Albspirit

Media/News/Publishing

Kristo Mërtiri: Cilët zyrtarë ka futur në xhep “Kupola e Përmetit”?!

 

KRISTO MËRTIRIKRISTO MËRTIRI

I kam ndjekur nga larg, shumë male e dete kaptuar, shkrimet e botuara. Por ai për Kupolën e Përmetit që u prononcove brenda 24 orëve në shtyp, vërtet na ka trishtuar e irrituar dhe ky zemërim nuk ikën kollaj si ujët e Vjosës në shtratin e vet shekullor. Dhjetëra e qindra reagime në internet, me emra të saktë e me pseudonime. Gati të gjithë ishin në një mendje me ty, miku ynë. Më saktë, me të vërtetën e hidhur! Mbrëmë, fiks pas 4 muajve, fjala ngiste fjalën në një takim të ngushtë me emigrantë përmetarë në Toronto, Kanada. Mirëpo, kur erdhi llafi i nxehtë rreth korrupsionit dhe rrafshimit barbar të Kupolës, një bashkëvuajtës nga viset e Dëshnicës lëshoi një pyetje-dilemë: Përse hesht autori i nderuar pas kësaj shushame jo të shkurtër zyrtare (lokale e qendrore), mos vallë ia kanë mbushur të dyja bulçitë me besho (lekë) të pista dhe ia rrëmbyen fët e fët zërin e zëdhënësit të opinionit publik qytetar e intelektual?…

Biseduam gjatë. Por ajo pyetja cingëriseshe e therëse, të jem i sinqertë, nuk më la aspak në krahët e qetësisë. Ku ta dinte miku im mërgimtar se ç’përpjekje kam bërë këto 4 muaj shurdhërie, sidomos për të dëgjuar profesionistët e vërtetë, ata që nuk i thonë kurrë derrit dajë. E vërteta është se po prisja qoftë edhe ndonjë qëndrim të vetëm zyrtar nga institucionet, si nevojë e detyrim ndaj qytetarëve. Por mjerisht, deri sot asgjë! Një parantezë që flet vetë: Vitet e fundit, jam njohur si të gjithë vetëm me nja dy përgjigje serioze e dinjitoze të ish-Kryetarit të Bashkisë, Niko Shupuli, me të cilin jam takuar jo më shumë se rreth 10-15 minuta mbi 3 vite e gjysmë më parë në qytetin e Përmetit. Takimi im i parë dhe i fundit. Por prononcimet e tij mediatike e publike deri ditën e dorëzimit të postit, mua më kanë lënë gjurmë të mira si shtetar i zgjedhur nga populli dhe si drejtues e njeri i mirë. Dhe vazhdoj të kujtoj disa nga punët e pastra dhe bashkëpunimin aspak partiak me Kryeministrin, qeverinë dhe institucionet e tjera, si dhe me donatorë vendas e të huaj (larg militantizmit shterpë). Pa pritur urdhra e qarkore elektorale çoroditëse nga partia që e kish kandiduar. Shembull e model pozitiv jo dosido. Dhe ka të drejtë të krenohet me projektet e premtuara e të realizuara, që banorët nuk i harrojnë lehtë: Furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë; Rikonstruksioni i hyrjes së qytetit, lulishtes, sheshit kryesor e pedonales; Ndërtimi i qendrës multifunksionale për fëmijët me aftësi të kufizuara; Rijetëzimi i lagjeve të Përmetit të vjetër dhe rikualifikimi urban i shëtitores gjer te Salla e Kongresit etj.; Lidhja e kontratës me Bankën Botërore për investimin madhor 4,5 milionë dollar… Mjaft gjëra të bukura si këto apo pastrim-gjelbërimi i rrallë ku nuk gjen dot një bisht cigareje në tokë, i pashë me sytë e mi ndryshimet progresive. Mirënjohja (më minimalja) ndaj këtij ekonomisti të ditur e drejtuesi të urtë e të mençur, te mjaft përmetarë të majtë e të djathtë është konkrete dhe e paimponuar nga asnjë forcë politike. Për shembull, nuk e harroj një fjali të njëjtë të disa miqve të mi (të majtë 24 karat). “Po rikandidoi Nikua (2019), e ka të fituar davanë !…”. Këtë vlerësim dëshiroj ta fitojnë edhe drejtuesit e rinj në pushtetin lokal…

Sepse dy pyetje të thjeshta kanë 4 muaj që vërtiten e rrinë varur përballë opinionit qytetar e mediatik: Kush ua kyçi “me 7 palë çelësa” sqarimin e hapur dhe cilët zyrtarë të zgjedhur e të emëruar futi në xhep “Kupola e Përmetit”? Veçse dihet herët, heshtja nuk është gjithmonë flori! Së pari, unë në jetën time gazetareske e publicistike, i kam besuar dhe i besoj ende opinionit të shëndoshë publik (sidomos përmetarëve të dashur që i njoh e më njohin mirë) dhe jo atyre memurëve të administratës që “nuk vihen në xhep” e shpesh janë tinëzarë e fjalëpërdredhur. Dhe provat e para i kam dhënë herët atje rrëzë Dhëmbelit. Madje, kam paguar edhe ndonjë kosto krejt të pamerituar, personalisht e familjarisht. Po kështu nëpër rrethe të tjera si korrespondent profesionist. Të kuptohemi, edhe Kupola nuk është orë xhepi. As ndonjë “shami xhepi”. As fjalor a bllok xhepi. As ndonjë “xhep nafte a gazi”… Sepse ai ose ata që “të fusin në xhepa” apo të mbushin të dyja bulçitë, nuk janë thjesht xhambazë e mashtrues të pazarit të dikurshëm në Këlcyrë. Sot, zyrtarëve të korruptuar ata ua “këndojnë letrat në xhep” dhe e dinë mirë se si mund t’i fusin kokë e këmbë në thesin me besho (lekë) të pista. Në rastin konkret, mendoj se nuk është hiç mesele e koklavitur… Së dyti, si mundet të fyhen e të mos begenisen fare ata dhjetëra intelektualë e akademikë që u shprehën kundër asaj makutërie të pacipë? Po Kontrolli i Lartë i Shtetit, përse e bën një sy qorr e një vesh shurdh, bashkë me Prokurorinë lokale e qendrore? Sepse nuk bëhet fjalë për hajdutë të rëndomtë xhepash nëpër autobusët urbanë të Tiranës e gjetkë. Dhe as për xhepgrisurit dorëlëshuar. Kujt i takon ta zërë “demin” prej brirësh ?…

Së treti, nuk ishte rastësi rrafshimi rrufe i Kupolës ditën e shtunë atë messhtatori. Çuditërisht, menjëherë pas botimit serioz të librit ku flitet me kompetencë të lartë për rikonstruksionin e rivitalizimin e objektit “si një vlerë e shtuar për Përmetin”! Kush i ndërseu në këtë vrapim çmendurak e ulërak? Sepse autori nuk është specialist aguridh apo i gatuar për 6 muaj te plepat në Durrës. Është projektuesi, arkitekti e zbatuesi i palodhur gjirokastrit, inxhinieri i mirënjohur Ibrahim Emiri, që ka lënë vite të tëra të jetës së vet në atë qytet. Ai u ngul enkas në një studio projektuese të arkitekturës në Tiranë (megjithëse në pension). Natyrisht, atij i dhemb ndoshta më shumë se kujtdo përdhunimi e shkatërrimi i asaj vepre që dikur fitoi Çmimin e Parë (për harmonizimin e arkitekturës me artet e aplikuara) në Konkursin Kombëtar me rastin e 45-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe sahanlëpirësit e tyre. Dhe nuk u duartrokit e as u miratua nga ca çapaçulë “fitimprurës” e matrapazë akshami, por nga profesionistë të zotë e të respektuar në shkallë vendi. Fjala vjen, përmetarët janë gjallë dhe e mbajnë mend mirë pjesëmarrjen e krijuesve të arteve figurative. Si do të përgjigjeshin sot këta pehlivanë që “e kanë xhepin kukurec”, përballë skulptorëve të njohur Kristo Krisiko, Niko Thano e Taqo Miho etj.?

Së fundi, çfarë do thoni nesër ju këshilltarë e zyrtarë lokalë e qendrorë, kur si për çudi “një variant i asaj Kupole të ndërtohet përsëri, sigurisht larg Përmetit, sipas një projekti të rinovuar në kushte bashkëkohore? Apo qëndrimet e deritanishme “as andej, as këtej” e që burojnë nga “e mesmja e artë”, ta mbajnë festën mënjanë ose mbi sy. Hileqarët e gënjeshtarët kanë edhe “brirë” mendjemadhësie, fodullëku e tinëzarie provinciale përballë reagimeve publike të shumta. Madje nuk i fshehin fare. Ku e gjejnë vallë këtë kurajë e budallallëk me brirë? Sepse faqja nuk mund të nxihet e të shitet për një karrige… Të paktën, mos harroni Nonda Bulkën penëmprehtë e plot humor gurgullues e shpues. Përmetari i madh që gjithë jetën qau e qeshi si bilbili. Ja një nga fabulat e shumta e të ndritshme të tij: “Një sorkadhe kishte qëndruar pranë një përroi të qetë me ujë të pastër. Pasi piu sa u ngop, uli sytë poshtë në ujë dhe pa si në pasqyrë vetveten. Ca e gëzuar, ca e dëshpëruar, bëri këto vërejtje: -S’ka dyshim se brirët e mi janë nga më të bukurit në botë, në krahasim me brirët trashanikë të buallit e të dhisë. Në botë s’ka asnjë kafshë brirë kaq të bukur,-thoshte ajo,-dhe të vjetrit kishin të drejtë kur brirët e mi i vinin përpara dyqaneve për zbukurim. Po ç’e do se këto të shkreta këmbë i kam shumë të holla si të lejlekut dhe, kur mblidhemi në pyll me shokët e tjerë, më vjen turp nga vetja. Ah, sikur t’i kisha cazë më të trasha! Dhe në këto e sipër sorkadhja psherëtiu nga dëshpërimi; po tamam në atë çast u dëgjuan që nga larg të lehurat e langonjve. Sorkadhja i njihte mirë ata zëra dhe veshi s’e gabonte kurrë, prandaj fluturoi si vetëtimë me gjithë fuqinë e këmbëve të saj të lehta. Kështu i la qentë shumë larg, por ç’e do se kur hyri në një pyll shumë të dendur, një prej brirëve u pleks aq keq në një kullusmë, sa sorkadhja mbeti aty si e mbërthyer. Langonjtë që e ndiqnin pas erës, iu afruan dhe e copëtuan pa e bërë të gjatë. Sorkadhja e gjorë, para se të jepte frymën, pati kohë të mendonte se më kot i kishte sharë këmbët e holla dhe kishte lavdëruar brirët që e morën më qafë. Një gjë që duket e bukur nuk është medoemos dhe e dobishme…

http://www.panorama.com.al/cilet-zyrtare-ka-futur-ne-xhep-kupola-e-permetit/

Please follow and like us: