënaqur. Të përqafoj atje ku je, o miku im, i nderuar dhe do qeshim prapë së bashku me disa përralla surrealiste dhe dadaiste.

Të abonuar në lirinë poetike dhe në improvizimin permanent, besoj që jemi tani të vaksinuar kundër idiotësisë së përditshme, të gjitha pastrimet e mundshme të trurit dhe banalitetit të autoprogramuar. Unë, personalisht, po se po!

Por tani, a është edhe populli im shqiptar në Prishtinë dhe në Tiranë? Nuk jam aspak i sigurt dhe do kisha paguar shtrenjtë, për t’ua çelur sytë në maksimum. Lëvizni, reagoni, o miq dhe mikesha… se flitet për jetën dhe për ardhmërinë e juaj, në trojet e vendlindjes!

Nuk jeni turistë të huaj dhe kalimtarë me një aparat fotografik në dorë, në mes të vendit tuaj, aty ku keni lindur, ku jeni shkolluar dhe edukuar, ku prindërisht dhe gjyshërit tuaj do ua kenë lënë një amanet, një porosi, një mësim minimal.

Besoj, që ka ardhur koha me vepruar me vetëdije dhe pjekuri të plotë, tamam si atdhetarë pozitivë dhe si qytetarë… se nuk do vjen askush për t’ua rregulluar punët dhe problemet tuaja shqiptaro-shqiptare, nga jashtë, në vendin tuaj!

Çdokush prej nesh, e ka një ditë për mision të detyrueshëm për ta bërë, herët apo vonë bilancin e tij njerëzor: “Po çka kam bërë dhe çka kam lërë UNË, si gjurmë, si shembull, ose si kujtim konkret mbi këtë tokë”? Asnjë gjë, nuk do iu ofrohet falas nga askush, por duhet që ta kërkoni dhe ta fitoni…

Kalofshi mire, qëndroni sa më dinjitozë mbi këtë tokë dhe mos u dorëzoni!

 

 

Bruksel, 18 janar 2023.

 

E vetmja gjë, që meriton për t’iu dorëzuar është DASHURIA!

Të përshëndetemi me këngën: “I surrender” të Alan Vega and the Suicide

E cila zonjë e pranon një slow romantik me mua?

Përgjigjuni tek Posta e Humbur – buzë Atlantikut!

Please follow and like us: