Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. asc. Dr. Albana Deda (Ndoja): Iris Halili dhe libri i saj me vështrime kritike

 

Dua t’i nis këto rreshta me ndjesinë që më shkakton emri i autores së këtij libri. Me një diferencë të pakonsiderueshme vitesh jetësore nga unë dhe shokët e mi të universitetit, po me një diapazon njohurish që të ngërthente e të pshtjellonte, duke të futur jo vetëm në labirinte të panjohura metodologjike e interpretative, po mbi të gjitha, duke të mprehur shqisën e dyshimit dekartian, personaliteti i saj profesional e njerëzor të krijonte e të krijon një distancë estetike, e cila edhe në mënyrë subkoshiente, do të thosha, formaton rekuizitën gjuhësore referuar saj edhe sot e kësaj dite, kur jemi kolegë, duke ngelur: Zysha.

Gjithsesi pavarësisht këtij impostimi personal, e ndikuar nga statura ime profesionale e kaq e kaq viteve, mora në dorë këtë libër dhe nisa ta lexoj me shumë seriozitet.

Natyrisht që qysh në faqet e para imazhet e analizave, terminologjitë e përdorura, si dhe stili i servirjes janë karremat që fillojnë e zgjojnë në idin tonë imazhet atyre orëve të leksioneve aq befasuese, jo vetëm për arsye të metodologjisë interpretuese, po edhe befasisë, mundësisë për shumësi interpretimi e deri eksperimentim në formën e analizës të së brendshmes vetiake me ndarjet e saj, fillojnë e aktivizohen, duke sublimuar te unë atë kohë tashmë të shkuar (fatkeqësisht) me emërtimin rini, së cilës besoj se secili prej nesh i referohet si pjesë e rëndësishme e formimit të tij.

Gjithsesi një dëgjues i këtyre radhëve mund të pyesë: Përveç përjetimit personal, çfarë tjetër ofron ky tekst që unë duhet ta lexoj dhe, nga ana tjetër, a jam unë i aftë të deshifroj gjithçka që është shkruar aty?

Qysh nga titulli mund të kuptosh se ky libër ka në bazë interpretimin e veprave letrare, duke shfrytëzuar si metodologji analize psikanalizën e Zigmund Frojdit (Sigmund Freud).

Kujtojmë se kritika psikanalitike, teoria interpretuese më me ndikim në periudhën e pasluftës, bazohet në premisat specifike të funksionimit të mendjes, instinkteve dhe seksualitetit, të zhvilluara nga intelektuali austriak Zigmund Frojd (Sigmund Freud).

Simbolet dhe ëndrrat ishin objekti kryesor i analizës klinike të tij. E letërsia përbënte një korpus të begatë në këtë fushë, veçanërisht mitologjia me simbolet arketipe që trashëgohen me shekuj në intertekstet letrare të kultivuara dhe që në mënyrë estetike sublimuan nënshtypjet (term i Migjenit) e qenies qysh në lashtësi. Jo më kot një pjesë patologjish mbajnë edhe emra personazhesh mitike (kompleksi i Edipit e i Elektrës etj).

Duhet thënë se libri organizohet në formën e eseve kritike në pamje të parë të shkëputura njëra nga tjetra, po në fakt të lidhura në mënyrë organike, duke shmangur kështu fragmentarizmin dhe duke përplotësuar ilokucionin konjitiv të autores, po pa kaluar asnjëherë në përsëritje e bezdisje për marrësin.

Në këtë mënyrë autorja fillimisht paraqet një pasqyrë të teorisë psikanalitike, për hir të së vërtetës me një regjistër të pranueshëm për çdo kategori lexuesish, po duke dhënë referencat përkatëse për lexuesin e kualifikuar e jo vetëm. Një gjë e tillë është e domosdoshme veçanërisht për lexuesin jo të specializuar, i cili i paambientuar me teori të tilla, i duhet krijuar mundësia e deshifrimit të metodës së analizës.

Forca ilokutive e argumentit organizohet me një koherencë mjaft specifike. Kështu ajo kujdeset që fillimisht të japë interpretimet tradicionale të mitit dhe jo vetëm, e pastaj atë që ofron psikanaliza, duke i dhënë mundësi jo vetëm konjitive lexuesit, po edhe përzgjedhjeje. Në këtë lloj makrostrukture kompozicionale të kësaj pjesë, ajo diskuton p.sh. mitin e e vrasjes burrave të tyre nga 49 vajzat e Danaut, duke vënë në dukje interpretimin historiko-sociologjik sipas së cilit vrasja u krye për shkak të frikës së Danaut se dhëndrrat do të rivalizonin për fronin mbretëror, pra për pushtet, ndërkohë që psikanaliza ofron shpjegime tjera të tilla si fakti se akti i parë seksual mund të shkaktojë ose varësi (robërim) ose urrejtje dhe, nga ana tjetër frika ndaj incestit, pasi vajzat po martoheshin me kushërinj te tyre.

Në këtë mënyrë në dy esetë e para kalojnë figura të tilla si ajo e Edipit (emri i të cilit lidhet me tërheqjen seksuale për nënën), e cila shihet edhe te Da Vinçi, shikimi i nënës së tij te Mona Liza, apo Hamleti, vëllai Karamazov të cilët me situata e tyre haluçinative reflektojnë luftën që bëhet në idin e tyre. Po kështu aty gjen Helenën, Medean, Klitemnestrën etj. etj.

Duhet thënë se në këto pjesë shfaqen analiza të mrekullueshme teoriko- letrare, që bindin se para ke një kritike që përqas pa paragjykim, analizon, ia ofron marrësit, duke i dhënë natyrisht edhe preferencën e saj, po pa ia imponuar mendimin individual. Këtë lloj qasjesje e konjicioni ajo e ofron edhe në ese të veçanta si ajo me titull “Pigmalioni që trillon”, në të cilën diskuton në lidhje me termin “fiction” , përkthimet në shqipe dhe faktin se sa këto të fundit mbulojnë/apo nuk mbulojnë gjithë pasurinë semantike të fjalës në origjinal.

Po kështu esetë që lidhen me ekzitencialistët (Kafka, Camy), po veçanërisht ato që kanë të bëjnë me veprën e Pirandelos (Një maskë si ajo e Pirandelos) dhe Tomas Eliotit (T. S. Eliot ose fytyra e kursyer e Prufrokut) janë përvijime të shkëlqyera të një formimi teoriko- letrar të teorive kritike më të njohura. E kjo vihet re edhe në stilin e analizës në to, pasi në krahasim me esetë e tjera psikanaliza kalon më në periferi dhe primare dalin përqasjet teorike të metodologjive të ndryshme.

Duhet të shtoj se si person i interesuar në teoritë që mbështeten në analizat tekstuale më shumë se ato kontekstuale, pikërisht në këto ese vë re me kënaqësi se analiza përqendrohet në identifikimin e koherencës dhe kohezionit të tekstit, skemave specifike kompozicionale, llojeve te narratorëve etj. në mënyrë mjaft të detajuar dhe individuale do të thoja, pasi dihet që për to ka kritikë të bollshme në literaturën botërore.

Në këtë kontekst autorja sjell në vëmendje interpretimin e Eliotit, sipas të cilit “…nëse njё kritik duhet tё mbështetet vetëm nё tekst, kjo është po aq e rrezikshme, pasi të çon në një interpretim të vetёm tё poezisë, ndёrkohё që kuptimet duhet të jenё tё pashtershme dhe të ndryshme nga lexuesi nё lexues”, duke na thënë se vërtet ne në studimet tona kemi mungesë studimesh nga kjo lloj qasjeje, por duhet të kemi parasysh edhe kufizimet që sjell ajo e aplikuar më vete.

Ai që njeh sadopak psikanalizën si metodë interpretimi e di shumë mirë se Cvajgu (Zveig) e teksti i tij janë një terren i begatë për një interpretim psikanalitik, madje ato shihen të lidhur në mënyrë të kushtëzuar njëri me tjetrin, gjë që vihet re edhe ne titullin e esesë që i kushtohet Cvajgut në këtë libër “nga Frojdi të Cvajgu apo anasjelltas”.

Në këtë ese autorja nuk ngelet vetëm në identifikimin e karremave psikanalitikë, po analizën psikanalitike e aplikon edhe mënyrën se si autori krijon endjen tekstore, pllotin specifik, duke e paraprirë lexuesin drejt këtij interpretimi nëpërmjet pyetjeve të tilla: “Ç’lloj narracioni është ky i Zveig-ut? Si mund të shpjegojmë transferimet që merr ngjarja duke shkuar në subjekt, nga një narrator tek tjetri dhe duke formuar kështu të ashtuquajturin narracion zinxhir? Si mund të shpjegojmë lidhjen që ka midis fillimit dhe fundit në novelë? Përse flitet gjithmonë për ngjarje të shkuara? Përse disa ngjarje janë si letra, apo si ditare? A mund të gjejmë origjinёn e historive që vijnë nёpёrmjet narracionit zinxhir, duke plotësuar, kështu, qëllimin kryesor të tematikës”.

Duhet thënë se marrësi i cili ka krijuar një kompetencë të mjaftueshme nga pjesa paraprirëse mund të përpiqet të përgjigjet edhe vetë, megjithëse natyrisht nuk mungon shpjegimi i autores. Është e dallueshme se mjeshtëria didaktike e dhënies dhe ngulitjes së kompetencës së nevojshme është e admirueshme.

Befasuese janë edhe esetë në të cilat ajo diskuton për ekzistencialistët, Kafkën, Kamynë, Sartrin. Pasi na jep një panoramë të plotë të jetës e ndikimeve filozofike e jo vetëm të secilit autor, po edhe të drejtimit në përgjithësi, ajo përqas, mendoj unë, jo vetëm në mënyrë psikanalitike, po edhe filozofike ekzistencialiste personazhe e vepra, që shpalosin tiparet përmbajtësore e formale të tyre.

Kështu te Kafka njeriu është i dënuar me lirinë e tij, kurse te Kamyja Mersoi kryen një vetvrasje filozofike. Ky i fundit pavarësisht se është një personazh tipik absurd nuk mbyllet në fatalizëm, po le hapur një dritë shpresë të cilën autorja e identifikon përmes perifrazimit të foljes “uroj” që gjendet në fund të romanit.

Sartri do ta përkufizonte kështu mendimin e tij për qenien “Se njeriu, mbetet e vetmja ekzistencё qё e projekton veten kaq larg. Se, nё fakt, njeriu vetёm sa pёrpёlitet. Se, nё fund, ai mbetet veç njё “pasion i pamundur”.

Në esenë që merr në analizë veprën e Markezit me titull “Realizmi që na bëri magjikë” ajo në një pjesë përshkruan atë që unë sa herë bie rasti të flitet për Markezin (Dashuri në kohën e kolerës) e përsëris. “Në dërrasën e zezё shkruaja fjalinë hyrёse: Ishte e pashmangshme: era e bajameve të hidhura i kujtonte gjithmonë fatin e dashurive të penguara”. “Tërë jetën”! në të cilën përmblidhej komplet ndjesia dhe realizimi fizik i asaj që do të lexohet në vazhdim.

Më tej ajo argumenton përdorimin e mbiemrit të penguara nëpërmjet psikanalizës në këtë mënyrë: “Sigmund Freud-i ka një teori të tërë për këtë fenomen shpirtëror. Pёrshkruhet dhe pёrmblidhet, pak a shumё, si forca e një instikti qё rritet me mosfunksionimin e tij”.

Nëse në gjithë librin vë re se regjistri përgjithësisht është i një stili të pastër shkencor, përjashtim deri diku bëj eseja që lidhet me veprën e Visar Zhitit “SHPЁRFYTYRIMI I NJЁ KAFKE”. Nëntitulli në fakt drejton edhe vetë drejt kësaj ndjesie që edhe marrësi e identifikon lehtë (Ndjesi mbi vëllimin poetik të Visar Zhitit: Hedh një kafkë tek këmbët tuaja”).

Ajo jep përjetimin që ka nga kjo vepër, duke u munduar të deshifrojë për vete dhe për marrësin, po nëpërmjet këtij procesi ajo krijon vetë fiction përmes fiction-it referues. Ja gjykojeni vetë dhe:

Ti mban në duar një kafkë. Të jetë dyzimi yt?! Mos është rreth i ferrit? Mos është çmenduria e Atdheut tim, e Atdheut tënd?! Ajo kafkë ёshtё e atyre që s’të kuptuan dhe s’të kuptojnë. E atyre që heshtën para fjalës dhe e luftuan atë. Ashtu i palirë ti sërish jetoje më shumë se njerёzit që ishin jashtë mureve ku të kishin mbyllur…

Janë të dallueshme efektet poetike të këtij fragmenti të realizuar përmes përsëritjeve në strukturë e në fjalë të veçanta. Ritmi është i pranishëm dhe ndikues në interpretim, pasi hapësirat ritmike janë shumë të qarta. Impostimi interpretues është liriko- tragjik. Të gjitha këto të realizuara mbi imazhet semantike të poezisë së Zhitit. Një sublimim i mrekullueshëm mendoj në radhë të parë për të, po edhe për marrësin.

Ka shumë e shumë gjera të tjera që mund të thuhen për këtë libër dhe autoren e tij. Përmes këtyre radhëve modeste u munduam që të grishim sadopak në lexim marrësin që në shoqëri si këto tonat me patologji klinike të theksuara e ka nevojshëm këtë konjicion dhe psikanaliza individuale e kolektive do të ishte një alternative e mirë terapie. Në këtë kontekst Frojdi na tërheq vëmendjen duke na thënë se “mё shumё nga tё gjitha duhet tё dёgjojmё pavetёdijen, pasi ajo ёshtё grimca e padukshme e tensioneve tona tё brendshme”.

Nje tekst per te tere

Please follow and like us: