Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: BRIGADA VI SULMUESE – KRENARI E LANÇ-it

(Në kuadrin e pervjetorit të Brigadës së VI- të sulmuese “Heroinë e Popullit”, që numëronte 912 partizanë nga të cilët 120 vajza dhe gra dhe 60 fëmijë, ndërkohë që efektivi i saj u rrit në 1700 luftëtarë. Brigada komandohej nga Tahir Kadare dhe komisar Mustafa Matohiti. Lufta e partizanëve të BrVIS çliroi 8 qytete e 32 krahina, që përmes luftimesh të përgjakshme të 5 batalioneve të saj  në një rrugëtim historik luftimesh prej 3700 km ndoqi nazistët deri në Vishegrad, por la në fushën e nderit 205 “Dëshmorë të Atdheut” dhe 10 “Heronj të Popullit” që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, por që pati edhe 540 partizanë të plagosur disa nga të cilët ndërruan jetë nga plagët e marra në luftë dhe që në bazë të ligjit meritojnë titullin e lartë “Dëshmor”. BrVIS ishte një nga formacionet më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u shndërrua në simbolin e rezistencën antifashiste të shqiptarëve. Me betejat e zhvilluara kjo brigadë shkroi me gërma të arta historinë e saj. Shqipëria ishte ndër vendet e para të Europës që u çlirua tërësisht nga pushtuesit nazifashistë, si një meritë të padiskutueshme i takon partizanëve të Brigadës VI Sulmuese, që u bë Brigada epope lavdie e LANÇ-it, që luftoi 308 ditë lufte në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera lufte në ish-Jugosllavi).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

BrVIS – një ndër 24 “Brigadat partizane sulmuese” shqiptare

Krijimi i Brigadës së VI-të sulmuese partizane ishte në vijim të krijimit të formacioneve orgjinale shqiptare. Ndërkohë që viti 1943 ishte viti i krijimit masiv të batalioneve partizane, në mars 1943 ishte hedhur ideja e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, ide që ishte finalizuar më 10 Korrik 1943. Ky shtab i dha frymë europiane UNÇSH-së. Pas batalioneve partizane hovi i zhvillimeve të luftës antifashiste krijoi mundësi të reja të shumta të kalohej në procesin e zhvillimit të mëtejshëm të Luftës Antifashiste në Shqipëri. Formacion origjinal shqiptar, që i përshtatej taktikës së luftës partizane në male, dhe që siguronte lehtësi manovruese, shpejtësi në veprimet luftarake dhe që ishte formacion i vështirë për goditjeje nga pushtuesit që zhvillonin luftës frontale ishte padyshim Brigada. Meqënëse formacioni “Brigadë partizane” ishte e lehtë, e manovrushme, me një numër jo të madh luftëtarësh, tërësisht këmbësorë, me armatim kryesisht të lehtë; me luftëtarë të zgjedhur e të sprovuar në luftime, por që ishte provuar efikasiteti u gjykua të ecej në rrugën e formacioneve të mëdha partizane. Deri në janar 1944 ishin krijuar BrIS, më 15.8.1943, BrIIIS më 25.9.1943 në Arbanë të Tiranës, BrIIS më 28.11.1943 në Skrep, poshtë maleve të Linosit, në Shëngjergj, si dhe kryente aktivitetin në zonën e Shëngjergjit, Çermenikës dhe Martaneshit. BrIVS e krijuar më 28.12.1943 në Voskopojë, BrVS e krijuar më 20.1.1944 në Bramishnjë të Tërbaçit, ndërsa BrVIS u formua më 26 janar 1944 në Përmet dhe inagurimi i saj u bë në zjarrin e betejave. Brigada VI Sulmuese në ditën e parë të krijimit kishte 912 partizanë dhe përbëhej nga batalionet “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Baba Abaz”, “Naim Frashëri” dhe më vonë dhe batalioni “Zaho Koka” me djem e vajza nga bregdeti. BrVIS ndoqi rrugën e orgjinalitetit dhe karakteristikave të brigadave të tjera sulmuese të UNÇSH-së sepse brigadat partizane shqiptare ishin tërësisht brigada sulmuese për vetë  karakterin e luftës çlirimtare dhe shprehte në mënyrë të sistetizuar karakteristikat e veprimtarisë luftarake, taktikën, shpirtin sulmues. Ajo përfshinte batalionin e parë që ishte themeluar në Kardhiq më 7.8.1943 dhe ishte pagëzuar me emrin e heroit “Asim Zeneli”, batalionin “Abaz Shehu”, që ishte krijuar më 26.12.1943 në Fushëbardhë, batalioni “baba Abaz” që ishte krijuar më 10.8.1943 në Kalivaç të Tepelenës, batalioni “Naim Frashëri” që ishte krijuar në Poliçan me 27.7.1943, si dhe batalioni që mbante emrin e heroit të luftës së bregut “Zaho Koka”. Formimi i BrVI Sulmuese gëzonte partizanët dhe popullin e qarkut të Gjirokastrës. Në thirrjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Qarkut thuhej: “Edhe në Gjirokastrën tonë të çeçove të vejtër e të rinj, do të formohet BrVI Sulmuese. Ata që përbëjnë këtë brigadë janë djemtë e krahinës dhe të qarkut tonë, që me gjakun e tyre kanë çliruar zona të tëra e do të vazhdojnë për ta shkatërruar armikun plotësisht”. Luftëtarët personifikoheshin me epitetin tradicional jugor “çeço”, pra që ishin ndeshur, përplasur e gjakosur me armikun, duke fituar eksperiencë luftarake, dinin të zbulonin, mashtronin e ta ndillnin atje ku beteja jepte rezultate, ishin trima të etur për liri, besnikë deri në vdekje ndaj popullit dhe kombit, të motivuar dhe të përkushtuar për çlirimin e atdheut, këta “çeço” që kompletuan brigadën që do shndrohej në heroinë.

Drejtuesit e spikatur të formacionit të Brigadës partizane

Brigada e VI-të Sulmuese ka qenë një nga brigadat më në zë të Frontit Nacionalçlirimtar gjatë LIIB në Shqipëri. Komandantët dhe komisarët e kësaj brigade fillimisht ishin Tahir Kadare e komisar Mustafa Matohiti, por dhe shumë intelekualë, zanatçinj, punëtorë, fshatarë, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë, një brigadë elitare me karakter të theksuar luftarak dhe sulmues kundër armikut, të mbushur me luftëtarë që vinin nga Krahinat e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit dhe Bregdetit. Brigada kishte luftëtarë nga çetat, e batalionet partizane, ndërkohë që historia e luftës antifashiste të shqiptarëve njeh krijimin e mbi 97 çetave partizane, nga maji deri në nëntor u ngritën 48 batalione partizane sulmuese, ku në fillim të vitit 1944 u krijuan edhe 6 batalione. Në vitet 1943-1944 u ngritën 24 brigada sulmuese partizane, si dhe në fazën finale edhe të 8 divizioneve e 3 korparmatave, që çuan në fitoren përfundimtare mbi nazifashistët më 29 nëntorin e vitit 1944. Drejtuesit e njësive të mëdha partizane patën meritën e drejtimit të veprimeve luftarake me përvojën e të parëve që kishin luftuar shekujve në luftrat për liri kundër të gjithë pushtuesve. Në luftimet e operacioneve të mëdha të dimrit 1943-1944 si dhe të qershorit 1944 Brigada e gjashtë sikurse gjithë brigadat sulmuese në bashkëveprim me forcat territoriale mbrojten zona me përmasa të konsiderueshme që shkonin nga 1300-1600 km², me kohëzgjatje një e dy javore. Në veprimet sulmuese, BrVIS tregoi cilësi thelbësore e determinuese përcaktuese si shpejtësia, manobra, forcë goditëse, që u evidentuan në të gjitha etapat pas operacionit të qershorit të vitit 1944. Fakt është se Brigadat sulmuese të UNÇSH-së ishin formacione origjinal me linjat e veta dalluese thelbësore, sikurse ishte edhe brigada që u themelua në Përmet atë fundjanari të vitit 1944, që ishte edhe viti vendimtar i luftës. Themelet e kësaj Brigade të 26 janarit ishin çetat e batalionet që në ditën e parë të krijimit të brigadës e nisën me këngë dhe e ngrysën me luftë nën krismat dhe bataretë kundër nazistëve, ku trimëria e djalërisë labe dhe krahinave të tjera luftonte për idealet e mëdha ndaj dhe kënga nuk rreshtëte: “..u luftua breg më breg, bajonetë më bajonetë!”. Një ndër luftrat e para të kësaj brigade ku u shkrua heroizmi me këngë ishte: “Cepua si Stalingradi,/Nisi luftën me furi,/Partizanët dhe tërmeti,/Mbi gjermanët bën kërdi,/Cepua ky mal i lartë,/luftë ditë e luftë natë,/të mbiu lufta në prag..”. Drejtuesit e brigadës e shkruan biografinë e tyre me luftime të përgjakshme, por të sukseshme. Në kohën e krijimit BrVIS kishte: komandant Tahir Kadareja, nënkomandant Jaho Gjoliku, komisar Mustafa Matohiti, zëvendëskomisar Haki Toska; më seksionin politik Adil Çarçani, Zihni Sako, Sami Gjebero, Siri Çarçani, Vangjelo Sotiriadhi, intedentë Hetem Pogaçe e ndihmës Braho Toto, për shëndetësinë Nedin Kalanxhi, ndihmësmjek, për ndërlidhjen Muhedin Bakiri, komandant batalionesh ishin Riza Veipi, Sadik Buzo, Fejzo Ismaili, Feti Bubsi, Maksut Myrtaj, nënkomandantë batalionesh Astrit Nishani, Musa Daci, Mustafa Asllani, Meleq Gostinishti, zëvendëskomisar batalionesh Ago Çeli, Veledin Zeneli, Petrit Radovicka, Mitro Xhani, Abdul Hakiu, Asaf Dragoti,..e kuadro të tjerë si Sotir Filto, Xhule Çiraku etj, që spikatën në betejat e shumta të kësaj brigade. Nga fshati  Fushëbardhë ka pasur me dhjetra bijë e bija që kanë ngelur emra të gdhendur në historinë tonë kombëtare, por vetëm nga Fushëbardha kanë rënë në fushën e nderit vetëm nga formacioni i BrVIS: Alem Zano Shehu dhe Tahir Reis Xhuvani që ranë më 15.4.1944, Kutbi Çelo Gjeçi që ra më 25.7.1944, Xhezo Dervish Proda, që ra më 11.9.1944, Latife Veli Nora, që ra më 25 Mars 1945 në Suhagorë të Bosnjë Hercegovinës, si dhe shumë të tjerë jo pak por 205 luftëtarë të kësaj brigade ranë në fushën e nderit për të mbetur flamur në piedestalin e lirisë së kombit shqiptar.

Brigada VI sulmuese formacion lavdie i UNÇSH-së

Rreshtimi dhe hyrja në luftime që në ditën e parë të inagurimit, për të pestë batalionet partizane të brigadës ishte një praktikë e njohur për gjithë partizanët e kësaj brigade, përfshi dhe batalionin “Zaho Koka”, që u inkuadrua me vonesë në brigadë. Veprimet më të rëndësishme të saj ishin: luftimet e ashpra në luginën e Përmetit për të përballuar mësymjen e përgjithshme armike të dimrit 1944, luftimet në Lunxhëri, Libohovë, Luginës së Drinos, në Tepelenë, luftimet për spastrimin e Mallakastrës, Rrëzomës së Delvinës, luftimet në Margëlliç, në Patos e Mavrovë, luftimet shumë të ashpra për të përballuar mësymjen e armike të qershorit 1944 në zonën e Kurveleshit, krahinës së Kardhiqit, Mesaplikut etj; thyerja e operacionit armik në Dukaj të Tepelenës në korrik 1944, luftimet në shtator në Labinot pranë Elbasanit. Brigada u shqua në të gjitha betejat që u përball me armikun përfshi edhe luftën për çlirimin e Mirditës, Shupalit, shpartallimin e forcave armike në Gojan të Pukës, në Fushë-Arrëz përgjatë muajve tetor dhe nëntor, shpartallimi i forcave armike në Dukagjin në nëntor 1944. Brigada kaloi Alpet shqiptare në kushte shumë të vështira dimri, por që formacionet shumë të mëdha partizane përfshinë këtë brigadë me emër në përbërjen e DVIS, që luftoi përtej kufijve veriorë administrativë shqiptarë, për të ndihmuar për çlirimin e vëllezërve kosovarë dhe të popujve të tjerë të Bosnjës në ish-Jugosllavi. Formacionet partizane shqiptare kaluan “Përtej kufijve”, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, që, “…Divizionet V e VI Sulmues (20000 luftëtarë), marshuan përtej kufijve shtetërorë…ku më 29 nëntor 1944 BrVIS kalon lumin Cem..”. Disa nga vendet ku BrVIS zhvilloi luftime të ashpra kanë qenë, Kalaja e Medunit, Bresku-Lieva-Reka, Verusha, Suhogora, Drinsko e deri në Vishegrad, në kushtet e një dimri të acartë. BrVIS në zbatim të urdhërit të komandës së Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së, pas shtëtë ditë marshimi të sforcuar, më 12 mars 1945 parakaloi në qytetin e Mitrovicës, ndërkohë që deri më 10.6.1945 veproi në krahinën e Kosovës, ku u prit me dashuri të veçantë nga shqiptarët e Kosovës. Nga 10.6.1945 deri në fillim të dhjetorit zhvilloi luftime në qytet dhe rrethinat e Shkupit, Valës, Manastirit dhe Ohrit kundër bandave reaksionare. Më 7.12.1945 BrVIS, bashkë me njësi të tjera të UNÇSH, u kthye në atdhe dhe u përqendrua në qytetin e Korçës. Përgjatë rrugës luftarake të BrVI S në të u rreshtuan mbi 1700 partizanë e partizane ku krahas partizanëve dhanë jetën edhe 12 vajza partizane si Fato Berberi, Persefoni Kokëdhima, Mukades Hoxha, Bukurie Bazo, Latife Nora etj. Atje ku binin trimat e trimëreshat krijohej dhe një këngë e re sikurse ishte: “..Ju kish rritur nëna për një botë të re,/ lule more trima që ratë për atdhe..” ose “Latife e vogëlo,/o motra e brigadëso,/luftove në mal me borë,/Ra vajza (nga Fushëbardha) në Suhagorë..”. Rol të rëndësishëm për kryerjen me nder të misionit të saj kanë luajtur personalitetet drejtuese si dhe gjithë komandantët e komisarët në të gjithë nivelet deri tek partizanët e thjeshtë, për luftën vetmohuese në dobi të çështjes së lirisë së atdheut.

Emra të gdhendur në histori

Për BrVIS është shkruar, folur, e rishkruar, është derdhur lavdia që meritonte, por edhe janë sulmuar dhe atakuar ata që bënë epope se, “përse e ngatë nazifashizmin “kalimtar”, “përse na çliruat nga bisha naziste”, janë thënë të vërteta, por edhe është tentuar që në tre dekadat e fundit të hidhet baltë mbi të papërbaltshmit, mbi të pamposhturit, mbi fitimtarët, mbi gjakun e dëshmorëve, që në fakt ka çimentuar lirinë shqiptare. Që gjatë luftës BrVIS botonte organin e saj politiko-luftarak “Flaka”, por pas luftës historiku i saj ishte detyrim për historiografinë shqiptare dhe veçanërisht për atë ushtarake shqiptare. Për BrVIS katër herë në tetë dekada është shkruar për historinë e saj: përpjekja e parë është bërë që në vitin 1945, nisma e dytë ka qenë në vitin 1961 kur u botua një histori më e zgjeruar e Br.VIS, ndërsa më 1973 u botua libri “Grusht çelik Brigad’ e Gjashtë” dhe në vitin 1989 është përpjekja më serioze kur u publikua me grup autorësh ish partizanë të Brigadës së gjashtë, “Historiku i BrVIS”, pa folur këtu për shkrime të shumta për dëshmorët, heronjtë e partizanët e kësaj brigade me emër si dhe publikimeve me vlerë sin ë Fjalorin Enciklopedikë shqiptar të vitit 1985. Ngjarje e fakte reale të betejave të zhvilluara brenda dhe jashtë kufijve administrativë shqiptarë kanë qenë pjesë e filmave, librave, romaneve, novelave, vëllimeve poetike, këngëve, krijmitarisë popullore. Këngët për këtë formacion partizan me emër si dhe drejtuesit e këtij formacioni kanë gjëmuar në të gjithë Shqipërinë. Emrat e dëshmorëve dhe heronjve të kësaj brigade janë të skalitur përjetësisht në kujtesën e kombit tonë, por emrat e tyre janë në institucione nga më të ndryshmet veçanërisht në shkolla të qyteteve e fshatrave që kanë çliruar, apo nga ishin me origjinë partizanët e kësaj brigade me emër të ndritur këtej e matanë kufirit shqiptaro-shqiptar. Lapidarët e memorialët, historia është çimentuar me gjakun e dëshmorëve, një vlerë e kombit në kohët rreziku, në kohët kur Europën e çlironin, ndërsa shqiptarët vetçliroheshin nga nazifashistët. Nderim dhe mirënjohje për luftën çlirimtare të partizanëve të Brigadës VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”. Fakt është se edhe sot oshëtin kënga e partizanëve të Brigadës së VI-të Sulmuese: “Dil nëno të shikosh jashtë, si lufton brigad’ e gjashtë!..”, dhe më tej: “Në malet e Shqipërisë valon gjaku i djalërisë!”. Në betejat e LIIB shkruhej historia e një prej luftrave më të organizuara të shqiptarëve, që shkroi shqiptarët në anën e duhur të historisë, edhe në librat e europianëve dhe euroatlantikasve si lufta e përbashkët antifashiste.

 

Please follow and like us: